Pas transferimit të Alexander Isak nga Newcastle, Liverpooli nuk ka arritur ende të ketë një lider të plotë në sulm, pjesërisht për shkak të mungesës së përgatitjes gjatë presezonit dhe një dëmtimi që do ta mbajë jashtë fushës deri në pranverë.
Trajneri Arne Slot duhet të gjejë urgjentisht një zgjidhje për të shtuar repartin e sulmuesve.
Mes qendërsulmuesve të specializuar, Liverpool ka vetëm Hugo Ekitike dhe dy të rinj, Jayden Danns dhe Keyrol Figueroa, të cilët nuk mund të mbështeten plotësisht këtë sezon.
Katër opsione të mundshme për Liverpoolin janë në tavolinën e klubit - ku pritet të zgjedh së shpejti.
Divock Origi (30 vjeç, pa klub)
Ikona e mbrëmjes magjike kundër Barcelonës në Champions League është tani e lirë pas shkëputjes me Milanin. Edhe pse ka luajtur pak në nivele të larta që nga 2022, ai mund të jetë një zëvendësues i besueshëm për Ekitike dhe të sjellë përvojë dhe motivim në dhomën e zhveshjes.
Ivan Toney (29 vjeç, Al-Ahli)
Sulmuesi anglez shkëlqeu te Brentford dhe po vazhdon të shënojë në Arabinë Saudite. Një huazim dimëror mund t’i sigurojë Toneyt hapësirë për të rënë në sy para Kampionatit Botëror, edhe pse klubi i tij mund të mos jetë i gatshëm ta lirojë lehtë.
Gonçalo Ramos (24 vjeç, PSG)
Sulmuesi portugez nuk ka fituar vendin e titullar te PSG dhe mund të konsiderohet për një huazim. Për Liverpoolin, rreziku është minimal – nëse nuk funksionon, ai kthehet te PSG. Për Ramosin, është një mundësi për të debutuar në Ligën Premier.
Danny Welbeck (35 vjeç, Brighton)
Me përvojë të madhe në Ligën Premier dhe aftësi për të luajtur edhe si mesfushor sulmues, Welbeck mund të jetë një opsion i shkëlqyer afatshkurtër. Ai po performon mirë këtë sezon dhe kontrata e tij skadon verën e ardhshme, gjë që mund ta bëjë transferimin të lehtë.
Liverpooli po kërkon një zgjidhje të përkohshme, që mund të sjellë përvojë, fleksibilitet dhe thellësi në sulm për pjesën e mbetur të sezonit. /Telegrafi/
Prej disa vitesh, Real Madridi ka ndryshuar qasjen ndaj lojtarëve të akademisë së të rinjve. Më parë, kur klubi dëshironte që një lojtar të fitonte përvojë jashtë “Santiago Bernabeut”, zakonisht vendoste për një huazim të thjeshtë.
Tani, strategjia është më komplekse: klubi shet 50% të të drejtave të lojtarit, duke ruajtur një opsion blerjeje ose gjysmën e çdo shitjeje të ardhshme. Kjo metodë siguron që klubi që merr lojtarin të angazhohet më shumë në zhvillimin e lojtarit, pasi zotëron pjesën tjetër të të drejtave dhe mund ta mbajë për më shumë se një sezon.
Sipas statistikave më të fundit, kjo qasje po funksionon jashtëzakonisht mirë. Aktualisht, Real Madridi po monitoron rreth 10 lojtarë që luajnë larg Bernabeut, shumica e të cilëve kanë parë vlerën e tyre treguore të rritet ndjeshëm.
Nico Paz, i cili u largua për në Como dy vera më parë me një vlerë prej 10 milionë eurosh, tani vlen 65 milionë euro, duke shumëfishuar vlerën e tij me 650%.
Jacobo Ramón, larguar verën e kaluar për 1 milion euro, tani vlen 18 milionë euro.
Chema de Andrés, i transferuar te Stuttgart me një vlerë fillestare prej 800,000 eurosh, tani vlen 14.8 milionë euro.
Lojtarë të tjerë si Víctor Muñoz (Osasuna), ‘El Toro’ (Elche), Mario Gila, Álex Jiménez, Antonio Blanco dhe Arribas gjithashtu kanë parë rritje të konsiderueshme të vlerës së tyre treguore.
Jo vetëm që Real Madridi monitoron lojtarët që u larguan, por edhe ata si Mario Gila, Álex Jiménez, Antonio Blanco dhe Arribas mund të kthehen në klub ose të sjellin një tarifë transferimi të konsiderueshme.
Rasti më i habitshëm është ai i Kubos, i cili u largua me një vlerë prej 30 milionë eurosh, arriti të rritet në 60 milionë euro, por tani ka rënë përsëri në 30 milionë.
Sipas të gjitha këtyre llogarive, Real Madridi ka regjistruar një fitim neto mbi 160 milionë euro vetëm nga strategjia me lojtarët e akademisë.
Disa nga transferimet kanë sjellë tashmë të ardhura ose kanë mundësuar rikthime. Një shembull është Fran García, mbrojtësi i krahut, i cili u largua për në Rayo Vallecano dhe falë performancave të tij të mira u rikthye te Real Madridi.
Kjo strategji tregon se, përveç përfitimeve sportive, Real Madridi ka krijuar një model të suksesshëm ekonomik, duke rritur vlerën e lojtarëve të rinj dhe duke siguruar burime financiare të qëndrueshme për të ardhmen. /Telegrafi/
Qeveria lokale e shtetit të Ogun, pjesë e Nigerisë, ka dhënë një përditësim mbi gjendjen e boksierit, Anthony Joshua, pas aksidentit tragjik me makinë që la dy të vdekur.
Joshua, 36 vjeç, ishte një nga katër pasagjerët në një xhip Lexus që u përplas me një kamion të palëvizshëm rreth orës 11:00 të mëngjesit, sipas orës lokale të hënën.
Boksieri u shpëtua me lëndime të lehta dhe tashmë është i qëndrueshëm, duke qenë i vetëdijshëm dhe në kontakt me familjen e tij.
BREAKING NEWS: Boxing champion Anthony Joshua has survived a deadly car crash in Nigeria that killed two people. He was a passenger in a Lexus when it reportedly smashed into a truck. This is him being carried out of his vehicle, clearly in agony. But he is said to be OK. pic.twitter.com/Ppm2EHj8mn — Piers Morgan (@piersmorgan) December 29, 2025
“Pas vlerësimeve gjithëpërfshirëse klinike, mjekët kanë konfirmuar se Joshua dhe një pasagjer i dytë janë në gjendje të qëndrueshme dhe nuk kanë nevojë për ndërhyrje urgjente mjekësore. Një ekip mjekësor do të vazhdojë t’i monitorojë nga afër”, thuhet në deklaratën e qeverisë së shtetit Ogun.
Sipas raportimeve, dy meshkuj të tjerë në automjet humbën jetën, ndërsa Joshua dhe një pasagjer tjetër u transportuan në spital për trajtim. Aksidenti ndodhi në autostradën Lagos-Ibadan, një rrugë e njohur për rrezikshmërinë e saj.
FOR IMMEDIATE RELEASE
JOINT STATEMENT BY OGUN AND LAGOS STATE GOVERNMENTS ON ROAD TRAFFIC ACCIDENT INVOLVING ANTHONY JOSHUA
The Governments of Ogun and Lagos States wish to confirm that British-Nigerian two-time unified world heavyweight boxing champion, Anthony Joshua, was… pic.twitter.com/m5VkFmX57t — Ogun State Government - OGSG (@OGSG_Official) December 29, 2025
Qeveria lokale po monitoron nga afër situatën dhe ka nisur hetimet për rrethanat e aksidentit. Automjeti i përfshirë është evakuuar, ndërsa autoritetet punojnë për të siguruar që kamioni i përfshirë të largohet nga vendi i ngjarjes për të lehtësuar hetimin. /Telegrafi/
Barcelona shpreson të bëjë një transferim gjatë afatit të dimrit, por mund të ketë edhe largime. Një kandidat kryesor për të lënë klubin është portieri Marc-Andre Ter Stegen, pasi nuk konsiderohet titullar nga trajneri Hansi Flick, megjithatë situata nuk është aq e thjeshtë sa do të dëshironte klubi.
Ter Stegen është informuar se do të jetë portieri i tretë për këtë sezon, pas Joan Garcia dhe Wojciech Szczesny. Duke marrë parasysh këtë, pagën e tij të lartë dhe dëshirën për të luajtur para Kupës së Botës 2026, ka pasur spekulime të forta për një largim të mundshëm në janar, më së shpeshti me huazim.
Portieri gjerman ka tërhequr interes nga disa klube gjatë javëve të fundit, megjithatë disa të tjerë kanë dalë nga gara. Megjithatë, ekziston tregu për të, edhe pse nuk do të jetë e lehtë që ai të largohet.
Sipas të përditshmes Mundo Deportivo, Ter Stegen është i gatshëm të qëndrojë te Barcelona për pjesën tjetër të sezonit, përveçse nëse nuk merr një ofertë tërheqëse për të qenë titullar i garantuar në një klub tjetër.
Ai dëshiron të luajë në Superkupën e Spanjës dhe në Kupën e Mbretit, ndaj do të ishte i kënaqur të qëndronte.
Në klub pranohet se çdo huazim i Ter Stegen do të thotë që Barcelona do të paguajë pjesën më të madhe të pagës së tij, por largimi i portierit 33-vjeçar konsiderohet i domosdoshëm. Çdo pagë e liruar mund të përdoret për të nënshkruar një qendërmbrojtës të ri, që është prioritet i klubit për afatin e dimrit.
Rrjedha e situatës së Ter Stegen do të shihet gjatë javëve në vijim. Deri tani nuk është bërë asnjë lëvizje, por me hapjen e afatit të transferimeve pritet që të ketë zhvillime. /Telegrafi/
Fondacioni i SC GjilaniT po vazhdon të dëshmojë se sporti është shumë më tepër se garë dhe emocione në fushë.
Me një frymë solidariteti dhe përgjegjësie shoqërore, Fondacioni ka mbështetur financiarisht Qendrën e Kujdesit Ditor “Pema”, Shoqatën “Handikos” dhe Shoqatën e të Verbërve në Gjilan, me nga 2 mijë euro secilën.
Kjo iniciativë humane u realizua falë përkrahjes së vazhdueshme dhe të pakursyer të partnerëve të çmuar të klubit – si El Bau, Demiri Gartenbau GmbH dhe Autovillage AG – të cilët qëndrojnë pranë SC Gjilanit jo vetëm në rrugëtimin sportiv, por edhe në misione me vlerë të lartë shoqërore.
Përfaqësuesit e klubit, së bashku me disa nga futbollistët dhe anëtarë të stafit teknik, vizituan nga afër këto tri institucione, ku u dorëzuan mjete simbolike financiare dhe dhurata modeste, si shenjë respekti, përkrahjeje dhe përkushtimi ndaj atyre që kanë më së shumti nevojë.
Fondacioni SC Gjilani mbetet i përkushtuar që edhe në të ardhmen të zgjerojë veprimtarinë e tij humanitare, duke mbështetur iniciativa dhe organizata që kontribuojnë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe forcimin e komunitetit tonë./Telegrafi/
Futbollisti Nemanja Matic iu bashkua këtë verë ekipit të Sassuolos, ku menjëherë fitoi vend në formacionin titullar, ndërsa mbron ngjyrat e klubit italian me Aro Muricin.
Gjatë një interviste për portalin “Four Four Two”, Matić u pyet për festimet e Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës kundër Serbisë në Kupën e Botës, në vitet 2018 dhe 2022, ku të dy përdorën shqiponjën dykrenare – simbolin e flamurit shqiptar.
Matic e kritikoi këtë veprim, duke e konsideruar si një fitore politike, jo sportive.
“Unë i respektoj ata si futbollistë, kam luajtur kundër tyre disa herë në Ligën Premier. Por me këto gjëra të vogla ata fitojnë pikë të lira politike. Ata janë rritur në Zvicër. Me një veprim të tillë, nuk tregon respekt për vendin për të cilin luan. Nëse e do kaq shumë Shqipërinë, atëherë pse nuk luan për Shqipërinë? Kjo është pyetja ime”, deklaroi Matic.
Ai shtoi se dashuria për vendet të ndryshme nuk është problem, por sinqeriteti është thelbësor.
“Mund të duash disa vende, kjo nuk është problem. Unë e dua Serbinë, është vendi im. Gjithashtu e dua Anglinë, kam kaluar shumë kohë atje. Por kurrë nuk do të them se e dua Anglinë më shumë se Serbinë. Duhet të jesh i sinqertë”.
“Kam luajtur kundër Xhakës shumë herë dhe kurrë nuk kam pasur problem. Gjithmonë shtrëngonim duart, ai është një lojtar i mirë – ashtu si edhe Shaqiri. Por unë kurrë nuk do ta bëja për të provokuar dikë. I respektoj të gjithë”, ka thënë mesfushori. /Telegrafi/
Media prestigjioze kroate Telesport ka publikuar 11-shen më të mirë të gjysmës së sezonit në HNL, ku një vend të veçantë zë edhe Arbër Hoxha, i përzgjedhur si anësori i majtë ideal i kampionatit.
Fillimi i sezonit për reprezentuesin shqiptar nuk ishte aspak i lehtë. Në hierarkinë e Dinamos, Hoxha ishte fillimisht opsioni i tretë apo i katërt, pas emrave si Gabriel Vidović, Cardoso Varela dhe Luka Stojković. Megjithatë, me punë, këmbëngulje dhe paraqitje vendimtare, ai arriti ta ndryshojë plotësisht statusin e tij dhe të shndërrohet në një nga figurat kryesore të skuadrës.
Sipas analizës së Telesport, forca fizike, vendosmëria dhe gjuajtja e fuqishme janë armët kryesore që e dallojnë Arbër Hoxhën nga të gjithë anësorët e tjerë në ligë. Ai jo vetëm që u bë titullar i rregullt te Dinamo, por në një pjesë të sezonit ishte faktori kryesor që e “tërhoqi” skuadrën, duke kombinuar paraqitje të forta në kampionat me ndikim të dukshëm edhe në arenën evropiane.
Momentet kulmore erdhën pikërisht në derbit kundër Hajdukut. Në ndeshjen e parë, Hoxha ishte titullar në fitoren për tri pikë, ndërsa në përballjen e dytë shënoi në minutat shtesë për të ruajtur epërsinë dhe pozicionin e Dinamos në krye. Në një kampionat ku diferencat mes ekipeve janë minimale, këto gola dhe paraqitje kishin peshë të jashtëzakonshme.
Edhe pse ka ende hapësirë për përmirësim, Telesport thekson se ndikimi i Arbër Hoxhës në lojën sulmuese të Dinamos është i pakontestueshëm. Pikërisht për këtë arsye, ai është zgjedhur pa dilemë si anësori i majtë i formacionit të vitit, përpara emrave si Iurii Tavares, Ante Rebić apo Salim Fag Lawal.
Një vlerësim i madh për futbollistin shqiptar dhe një tjetër dëshmi se Arbër Hoxha po e fiton vendin e tij mes emrave më të spikatur të futbollit kroat. /Telegrafi/
Që fëmijë, Edon Zhegrova kënaqej duke dribluar shokët e lagjes. Ishte thuajse një obsesion, aq sa më vonë u quajt “Messi i Kosovës”, për të theksuar cilësinë teknike dhe prirjen e tij të pandalshme për driblim, shkruan Gazetta dello Sport.
Sot, Zhegrova ka një nofkë tjetër: “Mister Zeppetta”, siç e ka quajtur Luciano Spalletti – një epitet që lojtari duket se e ka pranuar me kënaqësi, duke falënderuar trajnerin e tij.
Spalletti e gjeti Zhegrovën si një “objekt të harruar” në dhomat e zhveshjes së Juventusit dhe, për një kohë të shkurtër, e shndërroi në një armë të rrezikshme në fushë. Megjithatë, menaxhimi fizik i tij mbetet thelbësor.
Menaxhimi te Juventusi
Zhegrova vuan nga pubalgjia, një problem që e kishte mbajtur larg fushës për një periudhë të gjatë para se të transferohej në Torino. Kjo gjendje vazhdon të kërkojë kujdes të veçantë, pasi çdo rritje e tepruar e intensitetit mund të sjellë rrezik dëmtimi.
Spalletti u befasua pozitivisht nga paraqitja e tij e fundit, në një moment kur Juventusi kishte nevojë urgjente për ndryshim ritmi ndaj Pisas. Zhegrova hyri në lojë dhe për 35 minuta luajti në nivel të lartë, duke i dhënë skuadrës një dozë të madhe paparashikueshmërie dhe energjie. Ai ndryshoi rrjedhën e ndeshjes dhe u shpall lojtari më i mirë në fushë.
I afruar në fund të afatit kalimtar të verës, Zhegrova pati një periudhë adaptimi jo të lehtë te Juventusi. Pushimi i gjatë dhe nevoja për të kalibruar ngarkesat fizike bënë që Igor Tudor të mos mund të llogariste shumë tek ai në fillim: vetëm 36 minuta në tri paraqitje.
Situata ndryshoi nën drejtimin e Spallettit. Në 12 ndeshje, Zhegrova luajti 173 minuta në 8 paraqitje, duke fituar gjithnjë e më shumë besim. Kjo nuk ishte vetëm çështje besimi, por rezultat i një programi të veçantë pune, i ndërtuar nga disa departamente që punojnë në mbështetje të stafit teknik.
Përparimi fizik, 75% dhe ende në rritje
Në muajt e parë në Torino, Edoni i kushtoi rreth 70% të kohës punës fizioterapisë dhe 30% zonës së performancës. Sipas planit, ky raport është përmbysur në javët e fundit. Ai vazhdon punën e forcës, me fokus të veçantë në muskujt e poshtëm të barkut dhe gluteusët (muskujt e vitheve), për të mbrojtur zonat më të rrezikuara për një lojtar eksploziv dhe shpërthyes si ai.
Aktualisht, gjendja fizike e Zhegrovës vlerësohet në 75%, çka do të thotë se më e mira ende nuk ka ardhur.
Vlerësime shumë pozitive kanë ardhur edhe nga mbështetja psikologjike. Zhegrova ka treguar dëshirë të madhe për t’u rikthyer në nivelin e tij më të lartë dhe është paraqitur në Torino me optimizmin e duhur për të përballuar një periudhë të gjatë rikuperimi.
Ai i ka përballuar ngarkesat e punës me mentalitetin e duhur, pa u ankuar për sakrificat. Njihet si natyrë optimiste, por është vazhdimësia në punë ajo që ka bërë diferencën më të madhe.
Tani, objektivi i Juventusit dhe i stafit teknik është i qartë: ta përgatisin Zhegrovën që të jetë në gjendje të luajë deri në tri ndeshje në javë. /Telegrafi/
Tabela përfundimtare e Ligës Premier është simuluar dhe tifozët e Arsenalit kanë arsye të mëdha për festë.
Sipas parashikimeve më të fundit, pritja e gjatë për titullin kampion duket se më në fund po merr fund. Skuadra e Mikel Artetës ka qenë shumë pranë suksesit për disa sezone radhazi, por Manchester City dhe Liverpool kanë qenë gjithmonë një hap përpara.
Këtë herë, megjithatë, gjithçka duket ndryshe. Sipas analizës së fundit, Topçinjtë pritet ta ndërpresin “agjërimin” e gjatë dhe ta fitojnë titullin këtë sezon.
Arsenali në krye, City në vendin e dytë
Në krye të tabelës parashikohet një festë e madhe për Arsenalin dhe tifozët e tij besnikë. Superkompjuteri i fundit i përdorur nga CasinoHawks parashikon që liderët aktualë do ta fitojnë titullin me pesë pikë diferencë ndaj skuadrës së Pep Guardiolës.
Sipas këtij simulimi, Arsenali do ta përfundojë sezonin me 87 pikë, ndërsa Manchester City do të duhet të kënaqet me vendin e dytë me 82 pikë.
Lufta për Evropën
Lajme shumë pozitive ka edhe për Aston Villën, e cila parashikohet të përfundojë sezonin në vendin e tretë, duke siguruar një rikthim në Ligën e Kampionëve, kompeticioni më fitimprurës evropian për klube.
Katërshja e parë do të plotësohet nga Chelsea, nën drejtimin e Enzo Marescas, ndërsa kampionët e sezonit të kaluar, Liverpool, dhe Manchester United, parashikohet të renditen në vendin e pestë dhe të gjashtë, përkatësisht.
Kush bie nga liga?
Në fund të tabelës, panorama është dukshëm më e errët. Wolves, të cilët ende nuk kanë regjistruar asnjë fitore këtë sezon, parashikohen të kenë një edicion katastrofik.
Sipas simulimit, ata mund të thyejnë rekordin famëkeq për numrin më të ulët të pikëve të mbledhura ndonjëherë në Ligën Premier.
Wolves pritet të përfundojnë sezonin me vetëm 10 pikë, duke regjistruar vetëm dy fitore.
Burnley parashikohet gjithashtu të bjerë nga kategoria, duke vazhduar reputacionin e tij si një klub që shpesh ngjitet dhe bie mes ligave. Rënia më befasuese, megjithatë, pritet të jetë ajo e West Ham.
Edhe pse 40 pikë zakonisht konsiderohen të mjaftueshme për mbijetesë, këtë sezon nuk do të jenë të tilla për “Hammers”, të cilët parashikohet t’u bashkohen Wolves dhe Burnley në rënien drejt Championshipit.
Surpriza në mes të tabelës
Një element interesant i këtij simulimi është mbijetesa e parashikuar për dy nga tre ekipet e sapongjitura në elitë. Sunderland pritet të ketë një sezon shumë pozitiv rikthimi, duke përfunduar në një vend të respektueshëm, të 11-in.
Leeds United gjithashtu pritet ta shmangë rënien nga kategoria, por me shumë vështirësi. Ata parashikohen të përfundojnë në vendin e 17-të, vetëm pesë pikë larg zonës së rënies.
Nga ana tjetër, Tottenham pritet të ketë edhe një sezon zhgënjyes. Pavarësisht një përmirësimi të lehtë sezonin e kaluar nën drejtimin e Ange Postecoglou, Spurs parashikohet të mbyllin sezonin në vendin e 15-të, një rezultat veçanërisht i dhimbshëm duke pasur parasysh suksesin e madh të rivalëve të tyre në veri të Londrës. /Telegrafi/
Sadettin Saran e kaloi natën e Krishtlindjeve në paraburgim si i dyshuar për përdorim droge, një akuzë që ai e mohon dhe e paraqiti si pjesë të “një persekutimi” kundër tij dhe klubit që ai drejton.
Presidenti i klubit të Fenerbahçes, Sadettin Saran, u lirua me kusht të enjten, një ditë pasi u arrestua nën dyshimin për përdorim droge, raportoi agjencia turke e lajmeve Anadolu.
Arrestimi dhe operacioni policor
Sadettin Saran u arrestua të mërkurën si pjesë e një operacioni të gjerë për përdorim të dyshuar të kokainës, në të cilin dhjetëra artistë, personalitete të mediave sociale, gazetarë dhe biznesmenë janë arrestuar ose janë thirrur për të dëshmuar prej ditësh.
Shumë individëve nën hetim iu morën mostra flokësh për testimin e drogës. Në rastin e Saranit, testi i flokëve rezultoi pozitiv, ndërsa mostrat e gjakut, urinës dhe thonjve rezultuan negative, sipas Anadolu.
Mohimi i akuzave dhe qëndrimi i Saranit
Saran ka mohuar kategorikisht përdorimin e kokainës dhe ka pohuar se kjo është një fushatë shpifjeje kundër tij dhe klubit që ai përfaqëson.
Megjithatë, prokuroria po i mban akuzat kundër tij: “përdorim droge”, “furnizim me drogë të tjerëve” dhe “lehtësim i përdorimit të drogës”.
Për këtë akuzë të fundit, gjykata i ka caktuar masa paraprake, duke përfshirë detyrimin për t’u paraqitur rregullisht në stacionin e policisë për t’u regjistruar, si dhe mbajtjen në fuqi të ndalimit të udhëtimit të vendosur disa ditë më parë.
Menaxhmenti i Fenerbahçes shprehu në disa deklarata mbështetjen e tij të plotë për Saran dhe falënderoi tifozët për mbështetjen e tyre. Një numër i madh tifozësh u mblodhën jashtë gjykatave të enjten, ndërsa klubi u bëri thirrje atyre të tregojnë respekt maksimal për sistemin e drejtësisë.
Profili i Sadettin Saranit
Sadettin Saran është një biznesmen 61-vjeçar, i lindur në Denver të Shteteve të Bashkuara, nga një baba turk dhe një nënë amerikane. Ai zotëron “Saran Holding”, kompani që vepron në median audiovizuale sportive, industrinë e filmit dhe turizmin.
Ai u bë president i klubit sportiv Fenerbahçe në shtator, pas një votimi të ngushtë në të cilin mposhti ish-presidentin Ali Koç. /Telegrafi/
Manchester United vazhdon të mbajë kontakte për mesfushorin Conor Gallagher, megjithatë Atletico Madrid po qëndron i palëkundur në kërkesën e tyre për një transferim të përhershëm, raporton Fabrizio Romano.
Sipas Romanos, klubi madrilen po e prioritarizon një marrëveshje definitive me vlerë rreth 30 milionë euro dhe aktualisht nuk është i gatshëm të marrë në konsideratë një huazim.
Ky ka qenë i njëjti qëndrim edhe gjatë ditëve të fundit të afatit kalimtar veror, kur Manchester United kishte shqyrtuar një lëvizje të minutës së fundit për Gallagherin.
Pavarësisht lidhjeve të reja mes lojtarit dhe “Djajve të Kuq”, pozicioni i Atleticos mbetet i pandryshuar: ose transferim i përhershëm, ose nuk ka marrëveshje. Man United vazhdon të mbajë komunikim me njerëz të afërt të mesfushorit anglez, por mesazhi që vjen nga Madridi është i qartë.
Gallagher, i cili ka qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës së Atleticos këtë sezon, vlerësohet shumë për energjinë, intensitetin dhe aftësinë për të mbuluar disa role në mesfushë.
Pikërisht këto cilësi e bëjnë atë një objektiv interesant për Manchester United, që po kërkon të forcojë repartin e mesfushës për pjesën e dytë të sezonit. /Telegrafi/
Legjenda e futbollit gjerman, Lothar Matthaus, nuk ka shumë dilema kur bëhet fjalë për lojtarin më të mirë të Bundesligës në pjesën e deritanishme të sezonit.
Ish-ylli i Bayern Munich dhe rekordmeni për paraqitje me kombëtaren gjermane, vlerëson se ky është sulmuesi i bavarezëve, Harry Kane.
“Ai është golashënuesi më i mirë i Bundesligës me 19 gola. Mënyra se si paraqitet në fushë dhe jashtë saj është e veçantë. Ky është një Kane ndryshe nga ai që u ble dy vite më parë. Edhe sezoni i tij meriton notën maksimale”, ka deklaruar Matthaus.
Ai theksoi se anglezi u afrua për të mbushur boshllëkun e lënë nga polaku Robert Lewandowski, i cili u transferua te Barcelona.
“Kane është shumë më tepër për ekipin. Ai merr pjesë në lojë, bashkëpunon dhe i përfshin edhe lojtarët e tjerë”, u shpreh qartë Matthaus.
Kujtojmë se Harry Kane iu bashkua Bayernit në vitin 2023 nga Tottenham, për shumën e 95 milionë eurove. Deri tani, në 121 ndeshje zyrtare me fanellën e Bayernit, ai ka shënuar 116 gola dhe ka dhënë 29 asistime. /Telegrafi/
Mesfushori i PSG-së, Vitinha, ka dhënë një intervistë për O Jogo, ku ka reflektuar mbi krahasimet që shpesh bëhen midis tij dhe Joao Neves, si dhe lidhjen me legjendat e FC Barcelonës, Xavi Hernandez dhe Andres Iniesta.
Ndërsa shumë tifozë dhe analistë e shohin dyshen e PSG-së si pasardhës të natyrshëm të dyshes katalanase, Vitinha ka zgjedhur të theksojë vlerësimin e tij të lartë për bashkatdhetarin e tij më të ri dhe talentin e jashtëzakonshëm që ai ka treguar në fushë.
“E di që krahasimi me Xavin dhe Iniestan bëhet shpesh dhe kjo është normale, sepse stile të ngjashme nuk mungojnë në futboll,” deklaroi Vitinha, duke njohur ndikimin dhe stilin e lojtarëve të mëdhenj që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në futbollin botëror.
Megjithatë, mesfushori i PSG-së nuk ngurroi të shprehte admirimin e tij të plotë për Joao Neves.
“Është e qartë dhe nuk kam gjë tjetër veçse lëvdata për Joao Nevesin. Vazhdimisht i them se sa i pabesueshëm është, si lojtar dhe si person”, deklaroi ai.
Ai e vlerëson Nevesin jo vetëm për aftësitë e tij teknike, por edhe për karakterin dhe përkushtimin e tij.
“Ai është një nga lojtarët më të mirë që kam parë ndonjëherë dhe jam i bindur për këtë… Ai shumë shpejt do të bëhet më i madhi i të gjitha kohërave”
“Në fakt, për mua, nëse ai nuk është më i miri tani, ai është sigurisht ndër lojtarët më të mirë”, deklaroi Vitinha.
Këto fjalë nënvizojnë jo vetëm talentin e jashtëzakonshëm të Nevesit, por edhe respektin që bashkatdhetarët e tij të mëdhenj kanë për të, duke e vendosur atë në mesin e të rinjve më premtues dhe më të admirueshëm të futbollit portugez dhe evropian. /Telegrafi/
Legjenda holandeze e futbollit, Marco van Basten, ka dhënë lavdërime të mëdha për talentin e ri të Barcelonës dhe Spanjës, Lamine Yamal, duke e vendosur atë në majën absolute të futbollit botëror në këtë moment.
Duke folur për ndikimin dhe nivelin e të riut, Van Basten nuk la asnjë dyshim për vlerësimin e tij mbi paraqitjet dhe statusin aktual të sulmuesit të krahut.
“Lamine Yamal, pa asnjë dyshim, është futbollisti më i mirë në botë aktualisht”, deklaroi Van Basten, duke nënvizuar sa shumë e vlerëson paraqitjen dhe ndikimin e 18-vjeçarit në fushë.
Legjenda holandeze gjithashtu theksoi rëndësinë e mbrojtjes dhe vlerësimit të një talenti kaq të rrallë gjatë kohës, për të siguruar që ai të ketë një karrierë të gjatë dhe të suksesshme.
“Gjithçka që shpresoj është që të mund ta shijojmë sa më gjatë duke e parë të luajë”, shtoi Van Basten.
Fjalët e tij pasqyrojnë konsensusin në rritje se Yamal jo vetëm që dominon ndeshjet që në moshë të re, por gjithashtu përfaqëson një talent të jashtëzakonshëm të një gjenerate që tifozët e futbollit duhet ta çmojnë dhe ta ndjekin me pasion. /Telegrafi/
Një nga tiparet më të dukshme të Barcelonës nën drejtimin e Hansi Flick është etja e pandalshme për gola.
Trajneri gjerman e nxit vazhdimisht ekipin e tij të sulmojë, pavarësisht rezultatit në tabelën e rezultateve – një filozofi që u ka sjellë katalanasve shifra mbresëlënëse në aspektin ofensiv.
Barcelona e mbylli vitin 2025 me statistika të jashtëzakonshme: 169 gola të shënuar në 60 ndeshje në të gjitha garat, sipas të përditshmes spanjolle Marca.
Një ritëm “vrasës” gjatë gjithë vitit
Skuadra blaugrana ka qenë veçanërisht e fuqishme në La Liga, ku ka shënuar 102 gola në 37 ndeshje gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit – një mesatare prej 2.75 golash për ndeshje.
Vetëm në periudhën gusht–dhjetor, Barcelona realizoi 67 gola, prej të cilëve: 51 në kampionat, 14 në Ligën e Kampionëve dhe 2 në Kupën e Mbretit.
Ky sezon do të mbahet mend edhe për fitoret spektakolare: nga gjashtë gola kundër Valencias dhe Olympiacos, pesë ndaj Real Betisit, si dhe katër gola kundër Athletic Bilbaos dhe Celta Vigos.
Në 13 nga 25 ndeshje të luajtura këtë sezon, Barcelona ka shënuar tre ose më shumë gola.
Performanca më e mirë që nga epoka e Luis Enriques
Shifra prej 169 golash përfaqëson performancën më të mirë të Barcelonës që nga viti 2016, kur ekipi i drejtuar nga Luis Enrique realizoi 174 gola, me një mesatare prej 2.94 golash për ndeshje. Në atë kohë, barra e golave mbahej nga treshja legjendare Messi – Neymar – Luis Suárez.
Në vitin 2025, përgjegjësia për finalizimin është shpërndarë mes disa emrave: Robert Lewandowski, Ferran Torres, Raphinha, Lamine Yamal dhe Fermín López, duke treguar një Barcelonë më kolektive në sulm.
“Mallkimi” i shtyllave të portës
Statistikat mund të kishin qenë edhe më mbresëlënëse po të mos ishte “aksidenti” me shtyllat e portës. Lojtarët e Barcelonës kanë goditur shtyllën ose traversën 36 herë gjatë vitit kalendarik.
Rasti më i fundit ishte ai i Raphinhas, të dielën e kaluar në La Cerámica, kur topi përfundoi në traversë. Nga këto 36 goditje: 17 kanë ndodhur këtë sezon, prej tyre 15 në La Liga dhe 2 në Ligën e Kampionëve.
Një detaj që tregon se shifrat sulmuese të Barcelonës nën Flick mund të kishin qenë edhe më të frikshme. /Telegrafi/
Klubi ukrainas Polissya Zhytomyr ka finalizuar edhe transferimin e mbrojtësit të Kolos dhe lojtarit të Kombëtares së Kosovës, Ilir Krasniqi.
Kjo lëvizje është pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të klubit ukrainas në tregun e transferimeve për të forcuar ekipin për sezonin e ardhshëm, pasi sot gjatë ditës prezantoi Lindon Emërllahun.
Sipas raportimeve të mediumit ukrainas sport.ua ,prezantimi i lojtarit do të bëhet së shpejti, ndoshta gjatë natës së Vitit të Ri.
🟢 Polissya sign Ilir Krasniqi 🇽🇰
Zhytomyr-based Polissya have completed the signing of 25-year-old Kosovo international Ilir Krasniqi from Kolos, according to https://t.co/ExQb6KJ9US. The contract has already been signed The transfer fee is reported to be around €2 million… pic.twitter.com/n17j5K7NTS — Polissya Zhytomyr EN (@PolissyaEN) December 25, 2025
Ana financiare e marrëveshjes ende nuk është zbuluar, megjithatë më parë mediat raportuan një shifër rreth 2 milionë eurosh.
Transfermarkt e vlerëson Krasniqin me 1 milion euro. Ai iu bashkua Kolos në verën e vitit 2024 dhe kishte kontratë deri në verën e vitit 2027.
Në sezonin 2025/26, Krasniqi luajti 14 ndeshje në UPL, duke shënuar një gol.
Krasniqi ka 17 paraqitje me ekipin kombëtar të Kosovës dhe vazhdon të jetë një lojtar aktiv i ekipi tone që po lufton për play-off. /Telegrafi/
Sezoni i Jude Bellingham (22) po shndërrohet në një katrahurë të vërtetë. Pas një operacioni në shpatull gjatë verës, Xabi Alonso vendosi ta rikthente anglezin direkt në formacionin titullar për derbin e qytetit në “Metropolitano”.
Megjithatë, eksperimenti rezultoi i dështuar, pasi Real Madridi pësoi një humbje të rëndë me rezultat 5-2.
Kjo ishte goditja e parë serioze e sezonit dhe paralajmërimi i një krize që do të pasonte. Deri në atë moment, Reali po siguronte rezultate pozitive edhe kur loja nuk ishte bindëse, dhe këtë pa Bellingham, i cili ishte në fazë rikuperimi pas ndërhyrjes kirurgjikale, shkruan As.com.
Shkëlqimi para ardhjes së Mbappe
Para ardhjes së Kylian Mbapp, Bellingham luajti në mënyrë brilante në sistemin e Carlo Ancelottit. Ai u përshtat në mënyrë të përkryer në sezonin e tij të parë, në një Real Madrid që luante pa një sulmues klasik pas largimit të Karim Benzemas, me Vinicius Jr. dhe Rodrygo në fazën ofensive.
Ky ishte sistemi ideal për anglezin, i cili shfrytëzoi maksimalisht aftësinë e tij më të madhe: ardhjen nga thellësia drejt zonës finale. Megjithatë, Reali e kishte transferuar atë si mesfushor dhe ky fakt, sipas analizave, mund të ketë ndikuar në vonesën e përforcimeve në repartin e mesfushës pas largimeve të Toni Kroos dhe Luka Modric.
Ardhja e Mbappe dhe rënia e ndikimit
Pas një sezoni debutues ku u krahasua edhe me Alfredo Di Stéfanon, falë shifrave mbresëlënëse prej 23 golash dhe 13 asistesh, Bellingham këtë edicion ka humbur ritmin. Deri tani, ai ka shënuar vetëm 5 gola në 20 ndeshje, pa pasur ndikimin vendimtar që pritej në lojën e skuadrës.
Profili i tij, mes mesfushës dhe sulmit, e bën Bellingham një lojtar të vështirë për t’u përshtatur taktikisht. Pikërisht kjo u reflektua edhe në vështirësinë e Xabi Alonsos për t’i gjetur pozicionin ideal pas humbjes në “Metropolitano”.
“Unë e shoh atë më shumë si mesfushor”, deklaroi Alonso gjatë Kupës së fundit të Botës për Klube.
Megjithatë, për ndeshjen e kthimit në “Metropolitano”, trajneri ndryshoi skemën në 4-2-3-1, duke e vendosur Bellingham si mesfushor sulmues pas Mbappes, më afër portës kundërshtare.
Ndryshimet taktike dhe problemet mbrojtëse
Kjo ide u aplikua për disa ndeshje, por shpejt u bë e dukshme një mungesë ekuilibri mbrojtës në krahun e majtë, e përkeqësuar edhe nga kontributi i dobët mbrojtës i Vinicius Jr. Për këtë arsye, Alonso u detyrua të ndryshonte sërish planin.
Sistemi aktual 4-4-2 e pozicionon Bellingham në të majtë, duke i dhënë liri të plotë lëvizjeje. Kjo, megjithatë, kërkon një angazhim të madh fizik nga anglezi për t’u rikthyer në mbrojtje, ndërsa Vinicius lirohet nga detyrat defensive dhe luan si sulmues përkrah Mbappé-së.
Edhe ky rregullim nuk ka sjellë rezultatet e dëshiruara. Pavarësisht fitoreve ndaj Athletic Bilbao, Alaves dhe Sevilla, Reali pësoi një tjetër humbje kundër Celtas dhe vazhdon të shfaqë dobësi, si në lojë ashtu edhe në fazën mbrojtëse, ku kundërshtarët krijojnë shumë raste.
Situatë e ngjashme edhe me Anglinë
Problemet nuk mungojnë as në ekipin kombëtar të Anglisë. Pas rikthimit nga lëndimi, Bellingham është përballur me vështirësi në integrim. Në kualifikueset e Kupës së Botës, skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel regjistroi gjashtë fitore në gjashtë ndeshje, me golavarazh 18:0, duke siguruar kualifikimin me dy raunde të mbetura.
Megjithatë, rikthimi i Bellingham ka hapur debat për rolin e tij në sistem. Ai u prit me duartrokitje në Wembley, por edhe me fishkëllima kur hyri si zëvendësues kundër Serbisë. Me Harry Kane si kapiten të padiskutueshëm, Bukayo Saka në krahun e djathtë dhe Elliot Anderson përkrah Declan Rice në mesfushë, Bellingham ende po kërkon vendin e tij, veçanërisht tani që edhe Phil Foden është në formë të shkëlqyer.
Tensionet vazhduan edhe në ndeshjen kundër Shqipërisë (fitore 0-2), ku Bellingham ishte titullar dhe u shpall lojtari i ndeshjes. Gjithçka dukej perfekte deri në momentin e zëvendësimit të tij.
Anglezi reagoi me nervozizëm në stol, gjë që nuk i shpëtoi vëmendjes së trajnerit. Tuchel e kritikoi publikisht pas ndeshjes.
“Ai po i tundte krahët lart dhe ishte qartësisht i pakënaqur që u zëvendësua. Nga larg, nuk dukej si dikush që e përqafon kolektivin”, deklaroi gjermani.
Një problem i papritur për Realin dhe Anglinë
Pavarësisht gjithçkaje, Jude Bellingham mbetet pjesë e planeve për Kupën e Botës. Megjithatë, ashtu si te Real Madridi, edhe në kombëtare, përshtatja e tij në sistem është kthyer në një temë serioze debati – një problem i papritur për një lojtar që deri pak muaj më parë shihej si figura qendrore e së tashmes dhe së ardhmes. /Telegrafi/
Ylli i ri i Barcelonës, Lamine Yamal, ua zbukuroi pushimet dimërore një grupi fëmijësh në Dubai, duke u bashkuar me ta në një ndeshje të improvizuar futbolli në plazh.
Futbollisti 18-vjeçar ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe në kuadër të ceremonisë së ndarjes së çmimeve Globe Soccer Awards dhe e pranoi pa hezitim ftesën e fëmijëve për të luajtur, duke treguar anën e tij të relaksuar dhe njerëzore.
Një video e publikuar në rrjetet sociale, e cila u përhap me shpejtësi, e tregon Yamalin duke luajtur zbathur në rërë, mes buzëqeshjeve dhe entuziazmit të fëmijëve që nuk e fshehnin gëzimin.
Për ta, ishte një moment i paharrueshëm – një përballje e papritur me një nga talentet më të mëdha të futbollit botëror, i cili ndau me ta pasionin e pastër për lojën.
Edhe pse vetëm 18 vjeç, Lamine Yamal tashmë ka arritje që shumë futbollistë i ëndërrojnë gjatë gjithë karrierës. Ai ka fituar trofe të rëndësishëm me Barcelonën dhe Spanjën, u shpall kampion i Evropës në vitin 2024.
Aktualisht, Barcelona kryeson La Ligën, katër pikë përpara rivalit të përjetshëm, Real Madridit.
Gjesti i bërë në Dubai e shfaq Yamalin në një dritë tjetër. Ndërsa priste ceremoninë e çmimeve Globe Soccer, ku është nominuar për lojtarin më të mirë në botë, ai tregoi se shpërblimi më i madh shpesh është thjesht kënaqësia e të luajturit futboll.
Ky moment simbolizon përulësinë dhe dashurinë e vërtetë për sportin, duke dëshmuar se gëzimi i një ndeshjeje spontane me fëmijët në plazh mund të ketë po aq vlerë sa çdo trofe apo çmim individual. Janë pikërisht këto momente që e bëjnë futbollin më shumë se një lojë. /Telegrafi/
Interesimi për mbrojtësin e Bournemouth, Marcos Senesi, po rritet gjithnjë e më shumë, me disa prej klubeve më të mëdha evropiane që po e monitorojnë nga afër situatën e tij.
Juventus, Atletico Madrid dhe Barcelona janë mes skuadrave që kanë bërë verifikime konkrete për qendërmbrojtësin argjentinas.
Senesi ndodhet në një fazë vendimtare të kontratës së tij, pasi marrëveshja me Bournemouth skadon në qershor të vitit 2026.
Për këtë arsye, klubi anglez mund të jetë i hapur për ta shitur atë gjatë këtij viti, në mënyrë që të shmangë rrezikun e humbjes së tij pa kompensim financiar.
Gazetari i njohur Fabrizio Romano ka konfirmuar se disa klube të mëdha po ndjekin në mënyrë aktive statusin e Senesit, me Juventusin, Atletico Madridin dhe Barcelonën që janë të vëmendshme ndaj çdo zhvillimi të mundshëm.
Megjithatë, një transferim gjatë afatit dimëror nuk konsiderohet i afërt. Senesi është aktualisht i përqendruar te përfundimi i sezonit në mënyrën më të mirë të mundshme me Bournemouth në Ligën Premier, përpara se të marrë një vendim për të ardhmen e tij.
Profili i tij si mbrojtës me këmbë të majtë, siguria në fazën mbrojtëse dhe përvoja si në nivel klubesh ashtu edhe në arenën ndërkombëtare e bëjnë atë një opsion shumë tërheqës për afatin e verës. /Telegrafi/
Derbi i madh katalanas ndërmjet Espanyolit dhe Barcelonës, që do të zhvillohet më 3 janar në stadiumin RCDE, është shpallur zyrtarisht si ndeshje me rrezik të lartë.
Shkak kryesor për këtë vendim është portieri i Barcelonës, Joan Garcia, i cili gjatë verës iu bashkua kampionëve aktualë pikërisht nga Espanyoli për shumën e 25 milionë eurove.
Ky transferim ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te tifozët e klubit vendas, duke rritur tensionin para përballjes.
Në këtë kontekst, Espanyoli po punon intensivisht në koordinim me autoritetet për të forcuar masat e sigurisë, me qëllim që rikthimi i Garcias në RCDE Stadium të mos shndërrohet në burim incidentesh që mund të kenë pasoja serioze për klubin dhe për mbarëvajtjen e sezonit.
Ndër masat parandaluese të planifikuara është edhe vendosja e një rrjete mbrojtëse pas njërës prej portave, për të parandaluar hedhjen e objekteve në fushë dhe për të garantuar sigurinë e lojtarëve dhe zyrtarëve të ndeshjes.
Kujtojmë se Barcelona kryeson aktualisht La Ligan me 46 pikë, katër më shumë se Real Madridi i vendit të dytë, dhe ndodhet në një seri mbresëlënëse prej tetë fitoresh radhazi në kampionat. /Telegrafi/