TIRANË, 19 janar/ATSH/ Liria është e panegociueshme, por ajo nuk mund të ekzistojë pa themelin e fortë të përgjegjësisë.
Ky është mesazhi që përcolli bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama, e ftuar në emisionin “Aromë gruaje” në RTSH. Ajo u shpreh se hyrja në godinën e RTSH-së nuk është thjesht një intervistë e radhës, por një udhëtim pas në kohë.
Ajo kujtoi daljen e saj të fundit në këtë ekran në vitin 1995, një periudhë tranzicioni të vrullshëm për Shqipërinë.
“Unë futem në RTSH pas 3 dekadash. Kam qenë në vitin 1995 për të shpjeguar skemën e privatizimit masiv që drejtohej nga unë me gazetarin e ekonomisë dhe ishim live. Kjo godinë është e mbushur me emocione. Prezenca e RTSH-së në jetën time është shumë e hershme për shkak të xhaxhait tim Hasan Basha, pjesë e teknikëve të parë të televizionit. Isha e emocionuar kur shkela”, u shpreh Linda Rama në nisje të intervistës.
Ekspertja Rama vijoi se “liria e vërtetë, ajo e mendimit dhe e fjalës. Fitohet vetëm kur individi respekton kodet e shoqërisë – qofshin ato të punës, familjes apo ligjit. Lirinë nuk e negocioj me asgjë mund të mos e shikoj tek vetja ime, por nuk resht së thëni atë që dua, mendoj e ëndërroj”.
“E shoh këtë te vajza ime dhe jam e lumtur”, tha Linda Rama, duke nënvizuar se liria e të menduarit dhe të folurit mbetet një vlerë e shenjtë në familjen e tyre.
“Babai më ushqeu që e vogël që liria është e panegociueshme. Ai kishte intuitë për të kuptuar vullnetin tim të fortë për të qenë një njeri i mirë dhe se unë nuk do abuzoja me lirinë”, rrëfeu Linda duke shprehur mirënjohje të thellë për këtë besim.
Më tej, Linda Rama bëri një ndarje të qartë mes filozofisë, që kërkon kohë dhe jep ligjshmëri, dhe politikës, që është arti i të përditshmes dhe veprimit.
“Dinamika e politikës është tjetër nga ajo filozofike. Aq i larmishëm sa është realiteti, aq të larmishme janë edhe vendimmarrjet apo mënyrat që politika gjen për t’iu përgjigjur nevojave. Filozofia ka kohën e vet dhe sfidat e veta. Duhet ta vendosim në pamundësi politikën kur filozofia mendon se ka shmangie nga ligjësitë që koha i ka provuar. Dhe ky është roli i filozofëve”, tha Linda Rama duke shtuar se filozofët janë shumë ndriçues.
“Është si puna ime një filozof unë jam me një politikan vendimmarrës, por unë nuk marr dot vendime në vend të tij, mendoj se disa gjëra mund t’i bëja ndryshe, por nuk kam gjë në dorë. Është kollaj të kritikosh nga jashtë”, tha Linda Rama.
Më tej Linda Rama tha se “jeta pranë Edit kryeministër dhe politikan më ka mësuar gradualisht se vërtet nuk i di të gjitha, kjo është shumë e rëndësishme. Një njeri duhet t’i japë mundësi vetes të mendojë që të mos e çojë diskutimin deri në ekstrem, gjykimin deri në ekstrem se ke nevojë të dëgjosh edhe tjetrin Pastaj diskutimi mund të bëhet më cilësor, më realist dhe më i dobishëm. Thjesht e kam mësuar: ti nuk i di të gjitha. Tani e kam bërë timen. Gjykimi i padrejtë është ngarkesë negative“.
Linda Rama u shpreh se “kam parë filozofë që kanë hyrë në politikë, por që janë zhveshur si filozofë. Ata pranojnë deformimin për hir të politikës. Personalisht nuk e justifikoj këtë qasje as për një të mirë të madhe”.
Gjatë kësaj interviste, Linda Rama prekur edhe një nga temat më të ndjeshme të ekzistencës njerëzore: humbjen e njerëzve të dashur dhe mënyrën se si ata vazhdojnë të jenë pjesë e jetës sonë.
“Një njeri i madh është produkt i një babai dhe nëne të madhe”, tha ajo, duke theksuar se prindërit vazhdojnë të jetojnë përmes pasqyrimit te fëmijët e tyre.
Rama rrëfeu mbi raportin e ngushtë që kishte ndërtuar me vjehrrën e saj, të ndjerën Aneta Rama, nënën e Edi Ramës duke theksuar se raporti mes tyre ka qenë i veçantë dhe intensiv në dimensione të ndryshme.
“Me mamanë e Edit gjithkush tjetër bëhej i tepërt kur ishim ne të dyja. Koha dhe momenti ishte për ne të dyja”, tha ajo, duke shtuar se largimi i saj ishte një dhimbje e madhe, pas së cilës u desh të përcaktohej një rutinë e re jetësore.
“Kishim një raport intensiv; një kohë e jetuar me biseda, mendime, emocione dhe kujdes. Kur isha me mamanë e Edit, ndonëse ajo i donte të gjithë, çdokush tjetër bëhej i tepërt. Ai moment dhe ajo kohë ishin vetëm për ne të dyja. Kur e humbet një njeri të tillë, dhimbja është e madhe. E them këtë për herë të parë. Ishte dhimbje e madhe largimi i një njeriu, pas të cilit do të duhej të vendosej një rutinë e re. Ishte një humbje e madhe edhe për Edin. Dhimbja fillimisht e zëvendëson mungesën, por më pas nis e ndihet mungesa. Mua më mungon mamaja e Edit në mënyrë të pazëvendësueshme, por përpiqem ta sjell në përditshmërinë time në çdo lloj forme”, tha ajo.
Duke u ndalur tek shoqëria civile Linda Rama tha se “ka nevojë për aleat, pushteti është i fuqishëm është shoqëri civile në nevojë. Ajo është ndjeshmëri e shtuar për kauza të përgjithshme. Kurse pushteti është i veshur nga egoja. Shoqëria civile nuk i ka këto ego, ajo është një zile që duhet ta dëgjojë pushteti. Ata mund të bashkëjetojnë duke u dëgjuar njëri me tjetrin”.
“Nuk mund ta them këtë për median. Media, si pushtet, nuk është e zhveshur nga egoja. Media e ka raportin me të vërtetën. Por janë edhe përgjegjësitë, si kodi në raport me ligjin, mjedisin, lirinë; dhe nëse ti i ke plotësuar këto, liria ka kuptim”, tha Linda Rama.
/k.s/ /a.g/
The post Linda Rama: Liria e panegociueshme, mbetet një vlerë e shenjtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.