Dalipi: Rritje me 7% e energjisë së hedhur në rrjet
TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Administratori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Blendian Dalipi, deklaroi sot se gjatë vitit 2025 është shënuar një rritje me 7% e energjisë së hedhur në rrjet, ndërsa kompania ka rritur invetimet për t’iu përgjigjur kësaj situate.
Dalipi theksoi se investimet e realizuara në rrjetin e tensionit të ulët, të mesëm dhe të lartë, në të gjithë sistemin e shpërndarjes kanë bërë të mundur ndërtimin e një rrjeti më të qëndrueshëm dhe më të sigurt. Sipas tij, konsumatorët në shumë zona që deri dje përballeshin me problematika të theksuara sot nuk i kanë më këto shqetësime.
Ai bëri të ditur se puna ka përfunduar në disa nënstacione, ndër të cilat në Pogradec, Lezhë, Çorovodë, Kafaraj, nënstacioni i Zogut të Zi, Ndërkohë, ndërhyrje janë kryer edhe në nënstacionet e Fierit, Akernisë, Liqenasit dhe Xarrës, si dhe ka nisur puna në Bogë dhe Theth, zona të konsideruara prioritare për garantimin e furnizimit me energji elektrike.
Dalipi informoi se në rrjetin e tensionit të mesëm janë ndërtuar mbi 1300 kilometra linja të tensionit të ulët, të cilat rrisin ndjeshëm sigurinë ndaj avarive të mundshme. Gjithashtu, gjatë vitit janë kryer ndërhyrje në 185 nënstacione, ndërsa që prej datës 30 nëntor kanë përfunduar remontet e planifikuara. Po ashtu është ndërhyrë edhe në 177 km linja të tensionit të lartë dhe në mbi 2 mijë km linja të tensionit të mesëm dhe mbi 2100 km linjë të tensionit të ulët.
Sipas tij, janë realizuar edhe ndërhyrje në linjat 35 kilovolt, ndërsa ekipet e terrenit kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë vitit, duke e vendosur sistemin në një gjendje teknike shumë më të mirë krahasuar me një vit më parë. Kjo pritet të garantojë furnizim pa ndërprerje me energji elektrike për të gjithë konsumatorët, edhe në kushtet e motit të ftohtë dhe me reshje.
Administratori i OSSh-së theksoi se masat administrative konsistojnë në koordinimin e ngushtë ndërmjet shoqërive të sistemit energjetik, si dhe në shtimin e ekipeve dhe punonjësve për manovrimet në nënstacione dhe monitorimin e ngarkesave në orare të ndryshme, me qëllim garantimin e një furnizimi të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike. /j.p/
The post Dalipi: Rritje me 7% e energjisë së hedhur në rrjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.