Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 January 2026Main stream

“Reformat, ju presim deri javën e ardhshme”, Balla: Ëndrrat në diell thuaja krushqve në orën 6 se me ne ke mbaruar punë

By: xhir jeta
19 January 2026 at 17:48

Ndërsa mori fjalën në seancë plenare, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh i qartë me opozitën kur tha se kanë kohë deri javën e ardhshme për t’u ulur sa i takon reformës territorial dhe asaj zgjedhore në të kundërt maxhoranca do të veprojë e vetme.

“Sa i përket objektivave, dëgjojeni mirë kohë për të humbur me ju ne kemi zero. Nguliteni mirë. Doni të vini të bëjmë reformën administrative territoriale jeni të mirëpritur nëse deri në javën e ardhshme nuk paraqiteni në komision ne do të bëjmë ndryshimin e vendimit sepse po shkelni në mënyrë të njëanshme.

Doni reformë zgjedhore, jeni të mirëpritur deri javën e ardhshme, nëse nuk vini, në 2014 e kemi bërë edhe pa ju reformën administrative, në 2020 e kemi bërë edhe pa ju reformën zgjedhore. Tre gjëra mbajini mirë në mend, zgjedhjet e ardhshme lokale janë diku në mes 15 prillit dhe 15 majit 2027.

Zgjedhjet e përgjithshme janë diku mes 15 prillit dhe 15 majit 2029 këto ëndrrat në diell shko thuaja atyre krushqve tani në orën 6 se me ne ke mbaruar punë. Ti edhe qyqarët që të vijnë nga mbrapa.” u shpreh Balla./abcnews.al

“Shqipëria sot në një fazë të re”, Peleshi: Axhenda integruese në BE, do të jetë kryefjala e këtij sesioni

By: xhir jeta
19 January 2026 at 17:32

“Axhenda integruese në Bashkimin Europian, që do të jetë kryefjala edhe në këtë sesion të ri”, kështu u shpreh kryeparlamentari Niko Peleshi, në nisje të seancës plenare, e para për këtë.

Fjala e Kreut të Kuvendit, Niko Peleshi: 

“Në këtë Kuvend na ka sjellë besimi i qytetarëve nga të gjitha anët e vendit.

Ata presin që ne të mbajmë parasysh interesat e tyre dhe interesat e vendit, kur propozojmë apo miratojmë ligje.

Të rinjtë duan të binden se e nesërmja për ta është më e mirë këtu sesa çdo opsion tjetër.

Të moshuarit duan të sigurohen se mundi i viteve të punës do të shpërblehet me ditë të bardha.

Qytetarët, në qytet apo në fshat, kërkojnë siguri dhe standarde gjithnjë e më të mira të shërbimeve publike dhe të infrastrukturës.

Axhenda integruese në Bashkimin Europian, që do të jetë kryefjala edhe në këtë sesion të ri, ka potencial të jashtëzakonshëm për të dhënë përgjigje ndaj sfidave të shoqërisë shqiptare dhe për t’u kthyer në një narrativë kombëtare entuziaste.

Ky sesion nuk është thjesht vazhdim i një kalendari.

Është një provë e dytë – provë e pjekurisë sonë parlamentare, e standardeve që pret shoqëria prej nesh dhe e aftësisë për ta kthyer momentin europian të Shqipërisë në ligje të mira, institucione më të forta dhe një dialog politik më dinjitoz.

Gjatë sesionit të parë u përballëm me një ngarkesë të konsiderueshme pune dhe një axhendë të ngjeshur ligjvënëse e mbikëqyrëse.

Por, le ta pranojmë me sinqeritet, krahas volumit të punës, kemi pasur shpesh edhe një ngarkesë të tepruar politike, larg funksionit tonë dhe larg nevojave reale të qytetarëve.

Kjo është arsyeja pse sesioni që çelim sot kërkon një kthesë të vogël në stil dhe një kthesë të madhe në rezultate.

Në vitin që vjen do të ketë më shumë ligje për të shqyrtuar, më shumë detyra për komisionet, më shumë raporte dhe kontroll, më shumë monitorim të reformave dhe më shumë pritshmëri nga publiku. Do të ketë edhe më shumë sfida politike, por detyra jonë është ta mbajmë Kuvendin në rolin e vet: një institucion që prodhon zgjidhje dhe standarde, jo zhurmë.

Gjatë sesionit të kaluar zhvilluam 18 seanca plenare, miratuam 41 ligje dhe 59 vendime. U zhvilluan 2 interpelanca dhe 2 mocione me debat. Deputetët e shumicës mbajtën 229 diskutime me kohëzgjatje rreth 40 orë, ndërsa deputetët e opozitës 330 diskutime me kohëzgjatje rreth 48 orë.

Falënderoj të gjithë kolegët deputetë, administratën parlamentare dhe strukturat mbështetëse, sepse, pavarësisht tensioneve, ky Kuvend ka vijuar të funksionojë, të vendosë dhe të prodhojë.

Por këtë vit na duhet diçka më shumë: më shumë fokus dhe më shumë disiplinë ndaj axhendës europiane.

Një parlament europian nuk matet vetëm me numrin e ligjeve që miraton, por edhe me kulturën që përçon.

Ne nuk mund të kërkojmë standarde europiane nga shoqëria, nëse brenda kësaj salle nuk vendosim standarde të reja të sjelljes dhe të respektit institucional.

Për këtë arsye, dua ta ritheksoj qartë: gjuha e urrejtjes, fyerjet, personalizimi i debatit, nënçmimi dhe përbaltja nuk mund të normalizohen dhe nuk mund të shiten si “politikë e fortë”.

Nuk janë forcë. Janë dobësi. Një dobësi që parlamentet e vendeve të Bashkimit Europian e kanë lënë pas prej dekadash.

Si Kryetar i Kuvendit, do të vazhdoj ta ushtroj detyrën me përkushtim dhe paanësi, me bindjen se shumica dhe pakica dallojnë nga fuqia vendimmarrëse, por jo nga të drejtat, jo nga mundësitë për të folur, jo nga qasja në proces dhe jo nga respekti institucional që meriton secili deputet.

Kjo është baza e një Kuvendi që fiton autoritet. Europa ka qenë fokusi kryesor i veprimtarisë sonë dhe do të mbetet i tillë.

Shqipëria sot është në një fazë të re: faza ku nuk flasim më vetëm për “rrugëtim”, por për “hyrje”. Nga proces integrimi, në proces anëtarësimi.

Ky ndryshim kërkon më shumë përgjegjësi, më shumë koordinim institucional dhe një konsensus politik më të gjerë për çështjet strategjike.

Objektivi ynë është i qartë: mbyllja e negociatave teknike brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi brenda kësaj dekade.

Në këtë kuadër, Kuvendi duhet të bëjë dy gjëra njëkohësisht:

– të përshpejtojë përafrimin ligjor, pa komprometuar cilësinë e ligjit;

– të rrisë kontrollin mbi zbatimin, sepse në Bashkimin Europian nuk mjafton të miratosh, duhet të provosh se ligji funksionon.

Kjo do të thotë që sesioni i ri duhet të jetë sesioni ku kontrolli post-legjislativ bëhet praktikë e qëndrueshme: ligjet të maten jo vetëm në sallë, por në terren – te qytetari, te biznesi, te shërbimi publik.

Gjatë sesionit të kaluar vijoi bashkëpunimi funksional me institucionet e pavarura dhe u përmbyll raportimi i 27 institucioneve.

 

Kjo nuk është një rutinë proceduriale. Është mënyra se si Kuvendi mban gjallë ekuilibrat kushtetues dhe garanton që institucionet të funksionojnë si mbrojtës të interesit publik.

Mbështetja ndaj institucioneve të drejtësisë mbetet e palëkundur.

Sot kemi një drejtësi të re, të pangjashme me atë të trashëguar.

Kuvendi ka një rol kyç në sfidën për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve dhe forcimin e mekanizmave të llogaridhënies.

Sesioni që nisim sot do të udhëhiqet nga disa drejtime të qarta pune:

  • Axhenda e integrimit europian si prioritet i padiskutueshëm

Projektligjet e përafrimit, reformat për shtetin e së drejtës, antikorrupsionin, të drejtat themelore, lirinë e medias, transparencën dhe mirëqeverisjen do të kenë trajtim të përshpejtuar, por edhe filtrin e cilësisë.

  • Diplomacia parlamentare si rrjet besimi për anëtarësiminDiplomacia parlamentare do të jetë më aktive, më e koordinuar dhe më e pranishme, sepse procesi i anëtarësimit është edhe proces besimi, ku sfida më e madhe nuk është vetëm përafrimi teknik, por ratifikimi final nga të gjitha shtetet anëtare.
  • Mbikëqyrje më e fortë, më e dobishme, më pak formale

Kuvendi do të rrisë kërkesën për llogaridhënie, me më shumë mekanizma kontrolli dhe me më shumë vlerësim të ndikimit real të ligjeve dhe politikave publike.

  • Modernizimi dhe transparenca-Kuvendi i hapur 24/7

Teknologjia nuk është luks, por mjet për ta sjellë Kuvendin më pranë qytetarëve: arkivim, indeksim dhe transmetim më të mirë e më të kuptueshëm të punimeve parlamentare, konsultim publik më të aksesueshëm, gjurmim të akteve dhe një kulturë të re transparence që e bën Kuvendin të lexueshëm për publikun.

Të gjitha këto sot i bën të mundura teknologjia, me më shumë lehtësi dhe cilësi.

Të nderuar kolegë deputetë,

Na pret një volum i madh pune. Por ky volum është privilegj dhe përgjegjësi, sepse kemi në dorë një kapitull historik: ta afrojnë Shqipërinë me Europën jo vetëm si aspiratë, por si standard.

Në fund të kësaj legjislature, Kuvendi duhet të jetë më i respektuar, më funksional, më i hapur dhe më europian në etikë, në procedurë, në cilësinë e debatit dhe në shërbimin ndaj qytetarëve.

Përballë sfidave të mëdha kombëtare nuk jemi thjesht shumicë apo opozitë. Jemi bij e bija të së njëjtës Shqipëri, që duhet të ecë me dinjitet drejt të njëjtit destinacion: Shqipërisë anëtare të Bashkimit Europian.

Ju uroj punë të mbarë dhe suksese në këtë sesion parlamentar.

Nga Ramaduro, duro Ramën/ Berisha: Tani do bjerë vetë

By: xhir jeta
19 January 2026 at 15:11

Nga Rama Duro, ne Duro Ramen. Ftesa e Trump në Bordin e Paqes rrëzoi shpresat e rrëmbimit të kryeministrit nga ‘Deltat Amerikane’, por për Berishën ka ende shpresë, u tha demokratëve se me apo pa Tramp, Rama po bie vetë.

“Asgjë nuk e shpëton atë nga rrokullima e madhe. Këtë mund t’u them. Ai është në procesin e rrokullimës së madhe”, tha Berisha.

Pra Rama po bie, por kur iken? Berisha nuk e ka një përgjigje tani, demokratët do duhet të presin fundjavën e radhës.

“Asnjë përgjigje përveç asaj që do i japin shqiptarët më 24 janar. Kjo është përgjigja ime,” – u shpreh ai.

Lapaj ishte betuar se do e rrëzonte Ramën të shtunën e kaluar, Berisha ka zënë radhë ta rrëzojë këtë të shtunë.

Cdo protestë ka të njëjtin refren, vetëm se Berisha këtë të hëneë pranoi përfundimisht, se në Shqipëri nuk ka më RamaDuro por thjesht

“Ky është thjesht Edi Rama” – tha ai.

BE në bllok kundër Trump/ Gati kundërmasat pas tarifave ‘Grenland’

By: xhir jeta
19 January 2026 at 14:23

Ambasadorët e Bashkimit Europian arritën të dielën një marrëveshje për të rritur përpjekjet për të bindur presidentin ameirkan Donald Trump që të mos vendosë tarifa, ndërsa përgatiten gjithahstu masa hakmarrëse nëse ai nuk heq dorë nga goditja ekonomike.

Ushëheqësit e unionit do të diskutojnë opsionet në një samit që mbahet të enjten. Një ngë kundërmasat që konsiderohet është një paketë tarifash mbi 93 miliardë euro të importeve amerikane që mund të hyjnë automatikisht në fuqi më 6 shkurt pas një pezullimi gjashtëmujor.

Masa tjetër është edhe më ekstreme, deri tani e papërdorur ndonjëherë. “Instrumenti Anti-Detyrim”, i cili mund të kufizojë aksesin në tenderët publikë, investimet ose aktivitetin bankar ose të kufizojë tregtinë e shërbimeve, në të cilat SHBA kanë një suficit me bllokun, duke përfshirë shërbimet dixhitale.

Një burim pranë Presidentit francez Emmanuel Macron tha se ai po nxit aktivizimin e këtij mekanizmi.  Megjithatë paketa e tarifave duket se ka marrë mbështetje më të gjerë si një përgjigje e parë sesa masat anti-detyrim.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili kryeson samitet e bllokut, tha në një postim në rrjetet sociale se konsultimet e tij me anëtarët e unionit kishin treguar angazhimin e tyre të fortë për të mbështetur Danimarkën dhe Groenlandën dhe gatishmërinë për t’u mbrojtur kundër çdo forme ndëshkimi.

Donald Trump u zotua të zbatojë tarifa prej 10%, të cilat më vonë mund të rriten në 25%, ndaj Danimarkës, Suedisë, Francës, Gjermanisë, Holandës dhe Finlandës, së bashku me Britaninë dhe Norvegjinë, derisa SHBA t’u lejohet  të blejnë Groenlandën./abcnews.al

Eventet e mëdha sportive, në Digitalb/ 15 kanale sportive në platformë, kampionatet më të rëndësishme të futbollit

By: xhir jeta
19 January 2026 at 13:54

Viti 2026 ka nisur i magjishëm në DigitAlb, që si asnjëherë më parë e askush në botë sjell paketën më të plotë sportive. Kampionatet më elitare dhe komepticionet më të rëndësishëm në kontinent vijnë ditë pas dite në shtëpitë e të gjithë shqiptarëve me një maratonë transmetimi që nuk ndal për asnjë moment, në 15 kanale të dedikuara për sportin. Premier League, La Liga, Serie A, Ligue 1, Bundesliga, Eredivise, gjashtë ligat më të magjishme të futbollit në botë ndërtojnë vetëm kopertinën e një pakete e cila sjell gjithçka për këdo, e kudo në botë me Aplikacionin DigitAlb, krahas paketave tokësore dhe satelitore.

Champions League bashkohet përsëri me Europa dhe Conference League, duke ndërtuar mozaikun më të madh të futbollit europian, me përballjet me emblematike dhe sfidat e gjigantëve të futbollit ndërkombëtar.

Kombëtarja e Shqipërisë dhe Përfaqësuesja e Kosovës kanë patur e do të kenë gjithnjë në rrugën e tyre DigitAlb, që udhëton çdo herë me ekipet kombit, në realizimin e ëndrrave për të shkuar sa më larg. Pa dyshim dhe ekipet më elitare Kombëtare vijnë gjithmonë në rrugëtimin e tyre në Ligën e Kombeve dhe kualifikueset europiane.

Për të kompletuar buqetën futbollistike, DigitAlb sjell edhe Superligën e Turqisë, atë të Greqisë, kampionatin arab të Cristiano Ronaldos, elitën e futbollit zviceran, pa harruar dhe Championshipin anglez. Të gjitha Kupat e Anglisë, Spanjës, Italisë, Francës, Holandës, Gjermanisë, Turqisë e Arabisë janë po ashtu pjesë e kësaj panorame të paimagjinueshme më parë.

Por, krahas futbollit që mbetet dashura më e madhe shiqptarëve, DigitAlb ka menduar dhe për të pasionuarit e Formula 1, që sjell ekskluzivisht emocionet garave me makina. Nuk do të mungojnë as eventet më të rëndësishëm të tenisit, emocionet e NBA, garat e Moto GP, sfidat e mëdha të UFC, por dhe duelet e boksierëve shqiptarë në misionin e tyre ndërkombëtar.

Për të gjithë abonimiet Premium 12 Mujore, vijon oferta e pabesueshme me zbritje deri në 35%. DigitAlb, ju pret në cdo pikë shtje të autorizuar, kudo në Shqipëri dhe jashtë saj, si dhe në çdo kohë,  në faqen zyrtare www.digitalb.al.

Milan fiton me Jasharin/ Kuqezinjtë mundin rivalin Lecce, kreu i Serisë A, 3 pikë larg

By: xhir jeta
19 January 2026 at 12:47

U duk si një nga ato mbrëmjet e mallkuara. Milani bëri shumë, madje më shumë sesa duhej, por fitorja në “San Siro” ndaj Leçes mbeti larg derisa trajneri Alegri bëri një lëvizje.

Në fushë u hodh sulmuesi gjerman, Niklas Fylkrug, dhe gjigandi prej gati 1.9 metrash shtatlartësi, çliroi të vetët dhe rreth 75 000 tifozë në impiantin e famshëm të Lombardisë.

Ylli I marrë hua nga Uest Hemi bëri atë që duhet të bëjë një numër 9, ndërsa la pas vjedhjen e shtëpisë me vlerë rreth 500 000 euro.

Sfida e Serisë A ndaj Leçes, që kishte titullar Ylber Ramadanin, do të mbahet mend edhe për debutimin si titullar në shtëpi të Ardon Jasharit, shqiptarit të Zvicrës, që u mor me luftë të madhe në verë, kundrejt një shpenzimi që do të shkojë deri në 39 milionë euro.

Ylli me origjinë nga Maqedonia nuk zhgënjeu dhe ishte një nga më të mirët në fushë, për 87 minuta derisa u zëvendësua nga Luka Modriç.

Kamera e klubit nuk mund të mos e kishte pas ndeshjes.

“Mendoj se çdo ndeshje është e vështirë në këtë ligë. E tillë ishte edhe kjo, por mendoj se e merituam fitoren. Mendoj se duhej të kishim fituar më thellë, por në fund të fundit kjo nuk ka rëndësi. I lumtur për Niklasin që shënoi golin e parë, I lumtur për ekipin. Le të vazhdojmë kështu. Jam krenar të vesh këtë fanelë, dhe kjo ishte ndeshja ime e parë si titullar në “San Siro”. Dua vetëm të ndihmoj  ekipin me stilin tim, dhe shpresoj të vazhdoj kështu. I lumtur për fitoren. Le të vazhdojmë kështu”.

Suksesi bëri që Milani të jetë tërësisht në garë për titull në Serinë A, duke mos lejuar arratisje të rivalit zikaltër. “Shiko çfarë nënte, – thërret “La Gazeta delo Sport”, – gjermani hyn dhe palos Leçen. Me kokë Fylkrug, Milani kthehet në -3 nga Interi!”

“Në maksimum, – është titulli I “Il Korriere delo Sportit”, që bën lojë fjalësh me emrin e trajnerit Masimiliano Alegri, – një finale prej Milanim mendon Fylkrug. Interi kapet sërish, është në -3!”

Inter kryeson Serinë A me 49 pikë, Milan e ndjek me 46, ndërsa Napoli  e Roma janë diçka më prapa./abcnews.al

Rrahmani humbet Champions/ Ylli “dardan” nuk luan në fushën e ekipit danez, FC Kopenhagen

By: xhir jeta
19 January 2026 at 12:44

Rëndësinë në ekip e ka të madhe. Amir Rrahmani do të jetë një mungesë e rëndësishme për Napolin, që luan këtë të martë në fushën e FC Kopenhagenit në Champions.

Kampionia e Italisë do të ketë një duel për jetë a vdekje, sepse ndodhet në vendin e 23-të, me pikë të barabarta me danezët, pra kjo është një nga finalet se kush do të kualifikohet në plej of.
Duke qenë se sfida e fundit në grup në këtë konkurrim është në stadiumin “Maradona” ndaj Çelsit, nuk mund të bëhen gabime në Danimarkë.

Gjithsesi, Rrahmani është i dëmtuar, dhe është e sigurt që nuk luan këtë mesjavë, ashtu si edhe Politano, ndërsa nuk dihet nëse do të jenë gati për duelin e radhës në Serinë A, ndaj Juventusit në Torino.

Kapiteni I Kosovës pra do të jetë në garë me kohën për të kaluar dëmtimin, në kohën që trajneri Antonio Konte ka probleme tepër të mëdha. Janë gati 10 futbollistë që nuk përgjigjen në apel në Champions, ndërsa për Juven më shumë shpresë ka që të kthehen dy, Neresh dhe Anguisa.

Rrahmani ka pasur probleme me dëmtimet edhe më herët këtë sezon duke humbur 7 ndeshje radhazi në kampionat nga mesi i gushtit deri në 1 nëntor. Kur ai nuk luan, dëmi është i madh sepse flitet për një titullar standard që për napolitanët luan prej gati gjashtë vitesh dhe ka qenë gjithmonë shumë i rëndësishëm.

Kapiteni dardan ka gjithsej 194 ndeshje për Napolin, ndërsa në Serinë A ka mbërritur në 196, pasi ka veshur edhe fanelën e Veronës. Në Champions ka luajtur 17 herë duke shënuar një gol të vetëm, por që nuk harrohet.

Në 12 mars të vitit 2024, mbrojtësi shqiptar nga Kosova realizoi në ndeshjen e luksit ndaj Barcelonës në “Kamp Nou”, edhe pse katalanasit triumfuan 3-1 në ndeshjen e dytë të të tetave të finaleve, dhe u kualifikuan për në çerekfinale.

“Sirena” gjermane për Dakun/ Mediat ruse shkruajnë për interesim për sulmuesin e Kombëtares

By: xhir jeta
19 January 2026 at 12:42

Mediat ruse shkruajnë për lëvizje frenetike. Një nga temat është e ardhmja e Mirlind Dakut, një biznes ku përfshihet vetë klubi I tij, Rubin, klube të tjerë në Europë apo kudo tjetër, agjentë, gazetarë, vetë futbollisti dhe familja e tij.

Pra, ku do të vazhdojë të luajë sulmuesi i kombëtares shqiptare?

Flitet se agjentët e tij, mes të cilëve besohet edhe babai, Feimi, ia kanë propozuar kartonin klubeve gjermanë.

Po sipas mediave dhe faqeve në Telegram kanal, tre prej tyre kanë shfaqur interes, dhe konkretisht Hamburgu, Mainci dhe Augsburgu.

Flitet për 3 klube të Bundesligës, veçse nuk dihet nëse ata do të bien dakord me kërkesat e klubit rus të Rubinit.

Dihet mirë se në Kazan duan rreth 10 milionë euro për të lënë të lirë Dakun, dhe pozitat e drejtuesve janë të forta sepse ylli kuqezi ka kontratë deri në 2029.

Hamburgu prej 7 vitesh nuk nxjerr nga xhepi më shumë se 2.5 deri në 3 milionë euro për të marrë një lojtar, ndaj nuk dihet nëse do të pranojë të shpenzojë kaq shumë për një sulmues të Shqipërisë që luan në Rusi.

Hera e fundit që u pranua një transferim relativisht I rëndësishëm ishte në 2017 kur u mor greku Papadopulos për 6.5 milionë euro.

Mainci është më ndryshe sepse është klub I Bundesligës prej disa sezonesh dhe verën e kaluar pagoi 10 milionë euro për sulmuesin Holerbah të Unionit të Berlinit.

Augsburgu ka pranuar të nxjerrë nga llogaritë bankare 7 milionë euro vitin e kaluar për mesfushorin Rider dhe 5 milionë për mbrojtësin Macima.

Natyrisht, Rubin mund të pranojë edhe më pak duke pasur parasysh se e mori Dakun vetëm për 1.2 milionë euro në 2023 nga Osijeku i Kroacisë.

Mbetet të shihet vazhdimi, ndërsa sulmuesi I Shqipërisë gjithmonë ka shprehur dëshirën për të luajtur në Europën Perëndimor./abcnews.al

Muçi, “magjia” e radhës/ Trabzonspor arrin tjetër fitore në Superligën turke në shtesë

By: xhir jeta
19 January 2026 at 12:40

Superlativat kanë mbaruar me kohë. Për Ernest Muçin janë thënë të gjitha, ndërsa ka mbetur që të krahasohet me atë që cilësohej “zjarrfikësi” i Realit të Madridit, Sergio Ramos.

Ylli kuqezi shënoi sërish në sekondat shtesë duke I dhënë ekipit fitoren, pra është “engjëlli” i minutës së fundit për Trabzonsporin, ashtu siç bënte mbrojtësi i famshëm spanjoll.

Suksesi në Koxhaelispor ishte 2-1 dhe skuadra e lojtarit të kombëtares shqiptare forcoi pozitat në vendin e tretë në renditjen e Superligës së Turqisë, duke qenë 5 pikë prapa Gallatasarajit kampion e kryesues, pra ende me shpresë për titullin.

Për më tepër, goli ishte tepër i bukur.

Si “engjëll” i çasteve të fundit, Muçi u shfaq në 24 nëntor të vitit të kaluar, kur realizoi rrjetën e fitores 4-3 në minutën e 10-të shtesë, pra në minutën e 100-të të sfidës.

Edhe ai ishte një realizim i veçantë.

Gjithsesi, talenti shqiptar ka treguar në vetëm dy muaj se çfarë klasi ka në këmbët e tij.

Kush e harron goditjen e dënimit ndaj Konjasporit, gjithnjë në kampionat, në fitoren 3-1 në shtëpi.

Ai u shpall goli I javës, e padyshim që është në garë për të qenë numri 1 i sezonit.

Po ashtu, realizimin e dytë në Gëztepe në fitoren 2-1, kur ia doli ta tundte rrjetën dy herë.

E veçantë edhe goditja në Kupën e Turqisë, vetëm pak ditë më parë në suksesin kundër Istanbulsporit.

Pra, “engjëlli” Arnaut Ernest Muçi po habit vendin e madh edhe me golat e shkëlqyer, edhe me gjakftohtësinë e jashtëzakonshme për të fituar në sirenë.

Besohet se trajneri i Kombëtares, Silvinjo, ika mbajtur shënim të gjitha këto.

Senegali, kampion i Afrikës/ Mundi 1-0 Marokun, kaos në finalen e Kupës së Kombeve

By: xhir jeta
19 January 2026 at 12:38

I pati të gjitha. Kupa e Kombeve të Afrikës ka dhënë shumë finale, veçse kjo e mbrëmjes së fundit do të mbahet mend gjatë.

Senegali ia doli të shpallej kampion I kontinentit pas fitores 1-0 ndaj Marokut vendas, dhe në betejën e Rabatit u shënua një gol, u humb një penallti në mënyrë dramatike, u shpërdoruan raste e u luajt fort, si dhe pati një braktisje të fushës që zgjati 17 minuta, por që pati fund të lumtur.

Dy ekipet më të mirë të Afrikës në renditjen e FIFA-s bënë gjithçka për ta fituar trofeun, edhe pse vetëm njëri do t’ia dilte në fund.

Maroku që luante në shtëpi, në prani të mbi 66 500 tifozëve, u përpoq shumë për të kënaqur popullin e tij, por të mbiquajturit “Luanët e Terangës” I mbijetuan gjithçkaje dhe mund të thuhet se e merituan.

Ishte një duel “luanësh”, pasi edhe marokenët janë “luanët e Atlasit”.

Të dyja skuadrat patën raste dhe u dallua sidomos portieri I Marokut, Bono, që mohoi edhe ndonjë gol të sigurt.

Momenti më dramatik ishte ai I braktisjes së fushës pikërisht nga senegalezët, kur arbitri akordoi penallti për kundërshtarin në fundin e kohës shtesë të pjesës së dytë.

U deshën 17 minuta që ndeshja të rifillonte dhe Sadio Mane u tregua si kapiten I vërtetë, edhe pse shiritin e mban mbrojtësi Kulibali.

Ish-sulmuesi I Liverpulit ktheu në terren shokët, pasi ata u nxitën të largoheshin nga trajneri Pape Çau, I cili besohet se do të marrë një ndëshkim të ashpër nga FIFA dhe Konfederata Afrikane e Futbollit.

Kjo ndoshta ndikoi dhe ylli I Marokut dhe I Realit, Brahim Diaz, gaboi në “panenkën” e tij. Senegalit iu anulua edhe një gol më herët, e ndoshta edhe kjo mund të ketë ndikuar në vendimin e përkohshëm për të braktisur ndeshjen.

Finalja u vendos në nisje të dy kohëve shtesë nga 30 minuta. Kaluan vetëm 4 minuta dhe Pape Geje shënoi një gol të shkëlqyer, pas të cilit nuk pati ndryshim rezultati.Senegali ngriti lart trofeun, që është I dyti në histori pas atij të vitit 2021./abcnews.al

Italia e gatshme të ndërmjetësojë mes SHBA dhe Evropës

By: xhir jeta
19 January 2026 at 10:55

Italia është shprehur e gatshme të ndërmjetësojë midis SHBA-së dhe Evropës. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni konsiderohet nga udhëheqësit evropianë si një person që ka marrëdhënie të mirë me Trumpin.

Ministri i Jashtëm Antonio Tajani tha: “Unë besoj se Italia, për shkak të natyrës së saj, kapacitetit të saj për ndërmjetësim dhe aftësisë së saj për të folur me të gjithë, mund të luajë një rol pozitiv për gjetjen e marrëveshjeve.” Ai shtoi se Kryeministrja Giorgia Meloni është “në dialog me Shtetet e Bashkuara, por edhe me evropianët”.

Tajani vazhdoi: “Nuk ka absolutisht asnjë nevojë për luftëra tregtare apo konflikte. Ne kemi nevojë për dialog dhe duhet të gjejmë zgjidhje që nuk e dëmtojnë askënd.”

Meloni: “I thashë Trumpit çfarë mendoja”
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i quajti tarifat doganoretë shpallura nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump si “gabim”. Ajo tha se kishte folur me Trumpin “dhe i kishte thënë mendimin e saj”.

Në të njëjtën kohë Meloni u përpoq të qetësonte tensionet midis SHBA-së dhe Evropës. Kishte “një problem me komunikimin dhe mirëkuptimin”, tha ajo. “Nga perspektiva e SHBA-së mesazhi nga përtej Atlantikut nuk kishte qenë i qartë”.

Sytë nga Davosi
Një mundësi për bisedime për krizën mund të ofrojë edhe Forumi Ekonomik Botëror në Davos. Donald Trump pritet të shkojë atje të mërkurën. Edhe kancelari Merz do të jetë në Davos. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi pas një bisede telefonike me Trumpin: “Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim” dhe gëzohet për takimin me Trumpin në Davos.

Italia, një nga anëtaret themeluese të NATO-s, nuk dërgoi në Groenlandë asnjë trupë në misionin e zbulimit të udhëhequr nga Danimarka. Në mision krahas Danimarkës morën pjesë shtatë vende të tjera evropiane: Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda./DW

Before yesterdayMain stream

Arratisja e Ndocit/ ABC News siguron dosjen hetimore: Shoqërimi u vlerësua me risk standard

By: xhir jeta
17 January 2026 at 13:19

ABC News siguron dosjen hetimore të arratisjes së Altin Ndocit, nga spitali i Durrësit, shoqërimi i të cilit sic thuhet në dosje është vlerësuar me risk standard nga komisioni i vlerësimit të burgut.

Sipas materialit zyrtar, shoqërimi i të paraburgosurit nga IEVP Durrës drejt Spitalit Rajonal ishte planifikuar nga strukturat përkatëse (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ligjor), me itinerar vajtje–ardhje brenda së njëjtës ditë. Transporti u krye me autoambulancën e IEVP-së, tip FIAT, me targa AB 141 OU.

Fillimisht, Altin Ndoci u dërgua në pavionin e Infektivit, ku ai shfaqi ankesa për dhimbje dhe u shoqërua në një dhomë izolimi në katin e tretë, e përshtatur me zgara hekuri. Për sigurinë e tij ishin caktuar punonjësit e Policisë së Burgjeve Sali Ferrollari dhe Fation Baçi, ndërsa një pjesë e grupit shoqërues ishte larguar.

Gjatë kohës së pritjes për trajtim mjekësor, mjekët rekomanduan mjekim dhe rikontroll pas dy orësh. Ndërkohë, i paraburgosuri ka kërkuar disa herë të shoqërohej në tualet, ku sipas raportit është dërguar rreth katër herë.

Ngjarja ka agravuar në momentin kur, sapo është hapur zgara e dhomës për ta shoqëruar sërish në tualet, Altin Ndoci ka goditur me grusht në kraharor punonjësin e policisë Fation Baçi. Si pasojë, Baçi është rrëzuar mbi kolegun e tij Sali Ferrollari dhe të dy kanë përfunduar në tokë.

I paraburgosuri ka përfituar nga situata dhe është larguar me vrap nëpër korridoret e spitalit. Dy efektivët kanë tentuar ta ndjekin, por gjatë ndjekjes Fation Baçi ka rrëshqitur në shkallë. Pavarësisht kësaj, ndjekja ka vazhduar deri në dalje të spitalit.

Në dalje kryesore, punonjësi i policisë ka qëlluar një herë me armë shërbimi në tokë për ta frikësuar dhe detyruar të dorëzohej, por i arratisuri ka vijuar largimin. Banorë të zonës kanë deklaruar se ai është larguar në drejtim të kodrave me një automjet të zi me targa AA 700 RS.

Tentativat për të njoftuar numrin 129 kanë rezultuar pa përgjigje, ndërsa më pas është njoftuar Shërbimi i Informacionit në IEVP Durrës.

Nga hetimet paraprake rezulton se procedura e përgatitjes së dokumentacionit shëndetësor për vizitën në spital, e kryer nga infermieri dhe përgjegjësja e sektorit shëndetësor në IEVP Durrës, ka qenë në kundërshtim me Ligjin nr. 81/2020 dhe VKMsë nr. 209, pasi vizita mjekësore ishte planifikuar pa u kryer më parë kontrolli mjekësor i detyrueshëm brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.

 

Paketa e Maleve/ Rama: Shkencë e madhë për të caktuar hartën! Ambicie 1 mijë investime, ndryshe asnjë rikandidim!

By: xhir jeta
17 January 2026 at 12:39

Me tone të ashpra i është drejtuar kryeministri Rama kryebashkiakëve sa i takon Paketës së Maleve, për të cilën tha se ka ende bashki që nuk kanë përmbyllur fazën e parë të kësaj nisme.

Ndërsa shpalosi ambicien për 1 mijë investime, Rama tha se nuk do të ketë asnjë rikandidim nëse nuk do të plotësohet kjo ambicie.

“Nuk mundet dot të rrini e të prisni vetëm nga buxheti i shtetit, duhet të kaloni në një fazë tjetër sidomos disa bashki që i kanë të gjitha mundësitë. Bëmë një takim për Paketën e Maleve, sot jot ë gjitha bashkitë e kanë kryer fazën e parë. Është e papranueshme.

Cili duhet të jetë objektivi? Ditë e parë që u shpall në ëebsite kishte mbi 700 interesime nga shqiptarë jashtë atdheut, është instrument i sigurtë për të tërhequr cdo shqiptar nga jashtë. Si ka mundësi që nuk ka mbaruar ende faza e parë. C’është kjo shkencë e madhe për të përcaktuar hartën. Megjithatë i kam kërkuar drejtores së Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të jetë në dispozicion të secilës bashki për harta për cfarëdo që keni nevojë. Dhe i kam kërkuar ministrit Demo të vendoset një target për cdo bashkie.

Ambicia është 1 mijë investime nga kjo paketë. Nuk do të ketë asnjë rikandidim nëse nuk do jetë arritur targeti i këtij projekti. Është plotësisht e mundshme por ama 1 mijë investime nëse marrim një shifër më modesten të mundshme për secilin nga këto investime, prej 50 mijë eurosh që është shumë e ulët, mendoni c’i ndodh ekonomisë në tre vjet. Kështu që, fokusoheni dhe merreni shumë seriozisht. Kuptojeni se është një celësh për të tërhequr njerëz aty ku duket se nuk ka njerëz.

Një element tjetër është të bëjmë një hap për të rritur cilësinë e planifikimit dhe projektimit, për këtë agjencia e re do ketë mision të vetin të asistojë bashkitë në planifikim dhe të krijohet një kanal më i shpejtë ndërveprimi.” tha Rama.

“Fond 20 milionë euro në mbështetje të zhvillimit rural”, Rama: Do të vendosen në shërbim të kullimit

By: xhir jeta
17 January 2026 at 12:22

Në mbledhjen me kryebashkiakët Rama tha se ka mbështetur propozimin e ministrit Demo për të vënë në mbështetje të zhvillimit rural, një fond prej 20 milionë eurosh të sigurara nga Emiratet e Bashkuara.

“Një tjetër element që ndikon në këto situata emergjencash është niveli i rezistëncës së infrastrukturës mbrojtësve, kam parasysh kanalet e kullimit, argjinaturat, hidrovoret. Analiza tregon se ka pika ku rezistenca është më e dobët, për këtë arsye duhet të vendosim me shumë saktësi piketat për të forcuar më tej infrastrukturën mbrojtëse dhe nga ana tjetër për të adresuar të gjitha ato aspekte që kanë të bëjnë me fuqizimin e ndërveprimit mes pushteteve.

Demo ka propozuar dhe ka gjetur mbështetje është që me një fond të siguruar nga miqtë tanë të cmuar të Emirateve të Bashkuara prej 20 mln eurosh në mbështetje të zhvillimit rural të blejmë një sasi domethënëse mjetesh që vendosen në shërbim të kullimit, pastrimit të kanaleve kulluese dhe të funksionojnë sipas nevojave të bashkive.

E kemi një shembull në Dibër, ka funksionuar më së mirë, është koha të rrisim kapacitetin, sipas qarqeve dhe kështu kjo flotë përqëndron më shumë forca ku ka më shumë emergjenca ose në ditët e punës normale do të jetë një forcë e shtuar për të gjitha bashkitë sipas sasisë së kanaleve për t’u pastruar dhe mirëmbajtur sipas nevojës për të adresuar edhe problemin e argjinaturave. Është ministri që do e cojë përpara këtë projekt” u shpreh Rama.

Rama me kryebashkiakët: Përmbytjet treguan papërgjegjshmëri qytetare, duke e trajtuar vendin si landfill kudo

By: xhir jeta
17 January 2026 at 12:12

Bashki më të forta, më funksionale më të qëndrueshmë, nën këtë moto kryeminsitri Edi Rama mblodhi këtë të shtunë në një takim krerët e bashkive në vend.

“Meqë është takimi I parë I vitit dhe shihemi sy më sy të gjithë ju uroj një vit të mbarë familjarisht dhe profesionalisht patjetër politikisht të gjithë bashkë. Jemi këtu në vijim të takimeve të organizuara për të celur vitin, duke diskutuar për sfidat e për të vënë disa piketa dhe për të përcaktuar cështjet kryesore me të cilat do të duhet të merremi bashkarisht. Viti nisi me një situatë tejet të vështirë atmosferike preku një pjesë jot ë vogël të territorit dhe që na përballi me sfidën e emegjencës në kushtet që emergjencat po bëhen sistematike dhe po marrin një profil tjetër si rezultat I ndryshimeve klimatike. Kemi më shumë thatësirë e zjarre dhe më shumë befasira në aspektin e atmosferën ku krijohen vorbulla si ajo e ditëvë të para të vitit që sipas ekspertëve janë vorbulla që mund të trajtohen me gjuhën e përditshme si ngërce në qarkullimin e flukseve të ajrit dhe krijojnë përqëndrime dhe reshje shiu e borë me intensitet të lartë. Në këto kushte nuk ka shumë për të bërë por patjetër që ka elementë të kësaj situate që lidhen me njeriun dhe pamë se si kjo situatë u ndërlikua ndër të tjera edhe nga papërgjegjshmëria rrënshqethëse e shumë kujt ndër ne që si qytetar I kësaj Republike apo si vizitorë shqipfolës, se nuk hedhin turistët mbetje plastike në rrugë e konsideron këtë vend si një landfill kudo ku ndodhet. Dhe gjithë kjo sasi e madhe që hidhet rrugëve ku këtu hyn edhe mungesa e menaxhimit të mbetjeve në territoret rurale mblidhet dhe falë erës vjen e bllokon pika kyce të rrjetit të kullimit sic ndodhi në Shkozet, Gjirokastër, në disa pika të tjera.” Tha Rama.

Drejtori i CIA-s zhvilloi takim dyorësh me udhëheqësen e re të Venezuelës në Karakas

By: xhir jeta
16 January 2026 at 15:41

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, u takua të enjten në Karakas me presidenten e përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodríguez, “me urdhër të presidentit Trump”, bëri të ditur një zyrtar amerikan.

Takimi dyorësh synoi ndërtimin e besimit dhe të kanaleve të komunikimit pas sekuestrimit nga SHBA-ja të ish-presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, gati dy javë më parë.

Sipas zyrtarit amerikan, Ratcliffe dhe Rodríguez diskutuan mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe theksuan se “Venezuela nuk mund të jetë më një strehë e sigurt për armiqtë e Amerikës”.

Takimi u zhvillua në të njëjtën ditë kur Rodríguez mbajti fjalimin e saj të parë për gjendjen e kombit që nga marrja e detyrës si presidente e përkohshme, ku njoftoi reforma në industrinë e naftës për të lejuar më shumë investime të huaja — një largim nga politikat e ndjekura nga Maduro. Në fjalimin drejtuar kombit, Rodríguez tha se nuk kishte frikë të përballej me SHBA-në “diplomatikisht përmes dialogut politik”, duke shtuar se Venezuela duhet të mbrojë “dinjitetin dhe nderin” e saj.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se kompanitë amerikane të naftës do të hyjnë në Venezuelë dhe do të gjenerojnë fitime që do të shkojnë si për popullin venezuelian, ashtu edhe për SHBA-në, ndërsa një zyrtar i lartë ka thënë se SHBA-ja do të kontrollojë “pa afat” shitjet e naftës venezueliane të sanksionuar.

Trump u ka kërkuar kompanive të naftës të investojnë të paktën 100 miliardë dollarë (75 miliardë paund) në Venezuelë, por një drejtues ekzekutiv tha javën e kaluar se vendi aktualisht është “i painvestueshëm”.

Rodríguez, ish-zëvendëspresidente, u betua më 5 janar pasi forcat amerikane sekuestruan Maduron dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, në një operacion në Karakas. Ata ndodhen tani në paraburgim në Nju Jork, ku janë deklaruar të pafajshëm për akuza të trafikut të drogës dhe vepra të tjera penale.

Zyrtari amerikan e përshkroi takimin mes Rodríguez dhe Ratcliffe si “historik”, duke shtuar se Ratcliffe ishte zyrtari i parë në nivel kabineti që udhëtoi në Venezuelë.

Takimi u zhvillua gjithashtu në të njëjtën ditë kur Trump u takua në Uashington me lideren e opozitës, María Corina Machado, e cila i dorëzoi presidentit amerikan medaljen e saj fituese të Çmimit Nobel për Paqen.

Në fjalimin për gjendjen e kombit, Rodríguez u tha venezuelianëve se ishte “shumë e vështirë” të dorëzohej raporti vjetor i Maduron, duke shtuar se të dy kishin punuar së bashku për fjalimin deri gjashtë orë para sekuestrimit të tij më 3 janar.

Duke vënë në dukje se SHBA-ja është një fuqi bërthamore, presidentja e përkohshme tha se nuk kishte frikë të angazhohej në diplomaci, duke theksuar: “Duhet të shkojmë së bashku si venezuelianë për të mbrojtur sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe gjithashtu për të mbrojtur dinjitetin dhe nderin tonë”.

Ajo shtoi se, nëse do t’i duhej të udhëtonte në Uashington për t’u takuar me Trumpin, do ta bënte “duke ecur me këmbët e mia, jo e tërhequr zvarrë”. Rodríguez paralajmëroi se “e gjithë Venezuela është e kërcënuar” dhe bëri thirrje për unitet kombëtar për të “zhvilluar betejën diplomatike”./abcnews.al

Siguria në rrugë/ Barometri: Mbi 70 % e qytetarëve vlerësojnë punën e policisë

By: xhir jeta
16 January 2026 at 15:31

Barometri i sigurisë për vitin 2025 tregon një përmirësim të ndjeshëm të sigurisë publike në vendin tonë, si në rrugë ashtu edhe në luftën kundër krimit. Në raport tregohet një vlersim në rritje për Policinë e shtetit sipas sondazhit te kryer nga qendra Agenda.

Në raport, perceptimi për Policinë e Shtetit mbetet kryesisht pozitiv, ku 70.1% e qytetarëve kanë vlersim pozitiv dhe 20.9% shprehen të pakënaqur.

Sipas Barometrit të Sigurisë së Jetës dhe Punës së Policisë për vitin 2025, të hartuar nga Eduard Zaloshnja, vdekjet rrugore janë ulur me 43.5%, si dhe ka patur reduktim të vrasjeve të qëllimshme.

“Këtu kam bërë një përmbledhje të vdekjeve rrugore dhe nga krimi për 15 vitet e fundit, dhe shifrat flasin vetë. Këtë vit që mbyllëm kemi patur 153 vdekje rrugore më pak se sa në vitin 2010. Shofim vrasjet e qëllimshme, 41 vdekje nga vrasjet e qëllimshmë patëm këtë vit, 109 kanë qenë në 2010. Pra, një reduktim me mbi 60%” u shpreh Zaloshnja

Ky raport tregon se vendi ynë  ka tregues më të mirë sigurie se një dekadë më parë, si në aspektin e kriminalitetit ashtu edhe të aksidenteve rrugurore./abcnews.al

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR dhe Policisë së Kosovës

By: xhir jeta
16 January 2026 at 14:18

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj S.R., i cili u arrestua një ditë më parë nën dyshimet për sulm ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe të Policisë së Kosovës më 2023.

Gjykata tha se vendimi për paraburgim ishte masë adekuate për shkak të rrezikut se nëse i pandehuri do të lihej në liri, ai do të mund të arratisej, pasi që ka edhe nënshtetësi të Serbisë dhe “në këtë mënyrë do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë”. Po ashtu, duke argumentuar masën e paraburgimit, Gjykata tha se nëse S.R. do të lihej në liri ai do të mund të asgjësojë apo ndryshojë provat dhe të pengojë hetimet.

Sipas njoftimit, S.R. dyshohet se më 29 maj të vitit 2023, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin e Komunës së Zveçanit, në koordinim me të dyshuar tjerë serbë nga Kosova dhe Serbia, përmes dhunës kanë tentuar që të “pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit” dhe përkundër urdhrave të KFOR-it për shpërndarjen e qetë të turmës, ai dhe të tjerët kanë ushtruar dhunë ndaj tyre. Sipas Gjykatës Themelore, i pandehuri dhe serbët e tjerë kanë përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri, “nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, tre nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovë, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe”.

S.R. ka të drejtë që të ankohet për këtë vendim në Gjykatën e Apelit.

Ai u arrestua të mërkurën gjatë një aksioni të prokurorëve dhe hetuesve policorë nga Drejtoria për Krime të Rënda dhe Krim të Organizuar.

“Në vendbanimin e të dyshuarit është zbatuar urdhër kontrolli, ku janë gjetur prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës penale”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës të publikuar më 14 janar.

Ai dyshohet për disa vepra penale, sikurse bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar.

Më shumë se 90 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë në maj të vitit 2023 në Zveçan. Të lënduar kishte edhe në anën e protestuesve.

Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët lokalë.

Për ngjarjet në Zveçan, janë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra persona, dhe disa janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës po synonte që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.

NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës./rel

❌
❌