Kuvendi miraton me 110 vota pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes
TIRANË, 22 janar /ATSh/ Kuvendi miratoi në parim me 110 vota pro, zero abstenim e asnjë kundër ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes.
Ratifikimi i marrëveshjes së aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes u votua pas diskutimeve dhe debateve të sotme mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.
Në sallë të pranishëm ishin 110 deputetë. Në parim u votua me 113 vota, pro ratifikimit të kësaj marrëveshje. Abstenimi erdhi nga deputeti i Partisë Lëvizja Bashkë, Redi Muçi.
Kujtojmë që sot në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua seanca për ratifikimin e marrëveshjes së aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes. Kjo marrëveshje u miratua në Komisionin e Jashtëm me 13 vota pro dhe asnjë kundër.
Më herët Kuvendi miratoi në seancën plenare, me 80 vota pro dhe 22 vota kundër, kërkesën për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shpreh se me miratimin e kërkesës për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar u vendos që projektligji të diskutohet dhe të miratohet brenda kësaj seance plenare.
Ligji i miratuar sot synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes. Këshilli i Ministrave e ka miratuar në parim marrëveshjen më 21 janar.
Marrëveshja parashikon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme dhe të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.
Bordi i Paqes do të ushtrojë funksione të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.
Seanca plenare u kërkua pasditen e djeshme nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, përmes një shkrese zyrtare, për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
/e.i/a.f/r.e/
The post Kuvendi miraton me 110 vota pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.