Lettieri: Gjyqtari të bëjë vlerësim autonom për paraburgimin, të arsyetojë pse nuk zbatohen masat alternative
TIRANË, 30 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot se “dyshimi i arsyeshëm” është një formulë që ka marrë më qafë shumë njerëz, duke mbajtur individë në burg pa gjyq.
Duke sjellë në vëmendje mesazhin e Nicola Lettierit, zëvendësprokuror i përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë, dhënë gjatë aktivitetit të djeshëm në Tiranë, Rama tha se kjo formulë ka marrë më qafë shumë njerëz që në fund kanë dalë të pafajshëm, po edhe të dërrmuar psikologjikisht, apo që mban sot nëpër burgje pa gjyq njerëz që nesër mund të dalin të pafajshëm.
Sipas Kreut të Ekzekutivit, çështja e paraburgimit është një ndër disa pikat mbi të cilat duhet reflektuar seriozisht, për ta bërë Shqipërinë një vend ku prezumimi i pafajësisë të mos dhunohet nga prezumimi i fajësisë.
Ndër të tjera, Lettieri u shpreh se ajo çfarë sugjerohet është që të përdoret në një dispozitë specifike, 228 e Kodit Penal, një formulim specifik i “bazës së arsyeshme” për prova apo indicie serioze në vend të formulimit aktual që është “dyshim i arsyeshëm”.
“Nuk ka një prag, një kufi të shprehur të veprës penale për t’u ndaluar. Prokurori mund ta kërkojë këtë gjë, gjyqtari mund ta miratojë masën e sigurimit për çdo vepër penale. Kjo nuk është koherente me të njëjtin Kod në Shqipëri sepse Neni 241, parashikon se masat e ndërmjetme apo ndaluese që janë më pak ndëshkuese se masa e paraburgimit, mund të zbatohen vetëm në procese që përfshijnë vepra penale të ndëshkueshme me ligj me një dënim me më shumë se 1 vit burg”, pohoi ai.
Zëvendësprokurori i përgjithshëm i Gjykatës së Lartë të Kasacionit të Italisë tha se njëherësh duhen mbajtur në fokus edhe kriteret e arsyetimit ligjor.
“Ajo çfarë kemi dashur të shmanget është që gjyqtari mund të miratojë një masë duke iu referuar vetëm kërkesës që vjen nga prokurori, pa bërë asnjë përpjekje për të parë dosjen dhe për të krijuar opinionin e tij, të shmangë formulat stereotipe. Ndaj ne sugjerojmë dy ndryshime, ndryshime në nenin 245. I pari është kur kërkohet paraburgim, gjykata duhet të kërkojë arsye specifike pse e konsideron këtë ndalim të përshtatshëm ose jo, duke e përcaktuar atë në nenin 237”, tha Lettieri, ndërsa theksoi se gjykata nuk mund të kufizohet në miratimin e kësaj mase dhe duhet të thotë shprehimisht pse masat alternative nuk mund të zbatohen.
Sipas tij, gjyqtari nuk mund t’i referohet vetëm kërkesës që vjen nga prokurori, por duhet të provojë se kryen një vlerësim/shqyrtim autonom dhe në qoftë se kjo nuk bëhet, atëherë gjykata e një shkalle më të lartë mund ta anulojë këtë masë.
/e.i/a.f/r.e/
The post Lettieri: Gjyqtari të bëjë vlerësim autonom për paraburgimin, të arsyetojë pse nuk zbatohen masat alternative appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.