Klubi i njohur nga Qipro ka bërë ofertë prej 2 milionë eurosh për Meriton Korenicën, mësohet edhe paga e ofruar për lojtarin
CFR Cluj ka marrë një ofertë konkrete prej 2 milionë eurosh për sulmuesin anësor, kosovarin Meriton Korenica.
Futbollisti ynë po kërkohet nga Apollon Limassol, klub nga kampionati i Qipros, i cili po synon përforcime të rëndësishme gjatë afatit kalimtar të dimrit.
Sipas burimeve të mediumit rumun GSP, bisedimet mes dy klubeve janë në vazhdim dhe pritet që deri në natën e Vitit të Ri, drejtuesit e CFR Cluj t’i japin një përgjigje përfundimtare klubit qipriot lidhur me ofertën për Korenicën.
Apollon përgatit kontratën për Korenicën
Po sipas të njëjtave burime, Apollon Limassol e ka përgatitur tashmë kontratën për futbollistin kosovar. Në rast transferimi, Korenica do të përfitonte një pagë vjetore prej 500 mijë eurosh, shifër që e bën ofertën mjaft tërheqëse për lojtarin.
Pas shitjes së Lindon Emerllahut në Ukrainë, te Polissya, për shumën prej 1.5 milionë eurosh, CFR Cluj është përballë mundësisë për të humbur një tjetër titullar. Këtë herë, klubi rumun do të përfitonte edhe më shumë financiarisht, me një shumë prej 2 milionë eurosh për Korenicën. Diskutimet mes palëve pritet të vazhdojnë deri në fund të vitit.
Korenica, pjesë kyçe e CFR Cluj
Meriton Korenica është një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit transilvanian këtë sezon. Ai mund të aktivizohet si anësor i majtë, por edhe si mesfushor, duke ofruar fleksibilitet të madh taktik.
Në edicionin aktual të Superligës rumune, Korenica ka zhvilluar 20 ndeshje, ka shënuar 4 gola dhe ka dhënë 2 asistime, duke qenë një element i rëndësishëm në lojën ofensive të CFR Cluj.
Futbollisti iu bashkua CFR Cluj në vitin 2024, pasi u transferua nga Manisa në Turqi. Gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Rahovecin, Shkëndijën, Metalurgun e Shkupit, Lirinë, Prishtinën dhe Ballkanin, duke ndërtuar një profil të qëndrueshëm në futbollin rajonal dhe më gjerë.
Sipas Transfermarkt, vlera aktuale e kartonit të Meriton Korenicës është 2.4 milionë euro. Në total, ai ka zhvilluar 79 ndeshje me fanellën e CFR Cluj, duke shënuar 18 gola dhe duke dhënë 14 asistime.
Situata e Apollon Limassol
Skuadra qipriote që kërkon shërbimet e Korenicës po kalon një sezon nën pritshmëri. Apollon Limassol aktualisht renditet në vendin e 6-të në kampionat, me 24 pikë, plot 10 pikë më pak se lideri Pafos.
Në historinë e tij, klubi nga Limassoli ka fituar 4 tituj kampioni dhe 9 Kupa të Qipros, ndërsa afrimi i Korenicës shihet si pjesë e planit për të rikthyer ekipin në garë për pozita më të larta./Telegrafi/
