Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 December 2025Main stream

Shkyçje emergjente e transformatorit në Prizren, qytetarët paralajmërohen për ndërprerje të energjisë

23 December 2025 at 12:52


KOSTT ka njoftuar qytetarët që furnizohen nga transformatori energjetik TR3 në Nënstacionin Prizren 1 për një shkyçje emergjente, e cila është e nevojshme për të kryer punimet dhe eliminuar problemet e paraqitura në transformatorin e fuqisë T3 (110 kV/10 kV).

Gjatë kryerjes së punimeve, të cilat pritet të zgjasin rreth 4 orë, një pjesë e qytetarëve dhe institucioneve që furnizohen nga NS Prizren 1 do të mbeten pa energji elektrike, me një reduktim të parashikuar rreth 30 MW.

KOSTT kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe falënderon për durimin gjatë kryerjes së punimeve, duke theksuar se ndërhyrja është e domosdoshme për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm dhe stabil të energjisë elektrike. /Telegrafi/


Ambasadori britanik, Hargreaves: Stafi i KQZ-së i përkushtuar për zgjedhje të ligjshme dhe transparente

23 December 2025 at 12:48


Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, vizitoi sot Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke shprehur vlerësimin për profesionalizmin dhe përkushtimin e stafit gjatë përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme që priten të mbahen së shpejti.

Gjatë vizitës, ambasadori Hargreaves falënderoi Kreshnik Radoniqin dhe ekipin e tij për përpjekjet e palodhshme që të sigurohet një proces zgjedhor i rregullt dhe në përputhje me ligjet dhe procedurat e Kosovës.

“Si gjithmonë, jam impresionuar nga profesionalizmi i qetë i stafit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë vizitës së sotme. Faleminderit Kreshnik Radoniqi dhe ekipit të tij për përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të kryhen në mënyrë të qetë dhe ligjore”, ka shkruar ambasadori.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur institucionet zgjedhore po përgatiten intensivisht për të garantuar transparencë dhe rregullsi në procesin zgjedhor. /Telegrafi/


Kastrati dhe stafi i komunës sjellin gëzim për fëmijët në prag të Vitit të Ri

23 December 2025 at 12:42


Me rastin e festave të fundvitit 2025, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me mësimdhënësit dhe prindërit, organizuan një aktivitet të veçantë për fëmijët e komunës, duke sjellë buzëqeshje dhe atmosferë festive në prag të Vitit të Ri.

Gjatë aktivitetit, fëmijët u pritën me dhurata simbolike, argëtim dhe programe artistike të përgatitura posaçërisht për ta. Kryetari Kastrati uroi të gjithë fëmijët dhe familjet e tyre për shëndet dhe suksese në vitin e ardhshëm, duke theksuar rëndësinë e kujdesit dhe investimit në mirëqenien e brezit të ri.

“Fëmijët janë e ardhmja e komunitetit tonë, dhe institucioni do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që synojnë edukimin, argëtimin dhe zhvillimin e tyre”, tha Kastrati.

Prindërit dhe të pranishmit vlerësuan nismën si një gjest domethënës që forcon frymën e solidaritetit dhe festës në komunitet. Aktiviteti u mbyll me duartrokitje dhe urime për festa të mbara. /Telegrafi/


Konjufca: Rinia, shtylla e fitores sonë

23 December 2025 at 11:38


Glauk Konjufca ishte dje në Mitrovicë, ku takoi qytetarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai tha se tashmë po ndihet energjia e fitores, prapa së cilës qëndrojnë të bashkuar populli për t’i mbështetur, përmes votës më 28 dhjetor.

Nga aty, vazhdoi në Vushtrri, ku së bashku me kandidatët për deputetë të kësaj komune, takoi vullnetarët dhe të rinjtë nga Vushtrria.

Konjufca tha se rinia është shtyllë kyçe e arritjeve dhe fitoreve të përbashkëta.

Bashkë me kryetarin e Fushë Kosovës, Valon Prebreza, si dhe qytetarët e kësaj komune, Glauk Konjufca bisedoi për të arriturat e Qeverisë Kurti.

Qytetarët e kanë ndjerë këtë qeverisje, prandaj vullneti dhe mbështetja e tyre është garantues për fitoren e numrit 116 dhe Lëvizjes Vetëvendosje.


Bllokada rrugore në Kurshumli të Serbisë, QKMK këshillon mërgimtarët t'i përdorin rrugët alternative

23 December 2025 at 10:49


Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka njoftuar se më 24 Dhjetor 2025, banorët lokalë në fshatin Kastrat të Kurshumlisë (Serbi) do të zhvillojnë një bllokadë të rrugës, nga ora 11:50 deri në 15:50.

Sipas deklaratave të këshilltarëve të opozitës, bllokada është paralajmëruar për shkak të kërkesave të paplotësuara, që përfshijnë: sigurimin e tekstesh shkollore falas për nxënësit e shkollave fillore, një rritje të fondeve për zhvillimin ekonomik lokal, dhe shkarkimin e disa zyrtarëve komunalë.

Bllokada do të zhvillohet në një pjesë të autostradë në Nish, pranë kryqëzimit në fshatin Kastrat, raporton Telegrafi.

Autoritetet e QKMK-së u bëjnë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë rrugë alternative për të evituar pengesat në trafikun rrugor gjatë periudhës së paralajmëruar.

Për informacion shtesë, QKMK ka vënë në dispozicion numrat e kontaktit: +383 45 198 000, +383 45 198 606 dhe 0800 500 95.

Ky njoftim vjen si pjesë e përpjekjeve të autoriteteve për informim të drejtpërdrejtë të mërgimtarëve, që tashmë janë nisur nga venet e ndryshme drejtë Kosovës. /Telegrafi/


Ditë e pestë e grevës, Sindikata e KRU Hidrodrinit paralajmëron vazhdim deri në adresimin e kërkesave

23 December 2025 at 10:25


Punëtorët e KRU “Hidrodrini” po vazhdojnë grevën paralajmëruese, e cila sot hyri në ditën e pestë, si pjesë e ushtrimit të së drejtës për grevë në përputhje me ligjin.

Në një njoftim për media, Shoqata Sindikale e Punëtorëve të KRU “Hidrodrini” theksoi: "Greva gëzon përkrahje të gjerë nga punëtorët, por rrugët e dialogut dhe negociatave mbeten të hapura për adresimin e kërkesave të punëtorëve, në kuadër të kompetencave të palëve përgjegjëse".

Greva zhvillohet çdo ditë nga ora 09:00 deri në 10:00 dhe do të vazhdojë deri në ndërmarrjen e hapave konkretë për zgjidhjen e kërkesave ose deri në një njoftim tjetër zyrtar nga Këshilli i Grevës.

Në njoftim bëhet e ditur se greva po zhvillohet në qytete të ndryshme, përfshirë Pejë, Deçan, Klinë dhe Istog, ndërsa Shoqata Sindikale ka publikuar edhe fotografi nga aktiviteti.

Këshilli i Grevës njofton se qëllimi i grevës është të sigurojë respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe adresimin e kërkesave të tyre në mënyrë ligjore dhe transparente. /Telegrafi/

Anulohen dy konkurse publike në Fushë Kosovë, nga komuna thonë se ka shkelje ligjore

23 December 2025 at 10:20


Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se gjatë procedurave për dy konkurset publike të shpallura më 8 gusht 2025, janë konstatuar shkelje të dispozitave ligjore, çka ka sjellë vendimin për anulimin e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe procedurat administrative.

Konkursi i parë, me Nr. 849, ishte shpallur për pozitat në sektorin shëndetësor dhe administrativ, duke përfshirë: mjekë të përgjithshëm (6 pozita), mjek stomatolog (1 pozicion), infermier/e (18 pozita), teknik/e stomatologjie (4 pozita), teknik/e laborant (4 pozita), teknik/e i farmacisë (1 pozicion), administrator i sistemit informativ shëndetësor (1 pozicion) dhe jurist/e (1 pozicion).

Konkursi i dytë, me Nr. 850, përfshinte pozitat e vozitësve (2 pozita), higjienistëve (3 pozita), mirëmbajtës/punëtor teknik (1 pozicion) dhe punëtor sigurimi (1 pozicion).

Komuna ka bërë të ditur se për çdo konkurs të ri eventual, qytetarët do të njoftohen me kohë përmes faqes zyrtare të internetit dhe rrjeteve sociale. /Telegrafi/


Abdixhiku: Prishtina kërkon zhvillim dhe projekte konkrete, LDK premton 1.5 miliard euro investime

23 December 2025 at 10:14


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një tubim zgjedhor në shkollën “Ismail Qemali” në Bregun e Diellit, organizuar nga Dega e Tretë e LDK-së.

Gjatë tubimit, Abdixhiku theksoi se Prishtina kërkon zhvillim dhe projekte konkrete, duke prezantuar një plan investimesh me vlerë 1.5 miliardë euro, që përfshin Unazën e Jashtme, Qendrën Sportive, teatrot dhe parkun teknologjik.

Ai shtoi se qytetarët e kryeqytetit kanë zgjedhur ndryshimin e parë, duke theksuar se LDK-ja, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, synon të sjellë normalitet dhe projekte konkrete për qytetarët.

Abdixhiku prezantoi gjithashtu kandidatët e Degës së Tretë për zgjedhjet e ardhshme, të cilët përfaqësojnë një ekip me përvojë institucionale, energji qytetare dhe përkushtim ndaj vlerave rugoviane dhe shërbimit publik.

Kandidatët përfshijnë: Alban Zogaj (22), Ukë Rugova (10), Adelina Thaqi Meta (12), Doruntinë Maloku (21), Elmire Nikçi Rexha (42), Myzejene Selmani (48), Sokol Havolli (49), Arta Metaj Govori (53), Lumbardh Salihu (77), Bejtush Gashi (83) dhe Nazmije Krasniqi Jusufi (84). /Telegrafi/


Ndërprerje e përkohshme e furnizimit me ujë në disa zona të Pejës

23 December 2025 at 09:54


KRU “Hidrodrini” ka njoftuar se për shkak të rjedhjeve të mëdha të ujit në gypin kryesor, sot do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm në disa zona të qytetit të Pejës.

Sipas njoftimit zyrtar, ndërprerja do të zgjasë nga ora 10:00 deri në ora 14:00 dhe do të prekë lagjen B.T. “Fidanishte”, si dhe rrugët “Agim Qelaj”, “Konferenca e Bujanit”, “Myrvete Maksutaj”, “Hasan Riza” dhe disa rrugë dytësore përreth.

Nga KRU “Hidrodrini” bëhet e ditur se ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit, me qëllim rikthimin e furnizimit me ujë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ndërmarrja u ka kërkuar mirëkuptim qytetarëve të zonave të prekura për shqetësimet e shkaktuara gjatë kësaj periudhe. /Telegrafi/


Komuna e Fushë Kosovës heq kufizimet për parkingun e brendshëm - hapet edhe për qytetarë

23 December 2025 at 09:31


Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se hapësira e parkingut brenda oborrit të objektit komunal tashmë është e lirë dhe e qasshme për të gjithë qytetarët.

Sipas njoftimit zyrtar, nga data 8 dhjetor 2025, parkingu i komunës do të jetë në shërbim të qytetarëve që vizitojnë institucionin për të marrë shërbime administrative. Vendimi është marrë me rekomandim të kryetarit të Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza.

Deri më tani, kjo hapësirë parkimi ka qenë e dedikuar ekskluzivisht për automjetet zyrtare dhe stafin administrativ të komunës.

Nga komuna bëhet e ditur se ky vendim ka për qëllim lehtësimin e qasjes së qytetarëve në shërbimet komunale dhe përmirësimin e kushteve gjatë vizitave të tyre në institucion. /Telegrafi/


Arrestohet një person në Gjakovë për dhunë në familje, dy gra të keqtrajtuara

23 December 2025 at 08:33


Një person është arrestuar në Gjakovë nën dyshimin për ushtrim të dhunës në familje, ndaj dy viktimave femra, nënës dhe bashkëshortes së tij.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 22:30, i dyshuari, mashkull kosovar, dyshohet se nën ndikim të alkoolit ka keqtrajtuar fizikisht dy familjaret e tij.

Si pasojë e dhunës së ushtruar, njëra nga viktimat ka pranuar trajtim mjekësor.

Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po trajtohet nga organet e rendit dhe drejtësisë. /Telegrafi/

Tentativë arratisjeje nga dhomat e ndalimit në Rahovec, i dyshuari rikapet nga policia

23 December 2025 at 08:28


Një person i privuar nga liria ka tentuar të arratiset nga Stacioni Policor në Rahovec, por është arrestuar sërish pas ndërhyrjes së shpejtë të policisë.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 21:00, i dyshuari, mashkull kosovar, i cili ndodhej në dhomat e ndalimit, ka përdorur forcë për të hapur derën e dhomës dhe ka dalë nga objekti i stacionit policor me qëllim arratisjeje.

Patrullat policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin, duke e kthyer atë sërish në Stacionin Policor të Rahovecit, përcjell Telegrafi.

Pas arrestimit, i dyshuari është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa pas përfundimit të tretmanit është rikthyer në dhomat e ndalimit.

Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar. /Telegrafi/

Zhduket një vajzë në Junik, policia nis hetimet

23 December 2025 at 08:24


Policia e Kosovës ka iniciuar hetime lidhur me zhdukjen e një vajze në Junik.

Sipas raportit zyrtar nga policia, rreth orës 19:51, në rrugën “Fadil Maloku”, një qytetar ka raportuar se vajza e tij është larguar nga shtëpia dhe që nga ai moment nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj, përcjell Telegrafi.

Rasti është cilësuar si “person i zhdukur”, ndërsa njësitë relevante policore kanë nisur procedurat hetimore për lokalizimin e saj dhe sqarimin e rrethanave të zhdukjes.

Policia u bën thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacione që mund të ndihmojnë në këtë rast, t’i raportojnë ato në stacionin më të afërt policor ose përmes numrave zyrtarë të Policisë së Kosovës. /Telegrafi/

Komuna e Istogut njofton qytetarët për pagesën e Tatimit në Pronë

23 December 2025 at 08:17


Komuna e Istogut, përmes Drejtorisë për Buxhet dhe Financa – Sektori i Tatimit në Pronë, ka bërë të ditur se po afrohet afati për përfundimin e vitit fiskal 2025 dhe njëkohësisht afati ligjor për pagesën e Tatimit në Pronë.

Në njoftimin zyrtar të datës 22.12.2025, Komuna u bën thirrje të gjithë qytetarëve që obligimet e tyre për Tatimin në Pronë t’i përmbushin brenda afatit të përcaktuar me ligj, me qëllim të shmangies së gjobave dhe interesit për vonesë, të cilat llogariten për çdo muaj vonesë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Për informata më të detajuara lidhur me shumën e saktë të tatimit, si dhe për çdo paqartësi apo informacion shtesë, qytetarët mund t’i drejtohen Sektorit të Tatimit në Pronë, në objektin e Komunës së Istogut, Zyra nr. 109, gjatë orarit zyrtar të punës.

Nga Komuna e Istogut shprehin mirënjohje për bashkëpunimin e qytetarëve dhe për përmbushjen me kohë të obligimeve ligjore, duke theksuar rëndësinë e këtyre pagesave për funksionimin dhe zhvillimin e shërbimeve komunale. /Telegrafi/


Komuna e Pejës publikon listën e bursistëve përfitues për vitin 2025

23 December 2025 at 07:56


Komuna e Pejës ka bërë publike Listën e bursistëve përfitues për vitin 2025, në kuadër të mbështetjes financiare për studentët e dalluar dhe ata në nevojë sociale që vijojnë studimet universitare.

Sipas njoftimit zyrtar, lista përfshin 60 studentë përfitues, të cilët studiojnë në fusha të ndryshme akademike, me theks të veçantë në Mjekësinë e Përgjithshme, Matematikë dhe Fizikë, në universitete brenda dhe jashtë vendit.

Çdo bursist përfiton një mbështetje financiare në vlerë prej 500 euro, ndërsa shuma totale e ndarë për këtë program arrin në 30,000 euro.

Komuna thekson se përzgjedhja e përfituesve është bërë në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara në thirrjen publike, duke u bazuar në suksesin akademik dhe dokumentacionin e dorëzuar nga aplikuesit.

Po ashtu, në njoftim sqarohet se aplikuesit që nuk janë përfshirë në listën përfundimtare për vitin 2025 do të trajtohen për përfitim në vitin 2026, në varësi të mjeteve të ndara nga buxheti i atij viti.

Ky program i bursave përfaqëson një angazhim të vazhdueshëm të Komunës së Pejës për të mbështetur arsimin e lartë dhe për të investuar në zhvillimin profesional të të rinjve. /Telegrafi/


Yesterday — 22 December 2025Main stream

Xheladini emëron Arijeta Qafleshi Skerajn dhe Veton Halilin pjesë të kabinetit të tij

22 December 2025 at 15:48


Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë sot dy emërime të rëndësishme në strukturat udhëheqëse të komunës.

Arijeta Qafleshi Skeraj është emëruar shefe e Kabinetit të Kryetarit, pas tërheqjes së saj nga pozita e asambleistes së Kuvendit të Komunës.

Në zgjedhjet e fundit lokale, Qafleshi Skeraj është zgjedhur për herë të pestë si asambleiste, ndërsa gjatë legjislaturës së kaluar ka shërbyer si Kryesuese e Kuvendit, duke shënuar një performancë të lartë në funksionimin e organit më të lartë vendimmarrës të komunës. Kryetari Xheladini e ka uruar për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese të metejshme në profesion dhe karrierë.



Gjithashtu, kryetari Xheladini ka emëruar Veton Halilin drejtor të Administratës Komunale.

Gjatë mandatit të kaluar, Halili ka shërbyer si shef i Kabinetit të Kryetarit, duke ushtruar këtë detyrë me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë.

Kryetari Xheladini ka uruar Halilin për pozitën e re, duke shprehur besimin se me përvojën dhe profesionalizmin e tij, ai do të kontribuojë në forcimin e administratës komunale dhe efikasitetin e shërbimeve për qytetarët e Dragashit. /Telegrafi/


Inspektohen kushtet mësimore në shkollat e komunës së Obiliqit

22 December 2025 at 15:40


Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Obiliqit, Sevdije Berisha Krasniqi, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Inspekcionit, Arif Pllana, kanë realizuar vizita inspektuese në disa shkolla të territorit të kësaj komune.

Gjatë vizitave, drejtuesit komunalë kanë parë nga afër kushtet në të cilat zhvillohet procesi mësimor, duke identifikuar nevojat për ndërhyrje me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës shkollore dhe krijimit të një ambienti më të sigurt dhe më të përshtatshëm për nxënësit.

Nga Komuna e Obiliqit është bërë e ditur se këto vizita janë pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për rritjen e cilësisë së arsimit dhe adresimin e problematikave që ndikojnë në mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor. /Telegrafi/


Hamza nga ICK: Qeveria ime do të mbështesë fuqishëm ekonominë digjitale dhe inovatorët

22 December 2025 at 15:34


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar sot Innovation Centre Kosovo (ICK), duke theksuar rolin kyç që teknologjia dhe inovacioni po luajnë në ndërtimin e ekonomisë së re të vendit.

Gjatë vizitës, Hamza u njoh nga afër me punën e vajzave dhe djemve të sektorit të teknologjisë, të cilët po zhvillojnë zgjidhje inovative në fusha si Inteligjenca Artificiale, siguria kibernetike dhe printimi 3D.

Ai bëri të ditur se edhe vetë fushata e tij zgjedhore po përdor teknologji të avancuara, si dëshmi konkrete e orientimit drejt së ardhmes.

“Një pjesë e fushatës sime është duke u gjeneruar me Inteligjencë Artificiale, si dëshmi e vizionit dhe përkushtimit tonë për inovacionin dhe të ardhmen”, theksoi Hamza.

Kandidati për Kryeministër nënvizoi se mbështetja për sektorin e dijes dhe inovacionit do të jetë prioritet i qeverisjes së tij.

“Si kryeministër, do të punoj që Kosova të bëhet një shtet i dijes, me ekonomi digjitale të zhvilluar dhe mbështetje të vazhdueshme për inovatorët tanë”, u shpreh Hamza.

Sipas tij, investimi në teknologji, inovacion dhe të rinjtë kreativë është çelësi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për krijimin e vendeve të reja të punës me vlerë të shtuar për Kosovën.


Përfundon operacioni policor në Pejë, arrestohet një i dyshuar për krim të organizuar dhe rrëmbim

22 December 2025 at 14:46


Operacioni policor i zhvilluar sot në Pejë ka përfunduar me arrestimin e të dyshuarit R.H., në bazë të urdhrit për kontroll dhe nën dyshimet për kryerjen e veprave penale të krimit të organizuar në lidhje me veprën penale “Rrëmbimi”, si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas autoriteteve, aksioni është realizuar nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe është rezultat i një procesi hetimor që lidhet me dyshimet për rrëmbimin e një personi, rast i cili kishte ndodhur në vitin 2021.

Nga Prokuroria është bërë e ditur se lidhur me këtë rast, një tjetër i dyshuar ndodhet tashmë në paraburgim. Gjatë zbatimit të urdhrit të kontrollit, janë sekuestruar prova relevante, të cilat do të shërbejnë në vazhdimin e procedurës hetimore.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit R.H. /Telegrafi/


Hyseni dhe Durmishi diskutojnë për realizimin e projekteve infrastrukturore në Gjilan

22 December 2025 at 14:40


Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në takim ministrin në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishin, me të cilin ka diskutuar për projektet e realizuara dhe ato që janë në proces në këtë komunë.

Pas takimit, Hyseni dhe Durmishi kanë vizituar disa nga projektet infrastrukturore në terren, përfshirë rrugën “Hamdi Kurteshi”, ku po realizohet një investim në vlerë prej 2.4 milionë euro, si dhe segmentet e auto-udhës Bresalc–Banullë, pjesë e autostradës Prishtinë–Gjilan.

Kryetari Hyseni e ka falënderuar ministrin për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të ministrisë, duke theksuar se gjatë viteve të fundit janë realizuar dhjetëra projekte në dobi të qytetarëve të Gjilanit. Ai ka shprehur shpresën se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Hyseni ka bërë të ditur se aktualisht Komuna e Gjilanit po funksionon në një objekt tjetër, pasi ndërtesa e vjetër është rrënuar për t’i hapur rrugë realizimit të projektit “Bulevardi i Qytetit”, i cili konsiderohet investimi më i madh kapital ndonjëherë në Gjilan, me vlerë 18 milionë euro.

Gjatë vizitës në rrugën “Hamdi Kurteshi”, kryetari e ka informuar ministrin se kjo zonë më herët kishte qenë në gjendje të rëndë infrastrukturore, ndërsa tani po merr pamje të re me infrastrukturë të plotë përcjellëse.

Sa i përket autostradës Prishtinë–Gjilan, Hyseni ka njoftuar se katër kontrata për katër segmentet e kësaj rruge janë shkëputur, duke shtuar se me nënshkrimin e kontratave të reja pritet të përfundojë ky projekt i rëndësishëm për rajonin.

Nga ana e tij, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se vizita në Gjilan kishte për qëllim vlerësimin e projekteve në terren dhe urimin e kryetarit Hyseni për mandatin e tij të dytë. Ai theksoi se gjatë mandatit të kaluar janë ndërtuar dhe rehabilituar dhjetëra rrugë në këtë komunë, duke përmirësuar ndjeshëm qarkullimin dhe infrastrukturën.

Durmishi bëri të ditur se punimet në rrugën “Hamdi Kurteshi” po zhvillohen me intensitet të lartë, ndërsa sa i përket autostradës Prishtinë–Gjilan, ai konfirmoi se janë shkëputur katër kontrata për katër segmentet.

“Sapo të nënshkruhen kontratat e reja, brenda një viti do të përfundojë autostrada e Gjilanit”, tha ministri Durmishi, duke shtuar se në të ardhmen mbështetja për Gjilanin do të rritet me projekte të reja zhvillimore. /Telegrafi/


❌
❌