Katër persona u lënduan në një aksident rrugor ku u përfshinë nëntë automjete, përfshirë edhe një kamion, në autostradën “Milosh Veliki” në Serbinë qendrore, konfirmuan të premten nga spitali në Çaçak.
Nga spitali u bë e ditur se të gjithë të lënduarit janë trajtuar, ndërsa një burrë për shkak të lëndimeve të rënda është vendosur në njësinë e kujdesit intensiv, ndërsa tre personat e tjerë, dy gra dhe një burrë, janë në gjendje stabile dhe po i nënshtrohen ekzaminimeve shtesë.
Aksidenti ka ndodhur sot rreth orës tetë të mëngjesit, në afërsi të Luçanit. Në aksident nuk ka pasur viktima.
Për shkak të kryerjes së hetimeve, qarkullimi në segmentin e autostradës nga drejtimi i Luçanit drejt Pozhegës është ndërprerë përkohësisht, ndërsa drejtuesve të automjeteve u është rekomanduar të përdorin rrugë alternative përmes Ovçar Banjës.
Në vendngjarje ndodhen pjesëtarë të policisë rrugore, ndërsa shkaqet e aksidentit janë duke u hetuar.
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka njoftuar sot se zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet nga Republika e Kosovës ka filluar, duke theksuar se këto ligje sjellin qartësi juridike dhe jo penalizim për shqiptarët e Luginës që jetojnë në Kosovë.
Mustafi shpjegoi se periudha e tanishme është një fazë informuese që zgjat deri më 15 mars 2026.
"Këto ligje nuk ndalojnë hyrjen e qytetarëve tanë në Kosovë dhe nuk synojnë penalizim, por vendosin qartësi juridike aty ku për vite me radhë ka ekzistuar një zonë gri administrative", ka shkruar ai në Facebook.
Ai theksoi se periudha afirmative ka për qëllim rregullimin e statusit ligjor të qytetarëve dhe eliminimin e pasigurisë administrative: "Periudha afirmative shërben ekskluzivisht për rregullimin e statusit ligjor të qëndrimit dhe dokumentacionit, për eliminimin e pasigurisë administrative dhe për krijimin e mundësive shtesë në rast nevoje".
Mustafi përmendi gjithashtu përpjekjet e qeverisë për të lehtësuar procedurat për qytetarët e Luginës së Preshevës: "Qeveria e Republikës së Kosovës ka vënë në funksion formularin për situata të jashtëzakonshme, i cili ua mundëson qytetarëve apatridë/të pasivizuar në Luginën e Preshevës të aplikojnë dhe të pajisen me dokumentacion civil".
Ai theksoi rëndësinë e sigurimit të pronës dhe të drejtave administrative.
"Qytetarët e Luginës së Preshevës tani mund t’i bartin pronat e paluajtshme në emrin e tyre si titullarë, duke garantuar siguri juridike mbi pronën dhe duke hequr pengesat administrative që deri më tani i kanë përjashtuar nga e drejta elementare e pronësisë", thuhet më tej.
Mustafi përfundoi me një mesazh për qytetarët dhe institucioneve: "Pas datës 15 mars, zbatimi i ligjeve do të jetë i plotë, dhe çdo neglizhencë apo mosveprim mund të prodhojë pasoja administrative të panevojshme. Kosova nuk është hapësirë e pasigurisë ligjore për shqiptarët e Luginës së Preshevës, por shtet i së drejtës që i mbron, i rregullon dhe i trajton me dinjitet e të barabartë".
Ky hap është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar drejtësi, qartësi ligjore dhe mundësi të barabarta për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorët të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në kuadër të komunikimit të rregullt dhe zhvillimeve të fundit, Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i njoftuan për fazat e zbatimit të Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete, ligje këto të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe veprimet afirmative, që institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin për zbatimin e plotë të këtyre dy ligjeve.
“Faza e parë e zbatimit, e cila nis sot, parasheh një periudhë informimi mbi zbatimin e dispozitave ligjore. Vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese, të cilat ofrojnë udhëzime të qarta mbi të drejtat, detyrimet dhe procedurat përkatëse që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi. Paralelisht do të organizohen sesioneve informuese me qytetarë, fushatë informimi përmes medieve, linja telefonike informuese, etj. Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë. Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet synon lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se kryeministri informoi ambasadorët e pranishëm mbi domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate.
“Kryeministri tha se ky proces integruese do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë merren në konsideratë. Kryeministri ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e ligjit, zbatimin e barabartë të legjislacionit dhe forcimin e rendit juridik, duke u shprehur se periudha në vijim është thelbësore për funksionalizimin e plotë të këtyre proceseve”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar një udhëzues përmes së cilës njoftohen shtetasit e huaj për detyrimet ligjore gjatë hyrjes, qëndrimit dhe punësimit në Republikën e Kosovës.
Një njoftimin e MPB-së bëhet e ditur se Ligji për të Huajt, i publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës fillon së zbatuari nga 15 marsi 2026.
Lexoni të plotë njoftimin e MPB-së:
Të dashur vizitorë, mirësevini në Republikën e Kosovës! Ju dëshirojmë qëndrim të këndshëm në vendin tonë. Jemi të obliguar të ju njoftojmë me të drejtat dhe obligimet për qytetarët e huaj e mysafirë në Republikën e Kosovës, për të bërë edhe qëndrimin tuaj në shtetin tonë më të lehtë e në përputhje me rregullat e ligjet e vendit tonë.
Ju lutem vini re që:
Me rastin e hyrjes në Republikën e Kosovës, i huaji duhet:
të posedojë dokument të vlefshëm udhëtimi;
të posedojë vizë ose leje qëndrimi, kur kërkohet;
të respektojë qëllimin dhe afatin e qëndrimit;
të lajmërojë adresën e qëndrimit në afat prej tri (3) ditësh nga dita e hyrjes, në kufi apo në stacionin më të afërt policor;
të ketë mjete të mjaftueshme për jetesë;
të respektojë ligjet e Republikës së Kosovës;
të mos ketë ndalim të hyrjes dhe qëndrimit në Republikën e Kosovës;
të mos përbëjë kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin dhe shëndetin publik.
Me rast të qëndrimit afatshkurtër:
I huaji mund të qëndrojë deri në nëntëdhjetë (90) ditë brenda periudhës kohore prej njëqind e tetëdhjetë (180) ditë pa vizë ose me vizë kur kjo kërkohet,
Nuk i lejohet puna/punësimi gjatë kësaj periudhe pa leje pune;
Çdo qëndrim mbi 90 ditë kërkon aplikim për lejeqëndrim.
Me rast të qëndrimit në Republikën e Kosovës për çështje punësimi:
kërkohet leje qëndrimi e përkohshme për punë;
kërkohet leje pune;
Kërkohet licencim paraprak në rast të aplikimit për leje pune për profesionin që kërkon licencë;
puna pa leje është e ndaluar.
Aplikimi për leje të punës bëhet pranë Agjencisë së Punësimit.
Qëndrimi për qëllime të tjera:
Për çështje studimi, ribashkimi familjar ose arsye tjera humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana tjera të parapara me ligj, kërkohet:
pajisja me lejeqëndrim të përkohshëm dhe
plotësimi i kritereve tjera ligjore në varësi nga qëllimi i qëndrimit.
Aplikimi mund të bëhet në misione diplomatike/konsullore ose në DSHAM, në rastet kur i huaji ka hyrë në Republikën e Kosovës dhe nuk ka nevojë për vizë.
Pasoja në rast shkeljeje
Atëherë kur nuk veprohet në pajtim me përcaktimet ligjore që lidhen me hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e të huajve, autoritetet kompetente mund të marrin masat e përcaktuara me ligj, të cilat mund të përfshijnë por nuk kufizohen në:
anulimin e lejeqëndrimit,
shqiptimin e gjobës,
urdhërimin e largimit dhe
ndalimin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.
Për më shumë informacion mund t’i referoheni Ligjit Nr.04/L-219 për të Huajt, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
MPB njofton se zbatimi i plotë fillon nga data 15 mars 2026.
“Çdo hyrje pas kësaj date që rezulton me mosparaqitje sipas rregullave të listuara brenda këtij udhëzuesi, do rezultojë me ndalim hyrje në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
TIRANË, 12 janar/ATSH/ Një udhëzimi i ri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për kontrollin teknik të mjeteve është publikuar në Fletoren Zyrtare.
Ky udhëzim parashikon se pas çdo ndryshimi të pronarit, mjeti duhet të nënshtrohet kontrollit teknik, pavarësisht nga data e fundit e kontrollit. Kontrolli kërkohet gjithashtu kur mjeti ka përshkuar 160 000 kilometra.
Udhëzimi i cili ishte në fuqi, parashikonte që autoriteti kompetent mund të kërkojë kontroll teknik përpara afatit të rregullt, në rastet kur mjeti ka pësuar aksidente që ndikojnë në komponentët kryesorë të sigurisë, si rrotat, suspensoni, zonat e deformimit, sistemet airbag, drejtimi ose frenat. Po ashtu, kontrolli mund të kërkohej kur janë kryer ndryshime ose modifikime në sistemet e sigurisë ose të mjedisit, ose kur siguria në rrugë është e rrezikuar.
Me hyrjen në fuqi të udhëzimit të ri, kontrolli teknik do të kërkohet edhe kur ndryshon pronari i mjetit.
Udhëzimi i ri parashikon gjithashtu përdorimin e platformave elektronike të Bashkimit Evropian për shkëmbimin e informacionit mbi certifikatat e kontrollit teknik, leximin e odometrit dhe historikun e aksidenteve, duke siguruar transparencë dhe monitorim më të mirë për inspektorët, pronarët e mjeteve dhe studiuesit e aksidenteve. /j.p/
TIRANË, 12 janar/ATSH/ Tregu i automjeteve shënoi rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025, ku u regjistruan 98,927 mjete për herë të parë.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bëri të ditur sot se krahasuar me vitin 2023, shënohet një rritje prej 27% e mjeteve të regjistruara.
Sipas DPSHTRR-së, 80,739 prej tyre janë autovetura, që përbëjnë 81.6% të totalit të mjeteve të regjistruara.
Edhe tregu i sigurimit të detyrueshëm motorik ka vijuar trendin pozitiv. Gjatë periudhës janar-shtator 2025 u reflektua një rritje e qëndrueshme si në vlerën e primeve të shkruara bruto, ashtu edhe në numrin e kontratave të sigurimit. /j.p/
TIRANË, 8 janar /ATSH/ Policia Rrugore apeloi sot të gjithë drejtuesit e automjeteve që të përdorin goma dimërore dhe pajisje antirrëshqitëse ndërsa në mjaft zona temperaturat kanë rënë nën zero dhe ka reshje dëbore.
Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, gjatë pasdites së sotme inspektoi shërbimet e Policisë Rrugore në Rrugën e Arbrit, për të parë nga afër situatën dhe për të komunikuar me punonjësit e Policisë që janë të angazhuar në këtë aks rrugor dhe, nëpërmjet tyre, për t’iu përcjellë një mesazh të gjithë drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë në zona malore ku ka prezencë të reshjeve të dëborës.
“Të gjithë drejtuesit e automjeteve të përdorin mjetet antirrëshqitëse (zinxhirë) dhe goma dimërore, pasi Policia Rrugore ka marrë detyrë dhe urdhër të prerë që të ndëshkojë çdo drejtues automjeti që nuk zbaton me rigorozitet rregullat e qarkullimit në raste të tilla”, tha Vatoci.
Vatoci apeloi për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit dhe që, për çdo rast nevoje, të telefonojnë në 112 dhe të kontaktojnë me shërbimet e Policisë në terren.
Ndërkohë, ai nënvizoi po bashkëpunohet me firmat kontraktore për mirëmbajtjen e akseve rrugore, me qëllim pastrimin në kohë dhe hedhjen e kripës.
Si pasojë e motit të keq, shërbimet e Policisë Rrugore janë 100% në detyrë, krahas shërbimeve të tjera të Patrullave të Përgjithshme, Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë, të cilat vijojnë punën për t’iu shkuar në ndihmë qytetarëve në zona që kanë problematika për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe dëbore, si dhe për të menaxhuar trafikun rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
TIRANË, 8 janar /ATSH/ Ndotja mjedisore dhe problemet e sigurisë teknike të mjeteve mbeten shqetësime kryesore në qarkullimin rrugor.
Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, nga mbi 338 mijë testime të kryera gjatë vitit, 81.065 automjete u refuzuan, duke përbërë 23,5 për qind të totalit. Arsyet kryesore të refuzimit lidhen me shkarkimin e gazrave mbi normat e lejuara, defektet vizuale, problemet në sistemin e frenimit, si dhe mangësitë në drejtim dhe pezullim.
Konkretisht, 37,6 për qind e refuzimeve erdhën për shkak të ndotjes nga gazrat, 34,4 për qind për defekte vizuale, 15,2 për qind për probleme me frenat dhe 12,8 për qind për defekte në drejtim dhe pezullim.
DPSHTRR bën të ditur se, pas ndërhyrjeve dhe riparimeve, 73.230 automjete u ritestuan dhe kaluan me sukses kontrollin teknik, ndërsa 7502 mjete vijojnë të jenë ende në pritje të riparimit. Ndërkohë, 333 automjete u refuzuan përfundimisht gjatë vitit 2025, pasi u konstatua manipulim i odometrit, një shkelje që cenon drejtpërdrejt sigurinë rrugore.
DPSHTRR thekson se kontrolli teknik mbetet një element kyç për garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës dhe reduktimin e ndotjes mjedisore, teksa i bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë standardet e kërkuara për qarkullim të sigurt.
TIRANË, 3 janar/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur sot se qarkullimi i mjeteve vijon normalisht në të gjitha akset rrugore të vendit, ndërsa gjatë natës reshjet e dëborës kanë pushuar.
Aktualisht territori i vendit është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar, ndërsa temperaturat kanë pësuar rritje.
Grupet e punës me mjetet borëpastruese kanë qenë në terren gjatë gjithë natës për pastrimin e rrugëve nga rënia e gurëve dhe inerteve, si dhe për shpërndarjen e kripës në segmentet ku ka pasur nevojë, me qëllim parandalimin e ngricave.
Autoriteti Rrugor u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht gjatë udhëtimeve drejt zonave malore ku ka ende prezencë dëbore.
TIRANË, 2 janar/ATSH/ Rruga e Kombit, në të dyja drejtimet e lëvizjes Kukës-Tuneli i Kalimashit, mesditën e sotme ka një fluks normal automjetesh.
Prefekti i qarkut të Kukësit, Dritan Baji tha sot për ATSH-në se “pas aksidentit të ndodhur mëngjesin e sotëm në këtë aks, qarkullimi i mjeteve është normalizuar”.
Mediet raportuan sot se për shkak të prezencës së akullit, përgjatë segmentit Milot-Kalimash u regjistruan tre aksidente rrugore.
Nga aksidentet u dëmtuan gjashtë persona, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në spitalin e Rrëshenit dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Qarku i Kukësit është përfshirë sot nga reshje shiu të dendura dhe erë të fortë duke sjellë vështirësi në orët e paradites.
Prefekti Baji i bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të përshtatin shpejtësinë, për shkak të lagështisë dhe kushteve të pafavorshme të motit.
Ditën e sotme gjithë veriu u përfshi nga reshje të dendura shiu dhe dëbore në zonat malore, ndërkohë që rrugët kombëtare janë të kalueshme.
Një 23-vjeçar është arrestuar nga Policia e Korçës pasi vodhi pesë targa të automjeteve.
Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjetën 5 targat e vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al
TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Çmimet e referencës që përdoren nga doganat për zhdoganimin e automjeteve të përdorura janë rritur me 25% për autoveturat, kamionçinat, furgonët dhe kamionët, sipas udhëzimit të ri të miratuar nga Ministria e Financave, i cili ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Ndryshimet parashikohen në udhëzimin e ndryshuar ”Për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore”, i cili rregullon mënyrën e vlerësimit të automjeteve të përdorura për qëllime zhdoganimi.
Çmimet e referencës përdoren në rastet kur automjetet kanë vit prodhimi më të hershëm se viti i fundit i publikuar në buletinet zyrtare të çmimeve, si “Quattroroute”, “Tuttotrasporti”, “Schwackeliste” etj., që pasqyrojnë çmimet e shitjes në tregjet europiane, ose kur nuk pranohet vlera e transaksionit.
Sipas udhëzimit të ri, për autoveturat me cilindratë nga 1400 deri në 1900 cc, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 200 mijë lekë në 250 mijë lekë. Për automjetet me cilindratë nga 1900 deri në 2500 cc, vlera e referencës rritet nga 325 mijë lekë në 406 mijë lekë, ndërsa për ato nga 2500 deri në 3000 cc, çmimi minimal rritet nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë.
Për automjetet me cilindratë nga 3000 deri në 4500 cc, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 500 mijë lekë në 625 mijë lekë, ndërsa për automjetet me cilindratë mbi 4500 cc, vlera minimale mbetet e pandryshuar, në nivelin 1 milion lekë.
Rritja me 25% është aplikuar edhe për çmimet e referencës për kamionçinat, furgonët dhe kamionët. Për kamionçinat dhe furgonët me kapacitet deri në 1.5 tonë, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë. Për mjetet me kapacitet nga 1.5 deri në 3.5 tonë, vlera minimale rritet nga 600 mijë lekë në 750 mijë lekë.
Ndërkohë, për kamionët me kapacitet nga 3.5 deri në 10 tonë, çmimi minimal i zhdoganimit rritet nga 850 mijë lekë në 1.062.500 lekë. Për kamionët me kapacitet nga 10 deri në 15 tonë, pragu minimal rritet nga 1 milion lekë në 1.250.000 lekë, ndërsa për kamionët me kapacitet mbi 15 tonë, nga 1.2 milion lekë në 1.5 milion lekë. /j.p/
BRUKSEL, 17 dhjetor /ATSH/- Bashkimi Evropian ka konfirmuar planet për të lehtësuar ndalimin e shitjes së automjeteve të reja me benzinë dhe naftë deri në vitin 2035, duke iu nënshtruar presionit të fortë nga industria e automjeteve dhe udhëheqësit e disa shteteve anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Italinë, sipas “The Telegraph”.
Sipas propozimeve, Bashkimi Evropian do të lejojë shitjen e një numri të kufizuar automjetesh me benzinë dhe naftë.
Sipas legjislacionit aktual, prodhuesit duhet të sigurojnë që 100% e makinave dhe furgonëve të prodhuar – të jenë me zero emetime deri në vitin 2035.
Komisioni Evropian tani po propozon ta ulë këtë përqindje në 90%, duke lejuar që pjesa tjetër të prodhohet me hibride plug-in (PHEV) ose motorë me djegie të brendshme edhe pas vitit 2035.
Gjithashtu, 10% e mbetur e prodhimit që nuk është neutral ndaj karbonit duhet të kompensohet nga masa të tjera të gjelbra, të tilla si përdorimi i çelikut të gjelbër të prodhuar në Evropë ose biokarburanteve në automjetet joelektrike.
Propozimet përfshijnë gjithashtu stimuj për makinat e vogla elektrike: automjetet nën 4,2 metra të gjata, me çmim midis 15,000 dhe 20,000 euro dhe të prodhuara në BE, do të përfitojnë nga ulja e tarifave rrugore dhe stimujve për prodhuesit.
Ndërkohë, kërkesat për furgonët elektrikë do të lehtësohen, duke ulur objektivin e reduktimit të emetimeve nga 50% në 40% deri në vitin 2030.
Propozimet, të cilat duhet të miratohen nga qeveritë e BE-së dhe Parlamenti Evropian, pritet të shihen si një fitore për industrinë evropiane të makinave, e cila ka luftuar për të kaluar në elektrifikim dhe përballet me konkurrencën e automjeteve kineze.
Por, vendimi është kritikuar nga partitë e gjelbra dhe organizatat mjedisore, të cilat paralajmërojnë se ai shkel politikën mjedisore të BE-së dhe favorizon konkurrencën kineze në tregun e automjeteve elektrike.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se Evropa mbetet në krye të tranzicionit global të pastër dhe se propozimet janë rezultat i dialogut intensiv me industrinë e automobilave, organizatat e shoqërisë civile dhe palët e interesuara. //a.i/
TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ Tregu i automjeteve në vend po shënon një rritje të ndjeshme, duke reflektuar dinamika pozitive në sektorin e transportit dhe konsumin e brendshëm.
Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), gjatë periudhës janar–nëntor 2025 janë regjistruar për herë të parë 89.654 mjete, një rritje prej 96% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Nga totali i mjeteve të regjistruara, 73.066 janë autovetura, të cilat përbëjnë 81,5% të tregut, duke konfirmuar dominimin e këtij segmenti në strukturën e flotës rrugore.
Kryesimin e regjistrimeve e mban Republika e Koresë, me 21,4% të totalit të mjeteve të regjistruara. Italia dhe Gjermania renditen përkatësisht me 15,4% dhe 15,6%, duke dëshmuar se prodhuesit europianë vazhdojnë të mbajnë një pozicion të fortë në treg.
Rritje të dukshme paraqet edhe prania e mjeteve me origjinë nga Kina, e cila zë 9,1% të regjistrimeve, ndërsa Zvicra përfaqësohet me 8,4%. Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasojnë me 8%, duke ruajtur një pjesë të qëndrueshme të tregut. /j.p/
Në rrugën e Prushit, automjeti me drejtues shtetasin F. Gj, rreth 23 vjeç është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin B. T, rreth 40 vjeç.
Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë drejtuesi i motomjetit si dhe është dëmtuar pasagjeria në motomjet shtetasja A. Gj, rreth 22 vjeçe, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Drejtuesi i automjetit shtetasi F. Gj, është shoqëruar në Komisariat për veprime të metejshme proceduriale.
Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e rrethanave të aksidentit.
PRISHTINË, 2 dhjetor/ATSH/ Drejtoria e Policisë së Kosovës ka shpërndarë sot 41 vetura të reja për njësitë patrulluese, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për rritjen e kapaciteteve operative në rritjen e sigurisë për qytetarët.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, kolonel Gazmend Hoxha, ka dorëzuar automjetet e reja, të cilat përfshijnë 35 limuzina, mes tyre edhe modele hibride, si dhe 6 xhipa të dedikuar për mbulimin e zonave të vështira patrulluese në të gjitha drejtoritë rajonale të vendit.
Sipas një postimi në Facebook, ky investim konsiderohet një hap i rëndësishëm në përmbushjen e objektivave të Planit Zhvillimor Strategjik, duke fuqizuar qasjen proaktive të policisë dhe rritur efikasitetin në reagimin ndaj kërkesave të qytetarëve.
Policia e Kosovës thekson se pajisja me automjete të reja do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e bashkëpunimit me komunitetin, rritjen e transparencës institucionale dhe forcimin e besimit të qytetarëve në organet e rendit.
TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTR) bën të ditur se qytetarët që sapo kanë blerë një mjet duhet të kryejnë ndryshimin e pronësisë në sportelet e drejtorive rajonale sipas vendbanimit të tyre.
Sipas DPSHTRR-së, ky proces është i domosdoshëm për regjistrimin ligjor dhe për të shmangur penalitete të mundshme.
Dokumentacioni i nevojshëm për ndryshimin e pronësisë përfshin: Dokumentet identifikues të aplikantit; Dokumentin e fitimit të pronësisë së mjetit; Dokumentin e identifikimit të treguesve të mjetit (përjashtohen mjetet me certifikatë kontrolli teknik të vlefshme dhe mjetet e reja brenda periudhës pa nevojë për kontroll teknik); Kontratën e sigurimit të mjetit dhe konfirmimin nga Regjistri i Barrëve Siguruese; Lejen e qarkullimit të mjetit; Certifikatën e pronësisë për rastet kur leja e qarkullimit është e modelit të vjetër; Vërtetimin se shitësi nuk është debitor për TVMP/TVML, gjoba nga kontrolli teknik ose bllokime të tjera.
DPSHTRR bën të ditur se, automjetet, motomjetet dhe rimorkiot duhet të regjistrohen brenda 30 ditëve kalendarike nga data e lidhjes së kontratës; makinat bujqësore duhet të regjistrohen brenda 10 ditëve kalendarike.
DPSHTR apelon tek të gjithë qytetarët që të respektojnë këto afate për të shmangur probleme ligjore dhe administrative, duke garantuar regjistrimin korrekt të mjeteve të tyre. /j.p/
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave për rastin e laboratorit të drogës të zbuluar më 23 prill 2025 në Prizren.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë kultivuar 175 bimë “kanabis sativa” në dy banesa në lagjen “Dardania”, të pajisura me llamba profesionale, sisteme ventilimi dhe pajisje të tjera mbështetëse. Ata akuzohen për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” sipas nenit 272 të KPRK-së.
Nëntë të pandehurit, mes të cilëve D.M., E.M., M.S. dhe A.S., akuzohen gjithashtu për përgatitje dhe shpërndarje të lëndës narkotike, përmes tharjes, paketimit dhe shitjes së kanabisit dhe kokainës. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar 451.91 gram kokainë, para të gatshme, pajisje për peshimin dhe ndarjen e lëndëve narkotike, si dhe dy vetura. Një nga të pandehurit, K.R., akuzohet se ka shkëmbyer 2 kg marihuanë për një veturë “Audi A6”, përcjell Telegrafi.
Të pandehurit kanë vepruar së bashku si grup i organizuar, ndërsa njëri prej tyre, B.M., akuzohet për ndihmë në kultivimin e bimëve duke informuar të tjerët për lëvizje të dyshimta që mund të çonin në zbulimin e laboratorit.
Prokuroria ka propozuar konfiskimin e pasurisë së përfituar nga aktiviteti kriminal, përfshirë dy banesa në Prizren, dy automjete, narkotikë, telefona mobil dhe para të gatshme në vlerë 1,020 euro dhe 30 franga zvicerane.
Pas administrimit të provave, Prokuroria kërkon që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohen. /Telegrafi/
TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Në tremujorin e tretë të vitit numri total i mjeteve në qarkullim në Shqipëri arriti në 1.025.981, duke shënuar një rritje prej 9,2% krahasuar me vitin e kaluar.
Autoveturat mbeten dominueset në treg, duke përbërë 80,8% të mjeteve të regjistruara, 6% janë motorë, ndërsa automjetet për transport të përzier dhe ato komerciale zënë 5,9% të totalit.
Tirana vazhdon të mbajë pozitat udhëheqëse në nivel kombëtar, me 34,7% të mjeteve gjithsej, pasuar nga Durrësi me 13,6%. Këto dy qarqe janë ato që kanë numrin më të madh të mjeteve në qarkullim, duke reflektuar densitetin më të lartë të popullsisë dhe zhvillimin ekonomik.
Nga ana tjetër, Gjirokastra dhe Kukësi mbeten me numrat më të ulët të mjeteve, me përkatësisht 2,2% dhe 2,4% të totalit të mjeteve.
Po ashtu, regjistrimet e reja të mjeteve kanë shënuar një rritje prej 1,6%, me gjithsej 26.614 mjete të regjistruara për herë të parë gjatë këtij tremujori. Nga këto, 82,3% kanë qenë autovetura.
Volkswagen është marka që kryeson në regjistrimet e reja me 19,8% të tregut, e ndjekur nga Mercedes Benz me 17%, duke dëshmuar një preferencë të vazhdueshme për këto dy marka të njohura.
Tirana ka udhëhequr gjithashtu në regjistrimet e reja, me 39,5% të mjeteve të regjistruara për herë të parë në këtë periudhë. /j.p/
TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) bën të ditur se siguria rrugore po përmirësohet ndjeshëm, falë rritjes së kontrolleve teknike të mjeteve.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 10 muajve të parë të vitit 2025 janë kryer gati 267 mijë testime teknike, duke shënuar një rritje të ndjeshme prej 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Pjesa më e madhe e mjeteve të testuara janë automjetet personale, që përbëjnë 86.2% të totalit. Më pas renditen kamionët me 6,2%, motomjetet me 4,9%, autobusët me 1,8%, rimorkiot me 0,5% dhe mjetet e punës me 0,4%.
Drejtoria thekson se kontrolli i rregullt teknik nuk është vetëm një kërkesë ligjore, por një masë e domosdoshme për parandalimin e aksidenteve dhe sigurimin e rrugëve për të gjithë përdoruesit. “Siguria fillon me kontrollin”, nënvizon DPSHTRR, duke bërë thirrje për përgjegjshmëri nga ana e drejtuesve të mjeteve.
Inspektimet teknike periodike ndihmojnë në identifikimin e defekteve të mundshme që mund të shkaktojnë aksidente, duke kontribuar direkt në uljen e riskut dhe rritjen e sigurisë për të gjithë qytetarët. /j.p/