TIRANË, 8 janar /ATSH/ Pas mbledhjes së Shtabit të Emergjencave Civile në Prefekturën e Durrësit, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, deklaroi se, situata në qark është agravuar gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e reshjeve të dendura, ndërsa të gjitha strukturat shtetërore ndodhen në terren dhe në gatishmëri të plotë.
Sipas ministres, zonat më problematike aktualisht janë njësitë administrative Vadardhë, Sukth dhe Katundi i Ri, ku është aktivizuar plani i evakuimit parandalues.
Operacioni po zbatohet nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe institucionet vendore.
“Të gjitha strukturat janë në terren dhe në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës nga reshjet e dendura. Në disa zona ka nisur evakuimi parandalues i banorëve. Situata po monitorohet vazhdimisht dhe po mbahet nën kontroll, ndërsa prioritet absolut mbetet jeta dhe siguria e qytetarëve. Institucionet do të vijojnë të jenë pranë tyre”, tha Koçiu.
Ministrja theksoi se, si rezultat i reshjeve të dendura të ditëve të fundit, në qarkun e Durrësit, në përgjithësi ka një situatë, e cila është agravuar 24-orëshin e fundit.
“Dy nga zonat më të nxehta janë në njësitë administrative Vadardhë, Sukth dhe në Katundin e Ri. Janë dy zona ku është instaluar plani i evakuimit dhe po zbatohet nga Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit e të gjitha struktura që janë në gatishmëri e po koordinojnë evakuimin e banorëve”, u shpreh ministrja.
Koçiu bëri një thirrje për të gjithë qytetarët e këtyre zonave të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës, të institucioneve që të mos ketë rrezik të jetës së vetë njerëzve, por patjetër dhe të gjësë së gjallë në shtëpitë e tyre.
Ministrja nënvizoi se, do të vijohet më pas me një evidentim të dëmeve, ashtu sikundër bashkia e Durrësit e ka filluar një evidentim e vlerësim të dëmeve të shkaktuara si rezultat i reshjeve.
Por, shtoi ajo, “në këtë moment, ajo që është më e rëndësishmja, e këtu do të kërkoja bashkëpunimin jo vetëm të qytetarëve por edhe të mediave, të cilat për hir të së vërtetës kanë qenë gjithë kohën në terren duke raportuar, që të sensibilizojmë sa më shumë, sepse tashmë në këto momente, e rëndësishme është jeta e njerëzve”.
“Duhet të shpëtojmë e të mos kemi asnjë incident të tillë e më pas do të shkohet me një plan vlerësimi e një plan zhdëmtimi”, tha Koçiu.
Sa i përket personave të evakuuar ministrja Koçiu u shpreh se janë rreth 20 familje të cilat janë evakuuar në Katund të Ri dhe Vadardhë, ndërkohë që situata është dinamike.
“Aktualisht strukturat e Forcave të Armatosura janë aty e po evakuojnë çdo banesë që shihet si rrezik edhe paraqet rrezik për banorët”, tha ajo.
Patjetër, shtoi Koçiu, “e rëndësishme është që duhet t’u besojnë autoriteteve shtetërore dhe të mos ndërmarrin masa vetë për të dalë, për të lënë banesën apo për të gjetur një mënyrë tjetër apo zgjidhje tjetër, pasi vetë strukturat dhe autoritetet përgjegjëse janë kompetente dhe e dinë zhvendosjen nga shtëpia e banimit për t’u akomoduar në një vend të sigurt”.
Koçiu theksoi se, aktualisht ka struktura hoteliere, por ndërkohë janë edhe dy struktura të Konvaleshencës së Ministrisë së Brendshme dhe ajo e Ministrisë së Mbrojtjes, që janë vënë në dispozicion dhe po suportohen nga Rezervat Materiale të Shtetit për të plotësuar të gjithë instrumentin, apo mekanizmin e emergjencave civile që ngrihet në këto raste.
Ministrja u shpreh se, strukturat shtetërore janë të gjitha të angazhuara, janë në këmbë për të përballuar dhe për të ndihmuar çdo qytet dhe çdo familje që ka nevojë.
/gj.m/j.p/
The post Koçiu: Evakuime parandaluese në Vadardhë, Sukth dhe Katundi i Ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.