Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 December 2025Main stream

Klubi i njohur nga Qipro ka bërë ofertë prej 2 milionë eurosh për Meriton Korenicën, mësohet edhe paga e ofruar për lojtarin

24 December 2025 at 23:34


CFR Cluj ka marrë një ofertë konkrete prej 2 milionë eurosh për sulmuesin anësor, kosovarin Meriton Korenica.

Futbollisti ynë po kërkohet nga Apollon Limassol, klub nga kampionati i Qipros, i cili po synon përforcime të rëndësishme gjatë afatit kalimtar të dimrit.

Sipas burimeve të mediumit rumun GSP, bisedimet mes dy klubeve janë në vazhdim dhe pritet që deri në natën e Vitit të Ri, drejtuesit e CFR Cluj t’i japin një përgjigje përfundimtare klubit qipriot lidhur me ofertën për Korenicën.

Apollon përgatit kontratën për Korenicën

Po sipas të njëjtave burime, Apollon Limassol e ka përgatitur tashmë kontratën për futbollistin kosovar. Në rast transferimi, Korenica do të përfitonte një pagë vjetore prej 500 mijë eurosh, shifër që e bën ofertën mjaft tërheqëse për lojtarin.

Pas shitjes së Lindon Emerllahut në Ukrainë, te Polissya, për shumën prej 1.5 milionë eurosh, CFR Cluj është përballë mundësisë për të humbur një tjetër titullar. Këtë herë, klubi rumun do të përfitonte edhe më shumë financiarisht, me një shumë prej 2 milionë eurosh për Korenicën. Diskutimet mes palëve pritet të vazhdojnë deri në fund të vitit.

Korenica, pjesë kyçe e CFR Cluj

Meriton Korenica është një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit transilvanian këtë sezon. Ai mund të aktivizohet si anësor i majtë, por edhe si mesfushor, duke ofruar fleksibilitet të madh taktik.

Në edicionin aktual të Superligës rumune, Korenica ka zhvilluar 20 ndeshje, ka shënuar 4 gola dhe ka dhënë 2 asistime, duke qenë një element i rëndësishëm në lojën ofensive të CFR Cluj.

Futbollisti iu bashkua CFR Cluj në vitin 2024, pasi u transferua nga Manisa në Turqi. Gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Rahovecin, Shkëndijën, Metalurgun e Shkupit, Lirinë, Prishtinën dhe Ballkanin, duke ndërtuar një profil të qëndrueshëm në futbollin rajonal dhe më gjerë.

Sipas Transfermarkt, vlera aktuale e kartonit të Meriton Korenicës është 2.4 milionë euro. Në total, ai ka zhvilluar 79 ndeshje me fanellën e CFR Cluj, duke shënuar 18 gola dhe duke dhënë 14 asistime.

Situata e Apollon Limassol

Skuadra qipriote që kërkon shërbimet e Korenicës po kalon një sezon nën pritshmëri. Apollon Limassol aktualisht renditet në vendin e 6-të në kampionat, me 24 pikë, plot 10 pikë më pak se lideri Pafos.

Në historinë e tij, klubi nga Limassoli ka fituar 4 tituj kampioni dhe 9 Kupa të Qipros, ndërsa afrimi i Korenicës shihet si pjesë e planit për të rikthyer ekipin në garë për pozita më të larta./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Ibrahimovic dhe Khabib 'matën' forcën, shikoni si përfundoi

24 December 2025 at 23:21


Ish-kampioni i UFC-së, Khabib Nurmagomedov, u takua me legjendën e futbollit evropian, Zlatan Ibrahimovic, në një takim që nuk kaloi pa vëmendje dhe që u shoqërua me një “ndeshje force” miqësore në luftime trup më trup.

Luftëtari i pamposhtur i MMA-së publikoi fotografi dhe video nga ky takim në rrjetet sociale, ku shihet përballja e tyre sportive dhe miqësore. Në aktivitet morën pjesë edhe djemtë e Ibrahimovicit, Maximilian dhe Vincent, të cilët u panë duke ndjekur nga afër momentet argëtuese mes dy ikonave të sportit. Po ashtu ulur në tavolinë ishte edhe ylli i futbolli Paul Pogba.

Vëmendje të veçantë tërhoqi një video ku Khabib dhe Zlatan zhvillojnë një përballje simbolike dorë më dorë, duke testuar forcën e njëri-tjetrit në mënyrë miqësore, përpara se gjithçka të përfundonte me një përshëndetje të ngrohtë dhe respekt të ndërsjellë.


“Nuk i quan të gjithë vëllezër”, shkroi Khabib në një postim në Instagram, duke e etiketuar Ibrahimovićin dhe duke lënë të kuptohet për respektin e madh që ekziston mes tyre.

Takimi i dy figurave të mëdha të sportit ngjalli interes të jashtëzakonshëm te tifozët në mbarë botën, ndërsa postimi u shpërnda me shpejtësi dhe u shoqërua me reagime dhe komente të shumta në rrjetet sociale, duke e kthyer këtë moment në një nga temat më të diskutuara sportive të ditës. /Telegrafi/

🇷🇺🇸🇪 Khabib Nurmagomedov vs. Zlatan Ibrahimović in an arm-wrestling match! 😎💪

Khabib: "What do you feel?"

Zlatan: "I feel Spirit"

pic.twitter.com/U9veo71Qv1
— CentreGoals. (@centregoals) December 24, 2025

Braziliani i ri është në shënjestër të klubeve të mëdha- por klauzola e tij e lirimit është shumë e madhe

24 December 2025 at 21:58


Rayan është pa dyshim një nga talentet më premtuese të futbollit brazilian në vitin 2025. Sulmuesi i Vasco da Gamës shkëlqeu veçanërisht në fund të sezonit, duke qenë një nga faktorët kryesorë që i solli klubit të tij titullin e Kupës kundër Corinthians.

Paraqitijet e tij kanë tërhequr menjëherë vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane, përfshirë Bayern Munich dhe Zenit, i cili ka dërguar një ofertë konkrete prej 31 milionë eurosh.

Megjithatë, klubi i Rio de Janeiro nuk po shqyrton largimin e Rayan për më pak se 50 milionë euro, duke treguar vendosmërinë për ta mbajtur yllin e tyre të ri.

Kontrata e re dhe klauzola rekord

Për të shmangur largimin e parakohshëm të talentit, Vasco ia zgjati kontratën Rayanit deri në vitin 2028 dhe e rriti klauzolën e lirimit në 80 milionë euro. Ky veprim ka bërë që shumica e klubeve të interesuara të tërhiqen, ndërsa Vasco shpreson që një shitje e mundshme në të ardhmen të sigurojë një rekord financiar dhe të rrisë ambiciet e klubit për vitin 2026.

Për krahasim, transferimi më i shtrenjtë i Vasco deri tani ishte ai i Paulinhos te Bayer Leverkusen për 18.5 milionë euro, ndërsa Andrey Santos u shit te Chelsea për 12.5 milionë euro. Shitja e Rayan do të tejkalonte këto shuma shumëfish.

Sezoni i jashtëzakonshëm i Ryan

Rayan ka pasur një sezon të shkëlqyer. Ai shënoi 5 gola në Kupën e Brazilit, duke qenë golashënuesi më i mirë i turneut, ndërsa në kampionatin Brasileirão realizoi 14 gola, duke u renditur vetëm pas lojtarëve të provuar si Vitor Roque, De Arrascaeta dhe Kai Jorge.

Viti për Ryanin nisi në mënyrë perfekte me fitimin e Kampionatit të Amerikës së Jugut nën 20 vjeç, ku shënoi dy gola.

Me kalimin e muajve, ai u përmirësua në të gjitha aspektet e lojës – nga gjendja fizike dhe shpejtësia, te vetëbesimi dhe ekzekutimi. Sot, Rayan konsiderohet një sulmues i kompletuar, gati për sfidat më të mëdha në arenën evropiane. /Telegrafi/

Yesterday — 24 December 2025Main stream

Hoffenheim kërkon hiq më pak se 50 milionë euro për Fisnik Asllanin

24 December 2025 at 21:12


Fisnik Asllani, sulmuesi i Kosovës, është duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve evropiane të mëdha, por kushdo që dëshiron shërbimet e tij duhet të jetë gati të paguajë një shumë të konsiderueshme.

Sipas raportimeve të gazetarit Ekrem Konur për “Arma Sports TV” dhe “CaughtOffside”, Hoffenheim ka vendosur një klauzolë lirimi prej 50 milionë eurosh për 23-vjeçarin.

Asllani konsiderohet si një nga zëvendësuesit kryesorë të mundshëm të Robert Lewandowskit te Barcelona, pasi veterani polak pritet të largohet në verë.

Më parë u raportua se sulmuesi kosovar kishte një klauzolë lirimi prej 30 milionë eurosh, por me rinovimin e kontratës së tij, kjo klauzolë është hequr, duke rritur kështu kërkesën për të transferuar Asllanin.

Përveç Barcelonës, interesim për Asllanin ka shfaqur edhe Bayern Munich dhe dy klube nga Liga Premier, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë publikë. /Telegrafi/

Man Utd vihet pas talentit të madh që kushton 100 milionë euro

24 December 2025 at 19:20


Manchester United po vazhdon kërkimet për përforcime në repartin ofensiv dhe një nga emrat që ka dalë në plan të parë është anësori i RB Leipzig, Yan Diomande (19).

Talenti i ri shihet si një alternativë interesante dhe një projekt afatgjatë për skuadrën e drejtuar nga Rúben Amorim.

Sipas burimeve të Give Me Sport, Diomande është futur në krye të listës së dëshirave të “Djajve të Kuq”, të cilët po analizojnë mundësitë për ta forcuar sulmin në afatin e ardhshëm të transferimeve.

Megjithatë, një marrëveshje e mundshme nuk pritet të jetë e lehtë, pasi RB Leipzig ka vendosur një çmim të lartë për lojtarin, rreth 87 milionë funte (100 milionë euro).

Një investim për të ardhmen

Diomande përfaqëson profilin e një lojtari të ri me potencial të madh zhvillimi. Në moshë shumë të re, ai ofron fleksibilitet dhe perspektivë afatgjatë, duke i dhënë stafit teknik mundësinë që ta integrojë gradualisht në ekip, pa presionin për ta bërë menjëherë titullar të padiskutueshëm.

Megjithatë, paraqitjet e tij tregojnë se Diomande nuk është vetëm një projekt për të ardhmen. Ai ka qenë në formë të shkëlqyer këtë sezon në Bundesligë me RB Leipzig, ku ka realizuar 7 gola dhe ka dhënë dy asistime në 11 paraqitje.

Shpejtësia, driblimi dhe aftësia për të krijuar raste e bëjnë atë një profil shumë tërheqës për futbollin anglez.

Një transferim i mundshëm te Manchester United do t’i jepte Diomandes hapësirë për t’u zhvilluar në ligën Premier, duke mësuar gradualisht dhe duke u përshtatur me intensitetin e kampionatit, pa barrën e pritshmërive të menjëhershme. /Telegrafi/

Rritja e Nico Paz në Serie A, por edhe emra tjerë nuk mbeten pas - disa yje pësojnë rënie

24 December 2025 at 18:43


Nico Paz tashmë është shndërruar në një nga emrat më të spikatur të Serie A. Sulmuesi spanjollo-argjentinas ka qenë një nga lojtarët kyç të Comos, skuadër që aktualisht renditet në vendin e shtatë në kampionat, duke treguar formë të shkëlqyer dhe një progres të vazhdueshëm gjatë këtij sezoni.

Paz ka realizuar pesë gola dhe ka dhënë pesë asistime, kontribut që ka qenë vendimtar për ta mbajtur ekipin e drejtuar nga Cesc Fàbregas në garë për një vend që dërgon në garat evropiane. Paraqitjet e tij të nivelit të lartë kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e vlerës së tij në tregun e transferimeve.

Sipas Transfermarkt, platformë e specializuar për vlerësimin e futbollistëve, Nico Paz – i dalë nga akademia e Real Madridit – ka shënuar një rritje prej 10 milionë eurosh në vlerë, duke arritur tashmë shifrën e 65 milionë eurove. Kjo e vendos atë në mesin e pesë lojtarëve më të vlefshëm të Serie A.

Real Madridi, i cili disponon një klauzolë riblerjeje prej 10 milionë eurosh për verën e ardhshme, pritet të zhvillojë bisedime me Comon për të gjetur një marrëveshje financiare që do t’u përshtatej të gjitha palëve për sezonin e ardhshëm.

Në këtë kontekst, zhvillimi i talenteve të rinj në kampionatin italian po merr gjithnjë e më shumë rëndësi. Nico Paz po ngjitet me shpejtësi, por ai nuk është i vetmi.

Marco Palestra i Cagliarit (20 vjeç) ka pasur një rritje të vlerës prej 25 milionë eurosh; Davide Bartesaghi i Milanit (19 vjeç) ka shtuar 15 milionë euro në vlerësimin e tij; ndërsa Jacobo Ramón (20 vjeç), bashkëlojtar i Paz te Como dhe gjithashtu produkt i Real Madridit, vlerësohet tashmë në 18 milionë euro.

Veçanërisht Jacobo Ramón ka befasuar edhe më optimistët me paraqitjet e tij si qendërmbrojtës, dhe rritja e vlerës së tij konsiderohet një tjetër dëshmi e ndikimit pozitiv që suksesi i skuadrës së Cesc Fabregas po ka edhe në aspektin financiar për Real Madridin.

Thuram dhe Bremer, pësojnë rënie

Në anën tjetër të spektrit janë lojtarët që kanë shënuar rënie në vlerë. Marcus Thuram, sulmuesi i Interit, ka humbur 15 milionë euro në vlerësim dhe tani vlera e tij llogaritet në 60 milionë euro.

Sezoni i tij është dëmtuar ndjeshëm nga lëndimet, pasi ka luajtur vetëm 644 minuta dhe ka shënuar katër gola për liderin aktual të Serie A.

Një tjetër rast i ngjashëm është Bremer, qendërmbrojtësi i Juventusit. Pas një rënieje prej 15 milionë eurosh, vlera e tij aktuale vlerësohet në 35 milionë euro.

Një dëmtim i meniskut i ka penguar ecurinë këtë sezon, duke bërë që ai të zhvillojë vetëm gjashtë ndeshje. /Telegrafi/

36 vjet më parë u dha i vetmi Super Top i Artë në histori

24 December 2025 at 18:07


I vetmi Super Top i Artë në histori u nda në prag të Krishtlindjeve të vitit 1989 dhe mbetet një nga çmimet më unike në historinë e futbollit.

Ky çmim prestigjioz iu dha Alfredo Di Stéfanos, i cili u shpall futbollisti më i madh i fituesve të "Topit të Artë" deri në atë periudhë, duke lënë pas emra legjendarë si Johan Cruyff dhe Michel Platini. Super Topi i Artë përfaqësonte një vlerësim të veçantë për ndikimin dhe madhështinë e një lojtari në historinë e futbollit.

Sipas njoftimeve, France Football ka vendosur që ky çmim historik të jepet sërish në vitin 2029, duke ringjallur një traditë që deri tani ka pasur vetëm një fitues.

Alfredo Di Stéfano ishte figura qendrore e Real Madridit legjendar të viteve 1950, skuadër me të cilën fitoi plot pesë tituj radhazi të Kupës së Kampionëve të Evropës.

Ai ishte gjithashtu dy herë fitues i Topit të Artë, në vitet 1957 dhe 1959, duke vulosur statusin e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. I lindur në Argjentinë, Di Stéfano përfaqësoi kryesisht Kombëtaren e Spanjës në arenën ndërkombëtare. Ai u nda nga jeta në vitin 2014, në moshën 89-vjeçare.

Në vitin 1989, Marco van Basten fitoi Topin e Artë të dytë nga tre gjithsej në karrierën e tij, por redaksia e France Football vendosi të shkojë edhe më tej, duke krijuar një çmim të posaçëm për të shpërblyer futbollistin që kishte lënë gjurmën më të madhe në evolucionin e lojës deri në atë kohë.

Në këtë garë simbolike, Di Stefano doli fitues përpara emrave të mëdhenj si Johan Cruyff dhe Michel Platini, të dy fitues të trefishtë të Topit të Artë.

Në listën e kandidatëve për Super Topin e Artë ishin gjithashtu legjenda të tjera të futbollit botëror, si Franz Beckenbauer, Kevin Keegan dhe Karl-Heinz Rummenigge, çka e bën edhe më të veçantë triumfin e Di Stéfanos dhe peshën historike të këtij çmimi unik. /Telegrafi/

Llapi dhe Kushtrim Shabani ndajnë rrugët - lojtari ka kërkuar largimin

24 December 2025 at 17:38


Llapi ka njoftuar se ka arritur marrëveshje të dyanshme me mesfushorin Kushtrim Shabani për përfundimin e bashkëpunimit.

Vendimi është marrë me mirëkuptim të ndërsjellë, pavarësisht se klubi llogariste në shërbimet e lojtarit edhe për vazhdimësinë.

Megjithatë, drejtuesit e KF Llapit kanë respektuar dëshirën e Shabanit për të ndërruar ambient dhe për të nisur një kapitull të ri në karrierën e tij.

Kushtrim Shabani ka qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës ndër vite, duke dhënë kontribut të vazhdueshëm me fanellën e KF Llapit. Së fundmi, ai arriti shifrën e 200 ndeshjeve zyrtare me klubin, një tregues i qartë i përkushtimit dhe profesionalizmit të tij.

KF Llapi e falënderon Shabanin për kontributin e dhënë dhe i uron suksese në vazhdim të karrierës së tij. /Telegrafi/

Leonid Berisha gati për sfidën e radhës, përballet me grekun Malichoudis në Berlin

24 December 2025 at 16:44


Boksieri Leonid Berisha - Duqi, është gati për një tjetër sfidë të madhe në karrierën e tij. Më 26 dhjetor, ai do të ngjitet në ring në një natë legjendare boksi, ku do të përballet me boksierin grek Charilaos Malichoudis në Kursaal Arena të Bernit.

Kjo do të jetë ndeshja e dytë e Leonid Berishës në boksin profesionist. Në debutimin e tij profesional, Berisha arriti të regjistrojë fitore, duke konfirmuar potencialin dhe ambiciet e tij për të ndërtuar një karrierë të suksesshme edhe në këtë nivel.

Përveç boksit profesionist, Berisha ka pasur një karrierë solide edhe si amator, ku ka regjistruar tetë fitore dhe tri humbje.

Boksieri me prejardhje nga fshati Drenoc, komuna e Rahovecit, është ish-kampion i Zvicrës në boks, një tjetër dëshmi e cilësisë dhe përgatitjes së tij.

Në anën tjetër, kundërshtari i tij, Charilaos Malichoudis, ka zhvilluar deri më tani shtatë meçe në boksin profesionist, me bilanc prej tri fitoresh dhe katër humbjesh.


Përballja pritet të jetë interesante dhe sfiduese për të dy boksierët, në një mbrëmje që premton emocione të forta për tifozët e sportit të grushtave./Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Union Saint-Gilloise ofertë për Besfort Zenelin, Elfsborgu kërkon më shumë

23 December 2025 at 22:19


Union Saint-Gilloise ka bërë një ofertë për mesfushorin e Elfsborgut, Besfort Zeneli, megjithatë kjo shumë vlerësohet si e pamjaftueshme nga klubi suedez.

Zeneli, 23 vjeç, aktivizohet si mesfushor qendror dhe është pjesë e Elfsborgut që nga janari i vitit 2022, ku është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit.

Union Saint-Gilloise që luan në Ligën e Kampionëve ka bërë ofertë në vlerë 2.3 milionë euro për mesfushorin shqiptar, që duket e pamjaftueshme për klubin suedez.

Sipas vlerësimeve aktuale të tregut, kartoni i tij kap shifrën e 4.5 milionë eurove, ndërsa ai ka edhe tre vite kontratë të mbetura me klubin suedez.

Mesfushori i talentuar posedon gjithashtu shtetësinë e Kosovës, por deri më tani ka zhvilluar pesë paraqitje me Kombëtaren e Suedisë.

Forma e tij në sezonin e fundit në elitën e futbollit suedez ka qenë mbresëlënëse, duke regjistruar 2 gola dhe 8 asistime në 27 ndeshje, statistika që kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve evropiane.

Interesimi i Union Saint-Gilloise konfirmon rritjen e reputacionit të Zenelit në tregun ndërkombëtar, ndërsa Elfsborgu pritet të kërkojë një shumë më të lartë për të lejuar largimin e një prej lojtarëve kyç të skuadrës së tij. /Telegrafi/

​Distria Krasniqi mes më të mirëve në Ballkan, futet në Top 10 të vitit 2025

23 December 2025 at 21:41


Distria Krasniqi është përfshirë në Top 10 e sondazhit prestigjioz “Balkan Athlete of the Year” 2025, të organizuar nga Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).

Xhudistja kosovare u rendit mes sportistëve më të spikatur të rajonit falë suksesit të saj si kampione e Evropës dhe nënkampione e botës në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Distria Krasniqi është përfshirë në Top 10 e sondazhit prestigjioz “Balkan Athlete of the Year” 2025, të organizuar nga Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).

Xhudistja kosovare u rendit mes sportistëve më të spikatur të rajonit falë suksesit të saj si kampione e Evropës dhe nënkampione e botës në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Në edicionin e 52-të të këtij sondazhi tradicional morën pjesë agjencitë kombëtare të lajmeve nga e gjithë rajoni i Ballkanit, përfshirë edhe KosovaPress.

Sipas BTA-së, “një total prej 47 sportistësh u nominuan” këtë vit, ndërsa fituesi përfundimtar dhe renditja e plotë do të shpallen më 16 shkurt në Sofje, në datën kur në vitin 1898 BTA publikoi buletinin e saj të parë të lajmeve.

Përveç Distria Krasniqit, në Top 10 të vitit 2025 u përfshinë emra të mëdhenj të sportit botëror si Giannis Antetokounmpo, David Popovici, Alperen Şengün dhe Nikola Jokic.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 16 shkurt 2026 në Sofje, ku BTA ka ftuar përfaqësuesit e agjencive pjesëmarrëse për të festuar sportistët më të mirë të Ballkanit.

Pedri rendit dy lojtarë të Barcelonës në mesin e më të mirëve në botë

23 December 2025 at 21:18


Mesfushori i Barcelonës, Pedri, ka përfshirë dy bashkëlojtarë të tij në listën e futbollistëve më të mirë të momentit, teksa entuziazmi për Kupën e Botës që po vjen po rritet.

Në një intervistë për revistën Esquire, të publikuar të martën, 23-vjeçari përmendi Lamine Yamal dhe Raphinha, duke i renditur ata përkrah yjeve botërorë si Kylian Mbappé, Mohamed Salah, Erling Haaland dhe Julián Álvarez, kur foli për lojtarët më të mirë që po shkëlqejnë aktualisht.

Pedri u shpreh i etur për t’u përballur me shumicën e këtyre emrave në arenën ndërkombëtare — me përjashtim të Yamalit, shokut të tij të skuadrës te Barcelona, duke theksuar se veçanërisht pret me padurim duelet ndaj Haalandit dhe Salahut, të cilët ende nuk i ka pasur përballë.

Vlerësimi entuziast i Pedrit nënvizon formën e shkëlqyer që po kalojnë Yamal dhe Raphinha këtë sezon, si dhe fuqinë e repartit ofensiv të Barcelonës, e cila po dominon në garat vendore dhe po avancon me ambicie edhe në skenën evropiane.

Pedri mbetet njëri ndër lojtarët kryesor të Barcelonës dhe Kombëtares së Spanjës. /Telegrafi/

Kosova dhe Shqipëria e mbyll vitin në të në ranglistën e FIFA-s në pozitat që ishin

22 December 2025 at 23:54


Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka publikuar ranglistën e fundit për vitin 2025, me pak ndryshime krahasuar me publikimin e muajit nëntor.

Kosova e përfundon vitin në pozitën e 80-të, që është renditja më e mirë në historinë e saj dhe e njëjtë me atë të muajit të kaluar. Ky pozicion vjen pas paraqitjeve të suksesshme në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, ku Kosova e mbylli grupin në vendin e dytë, pas Zvicrës, duke lënë prapa Slloveninë dhe Suedinë.

Ndërkohë, Shqipëria e mbyll vitin 2025 në vendin e 63-të në ranglistën botërore.

Sa i përket kundërshtarëve të Kosovës në plejof, Sllovakia renditet e 45-ta dhe është rivali në gjysmëfinale më 26 mars në Bratisllavë. Në rast kualifikimi në finale, Kosova mund të përballet me Turqinë (25-ta) ose Rumaninë (47-ta).

Në krye të ranglistës botërore, nga viti 2026 do të jetë Spanja, e ndjekur nga Argjentina, Franca, Anglia dhe Brazili.

Për suksesin historik të Kosovës ka folur edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili në një videomesazh theksoi arritjen e Kombëtares së Kosovës, duke veçuar pozitën e 80-të si renditjen më të mirë ndonjëherë në historinë e saj. /Telegrafi/

Ernest Muçi shënon dhe asiston, por Trabzonspori mposhtet

22 December 2025 at 20:38


Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Ernest Muçi, ka konfirmuar edhe një herë formën e shkëlqyer që po kalon në elitën e futbollit turk.

Muçi ishte protagonist për Trabzonsporin, duke realizuar një gol dhe duke dhuruar një asistim, megjithatë kontributi i tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen 4-3 ndaj Gençlerbirligi, në ndeshjen e zhvilluar të hënën mbrëma dhe që i takoi xhiros së 17-të të kampionatit.

Fillimisht, në minutën e 50-të, 24-vjeçari asistoi për golin e dytë të Trabzonsporit, të shënuar nga Felipe Augusto.

Më pas, në minutën e 67-të, Muçi u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke realizuar golin e tretë për ekipin e tij. Ai e përfundoi ndeshjen si titullar dhe ishte ndër më të dalluarit në fushë.

pic.twitter.com/eEtmotbuRP
— ▶️ Follow:@CenterOfGoals (@KandaceKit76525) December 22, 2025


Në këtë edicion, Muçi ka regjistruar shtatë gola dhe dy asistime në 14 paraqitje në kampionat, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Trabzonsporit.

Pas kësaj xhiroje, Trabzonspori renditet në vendin e tretë me 35 pikë, katër më pak se Fenerbahçe që mban pozitën e dytë, ndërsa kryesimin e tabelës e ka Galatasaray me 42 pikë. Në anën tjetër, Gençlerbirligi ndodhet në vendin e 11-të me 18 pikë. /Telegrafi/

Bëri shqiponjën në Podgoricë: Edhe pse fitoi finale, pingpongisti kosovar eliminohet nga gara

21 December 2025 at 23:19


Një pingpongist i ri nga Ferizaj është diskualifikuar në një turne ndërkombëtar të mbajtur në Mal të Zi, pasi gjatë festës së fitores në finale bëri simbolin e shqiponjës me duar.

Lajmi u bë i ditur të dielën mbrëma nga klubi i pingpongut “Gani Maloku”, ku bën pjesë sportisti Rejan Krasniqi.

Ngjarja ndodhi në turneun “Podgorica Open”, i zhvilluar në kryeqytetin e Malit të Zi. Sipas njoftimit të klubit ferizajas, vendimi për diskualifikimin e Krasniqit u mor nga organizatori i turneut, menjëherë pas përfundimit të finales.

Në videon e publikuar nga klubi, Rejani shihet duke festuar fitoren dhe duke bërë simbolin e shqiponjës drejt familjarëve dhe ekipit të tij.

“Rejani fitoi finalen me meritë të plotë sportive ndaj lojtarit malazez, pikërisht lojtar i klubit organizator. Ndërsa pas përfundimit të ndeshjes ai festoi në mënyrë spontane, duke bërë me duar simbolin e shqiponjës në drejtim të familjarëve dhe ekipit të tij. Ky veprim nuk ishte provokim, nuk cenoi askënd dhe nuk ndikoi në rrjedhën sportive të garës, por u përdor padrejtësisht si arsye për një vendim ekstrem dhe të njëanshëm duke e ditur që nuk ekzistojnë standarde dhe rregulla të dyfishta”, thuhet në njoftimin e klubit.


Klubi i pingpongut “Gani Maloku” ka bërë të ditur se kjo ishte hera e katërt që merrte pjesë në turneun e hapur “Podgorica Open”. /Telegrafi/

Ballkani kampion vjeshtor, mbetet edhe një ndeshje – interesant për kreun dhe mbijetesën

21 December 2025 at 17:08


Janë mbyllur të gjitha ndeshjet e javës së 18-të në Superligën e Kosovës, ku nuk munguan golat dhe përballjet e forta.

Prishtina mori një fitore të rëndësishme, të parën në epokën e Afrim Tovërlanit, duke mposhtur Drenicën me rikthim, me rezultat 2-1.
Ramiz Bytyqi dhe Mario Ilievski i shënuan golat për Prishtinën, ndërsa Ronaldo Chacon shënoi për Drenicën.

Ferizaj po ashtu mori një fitore shumë të rëndësishme, përballë Llapit të Tahir Batatinës, dhe atë në kohën shtesë, me rezultat 2-1.
Betim Haxhimusa ishte heroi i Ferizajt me dy gola, ndërsa për Llapin shënoi Muhamet Hyseni.


Sot Dukagjini dhe Ballkani zhvilluan një ndeshje të fortë, por që u mbyll pa gola.

Malisheva, në anën tjetër, e ndali Dritën në barazim 1-1, ku Jorgo Pëllumbi shënoi fillimisht për gjilanasit, por Xhemal Ibishi barazoi në fund.

Ndeshja me më shumë gola ishte ajo mes Gjilanit dhe Prishtinës së Re, ku vendasit shënuan fitore me rezultat 3-2.
Edi Basa shënoi dy herë, ndërsa një gol e shtoi Senad Jarović. Mysafirët reaguan me dy gola, të Gomes dhe Astrit Berishës, por nuk ia dolën të marrin pikë.

Edhe një ndeshje zhvillohet, por Ballkani është kampion vjeshtor

Për ta mbyllur të gjithë stinorin vjeshtor, do të zhvillohet edhe një ndeshje, ajo mes Dritës dhe Prishtinës, e cila ishte shtyrë disa javë më parë.

Ballkani mbetet lider me 33 pikë dhe vetëm një fitore e Prishtinës (30 pikë) do të mund ta zinte në renditje, por jo ta kalonte, pasi edhe me golaverazh dhe në ndeshjet e ndërsjellta, falë goldallimit, suharekasit janë më mirë.

Prishtina me 30 pikë e ka të sigurt pozitën e dytë, ndërsa në vendin e tretë është Dukagjini me 29 pikë. Malisheva ka 27 pikë në pozitën e katërt.

Pozitat pesë dhe gjashtë i ndajnë Drita dhe Gjilani, që kanë nga 26 pikë.

Skuadrat që janë në zonën e mbijetesës janë katër, me Llapin që është në pozitë më të mirë, atë të shtatën me 21 pikë. Drenica ka 20 pikë si e teta, ndërsa Ferizaj me 19 pikë është në vendin e nëntë. Fundin e renditjes e mbyll Prishtina e Re, që ka tubuar deri më tani 15 pikë.

Stinori pranveror kthehet në shkurt, fillimisht me ndeshjes e Kupës së Kosovës. /Telegrafi/

Arsenali do të shesë një nga yjet e tij kryesorë në janar?

21 December 2025 at 16:49


Lajme tronditëse kanë përfshirë qarqet e futbollit anglez, me Arsenalin që, sipas raportimeve, është i gatshëm të shesë një nga lojtarët e tij kryesorë, Gabriel Martinellin, gjatë afatit kalimtar të janarit.

Nëse këto thashetheme rezultojnë të vërteta, bëhet fjalë për një nga transferimet më të bujshme të afatit të dimrit.

Sipas mediave angleze, trajneri Mikel Arteta ka marrë vendim për të nxjerrë në shitje anësorin brazilian. Gazetari turk Sercan Hamzaoglu shkon edhe më tej, duke deklaruar se Martinelli tashmë i është ofruar gjigantit turk, Fenerbahce.

“Arsenali vendosi ta shesë Gabriel Martinellin dhe ai iu ofrua Fenerbahces. Është një lojtar i shtrenjtë,” ka pohuar Hamzaoğlu, duke shtuar: “Nuk e di nëse Fenerbahçe do ta pranojë një transferim të tillë, por ai iu ofrua atyre”.

Shkëlqim në Ligën e Kampionëve

Ky lajm vjen si një surprizë e madhe, veçanërisht duke pasur parasysh formën e Martinellit në Ligën e Kampionëve. Edhe pse ai ka qenë titullar vetëm në pesë ndeshje të Ligës Premier këtë sezon, braziliani ka shënuar gol në pesë paraqitje radhazi në garën elitare evropiane, duke u bërë lojtari i parë në historinë e Arsenalit që arrin një statistikë të tillë.

Nëse skenari i shitjes bëhet realitet, pritet që shumë klube të mëdha evropiane – padyshim më të fuqishme financiarisht se Fenerbahçe – të hyjnë në garë për shërbimet e tij.

Bayern Munich, që edhe më herët ka shfaqur interes për sulmuesin brazilian, përmendet tashmë si një nga klubet e interesuara.

Një kthesë e papritur në raportin me Artetën?

Situata duket edhe më e pazakontë duke qenë se Arteta e ka vlerësuar vazhdimisht Martinellin në deklaratat e tij publike, duke e cilësuar si një lojtar shumë të rëndësishëm për skemën e Arsenalit.

Për këtë arsye, lindin pikëpyetje se çfarë mund të ketë ndodhur në marrëdhënien mes trajnerit dhe lojtarit për të çuar drejt një vendimi kaq drastik.

Martinelli ka kontratë me Arsenalin deri në verën e vitit 2027, ndërsa largimi i tij do të përbënte një goditje të madhe për tifozët, sidomos në një sezon ku “Topçinjtë” synojnë titullin në Angli dhe sukses në Evropë, objektiva që kërkojnë maksimumin e cilësisë në skuadër.

Sipas “Transfermarkt”, vlera e kartonit të brazilianit aktualisht vlerësohet në 45 milionë euro. /Telegrafi/

Drita në histori – ecuria, të ardhurat milionëshe dhe kundërshtarët e mundshëm në play-off

18 December 2025 at 23:50


Drita ka përfunduar fazën e grupeve të Ligës së Konferencës me 8 pikë, pas 2 fitoreve, 2 barazimeve dhe 2 humbjeve, duke e mbyllur në vendin e 20-të dhe duke siguruar play-offin.

Fitoret erdhën ndaj Shelburne dhe Shkëndijës, barazimet me KuPS dhe Omaninë, ndërsa humbjet ndaj AZ Alkmaar dhe Rayo Vallecano.

Me këtë performancë, ekipi nga Gjilani ka siguruar kalimin në fazën e play-off-it, duke u renditur në pozitën e 20-të në renditjen e përgjithshme të ekipeve që nuk u kualifikuan direkt për 1/8 e finales. Kjo shënon një arritje historike për futbollin kosovar.

Klubi gjilanas zhvilloi të enjten ndeshjen e fundit të fazës së ligës, duke u mposhtur me rezultat 3-0 nga Rayo Vallecano.

Me përfundimin e të gjitha ndeshjeve, tashmë është e ditur se kundërshtarët e mundshëm të Dritës në play-off do të jenë Celje nga Sllovenia ose AZ Alkmaar nga Holanda.

Ndeshjet e play-off-it të Ligës së Konferencës do të luhen më datat 19 dhe 26 shkurt, ndërsa shorti do të hidhet më 31 janar.

Përfitimet financiare

Nga pjesëmarrja në garë, Drita ka përfituar shpërblime të ndryshme: për dy fitoret e saj në grup, klubi ka marrë 800.000 euro, ndërsa për dy barazimet ka siguruar 266.000 euro. Përveç këtyre, ka marrë edhe 80.120 euro shpërblime nga barazimet e tjera.

Pjesëmarrja në play-off i sjell Dritës 700.000 euro të tjera, ndërsa për pjesëmarrjen në grup klubi përfiton 3.170.000 euro dhe për bonusin kryesor të fazës së grupeve shtohen edhe 476.000 euro.

Totali i këtyre përfitimeve është 5.492.120 €, pa përfshirë market pool dhe shpërblimet e tjera shtesë, që e çojnë shumën e përgjithshme mbi 6 milionë euro.

Kjo është një arritje e madhe për Dritën, që jo vetëm siguron progres në Evropë, por edhe një bazë të fortë financiare për të ardhmen e klubit.

telegrafi.com

Trajneri flet për preferencën e kundërshtarit

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ka deklaruar se do të preferonte që ekipi të përballej me Celjen të Sllovenisë, duke tentuar të evitonte AZ Alkmaar.

"AZ Alkmaar e njohim, preferoj Celjen si kundërshtar në play-off", tha ai, duke kujtuar se këto dy skuadra u ndeshën në fazën e ligës, me holandezët që fituan në Prishtinë me 3-0.

Zekirija Ramadani prononcohet pas ndeshjes, ja cilin kundërshtar preferon ai në ‘play-off’ telegrafi.com

Shorti për fazën play-off do të hidhet më 31 janar, dhe ndeshjet do të luhen më 19 dhe 26 shkurt. /Telegrafi/

Barcelona ka një spiun në dhomën e zhveshjes - Flick e zbuloi me një metodë dinake se kush ishte

18 December 2025 at 22:33


Ka tension të madh në Barcelonë, por jo për shkak të asaj që ndodh në fushë, por për shkak të problemeve që po zhvillohen pas dyerve të mbyllura në dhomën e zhveshjes.

Për javë të tëra, informacionet konfidenciale nga takimet taktike të Barcelonës përfunduan në mënyrë misterioze në mediat spanjolle, duke shqetësuar seriozisht qetësinë e ekipit.

Sipas gazetarit Rafael Hernández në Twitter, trajneri Hansi Flick ka zbuluar tashmë se kush fshihet pas rrjedhjes së informacionit.

Metoda e zgjuar e Flick

Flick ndërmori një veprim të zgjuar për të identifikuar “spiunin” në dhomën e zhveshjes. Ai qëllimisht i dha informacion të rremë një lojtari që dyshonte se po rridhte detaje të brendshme. Kurthi ishte i thjeshtë: Flick përhapte lajmin se Wojciech Szczęsny do të luante në vend të Marc-André ter Stegen për ndeshjen e Kupës së Mbretit të martën.

Plani funksionoi. Ter Stegen mbajti portën në atë ndeshje, duke konfirmuar se informacioni i rremë kishte rrjedhur nga një rreth shumë i ngushtë brenda ekipit. Me këtë, sipas mediave, spiuni u zbulua.

Reagimi i klubit

Edhe pse Barcelona nuk ka komentuar zyrtarisht për këtë çështje, brenda klubit thuhet se është e qartë kush tradhtoi besimin e Flick.

Pritet që trajneri të ndërmarrë hapa konkretë në periudhën në vijim, duke marrë parasysh se rrjedhjet e vazhdueshme të informacionit kanë shqetësuar seriozisht stafin dhe kanë zemëruar trajnerët.

Një precedent i ngjashëm

Metoda e Flick kujton një rast të famshëm nga Liga Premier në vitin 2019. Coleen Rooney, gruaja e legjendarit Wayne Rooney, përhapi informacion të rremë përmes profilit të saj privat në Instagram për të zbuluar se kush po i kalonte detaje tabloideve.

Informacioni përfundimisht u gjurmua te Rebekah Vardy, gruaja e Jamie Vardyt, dhe çështja përfundoi në gjykatë, me një kompensim prej rreth 1.6 milion euro.

Në Barcelonë, një epilog i tillë nuk pritet, por është e qartë se Flick nuk do të tolerojë më tradhtinë e besimit brenda dhomës së zhveshjes. /Telegrafi/

Cristiano Ronaldo i 2013 apo Kylian Mbappe i 2025 – kush kishte sezonin më të mirë?

18 December 2025 at 19:31


Krahasimi i statistikave mes dy yjeve të Real Madridit ka rikthyer në vëmendje një debat të madh: a po i afrohet Kylian Mbappr sezonit historik të Cristiano Ronaldos nga viti 2013?

Cristiano Ronaldo mban ende rekordin për më së shumti gola të shënuar nga një lojtar i Real Madridit brenda një viti kalendarik – plot 59 gola në vitin 2013.

Kylian Mbappe, nga ana tjetër, është shumë pranë këtij rekordi në vitin 2025, me 58 gola të realizuar dhe një ndeshje ende për t’u luajtur.

Statistikat krahasuese

Cristiano Ronaldo (2013):
– 50 ndeshje
– 59 gola
– 14 asistime
– 7 het-trik

Kylian Mbappé (2025):
– 58 ndeshje
– 58 gola
– 5 asistime
– 5 het-trik

Nga këto shifra, Ronaldo ka një mesatare më të mirë golash për ndeshje, pasi arriti 59 gola në vetëm 50 paraqitje. Po ashtu, ai kontribuoi ndjeshëm më shumë në lojën kolektive me 14 asistime, krahasuar me 5 të Mbappe.

Liga e Kampionëve – faza eliminatore

Edhe në ndeshjet vendimtare të Ligës së Kampionëve, Ronaldo del në avantazh. Në vitin 2013, ai shënoi 6 gola nga raundi i 16-tave deri në gjysmëfinale, duke realizuar në çdo ndeshje, përveç njërës.

Mbappe, në edicionin 2025, ka shënuar 4 gola në fazat eliminatore, të gjithë kundër Manchester Cityt, ndërsa nuk ka realizuar asnjë gol në raundin e 16-tave dhe çerekfinale.

El Clasico – pika e fortë e Mbappe

E vetmja fushë ku Mbappé ka epërsi të qartë është El Clasico. Sulmuesi francez ka shënuar 6 gola në 4 përballje ndaj Barcelonës, ndërsa Ronaldo në katër El Clasico të vitit 2013 kishte regjistruar 2 gola dhe 1 asistim.

Përfundim

Statistikat tregojnë se Cristiano Ronaldo i vitit 2013 mbetet më i kompletuar dhe më vendimtar, sidomos në ndeshjet e mëdha evropiane dhe në kontributin kolektiv. Megjithatë, Kylian Mbappé është shumë pranë historisë dhe me një ndeshje ende për t’u luajtur, ai ka mundësinë ta barazojë ose ta thyejë rekordin legjendar.

Debati mbetet i hapur – kush ishte më i mirë? Ronaldo i 2013-s apo Mbappé i 2025-s?

/Telegrafi/

❌
❌