Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 February 2026Main stream

Nis puna për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2026-2030 

9 February 2026 at 20:51

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) u zhvillua sot mbledhja e Grupit Ndërinstitucional të Punës për Hartimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2026–2030.

Zëvendësministrja Miriam Shyti theksoi rëndësinë e angazhimit të Qeverisë për forcimin e rolit të diasporës në zhvillimin kombëtar dhe procesin e integrimit evropian.

Ky proces, i mbështetur teknikisht nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), si dhe nga ekspertë lokalë dhe ndërkombëtarë, synon të zhvillohet përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar ndërinstitucionalisht. Strategjia do të diskutohet më gjerësisht gjatë takimeve të dedikuara në Samitin e Diasporës që pritet të mbahet në prill 2026.

Strategjia Kombëtare e Diasporës 2026-2030 do të jetë në përputhje me Programin e Qeverisë 2025-2029, Kompaktin Global për Migracionin, Agjendën 2030 dhe politikat e Bashkimit Evropian.

Ajo synon konsolidimin e kuadrit ekzistues strategjik kombëtar dhe trajtimin e diasporës jo vetëm si burim remitancash, por si partner strategjik dhe aktor kyç i zhvillimit dhe diplomacisë publike të vendit.

Zv.ministrja Shyti theksoi se deri në vitin 2030, diaspora shqiptare synohet të jetë një partner i institucionalizuar, bashkëkrijues i politikave publike dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, shoqëror, kulturor dhe demokratik të vendit, duke kontribuar gjithashtu në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.

Ky proces përfaqëson një qasje të re strategjike për angazhimin e diasporës shqiptare, duke krijuar mundësi për përfshirjen e saj aktive në vendimmarrje dhe projekte zhvillimore që lidhen me ekonominë, arsimin, kulturën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

1 nga 5

/r.e/a.f/

The post Nis puna për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2026-2030  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berati, qyteti i “një mbi një dritareve”, merr ngjyrat e dashurisë në prag të Shën Valentinit

9 February 2026 at 20:42

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Berati, qyteti historik i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”, është veshur me zbukurime të veçanta në prag të Ditës së Shën Valentinit, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe romantike për banorët dhe vizitorët.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto nga qyteti, me rrugët dhe sheshet e mbushura me drita, dekorime dhe elemente festive që simbolizojnë dashurinë dhe bashkëjetesën.

Zbukurimet përfshijnë zemra të mëdha të ndriçuara, fenerë ngjyrë të kuq, si dhe instalime artistike që nxisin vizitorët të kapin momentet më të bukura të qytetit historik.

Qyteti i Beratit, i njohur për arkitekturën e tij karakteristike me shtëpi të vjetra të bardha dhe dritare të shumta që duket sikur janë të vendosura njëra mbi tjetrën, ofron një sfond perfekt për festimin e dashurisë dhe promovimin e turizmit lokal.

/a.f/r.e/

The post Berati, qyteti i “një mbi një dritareve”, merr ngjyrat e dashurisë në prag të Shën Valentinit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Pengimi i drejtësisë është kërcënim për integrimin, të gjithë në shesh nesër

9 February 2026 at 20:20

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi se nesër do të jetë një ditë vendimtare për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për pengimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e korrupsionit.

Në protestën e përjavshme sot para godinës së Kryeministrisë, ku është vendosur edhe foltorja, Berisha u shpreh se vendimi i Ramës për të mos dorëzuar imunitetet dhe për të mbrojtur interesat personale dhe të të afërmve përbën një kërcënim për shqiptarët dhe për rrugën europiane të vendit.

“Do të asgjësojë drejtësinë, shtetin ligjor, Kushtetutën, për të mbrojtur paratë e krimit, vilat, apartamentet, kontot bankare brenda dhe jashtë”, tha Berisha.

Berisha kujtoi se integrimi në BE ka qenë një ëndërr e gjeneratave shqiptare, që filloi me rininë e viteve ’90 dhe vazhdoi me proceset e liberalizimit të vizave dhe marrjen e statusit të kandidatit.

Ai theksoi se Partia Demokratike ka qenë lokomotiva e këtyre proceseve, duke garantuar progresin e vendit drejt standardeve evropiane.

Sipas Berishës, qeveria aktuale ka humbur legjitimitetin dhe funksionon në shkelje të votës dhe të interesit të qytetarëve.

“Dy ditë më parë ai u ftua të shkonte në Bruksel për t’i komunikuar këto që ne kërkojmë sotË shtetin ligjor, heqjen e imuniteteve, gjykimin e korrupsionit”, deklaroi Berisha.

Ai akuzoi administratën për lidhje me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës, që sipas tij kanë pasuruar një grup të vogël individësh, ndërsa gjysma e shqiptarëve ndodhen në varfëri ose rrezik varfërie, pa mundësi për të siguruar jetesën e familjeve të tyre.

Ish-kryeministri bëri thirrje për pjesëmarrje aktive të qytetarëve në protesta, duke i cilësuar ato si të ligjshme dhe të domosdoshme për mbrojtjen e shtetit ligjor, drejtësisë dhe rrugës europiane të Shqipërisë.

”Dhe nesër është beteja për integrimin e Shqipërisë në BE, për dyert e hapura të Shqipërisë. Nesër, mesazhi ynë është një dhe vetëm një, mos guxo të luash me fatin e shqiptarëve”, tha Berisha.

Kreu i PD-së, Berisha komentoi edhe deklaratën e Komisionit Europian, i cili në një reagim për mediet bënte thirrje për të mos penduar drejtësinë.

“Le të bëhemi ne përmbaruesit e vendimit. Nesër, e gjithë Shqipëria në Tiranë. Tirana në bulevardet dhe rrugët e saj”, u shpreh Berisha.

/a.f/r.e/

The post Berisha: Pengimi i drejtësisë është kërcënim për integrimin, të gjithë në shesh nesër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krujë, afro pesë mijë vizitorë në Muzeun Historik dhe Etnografik gjatë janarit

9 February 2026 at 19:50


TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës vazhdon të tërheqë vizitorë vendas e të huaj, duke shërbyer si një urë mes historisë dhe traditës shqiptare.
Vetëm gjatë muajit janar 2026, ky muze priti rreth 4948 vizitorë, sipas ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

Muzeu Etnografik, i vendosur brenda kalasë së Krujës, funksionon në shtëpinë e familjes Toptani, një ndërtesë tip “çardak” e vitit 1764 dhe e kategorizuar si monument kulture i kategorisë së parë.

Brenda këtij muzeu, vizitorët mund të shohin një pamje të plotë të zejeve tradicionale shqiptare dhe të mënyrës së jetesës së paraardhësve tanë, që arrin deri 300 vite më parë.

Rreth 90% e objekteve të ekspozuara janë origjinale dhe 100% funksionale, duke përfshirë sende prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi dhe leshi.

Ekspozita përfshin qëndisma dhe punime artizanale të mjeshtërisë shqiptare, me moshë që varion nga 60 deri në 500 vjet. Muzeu u përurua më 20 nëntor 1989 dhe që atëherë është një pikë referimi për kulturën dhe traditën e Krujës dhe të gjithë Shqipërisë.

/r.e/a.f/

The post Krujë, afro pesë mijë vizitorë në Muzeun Historik dhe Etnografik gjatë janarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çështja “Balluku”, PD reagon lidhur me qëndrimin e KE

9 February 2026 at 18:21

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Komisioni Evropian ka reaguar lidhur me situatën e krijuar rreth mandatit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe përplasjen institucionale mes SPAK-ut, Kuvendit dhe Kryeministrisë, duke theksuar se është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë që të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian duke iu përgjigjur interesit të medieve, nënvizoi se lufta efektive kundër korrupsionit mbetet e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.

Komisioni Evropian vuri gjithashtu theksin te rëndësia e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit.

“BE i kushton rëndësi shumë të madhe sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si dhe punës së bërë në kuadër të reformës në drejtësi. Komisioni Evropian monitoron dhe raporton mbi përparimin në këtë fushë në kontekstin e negociatave të anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër dhe të mbështesim konsolidimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si pjesë e procesit të integrimit evropian të vendi”, citohet deklarata.

“Në raportin e saj për Shqipërinë për vitin 2025, Komisioni vuri në dukje se, ndonëse qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar në përgjithësi, përpjekjet e shtuara nga zyrtarë publikë ose politikanë për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të padrejtë mbi sistemin gjyqësor mbetën një çështje shqetësuese serioze”, thuhet më tej në deklaratën për mediet.

Në këtë kontekst, Komisioni ka rekomanduar forcimin e llogaridhënies dhe reduktimin e ndërhyrjeve politike në gjyqësor dhe në shërbimet e prokurorisë.

Institucionet e BE-së konfirmuan se janë në dialog të rregullt me autoritetet shqiptare dhe se Komiteti BE-Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, që pritet të zhvillohet në fillim të marsit, do të shërbejë si një tjetër hapësirë për diskutimin e reformës në drejtësi.

Pas këtij qëndrimi të Komisionit Evropian, ka reaguar edhe opozita.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, vlerësoi deklaratën e KE-së, duke e cilësuar atë si një qëndrim të qartë dhe parimor në mbrojtje të sundimit të ligjit dhe pavarësisë së drejtësisë.

Sipas Boçit, kërkesa e Komisionit Evropian që Kuvendi të adresojë pa vonesë kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut vjen në një moment kritik, kur, sipas tij, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur përballjen politike me institucionet e reja të drejtësisë.

Ai theksoi se zvarritja e kësaj çështjeje përbën një goditje ndaj thelbit të reformës në drejtësi dhe rrezikon seriozisht procesin e integrimit evropian të vendit.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili përshëndeti qëndrimin e Komisionit Evropian dhe e cilësoi atë si një apel të drejtpërdrejtë për Kuvendin që të mos pengojë drejtësinë.

Bardhi deklaroi se qëndrimi i KE-së është një mesazh i qartë se imuniteti politik nuk përbën standard evropian dhe se Shqipëria nuk mund të avancojë drejt Bashkimit Evropian duke, sipas tij, mbajtur peng drejtësinë për interesa politike.

/a.f/r.e/

The post Çështja “Balluku”, PD reagon lidhur me qëndrimin e KE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sula merr detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, Ibrahimaj: Inspektimet me logjikë përmirësimi, jo ndëshkimi

9 February 2026 at 18:08


TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj prezantoi sot Dashnor Sulën në detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, në krye të Inspektoratit Qendror.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj vlerësoi kontributin shumëvjeçar të ish-kryeinspektorit Shkëlqim Hajdari, duke theksuar se reforma në sistemin e inspektimeve është një proces i nisur prej vitesh, i cili ka hyrë tashmë në një fazë të re zbatimi, pas miratimit të ligjit të ri “Për inspektimet”.

Sipas saj, Inspektorati i Përgjithshëm ka një rol kyç si institucion koordinues i gjithë sistemit të inspektimeve, i cili vijon të përballet me sfida dhe kërkon përmirësim të vazhdueshëm.

Ministrja nënvizoi se në mandatin e ri qeverisës, vizioni i qeverisë është që biznesi ta shohë shtetin dhe institucionet publike si partnerë.

“Inspektimet nuk duhet të kenë logjikën e ndëshkimit, por atë të përmirësimit, duke synuar përmbushjen sa më të mirë të legjislacionit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe produkteve të ofruara në treg”, nënvizoi Ibrahimaj.

Duke u ndalur te përmbajtja e reformës, Ibrahimaj theksoi se ligji i ri parashikon masa rekomanduese si hap të parë përpara penaliteteve, si dhe ndarjen e qartë të funksioneve për shmangien e konfliktit të interesit në vendosjen dhe shqyrtimin e gjobave.

Këto procese tashmë po menaxhohen nga Inspektorati i Përgjithshëm, duke i dhënë zbatim konkret reformës.

Një tjetër shtyllë e rëndësishme e reformës, sipas ministres, është profesionalizimi i trupës së inspektorëve përmes një sistemi të qëndrueshëm rekrutimi dhe trajnimi, si dhe ndërtimi i sistemeve të bazuara në analiza risku dhe digjitalizim, me qëllim rritjen e transparencës dhe forcimin e besueshmërisë së institucioneve inspektuese.

Në këtë kontekst, ministrja Ibrahimaj shprehu besimin se përvoja e gjatë administrative dhe politike e Sulës do të kontribuojë në përmbylljen e reformës dhe në forcimin e marrëdhënies së shtetit me biznesin, në përputhje me standardet evropiane.

Nga ana e tij, Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula vlerësoi besimin e dhënë dhe theksoi se përkushtimi, integriteti dhe drejtësia do të jenë parimet udhëheqëse të punës së tij. Ai nënvizoi rëndësinë e respektimit të biznesit të ndershëm, forcimit të sistemeve dhe bashkëpunimit institucional për të garantuar një sistem inspektimesh të drejtë, transparent dhe efektiv.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se viti në vijim do të jetë vendimtar për përmbylljen e reformës së inspektimeve, riorganizimin e inspektorateve dhe funksionalizimin e plotë të sistemeve të reja në shërbim të bizneseve dhe qytetarëve.

Prezantimi i Kryeinspektorit të ri të Përgjithshëm
1 nga 4

/a.f/r.e/

The post Sula merr detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, Ibrahimaj: Inspektimet me logjikë përmirësimi, jo ndëshkimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Të shqetësuar për zhvillimet në Hagë, drejtësia duhet të shërbejë për të vërtetën dhe pajtimin

9 February 2026 at 18:00

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali reagoi lidhur me zhvillimet e sotme në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Prokuroria paraqiti propozimin e dënimeve ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Sipas Spiropalit, kohëzgjatja e paraburgimit, që tashmë ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar, dhe natyra e akuzave të ngritura ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin, standardet e procesit të rregullt ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

Kjo situatë, vijoi ajo, ushqen gjithnjë e më shumë perceptimin e një ashpërsie të njëanshme në trajtimin e kësaj çështjeje, sidomos kur krahasohet me mënyrën se si janë trajtuar përgjegjësit e aparatit shtypës të regjimit serb.

“Edhe sot, shumë nga krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile të Kosovës mbeten të patrajtuara dhe pa përgjegjësi të plotë penale. Kjo pabarazi në ndjekjen e drejtësisë rrezikon të krijojë ndjesinë e standardeve të dyfishta dhe të cenojë besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare”, tha ajo.

Ne besojmë, vijon Spiropali, se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, e balancuar dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme, pa krijuar perceptimin e trajtimeve selektive ndaj palëve të përfshira në konflikt.

Sipas saj, drejtësia që perceptohet si e njëanshme rrezikon të dëmtojë besimin publik dhe të lërë plagë të reja në një rajon që ka nevojë për pajtim të qëndrueshëm.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje çlirimtare që gëzoi mbështetjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare në përballje me një regjim që ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe krime të dokumentuara gjerësisht ndaj popullsisë civile. Çdo proces gjyqësor që trajton individë të asaj lufte duhet të ruajë me kujdes dallimin thelbësor midis përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri”, deklaroi ministrja.

Sipas Spiropalit, Gjykata ka sot një përgjegjësi të veçantë për të garantuar që procesi të mos lejojë që gjuha dhe qasja e Prokurorisë të prekin padrejtësisht luftën çlirimtare, historinë e pavarësisë dhe dinjitetin e atyre që luftuan për liri.

“Vetëm një vendim i drejtë, i bazuar në prova dhe në standardet më të larta të drejtësisë, mund të largojë hijen e rëndë që këto qëndrime kanë hedhur mbi kujtesën historike të një lufte të drejtë”, tha ajo.

Shqipëria, deklaroi ministrja, riafirmon se drejtësia duhet të shërbejë për të vërtetën dhe pajtimin, jo për të krijuar narrativa që rishkruajnë historinë ose relativizojnë përgjegjësitë e njohura ndërkombëtarisht për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ministrja theksoi rëndësinë që procedurat të përmbyllen brenda një afati të arsyeshëm dhe me respekt të plotë për standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë, duke nënvizuar se e ardhmja e Kosovës dhe stabiliteti i rajonit ndërtohen mbi drejtësi të besueshme, që forcon paqen dhe jo perceptime padrejtësie.

“Republika e Shqipërisë do të vijojë ta ndjekë me vëmendje këtë proces dhe mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të shtetit të së drejtës, drejtësisë ndërkombëtare dhe dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”, deklaroi Spiropali.

/a.f/r.e/

The post Spiropali: Të shqetësuar për zhvillimet në Hagë, drejtësia duhet të shërbejë për të vërtetën dhe pajtimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pr.ligji “Për shërbimin e jashtëm”, Balla: Roli i diplomacisë, jetik për Shqipërinë në BE

9 February 2026 at 17:50

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe drejtues politik i PS për Diasporën, Taulant Balla shprehu mbështetjen për projektligjin “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë” gjatë fjalës së tij në Komisionin për Politikën e Jashtme, duke theksuar rëndësinë e forcimit të diplomacisë shqiptare në një moment kyç për vendin.

“Edhe si kryetar i grupit të shumicës shpreh mbështetjen tonë për t’u votuar ky projektligj, me shpresën dhe pritshmërinë që të ndikojë pozitivisht në forcimin e mëtejshëm të shërbimit tonë diplomatik”, u shpreh Balla.

Ai nënvizoi se Shqipëria ndodhet në një pozicion të ri në arenën ndërkombëtare, rezultat i arritjeve të viteve të fundit.

“Po të kemi parasysh sfidat që kemi përpara, jo vetëm pritshmërinë tonë, tanimë jo thjesht një ëndërr, por një realitet i prekshëm për ta parë flamurin e Skënderbeut të valëvitet në oborrin e Brukselit deri më 28 nëntor të 2030-ës, por edhe sfidat e tjera që vijnë, përfshirë këtu edhe sfida të reja të krijuara edhe si një vend firmëtar tanimë i Bordit të Paqes, por edhe samiti i vitit të ardhshëm i NATO-s në Shqipëri, që është një kurorëzim i një pune intensive ku pa dyshim kanë vlerë të gjithë ata që kanë kontribuar në Ministrinë e Jashtme”, tha ai.

Duke u ndalur te projektligji, Balla tha se ndryshimet ligjore duhet të shoqërohen me zbatim cilësor.

“Ligji sjell risi, sjell ndryshime dhe nganjëherë ligjet mund të jenë shumë të mira, por e rëndësishme është cilësia e zbatimit. Kështu që kam besim shumë që do të zbatohet ky ligj nga ana juaj dhe nga ana e drejtuesve të tjerë të ministrisë, me rigorozitetin dhe me dëshirën për t’i dhënë Shqipërisë sonë europiane një trup diplomatik të standardeve evropiane”, vuri në dukje Balla.

/a.f/r.e/

The post Pr.ligji “Për shërbimin e jashtëm”, Balla: Roli i diplomacisë, jetik për Shqipërinë në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapen aplikimet për kompensimin e shpenzimeve të arsimit të fëmijëve për individët me tatim të mbipaguar

9 February 2026 at 20:00

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Administrata Tatimore ka hapur aplikimet për përfitimin e kompensimit të shpenzimeve për arsimimin e fëmijëve për të gjithë individët që kanë plotësuar deklaratën DIVA dhe kanë rezultuar me tatim të mbipaguar, pas zbritjes së shpenzimeve të lejuara me vlerë 48 mijë lekë, apo deri në 100 mijë lekë në vit.

Aplikimi kryhet nëpërmjet sistemit online “e-Filing” dhe, pas dorëzimit të kërkesës, shuma e kompensimit do të transferohet në llogaritë bankare të deklaruara nga përfituesit gjatë procesit të aplikimit.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të gjithë individët që pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët kanë rezultuar me tatim të mbipaguar, mund të nisin procedurën e aplikimit për rimbursim duke dorëzuar deklaratën DIVA 2025 në llogarinë e tyre personale në “e-Filing”.

Gjatë aplikimit, kërkohet bashkëngjitja e dokumentacionit përkatës, përfshirë të dhënat e llogarisë bankare personale, certifikatën familjare si dhe dokumentet që vërtetojnë shpenzimet e kryera për arsimimin e fëmijëve. Këto dokumente përfshijnë kontratat me institucionet arsimore dhe faturat e pagesave, si dhe faturat për shpenzime të tjera arsimore, përfshirë edhe pagesat për kurse të gjuhëve të huaja.

Administrata Tatimore sqaron se kërkesa për rimbursim mund të refuzohet në rastet kur deklarata DIVA 2025 nuk rezulton me mbipagesë, kur dokumentacioni i paraqitur është i paplotë ose i pasaktë, si dhe kur shpenzimet nuk janë të ligjshme, ose nuk janë deklaruar në DIVA.

Procedura e aplikimit realizohet pas hyrjes në sistemin “e-Tax”, ku individët duhet të krijojnë një çështje të re si kërkesë për rimbursim, duke zgjedhur modulin “eFiling Im” dhe opsionin “Çështjet e mia”. Më pas përzgjidhet lloji i çështjes “Pyetje të përgjithshme”, ku hapet një format për paraqitjen e kërkesës për rimbursim të tatimit të mbipaguar, sipas vlerës së shfaqur në deklaratën DIVA.

Shuma e kompensimit që përfitohet ndryshon në varësi të të ardhurave vjetore dhe nivelit të shpenzimeve të zbritura, të cilat varen edhe nga numri i fëmijëve në ngarkim. Për individët me të ardhura vjetore deri në 1,2 milionë lekë, shpenzimet fikse për arsim mund të zbriten deri në vlerën maksimale prej 100 mijë lekësh.

Vlera e kompensimit llogaritet automatikisht nga sistemi “e-Tax” pas deklarimit të të ardhurave, edhe për ata individë që nuk kanë detyrimin ligjor për të bërë deklarimin.

Diferenca e tatimit vjetor të paguar ose tatimi i mbipaguar që rezulton nga rillogaritja, pas zbritjes së bazës së tatueshme prej 48 mijë lekësh në vit, pavarësisht nivelit të të ardhurave, apo 100 mijë lekësh për ata me të ardhura deri në 1,2 milionë lekë në vit, do të jepet si kompensim për shpenzimet e arsimit të fëmijëve, pas paraqitjes së kërkesës për aplikim.

Sistemi për plotësimin e DIVA u hap më 22 janar dhe afati për deklarim është deri më 31 mars. Afati për aplikimin për kompensim është deri në tre muaj pas plotësimit të deklaratës DIVA.

/r.e/a.f/

The post Hapen aplikimet për kompensimin e shpenzimeve të arsimit të fëmijëve për individët me tatim të mbipaguar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike, fokus te shkollat dhe siguria e nxënësve

9 February 2026 at 16:26


TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Në të gjithë vendin po vijon puna për lirimin e hapësirave publike të zaptuara nga subjektet private.

Kryeministri Edi Rama publikoi sërish sot pamje nga ndërhyrjet në terren.

“Aksioni për lirimin e hapësirave publike, sot i fokusuar rreth shkollës “Ndre Mjeda” në Shkodër, me qëllim krijimin e një mjedisi më të sigurt e funksional për nxënësit dhe komunitetin”, deklaroi Rama.

Nisma është pjesë e programit “Rilindja Urbane 2.0” dhe synon rritjen e cilësisë së shërbimeve, funksionalitetit urban dhe respektimin e standardeve të mikpritjes në çdo qytet të Shqipërisë.

E nisur në muajin korrik të vitit që lamë pas, kjo nismë është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.

Qeveria ka forcuar kontrollet mbi territorin dhe ka ashpërsuar masat në Kodin e ri Penal për goditjen e ndërtimeve pa leje.

Përmes portalit “Hapësira ime publike”, qytetarët kanë raportuar deri tani 18 515 raste shkeljesh. Nga këto, 14 416 janë zgjidhur, ndërsa 4099 raste janë në proces shqyrtimi.

/r.e/a.f/

The post Vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike, fokus te shkollat dhe siguria e nxënësve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 8 February 2026Main stream

Bizneset paguanin energjinë si familjarë, FSHU: Do të përballen me penalitete

8 February 2026 at 13:39

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Dhjetëra biznese në kryeqytet vazhdonin të paguanin energjinë elektrike si familjarë, për të përfituar tarifa më të ulëta, pavarësisht se ushtronin aktivitet ekonomik.

Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE-së, ka intensifikuar kontrollet në terren për verifikimin e kontratave të energjisë elektrike dhe për përditësimin e tarifimit sipas sistemit të ri.

Administratori i FSHU, Algert Luzi, gjatë një interviste në medie, deklaroi se më së shumti janë konstatuar shkelje në godinat e reja të banimit, ku apartamentet e përdorura për banim janë shndërruar në zyra dhe biznese.

“Janë konstatuar zyra noterie, kontabiliteti, klinika dentare dhe biznese estetike”, tha Luzi.

Sipas FSHU, ky fenomen lidhet me regjistrime të vjetra dhe mungesën e përditësimit të kontratave, ndërkohë që objektet përdoren realisht për qëllime ekonomike.

Për këtë arsye, kompania ka nisur një proces të gjerë verifikimi dhe u bën thirrje bizneseve, organizatave jofitimprurëse dhe personave fizikë që ushtrojnë aktivitet tregtar, të kontrollojnë kategorinë e kontratës dhe të kryejnë përditësimin e nevojshëm.

Luzi shtoi se bizneset që do të gjenden përsëri në shkelje do të përballen me penalitete.

“Abonentët familjar që konsumojnë mbi 700 kWh tarifohen me 9.5 lekë/kWh, ndërsa subjektet tarifohen me 14 lekë/kWh. Pas verifikimit, tarifimi ndryshon direkt dhe nëse konstatohet përsëri shkelje, do të ndërmerren masa penale”, theksoi ai.

FSHU bën thirrje për bashkëpunim të ngushtë me grupet e kontrollit, me qëllim shmangien e penaliteteve dhe garantimin e një sistemi tarifimi të drejtë për të gjithë konsumatorët. /a.gj/ /a.g/

The post Bizneset paguanin energjinë si familjarë, FSHU: Do të përballen me penalitete appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Të marrim në dorë fatet e Shqipërisë më 10 shkurt

8 February 2026 at 13:38

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri sot thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së opozitës më datë 10 shkurt, në Tiranë.

Në një videomesazh përmes rrjeteve sociale, Berisha tha se qytetarët duhet “të marrim fatet në dorë të Shqipërisë, t’i qëndrojmë ligjeve dhe kushtetutës së vendit, si rruga e vetme e integrimit në BE si dhe për rivendosjen e shtetit ligjor, ligjit dhe Kushtetutës në Shqipëri”.

“Ditën e martë, secili prej jush proteston, shpreh revoltën në kryengritjen paqësore të opozitës, jo vetëm për vete, por për fëmijët e tij, për Shqipërinë, dhe si asnjëherë tjetër, për të ardhmen evropiane të këtij vendi”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së reagoi edhe ndaj deklaratë së kryeministrit Rama lidhur me vendimin e Kushtetueses për zëvendëskryeministren Balluku.

Sipas tij, Rama po injoron vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe po cenon shtetin ligjor dhe se “në rajon, në Europë dhe në botë, gjykatat kanë pezulluar jo vetëm ministra, por edhe kryeministra”.

“Ky vendim, do të jetë mesa duket vendimi më i paprecedentë që është marrë ndonjëherë në BE, sepse është absolutisht i paprecedentë qëndrimi dhe vendimi i Edi Ramës, për të asgjësuar shtetin ligjor me një grusht shteti, brenda shtetit”, u shpreh Berisha.

/r.e/

The post Berisha: Të marrim në dorë fatet e Shqipërisë më 10 shkurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Çdo vonesë e mbledhjes së Këshillit të Mandateve për Ballukun, pengim i drejtësisë

8 February 2026 at 13:38

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi sot se drejtësia duhet të funksionojë e pavarur dhe sipas parimeve të shtetit ligjor, pa ndikime politike.

Bardhi reagoi pas deklaratës së sotme të kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi si mosvendimmarrje qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e pezullimit të një anëtari të qeverisë, duke e vlerësuar situatën si problem serioz për balancën mes pushteteve, teksa theksoi se qeveria do të vijojë përpjekjet për ta kundërshtuar këtë praktikë në rrugë institucionale.

Bardhi vuri në dukje se çdo ndërhyrje politike në vendimet e drejtësisë rrezikon parimet e ndarjes së pushteteve dhe barazisë para ligjit.

“Sa herë që drejtësia i afrohet pushtetit të tij të kriminalizuar dhe të korruptuar, Edi Rama zgjedh sulmin kundër drejtësisë”, tha Bardhi.

Ai theksoi se drejtësia nuk është pronë e askujt dhe nuk ka nevojë për mbikëqyrje politike, por për respektimin e ligjit nga të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë.

“Kur një Kryeministër del publikisht për të delegjitimuar një vendim gjykate, ai nuk po mbron vetëm një ministre. Po mbron pushtetin e vet për ta vendosur atë mbi ligjin. Dhe çdo fjali e Ramës tregon një gjë: ai nuk e pranon kufirin e ligjit, duke shpallur veten “garant të vetëm” të drejtësisë. Por në një shtet ligjor drejtësinë nuk e garanton as një njeri, as një parti. E garanton Kushtetuta. E garanton ndarja e pushteteve. E garanton barazia para ligjit”, deklaroi Bardhi.

Ai bëri thirrje që Këshilli i Mandateve të mblidhet dhe të shqyrtojë kërkesën e SPAK-ut, duke nënvizuar se çdo vonesë e mëtejshme mund të perceptohet si pengim ndaj drejtësisë.

“Ligji nuk negociohet, ai zbatohet”, theksoi Bardhi.

/r.e/

The post Bardhi: Çdo vonesë e mbledhjes së Këshillit të Mandateve për Ballukun, pengim i drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pesë qytete shqiptare mes destinacioneve të rekomanduara për t’u vizituar nga platforma të huaja

8 February 2026 at 13:36

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Shqipëria vijon të tërheqë vëmendjen e platformave ndërkombëtare të udhëtimeve, me qytetet e saj që kombinojnë trashëgiminë historike, natyrën dhe jetën moderne.

Sipas Europexplores dhe Dreaming Travel, pesë qytete shqiptare renditen ndër destinacionet më të rekomanduara për t’u vizituar.

Në krye të listës është Tirana, kryeqyteti i vendit, e përshkruar si një qytet me atmosferë të gjallë dhe një përzierje të harmonizuar të historisë, kulturës dhe zhvillimit modern. Monumente si sheshi “Skënderbej” dhe Muzeu Historik Kombëtar cilësohen si pika kyçe që pasqyrojnë identitetin e qytetit.

Shkodra vlerësohet për rëndësinë e saj historike dhe pozicionin pranë liqenit të Shkodrës, ndërsa kalaja e Rozafës përmendet si një nga atraksionet kryesore, që ofron pamje panoramike mbi qytetin dhe zonën përreth.

Në jug, Vlora renditet si një destinacion i rëndësishëm bregdetar, e njohur për plazhet përgjatë Jonit dhe për vlerën historike si qyteti ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Manastiri i Zvërnecit dhe atraksionet natyrore përreth përmenden si elementë që e pasurojnë ofertën turistike.

Saranda përshkruhet si një destinacion ideal për pushime bregdetare, me akses të afërt në Parkun Kombëtar të Butrintit, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, duke ofruar mundësi për turizëm natyror dhe kulturor.

Lista plotësohet nga Gjirokastra, e njohur për arkitekturën osmane dhe shtëpitë karakteristike prej guri. Kalaja e Gjirokastrës vlerësohet për pamjen panoramike që ofron mbi qytetin dhe rrethinat, duke e bërë qytetin një ndalesë të rëndësishme për vizitorët e interesuar në histori dhe trashëgimi kulturore.

Sipas vlerësimeve të platformave ndërkombëtare, këto qytete përfaqësojnë potencialin e Shqipërisë si një destinacion turistik gjithnjë e më i preferuar në rajon.

/r.e/

The post Pesë qytete shqiptare mes destinacioneve të rekomanduara për t’u vizituar nga platforma të huaja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ceremoni përkujtimore në nderim të dy punonjësve të Policisë, rënë në krye të detyrës

8 February 2026 at 12:50

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Në Rrëshen dhe Lezhë u zhvilluan sot ceremoni përkujtimore në nderim të dy punonjësve të Policisë, të rënë në krye të detyrës, duke lënë një shembull sakrifice dhe përkushtimi për jetën e qytetarëve.

Në 20-vjetorin e rënies në krye të detyrës të ish-punonjësit të Policisë, Fran Kaçorri, i shpallur “Dëshmor i Atdheut”, u zhvillua një ceremoni në Rrëshen, ku morën pjesë familjarët e dëshmorit, drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Mirditë, kolegë dhe punonjës policie, si dhe të afërm të Kaçorrit.

Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për sakrificën e tij, u vendosën kurora me lule. Fran Kaçorri ra në krye të detyrës më 8 shkurt 2006, duke dhënë jetën në shërbim të rendit, sigurisë dhe qytetarëve.

Po gjatë ditës së sotme, në Lezhë, u zhvillua ceremonia përkujtimore me rastin e 28-vjetorit të rënies në krye të detyrës të ish-punonjësit të Policisë, Bardhok Marku, gjithashtu i shpallur “Dëshmor i Atdheut”.

Në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë morën pjesë familjarët, kolegë dhe punonjës policie të Komisariatit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Bardhok Marku ra në krye të detyrës më 8 shkurt 1998, duke dhënë jetën në shërbim të rendit, sigurisë dhe qytetarëve.

1 nga 5

/r.e/

The post Ceremoni përkujtimore në nderim të dy punonjësve të Policisë, rënë në krye të detyrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kalaja, muzetë dhe gastronomia, atraksionet që e bëjnë Gjirokastrën qytet turistik

8 February 2026 at 12:29

TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Gjirokastra njihet si perla e jugut të Shqipërisë, ku tradita dhe bukuria natyrore bashkohen nën hijen e kalasë madhështore.

Pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, Gjirokastra tërheq vizitorë nga e gjithë bota për arkitekturën e saj të veçantë, rrugicat me kalldrëm dhe shtëpitë tipike me çati guri.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndau sot foto të qytetit të “pushtuar” nga turistët edhe këto ditë shkurti.

Një nga atraksionet kryesore është Kalaja e Gjirokastrës, e ndërtuar në shekullin e 12-të, që dominon qytetin dhe ofron pamje panoramike mbi luginën e Drinos. Brenda kalasë ndodhet Muzeu i Armëve, ku ruhen eksponate historike që pasqyrojnë ngjarjet dhe luftërat që kanë shënjuar historinë e rajonit.

Gjirokastra njihet gjithashtu për kulturën dhe traditat e saj folklorike. Festimet dhe aktivitetet kulturore, tërheqin artistë dhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe bota, duke promovuar muzikën dhe vallëzimin tradicional.

Qyteti është vendlindja e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare dhe ruan atmosferën e vjetër osmane, duke e bërë një destinacion të veçantë për ata që kërkojnë jo vetëm bukuri natyrore, por edhe histori dhe kulturë.

Vizitorët mund të eksplorojnë edhe shtëpitë muze të qytetit, si Shtëpia e Kadaresë, që ofron një pasqyrë të jetës dhe veprës së shkrimtarit.

Gastronomia lokale, e bazuar në produkte vendase dhe receta tradicionale, plotëson përvojën e vizitorëve, duke e bërë Gjirokastrën një destinacion të plotë turistik dhe kulturor.

/r.e/

The post Kalaja, muzetë dhe gastronomia, atraksionet që e bëjnë Gjirokastrën qytet turistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Normalizohet qarkullimi në rrugën Qukës-Qafë Plloçë pas rrëshqitjes së dherave

8 February 2026 at 12:05

TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Rruga Qukës-Qafë Plloçë është e hapur dhe aktualisht nuk ka bllokim të qarkullimit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se qarkullimi i automjeteve kryhet normalisht në të dyja drejtimet.

Ky aks rrugor ishte bllokuar më parë si pasojë e reshjeve të dendura që përfshinë zonën ditët e fundit, duke shkaktuar rrëshqitje dhe rënie të masave të gurëve në trupin e rrugës.

Segmenti Qukës-Qafë Plloçë mundëson një akses më të lehtë drejt Korçës duke shmangur kthesat dhe trafikun.

/r.e/

The post Normalizohet qarkullimi në rrugën Qukës-Qafë Plloçë pas rrëshqitjes së dherave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kledis Rexho, Besart Papa dhe Erisa Kuçuku prezantohen në podkastin “Flasim”

8 February 2026 at 11:44

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, prezantoi tre shqiptarë të suksesshëm në fushat e tyre, të cilët kanë ndjekur rrugë të ndryshme jetësore dhe profesionale.

Ndër të ftuarit ishte Erisa Kuçuku, psikologe dhe psikoterapeute, e cila ofron shërbime psikoterapie për të ndihmuar njerëzit të përballen me sfidat e jetës në mënyra më të shëndetshme dhe produktive. Ajo ka vendosur dijen e saj në dispozicion të disa nismave solidariteti shoqëror për ata që kanë nevojë për mbështetje, sidomos në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Rama theksoi se “njerëzit më të fortë nuk janë ata që tregojnë forcë para botës, por ata që luftojnë dhe fitojnë beteja për të cilat të tjerët nuk dinë asgjë”.

Një tjetër i ftuar ishte Besart Papa, skulptor, i cili ngriti një muze arti në Tiranë kushtuar veprave të të atit, artistit Thanas Papa. Muzeu është i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe ruan rreth 250 punë të artistit, duke e kthyer hapësirën e dikurshme të atelierit të vitit 1958 në një institucion muzeal.

Kledis Rexho, violinist që jeton dhe punon në Francë, është i treti nga të ftuarit. Ai ka mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas ka vijuar studimet në Francë, ku sot punon në Orchestre Philharmonique de Monte Carlo. Rexho ka shoqëruar solistë ndërkombëtarë si Frank Peter Zimmerman, Nathalie Dessay dhe Renaud Capuçon dhe ka performuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si Paavo Jarvi dhe Neeme Jarvi.

Ai ka publikuar projektin muzikor me soprano franko-amerikane Emilie Rose Bry, ku interpretuan së bashku “Margjelonë” e kompozitorit shqiptar Prenk Jakova, pranë Kullës Eiffel në Paris.

/r.e/

The post Kledis Rexho, Besart Papa dhe Erisa Kuçuku prezantohen në podkastin “Flasim” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Vlerësimi i Diellës është një arritje e rëndësishme për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale

8 February 2026 at 10:53

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Platforma shqiptare “Diella” u vlerësua me çmimin Future Fit Seal në edicionin e këtij viti të çmimeve të Samitit Botëror të Qeverisjes në Dubai.

Kryeministri Edi Rama, në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, theksoi se ky vlerësim është një arsye për krenari për arritjet e Shqipërisë në fushën e teknologjisë dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në shërbim të interesit publik.

“Vlerësimi i Diellës me çmimin Future Fit Seal është një inkurajim shumë i madh dhe shumë domethënës, duke pasur parasysh faktin se Shqipëria vendoset në piedestalin e vendeve që marrin çmime nga ky samit prestigjioz”, tha Rama.

Ai shtoi se Samiti Botëror i Qeverisjes është një nga platformat globale për të ardhmen e qeverisjes, ku diskutohet sesi teknologjia po riformëson marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarëve.

“Shqipëria vendoset edhe një herë në fokus, këtë herë për një produkt për të cilin ne po vazhdojmë punën dhe mbi të cilin, jo vetëm shqiptarët, por edhe bota do të dëgjojë të reja më shpejt sesa vonë”, theksoi Kryeministri.

/r.e/

The post Rama: Vlerësimi i Diellës është një arritje e rëndësishme për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Amnistia penale, Rama: Ligji nuk përfshin krime të rënda

8 February 2026 at 10:42

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi këtë javë projektligjin për amnistinë penale, që parashikon lirimin e menjëhershëm të 447 personave dhe ulje dënimesh për qindra të tjerë.

Kryeministri Edi Rama, në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, theksoi se ligji ka ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e sistemit të drejtësisë penale dhe në frymën e saj.

“Ky projekt përfshin lirimin e menjëhershëm të 447 personave nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ulje dënimi për qindra persona të tjerë, aministimin nga masat alternative të shërbimit të proves, si dhe pushimin e ndjekjes penale për vepra penale të lehta”, tha Rama.

Ai shtoi se ligji është një zgjedhje politike e qartë dhe synon orientimin e drejtësisë drejt veprave që paraqesin rrezik real për shoqërinë, duke shmangur përdorimin disproporcional të ndëshkimit penal për raste që nuk e justifikojnë.

“Kjo natyrisht do të sjellë efekt të vetin anësor, por shumë të rëndësishëm edhe uljen e mbipopullimit në burgje, uljen e kostove, por edhe rritjen e investimeve për të rritur cilësinë e jetës në institucionet tona penitenciare”, shtoi ai.

Rama sqaroi se ligji nuk përfshin asnjë vepër të rëndë penale.

“Krime kundër jetës, dhunës, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë të përjashtuara nga amnistia”, tha ai.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për të adresuar problemin e paraburgimit.

“Paraburgimi është një plagë e evidentuar më së miri dhe më së qarti nga Komiteti për parandalimin e torturës i Këshillit të Europës. Ne jemi të vendosur që do të ndërhyjmë për ta shëruar këtë plagë me masa të tjera, për të cilat po punojmë me një sërë partnerësh europianë”, tha Kryeministri.

/r.e/

The post Amnistia penale, Rama: Ligji nuk përfshin krime të rënda appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌