Normal view

Received yesterday — 26 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Arrestimi i Agasit, SPAK: U ndalua në Durrës, në momentin e arrestimit shoqërohej nga një ish-punonjës policie

26 August 2026 at 22:57

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi mbi arrestimin sot të shtetasit Ergys Agasi, i cili ishte shpallur në kërkim, pas një operacioni të zhvilluar në bashkëpunim me strukturat operacionale të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

SPAK thekson se arrestimi u bë në hyrjen jugore të qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë.

Në momentin e arrestimit, Agasi shoqërohej nga shtetasi  U. Sh., ish-punonjës policie, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

SPAK bëri të ditur se vijon hetimet në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, ku më 5 dhjetor 2025 është regjistruar edhe emri i Ergys Agasit.

Sipas organit të akuzës, Agasi po hetohet për një sërë veprash penale, mes tyre “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në formën e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në kuadër të hetimit, ndaj Agasit rëndon edhe akuza për “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

SPAK bëri të ditur se ndaj Agasit, me vendimin nr. 125, datë 15 dhjetor 2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.

Vendimi i gjykatës ishte dërguar për ekzekutim nga strukturat e Policisë së Shtetit më 17 dhjetor 2025.

SPAK falënderon Policinë e Shtetit për bashkëpunimin dhe përfundimin me sukses të operacionit për arrestimin e personit të shpallur në kërkim.

/gj.m/r.e/

The post Arrestimi i Agasit, SPAK: U ndalua në Durrës, në momentin e arrestimit shoqërohej nga një ish-punonjës policie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Zjarre pranë banesave, evakuohen disa familje në Taranto

26 August 2026 at 22:55

GINOSA (Itali), 26 gusht /ATSH-ANSA/ – Tre vatra zjarri, të zhvilluara pothuajse njëkohësisht, kanë përfshirë disa zona të qytetit Ginosa, në provincën e Tarantos, duke iu afruar disa banesave.

Për arsye sigurie, disa familje janë larguar përkohësisht nga shtëpitë e tyre, ndërsa në terren është aktivizuar një operacion i gjerë për shuarjen e flakëve.

Zjarret kanë prekur zonat pranë stadiumit komunal “Teresa Miani”, Poggio Cignano dhe rrugës “Costa della Crognola”.

Shkaqet e zjarreve ende nuk janë përcaktuar, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë e një origjine të qëllimshme.

Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve dhe ka vështirësuar ndjeshëm punën e ekipeve të emergjencës.

Alarmet janë dhënë nga vetë banorët, të cilët kanë raportuar njëkohësisht tre kolona tymi në pika të ndryshme të qytetit.

Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e zjarrfikësve nga Castellaneta dhe komanda provinciale e Tarantos, së bashku me karabinierët dhe vullnetarët e Mbrojtjes Civile.

Për forcimin e ndërhyrjes është kërkuar edhe një avion ”Canadair” dhe një helikopter, i cili po kryen hedhje uji duke përdorur një rezervuar emergjence të vendosur brenda stadiumit “Miani”.

Në terren ndodhet edhe kryebashkiaku i Ginosës, Vito Parisi. Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa hetimet për shkaqet e tre zjarreve janë në zhvillim e sipër./ a.jor.

The post ITALI – Zjarre pranë banesave, evakuohen disa familje në Taranto appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – Ylli i pop-it Eros Ramazzotti i nënshtrohet një operacioni në kordat vokale

26 August 2026 at 22:07

ROMË, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Këngëtari italian Eros Ramazzotti i është nënshtruar një operacioni në kordat vokale, duke e detyruar të shtyjë pjesën e turneut të tij në Amerikën Veriore dhe Latine, të planifikuar për më vonë këtë vit.

”Operacioni shkoi mirë”, tha Ramazzotti.

“Megjithatë, mjeku im ka përshkruar një program rehabilitimi”, shtoi ai.

Si rezultat, datat e turneut të planifikuara në të gjithë Amerikën Veriore dhe Latine në shtator, tetor dhe nëntor do të shtyhen deri në vitin 2027.

Ramazzotti, një nga këngëtarët më të suksesshëm ndërkombëtarë të muzikës pop në Itali dhe i njohur për zërin e tij të veçantë të çjerrë dhe baladat pop si “Più bella cosa” dhe “Cose della vita”, falënderoi fansat për shumë mesazhe dashurie dhe mbështetjeje që kishte marrë.

“Do ta shohim njëri-tjetrin përsëri më të fortë dhe më të bashkuar se më parë”, shkroi ai, duke shtuar fjalën “DASHURI” të shoqëruar me emoji zemrash.

Është hera e dytë që Ramazzotti i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në kordat vokale.

Në vitin 2019, ai iu nënshtrua një operacioni për të trajtuar një trashje të kordave vokale dhe u detyrua të ndërpresë një turne botëror për dy muaj./ a.jor.

The post MUZIKË – Ylli i pop-it Eros Ramazzotti i nënshtrohet një operacioni në kordat vokale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Selia pet-friendly e MTKS-së, hapësirë strehimi dhe përkujdesjeje për disa qenushë

26 August 2026 at 21:57

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka ndarë momente nga ambientet pet-friendly të ministrisë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Qenushëve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja bëri të ditur se selia e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit prej kohësh shërben si një hapësirë strehimi dhe përkujdesjeje për disa qenushë të lagjes së ish-Kinostudios, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta apo të ulëta.

Sipas tij, stafi i ministrisë kujdeset çdo ditë që kafshët të kenë ushqim, siguri dhe përkujdesje.

“Selia pet-friendly e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit është një hapësirë ku prej kohësh, sidomos në ditët më të nxehta apo më të akullta jashtë, kanë gjetur strehë dhe përkujdesje disa qenushë të dashur të lagjes së ish-Kinostudios”, shkroi Gonxhja.

Ai theksoi se qenushët janë bërë pjesë e përditshmërisë së stafit, duke sjellë një atmosferë më të ngrohtë në ambientet e punës.

“Në ditën kushtuar qenushëve, ndajmë disa momente nga prania e miqve tanë më besnikë, që tashmë janë bërë pjesë e familjes sonë të madhe, duke na e bërë më të mirë atmosferën e vendit të punës”, u shpreh ministri.

/gj.m/r.e/

The post Gonxhja: Selia pet-friendly e MTKS-së, hapësirë strehimi dhe përkujdesjeje për disa qenushë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

24 vatra zjarresh të raportuara, katër aktive, përmirësohet situata në disa zona

26 August 2026 at 21:45

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 20:00 në rang vendi janë raportuar 24 vatra zjarri, nga të cilat katër vijojnë të jenë aktive, ndërsa pesë të tjera janë nën mbikëqyrje.

Në mbështetje të operacioneve për shuarjen dhe vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit janë angazhuar 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.

Vatrat që vijojnë të jenë aktive janë në Qafë të Helmës, Bulqizë; Malin e Dardhës dhe Malin e Qukësit në Librazhd/Prrenjas, si dhe në Drashovicë, Selenicë.

Në Qafë të Helmës (Bulqizë) vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Në terren janë angazhuar 23 forca operacionale të MZSH Bulqizë dhe strukturave bashkiake. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Malin e Dardhës (Librazhd) zjarri vijon të djegë në brendësi të terrenit, kryesisht në humus dhe trungje të dekompozuara, ndërsa nuk rrezikohen banesat.

Në Malin e Qukësit (Përrenjas) vijon ndërhyrja për shuarjen e trungjeve të rrëzuara dhe bimësisë së ulët brenda vatrës. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Drashovicë (Selenicë) operacionet vijojnë për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me shkurre. Në terren janë një mjet zjarrfikës dhe 3 efektivë të MZSH Selenicë. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, situata paraqitet e përmirësuar në vatrat e tjera të raportuara gjatë ditëve të fundit.

Në malin e Dajtit, reshjet e shiut kanë izoluar vatrat e zjarrit dhe zona do të vijojë të mbahet nën mbikëqyrje. Gjatë ditës, në operacion u angazhuan 38 forca operacionale bashkiake dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në Sarandë, zjarri në kurorën e qytetit është vënë nën kontroll pas angazhimit të strukturave të MZSH-së, Policisë, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, forcave bashkiake dhe një helikopteri të Forcave të Armatosura. Zona vijon të mbahet nën mbikëqyrje.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

/gj.m/r.e/

The post 24 vatra zjarresh të raportuara, katër aktive, përmirësohet situata në disa zona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rrëzohet miti i Londrës si qyteti i shiut

26 August 2026 at 21:40

LONDËR, 26 gusht, ATSH/ Miti i Londrës si qyteti i përhershëm i shiut po rrëzohet përballë realitetit të ndryshimeve klimatike. Statistikat e fundit tregojnë se në kryeqytetin britanik bien tashmë dukshëm më pak reshje se në Romë, ndërsa Anglia po përballet me një thatësirë të pazakontë.

Sipas të dhënave të Met Office, shërbimit kombëtar britanik të meteorologjisë, Londra merr mesatarisht rreth 650 milimetra reshje në vit, ndërsa Roma rreth 900 milimetra. Kjo do të thotë se, në bazë të mesatareve vjetore, kryeqyteti italian është dukshëm më i lagësht se ai britanik.

Ndryshimi është bërë veçanërisht i dukshëm në javët e fundit. Pas pesë valëve të të nxehtit, parqet dhe kopshtet e Londrës kanë humbur ngjyrën e tyre të gjelbër dhe janë kthyer në të verdhë e të thatë. BBC e ka përshkruar pamjen e Hyde Parkut si të ngjashme me Serengetin afrikan në periudhën e thatësirës.

Por pas këtij ndryshimi të peizazhit fshihet një problem shumë më serioz: mungesa e ujit. Anglia po përjeton një periudhë të rëndë thatësire, ndërsa rezervat ujore janë duke u pakësuar pas muajsh me temperatura të larta dhe reshje të pamjaftueshme.

Situata është veçanërisht shqetësuese për Londrën, një metropol me miliona banorë dhe me kërkesa të mëdha për ujë. Reshjet e herëpashershme nuk mjaftojnë për të rikuperuar rezervat, të cilat kanë nevojë për periudha më të gjata me shi.

Sipas analizës së gazetarit Enrico Franceschini në la Repubblica, ndryshimet klimatike po përmbysin edhe perceptime të konsoliduara prej dekadash. Londra nuk është më domosdoshmërisht qyteti evropian që të vjen në mendje kur mendon për shiun, ndërsa episodet e zgjatura të nxehtësisë dhe thatësirës po bëhen një realitet gjithnjë e më i dukshëm.

Kështu, stereotipi i londinezit që nuk del kurrë nga shtëpia pa çadrën mund të mbetet gradualisht pjesë e së kaluarës. Ndërsa Roma, çuditërisht, rezulton të ketë më shumë reshje vjetore se kryeqyteti britanik.

The post Rrëzohet miti i Londrës si qyteti i shiut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestimi i Agasit, Berisha: Monitorim ndërkombëtar të procesit gjyqësor

26 August 2026 at 21:40

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas arrestimit të Ergys Agasit sot në Durrës, duke kërkuar monitorim ndërkombëtar të procesit gjyqësor.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Berisha ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e ndalimit të Agasit pranë vilës së tij, në shoqërinë e Uljan Shpatarakut.

“A ishte ky një arrestim i vërtetë apo një dorëzim me kushte? Kjo pyetje lind sepse ai çdo natë ka fjetur kryesisht aty në shtëpinë e tij (dhe sipas rastit në Manzë), e përsëri askush nuk kujtohej se ai ishte në kërkim”, shprehet Berisha.

Berisha shprehet se, procesi i tij gjyqësor kërkon nevojë urgjente për monitorim ndërkombëtar.

/gj.m/r.e/

The post Arrestimi i Agasit, Berisha: Monitorim ndërkombëtar të procesit gjyqësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Është një hap përpara për emrin e presidentit

PRISHTINË, 26 gusht /ATSH/ Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit mbrëmjen e sotme me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se diskutimet për presidentin kaluan në një fazë më konkrete, duke konfirmuar se janë diskutuar emra konkretë.

“Siç ju kemi thënë edhe herën e kaluar, pas dakordimit rreth parimeve për presidentin apo presidenten e ardhshme të Republikës së Kosovës, sot kemi vazhduar me diskutime rreth emrave konkretë”, tha Abdixhiku.

Ai tha se në tërësinë e emrave të prezantuar të gjithë në masë të madhe, dikush më shumë e dikush më pak, është në vijë me parimet e dakorduara deri më tani.

“Dhe në këtë drejtim, le të themi se ky është një hap përpara, meqenëse nga koncepti politik rreth parimeve kemi kaluar në emra. Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, nuk mund të bëjë publikë emrat e diskutuar.”

Ai paralajmëroi një tjetër takim për të finalizuar procesin.

“Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, ju lutem për mirëkuptim, nuk mund të diskutoj për emra konkretë në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës”, tha Abdixhiku.

Ai nuk dha detaje për numrin e takimeve apo të emrave të diskutuar, duke thënë se fokusi është te arritja e një marrëveshjeje që do t’i sjellë stabilitet vendit.

“Unë nuk flas me numra, sa kanë qenë, sa do të jenë, por po përpiqemi, meqë se jemi të interesuar që t’i japim stabilitet Republikës së Kosovës. Meqë se kuptojmë ndjesinë se Kosova ka shumë zëra për destabilitet e shumë pak zëra të arsyeshëm për stabilitet, duam të jemi zë i arsyes për këtë stabilitet. Presidenti i ardhshëm duhet të jetë figurë që gëzon besueshmëri dhe që i përshtatet përgjegjësisë institucionale dhe shtetërore që bart ky post”, shtoi Abdixhiku. /KosovaPress/

The post Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Është një hap përpara për emrin e presidentit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KUVAJT – Sekuestrohet sasia më e madhe e drogës në vend, me vlerë 490 milionë dollarë

26 August 2026 at 21:19

KUVAJT SITI, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Autoritetet kuvajtiane kanë sekuestruar rreth 5 tonë pluhur pregabaline dhe afro 4,0 milionë kapsula të gatshme për shitje, në atë që Ministria e Brendshme e ka cilësuar si operacionin më të madh antidrogë në historinë e vendit.

Ministri i Brendshëm, Sheikh Fahad Yousef Al-Sabah tha sot se droga, e njohur gjerësisht me emrin tregtar Lyrica, kishte një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth 150 milionë dinarësh kuvajtianë ose afërsisht 490 milionë dollarë.

Operacioni, i zhvilluar të martën, zbuloi gjithashtu një fabrikë të pajisur plotësisht për prodhimin e pregabalinës, si dhe makineri për mbushjen, ndarjen dhe paketimin e kapsulave.

Pregabalina përdoret zakonisht si ilaç për trajtimin e dhimbjeve nervore, por mund të keqpërdoret për shkak të efekteve të saj në sistemin nervor.

Al-Sabah vlerësoi punën e oficerëve kundër narkotikëve dhe tha se operacioni tregoi përmasat e kërcënimit që paraqet trafiku i drogës në vend.

Ministri theksoi se lufta kundër drogës mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Brendshme, duke përfshirë ndjekjen e trafikantëve dhe shpërndarësve, forcimin e kontrolleve dhe goditjen e rrjeteve të furnizimit./ a.jor.

The post KUVAJT – Sekuestrohet sasia më e madhe e drogës në vend, me vlerë 490 milionë dollarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfundon takimi Kurti – Abdixhiku për emrat e kandidatëve për president, do të vazhdojnë bisedimet

PRISHTINË, 26 gusht /ATSH/ Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, Albin Kurti, tha sonte në daljen para medieve pas takimit me liderin e LDK, Lumir Abdixhiku, se ka biseduar me të për emra të përveçëm për presidentin e ardhshëm të Kosovës, por nuk pranoi t’i bënte të ditur ata.

Kurti, kryeministër në detyrë, dhe Abdixhiku, u takuan të mërkurën në përpjekje për ta arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, që do t’i jepte fund krizës pothuajse dyvjeçare institucionale.

“Do të vazhdojnë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi dhe është hera e parë që kemi diskutuar me dhe për emra të përveçëm”, tha Kurti.

Takimi mes tyre vjen disa orë pasi zyrtari i LVV-së, zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, tha se partia i ka emrat për presidentin, por nuk deshi t’i zbulojë.

As Kurti nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me emrat e mundshëm për presidentin e ardhshëm, duke thënë se dëshiron ta ruajë “konfidencialitetin e bisedimeve” me Abdixhikun./REL/

The post Përfundon takimi Kurti – Abdixhiku për emrat e kandidatëve për president, do të vazhdojnë bisedimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kapet në Durrës Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK, arrestohet edhe personi që udhëtonte me të

26 August 2026 at 20:45

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), është kapur në Durrës në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”.

Operacioni u finalizua nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK.

Në momentin e kapjes, Agasi udhëtonte me një automjet ku ndodhej edhe shtetasi Uljan Shpataraku, i cili u kap dhe u arrestua nga Policia.

Në kuadër të hetimeve të nisura nga SPAK për dosjen e AKSHI-t lidhur me korrupsion, pastrimit të parave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, Agasi ishte shpallur në kërkim zyrtar pasi më parë ndaj tij ishin ushtruar kontrolle banese dhe sekuestro pasurish.

/gj.m/r.e/

The post Kapet në Durrës Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK, arrestohet edhe personi që udhëtonte me të appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta e 88-të për Zvërnecin në Tiranë

26 August 2026 at 20:41

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Qytetarët kanë nisur marshimin nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, sot, në ditën e 88-të të protestës kundër investimit në Zvërnec.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit janë nisur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ku mbahen fjalimet e organizatorëve dhe pjesëmarrësve.

Protesta nisi fillimisht si reagim ndaj projektit të investimit turistik në Zvërnec, ndërsa gjatë ditëve të vijimit kërkesat e protestuesve janë zgjeruar në çështje politike dhe institucionale.

Pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e asaj që e cilësojnë “kastë të vjetër” politike, si dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe ndryshimin e ligjit zgjedhor.

Në protestë janë ngritur gjithashtu shqetësime për korrupsionin, punësimin, investimet strategjike dhe largimin e të rinjve nga vendi.

Qytetarët shprehen se do të vijojnë protestat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, ndërsa tubimi i sotëm vijon përpara Kryeministrisë me fjalime dhe mesazhe drejtuar qeverisë.

Protesta e 88-të; fotoreporterë: Florian Abazi & Andrin Hoxha
1 nga 19

/gj.m/r.e/

The post Protesta e 88-të për Zvërnecin në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KLGJ miraton pagën referuese bazë të gjyqtarëve, vendimi zbatohet nga 1 gushti

26 August 2026 at 20:36

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) miratoi sot pagën referuese bazë të magjistratit (gjyqtar), në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi u mor në mbledhjen plenare të sotme, ku KLGJ miratoi vendimin  “Mbi miratimin e pagës referuese bazë të magjistratit (gjyqtar), sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Sipas vendimit, paga referuese bazë për magjistratin (gjyqtar) përcaktohet duke iu referuar kategorisë së lartë drejtuese “Kategoria I”, klasa e pagës “Klasa 1-2”, në përputhje me përcaktimet e VKM-së nr. 325/2023, të ndryshuar.

Paga për pozicion përcaktohet në shumën 222 425 lekë, ndërsa shtesa e nivelit të kualifikimit për “Grupin e diplomës 1” është 14 000 lekë.

KLGJ përcakton se kjo pagë do të zbatohet për periudhën nga 1 gushti 2026 e në vazhdim.

Në vendim, Departamenti i Programimit dhe Administrimit të Buxhetit dhe njësitë përgjegjëse për buxhetin në gjykatat e të tre niveleve ngarkohen të kryejnë analizën e plotë të situatës buxhetore për shpenzimet e personelit për vitin 2026 dhe të fillojnë pagesën e pagave për periudhën nga 1 gushti 2026.

Gjithashtu, strukturat përgjegjëse duhet të përllogarisin efektin financiar të zbatimit të vendimit dhe, në rast nevoje për fonde shtesë për shpenzimet e personelit gjatë vitit 2026, të ndjekin procedurat për sigurimin e tyre.

KLGJ njoftoi gjithashtu se në mbledhjen e sotme u shty shqyrtimi i projektvendimit për miratimin e dokumentit të kërkesave buxhetore për programin buxhetor afatmesëm 2027-2029 për sistemin gjyqësor, faza e dytë.

/gj.m/r.e/

The post KLGJ miraton pagën referuese bazë të gjyqtarëve, vendimi zbatohet nga 1 gushti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NEPAL – 160 viktima dhe 466 turistë të zhdukur pas përmbytjeve apokaliptike

26 August 2026 at 20:31

KATMANDU, 26 gusht /ATSH-AFP-ANSA/ – Policia nepaleze raportoi sot në mbrëmje se kishte gjetur 157 trupa pas përmbytjeve shkatërruese që goditën rajonin kufitar me Tibetin në veri të vendit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në të paktën 160 dhe duke lënë qindra të zhdukur.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve, ANSA, bëhet fjalë për 466 turistë.

Disa orë më parë, media shtetërore kineze raportoi humbje të konsiderueshme jetësh në një rrëshqitje dheu në një qytet kufitar, duke deklaruar se tre persona u vranë dhe 265 të tjerë rezultonin të zhdukur./ a.jor.

The post NEPAL – 160 viktima dhe 466 turistë të zhdukur pas përmbytjeve apokaliptike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – ”Vanity Fair”: Leone XIV ndër 10 personat e veshur më mirë në botë

26 August 2026 at 20:20

ROMË, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Papa Leone XIV është i pranishëm në listën e revistës amerikane ”Vanity Fair” të personaliteteve më të veshura mirë të vitit 2026, në kategorinë “Origjinalët”, e cila bashkon 10 nga “personat e veshur më çuditshëm dhe inovativë”.

Kryetar i Kishës Katolike në listë i bashkohen muzikantët Björk dhe Rosalía dhe regjisori Spike Lee.

”Vanity Fair” përmendi stilin jokonvencional të papës si arsyen e përfshirjes.

“Edhe para papatit, Leone, i njohur më parë si ati Bob, e çoi veshjen e tij modeste ngjyrë krem ​​në lartësi qiellore duke e kombinuar atë me ‘Nike”, tha revista.

“Leone e ka ruajtur ndjenjën e tij të rastësisë ironike, ndonjëherë duke veshur kapele bejsbolli”, theksoi ajo.

Nuk është çmimi i parë papal i stilit

Nuk është hera e parë që papa i lindur në SHBA shfaqet në një listë të tillë.

”Vogue” e kishte vendosur tashmë Leonen në listën e saj të 55 njerëzve më të veshur të vitit 2025.

Megjithatë, ”Vogue” vlerësoi rikthimin e tij në “trashëgiminë papale për veshjet liturgjike të përshtatshme” dhe ndarjen e tij nga stili modest i paraardhësit të tij, Françeskut.

”The New York Times” gjithashtu e numëroi Leonen midis njerëzve më elegantë të vitit 2025.

Si ”Vogue” ashtu edhe ”New York Times” e njohën stilin e tij në vitin e zgjedhjes së tij si papë.

Leone doli nga konklava si papa i ri më 8 maj 2025, pas vdekjes së papa Françeskut.

Ai është qytetari i parë amerikan që zë Karrigen e Shën Pjetrit.

Ai njihet si tifoz i ekipit të bejsbollit ”Chicago White Sox” dhe një fotografi e tij duke veshur kapelen e ekipit të qytetit të tij të lindjes bëri bujë./  a.jor.

The post SOFT NEWS – ”Vanity Fair”: Leone XIV ndër 10 personat e veshur më mirë në botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Regjistrimi në universitete do të integrohet në zinxhirin digjital të shërbimeve arsimore

26 August 2026 at 20:03

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro reagoi sot pas problematikave të shfaqura gjatë regjistrimit të studentëve të rinj në programet e Mjekësisë, duke theksuar nevojën për thjeshtimin dhe digjitalizimin e procesit.

Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga radhët e krijuara gjatë regjistrimit, pasi një prind i kishte përcjellë shqetësimin për vajzën e tij, e cila ka fituar të drejtën për të studiuar Mjekësi.

“E kuptoj shqetësimin e tij dhe, mbi të gjitha, e kuptoj që një proces që mund të jetë më i thjeshtë nuk duhet t’u shtojë familjeve edhe një ditë pritjeje, radhë e sorollatje”, shkroi ministrja.

Ajo bëri të ditur se procesi i regjistrimit në universitete do të rishikohet, me synimin për ta integruar atë në sistemin digjital të shërbimeve arsimore.

“Vitin e ardhshëm regjistrimi në universitete do të integrohet në zinxhirin digjital të shërbimeve arsimore, që nga klasa e parë deri në përfundimin e studimeve të larta”, deklaroi Kumbaro.

Për procesin e këtij viti, ministrja u ka kërkuar universiteteve të marrin masat e nevojshme për organizimin sa më të mirë të regjistrimeve, të cilat tashmë kanë nisur.

“Me shumë ndjesë për sot, por edhe me një premtim të qartë: kjo skenë duhet të jetë e fundit”, u shpreh Kumbaro.

/gj.m/r.e/

The post Kumbaro: Regjistrimi në universitete do të integrohet në zinxhirin digjital të shërbimeve arsimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Nga shtatori “Pasqyra e Çmimeve”, platforma për transparencën dhe krahasimin e çmimeve

26 August 2026 at 20:38

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Çmimet e produkteve bazë do të jenë më transparente për konsumatorët shqiptarë përmes platformës së re “PriceWatch Albania”, e cila pritet të lançohet nga muaji shtator.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se platforma do t’u mundësojë qytetarëve të shohin dhe të krahasojnë çmimet e produkteve bazë, duke zgjedhur se ku mund t’i blejnë ato me çmimin më të ulët.

“Çmimet e produkteve bazë nuk mund të jenë më çështje vetëm opinioni. Qytetarët duan të dinë se sa kushton një produkt dhe ku atë produkt mund ta blejnë më lirë”, u shpreh Ibrahimaj.

Sipas saj, përmes platformës do të bëhet publik dhe transparent raportimi i bizneseve që merren me tregtimin me shumicë dhe pakicë të produkteve, lidhur me çmimet bazë.

Ibrahimaj theksoi se mekanizmi i ri nuk do të kufizohet vetëm te publikimi i çmimeve, por do të analizojë edhe zinxhirin e formimit të tyre, nga importi ose prodhimi deri te pika e shitjes.

“Ne duhet të kuptojmë se ku ndodh rritja e çmimeve dhe, sigurisht, të ndërhyjmë aty ku ndodh, me qëllim që të mos ketë abuzime”, tha ministrja.

Ajo solli si shembull diferencat e çmimit të domates, duke theksuar se një produkt i njëjtë mund të tregtohet me çmime të ndryshme në qytete të ndryshme.

“Qeveria nuk ka të drejtë dhe nuk ka në dorë të përcaktojë çmime, por ama qeveria ka në dorë të monitorojë dhe të krijojë transparencë”, deklaroi Ibrahimaj.

Sipas ministres, mekanizma të ngjashëm të përdorur në vende të tjera evropiane kanë ndikuar në reduktimin real të çmimeve, duke rritur transparencën dhe mundësinë e konsumatorëve për të krahasuar ofertat.

“PriceWatch Albania – Pasqyra e Çmimeve” do të integrohet edhe në “PasqyrAlbania” dhe do të jetë në dispozicion jo vetëm të konsumatorëve shqiptarë, por edhe të vizitorëve të huaj në vend.

“Çmimet duhet të jenë të dukshme, të krahasueshme dhe transparente për çdo qytetar”, theksoi Ibrahimaj, duke shtuar se platforma synon t’i japë konsumatorit një instrument konkret për të krahasuar çmimet dhe për të vendosur se ku të blejë.

Ministrja nënvizoi se në një ekonomi të lirë çmimet përcaktohen nga tregu, ndërsa roli i institucioneve është garantimi i transparencës, monitorimit dhe informimit të konsumatorëve.

/gj.m/r.e/

The post Ibrahimaj: Nga shtatori “Pasqyra e Çmimeve”, platforma për transparencën dhe krahasimin e çmimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Nostalgjia e Sanremos” rikthen magjinë e muzikës italiane në Durrës

26 August 2026 at 20:33

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Qytetarët dhe vizitorët e Durrësit përjetuan një mbrëmje të veçantë muzikore me koncertin “Nostalgjia e Sanremos”, që u zhvillua në sheshin “Veliera”, duke sjellë në skenë disa prej hiteve italiane që kanë shoqëruar breza të tërë.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga aktiviteti, duke e cilësuar koncertin si një rikthim të magjisë së Festivalit të Sanremos dhe një udhëtim në kujtesën muzikore të qytetit.

Koncerti solli në skenë gjashtë këngëtarë të rinj, të cilët interpretuan për rreth një orë e gjysmë disa prej këngëve më të njohura të repertorit italian, mes tyre “Questo piccolo grande amore”, “Insieme”, “24 mila baci” dhe “La solitudine”.

Atmosfera u shoqërua gjatë gjithë mbrëmjes nga pjesëmarrja e publikut, i cili iu bashkua artistëve në interpretimin e këngëve të njohura.

Për shumë qytetarë të Durrësit, muzika italiane dhe veçanërisht këngët e Sanremos kanë një lidhje të fortë me kujtesën e qytetit.

“Nostalgjia e Sanremos” solli kështu në skenën e sheshit “Veliera” një repertor që ndërthur kujtimet e brezave të kaluar me interpretimin e artistëve të rinj, duke krijuar një mbrëmje të dedikuar muzikës italiane dhe lidhjes së saj me publikun shqiptar.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të atmosferës kulturore dhe turistike të Durrësit, duke ofruar për qytetarët dhe vizitorët një tjetër mbrëmje argëtuese në hapësirat publike të qytetit.

/gj.m/r.e/

The post “Nostalgjia e Sanremos” rikthen magjinë e muzikës italiane në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Vdes Peter Nadas gjiganti i letërsisë hungareze

26 August 2026 at 19:35

BUDAPEST, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Shkrimtari hungarez Péter Nádas, një mjeshtër i rrëfimeve gjithëpërfshirëse dhe monumentale, ka vdekur në moshën 83-vjeçare, konfirmoi sot botuesi i tij.

”Nádas vdiq në shtëpinë e tij në fshatin jugperëndimor hungarez Gombosszeg”, tha një zëdhënës i shtëpisë botuese ”Sarközy és Társai” me seli në Budapest, duke cituar familjen e autorit.

Romanet e tij eksploruan Evropën e shekullit XX në të gjitha tmerret dhe absurditetet e saj.

Veprat e tij më të njohura përfshijnë “Një libër kujtimesh”, monumentalen “Histori paralele” dhe kujtimet me dy vëllime “Detaje të shkëlqyera”, të përshkruara si një përballje me historinë.

Nádas u lind në Budapest më 14 tetor 1942.

Ai i mbijetoi Holokaustit me familjen e tij duke u fshehur dhe duke përdorur dokumente të falsifikuara.

Megjithatë, trashëgimia hebraike e familjes nuk u diskutua ndërsa ai po rritej.

Prindërit e tij ishin komunistë të përkushtuar që më vonë u zhgënjyen nga ideologjia.

Nëna e tij vdiq nga një sëmundje kur Nádas ishte 13 vjeç.

Tre vjet më vonë, babai i tij u vetëvra.

Nadas punoi për gazeta të ndryshme nga viti 1965 deri në vitin 1969 përpara se të bëhej shkrimtar i pavarur.

Ai kaloi pothuajse 12 vjet duke punuar në “Një Libër Kujtimesh”, romanin prej 1 300 faqesh që u bë përparimi i tij ndërkombëtar dhe ndihmoi në përcaktimin e karrierës së tij.

Procese të gjata krijuese karakterizojnë shumë nga veprat e tij kryesore.

Nádas i kushtoi 17 vjet romanit “Histori Paralele”.

Në më shumë se 1 000 faqe, ai end personazhe, motive dhe ngjarje në dukje të shkëputura në një univers të gjerë letrar, me mjedise dhe periudha kohore që shpesh ndryshojnë papritur.

Nádas shqyrton me kujdes mënyrat se si trupat njerëzorë ndikojnë tek njëri-tjetri, dëshirat e tyre të ndërsjella dhe kujtimet dhe katastrofat historike të ruajtura brenda tyre.

Që nga viti 1984, Nadas kishte jetuar një jetë të izoluar në Gombosszeg, një fshat i vogël në shpatet piktoreske të kodrave Göcsej në Hungarinë jugperëndimore.

Së bashku me gruan e tij, Magda Salamon, ai jetonte në një shtëpi tradicionale fshatare të ndërtuar me argjilë dhe dru.

Në vitet e fundit, ai është përmendur vazhdimisht si një pretendent i fortë për çmimin Nobel në Letërsi.

Megjithatë, vitin e kaluar, ishte bashkëkombësi i tij László Krasznahorkai ai që fitoi çmimin./  a.jor.

The post FOKUS – Vdes Peter Nadas gjiganti i letërsisë hungareze appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

26 gushti, Dita Ndërkombëtare e Qenve, një ditë për të festuar miqtë besnikë të njeriut

26 August 2026 at 19:10

Tiranë, 26 gusht 2026/ATSH/ – 26 gushti shënohet çdo vit si “Dita Ndërkombëtare e Qenve”, një ditë kushtuar miqve më besnikë të njeriut, por edhe ndërgjegjësimit për mbrojtjen dhe mirëqenien e tyre.

Dita u krijua në vitin 2004 nga amerikania Colleen Paige, eksperte e sjelljes së kafshëve dhe aktiviste për të drejtat e tyre. Data ka një domethënie personale për të, pasi më 26 gusht familja e saj adoptoi qenin e parë nga një strehë, kur ajo ishte vetëm 10 vjeç. 

Përtej festës, kjo ditë synon të tërheqë vëmendjen te qentë e braktisur dhe të nxisë adoptimin nga strehëzat, kujdesin e përgjegjshëm dhe luftën kundër keqtrajtimit të kafshëve.

Qentë janë gjithashtu pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme dhe shërbejnë edhe si qen guide, në polici, në ekipet e kërkim-shpëtimit, si dhe në role të ndryshme ndihmuese për njerëzit me aftësi të kufizuara.

Në këtë ditë, dashamirësit e kafshëve mund të kontribuojnë duke ndihmuar strehëzat, duke dhuruar ushqime, duke u bërë vullnetarë ose, mbi të gjitha, duke i dhënë një shtëpi një qeni që pret për një familje.

The post 26 gushti, Dita Ndërkombëtare e Qenve, një ditë për të festuar miqtë besnikë të njeriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌