ROMË – Papa Leone XIV takohet me udhëheqësen e opozitës venezueliane, Machado
ROMË, 12 janar /ATSH-DPA/- Papa Leone XIV ka pritur sot udhëheqësen e opozitës venezueliane dhe laureaten e çmimit “Nobel për Paqen”, María Corina Machado.
Pas bastisjes së shpejtë të ushtrisë amerikane për të arrestuar udhëheqësin autoritar të Venezuelës, Nicolás Maduro, në Karakas më 3 janar, papa Leone bëri thirrje që sovraniteti i Venezuelës të respektohej.
“E mira e popullit të dashur venezuelian duhet të mbizotërojë ndaj çdo konsiderate tjetër”, tha ai.
Papa i parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës tha gjithashtu se po ndiqte “shqetësim të thellë” zhvillimet në vendin e Amerikës së Jugut.
Machado, e parë gjerësisht nga mbështetësit, si një shpresë kryesore për ndryshime politike në Venezuelë, ka vlerësuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump për ndërhyrjen e tij ushtarake, pavarësisht akuzave se ai ka shkelur ligjin ndërkombëtar.
Pas arrestimit të Maduros, Trump shprehu skepticizëm në lidhje me përshtatshmërinë e Machado si pasardhëse, duke thënë se ajo nuk kishte mbështetjen apo respektin e nevojshëm brenda Venezuelës për ta qeverisur atë.
Megjithatë, kohët e fundit, ai tha se një takim me të mund të ishte në shqyrtim.
Duke folur për “Fox News” në fund të javës së kaluar, Trump tha se Machado mund të vizitonte SHBA-në këtë javë. //a.i/
The post ROMË – Papa Leone XIV takohet me udhëheqësen e opozitës venezueliane, Machado appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.