MILANO 2026 – Papa Leone XIV thirrje për armëpushim olimpik
VATIKAN, 6 shkurt /ATSH-ANSA/ – Papa Leone XIV bëri thirrje për një armëpushim olimpik gjatë Lojërave Dimërore në Milano dhe Cortina duke e përshkruar atë si simbol shprese dhe pajtimi ndërkombëtar.
”Nxis fuqishëm të gjitha kombet, në rastin e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Dimërore, të rikthejnë dhe respektojnë këtë mjet shprese që është Armëpushimi Olimpik, simbol dhe profeci e një bote të pajtuar”, shkruan papa Leone XIV në një letër të publikuar sot me rastin e Lojërave Olimpike Dimërore, që zhvillohen në Milano dhe Cortin nga sot deri më 22 shkurt, dhe Lojërave Paralimpike, që do të zhvillohen gjithashtu nga 6 deri më 15 mars.
”Gjatë Lojërave Olimpike të kaluara, paraardhësit e mi theksuan se sporti mund të luajë një rol të rëndësishëm për të mirën e njerëzimit, veçanërisht për promovimin e paqes”, kujton ai.
”Në këtë kuadër qëndron Armëpushimi Olimpik, i cili në Greqinë e Lashtë ishte një marrëveshje për të pezulluar armiqësitë para, gjatë dhe pas Lojërave Olimpike, në mënyrë që sportistët dhe spektatorët të mund të lëviznin lirshëm dhe garat të zhvilloheshin pa ndërprerje”, shton papa.
Në letrën e tij, papa Leone XIV thekson se ”praktika sportive mund të ketë një natyrë profesionale, me specializim shumë të lartë: në këtë formë ajo korrespondon me një thirrje të pakicës, duke ngjallur admirim dhe entuziazëm në zemrat e shumë të tjerëve, që ndihen të emocionuar nga fitoret ose humbjet e atletëve. Por, ushtrimi i sportit është një aktivitet i përbashkët, i hapur për të gjithë dhe i dobishëm për trupin dhe shpirtin, saqë përbën një shprehje universale të të qenit njeri”.
Duke nisur nga ”interesi i kishës për sportin dhe mënyra se si një i krishterë i qaset atij”, papa vë në dukje se ”njeriu duhet të mbetet gjithmonë në qendër të sportit”./ /Ad.Ab./
The post MILANO 2026 – Papa Leone XIV thirrje për armëpushim olimpik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.