Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Malaj: Afat deri në 31 mars për dorëzimin e deklaratës DIVA 2025

14 January 2026 at 11:56


TIRANË, 14 janar/ATSH/ Afati për dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për periudhën janar-dhjetor 2025 është 31 marsi i 2026-ës.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur sot se kanë detyrim për të deklaruar të ardhurat personale vjetore për vitin 2025 individët me të ardhura vjetore mbi 1,2 milionë lekë nga të gjitha burimet.

Po ashtu, detyrimi vlen edhe për individët që, për të paktën një muaj gjatë vitit 2025, kanë qenë të punësuar pranë më shumë se një punëdhënësi.

Detyrim për të dorëzuar DIVA-n kanë gjithashtu edhe individët që kanë realizuar të ardhura mbi 50 mijë lekë, për të cilat nuk është paguar tatimi në burim, si të ardhurat nga platformat Booking, Airbnb, YouTube, të ardhurat nga qiradhënia etj.

Ligji, sipas tij, parashikon edhe mundësinë e korrigjimit të deklaratës.

“Individi mund të paraqesë deklaratë korrigjuese brenda afateve ligjore nëse konstaton pasaktësi në të dhënat e deklaruara”, tha ai.

Për herë të parë, me ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore”, prindërit dhe kujdestarët ligjorë me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të mund të përfitojnë këtë vit kompensim ushqimor dhe arsimor për fëmijët në ngarkim, përmes deklaratës vjetore të të ardhurave personale DIVA 2025.

Skema synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve, duke ofruar zbritje nga baza tatimore në varësi të numrit të fëmijëve dhe shpenzimeve të kryera për arsimimin e tyre.
Përfitimi u takon atyre që deklarojnë në DIVA 2025 fëmijët në ngarkim dhe shpenzimet përkatëse arsimore, ndërsa kushti kryesor mbetet që të ardhurat e tatueshme vjetore të mos tejkalojnë 1,2 milionë lekë.

Për çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç aplikohet një zbritje tatimore që korrespondon me shumën prej 48 mijë lekësh, ndërsa për shpenzimet arsimore të fëmijëve në ngarkim parashikohet një zbritje totale deri në 100 mijë lekë.

Kërkesa për përfitimin e këtij kompensimi bëhet vetëm një herë dhe paraqitet nga anëtari i familjes që ka të ardhurat më të larta vjetore.

Autoritetet sqarojnë se e drejta për përfitim mbetet edhe në rastet kur individi nuk ka detyrim ligjor për të dorëzuar deklaratën DIVA 2025.

Procesi i rimbursimit realizohet përmes sistemit e-Filing, pas dorëzimit të deklaratës, kur nga përllogaritjet rezulton mbipagesë.

Më pas, aplikuesi duhet të paraqesë një kërkesë për rimbursim në modulin “Çështjet e mia – Pyetje e Përgjithshme”, duke bashkëlidhur dokumentet e nevojshme, përfshirë të dhënat e llogarisë bankare personale, certifikatën familjare dhe dokumentacionin justifikues për shpenzimet arsimore, si kontratat me institucionet përkatëse dhe faturat e pagesave, përfshirë edhe ato për kurset e gjuhëve të huaja. /j.p/

The post Malaj: Afat deri në 31 mars për dorëzimin e deklaratës DIVA 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEHERAN – Irani raporton arrestime të udhëheqësve të dyshuar të protestave

14 January 2026 at 11:30

TEHERAN, 14 janar /ATSH-DPA/-  Forcat iraniane të sigurisë kanë njoftuar arrestimin e udhëheqësve të dyshuar të protestave në provincën perëndimore Chaharmahal dhe Bakhtiari, raportoi sot media shtetërore.

Disa figura kyçe, përgjegjëse për pasigurinë në provincën Chaharmahal dhe Bakhtiari u arrestuan nga krahu i shërbimeve sekrete të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike.

Provinca përjetoi disa nga përplasjet më të ashpra midis forcave të sigurisë dhe demonstruesve antiqeveritarë, në fillim të protestave mbarëkombëtare në fund të dhjetorit.

Pasi forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj protestuesve, në qytetin Lordegan shpërthyen trazira të rënda, duke rezultuar në vdekje të shumta.

Chaharmahal dhe Bakhtiari, është një rajon ekonomikisht i pazhvilluar, ku mosbesimi ndaj shtetit është i lartë.

Përgjigja e ashpër e forcave të sigurisë kontribuoi në përshkallëzimin e shpejtë të protestave. //a.i/

The post TEHERAN – Irani raporton arrestime të udhëheqësve të dyshuar të protestave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prodhimi i energjisë elektrike nga kaskada e Drinit arrin 27 mijë MWh

14 January 2026 at 11:28

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Prodhimi i energjisë elektrike nga kaskada e Drinit ka arritur sot në rreth 27 mijë MWh duke ruajtur nivelin e gjithë këtyre ditëve për të shfrytëzuar prurjet nga reshjet intensive të fillimit të janarit.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) bëri të ditur se prurjet natyrore në kaskadë regjistrohen në nivele të moderuara, ku HEC Fierzë përfiton rreth 500 m³/s, HEC Koman 250 m³/s, ndërsa HEC Vau i Dejës 50 m³/s.

Ndërkohë, shkarkimet janë realizuar kryesisht nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, në funksion të optimizimit të prodhimit. Nga Komani shkarkimet llogariten 200 m3/s dhe nga Vau i Dejës 300 m3/s.

Sipas KESH-it, nivelet aktuale në liqenet e kaskadës mbeten brenda parametrave të sigurisë, duke krijuar kushte të favorshme për vijimësinë e prodhimit hidroenergjetik gjatë ditëve në vijim.

Konkretisht niveli I HEC-it të Fierzës është 292.4 m, në HEC-in e Komanit 170,6 m dhe në HEC-in e Vaut të Dejës 73.8 m.

KESH siguron se po monitoron në mënyrë të vazhdueshme situatën hidrike dhe po zbaton një strategji operative që synon maksimizimin e prodhimit vendas, garantimin e sigurisë së digave dhe reduktimin e nevojës për import energjie. /j.p/

The post Prodhimi i energjisë elektrike nga kaskada e Drinit arrin 27 mijë MWh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KARAKAS – Venezuela: Të ardhurat nga nafta të destinuara për kujdesin shëndetësor

14 January 2026 at 11:27

KARAKAS, 14 janar /ATSH-ANSA/ – Të ardhurat nga shitjet e naftës do të përdoren për të rimëkëmbur dhe ristrukturuar sistemin e kujdesit shëndetësor të vendit, deklaroi presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez.

Pamvarësisht kësaj deklarate Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar  se do të kontrollojnë shitjet e naftës bruto për një periudhë “të pacaktuar” dhe ato do të administrohen nga Uashingtoni.

Në një fjalim të shkurtër të transmetuar në kanalin shtetëror VTV, Rodríguez tha se po punon për një plan të veçantë për sektorin e kujdesit shëndetësor, i cili është goditur nga vite krize, dhe se angazhimi i parë është që çdo dollar që hyn në Venezuelë nga industria e naftës dhe gazit do të përdoret për të përmbushur nevojat e sistemit të kujdesit shëndetësor.   /os/

 

The post KARAKAS – Venezuela: Të ardhurat nga nafta të destinuara për kujdesin shëndetësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Ministrat e Iranit dhe Francës diskutojnë protestat pas kritikave evropiane

14 January 2026 at 11:22

PARIS, 14 janar /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi zhvilloi dje në mbrëmje një bisedë telefonike me homologun e tij francez, Jean-Noël Barrot, pas kritikave evropiane ndaj shtypjes së dhunshme të protestave nga forcat iraniane të sigurisë.

“Gjatë bisedës me ministrin e Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, diskutuan ngjarjet e fundit ne Iran”, tha ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi në një postim sot në “Telegram”.

Barrot dënoi ashpër shtypjen vdekjeprurëse të protestave masive në Iran dhe thirri ambasadorin e Iranit në Paris.

Duke folur në parlament, ai i përshkroi demonstratat si një “thirrje për liri” dhe një “revoltë paqësore” që po shtypej në një mënyrë çnjerëzore.

Disa vende të tjera evropiane kanë thirrur gjithashtu diplomatë iranianë në protestë për shkak të shtypjes së demonstratave.

Gjatë telefonatës, Araghchi mbrojti veprimet e forcave të sigurisë së Iranit, duke thënë se protestat që, fillimisht kishin filluar në mënyrë paqësore ishin bërë të dhunshme për shkak të përfshirjes së “elementeve terroriste të trajnuara”.

Ai gjithashtu pretendoi se ishin kryer ndërhyrje nga vendet e huaja në Iran. //a.i/

The post FOKUS – Ministrat e Iranit dhe Francës diskutojnë protestat pas kritikave evropiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Atletico Madrid dhe Sunderland interesohen për Mario Mitajn

14 January 2026 at 11:21

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Mario Mitaj po kthehet në një nga emrat më të kërkuar të merkatos për repartin e majtë të mbrojtjes.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, aktualisht pjesë e Al Ittihad në Arabinë Saudite, është në fokusin e disa klubeve të njohura europiane, mes tyre Atletico Madrid dhe Sunderland.

Sipas raportimeve të “Fichajes.net”, Atletico Madrid është në kërkim të një mbrojtësi të majtë për skemat e Diego Simeones.

Objektivi kryesor i klubit madrilen ka qenë Carlos Romero i Villarreal, por kostoja prej rreth 45 milionë eurosh e ka bërë klubin të tërhiqet nga negociatat.

Në këtë kontekst, Mitaj shihet si një alternativë shumë më ekonomike dhe me potencial të madh zhvillimi.

22-vjeçari shqiptar ka bërë paraqitje mjaft bindëse me Al Ittihad, duke rritur ndjeshëm vlerësimin e tij në treg.

Aktualisht, kartoni i tij vlerësohet rreth 5.5 milionë euro, ndërsa Atletico Madrid do të ishte e gatshme të ofronte deri në dyfishin e kësaj shume për të siguruar shërbimet e tij.

Interes për Mitajn ka shfaqur edhe Sunderland, që militon në Premier League, duke shtuar konkurrencën për firmën e mbrojtësit kuqezi.

Për këtë arsye, Al Ittihad nuk pranon të negociojë për një shifër më të ulët se 10 milionë euro, duke pasur parasysh se e afroi futbollistin vetëm një vit më parë nga Lokomotiva e Moskës për 4 milionë euro.

Një tjetër detaj që ushqen zërat për një largim të mundshëm është fakti se Mitaj nuk ka qenë i gatshëm në tre ndeshjet e fundit, çka ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e tij në klubin saudit.

Mitaj ka kontratë me Al Ittihad deri në verën e 2028-ës, por forma e tij dhe interesimi nga klube të rëndësishme europiane mund ta rikthejnë shumë shpejt në një kampionat të madh të kontinentit.

/gj.m/

The post Atletico Madrid dhe Sunderland interesohen për Mario Mitajn appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkëmbimet tregtare me Britaninë e Madhe shënojnë rënie gjatë 11-mujorit

14 January 2026 at 11:19

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Tregtia mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar shënoi një rënie të lehtë gjatë 11-mujorit të vitit 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT).

Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria eksportoi drejt Britanisë së Madhe mallra me vlerë rreth 1 miliard lekë, ndërsa importet nga ky vend arritën në 7,6 miliardë lekë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, eksportet drejt Britanisë së Madhe kanë pësuar rënie, pasi në 11-mujorin e vitit 2024 ato regjistroheshin në 1,3 miliardë lekë, ndërsa importet kapnin vlerën e 8,7 miliardë lekëve.

Në total, gjatë 11-mujorit të vitit 2025, eksportet e mallrave arritën në 319 miliardë lekë, ndërkohë që importet u regjistruan në 807 miliardë lekë.

Shqipëria importon nga Britania e Madhe kryesisht makina, pajisje dhe produkte të ndryshme për konsum.

Ndërkohë, eksporton drejt Britanisë kryesisht veshje, produkte bujqësore dhe ushqimore, si edhe shërbime turistike. /j.p/

The post Shkëmbimet tregtare me Britaninë e Madhe shënojnë rënie gjatë 11-mujorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arbër Hoxha në radarët e gjigantëve turq, Galatasaray dhe Fenerbahçe në garë për shqiptarin

14 January 2026 at 11:15

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Arbër Hoxha po kalon një nga sezonet më të mira të karrierës së tij, duke u shndërruar në një element kyç të Dinamo Zagrebit dhe duke tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka qenë vendimtar për kroatët, me 6 gola dhe 4 asistime në 23 paraqitje në të gjitha aktivitetet, statistika që kanë rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg.

Sipas raportimeve nga mediat kroate, interesimi më konkret për 27-vjeçarin vjen nga Turqia.

Galatasaray, kryesues i Superligës turke, e ka Hoxhën në listën e objektivave për përforcimin e repartit sulmues, duke e parë si një profil që mund të sjellë shpejtësi, fleksibilitet dhe eksperiencë ndërkombëtare.

Në garë për shërbimet e tij është futur edhe Fenerbahçe, duke shtuar rivalitetin mes dy gjigantëve të Stambollit, të cilët pritet të monitorojnë nga afër situatën e lojtarit në javët në vijim.

Megjithatë, Dinamo Zagreb nuk duket e gatshme të lejojë largimin e Hoxhës në këtë fazë të sezonit.

Drejtuesit e klubit e konsiderojnë atë pjesë thelbësore të projektit sportiv dhe një faktor të rëndësishëm në garën për titull, ndaj një transferim në afatin e janarit shihet si i pamundur.

Për momentin, e ardhmja e Arbër Hoxhës mbetet e lidhur me Zagrebin, ndërsa interesimi në rritje nga tregu evropian konfirmon formën e tij të shkëlqyer dhe rëndësinë që ai ka fituar si në nivel klubi, ashtu edhe në përfaqësuese. /gj.m/j.p/

The post Arbër Hoxha në radarët e gjigantëve turq, Galatasaray dhe Fenerbahçe në garë për shqiptarin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UNESCO propozon mbrojtjen e shkrimit të dorës si trashëgimi jomateriale e njerëzimit

14 January 2026 at 11:11

ROMË, 14 janar /ATSH/- Shkrimi i dorës zhvillon përqendrimin dhe kreativitetin. Lufton lodhjen digjitale dhe mundëson memorizimin më të mirë të informacionit, sipas “Il Sole 24 Ore”.

Të shkruarit me stilolaps dhe letër, në një botë kryesisht të digjitalizuar, nuk është thjesht një modë e së kaluarës, por një ushtrim në shkathtësinë manuale dhe durimin për të përqendruar mendimin, shumë shpesh të shpërqendruar nga bombardimi i imazheve në lëvizje.

Gjithashtu një mënyrë për të dalluar veten: një shënim i shkruar me dorë është aq i rrallë saqë padyshim ngulitet në kujtesë më shumë sesa një mesazh i shkruar shpejt në “WhatsApp”.

Një projekt për ruajtjen e shkrimit të dorës sapo është paraqitur në UNESCO.

Aktualisht, ka nisur puna për mbledhjen publike të nënshkrimeve, me qëllim nominimin e shkrimit të dorës si një trashëgimi jomateriale e njerëzimit.

Komiteti Promovues i iniciativës është formuar, ndër të tjera, nga Instituti Grafologjik “Moretti i Urbino”, Shoqata Italiane e Grafologëve dhe Ossmed, Observatori i Ndërmjetësimit Gjuhësor.

Debati mbi nevojën për të mësuar sërish shkrimin e dorës në shkollën fillore, është i gjallë në botë dhe në Itali, ku Edicioni i III i Festivalit “Manu Scribere”, i promovuar nga Shoqata Italiane e Grafologjisë, u organizua në Bolonjë në fund të shtatorit.

Në Kaliforni, kthimi në shkrimin e dorës për afërsisht 2,6 milion studentë midis moshës 6-12 vjeç, vendas digjitalë, është bërë kohët e fundit ligj, ndërsa një studim i kohëve të fundit nga një grup neuroshkencëtarësh – në Universitetin Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë – ka treguar se si shkrimi i dorës zgjeron dhe intensifikon lidhjet e trurit dhe ndihmon memorizimin.

Një nga stilolapsat më të çmuar në koleksionin “Kryevepra të Pineider” quhet, jo çuditërisht, “Psycho”, për të evokuar kompleksitetin e psikikës njerëzore.

Në ngjyrë argjendi me majë ari, ka një dizajn të ndërlikuar labirinti dhe gjysmëtransparent të endur.

Një modë, ajo e kthimit te stilolapsi?

TikTok-u regjistroi një rritje prej 63% në vitin 2024 për hashtagun #calligraphy, dhe influencër të shkrimit si vietnamezi Nhuan Dao dhe peruani Paola Gallegos kanë midis 2 dhe 9 milionë ndjekës.

“Të mësuarit e këtij arti është një ushtrim durimi: kërkon kohë dhe qetësi dhe, ashtu si kur jeni në shkollën fillore, duhet të fillosh nga vizat, për të mësuar format dhe proporcionet”, tha Aldo Iotti, një kaligraf mjeshtër i “Manu Scribere”.

Iotti u jep pjesëmarrësve kalamusin, një majë standarde që duhet të ndryshohet sipas lëvizjes së secilit person mbi letër, pasi edhe në një botë të standardizuar kjo është një risi e këndshme, asnjë dorëshkrim nuk është krejtësisht identik.

“Aurora”, një markë historike shkrimi në Itali, krenohet me kryeveprat e saj, të ekspozuara në “MoMA” në Nju Jork.

Marka ka krijuar dhe menaxhon “Officina della Scrittura”, pranë Torinos, një muze që ofron kurse në grafologji dhe psikologji, dhe rrëfen gjithçka që lidhet me kulturën e shkrimit të dorës së njeriut, nga pikturat në shpella te pllakat, të cilat evoluan për të lejuar shkrimin me një majë digjitale që është gjithnjë e më e ngjashme me letrën.

Mania më e fundit për koleksionistët?

Forma e majës, me skaje më të mprehta dhe më pak të rrumbullakosura se ajo standarde, është projektuar posaçërisht për praktikimin e artit të kaligrafisë.

Stilolapsa të mrekullueshëm me gurë të çmuar që zbukurojnë vijën, ndoshta për t’u përdorur me atë që njihet si boja më e shtrenjtë në botë, “boja japoneze sumi”.

Duhen katër vjet për ta prodhuar në formë të ngurtë. Asgjë nuk krahasohet me pigmentin vjollcë që gjendet në rrënojat e banjove romake që datojnë që nga shekulli III pas Krishtit në Carlisle, Angli.

Kjo është e ashtuquajtura ‘vjollcë tiriane’, një bojë e marrë nga mijëra guaska të thërrmuara nga Mesdheu, veçanërisht nga bregu i Marokut, e cila në atë kohë ishte më e shtrenjtë se ari – për shkak të procesit të vështirë të prodhimit. //a.i/

 

The post UNESCO propozon mbrojtjen e shkrimit të dorës si trashëgimi jomateriale e njerëzimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Zyrtarët amerikanë dhe ministri i Jashtëm danez do të diskutojnë për Groenlandën

14 January 2026 at 09:35

UASHINGTON, 14 janar /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen do të diskutojë sot pretendimet e SHBA-së për Groenlandën me zëvendëspresidentin e SHBA-së JD Vance dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio në Uashington.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, pritet gjithashtu të marrë pjesë në takim.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen ka lënë të kuptohet se Vance mori një vendim të minutës së fundit për të marrë pjesë.

“Takimi në fakt, ishte rënë dakord në nivel ministrash të Jashtëm”, tha Frederiksen në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen dje në Kopenhagë.

Si Frederiksen ashtu edhe Nielsen theksuan se Groenlanda nuk ishte në shitje dhe nuk mund të aneksohej nga SHBA-të.

Kryeministrja daneze tha se nuk kishte qenë e lehtë të përballohej presioni krejtësisht i papranueshëm nga aleatët më të ngushtë dhe paralajmëroi se pjesa më e vështirë nuk kishte mbaruar ende.

Në bisedime, Danimarka kërkon t’i ofrojë SHBA-së bashkëpunim më të ngushtë për mbrojtjen e Arktikut brenda kornizës së NATO-s dhe me aleatët evropianë. //a.i/

 

The post SHBA – Zyrtarët amerikanë dhe ministri i Jashtëm danez do të diskutojnë për Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Toyota mbetet lider botëror për të gjashtin vit radhazi

14 January 2026 at 09:33

TOKIO, 14 janar /ATSH-ANSA/ – Gjiganti i automjeteve Toyota konfirmohet lidership global në vitin 2025, duke ruajtur pozicionin e saj si prodhuesi i makinave me vëllimet më të larta të shitjeve për të gjashtin vit radhazi.

Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automobilave, midis janarit dhe nëntorit, prodhuesi japonez i makinave regjistroi 10.32 milionë automjete në nivel global, ndërsa rivali i tij kryesor, Volkswagen, shiti 8.98 milionë njësi në 12 muajt e vitit 2025, një rënie prej 0.5% krahasuar me vitin e kaluar.

Ngadalësimi i Volkswagen shpjegohet kryesisht nga vështirësitë në tregjet kryesore, shpjegon raporti.

Në Kinë, tregu i saj kryesor i eksportit, dërgesat ranë me 8% në afërsisht 2.69 milionë automjete, të shtrënguara nga konkurrenca në rritje nga prodhuesit vendas, gjithnjë e më konkurrues në teknologji dhe efikasitet.

Në Shtetet e Bashkuara, ndikimi u përkeqësua nga tarifat e rivendosura nga administrata Donald Trump, të cilat shkaktuan një rënie prej 10.4% të shitjeve.

Nga ana e saj, Toyota ka ruajtur kurorën e saj që nga viti 2020, pjesërisht falë përfshirjes në shifrat e saj të konsoliduara të filialeve Daihatsu Motor, e specializuar në makinat e qytetit, dhe Hino Motors, një lider në automjetet e lehta dhe të rënda komerciale.

Kjo strategji hibride-elektrike, më pak e varur nga automjetet plotësisht elektrike sesa rivalët e saj evropianë, duket se vazhdon të japë fryte në preferencat e konsumatorëve.   /os/

 

The post FOKUS – Toyota mbetet lider botëror për të gjashtin vit radhazi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga pritja në Pallatin Presidencial të Abu Dhabit ku u nderua me urdhrin “Zayed”

TIRANË, 14 janar/ATSH/- Kryeministri Rama është nderuar me medaljen më të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe nga Presidenti Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan.

Rama ka publikuar në rrjetet sociale momente nga pritja në Pallatin Presidencial të Abu Dhabit duke e cilësuar “videokartolinë e një momenti të paharrueshëm”.

Medalja, që mban emrin e themeluesit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikut Zayed përfaqëson vlerësimin më të lartë shtetëror dhe i akordohet personaliteteve që kanë kontribuar në forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ky nderim i jashtëzakonshëm vjen si shprehje e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe e vlerësimit për rolin dhe angazhimin e Kryeministrit Rama në promovimin e bashkëpunimit dypalësh dhe vizionit të përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm.

Rama ka theksuar se ky vlerësim i dedikohet çdo shqiptari që i ka besuar udhëheqjen dhe përfaqësimin e vendit, duke e konsideruar medaljen një nder për Shqipërinë dhe përfaqësimin e saj në arenën ndërkombëtare.

Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe në kuadër të “Javës së Qëndrueshmërisë 2026”, me ftesë të Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

The post Rama ndan pamje nga pritja në Pallatin Presidencial të Abu Dhabit ku u nderua me urdhrin “Zayed” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bie niveli i ujërave në zonat e prekura nga përmbytjet në Shkodër

14 January 2026 at 09:20

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Bashkia e Shkodrës në përditësimin e situatës për shkak të reshjeve të shiut, njoftoi sot se nga monitorimi gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, situata hidrologjike në territor paraqitet më e përmirësuar krahasuar me ditën e djeshme, me ulje të niveleve të ujit në zonat e prekura.

Në zonën e Obotit është konstatuar rënie e nivelit të ujit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 90 centimetra, nga 100 centimetra që ishte një ditë më parë, duke shënuar ulje me rreth 10 centimetra. Aksi vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Mjetet e Bashkisë Shkodër dhe strukturave mbështetëse do të qëndrojnë edhe sot në Obot, në gatishmëri të plotë për çdo nevojë dhe për garantimin e aksesit dhe ndihmës ndaj banorëve. Varkat janë prezente edhe sot në terren, për të garantuar transportin dhe ndërhyrjen në rast nevoje.

Sipas bashkisë, në Obot ka banesa me prezencë uji në oborre, ndërsa deri në këto momente nuk ka raportime për prezencë uji në brendësi të banesave.

Në Njësinë Administrative Dajç, në zonën Urrelat – Shirq, është konstatuar ulje e nivelit të ujit me rreth 10 centimetra krahasuar me ditën e djeshme. Vijon të ketë prezencë uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por pa depërtim në banesa.

Bashkia bëri të ditur se sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji është në Dajç 80 hektarë, në Velipojë 10 hektarë, Ana e Malit 530 hektarë, Bërdicë 50 hektarë.

Bashkia Shkodër njofton se totali i sipërfaqes në ujë është 760 hektarë.

Situata paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim, ndërsa monitorimi në terren vijon pa ndërprerje nga strukturat përgjegjëse. /j.p/

The post Bie niveli i ujërave në zonat e prekura nga përmbytjet në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

​Sorensen viziton sot Kosovën, takohet me Osmanin

14 January 2026 at 09:10

PRISHTINË, 14 janar/ATSH/ Peter Sorensen – i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – ka mbërritur në Prishtinë të enjten në mëngjes, për takime me udhëheqës të vendit, para se ta vizitojë edhe Serbinë në përpjekje për të shënuar përparimin në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

Sorensen u pa duke hyrë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës herët në mëngjes, ku pritet të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

I dërguari i bllokut gjithashtu do të pritet në një takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në orën 10:00. Më pas, ai do të ketë takim edhe me opozitën kosovare.

Pas takimeve në Prishtinë, Sorensen do udhëtojë drejt Beogradit për takime me udhëheqës të Serbisë.

Vizita e tij në Kosovë vjen në një kohë kur vendi është në pritje të themelimit të institucioneve të reja shtetërore pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit – të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.

Kjo do të jetë vizita e tij e parë qëkurse iu vazhdua mandati edhe për dy vjet të tjera si i dërguar për dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje.

Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt.

Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit të ndërmjetësit evropian.

Pak njerëz në Bruksel besojnë se Kosova dhe Serbia do të jenë të gatshme të angazhohen së shpejti në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Besohet se Kaja Kallas, e cila ende nuk ka ndërmjetësuar ndonjë rund dialogu në nivelin më të lartë politik, do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor, pas një fillimi të vështirë që ka pasur si diplomate kryesore e BE-së.

Marrë parasysh se Brukseli është anashkaluar shpesh në çështje si: bisedimet për paqe për Ukrainën, lufta në Gazë dhe situata në Iran, zyrtarët e BE-së thonë me shaka se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë “fryti më i lehtë” që mund ta arrijë blloku në këtë moment.

Kosova dhe Serbia veçse arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.

Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është e detyrueshme për të dyja palët.

Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut 15-vjeçar. /rel/

The post ​Sorensen viziton sot Kosovën, takohet me Osmanin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Nëse Irani ekzekuton protestuesit, do të ndërhyjmë

14 January 2026 at 09:07

UASHINGTON, 14 janar /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërmarrin “masa shumë të forta” nëse autoritetet iraniane fillojnë të ekzekutojnë protestuesit antiqeveritarë – të arrestuar gjatë protestave masive – që kanë përfshirë vendin në javët e fundit, sipas BBC.

Deklarata e Trump vjen në një kohë kur numri i të vdekurve nga përleshjet midis forcave të sigurisë dhe protestuesve ka tejkaluar 2 500.

“Nëse bëjnë diçka të tillë, ne do të ndërmarrim masa shumë të forta”, tha Trump, duke shtuar se ishte në dijeni të numrit shumë të lartë të viktimave në demonstratat që kanë zgjatur më shumë se dy javë në të gjithë Iranin.

Shqetësimi ndërkombëtar është rritur pas raportimeve se një nga protestuesit e arrestuar, 26-vjeçari Erfan Soltani, mund të përballet me ekzekutim të menjëhershëm.

Ai u arrestua në qytetin Karaj, në periferi veriperëndimore të Teheranit, gjatë kulmit të protestave, përpara mbylljes së internetit.

“Amnesty International” ka ngritur alarmin për rastin e tij, duke paralajmëruar se autoritetet iraniane mund të rifillojnë gjyqet e shkurtra dhe ekzekutimet arbitrare për të shtypur çdo formë mospajtimi.

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), deri në orët e para të mëngjesit, numri i të vdekurve kishte arritur në të paktën 2 571 persona, përfshirë 12 fëmijë, ndërsa më shumë se 18 100 protestues janë arrestuar.

Ky është numri më i madh i viktimave në dekadat e fundit dhe kujton trazirat e Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Trump, gjatë intervistës, iu referua gjithashtu veprimeve të mëparshme ushtarake amerikane, të tilla si sulmet në Venezuelë dhe vrasjes së ish-liderit të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni nuk do të qëndronte pasiv.

“Nuk duam të shohim mijëra njerëz duke u vrarë. Nëse ata fillojnë të zbatojnë dënimin me vdekje, do të shohim se si do të shkojë. Nuk do të shkojë mirë”, tha presidenti amerikan, Donald Trump.

Në rrjetin e tij social “Truth Social”, Trump postoi gjithashtu një mesazh të drejtpërdrejtë për protestuesit iranianë, duke i nxitur ata të vazhdonin protestat dhe duke paralajmëruar se “ndihma ishte në rrugë e sipër”.

Në përgjigje, misioni i Iranit në OKB deklaroi se “skenari amerikan do të dështonte sërish”, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po përpiqeshin të ndryshonin regjimin përmes sanksioneve dhe presionit politik.

Ndërkohë, Rusia ka kritikuar presionin amerikan mbi Iranin, duke thënë se forcat e jashtme po synojnë të shfrytëzojnë tensionet e brendshme për të destabilizuar shtetin iranian.

Autoritetet iraniane këmbëngulin se situata është nën kontroll, megjithëse prania e forcave të sigurisë mbetet e lartë dhe ka raporte të shumta për konfiskim të pajisjeve satelitore dhe rrëfime të detyruara të transmetuara në mediet shtetërore.

Situata në Iran mbetet e tensionuar, ndërsa bashkësia ndërkombëtare po ndjek me shqetësim zhvillimet dhe rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës. //a.i/

The post SHBA – Trump: Nëse Irani ekzekuton protestuesit, do të ndërhyjmë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – 65 liderë botërorë në forumin e elitës globale

14 January 2026 at 07:35

BERLIN, 13 janar /ATSH-DPA/ – Udhëheqës botërorë, përfshirë presidentin amerikan  Donald Trump, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe presidentin e përkohshëm sirian, Ahmad al‑Sharaa, do të mbajnë fjalime në takimin vjetor të World Economic Forum (WEF) që mbahet javën e ardhshme në Davos, Zvicër.

Organizatorët njoftuan sot se 65 kryetarë shtetesh dhe qeverish, përfshirë edhe gjashtë udhëheqës të shteteve të G7‑s, do të marrin pjesë në këtë konferencë

Ky takim po zhvillohet në një sfond gjeopolitik të trazuar, ku rikthimi i Trump në pushtet ka trazuar aleancat tradicionale, ndërsa luftërat, trazirat dhe ndryshimet teknologjike të shpejta, shtojnë pasigurinë globale.

Edicioni i këtij viti mbahet me temën ”A spirit of dialogue” dhe pritet që të diskutohet rreth çështjeve kryesore si lufta në Ukrainë, protestat në Iran, si dhe e ardhmja e Gazës dhe Venezuelës.

Presidenti Trump ka qenë i pranishëm në forum personalisht në vitet 2018 dhe 2020 gjatë presidencës së tij të parë, duke përdorur këtë platformë për të nxitur agjendën e tij ”America the first”.

Vitin e kaluar, vetëm disa ditë pasi u betua për mandat të dytë, ai mbajti një fjalim në forumin e Davosit përmes lidhjes me video, duke kritikuar rregullatorët evropianë për rregulla të ashpra ndaj firmave të teknologjisë, duke inkurajuar investimet në SHBA dhe duke paralajmëruar tarifa ndaj mallrave të huaj.

Forumi në Davos njihet edhe si një vend për diplomaci  jozyrtare.

Këtë vit, takime dytësore mund të përfshijnë diskutime për rrugë drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, ndërkohë që zhvillimet gjeopolitike dhe ekonomike mbeten në qendër të vëmendjes.

Nga lista e pjesëmarrësve janë gjithashtu edhe kryeministrat e Kanadasë, Spanjës dhe Pakistanit, si dhe presidentët e Izraelit, Argjentinës dhe Republikës Demokratike të Kongos.

Udhëheqësi të kompanive kryesore të teknologjisë, përfshirë drejtuesit e Nvidia, Microsoft dhe Anthropic, pritet gjithashtu të jenë të pranishëm./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post DAVOS – 65 liderë botërorë në forumin e elitës globale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 14/01/2026

14 January 2026 at 07:33

PARIS (Francë) – Përditësimi vjetor dhe mujor i temperaturës globale nga ”Copernicus”.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Seancë dëgjimore për apel për reperin Mo Chara të Kneecap, i akuzuar për mbështetje të Hezbollahut.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Fillon gjyqi ndaj princit Harry dhe personazheve të tjerë të famshëm, përfshirë Elton John, kundër botuesit të ”Daily Mail”.

CROTONE (Itali) – Hapet gjyqi për gjashtë personel ushtarak në lidhje me mbytjen e anijes ”Cutro” të 26 shkurtit 2023, në të cilën vdiqën 94 emigrantë.

VJENË (Austri) – Publikimi i raportit mujor OPEC.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Forumi Ekonomik Botëror do të paraqesë një raport mbi rreziqet për vitin 2026.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Misioni i ekuipazhit-11 në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) do të planifikohet të niset herët për arsye shëndetësore.

KOMBET E BASHKUARA (Shtetet e Bashkuara) – Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Jemenin.

OMAN – Vizitë e kryeministres italiane, Giorgia Meloni./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 14/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot kryesisht i kthjellët, me mjegull dhe ngrica në orët e mëngjesit

14 January 2026 at 07:30

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Vendi ynë do të ndikohet sot nga kushte të qëndrueshme atmosferike.

Moti parashikohet kryesisht i kthjellët në të gjithë territorin, ndërsa vranësirat do të jenë të pakta deri mesatare kalimtare, kryesisht në zonat veriore dhe pjesërisht në qendër të vendit.

Në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes, përgjatë zonave luginore pritet prezencë e mjegullës së dendur, si dhe ngrica të forta në akset rrugore, si pasojë e temperaturave në vlera negative.

Era do të fryjë me drejtim verilindje-juglindje, me shpejtësi mesatare rreth 4 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në lugina era do të arrijë shpejtësi deri në 7 m/sek, duke sjellë dallgëzim në detet me forcë 1-2 ballë.

Temperaturat minimale dhe maksimale parashikohen si më poshtë:/r.e/

The post Moti sot kryesisht i kthjellët, me mjegull dhe ngrica në orët e mëngjesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kryepeshkopi Joan zhvillon takime në Bruksel me zyrtarë të lartë të BE

13 January 2026 at 23:08

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Kryepeshkopi i Shqipërisë, imzot Joani zhvilloi sot në Bruksel një seri takimesh me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në institucionet europiane.

Gjatë kësaj vizite, kryepeshkopi Joan u takua me komisionerin europian për Transportet e Qëndrueshme dhe Turizmin, Apostolos Tzitzikostas. Biseda u përqendrua në rëndësinë historike të veprës së kryepeshkopit të lumur Anastas dhe në vizionin e Fortlumturisë së Tij për të ardhmen e Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Kryepeshkopi theksoi angazhimin e tij që Kisha të mbetet një zë i fuqishëm, i pavarur dhe aktiv në shoqërinë shqiptare, e cila përballet me sfida të rëndësishme si emigracioni i të rinjve dhe ndryshimet demografike.

Gjithashtu, Fortlumturia e Tij u takua me kryetarin e Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, eurodeputetin Marco Tarquinio, takim që mbart rëndësi të veçantë për shkak të rolit kyç që ky delegacion luan në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Në vijim, kryepeshkopi Joan zhvilloi një takim me bashkëkryetaren e grupit të punës për Dialogun Ndërfetar në Parlamentin Europian, eurodeputeten Željana Zovko, gjatë të cilit u diskutuan çështje që lidhen me lirinë fetare në Europë. Gjatë bisedës u theksua modeli i bashkëjetesës harmonike ndërfetare në Shqipëri, si dhe sfidat me të cilat përballen komunitetet fetare, veçanërisht në lidhje me çështjet pronësore.

Në të gjitha takimet, Fortlumturia e Tij nënvizoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është i dobishëm jo vetëm për komunitetet fetare dhe Kishën Orthodhokse të Shqipërisë, por edhe për popullin shqiptar dhe për vetë Europën.

Këto takime u zhvilluan në kuadër të vizitës së kryepeshkopit Joan në Bruksel, nga 12 deri më 15 janar 2026, me rastin e konferencës që do të mbahet më 14 janar në Parlamentin Europian, me temë “Jeta, Vepra dhe Trashëgimia e Kryepiskopit të lumur Anastas”, e organizuar nga Parlamenti Europian në nderim të kryepeshkopit Anastas, në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta.

Prania e kreut të Kishës Ortodokse të Shqipërisë në qendrën e institucioneve europiane vlerësohet si e rëndësishme në këtë moment të rëndësishëm për procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kisha Ortodokse e Shqipërisë, përmes veprimtarisë së saj të gjerë sociale, arsimore dhe shpirtërore, vazhdon të mbetet një urë lidhëse e rëndësishme mes Shqipërisë dhe Europës.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Kryepeshkopi Joan zhvillon takime në Bruksel me zyrtarë të lartë të BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Ministrja e Energjisë e Groenlandës: Pushtimi nga SHBA do të ishte sulm ndaj NATO-s

13 January 2026 at 22:41

LONDËR, 13 janar /ATSH-DPA/ – Një pushtim i Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të konsiderohej një sulm ndaj të gjithë aleatëve të NATO‑s, tha ministrja e Energjisë e territorit danez.

Në një konferencë shtypi sot në Londër, Naaja Nathanielsen deklaroi se një veprim ushtarak i SHBA‑s do të përfaqësonte shembjen e forces së ligjit dhe do të detyronte aleatët perëndimorë të pyesnin se çfarë do të thotë ky rend i ri botëror.

Kur u pyet nëse Groenlanda do të priste mbështetje nga NATO në rast një pushtimi, ajo tha se nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, sepse ajo mendonte se një vend që do të sulmohej nga një tjetër aleat i NATO‑s, të gjithë ne do të ishim nën sulm.

Nathanielsen shtoi se Groenlanda ndihej  e tradhtuar nga kërkesat e presidentit amerikan Donald Trump për të aneksuar territorin gjysmëautonom të Danimarkës.

Vizita e saj në Britaninë e Madhe erdhi ndërsa SHBA‑ja vazhdoi të kërcënonte se do të merrte nën kontroll këtë territor, i cili sipas Trump është jetik për sigurinë kombëtare amerikane.

Një anëtar i Partisë Republikane të Donald Trump prezantoi dje një legjislacion për aneksimin e Groenlandës si shteti i 51‑të i SHBA‑së.

Ministrat e Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës do të vizitojnë nesër Uashingtonin për një takim me zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Ministrja e Energjisë e Groenlandës: Pushtimi nga SHBA do të ishte sulm ndaj NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌