KIEV – Qeveria financon pronarët e banesave për gjeneratorë, mes krizës energjetike pas sulmeve ruse
KIEV, 9 shkurt /ATSH-DPA/ – Qeveria ukrainase do të ofrojë mbështetje për pronarët e banesave në blerjen e gjeneratorëve dhe burimeve të tjera të energjisë, mes sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj sistemit energjetik të vendit.
Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi sot këtë politikë pas konsultimeve me kryeministren Yulia Svyrydenko.
Sipas presidentit Zelensky, blerja e furnizimit autonom me energji duhet të bëhet më e përballueshme për shoqatat e pronarëve të pallateve dhe për pronarët e shtëpive individuale.
Ai e bëri këtë njoftim në video mesazhin e mbrëmjes.
Në një program tjetër të posaçëm për bizneset, autoritetet kanë marrë tashmë rreth 20 mijë aplikime për subvencione për mirëmbajtjen dhe riparimin e gjeneratorëve.
“Për më tepër, janë dhënë kredi pa interes në vlerën e gjysmë miliardi hryvnia (rreth 11,6 milionë dollarë) për blerjen e gjeneratorëve”, tha presidenti ukrainas.
Megjithatë, kërkesa pritet të jetë shumë më e madhe.
Një valë sulmesh ajrore ruse që nga fillimi i janarit ka dëmtuar rëndë furnizimin me energji në Ukrainë, duke bërë që Kievi, Kharkivi dhe qytete të tjera të mbeten pothuajse pa energji elektrike dhe ngrohje gjatë ngricave të forta.
Në kryeqytet, më shumë se 1 100 blloqe banimi nuk do të mund të ngrohen deri në pranverë.
Ndërkohë, kompanitë po mbajnë në funksion aktivitetet e tyre duke përdorur gjeneratorë me naftë.
Kompania shtetërore e energjisë, “Ukrenergo”, ka njoftuar gjithashtu ndërprerje të energjisë për disa orë në të gjitha rajonet e vendit edhe për të martën./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post KIEV – Qeveria financon pronarët e banesave për gjeneratorë, mes krizës energjetike pas sulmeve ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.