Pikat e kalimit kufitar, masa të shtuara për të përballuar lëvizjet gjatë festave
TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Pikat e kalimit kufitar kanë shtuar masat dhe personelin për të siguruar lëvizje të shpejtë e pa probleme të qytetarëve dhe mjeteve gjatë festave të fundvitit.
Drejtorët e departamenteve për Kufirin dhe Migracionin dhe për Sigurinë Publike, Saimir Muçaj dhe Dhimitraq Ziu, zhvilluan sot një inspektim në Kakavijë për të verifikuar zbatimin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe krijimin e lehtësirave në pikat e kalimit kufitar gjatë periudhës së fundvitit dhe ditëve të para të Vitit të Ri 2026.
Sipas drejtorit të Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Drejtues i Lartë Dhimitraq Ziu, janë intensifikuar masat për monitorimin e qarkullimit rrugor, duke përdorur mjetet inteligjente dhe patrullat e lëvizshme, dhe në këtë kuadër dua t’u bëj një apel gjithë drejtuesve të mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit: stop shpejtësisë, alkoolit në timon, parakalimeve të gabuara. Ai kishte edhe një apel për prindërit: mos u jepni automjetet fëmijëve që s’kanë mbushur moshën dhe s’janë pajisur me leje drejtimi.
“Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat vijojnë patrullimet në çdo lagje, shesh e rrugë, dhe natën festive do të koordinojmë veprimet edhe me Policitë Bashkiake përkatëse, në sheshet ku do të kryhen ceremoni festive gjatë ndërrimit të viteve”, tha Ziu, ndërsa në gadishmëri janë edhe Forca Kombëtare e Sigurisë dhe RENEA.
Ziu theksoi se po ushtrohen kontrolle për parandalimin e tregtimit të kapsollave dhe fishekzjarreve dhe u bëri thirrje prindërve që të mos i lejojnë fëmijët të përdorin lëndë piroteknike, por as ata vetë, pasi përdorimi pa kriter i tyre është i ndaluar.
Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Muçaj u shpreh në një prononcim për mediet se ky inspektim zhvillohet në kuadër të një turi inspektimi të masave të marra nga Policia e Shtetit për përballimin e flukseve të shtuara të qarkullimit ndërkufitar në Pikat e Kalimit Kufitar dhe për garantimin e sigurisë publike gjatë festave të fundvitit.
“Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, që në fillim të muajit, ka miratuar dhe po zbaton një plan masash me detyra konkrete, në zbatim të planit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërkohë që të gjitha shërbimet janë në shërbim të përforcuar”, tha Muçaj.
Muçaj cilësoi se janë shtuar sportelet dhe numri i punonjësve të Policisë, veçanërisht në Pikat e Kalimit Kufitar me Greqinë dhe në pikat e tjera me fluks të lartë, ku prej dy javësh punohet me kapacitet të plotë logjistik dhe njerëzor.
“Po ashtu, është intensifikuar bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit me vendet fqinje, në mënyrë të veçantë me Policinë Kufitare greke, si dhe është aplikuar procedura e lehtësuar e kalimit kufitar aty ku ka qenë e nevojshme.
Qendrat e Bashkëpunimit Policor janë në shërbim të pandërprerë për shkëmbimin e informacionit në kohë reale, ndërsa personel shtesë është angazhuar për monitorimin e situatës dhe mbështetjen e strukturave vendore”, vijoi ai.
Gjatë kësaj periudhe është shënuar një rritje e qarkullimit ndërkufitar rreth 10,5% krahasuar me vitin e kaluar, jo vetëm të shtetasve shqiptarë, por edhe të vizitorëve të huaj.
Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Migracionit janë të përkushtuara për të garantuar një kalim sa më të lehtë dhe të sigurt për bashkëkombasit tanë dhe vizitorët e huaj, si dhe për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit ndërkufitar gjatë kësaj periudhe festive.
/e.i/r.e/
The post Pikat e kalimit kufitar, masa të shtuara për të përballuar lëvizjet gjatë festave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.