Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

KINË – Përurohet tuneli-autostradë më i gjatë në botë

28 December 2025 at 14:09

XINJIANG, 28 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Tuneli-autostradë ”Tianshan Shengli”, në provincën Xinjiang, është hapur për trafik dhe me 22,13 kilometrat e tij, është quajtur më i gjati në botë.

Tuneli kalon nëpër malet Tianshan, në rajonin autonom ujgur të Xinjiangut, duke e zvogëluar një udhëtim të rrezikshëm disaorësh malor në rreth 20 minuta.

Tuneli është një pjesë kyçe e Autostradës G0711 Urumqi-Yuli, e cila gjithashtu filloi të operojë të premten dhe që lidh qendrat urbane në Xinjiangun verior dhe jugor.

Me një shtrirje prej 2 500 kilometrash, malet Tianshan presin Xinjiang qendror, duke ndarë kryeqytetin provincial Urumqi, qytetin më të madh në veri, nga Korla, qyteti më i madh në jug.

Me hapjen e autostradës, koha e udhëtimit midis Urumqit dhe Korlës është reduktuar nga rreth shtatë orë në tri.

Autostrada, e ndërtuar gjatë pesë viteve, është 324,7 kilometra e gjatë dhe kërkoi një investim total prej 6,63 miliardë dollarësh.

Ndërtimi i tunelit u përball me sfida ekstreme, pasi, përveç gjatësisë së tij prej 22,13 kilometrash, ai arrin një thellësi maksimale prej 1 112 metrash, kalon 16 zona të çara gjeologjike dhe përballet me pesë sfida kryesore: stres të lartë në tokë, intensitet të lartë sizmik, kërkesa të rrepta mjedisore, të ftohtë ekstrem dhe lartësi të madhe.

Për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, ndërtuesit kinezë kanë zbatuar zgjidhje inovative: ndërtimin e rrugëve hyrëse miqësore me mjedisin për të minimizuar ndikimin mjedisor dhe për të përmirësuar efikasitetin e transportit të materialeve; miratimin e një metode ndërtimi që reduktoi kohën e ndërtimit të tunelit kryesor me më shumë se një të katërtën dhe përdorimin e makinës së parë të Kinës për shpimin e tunelit me shkëmbinj të fortë nën presion./  a.jor.

The post KINË – Përurohet tuneli-autostradë më i gjatë në botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Eksportet e industrisë të mbrojtjes arritën rekord prej 27 miliardë dollarësh në vitin 2025

26 December 2025 at 18:11

LONDER, 26 dhjetor /ATSH-AA/ – Britania e Madhe ka regjistruar vlerën e saj më të lartë vjetore të eksporteve të mbrojtjes në vitin 2025, me shifrat e qeverisë që tregojnë më shumë se 20 miliardë funta (rreth 27 miliardë dollarë) marrëveshje të siguruara, duke shënuar performancën më të fortë që nga fillimi i regjistrimeve më shumë se 40 vjet më parë.

Qeveria britanike tha se marrëveshjet demonstrojnë përparim të shpejtë në qëllimin e saj të rishikimit strategjik të mbrojtjes për ta bërë mbrojtjen një nxitës të rritjes ekonomike, duke përforcuar lidhjet ushtarake me aleatët e NATO-s mes tensioneve të larta globale.

Marrëveshjet kryesore përfshijnë atë që ministrat e përshkruan si marrëveshja më e madhe e eksportit të anijeve luftarake të Britanisë deri më sot, një kontratë prej 10 miliardë funtash (13.5 miliardë dollarë) me Norvegjinë për të paktën pesë fregata të Tipit 26.

Marrëveshja pritet të mbështesë rreth 4 mijë vende pune në të gjithë Britaninë dhe të përfshijë mbi 430 kompani, shumë prej të cilave furnizues të vegjël dhe të mesëm. Qeveria siguroi atë që e quajti marrëveshja më e madhe e eksportit të avionëve luftarakë “në një brez”, duke rënë dakord të shesë 20 avionë Typhoon në Turqi në një marrëveshje me vlerë prej 8 miliardë funta (10.7 miliardë dollarë).

Ministrat thonë se marrëveshja do të mbështesë rreth 20 mijë vende pune, veçanërisht në Lancashire dhe Skoci, duke forcuar krahun jugor të NATO-s.

“Ne po tregojmë përsëri se si kjo qeveri po përmbush premtimin tonë për ta bërë mbrojtjen një motor për rritjen ekonomike në të gjithë vendin, duke rritur njëkohësisht sigurinë tonë dhe atë të aleatëve tanë”, tha ministri i Shtetit për Gatishmërinë dhe Industrinë e Mbrojtjes, Luke Pollard.

Ai theksoi se duke fituar marrëveshjen historike për të ndërtuar fregata të Tipit 26 për Norvegjinë, vendi po nxit rritjen në Skoci dhe në të gjithë Britaninë, teksa pajis më mirë marinat e vendit për t’iu kundërvënë kërcënimit nga Rusia në Atlantikun e Veriut.

“Dhe, duke eksportuar avionë luftarakë Typhoon në Turqi, ne po sigurojmë vende pune me aftësi të larta në Lancashire, në Skoci dhe në të gjithë Britaninë, teksa ndihmojmë në forcimin e krahut jugor të NATO-s”, shpjegoi ai.

“Ne jemi të përkushtuar të punojmë me aleatët tanë dhe industritë e mbrojtjes për t’u siguruar se Britania është një lider në eksportet globale të mbrojtjes dhe ka më shumë për të ardhur në vitin 2026”, shtoi ai.   /os/

The post BM – Eksportet e industrisë të mbrojtjes arritën rekord prej 27 miliardë dollarësh në vitin 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mariah Carey vendos rekord historik në Billboard me hitin e Krishtlindjeve

By: xhir jeta
26 December 2025 at 15:47

Mariah Carey ka hyrë sërish në histori të muzikës botërore. Kënga e saj ikonike “All I Want for Christmas Is You” ka çuar artisten amerikane në një rekord të paprecedentë: 100 javë në vendin e parë të Billboard Hot 100, duke e bërë Carey artisten e parë që arrin këtë shifër që nga themelimi i renditjes 67 vite më parë.

Sipas Billboard, deri më 22 dhjetor 2025, hiti i Krishtlindjeve mban javën e 21-të në total në krye të Hot 100, duke zgjeruar më tej rekordin si kënga me qëndrimin më të gjatë në vendin e parë nga një artiste femër. Pas Carey-t renditen Rihanna me 60 javë, The Beatles me 59 dhe Drake me 56 javë në krye të klasifikimit.

“All I Want for Christmas Is You”, e publikuar fillimisht në vitin 1994, është rikthyer në vendin e parë për sezonin e shtatë radhazi të festave, duke u shndërruar në simbol global të Krishtlindjeve. Vetëm kjo këngë përbën 21 nga 100 javët e Carey-t në vendin e parë, nga 19 këngë që ajo ka pasur në krye të Billboard Hot 100 gjatë karrierës së saj, shkruan KultPlus.

Gjatë javës së fundit të matjes, kënga regjistroi 43.6 milionë dëgjime në SHBA, 28 milionë dëgjues në radio dhe mijëra shkarkime digjitale. Paralelisht, Shoqata Amerikane e Industrisë së Regjistrimeve (RIAA) e certifikoi këngën me 18x Platinum, duke e bërë singlin më të certifikuar ndonjëherë nga një artiste femër në SHBA.

Me këtë arritje, Mariah Carey forcon edhe më tej statusin e saj si një nga figurat më të mëdha të historisë së muzikës pop dhe si “Mbretëresha e Krishtlindjeve”, një titull që duket se vazhdon të justifikohet çdo vit.

Euro, rënie rekord/ Bie në 96 lekë, ndikon ardhja e emigrantëve për festa

By: xhir jeta
25 December 2025 at 13:22

Monedha europiane ka vijuar të dobësohet përballë lekut në javët e fundit të këtij viti. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë këtë javë monedha europiane  po këmbehet me 96.46 lekë një prej niveleve më të ulëta të regjistruara ndonjëherë. Nëse bëjmë një krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë monedha europiane ka pësuar një dobësim me gati 2 pikë pasi këmbehej me rreth 98,46 lekë.

Por pavarësisht kësaj rënia vjetore e kursit mbetet  në nivele më të stabilizuara krahasuar me vitet e mëparshme. Kundrejt të njëjtës datë të vitit të kaluar, kursi Euro-Lek rezulton në rënie me 2.1%.

Kjo situatë sipas agjentëve të këmbimit valutor ka ardhur pasi  në ditët e fundit në treg po qarkullon sasi e shtuar  e valutës së huaj, çka përfaqëson një tendencë pak a shumë të zakonshme sezonale. Kjo ndikohet më së shumti nga kthimi i emigrantëve për festat e fundvitit duke sjellë më të ardhura pranë familjeve të tyre.

Banka e Shqipërisë planfikon të tërheqë deri në 450 milionë euro nga tregu vitin e ardhshëm. Ajo do të shtojë ndërhyrjet,   ku sipas kalendarit te publikuar pritet te terhiqen rreth 100 milione euro me shume se planifikimi per kete vit. Nderhyrjet kryhen per efekt te reserves valutore por edhe me qëllim stabilizimin e kursit te kembimit.

Banka Qendrore ka kryer blerje të konsiderueshme të valutës edhe gjatë vitit 2025 dhe deri në fund të 9-mujorit, këto blerje kishin vlerën e rreth 800 milionë eurove.

Çmimi i arit shënon një rekord të ri, ja cilët janë faktorët që çuan në rritje të kësaj vlere

By: armand
23 December 2025 at 22:48

Është shënuar rekordi i parë që nga çmimi më i lartë i metalit të arit që nga ai i shënuar në tetor, kur kursi kapi shifrën pak mbi 4.380 dollarë për onse ose për 31,1 gram. Ari dje mbërriti çmimin 4.420 dollarë. Kësisoj metali i çmuar pak para fundit të vitit shënon një plus vjetor […]

The post Çmimi i arit shënon një rekord të ri, ja cilët janë faktorët që çuan në rritje të kësaj vlere appeared first on BoldNews.al.

FOKUS – Konfliktet rritin në nivele rekord fitimet nga tregtia e armëve

1 December 2025 at 07:14

KOPENHAGË, 1 dhjetor /ATSH-DPA/ – Prodhuesit globalë të armëve arritën nivele rekord fitmesh në vitin 2024, të nxitura nga luftërat dhe tensionet gjeopolitike, sipas të dhënave të publikuara sot nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen, me qendër në Stokholm (SIPRI).

100 kompanitë më të mëdha të mbrojtjes në botë rritën të ardhurat e tyre të kombinuara nga shitja e armëve dhe shërbimet ushtarake të lidhura me to me një shifër të rregulluar sipas inflacionit prej 5,9% vitin e kaluar, duke arritur në rreth 679 miliardë dollarë, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

SIPRI tha se ”kërkesa u nxit kryesisht nga luftërat në Ukrainë dhe Gaza, rritja e fërkimeve gjeopolitike në nivel global dhe rajonal dhe rritja e vazhdueshme e shpenzimeve ushtarake”.

”Shumë kompani zgjeruan linjat e prodhimit, ndërtuan objekte të reja, themeluan filiale ose blenë konkurrentë për të përmbushur kërkesën”, tha grupi i ekspertëve.

Shtetet e Bashkuara mbetën forca dominuese në treg, me 39 nga 100 firmat kryesore.

Të ardhurat e tyre nga mbrojtja u rritën me 3,8% ose 334 miliardë dollarë, gati gjysma e totalit global.

Në Evropë, të ardhurat nga armët u rritën me 13% ose 151 miliardë dollarë, të nxitura nga kërkesa e fortë e lidhur me luftën në Ukrainë dhe një ndjenjë në rritje kërcënimi nga Rusia.

Katër firmat e mbrojtjes të listuara në Gjermani – ”Rheinmetall” (e renditur e 20-ta), ”ThyssenKrupp” (61), ”Hensoldt” (62) dhe ”Diehl” (67) – së bashku shënuan një rritje të habitshme prej 36% ose 14,9 miliardë dollarë./  a.jor.

The post FOKUS – Konfliktet rritin në nivele rekord fitimet nga tregtia e armëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFTNEWS – Ora e Isidor Straus, pasagjer në “Titanik”, shitet me çmim rekord

24 November 2025 at 12:47

UAJLTSHAJËR (ANGLI), 24 nëntor  /ATSH/ – Një orë xhepi prej ari, e cila u gjet në trupin e një prej pasagjerëve më të pasur të Titanikut, u shit për 1,78 milion paund në një ankand në Uajltshajër, një çmim që u cilësua “rekord botëror”, sipas BBC.

Ora i përkiste Isidor Straus, bashkëpronar i dyqanit të famshëm “Macy’s” në New York, i cili humbi jetën së bashku me bashkëshorten e tij Ida kur anija u përplas me një ajsberg më 14 prill 1912.

Trupi i Straus u gjet disa ditë pas mbytjes dhe mes sendeve të tij personale ishte edhe ora prej 18 karatësh e markës “Jules Jurgensen”. Ajo kishte mbetur në familje për më shumë se një shekull, deri sa pasardhësit e tij vendosën ta nxirrnin në shitje. Ora ishte ndalur në 02:20,  momenti kur “Titaniku” u zhduk nën valët e Atlantikut.

Isidor dhe Ida Straus njihen për historinë e tyre prekëse të dashurisë. Në natën e tragjedisë, Ida raportohet se refuzoi vendin në varkën e shpëtimit, duke thënë se nuk do të linte vetëm burrin e saj. Trupi i saj nuk u gjet kurrë.

Në ankand u shit edhe një letër e shkruar nga Ida gjatë udhëtimit me “Titanikun”, për 100 000 paund.

Pjesë të tjera të rralla përfshijnë listën e pasagjerëve të anijes, e cila u ble për 104 000 paund, si dhe një medalje ari e dhënë ekuipazhit të anijes” Carpathia”, që shpëtoi më shumë se 700 të mbijetuar, e shitur për 86 000 paund. Në total, ankandi i objekteve të lidhura me “Titanikun” arriti vlerën 3 milion paund.

Ora mendohet të ketë qenë një dhuratë 43-vjetori nga Ida për Isidorin, në vitin 1888, dhe është e gdhendur me inicialet e tij. Ajo u trashëgua brez pas brezi përpara se stërnipi Kenneth Hollister Straus t’i rikthente funksionimin përmes restaurimit profesional.

Një vit më parë, një orë e artë e dhuruar kapitenit të anijes “Carpathia” ishte shitur për 1,56 milion paund, duke mbajtur atëherë rekordin. Ora e Strausit e tejkaloi këtë shifër, duke u bërë objekti më i shtrenjtë i lidhur me “Titanikun” që është shitur ndonjëherë. /Ad.Ab./

 

The post SOFTNEWS – Ora e Isidor Straus, pasagjer në “Titanik”, shitet me çmim rekord appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bie Shqipëria, Kosova rekord/ Kuqezinjtë humbin dy vende në renditjen botërore nga FIFA

By: xhir jeta
20 November 2025 at 12:38

Ky klasifikim është i rëndësishëm, ndonëse nuk është gjithçka. Kombëtarja shqiptare e futbollit ndoshta mund të mërzitet pak sepse ka humbur dy vende në renditjen botërore të FIFA-s për periudhën nga 17 tetori deri në 19 nëntor, por pikërisht këtë muaj realizoi diçka që nuk e kishte bërë kurrë, u kualifikua për në plej ofin e Kupës së Botës.

Kuqezinjtë janë në vendin e 63-të të tabelës planetare, me 1401.7 pikë, 0.27 pikë më pak sesa në tetor.

Kjo sepse fitorja me Andorrën, edhe pse na dha kualifikimin, vlen pak për shkak të nivelit të rivalit, ndërsa ndeshja tjetër ndaj Anglisë u humb.

Do të kishte qenë krejt tjetër nëse do t’u kishim marrë pikë nënkampionëve të Europës.

Natyrisht, janë hequr pikët e periudhës shtator-tetor, kur fituam në Serbi. Kosova ndërkaq vazhdon ngjitjen dhe vendosi një rekord.

Për herë të parë mban vendin e 80-të në renditjen e FIFA-s, me plus 4 vende në krahasim me muajin e kaluar, dhe me 11 vende në krahasim me shtatorin.

Skuadra e trajnerit Franko Foda e arriti këtë me fitoren 2-0 në Slloveni dhe barazimin 1-1 kundër Zvicrës.

Le të kujtojmë se një vit më parë, “dardanët” ishin në vendin e 101-të, pra ka ngjitje me 21 pozicione. Renditjen Botërore e kryeson Spanja, kampione e Europës, e ndjekur nga Argjentina kampione e botës dhe nga Franca, Anglia e Brazili.

Portreti i Gustav Klimt thyen rekordin e artit modern me një shitje prej 236 milionë dollarësh

19 November 2025 at 11:55

LONDËR, 19 nëntor /ATSH/- Një pikturë e Gustav Klimt u shit dje në mbrëmje për 236,4 milionë dollarë, një rekord për një vepër të artit modern, sipas AP.

Portreti i “Elisabeth Lederer” i realizuar nga Klimt u shit pas një lufte ofertash 20-minutëshe në Sotheby’s në Nju Jork.

Portreti 1,8 metra i lartë, i pikturuar gjatë tre viteve midis viteve 1914 dhe 1916, përshkruan vajzën e një prej familjeve më të pasura të Vjenës – të stolisur me një mantel perandori të Azisë Lindore.

Piktura shumëngjyrëshe përshkruan jetën luksoze të familjes Lederer përpara se Gjermania naziste të aneksonte Austrinë në vitin 1938.

“Nazistët plaçkitën koleksionin e artit të Lederer, duke lënë vetëm portretet e familjes, të cilat u konsideruan “shumë hebraike” për t’u vjedhur”, sipas Galerisë Kombëtare të Kanadasë, ku piktura ishte huazuar.

Në një përpjekje për të shpëtuar veten, Elisabeth Lederer shpiku një histori se Klimt -(i cili nuk ishte hebre dhe vdiq në vitin 1918) – ishte babai i saj.

Me ndihmën e ish-kunatit të saj, një zyrtar i lartë nazist, ajo i bindi nazistët t’i jepnin një dokument që deklaronte se ajo ishte e bija e Klimt. Kjo i lejoi asaj të qëndronte e sigurt në Vjenë deri sa vdiq nga një sëmundje në vitin 1944.

Portreti ishte pjesë e koleksionit të miliarderit Leonard A. Lauder, trashëgimtar i gjigantit të kozmetikës “The Estée Lauder Companies”.

Ai vdiq këtë vit në moshën 92-vjeçare, duke lënë pas një koleksion mbresëlënës me vlerë më shumë se 400 milionë dollarë.

Ankandi Sotheby’s nuk pranoi të ndante identitetin e blerësit të portretit.

Shitja e portretit “Elisabeth Lederer”, theu një rekord të mëparshëm të artit të shekullit XX – të arritur nga një portret i Marilyn Monroe – i realizuar nga Andy Warhol – i cili u shit për 195 milionë dollarë në vitin 2022.

“Pesë vepra të Klimt nga koleksioni i Lauder u shitën në ankand për një total prej 392 milionë dollarësh”, tha Sotheby’s.

Vepra të realizuara nga Vincent van Gogh, Henri Matisse dhe Edvard Munch ishin ndër më të shiturat. //a.i/

 

 

 

 

The post Portreti i Gustav Klimt thyen rekordin e artit modern me një shitje prej 236 milionë dollarësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Çmendet” edhe tregu i qirave në Tiranë, fluturojnë çmimet e apartamenteve, arrijnë në nivele rekord

By: V K
17 November 2025 at 09:22

Sipas të dhënave të indeksit “Keydata”, të vëna në dispozicion për Monitor në 32 zonat kadastrale të Tiranës për 11 njësitë bashkiake, rezultojnë se çmimet mesatare të shitjes të apartamenteve në 20 vite janë 2 deri 3-fishuar.

Indeksi përfshin të dhëna për çmimet mesatare të apartamenteve mbi bazë të dhënash për apartamentet ekzistuese, pra për ndërtesë të ndërtuara 5, 10 apo 15 vite më parë, por dhe një numër të ulët të apartamenteve të reja.

Llogaritja e çmimeve mesatare, përfshin periudhën nga janar 2005 deri në muajin qershor 2025.

Referuar të dhënave të indeksit “Keydata”, deri në qershor 2005 në njësinë bashkiake nr.1 çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve është 670 euro për metër katror.

Në 6-mujorin e parë të 2025 në këtë njësi çmimi mesatar ka arritur 1,522 euro për metër katror. Në 20 vite çmimet mesatarë të shitjes së apartamenteve janë rritur 127% apo gati 1.3 herë më shumë.

Njësia nr.1 është e ndarë në dy zona kadastrale: 1/1 Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë, Depo e Ujit; 1/2 Poligrafiku, Shkoza, Autotraktorët, fshati Shkozë, Lana Bregas, Linzë, Sauk.

Në njësinë bashkiake nr.2 për 6 mujorin e parë të 2005, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve ishte 720 euro për metër katror. Në 6 mujorin e parë 2025, sipas të dhënave të Keydata, çmimi mesatar ka arritur 1,988 euro për metër katror.

Në 20 vite çmimet në këtë njësi janë rritur 176% apo gati është arritur 3-fishim i tyre. Njësia nr.2 është e ndarë në zonat kadastrale, si : 2/1 Piramida, ish stadiumi “Qemal Stafa”; 2/2 Pazari i Ri, 9-katëshet, shkolla “Avni Rustemi”; 2/3 Ministria e Jashtme, Ambulanca nr.1, Bërryli; 2/4 Shkolla e Baletit, Ambasada Amerikane; 2/5 Qyteti “Studenti”, Fakulteti Ekonomik, Varrezat e Dëshmorëve, Sauk, Selitë.

Në njësinë bashkiake nr.3, për 6 mujorin e parë të 2005 çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve ishte 520 euro për metër katror.

Në 6 mujorin e parë 2025 sipas të dhënave të “Keydata” çmimi mesatar ka arritur 1,503 euro për metër katror. Në 20 vite çmimet në këtë njësi janë rritur 189% apo gati 3-fishim i tyre. Njësia nr.3 është e ndarë në këto zona kadastrale: 3/1 Xhamllëku, Profarma, rruga “Bardhyl”, rruga “Kongresi i Manastirit”, Bulevardi “Zhan D’Ark”; 3/2) Porcelani, IK V, Kinostudio, rruga “Hoxha Tahsim”, Lana e vjetër, fshati Linzë.

Në njësinë bashkiake nr.4 çmimi mesatar në qershor 2025 arriti 1,524 euro për metër katror nga 576 euro për metër katror që ishin në qershor 2005. Çmimet janë shtrenjtuar 1.6 herë më shumë për 20 vite.

Njësia përfshin zona kadastrale, si: 4/1 Kompleksi i spitaleve, SHIK, Oxhaku, Allias i ri, fshati Tufinë; 4/2 Allias, rruga “Njazi Meka”, Bregu i Lumit, Alliasi i Ri, rruga “Myslym Keta” “5 Maji”.

Si kanë ndryshuar çmimet në zonat e ish Bllokut, komunës së Parisit dhe Liqenit artificial

Në njësinë bashkiake nr.5 që përfshin disa zona pranë qendrës, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve deri në 6 mujorin e parë 2005 ishte 742 euro për metër katror. Në 2025 për këtë njësi çmimi ka arritur 2,153 euro për metër katror.

Çmimet janë 3-fishuar për periudhën 2005 deri qershor 2025. Njësia nr.5 përfshin zonat kadastrale, si: 5/1 Ish–Blloku, Libri Universitar, Vodafone; 5/2 Stadiumi “Selman Stermasi”, Shushica, Liqeni Artificial; 5/3 Kopshti Botanik, rruga “Komuna e Parisit” Liqeni artificial; 5/4 Hotel “Diplomat”, blloku “Vasil Shanto”, Selitë e Vogël.

Për zonën e ish Bllokut, indeksi llogarit çmime më vete, ku çmimi mesatar në 2025 ka arritur 2,660 euro për metër katror. Krahasuar me 2005 çmimet gati 3.4 herë më të larta.

Si kanë ndryshuar çmimet në njësitë e tjera bashkiake

Për njësitë bashkiake nr.6 që përfshin zonat si shkolla teknologjike, Kombinat dhe Sharrë çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve deri në qershor 2025 arriti 1,419 euro për metër katror dhe njësia te njësia nr.7 që përfshin zona rreth ish Ekspozitës, Unaza e Re, fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, NSHRAK çmimi mesatr ka arritur 1,850 euro për metër katror. Edhe në këto njësi çmimet në 20 vite janë 3-fishuar.

Deri në qershor 2025 në njësinë bashkiake nr.8 çmim mesatar i shitjes së apartamenteve arriti 1,915 euro për metër katror. Krahasuar me 6-mujorin e parë 2005 çmimet janë 1.5 herë më të larta.

Për njësinë nr.9 çmim mesatar i shitjes së apartamenteve arriti 1,915 euro për metër katror. Krahasuar me 6-mujorin e parë 2005 çmimet janë 1.5 herë më të larta. Për njësinë nr.9, çmimi mesatar i shitjes në 2025 arriti 1,825 euro për metër katror gati 1,6 herë më të shtrenjta sesa 2005. Këto njësi bashkiake përfshijnë zona si: pranë tregut të Medresë, gjimnazit Partizani, Selvisë, Bulevardi Zogu I etj.

Për njësinë nr.10 që përfshin zona kadrastrale, si: 10/1 PTT, Telekomi, ish-Lidhja e Shkrimtarëve; 10/2 Rruga “Myslym Shyri”, Drejtoria e Policisë, Kisha katolike; 10/3 Blloku i Ambasadave, Prokuroria, Rruga e Durrësit, çmimet e shitjes arritën në qershor të 2025 në 2,316 euro. Krahasuar me 20 vite më parë çmimet në këtë njësi janë shtrenjtuar 177%, gati 3-fish më shumë.

Në njësinë nr.11 që përfshin disa zona si Don Bosku, Zogu i Zi etj deri në qershor të 2025 çmimi mesatari shitjes së apartamenteve ka arritur 1,572 euro për metër katror. Krahasuar me 2005 edhe për këtë njësi çmimet janë 3-fishuar./Monitor

The post “Çmendet” edhe tregu i qirave në Tiranë, fluturojnë çmimet e apartamenteve, arrijnë në nivele rekord appeared first on Albeu.com.

Dygolëshi në Tiranë, Kane thyen rekordin e Pele’: Ndaj Shqipërisë ishte e vështirë

16 November 2025 at 20:51

TIRANË, 16 nëntor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare pësoi humbjen e 8-të radhazi ndaj Anglisë, duke mos arritur sërish ta ndalë dominimin e “Tre Luanëve”.

Megjithatë, kuqezinjtë treguan mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania” karakter dhe krijuan disa raste të rëndësishme për shënim, të cilat nuk arritën t’i konkretizojnë, duke u ndëshkuar nga eksperienca e Harry Kane.

Sulmuesi dhe kapiteni i Anglisë arriti të shënojë golat e tij të 77-të dhe 78-të me fanellën kombëtare, duke thyer rekordin e legjendës braziliane Pele dhe duke hyrë kështu më thellë në historinë e futbollit botëror. Golat e Kane nuk ishin vetëm një moment personal i madh, por edhe vendimtar për rezultatin përfundimtar 0-2 në favor të Anglisë.

Pas ndeshjes, kapiteni i Anglisë pranoi se kjo fitore nuk erdhi lehtësisht.

“Ishte me të vërtetë një ndeshje e vështirë, ndoshta një ndër më të vështirat që kemi pasur në grup. Duhej të tregoheshim të duruar dhe të punonim për të shkatërruar mbrojtjen e tyre, pasi ata janë shumë solidë në këtë pikë. Arritëm ta bënim dhe e mbyllëm ndeshjen 2-0. Një tjetër sfidë pa pësuar gola, jemi shumë të lumtur”, tha Kane.

Sulmuesi anglez theksoi gjithashtu rëndësinë e kësaj fitoreje për skuadrën.

“Është një fitore shumë e rëndësishme. Nuk donim të mbyllnim vitin me humbje dhe më pas të prisnim muajin mars për të luajtur sërish. Tani mund të largohemi dhe të shijojmë të gjithë këtë moment”, u shpreh ai për mediet pas ndeshjes.

/gj.m/r.e/

The post Dygolëshi në Tiranë, Kane thyen rekordin e Pele’: Ndaj Shqipërisë ishte e vështirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“The Sun”: Nëse Kane shënon kundër Shqipërisë, ai zë një vend në histori krah Peles

16 November 2025 at 10:36

TIRANË, 16 nëntor /ATSH/ – Nëse sulmuesi i njohur anglez, Harry Kane shënon kundër Shqipërisë, ai zë një vend në histori krah Peles, shkruan sot prestigjiozja britanike “The Sun”.

Kapiteni i Anglisë do të arrijë në 77 gola në arenën ndërkombëtare, të njëjtin numër me gjeniun brazilian të futbollit, nëse shënon kundër Shqipërisë në “Arenën Kombëtare”.

Fakti që Kane do të luajë ndeshjen e tij të 112-të në Tiranë, ndërsa Pele e arriti këtë shifër në 92 ndeshje, nuk bën aspak ndryshim.

Shifrat e Kane, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen për klubin dhe kombëtaren, janë absolutisht marramendëse.

Ëndrra është ende të ngrejë një trofe të madh me Anglinë, i cili, nga ana tjetër, mund ta çojë atë në fitimin e çmimit përfundimtar individual, Topin e Artë.

Kane ka shënuar tashmë 23 herë në 17 ndeshje për ‘’Bayern Munich’’ këtë sezon.
I vetëdijshëm se një gol në një ndeshje të vështirë kundër Shqipërisë do ta çonte atë në një tjetër moment të paharrueshëm, Kane tha se ‘’të jesh pranë një emri si Pele flet vetë’’.
“Ndonjëherë, është e vështirë të përpunosh disa nga emrat që ke pranë ose gjërat që po arrin. Thjesht do të vazhdosh me ndeshjen tjetër. Shpresoj të shënoj dhe të barazohem me Pelen, i cili pati një karrierë ndërkombëtare kaq frymëzuese, pasi kjo tregon se sa larg kam arritur në karrierën time’’, shtoi ai.

Sa i përket ndeshjes së sotme, stadiumi shqiptar do të jetë një vend i ri për shumicën e 1 900 tifozëve që kanë udhëtuar nga Anglis, pasi kualifikuesja e Kupës së Botës, në mars 2021, u luajt në një stadium të zbrazët për shkak të kufizimeve të Covid-19./ /Ad.Ab./

The post “The Sun”: Nëse Kane shënon kundër Shqipërisë, ai zë një vend në histori krah Peles appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjirokastra bëhet destinacion kryesor turistik, 300,000 vizitorë dhe në rritje

By: melisa
15 November 2025 at 21:07

Qyteti i Gjirokastrës dhe atraksionet e tij turistike po tërheqin një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh vendas dhe të huaj. Kalaja e Gjirokastrës ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme, duke mirëpritur 300,000 vizitorë deri tani në vitin 2025, njoftoi Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja. “Kjo shifër rekord tregon qartë rritjen e pandërprerë të interesit që vizitorët…

Source

Rekordi/ Hera e parë në histori, Shqipëria fiton 5 ndeshje radhazi

By: V K
14 November 2025 at 09:47

Shqipëria po kalon një moment fantastik, duke shënuar histori me trajnerin Silvinjo. Pas kualifikimit në Europian, kuqezinjtë kanë arritur që për herë të parë, të kualifikohen për në “Play Off” të Kupës së Botës, megjithëse aty na pret një rrugëtim shumë i vështirë për të arritur ëndrrën e madhe.

Fitorja ndaj Andorrës me rezultatin 0-1, ka qenë për Shqipërinë edhe e pesta radhazi. Kuqezinjtë nuk kishin arritur kurrë të fitonin 5 ndeshje radhazi, ku në listën e këtyre fitoreve, përfshihen ndeshja me Gjibraltarin, Letoninë, Serbinë, Jordaninë dhe së fundmi me Andorrën.

Ndeshja e radhës për skuadrën tonë, do të jetë ndaj Anglisë në datën 16 nëntor, ndeshje që është e vështirë të fitohet nga skuadra jonë megjithatë, triumfi në Andorrë e zhbën rezultatin e sfidës me Anglisë, cilido rezultat që të jetë.

Në këto 5 sfida, Shqipëria ka shënuar 8 gola dhe ka pësuar vetëm 2 në miqësoren ndaj Jordanisë, të fituar me rezultatin 4-2.

The post Rekordi/ Hera e parë në histori, Shqipëria fiton 5 ndeshje radhazi appeared first on Albeu.com.

Rritje rekord, Real Madrid çon në “infinit” shifrat e buxhetit të klubit

By: V K
9 November 2025 at 10:52

Shifrat e Real Madridit, vazhdojnë të rriten. Organizata sportive me fitimet më të larta në botë ka planifikuar 1.248 miliardë euro të ardhura për sezonin 2025-26 .

Kjo shifër, është një rekord për çdo organizatë sportive. Ajo tejkalon 1.185 miliardë euro të fituara në sezonin e mëparshëm, i cili u mbyll me një fitim prej 24 milionë eurosh, dhe 1.073 miliardë euro të fituara në sezonin 2023-24.

Rritja e të ardhurave do të vijë kryesisht nga operacionet e stadiumit, pa llogaritur ndonjë ndikim të mundshëm nga koncertet, një çështje që aktualisht po trajtohet. Burime të tjera të të ardhurave përfshijnë “Sky Bar”, “Bernabéu Market”, ngjarje të tilla si ndeshja e “NFL” më 16 nëntor, një park tematik i Krishtlindjeve dhe Bernabéu Tour , i cili gjeneroi 52.6 milionë euro sezonin e kaluar, një rekord për çdo vend në kryeqytetin spanjoll.

Të ardhurat e Muzeut “Prado në vitin 2023”, viti i fundit për të cilin janë publikuar shifrat, ishin 27 milionë euro.

Lidhur me të ardhurat nga garat sportive, duhet theksuar se një pjesë e asaj që u fitua në Kupën e Botës për Klube do të përfshihet në vitin aktual financiar, pasi Real Madridi e përfundoi garën në mes të korrikut.

Sezoni 24-25 përfshiu praninë e ekipit në finalen e Kupës si të ardhura shtesë, dhe megjithëse ata ranë në çerekfinale kundër Arsenalit, gjë që uli të ardhurat krahasuar me sezonin e kaluar, në të cilin ata fituan Ligën e Kampionëve, duhet thënë se barazimi në shtesë kundër Sitit e lehtësoi disi barrën e eliminimit në çerekfinale.

Për vitin 2025-26, buxheti parashikon një rritje të mëtejshme falë aktivizimit të plotë të zonave të ushqimit dhe pijeve, shtrirjes së plotë të hapësirave VIP dhe shtimit të ngjarjeve ndërkombëtare . Klubi pret që stadiumi të rrisë më tej rëndësinë e tij në modelin ekonomik.

The post Rritje rekord, Real Madrid çon në “infinit” shifrat e buxhetit të klubit appeared first on Albeu.com.

Lider absolut te Sanderlandi/ Granit Xhaka, tjetër rekord në Premier Ligë

By: V K
8 November 2025 at 08:42

Granit Xhaka, mund të konsiderohet si futbollisti me më shumë paraqitje ndërkombëtare, sa i takon atyre që aktivizohen nëpër skuadrat e Premier Ligës.

Saktësisht, mesfushori i Sanderlandit në kampionatin anglez, ka bërë 141 paraqitje për Zvicrën dhe është lojtari me numrin më të madh të ndeshjeve të luajtura për shtetin e tij në të gjithë Premier Ligën e Anglisë. Pas lojtarit me origjinë shqiptare, i dyti është Raul Himenez i Meksikës me 121 paraqitje.

I treti është Idrissa Geje, me Kombëtaren e Senegalit (119). Për t’u kujtuar është fakti se gjatë këtij muaji Granit Xhaka do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje tjera me “helvetët”, teksa njëra prej tyre është speciale, pasi do të vijë si kundërshtar në Prishtinë për të luajtur ndaj Kosovës.

The post Lider absolut te Sanderlandi/ Granit Xhaka, tjetër rekord në Premier Ligë appeared first on Albeu.com.

Rekordi i ri/ Shqiptarët “nuk i ndahen” kafesë, 7 mijë ton “shërbehen” vetëm në 9 muaj

20 October 2025 at 19:29

Kafeja dhe duhani bën pjesë në rutinën e përditshme të shqiptarëve, pasi lokalet prej vitesh janë kthyer jo vetëm në vende bisedash, por edhe në një “institucion” për takime pune. Por ajo që vihet re është se trendi i konsumit të këtyre dy produkteve të akcizës ka rezultuar në rritje përgjatë këtij vitit. Dhe sa […]

The post Rekordi i ri/ Shqiptarët “nuk i ndahen” kafesë, 7 mijë ton “shërbehen” vetëm në 9 muaj appeared first on BoldNews.al.

Elseid Hysaj shkruan historinë e futbollit shqiptar, bëhet rekordmeni i fanelës kuqezi

By: M C
14 October 2025 at 23:35

Elseid Hysaj ka shkruar një faqe të re në historinë e futbollit shqiptar. Mbrojtësi shkodran është bërë lojtari me më shumë paraqitje në historinë e Kombëtares, duke arritur shifrën rekord prej 94 ndeshjesh me fanellën kuqezi.

Ky moment i artë erdhi gjatë miqësores ndaj Jordanisë, ku Hysaj u aktivizua në minutën e 77-të, për t’u bërë zyrtarisht rekordmeni absolut i Shqipërisë, duke kaluar çdo futbollist tjetër që ka përfaqësuar ngjyrat kuqezi ndër vite.

31-vjeçari, që prej disa sezonesh mbron ngjyrat e Lacios në Serie A, është shembulli më i mirë i përkushtimit, profesionalizmit dhe stabilitetit në shërbim të Kombëtares.

Që nga debutimi i tij në vitin 2013, Hysaj është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes dhe një lider të qetë në fushë, duke qenë pjesë e sukseseve më të mëdha të futbollit shqiptar – përfshirë Euro 2016 dhe Euro 2024.

Me këtë arritje të jashtëzakonshme, Elseid Hysaj vulos emrin e tij në librin e artë të historisë së Kombëtares shqiptare, si një nga futbollistët më të rëndësishëm që ka njohur ndonjëherë futbolli kuqezi.

The post Elseid Hysaj shkruan historinë e futbollit shqiptar, bëhet rekordmeni i fanelës kuqezi appeared first on Albeu.com.

Hysaj, lojtari me më shumë ndeshje në historinë e Kombëtares

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Elseid Hysaj është bërë lojtari me më shumë paraqitje në historinë e Kombëtares kuqezi, duke arritur shifrën rekord prej 94 ndeshjesh.

Mbrojtësi 31-vjeçar u aktivizua në minutën e 77-të të miqësores ndaj Jordanisë, duke hyrë zyrtarisht në librin e rekordeve të kuqezinjve.

Hysaj ka kaluar çdo emër tjetër që ka veshur fanellën e Shqipërisë, me rekordin që mbahej nga Lorik Cana me 93 ndeshje.

Që nga debutimi në vitin 2013, Hysaj është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes dhe një lider të qetë në fushë, duke qenë pjesë e sukseseve më të mëdha të futbollit shqiptar, përfshirë Euro 2016 dhe Euro 2024.

Me këtë arritje të jashtëzakonshme, Elseid Hysaj vulos emrin e tij në librin e artë të historisë së Kombëtares shqiptare, si një nga futbollistët më të rëndësishëm që ka njohur ndonjëherë futbolli kuqezi.

/k.s/j.p/

The post Hysaj, lojtari me më shumë ndeshje në historinë e Kombëtares appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Taylor Swift shkruan histori: “The Life of a Showgirl” thyen rekordin e Adeles në javën e parë

By: gaze tare
14 October 2025 at 15:43

Taylor Swift ka bërë histori me albumin e saj të 12-të në studio, “The Life of a Showgirl”, duke shitur plot katër milionë kopje në vetëm një javë në Shtetet e Bashkuara. Ky sukses i jashtëzakonshëm i ka siguruar Swift një rekord të ri për shitjet më të mëdha të javës së parë në historinë moderne të muzikës, raporton HuffPost, transmeton Indeksonline.

Sipas të dhënave nga kompania analitike Luminate, e cila monitoron shitjet muzikore që nga viti 1991, asnjë artist nuk ka arritur këtë nivel shitjesh në javën debutuese të një albumi. Deri më tani, rekordi mbahej nga Adele me albumin e saj të famshëm 25, i cili në vitin 2015 shiti 3.4 milionë kopje në javën e parë.

“The Life of a Showgirl” është pritur me entuziazëm të madh nga fansat dhe kritika, duke vazhduar traditën e Taylor Swift për të dominuar tregun muzikor çdo herë që publikon një projekt të ri. Albumi përmban një kombinim të baladave emocionale dhe ritmeve pop që e karakterizojnë stilin e saj të veçantë artistik.

Ky arritje e re e forcon edhe më shumë pozicionin e Swift si një nga figurat më të rëndësishme dhe me ndikim në industrinë e muzikës botërore. Me këtë ritëm, duket se rekorde të tjera janë në horizont për yllin amerikan.

The post Taylor Swift shkruan histori: “The Life of a Showgirl” thyen rekordin e Adeles në javën e parë appeared first on iconstyle.al.

❌
❌