Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 December 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kurti: Një miliard euro për ushtrinë mandatin e ardhshëm

27 December 2025 at 22:28

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/- Lëvizja Vetëvendosje ka mbyllur sonte fushatën e saj elektorale, prej nga u bë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 28 dhjetorit të votojnë për numrin 116.

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti u ndal te arritjet e qeverisjes së tij të deritanishme duke thënë se ekonomia shënoi rritje nga 7 në 11 miliardë euro, ndërsa për vitin e ardhshëm parashihet të arrijë në 12 miliardë euro.

Ai theksoi se qeveria aktuale ka rritur ekonominë me rreth 1 miliard euro çdo vit, tri herë më shpejt se qeveritë e kaluara, ndërsa punësimi është rritur pesë herë më shpejt.

“Ne e kemi gjetur ekonominë e Kosovës me 7 miliardë, sivjet është 11 miliardë e vitin e ardhshëm 12 miliardë. Kur vjen puna te punësimi jemi pesëfish më shumë më të shpejtë se ata. Kjo rritje e punësimit ka qenë 85 mijë gjithsej apo 24% më i lartë se në vitin 2021”, tha Kurti.

Ai po ashtu deklaroi se do të ndahet një miliard euro për ushtrinë e Kosovës dhe do të ketë fabrikë municioni.

“Në mandatin e ardhshëm do t’i ndajmë një miliard euro për prodhimtarinë, shteti do të jetë garanci hipotekë për investimet, të cilat do t’i bëjnë qytetarët e Republikës. Qasja jonë është shumë e thjeshtë, kush punon fiton, kush fiton investon, kush investon punëson dhe kush punëson fiton edhe më shumë. Prandaj një miliard euro për prodhimtarinë. Një miliard euro garanci për kredi në banka.  Ndërmarrësit e Kosovës nuk do të kenë nevojë që në bankat e Kosovës ta lënë hipotekë tokën stërgjyshore apo pasurit e pa luajtshme”, tha ai.

Kurti përmbylli tubimin duke u bërë thirrje qytetarëve që nesër të dalin dhe të mbështesin Vetëvendosjen për një të ardhme më të mirë dhe të qëndrueshme për Kosovën. /Kosovapress/

The post Kurti: Një miliard euro për ushtrinë mandatin e ardhshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hamza apelon për pjesëmarrje në zgjedhje: Çdo votë, vendim për të ardhmen e Kosovës

27 December 2025 at 22:19

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/ Partia Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën për zgjedhjet e 28 dhjetorit, nga ku iu bë thirrje qytetarëve për dalje masive në votim.

Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, tha se fushata zgjedhore ishte e mbushur me energji, ide dhe vizion për zhvillim, me synim hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën, të bazuar në unitet, stabilitet dhe dinjitet.

Hamza premtoi rritje me 50% të pagave,  pensioneve dhr dihmave sociale, duke theksuar se pensioni minimal do të jetë 250 euro.

Ai prezantoi edhe masa ekonomike zero për qind të TVSH-së për produktet esenciale dhe energjinë elektrike, si dhe ulje të tatimit në të ardhura.

Hamza theksoi se pa unitet nuk ka stabilitet, pa stabilitet nuk ka qeverisje të mirë, dhe pa qeverisje të mirë nuk ka paga më të larta, çmime më të ulëta dhe siguri për familjet.

Hamza tha se gjatë fushatës ka dëgjuar shqetësimet reale të qytetarëve, veçanërisht pensionistëve dhe familjeve që përballen me vështirësi ekonomike.

“Kam dëgjuar shpresë. Por kam dëgjuar edhe zhgënjime. Mbi të gjitha, kam dëgjuar një kërkesë të qartë: “Mos na lini vetëm. Fitoni dhe bëjeni ndryshimin”. Sonte dua t’ua tregoj këtë rrugëtim. Jo për mua, por për qytetarët e Kosovës. Ju ftoj ta ndiqni një ri-kapitullim të këtij rrugëtimi që e kemi bërë bashkë këtë muaj… Tani jemi në momentin vendimtar. Mos e lini dikë tjetër të vendosë për ju. Mos e lini votën tuaj në shtëpi. Flisni me familjen. Me miqtë. Me fqinjët. Dhe të dielën në mëngjes dilni dhe votoni. Sigurohuni që të gjithë të dalin dhe ta votojnë numrin 130. Merreni me vete familjen. Ndihmoni prindërit, gjyshërit, fqinjët. Telefononi një mik dhe kujtojani, sepse çdo votë është përgjegjësi”, ka thënë Hamza.

Hamza u bëri thirrje qytetarëve që të dielën të dalin masivisht në votim dhe të votojnë numrin 130, duke theksuar se çdo votë është vendim për të ardhmen e familjeve dhe të Kosovës.

Hamza theksoi se Kosova ka nevojë për një qeveri që punon për qytetarët dhe premtoi se PDK-ja do të sjellë paga më të larta, pensione dinjitoze dhe çmime më të ulëta nëse merr besimin e qytetarëve në zgjedhje./KosovaPress/

The post Hamza apelon për pjesëmarrje në zgjedhje: Çdo votë, vendim për të ardhmen e Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ: Votat e diasporës do të numërohen në Kosovë

27 December 2025 at 22:00

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur në orët e mbrëmjes se ka përfunduar votimi në 25 përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe se dalja e qytetarëve për të votuar është 15.597 ose  81.29 % nga 19.187 votues të regjistruar.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në konferencën e tretë për media, tha se gjatë gjithë ditës së sotme kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe se procesi i votimit në përgjithësi ka qenë i qetë. “Sipas kohës lokale në Kosovë, në orën 01:00 pas mesnatës, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në SHBA dhe Kanada…Sipas të dhënave nga 25 përfaqësi diplomatike ku është mbyllur votimi, por edhe nga të dhënat e orës 13:00 nga votimi në ShBA dhe Kanada, nga 19.187 votues të regjistruar, kanë votuar 81.29 për qind apo 15,597 votues. Sipas procedurave, këto fletëvotime nuk do të numërohen në përfaqësi diplomatike, por gjatë ditëve në vazhdim do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në vendin tonë”, ka thënë Radoniqi.

Radoniqi u ka bërë thirrje të gjithë këshillave të vendvotimeve dhe këshillave komunal që të jenë në nivel detyre dhe të respektojnë rregullin dhe ligjin zgjedhore të KQZ-së gjatë procesit të votimit ditën e nesërme.

“Na pret një ditë e gjatë nesër, një ditë ku do t’iu ofrojmë qytetarëve të drejtën e votës, andaj shpresojmë që të gjithë janë në nivel të këtyre dhe të respektojnë rendin dhe ligjin”, apeloi ai. /KosovaPress/

The post KQZ: Votat e diasporës do të numërohen në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Pasaporta shqiptare përjeton rritjen më të fuqishme si asnjëherë tjetër

27 December 2025 at 21:59

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ – Për dekada të tëra, pasaporta shqiptare ishte një simbol i izolimit, një dokument që kërkonte male me dokumente dhe javë pritjeje në ambasada edhe për një udhëtim të thjeshtë fundjave, sipas faqes së njohur turistike https://www.travelandtourworld.com/.

Por ndërsa viti 2025 po mbaron, historia ka ndryshuar plotësisht.

Sipas Indeksit të fundit të Pasaportave ”Henley”, pasaporta shqiptare është ngjitur zyrtarisht në vendin e 46-të në botë.

Kjo nuk është vetëm një ngritje e vogël statistikore, por një ndryshim monumental në lirinë e udhëtimit të një kombi të tërë.

Sot, një qytetar shqiptar mund të marrë pasaportën e tij dhe të fluturojë për në 122 destinacione në të gjithë botën me akses pa viza ose kërkesa të thjeshtuara hyrjeje.

Një dekadë transformim

Për të kuptuar rëndësinë e këtij arritjeje, duhet të shikojmë pas.

Vetëm 10 vjet më parë, në vitin 2015, Shqipëria ndodhej në vendin e 75-të në të njëjtin indeks.

Në atë kohë, shumë nga destinacionet më ikonike të botës ishin të mbyllura pas mureve kufizuese të vizave.

Ngjitja nga vendi i 75-të në të 46-tin pasqyron më shumë sesa thjesht logjistikën e udhëtimit.

Është një pasqyrim i pozicionit diplomatik në rritje të Shqipërisë dhe integrimit të saj në botën perëndimore.

Katalizatori kryesor për këtë rritje ishte hyrja pa viza në zonën Schengen, e fituar me mund, e cila i hapi dyert pothuajse të gjithë Evropës.

Kjo u pasua nga një rrjedhë e vazhdueshme marrëveshjesh dypalëshe me vende në të gjithë Azinë, Amerikën e Jugut dhe Lindjen e Mesme, secila prej të cilave i shtoi një shtresë të re lirie shqiptarëve./ a.jor.

The post FOKUS – Pasaporta shqiptare përjeton rritjen më të fuqishme si asnjëherë tjetër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Projekti për të zhdukur opozitën dështoi, protesta të pandalshme

27 December 2025 at 20:13

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal sot në Elbasan gjatë rrugës për në ‘Foltoren’ e Korçës.

Gjatë ndalesës, ai zhvilloi një takim me strukturat dhe mbështetësit e Partisë Demokratike në Elbasan, në kuadër të festave të fundvitit.

Në fjalën e tij, Berisha vlerësoi qëndresën e demokratëve gjatë 12 viteve të fundit, duke theksuar se përpjekjet për të asgjësuar opozitën kanë dështuar falë përkushtimit dhe sakrificës së qytetarëve.

Ai deklaroi se Partia Demokratike ka mbetur e palëkundur në mbrojtje të vlerave demokratike, të votës së lirë dhe të dinjitetit njerëzor.

Kryetari i PD-së akuzoi qeverinë për kapje të institucioneve, korrupsion dhe shndërrimin e Shqipërisë në një shtet të drejtuar nga krimi i organizuar.

Sipas Berishës, opozita ka arritur të faktojë para opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar se proceset zgjedhore në vend janë të manipuluara dhe se pushteti aktual nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarëve, shtoi ai.

Berisha theksoi se opozita nuk do të njohë asnjë pushtet të dalë nga manipulimi i votës dhe paralajmëroi intensifikimin e aksionit politik, përfshirë protesta të vazhdueshme qytetare, si mjet demokratik për rikthimin e shtetit ligjor dhe të standardeve demokratike.

Në përmbyllje të fjalës së tij, lideri historik u shpreh se Partia Demokratike do të vijojë betejën politike deri në rikthimin e demokracisë, duke theksuar se qëndresa qytetare është forca më e madhe përballë çdo përpjekjeje për autoritarizëm.

“U thamë shqiptarëve se, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje dhe ia faktuam, jo vetëm shqiptarëve, por edhe botës. Por iu thamë shqiptarëve do mbrojmë votën dhe njëlloj, të dashur miq si në 2001-shin ne damkosëm me fakte që u mblodhën, me qendrimet tuaja, i përmbasëm ato zgjedhje. Të njëjtën gjë bëmë tani. Ne ia dolëm t’i faktojmë mbarë botës se Edi Rama nuk zhvillon zgjedhje, zhvillon farsë elektorale”, tha Berisha.

“Projekti ishte që të zhdukeshim, dështoi ai. Projekti ishte të na i grabisnin zgjedhjet duke përdorur miliarda e miliarda. Ua zumë në fyt. I kapëm me presh në dorë. Tani dalin aferat e tyre të paimagjinueshme dhe thonë: jo, nuk pranojmë heqje imuniteti. Jo, nuk do të shkojmë para gjykatësit. Atëherë, ose gjykatësin e ligjit, ose gjykatësin popull, njërin nga të dy, Edi Rama shpresë nuk ke më.

“Askush të mos mendojë se protesta e vazhdueshme nuk do ketë rezultatin e vet. Jo, do ketë rezultat të shkëlqyer. Dhe ju garantoj unë ju, prova jonë, testi ynë është të fillojmë kë kohën e duhur protestën e përnatshme në sheshin e Tiranës dhe ata do ia mbathin si minj. Asgjë nuk i reziston dot qëndresës qytetare, forcës së opozitës”, përfundoi Berisha.

/a.f/

The post Berisha: Projekti për të zhdukur opozitën dështoi, protesta të pandalshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Zgjedhjet ishin farsë elektorale, protestë paqësore të qëndrueshme

27 December 2025 at 19:14

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, hodhi akuza ndaj qeverisë për deformim të zgjedhjeve dhe shkelje të rënda të votës së lirë.

Gjatë turit të “Foltores”, në një bashkëbisedim me qytetarë dhe simpatizantë, Berisha nga Korça theksoi se opozita ka dokumentuar, me mijëra prova se zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë qenë të lira e të ndershme, por “farsë elektorale”.

Ai akuzoi qeverinë për përdorim të burimeve shtetërore, falje gjobash dhe kamatash, shpërndarje parash, përfshirje të krimit të organizuar dhe presion mbi administratën publike.

“Sot ne vijmë pasi u kemi faktuar shqiptarëve dhe botës, me dokumente, me mijëra, e mijëra dokumente se Edi Rama është një armik i egër i votës së shqiptarëve. Se ai nuk zhvillon zgjedhje, po vetëm farsë elektorale. Dhe kjo, kjo është arritje e jashtëzakonshme”, tha Berisha.

Kreu i PD iu referua edhe raporteve ndërkombëtare, duke theksuar se në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës është rekomanduar ndarja e partisë nga shteti, ndërsa në Parlamentin Europian është ngritur shqetësimi se krimi i organizuar pengon rotacionin e pushtetit në Shqipëri.

“Sot jemi më të kthjellët dhe më të vendosur se kurrë. Ne jemi parti e paqes, por të pamposhtur dhe do rrojmë e do fitojmë për liri”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se PD ka ditur gjithmonë të reagoi. “Ndaj dhe ju garantoj se Edi Rama i ka ditët e numëruara, kohërat e numëruara”.

Berisha tha se ligji i “Barazisë gjinore” është ligji i shkatërrimit të përfundimtar të familjes.

“Post-marksistët, post-marksistët kanë shpallur familjen dhe shpërbërjen e saj, ndryshimin e gjinive dhe shpërbërjen e tyre si qëllimin kryesor të një bote të ardhshme.
Ndaj dhe kjo betejë është një betejë për familjen tonë, e cila ka mbajtur kombin nga shekulli në shekull, nga mijëvjeçari në mijëvjeçar dhe i detyrojmë një lloj sa Zotit ekzistencën tonë”, vijoi Berisha.

Ai shton se Rama duhet të japi dorëheqjen. “Jep dorëheqjen, se nuk ka forcë në botë që të mban më në pushtet”.

“Ndaj dhe Partia Demokratike dhe opozita e cila ka gjithë trashëgiminë e saj, ka të drejtën me vete, ka guximin e qytetarëve. Kjo kërkon nga çdo qytetar, kërkon nga çdo demokrat e demokratë, protestë paqësore të qëndrueshme. Ne nuk duhet të humbasim nordin tonë. Të gjitha betejat i kemi fituar me qëndresë paqësore. Paqja është shumë herë më e fortë se të gjitha të tjerat”, nënvizoi Berisha.

/a.f/

The post Berisha: Zgjedhjet ishin farsë elektorale, protestë paqësore të qëndrueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zelensky: Para takimit me Trump do të ndalem në Kanada dhe do të flas me krerët evropianë

27 December 2025 at 18:31

KIEV, 27 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se gjatë udhëtimit të tij në Florida, ku do të takohet me Donald Trump nesër, ai do të ndalet në Kanada, ku do të takohet me kryeministrin kanadez Mark Carney, dhe do të zhvillojë një takim online me udhëheqësit evropianë.

“Po, tani jemi në një aeroplan për në Florida, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë rrugës, do të ndalemi në Kanada, ku do të takohem me kryeministrin kanadez Carney”, u tha Zelensky gazetarëve.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se takimi i tij i ardhshëm me Presidentin e SHBA-së Donald Trump konfirmon “përparimin” në negociatat midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Fakti që do të ketë një takim me Trump nesër dëshmon se po bëhet përparim”, theksoi ai. /os/

The post Zelensky: Para takimit me Trump do të ndalem në Kanada dhe do të flas me krerët evropianë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Nga Uashingtoni bien sirenat e alarmit për korrupsionin e qeverisë

27 December 2025 at 18:30

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot nga Korça se “sirenat e alarmit po bien nga Uashingtoni” për korrupsionin e qeverisë dhe për lidhjet e saj me drogën dhe krimin.

Gjatë turit të “Foltores”, në një bashkëbisedim me qytetarë dhe simpatizantë, Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet forca më e qëndrueshme opozitare në vend, pavarësisht përpjekjeve për izolimin dhe dobësimin e saj ndër vite.

“Ne vijmë në këtë 35-vjetor si e vetmja parti, pa asnjë tjetër, në të gjitha vendet ish-komuniste, që jemi në këmbë, jemi gjallë, jemi të fortë dhe të sigurt në fitore. Por ne në dallim, në dallim nga çdo forcë politike tjetër në historinë politike të Europës pluraliste, jemi një forcë ndaj të cilës në mënyrën më të padrejtë u ndërmorën aktet më brutale, përpjekjet më të turpshme për shkatërrimin e saj, në projektin Shqipëria pa opozitë. Përpjekjet më kriminale për përçarjen e copëtimin e saj në projektet Shqipëria pa opozitë. Izolimin më të thellë, forcën politike më properëndimore në historinë e kombit. Megjithatë ne triumfuam. Se mbronim të vërteta të përjetshme, të njeriut, të qytetëruar, të kombit, të qytetit, të familjes, të vendit”, deklaroi Berisha.

Ai u shpreh se rezoluta të miratuara nga forca politike ndërkombëtare kanë evidentuar problematika serioze në Shqipëri, duke përfshirë përqendrimin e pushteteve, cenimin e pluralizmit dhe rrezikun e shndërrimit të zgjedhjeve në farsë.

Berisha e cilësoi PD-në si një forcë politike që ka mbrojtur vlera themelore demokratike dhe perëndimore, duke shtuar se këto kauza, sipas tij, kanë marrë tashmë mbështetje ndërkombëtare.

“I dëgjoni ju tani sirenat e alarmit që bien nga Uashingtoni për korrupsionin e qeverisë së Edi Ramës dhe lidhjet e saj me drogën dhe krimin. Ne triumfuam!”, u shpreh kreu i PD-së.

/a.f/

The post Berisha: Nga Uashingtoni bien sirenat e alarmit për korrupsionin e qeverisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festat e fundvitit “ndezin” atmosferën në Durrës

27 December 2025 at 18:28


TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Dritat shumëngjyrëshe, zbukurimet e fundvitit dhe pema e madhe e Vitit të Ri kanë veshur Durrësin me atmosferë festive, duke e kthyer qytetin bregdetar në një hapësirë të ngrohtë dhe plot gjallëri në ditët e fundit të dhjetorit.

Në sheshet dhe rrugët kryesore të qytetit, ndriçimet dekorative dhe elementët festivë krijojnë një pamje të veçantë, ndërsa qytetarë dhe vizitorë shijojnë mbrëmjet në një ambient që përcjell gëzim dhe frymën e festave.

Pamjet nga kjo atmosferë festive janë ndarë mbrëmjen e sotme edhe nga Kryeministri Edi Rama, duke sjellë në vëmendje gjallërinë që mbizotëron në Durrës gjatë këtij sezoni festash.

Ndërkohë Bashkia e Durrësit ka përpiluar një program të ngjeshur aktivitetesh, si koncerte në sheshin qendror apo zona të tjera të qytetit, aktivitete argëtuese për fëmijë e të rritur në sheshin qendror dhe tek shëtitorja..etj.

/a.f/

The post Festat e fundvitit “ndezin” atmosferën në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Pezeshkian: Jemi në luftë totale me SHBA-në, Izraelin dhe Evropën

27 December 2025 at 17:51

TEHERAN, 27 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Evropa po zhvillojnë një “luftë të përgjithshme” kundër nesh, deklaroi presidenti iranian Masud Pezeshkian.

”Sipas mendimit tim, ne jemi në një luftë të përgjithshme kundër Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Evropës. Ata duan ta gjunjëzojnë vendin tonë”, theksoi Pezeshkian.

Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania iniciuan rivendosjen e sanksioneve të OKB-së kundër Iranit në fund të shtatorit për shkak të programit të tij bërthamor. /os/

The post IRAN – Pezeshkian: Jemi në luftë totale me SHBA-në, Izraelin dhe Evropën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ski, Colturi e mbyll pa pikë zbritjen e dytë në Austri

27 December 2025 at 17:51

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Pas një vendi të tretë në zbritjen e parë të Slalomit Gjigant, në pistën e Semmeringut në Austri, Lara Colturi nuk arriti të marrë pikë në zbritjen e dytë, pasi nuk e përfundoi garën.

Në ndalesën e radhës të këtij sezoni në Semmering, italo-shqiptarja e mbylli lëshimin e parë në vendin e tretë me kohën 57 sekonda e 28 të qindtat, ndërsa në lëshimin e dytë nuk arriti ta përfundojë garën për shkak të një gabimi që në nisje.

Lara Colturi do të rikthehet sërish nesër në këtë pistë, por në disiplinën e Slalomit Special, ku synon podiumin për herë të katërt këtë sezon. Më herët, skiatorja kuqezi është ngjitur në podium në Levi, Gurgl dhe Copper Mountain.

Sa i përket garës së sotme, vendin e parë e zuri austriakja Julia Scheib, e ndjekur nga zvicerania Camille Rast dhe suedezja Sara Hector.

The post Ski, Colturi e mbyll pa pikë zbritjen e dytë në Austri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Demo: Akademia e Pushtetit Vendor nis në janar

27 December 2025 at 17:21

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Akademia e Pushtetit Vendor, një strukturë e re kombëtare që synon rritjen e kapaciteteve të administratës vendore në kuadër të procesit të integrimit evropian, pritet të nisë funksionimin në muajin janar. Akademia do të trajnojë punonjësit e të 61 bashkive të vendit, me fokus të veçantë përgatitjen e tyre për përthithjen e fondeve të Bashkimit Evropian dhe zbatimin e standardeve të reja që do të shoqërojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Në një intervistë për televizionin Klan, ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, tha se akademia është krijuar për t’u përgjigjur drejtpërdrejt sfidave që do të përballen bashkitë, si në procesin e integrimit, ashtu edhe në menaxhimin e fondeve dhe reformave që prekin pushtetin vendor.

“Procesi i integrimit do të sjellë standarde të reja të cilat janë të detyruara për t’u implementuar në pushtetin vendor. Rreth 65% e legjislacionit do të prekë autoritetet lokale dhe bashkitë duhet të jenë me patjetër gati për të pasur mundësi të absorvojnë të gjitha kërkesat e reja të cilat do të jenë detyrime ligjore. Kjo do të jetë sfidë e madhe, sepse ne duhet të garantojmë që kemi institucione që ditën e parë që Shqipëria është në BE, të jenë gati për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë që vijnë nga integrimi, si financime dhe fonde nga BE. Fondet e kohezionit janë të rëndësishme për bashkitë. Akademia në fillim të vitit 2026 fillon funksionin e saj normal, në muajin janar”, tha Demo.

Krahas integrimit, Akademia e Pushtetit Vendor pritet të ndihmojë stafet e bashkive edhe për çështjen e reformës së re territoriale, e cila tashmë është në diskutim.

“Bashkitë do të kenë një nevojë të jashtëzakonshme, sidomos vitin e parë, për të përthithur reformën territoriale, si nga funksionet, ashtu edhe nga hapësira gjeografike. Ne do të kemi sistemet e menaxhimit financiar ku bashkitë do të përfshihen në vitin 2026, kemi digjitalizimin e shërbimeve vendore që do të fillojë në vitin 2026 “, tha Demo.

Akademia e Pushtetit Vendor bën bashkë të gjithë aktorët vendimmarrës, por i rëndësishëm është fakti që do të jenë vetë bashkitë ato që do të evidentojnë nevojat ku duhet të rrisin performancën.

“Akademia vendore do të fokusohet specifikisht në nevojat që ka vetë bashkia dhe këto mund të ndryshojnë nga njëra bashki te tjetra. Për t’u ardhur në ndihmë bashkive për elemente specifike ku ato e kanë të domosdoshme një lloj përparimi nga pikëpamja e kapaciteteve, për të kapur standarde kombëtare apo për të krijuar mundësi të reja zhvillimi në territor”, tha Demo.

Akademia e Pushtetit Vendor është mbështetur nga të 61 bashkitë e vendit.

“Bashkitë e vendit kanë kaluar buxhetet për vitin 2026, kanë firmosur statutin e akademisë, po ashtu të gjitha qarqet e vendit janë pjesë e saj. Edhe qeveria shqiptare e ka dhënë zotimin e saj që tre vitet e para do e financojë në masën 50%”, tha Demo.

Financimi i akademisë është 50% nga buxheti i shtetit në tre vitet e para, dhe 50% nga buxheti i bashkive. Këto të fundit kanë buxhetuar në total 450 mijë euro për vitin 2026, në bazë të të ardhurave dhe buxhetit të gjithsecilës.

/a.f/

 

The post Demo: Akademia e Pushtetit Vendor nis në janar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump para takimit me Zelenskyyn: Nuk ka marrëveshje për paqe në Ukrainë pa miratimin e SHBA-së

27 December 2025 at 17:07

UASHINGTON, 27 dhjetor /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se asnjë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë nuk do të jetë përfundimtare pa miratimin e Washingtonit, ndërsa ai planifikon të presë homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy për bisedime në Florida.

“Ai (Zelenskyy) nuk ka asgjë derisa ta miratoj unë”, ka thënë Trump për Politico, para takimit që pritet të zhvillohet të dielën.

“Do të shohim çfarë ka”, ka thënë presidenti amerikan, duke shtuar se pret që bisedimet të jenë produktive. “Mendoj se do të shkojë mirë me të”, ka theksuar ai.

Trump ka shprehur gjithashtu optimizëm për diplomacinë paralele me Moskën, duke thënë se beson që diskutimet do të “shkojnë mirë” edhe me presidentin rus Vladimir Putin dhe se pret të bisedojë “së shpejti” me liderin rus.

Më herët, Zelenskyy konfirmoi se do të takohet me Trumpin për të diskutuar draftplanin për t’i dhënë fund luftës, së bashku me garanci të propozuara sigurie dhe një marrëveshje ekonomike.

Ai konfirmoi për Axios se qëllimi kryesor i bisedimeve do të jetë finalizimi i një kornize dhe një “afati kohor” për përfundimin e konfliktit në vazhdim.

Zelenskyy tha se procesi ka kaluar në një “nivel tjetër”, duke pohuar se vendimet tani kërkojnë përfshirje të drejtpërdrejtë presidenciale për të përshpejtuar rezultatin.

Ndërkohë, Kremlini tha se Moska dhe Washingtoni janë dakorduar të ruajnë dialogun për një zgjidhje të mundshme.   /os/

The post SHBA – Trump para takimit me Zelenskyyn: Nuk ka marrëveshje për paqe në Ukrainë pa miratimin e SHBA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Rusia hedh 500 dronë dhe 40 raketa mbi Kiev, 1/3 e qytetit pa energji elektrike

27 December 2025 at 16:35

KIEV, 27 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Forcat ruse sulmuan disa rrethe në rajonin e Kievit, duke dëmtuar ndërtesa banimi, kantiere ndërtimi dhe biznese si dhe duke shkaktuar lëndime, shkruan il messaggero.it.

Në këtë sulm u përdorën 500 dronë dhe 40 raketa

Shpërthime të fuqishme tronditën Kievin gjatë natës ndërsa autoritetet paralajmëruan se kryeqyteti ukrainas ishte nën kërcënimin e sulmit me raketa.

“Shpërthime në kryeqytet. Forcat e mbrojtjes ajrore janë në operacion. Qëndroni në strehimore”, tha kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, në Telegram.

“E gjithë Ukraina është nën kërcënimin e raketave! Ngritje e regjistruar e MiG-31K. Vendi terrorist vazhdon të bëjë luftë kundër popullsisë civile. Armiku po sulmon qëllimisht infrastrukturën kritike dhe shtëpitë”, thuhet në postim. /os/

The post FOKUS – Rusia hedh 500 dronë dhe 40 raketa mbi Kiev, 1/3 e qytetit pa energji elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Shqipëria e gatshme të rrisë kontributin në misionet e NATO-s

27 December 2025 at 15:39

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu vizitoi bazën e Grup Batalionit Shumëkombësh të NATO-s në Novo Selo, Bullgari, nga ku vlerësoi kontributin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në misionet e Aleancës.

Gjatë vizitës në bazë, Komandanti italian i misionit, Mattia Scirocco, informoi ministrin se toga që përfaqëson Forcat e Armatosura të Shqipërisë luan një rol aktiv në detyrat e grupit shumëkombësh, duke kontribuar përtej misionit të saj të paracaktuar.

Ky vlerësim u cilësua si dëshmi e profesionalizmit, përkushtimit dhe besueshmërisë së efektivëve shqiptarë në çdo angazhim ku shërbejnë nën flamurin e NATO-s.

“Shqipëria mbetet e gatshme të rrisë më tej prezencën dhe kontributin e saj në misionet e Aleancës, aty ku nevoja e kërkon, duke dëshmuar përkushtimin ndaj sigurisë kolektive dhe duke forcuar përgatitjen operacionale krah për krah me aleatët”, u shpreh ministri Vengu.

/a.f/

The post Vengu: Shqipëria e gatshme të rrisë kontributin në misionet e NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapësira moderne e funksionale në tregun e ri të fruta-perimeve në Elbasan

27 December 2025 at 15:35

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Tregtimi i fruta-perimeve në Rajonin nr. 1 në Elbasan ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, falë investimit të fundit që ka transformuar rrënjësisht kushtet e punës dhe të shërbimit për tregtarët dhe qytetarët.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se ky investim nuk ka përmirësuar vetëm estetikën urbane të zonës, por mbi të gjitha garanton standarde më të larta të sigurisë ushqimore.

Struktura e re është projektuar për t’u shërbyer rreth 35 tregtarëve, të cilët tashmë kanë lënë pas kushtet e vështira dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në ambiente moderne dhe funksionale.

“Tregu i ri i fruta-perimeve në Rajonin nr. 1 në Elbasan ofron kushte bashkëkohore për tregtarët, të cilët tashmë operojnë në hapësira moderne dhe funksionale”, u shpreh Rama.

Hapësira është e mbyllur plotësisht me struktura xhami, e pajisur me ndriçim efikas dhe me kushte optimale për ruajtjen dhe tregtimin e produkteve ushqimore, duke respektuar standardet higjieno-sanitare.

Ky projekt konsiderohet një hap konkret drejt formalizimit të tregut të produkteve bujqësore, duke garantuar dinjitet për tregtarët dhe siguri për qytetarët që furnizohen çdo ditë në këtë treg.

/a.f/

The post Hapësira moderne e funksionale në tregun e ri të fruta-perimeve në Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AK: Vendimi për grumbulluesit mbron fermerët nga çmimet e diktuara

27 December 2025 at 18:00

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur sot se vendimi i marrë pak ditë më parë ndaj disa pikave të grumbullimit të produkteve bujqësore nuk ka të bëjë me marrëveshje të shkruara apo formale mes tyre.

Sipas Autoritetit, shkelja lidhet me faktin se këto subjekte kanë vepruar njësoj në treg, duke bashkërenduar çmimet dhe sjelljen e tyre, edhe pa pasur kontakte të drejtpërdrejta mes njëri-tjetrit, gjë që ndalohet nga ligji për konkurrencën.

“Vendimi i marrë ndaj disa pikave të grumbullimit nuk lidhet me marrëveshje formale mes tyre, por me sjellje të bashkërenduara në treg, të cilat ligji i ndalon edhe kur nuk ka kontakte të drejtpërdrejta mes subjekteve”, bën të ditur Autoriteti i Konkurrencës.

Autoriteti bën të ditur se të gjitha palët janë dëgjuar gjatë procedurës dhe kanë pasur mundësi të paraqesin shpjegimet e tyre, ndërsa vendimi është marrë pas një analize ligjore dhe ekonomike të funksionimit të tregut.

Në sqarim theksohet gjithashtu se vendimet e Autoritetit të Konkurrencës janë të detyrueshme për zbatim, edhe në rastet kur subjektet vendosin t’i ankimojnë ato në gjykatë.

Sipas institucionit, qëllimi i ndërhyrjes është të sigurojë konkurrencë të ndershme në treg, të mbrojë fermerët nga çmimet e diktuara dhe të garantojë një treg transparent dhe funksional për produktet bujqësore.

Autoriteti i Konkurrencës përfundoi disa ditë më parë hetimin në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, duke konstatuar shkelje të rënda në dëm të fermerëve.

Në mbledhjen e 26 nëntorit 2025, Komisioni i Konkurrencës vendosi se gjashtë ndërmarrje grumbulluese kanë bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë sezonit, duke diktuar çmime të ulëta për fermerët dhe duke aplikuar fitime shumë të larta, deri në 115%. Për këtë arsye, ndaj tyre janë vendosur gjoba deri në 0,15% të xhiros vjetore.

Autoriteti thekson se kjo sjellje ka kufizuar konkurrencën dhe ka dobësuar pozitat e fermerëve, të cilët përballeshin me mungesë negocimi dhe vonesa në pagesa. Vendimi synon të rikthejë konkurrencën e ndershme dhe çmime më transparente në treg.

Ndërmarrjet e gjobitura janë urdhëruar të afishojnë çmimet dhe do të monitorohen për një vit nga Autoriteti i Konkurrencës. Sipas institucionit, efekti i vendimit shtrihet në të gjithë tregun kombëtar të fruta-perimeve, në mbrojtje të fermerëve dhe të konsumatorëve.

/a.f/

The post AK: Vendimi për grumbulluesit mbron fermerët nga çmimet e diktuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bukuri alpine në Grykat e Hapta në Tropojë

27 December 2025 at 15:28

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Peizazhet malore të mbuluara me dëborë, pavarësisht kushteve atmosferike, shndërrohen në destinacione për alpinistët dhe dashamirësit e natyrës.

Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga Grykat e Hapta, në Tropojë, të cilat janë veshur nga bardhësia e dëborës, duke krijuar një panoramë mahnitëse dimërore.

Grykat e Hapta, maja më e lartë e të cilave arrin një lartësi prej 2 625 m, shtrihen midis pjesës së sipërme të luginës së Valbonës në veri dhe luginës së Nikajt në jug.

Nga perëndimi vazhdon me kreshtat e Zhaborrëve, kurse në juglindje qafa e Droçës e ndan nga Mali i Hekurave. Ka formën e një trungu konik me shpate shumë të pjerrëta (shpati lindor e perëndimor formojnë rrëpira 700-800 m të thella).

Rreth majës kryesore ngrihen dhe katër maja të tjera me lartësi mbi 2400 m. Grykat e Hapëta janë krejtësisht të zhveshura nga bimësia duke i kthyer në sfidë për alpinistët.

/m.q/j.p/

The post Bukuri alpine në Grykat e Hapta në Tropojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINE – Hetimi i ri kundër korrupsionit synon disa deputetë

27 December 2025 at 15:27

KIEV, 27 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Agjencia Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) ka njoftuar një hetim të ri për korrupsion në një rast që dyshohet se përfshin deputetë të Kievit.

Zyrtarët e NABU-së u përpoqën të hynin në Parlament për të kryer kontrolle, por u bllokuan nga shërbimet e sigurisë.

“Nabu dhe Sapo, pas një operacioni të fshehtë, zbuluan një grup të organizuar kriminal që përfshinte disa deputetë aktualë”, deklaroi NABU.

“Punonjësit e Departamentit të Sigurisë Shtetërore po u rezistojnë oficerëve të NABU-së gjatë hetimeve të tyre” në Parlament, shtoi ajo. /os/

The post UKRAINE – Hetimi i ri kundër korrupsionit synon disa deputetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosovë, votimet e diasporës deri në orën 13:00

27 December 2025 at 15:06

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se  votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit po kalon kryesisht i qetë.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, tha se me fillimin e votimit në përfaqësitë diplomatike në SHBA dhe Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, tashmë procesi i votimit është duke vazhduar në 29 përfaqësitë diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës.  

“Sipas të dhënave nga 24 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00 nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 36.89% apo 7.079 votues”, tha Elezi.

Identifikimi në vendvotimin e përfaqësisë diplomatike mund të bëhet përmes njërit nga tri dokumentet e Kosovës: letërnjoftim, pasaportë apo leje e vozitjes.

/Kosovapress/

The post Kosovë, votimet e diasporës deri në orën 13:00 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌