Bardhi kërkon mbledhjen Këshillit të Mandateve për Ballukun: Po pengohet drejtësia me urdhër politik
TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike kërkoi sot mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi bëri të ditur se anëtarët e Partisë Socialiste nuk janë paraqitur në mbledhje, edhe pse Rregullorja e Kuvendit e ka të parashikuar thirrjen e mbledhjes nga opozita.
Sipas Bardhit, po pengohet drejtësia me urdhër politik, ndërsa shtoi se sipas Prokurorisë së Posaçme, ekziston mundësia që të prishen provat dhe të intimidohen dëshmitarët.
“Pengimi i drejtësisë me urdhër politik është akti më i rëndë që ka kryer ky Kuvend gjatë këtyre viteve demokraci. Nuk mundet që një kryeministër të urdhërojë Kuvendin, që mos të mbledhë Këshillin e Mandatave, të mos mbledhë seancën plenare dhe të pengojë prokurorinë që të ushtrojë detyrën e vet kushtetuese”, tha Bardhi.
Bardhi theksoi se sipas prokurorisë “gjendja e lirë e të pandehurës, parashikon rrezik real për mbledhjen e provave për shkak të detyrës që ajo ushtron. Ekziston mundësia që ajo mund të ndërhyjë në prishjen ose asgjësimin e provave. Është evident fakti që tashmë e pandehura ka bërë përpjekje për të ndikuar tek dëshmitarët. Rreziku që ajo të largohet është evident.
“Ekziston rreziku i largimit, nisur nga sanksionet dhe marzhi i lartë i dënimit që parashikon ligji, në lidhje me veprat penale që dyshohet se ka kryer e pandehura. E pandehura menaxhon në vazhdimësi fonde të konsiderueshme publike, për investime publike të tjera, të parashikuara në institucionet qendrore që ajo drejton”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, çështja e datës 22 janar në Gjykatën Kushtetuese, nuk ka lidhje me kërkesën e sjellë nga Prokuroria e Posaçme në Kuvend.
“Pushteti ekzekutiv nuk mund t’i thotë pushtetit legjislativ se t‘i do të presësh se unë kam një gjyq dhe kur të mbarojë gjyqi t’i vepron. Ç’lidhje ka pushteti ekzekutiv, që Kuvendi të ushtrojë detyrat e veta. Kuvendi ka shtyrë pa afat shqyrtimin e kësaj kërkesë të ngutshme të Prokurorisë. Kuvendi dhe Edi Rama po pengon drejtësinë që të kenë mundësi të prishin provat dhe të intimidojnë dëshmitarët. Ky është një puç i rëndë kushtetuese, ndaj edhe fshihen sot”, tha Bardhi.
Bardhi bëri të ditur se opozita do të rithërrasë mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ditën e premte ora 11:00.
/m.q/
The post Bardhi kërkon mbledhjen Këshillit të Mandateve për Ballukun: Po pengohet drejtësia me urdhër politik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
