Tony Blair, ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar i cili është emëruar në panelin ekzekutiv të Bordit të Paqes të Donald Trump, u distancua nga kërkesa e presidentit që vendet të paguajnë 1 miliard dollarë për anëtarësim të përhershëm.
Kështu raportojnë mediat e huaja, sipas të cilave, Blair refuzoi të mbështeste kërkesën për fondet.
Dhe kjo po vlerësohet si një shenjë e mëtejshme se detajet e bordit të paqes po provokojnë kundërshtim nga aleatët dhe partnerët e SHBA-së për projektin e Trump.
Siç vlerësohet më tej, disa vende ka të ngjarë të refuzojnë të bashkohen me Bordin si rezultat i kushteve të Trump, thanë njerëz të njohur me çështjen.
Të tjerë mund të bien dakord në parim për t'u bashkuar me Bordin e Paqes, por të refuzojnë të paguajnë tarifën për anëtarësim të përhershëm, shtuan ata.
Ata pastaj do të kërkonin ta negocionin atë ose do të largoheshin nga bordi nëse Trump këmbëngulte në këtë ide.
Ndërkohë, kryeministri kanadez Mark Carney tha të dielën se kishte rënë dakord në parim për t'u bashkuar me bordin, por jo për pagesat.
"Lidhur me specifikat e Bordit të Paqes, ne nuk i kemi shqyrtuar të gjitha detajet e strukturës, si do të funksionojë, për çfarë financimi është, etj. Dhe kështu do t'i shqyrtojmë ato në ditët në vijim", ka thënë ai. /Telegrafi/
LONDËR, 17 janar /ATSH-DPA/ – Ish-kryeministri britanik, Tony Blair tha sot se është i nderuar që emërohet pjesë e një ekipi që do të jetë pjesë integrale e përpjekjeve të presidentit të SHBA-së Donald Trump për të rindërtuar Gazën.
Blair u rendit së bashku me zyrtarë të profilit të lartë të administratës Trump si pjesë e një “bordi ekzekutiv themelues” për të udhëhequr përpjekjet afatgjata të paqes në Lindjen e Mesme, të publikuar nga Shtëpia e Bardhë të premten.
Ky do të jetë krahu operativ i Bordit të Paqes, i cili do të kryesohet nga Trump dhe udhëheqës të tjerë botërorë në detyrë që ende nuk janë emëruar.
Presidenti i SHBA-së e quajti atë “Bordi më i madh dhe më prestigjioz i mbledhur ndonjëherë në çdo kohë, në çdo vend”.
Zyrtarët e listuar përfshinin sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, të dërguarin special për Lindjen e Mesme Steve Witkoff dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner.
Ish-i dërguari special i OKB-së, Nickolay Mladenov, u emërua gjithashtu në bord, së bashku me miliarderin Marc Rowan, presidentin e Bankës Botërore, Ajay Banga, dhe zëvendëskëshilltarin e sigurisë kombëtare të SHBA-së, Robert Gabriel.
“Falënderoj presidentin Trump për udhëheqjen e tij në themelimin e Bordit të Paqes dhe jam i nderuar që u emërova në bordin e tij ekzekutiv”, tha Blair.
“Ka qenë një privilegj i vërtetë të punoj me Steve Witkoff dhe Jared Kushner dhe ekipin e tyre të shkëlqyer. Pres me padurim të punoj me ta dhe kolegë të tjerë në përputhje me vizionin e presidentit për të promovuar paqen dhe prosperitetin”, theksoi ai./ a.jor.
LONDËR, 17 janar /ATSH-DPA/- Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair do të jetë pjesë e “Bordit të Paqes” të presidentit të SHBA-së Donald Trump për Gazën, që synon parandalimin e konflikteve të ardhshme në territor.
Emri i Blair u rendit së bashku me zyrtarë të profilit të lartë të administratës Trump si pjesë e një “bordi ekzekutiv themelues” për të udhëhequr përpjekjet afatgjata të paqes në Lindjen e Mesme, të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
Lista përfshinte gjithashtu sekretarin amerikan të shtetit, Marco Rubio, të dërguarin special për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner, ndër të tjerë.
“Bordi themelues do të ndihmojë në operacionalizimin e vizionit të Bordit të Paqes”, tha sot Shtëpia e Bardhë, duke sugjeruar se anëtarët e këtij grupi do të mbanin secili portofole të specializuara për të ndihmuar në përpjekjet e “stabilizimit” në Gaza.
Emri i ish-kryeministrit laburist u shfaq gjithashtu në një listë më të gjatë emrash si pjesë e një “Bordi Ekzekutiv të Gazës” në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, i cili duket se synon qeverisjen e Gazës. //a.i/
Janë bërë publike emrat e personave që do të jenë pjesë e Komitetit Kombëtar për menaxhimin e Gazës, i formuar me propozim të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Ekipi do të udhëhiqet nga Ali Shaath, ndërsa anëtarë të tij janë: Abdul Karim Ashour, Jaber Al-Daour, Bashir Al-Rais, Ali Barhoum, Aed Yaghi, Osama Al-Saadawi, Sami Nasman, Mohammad Bseiso, Arabi Abu Shaaban, Hana Tarzi, Rami Halas, Omar Shamali, Ayed Abu Ramadan dhe Husni Al-Mughni.
Secili prej tyre do të jetë përgjegjës për një sektor të veçantë, që përfshin fusha nga financat deri te arsimi, raporton reuters.
Përveç këtij ekipi, Trump ka emëruar edhe trupa këshillimore që do të veprojnë në bashkëpunim me Komitetin Kombëtar për menaxhimin e Gazës, ku do të përfshihen emra të njohur të politikës ndërkombëtare.
Ndër ta janë ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, si dhe të dërguarit e Trump-it, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Bordi do të përfshijë gjithashtu drejtuesin e fondeve private dhe miliarderin Marc Rowan, presidentin e Bankës Botërore Ajay Banga, si dhe Robert Gabriel, këshilltar i Trump-it, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se Nickolay Mladenov, ish-i dërguar i OKB-së për Lindjen e Mesme, do të jetë përfaqësuesi i lartë për Gazën.
Gjeneralmajori i ushtrisë Jasper Jeffers, komandant i operacioneve speciale të SHBA-së, është emëruar komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e miratuar në mes të nëntorit, autorizoi bordin dhe vendet që bashkëpunojnë me të të krijojnë këtë forcë në Gaza.
Me emërimin e këtyre strukturave ka nisur zyrtarisht zbatimi i fazës së dytë të armëpushimit në Gaza, gjatë së cilës synohet vendosja e një administrate në këtë territor palestinez pa përfshirjen e Hamasit.
Faza e parë e armëpushimit zgjati tre muaj, gjatë së cilës Izraeli e shkeli marrëveshjen disa herë dhe si pasojë u vranë qindra civilë palestinezë.
Ndryshe, sulmet izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023 ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve, ka krijuar një krizë urie dhe ka zhvendosur brenda territorit të gjithë popullsinë e Gazës. Shumë ekspertë të të drejtave të njeriut, studiues dhe një hetim i OKB-së vlerësojnë se kjo përbën gjenocid.
Izraeli ka deklaruar se ka vepruar në vetëmbrojtje, pasi militantë të udhëhequr nga Hamasi vranë 1200 persona dhe morën më shumë se 250 pengje gjatë një sulmi në fund të vitit 2023. /Telegrafi/
Midis shumë bashkëpunëtorëve të presidentit amerikan, Donald Trump, emri James Blair rrallë përmendet, por ai është një nga personat më të fuqishëm në administratën e tij, edhe pse pak i njohur për publikun.
Blair u bë pjesë e ekipit të Trumpit në vitin 2024 me rekomandim të Susie Wiles, shefes së kabinetit të liderit amerikan, dhe të dy kishin punuar më parë në fushatën e guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis.
Megjithëse në fillim marrëdhënia e tyre nuk ishte e shkëlqyer, Blair fitoi besimin e Trumpit për shkak të besimit të tij dhe aftësisë për të zgjidhur problemet në mënyrë radikale, raporton thewallstreetjournal.
Në Shtëpinë e Bardhë ai njihet si “qeni i zemëruar” për mënyrën si negocion me republikanët e tjerë, dhe kjo është pjesë e detyrës së tij në ekipin e Trumpit.
Ky 36‑vjeçar është përgjegjës për ruajtjen e besnikërisë ndaj Trumpit brenda radhëve republikane në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, dhe emri i tij tani i tremb shumë prej tyre.
Ai përdor shpesh një gjuhë të fortë, me fjalë fyese dhe kërcënime jo‑të‑drejtpërdrejta, duke u thënë republikanëve që dyshojnë se mos ndalojnë të mbështesin agjendën e Trumpit se do të përballen me rivalë në zgjedhjet paraprake që do t’u marrin mandatet.
Blair mbështetet edhe në të dhëna të hollësishme të sondazheve për të bindur ata që nuk janë fort besnikë se Trump është më popullor se ata në distriktet e tyre.
Për sukseset në ruajtjen e qëndrueshmërisë brenda partisë dhe për njohuritë e tij në sondazhe, Trump e ka pagëzuar atë “Blair i Shkëlqyer”.
Megjithatë, taktikat e tij nuk janë pëlqyer nga të gjithë në Kongresin amerikan. Disa republikanë kanë zgjedhur të tërhiqen nga politika, ndër ta edhe Marjorie Taylor Greene, e cila është kritikuar se Blair e ka nënçmuar në biseda prapa skenave.
Republikanëve gjithashtu nuk u ka pëlqyer kur Blair ka sugjeruar se cilët duhet të hyjnë në garë elektorale dhe se cilët duhet të provojë të kalojnë nga Kongresi federal në pozita tjetër politike.
Po ashtu, i atribuohet idesë që disa shtete nën kontroll republikan të rinovojnë hartat zgjedhore për të siguruar kontrollin e Kongresit edhe pas zgjedhjeve të nëntorit të vitit 2026.
Kjo ide pati disa probleme, duke nxitur edhe disa shtete nën kontroll demokratik të bëjnë të njëjtën gjë, dhe po ashtu çoi në një përplasje midis republikanëve të shtetit të Indiana që refuzuan ndryshimet zgjedhore.
Pavarësisht kritikave, “Blair i Shkëlqyer” mbetet një nga njerëzit me besimin më të madh të Trumpit dhe njihet si njeriu i fuqishëm në hije i tij. /Telegrafi/
UASHINGTON, 9 dhjetor /ATSH/- Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, është përjashtuar nga bordi i mbikëqyrjes së Gazës në kuadër të planit të armëpushimit të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, sipas “Financial Times”.
Ky bord ende nuk është krijuar formalisht, por ishte menduar të luante një rol kyç në mbikëqyrjen dhe zbatimin e armëpushimit në Gazë.
Sipas raportimeve, përjashtimi i Blair u bë pas kundërshtimeve të forta të disa vendeve arabe dhe myslimane, të cilat shprehën shqetësime lidhur me përfshirjen e tij.
Disa diplomatë ndërkombëtarë kanë theksuar se përvoja e tij në proceset e mëparshme ndërkombëtare mund të shihej si e njëanshme nga disa palë, duke rrezikuar legjitimitetin e bordit.
Plani i Trump synon të vendosë një armëpushim të qëndrueshëm midis Izraelit dhe Hamasit, me mbikëqyrje ndërkombëtare dhe përfshirjen e autoriteteve lokale, për të garantuar zbatimin e marrëveshjes.
Megjithatë, formimi i bordit dhe zgjedhja e anëtarëve të tij janë bërë një çështje komplekse, pasi vendet arabe dhe aleatët myslimanë kërkojnë që figurat politike – të cilët mund të perceptohen si të njëanshme – të mos jenë pjesë e planit.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur tensionet në Gaza dhe Izrael vazhdojnë të jenë të larta dhe komuniteti ndërkombëtar po kërkon mënyra për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm.
Ndërkohë që, administrata amerikane përpiqet të zbatojë planin e saj – përjashtimi i Blair nga bordi – tregon vështirësitë që ekzistojnë në koordinimin ndërkombëtar dhe balancimin e interesave të ndryshme në rajon.
Ekspertët politikë vlerësojnë se ky bord do të ketë një rol vendimtar në sigurimin e një zgjidhjeje paqësore dhe përzgjedhja e anëtarëve të tij do të jetë thelbësore për pranimin ndërkombëtar të procesit.
Ndërsa negociatat vazhdojnë, komuniteti ndërkombëtar mbetet i vëmendshëm ndaj çdo hapi që mund të ndikojë në stabilitetin e rajonit. //a.i/
Media britanike GB News, ka publikuar një artikull u pretendohet se ka një lidhje mes Tony Blair dhe ministres robot të qeverisë Rama, “Diella”.
Në artikull thuhet se Shqipëria ‘zgjodhi’ ministrin e saj të parë dixhital në fillim të shtatorit, por historia është bërë përsëri e rëndësishme pas propozimit të qeverisë britanike për ID-në Dixhitale, ndërsa vendoset një paralelizëm me faktin që në Britani Tony Blair po nxit vendimin për ID-në Dixhitale, si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në Shqipëri.
“Diella është ministrja e shtetit e Shqipërisë për inteligjencën artificiale. Vetë Diella është një inteligjencë artificiale, konkretisht e llojit gjenerues. Siç raportoi Sky News në atë kohë:
Avatari, i cili ishte përshkruar si një grua e veshur me veshje tradicionale shqiptare, u tha deputetëve:
“Nuk jam këtu për të zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata. Është e vërtetë, unë nuk kam shtetësi, por nuk kam as ambicie apo interesa personale”, vijon media britanike.
GB News, raporton se pati një lloj “shpërthimi” në Parlamentin e Shqipërisë kur u votua për prezantimin e Diellës. Pavarësisht kundërshtimit, votimi kaloi me 82 nga 140 politikanë që votuan pro.
Më tej, në artikull bëhet një krahasim mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Tony Blair.
“Kryeministri i Shqipërisë është Edi Rama, i cili aktualisht po shërben mandatin e tij të katërt, përshkruhet nga Sky Neës si një socialist, por ndryshe nga socialistët e Mbretërisë së Bashkuar, zoti Rama është një fans i madh i Tony Blair. Ndërsa Rama udhëheq Partinë Socialiste të Shqipërisë, ai është i frymëzuar nga politika e “rrugës së tretë” të Blair-it . Me fjalë të tjera – ashtu si vetë Blair – ai e ka çuar një parti tradicionalisht të krahut të majtë në një drejtim të qartë qendror.
Krahas ID-së Dixhitale, inteligjenca artificiale është një interes kyç i Institutit Tony Blair (TBI). Ne e dimë që Blair dhe TBI po shtyjnë përpara ID-në Dixhitale në Mbretërinë e Bashkuar; a do ta inkurajojnë ata gjithashtu përdorimin e ministrave të IA-së?
Do të na pëlqente të thoshim se ministrat e inteligjencës artificiale nuk mund të jenë shumë më keq se grupi që kemi, por nëse ka një gjë që na ka mësuar shekulli i 21-të, është se gjërat gjithmonë mund të përkeqësohen”, përfundon artikulli.
Një zyrtar i lartë i Hamasit e ka falënderuar Presidentin Donald Trump për rolin e tij në sigurimin e një marrëveshjeje paqeje me Hamasin.
Në një intervistë ekskluzive me prezantuesen kryesore të lajmeve botërore të Sky News, Yalda Hakim, zyrtari i lartë i Hamasit, Dr. Basem Naim, paralajmëroi gjithashtu se ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Tony Blair, nuk do të ishte i mirëpritur në asnjë rol pas luftës për Gazën.
Dr. Naim tha se një armëpushim nuk do të kishte qenë i mundur pa Presidentin Trump, por këmbënguli se duhej të vazhdonte të ushtronte presion mbi Izraelin që t'i përmbahej marrëveshjes, përcjell Telegrafi.
Ai shtoi se Hamasi do të ishte i gatshëm të tërhiqej që një organ palestinez të qeveriste Gazën e pasluftës, por se ata do të qëndronin "në terren".
Dr. Naim tha në intervistë: "Pa ndërhyrjen personale të Presidentit Trump në këtë rast, nuk mendoj se do të kishte ndodhur që lufta të kishte arritur në fund”.
"Prandaj, po, ne e falënderojmë Presidentin Trump dhe përpjekjet e tij personale për të ndërhyrë dhe për të ushtruar presion mbi Netanyahun që t'i japë fund kësaj masakre dhe kasaphane".
Ai shtoi: "Ne besojmë dhe shpresojmë që Presidenti Trump do të vazhdojë të ndërhyjë personalisht dhe të ushtrojë presionin maksimal mbi [kryeministrin izraelit Benjamin] Netanyahu që të përmbushë detyrimin”.
Por ai kritikoi planet që Tony Blair të luajë ndonjë rol në të ardhmen e Gazës, duke thënë se Hamasi dhe palestinezët ishin të zemëruar nga roli i tij në luftërat e mëparshme në Afganistan dhe Irak.
Dr Naim shtoi: "Kur bëhet fjalë për Tony Blair, për fat të keq, ne palestinezët, arabët dhe myslimanët dhe ndoshta të tjerët në mbarë botën kemi kujtime të këqija për të”.
"Ne ende mund ta kujtojmë rolin e tij në vrasjet, duke shkaktuar mijëra ose miliona vdekje të civilëve të pafajshëm në Afganistan dhe Irak”.
"Ne ende mund ta kujtojmë shumë mirë atë pasi shkatërroi Irakun dhe Afganistanin".
Kujtojmë se sipas planeve të zotit Trump, Sir Tony do të ishte pjesë e një organi mbikëqyrës ndërkombëtar.
Organizata ndërkombëtare, Këshilli i Paqes ose Bordi i Paqes, do të qeveriste sipas planeve të miratuara nga zoti Netanyahu.
Organizata do të mbante shumicën e pushtetit ndërsa mbikëqyrte administratën e teknokratëve palestinezë që drejtonin punët e përditshme. /Telegrafi/
Në një intervistë me Euronews, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se “barra është mbi Hamasin” që të lirojë menjëherë pengjet që mban ende dhe të pranojë plotësisht marrëveshjen e paqes të udhëhequr nga Trump, mes kritikave të ashpra ndaj Evropës.
“Mos e ushqeni krokodilin sepse do t’ju ndjekë”, u bëri thirrje kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu udhëheqësve evropianë.
Bëhet e ditur se kryeministri izraelit foli vetëm disa ditë para dyvjetorit të sulmit të 7 tetorit 2023, kur militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë 1,200 njerëz dhe morën peng rreth 250 të tjerë.
Hamasi aktualisht mban 48 pengje, rreth 20 prej të cilëve besohet se janë ende gjallë.
Sipas planit të udhëhequr nga Uashingtoni, të cilin presidenti i SHBA-së Donald Trump e zbuloi më parë këtë javë së bashku me Netanyahun, Hamasi do të lironte menjëherë pengjet e mbetura, të gjallë dhe të vdekur.
Grupi militant do të hiqte dorë gjithashtu nga pushteti në Gaza dhe do të dorëzonte armët e tij.
Në këmbim, Izraeli do të ndalonte ofensivën e tij dhe do të tërhiqej nga pjesa më e madhe e territorit, do të lironte qindra të burgosur palestinezë dhe do të lejonte një fluks ndihmash humanitare.
“Marrëveshja, nëse Hamasi e pranon atë, mund të jetë fillimi i fundit të luftës”, tha Netanyahu.
“Arsyeja pse Hamasi ra dakord për këtë marrëveshje në radhë të parë është sepse ne vepruam ushtarakisht kundër fortesës së tyre kryesore”, deklaroi ai.
“Si rezultat, Hamasi u bë më fleksibël ndërsa kuptoi se fundi është afër.”
“Le të shpresojmë se mund ta përfundojmë në mënyrën e lehtë dhe jo në mënyrën e vështirë”, deklaroi lideri izraelit.
Një zyrtar i Hamasit tha më parë këtë javë se disa elementë të planit janë të papranueshëm dhe duhet të ndryshohen, pa dhënë hollësi.
Netanyahu e ka hedhur poshtë këtë, duke thënë se Hamasi duhet të dorëzohet dhe të çarmatoset pa rezerva.
“Nuk mund ta pranojë pjesërisht, duhet ta pranojë plotësisht”, tha ai.
“Nëse në të vërtetë krijojmë një administratë civile në Gaza që nuk i edukon fëmijët e saj të mos e urrejnë Izraelin, të vrasin hebrenjtë kudo... atëherë mendoj se i gjithë rajoni mund të ketë një të ardhme shumë më pozitive dhe paqësore.”
Sipas Netanyahut, nëse Hamasi refuzon ta pranojë marrëveshjen në tërësi, SHBA do ta mbështesë plotësisht Izraelin në përpjekjet e tij për t'i dhënë fund luftës ushtarakisht.
“Banorët e Gazës tani po luftojnë kundër Hamasit, sepse tani po shohin shpresë për ta zhdukur Hamasin.”
“Mendoj se të gjithë e kuptojnë se sundimi i Hamasit ka marrë fund”, vazhdoi ai.
“Na duhet një sistem ndarjeje përgjegjësie. Në Gaza do të na duhet një administratë civile e administruar jo nga njerëz të përkushtuar ndaj shkatërrimit të Izraelit”, shtoi tutje Netanyahu.
Ndryshe, raportohet se territori i rreth 2 milionë palestinezëve do të vendoset nën qeverisje ndërkombëtare, me vetë Trumpin dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair që do ta mbikëqyrin atë.
Plani nuk ofron asnjë rrugë për ribashkim përfundimtar me Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli në një shtet të ardhshëm palestinez.
Shumica e udhëheqësve kryesorë të Hamasit në Gaza dhe mijëra luftëtarë të tij janë vrarë tashmë, por ai ende ka ndikim në zonat që nuk kontrollohen nga ushtria izraelite dhe ndërmerr sulme sporadike që kanë vrarë dhe plagosur ushtarë izraelitë.
Hamasi i është përmbajtur fort qëndrimit të tij se do të lirojë vetëm pengjet e mbetura, të cilat janë monedha e tij e vetme negociuese, në këmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm dhe një tërheqjeje të plotë ushtarake izraelite.
Izraeli ka kërkuar të shtojë presionin mbi Hamasin që kur i dha fund në mënyrë të njëanshme një armëpushimi në mars, duke deklaruar se donte të zhdukte grupin militant nga Gaza dhe të çmontonte rrjetin e tij të tuneleve dhe objekteve të tjera.
Ai e izoloi territorin nga ushqimi, ilaçet dhe mallrat e tjera për më shumë se dy muaj dhe ka pushtuar e shpopulluar kryesisht zona të mëdha të Rripit të Gazës.
Fushata ushtarake e vazhdueshme e Izraelit në Rrip ka rezultuar në vdekjen e 67,000 palestinezëve, sipas shifrave të ndara nga ministria e shëndetësisë e Gazës e udhëhequr nga Hamasi, e cila nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve në numrin e të vdekurve.
Netanyahu tha se informacioni që vinte nga Gaza ishte “propagandë”, duke deklaruar se raportet e mediave ndërkombëtare janë “shtrembëruar” ndërsa udhëheqësit e Evropës “u dorëzuan”.
“Evropa ka munguar sepse është dorëzuar para terrorizmit të Hamasit”, tha Netanyahu, duke deklaruar se numri i fundit i njohjeve të shtetit të Palestinës ishte “shpërblimi përfundimtar për Hamasin pas masakrës më të madhe kundër hebrenjve që nga Holokausti”.
“Shpresoj që Evropa të ndryshojë drejtimin e saj”, theksoi kryeministri izraelit. /Telegrafi/
Nga: John Rentoul / The Independent Përkthimi: Telegrafi.com
Fjala “mesianik” është përdorur për Tony Blairin, madje edhe nga njerëz që e pëlqejnë dhe që kanë punuar me të. Ndoshta nuk është termi më i mirë, meqë ka konotacione biblike për të përshkruar rolin e tij në raportin Izrael-Palestinë. Por, ajo e përçon saktë bindjen e tij se ai ka dhunti të jashtëzakonshme për të afruar palët të cilat duket se janë të papajtueshme.
Vetëbesimi i tij nuk është i pajustifikuar. Brenda një viti pasi u bë kryeministër, ai kishte negociuar marrëveshjen në Irlandën e Veriut. Nëse kjo i dha atij një mendim të lartë për aftësinë e vet për të kapërcyer urrejtjet e lashta, kush mund ta fajësonte për këtë?
Një vit më pas, ai mobilizoi aleancën e ndarë të NATO-s, duke përfshirë edhe një Bill Clinton të përmbajtur, për të detyruar diktatorin serb Slobodan Millosheviq të ndalonte përpjekjen për të dëbuar popullsinë shqiptare të Kosovës nga atdheu i tyre.
Këto suksese çuan në mendjemadhësinë e pushtimit të Irakut, kur Blair mendoi se do të ishte në gjendje të bindte popullin britanik se një tjetër president amerikan, George W. Bush, kishte të drejtë ta largonte një tjetër diktator.
“Kalova pranë një protestuesi para disa ditësh”, tha ai para zgjedhjeve të vitit 2001, përpara 11 shtatorit dhe Irakut. “Po bërtiste dhe ulërinte, dhe unë thashë, ta pyes veten si ndihet ai, çfarë mendon me të vërtetë? Ndoshta mund të uleshe me të në një dhomë dhe të bëje një bisedë krejtësisht racionale”.
Ai vazhdoi të besonte në fuqitë e tij të jashtëzakonshme edhe pasi la detyrën, duke marrë rolin e të dërguarit për Lindjen e Mesme, duke vepruar në emër të OKB-së, ShBA-së, BE-së dhe Rusisë. Detyra e tij ishte të ndihmonte në zhvillimin e infrastrukturës së Palestinës në mënyrë që të ishte e aftë për shtetësi të pavarur. Kjo ishte baza thelbësore e retorikës së lartë të zgjidhjes me dy shtete, duke përfshirë Blairin në negociata të pakëndshme për fermat e ujërave të zeza dhe rrjetet e telefonisë mobile. Por, ai gjithmonë e dinte se ishte politika e lartë e marrëdhënieve mes administratës amerikane, qeverisë izraelite dhe vendeve arabe ajo që do të vendoste çështjen, dhe gjithashtu punoi pa u lodhur në atë nivel.
Pa sukses. U tërhoq pas tetë vjetësh, në vitin 2015, me çështjen e shtetësisë palestineze jo më afër realizimit.
Ambicia e tij nuk ishte e kufizuar në Lindjen e Mesme. Ai lejoi që emri i tij të propozohej për postin e ri të presidentit të BE-së në vitin 2009, edhe pse nuk kishte kurrë ndonjë shans real që liderët e vendeve të BE-së - përfshirë Angela Merkelin e Gjermanisë - të emëronin dikë që do të kërcënonte kaq shumë pushtetin e tyre. Ata emëruan një belg të panjohur në vend të tij.
Ambiciet e tilla pas postit të kryeministrit, mund të duken iluzive, por kishte një cilësi çërçilliane në këmbënguljen e Blairit se ai “nuk do të dorëzohej kurrë”.
Dhe, kurrë nuk u dorëzua. Brenda disa javësh pas mizorive të Hamasit më 7 tetor 2023, Benjamin Netanyahu, kryeministri izraelit, diskutoi me Blairin një plan për ta vendosur atë si një “koordinator humanitar” për Rripin e Gazës, si një mënyrë për të zbutur kritikat ndërkombëtare për vuajtjet e civilëve të shkaktuara nga lufta kundër Hamasit. Asgjë nuk doli as nga kjo, por Blair vazhdoi të fliste me akterët e pushtetit, përfshirë Jared Kushnerin, dhëndrin e Donald Trumpit, i cili ia hapi atij rrugën drejt presidentit.
Blair, tani 72 vjeç, e teproi në një takim në Shtëpinë e Bardhë, muajin e kaluar, kur i tha presidentit se e kishte propozuar për Nobelin për Paqe dhe duke ia paraqitur një plan, kryesisht të hartuar nga vetë Blair, për qeverisjen e Gazës të udhëhequr nga ShBA-ja pas një armëpushimi.
Në ditët e fundit, plani i Blairit është rënë mbështetur nga ShBA-ja, Izraeli dhe shtatë vende arabe. Pavarësisht një deklarate të Hamasit se Blair është “figurë e padëshiruar në kontekstin palestinez”, supozohet se Hamasi do të nënshkruajë marrëveshjen.
Njoftimi i Trumpit për planin për një “Bord Paqeje” përmend Blairin. “Një nga personat që dëshiron të jetë në bord është ish-kryeministri britanik Tony Blair”, tha Trump, sikur roli i Blairit të mos ishte vendosur ende, por vazhdoi duke e përshkruar atë si një “njeri i mirë, shumë i mirë”.
Do të ishte e jashtëzakonshme nëse energjia, këmbëngulja dhe optimizmi i Tony Blairit - që kufizohet me iluzionin - do të sillnin si shpërblim paqen në Gazë. Dhe, edhe më e jashtëzakonshme do të ishte nëse ai, i përçmuar nga kaq shumë vetë për rolin e tij në një pjesë tjetër të Lindjes së Mesme, do të përfundonte krah Donald Trumpit si fitues të Çmimit Nobel për Paqe. /Telegrafi/
Aktorja hollivudiane Selma Blair ka ndarë publikisht betejën e saj rrëqethëse me sklerozën e shumëfishtë, një sëmundje kronike autoimune që, për dekada me radhë, mbeti e padiagnostikuar saktë.
E ftuar në emisionin “This Morning”, Blair tregoi se mjekët për gati 30 vjet i dhanë diagnoza të pasakta, shpesh duke ia atribuar simptomat lodhjes kronike, stresit ose depresionit. Ajo përjetoi simptoma të rënda që nga fëmijëria: turbullim shikimi, dhimbje koke, temperatura të vazhdueshme por askush nuk arriti ta lidhte me sklerozën multiple.
“Isha gjithmonë e lodhur. Ata më thoshin që ishte në mendjen time,” rrëfeu ajo.
Për ironi, gjatë shtatzënisë me djalin e saj, ndjeu lehtësim, pa ditur se kjo sëmundje shpesh qetësohet përkohësisht gjatë shtatzënisë. Pas lindjes, gjendja u përkeqësua. Në një moment, humbi aftësinë për të ecur dhe për të folur.
Pika e kthesës erdhi kur kërkoi ndihmë publike në rrjetet sociale dhe më në fund mori diagnozën e duhur në vitin 2018. Sot, me sëmundjen në fazë pa rikthim, Blair është një zë i fuqishëm për ndërgjegjësimin ndaj sklerozës së shumëfishtë, duke inkurajuar njerëzit të dëgjojnë trupin dhe të kërkojnë ndihmën që meritojnë. Është prova se edhe pas dekadash në errësirë, drita mund të vijë në kohën e duhur dhe me zërin tënd.
Aktorja e Hollywoodit, Selma Blair, ndau historinë e vështirë të jetës rreth luftës së saj me sklerozën e shumëfishtë, një sëmundje kronike autoimune që kishte ndikuar në shëndetin e saj për vite me radhë pa u diagnostikuar siç duhet.
Konkretisht, në një rrëfim emocional, ajo zbuloi se mjekët e kishin diagnostikuar gabim për 30 vjet, ndërsa simptomat e saj u bënë gjithnjë e më të rënda, deri në atë pikë sa në një moment humbi aftësinë për të ecur dhe për të folur.
Duke u shfaqur në emisionin britanik "This Morning", Blair shpjegoi se si beteja me sëmundjen ka vazhduar në të vërtetë që nga fëmijëria e hershme.
Foto: YouTube
Simptomat e para u shfaqën me probleme me shikimin.
Gjatë viteve, ajo vuajti nga sëmundje të shumta, nga dhimbje koke kronike, temperaturë vazhdimisht e lartë etj.
Pavarësisht specialistëve të shumtë që vizitoi, shkaku i vërtetë i gjendjes së saj shëndetësore nuk u zbulua për vite me radhë.
"E kam kaluar gjithë jetën time me mjekë të cilët u përpoqën vërtet të kuptonin pse isha kaq e lodhur", tha aktorja.
Për shkak të lodhjes kronike, mjekët shpesh e diagnostikonin gabimisht me depresion, gjë që e bënte jetën e përditshme edhe më të vështirë.
Është interesante që gjatë shtatzënisë me fëmijën e parë ajo ndihej më mirë se kurrë, duke mos e ditur atëherë se skleroza multiple shpesh kalon në remision gjatë shtatzënisë.
Megjithatë, pas lindjes, simptomat u rikthyen edhe më të forta dhe mjekët ia atribuuan ato depresionit pas lindjes. Me kalimin e kohës, dhimbja u bë aq e fortë sa ajo nuk mund të ecte më.
Pika e kthesës në jetën e saj erdhi kur ajo kërkoi publikisht ndihmë në rrjetet sociale, duke kërkuar një mjek që mund ta ndihmonte me terapinë me steroide në mënyrë që të mund të kthehej në punë.
Ajo e bëri publike diagnozën në vitin 2018, pavarësisht se mjekët e këshilluan të mos e bënte, nga frika se do të humbiste rolet dhe angazhimet e biznesit.
Sot, pas dy vitesh pa rikthim të sëmundjes, Selma Blair është bërë një nga zërat më të zhurmshëm në mbështetje të atyre që luftojnë me këtë sëmundje të rëndë. /Telegrafi/
Aktorja hollivudiane Selma Blair ka ndarë publikisht betejën e saj rrëqethëse me sklerozën e shumëfishtë, një sëmundje kronike autoimune që, për dekada me radhë, mbeti e padiagnostikuar saktë.
E ftuar në emisionin “This Morning”, Blair tregoi se mjekët për gati 30 vjet i dhanë diagnoza të pasakta, shpesh duke ia atribuar simptomat lodhjes kronike, stresit ose depresionit. Ajo përjetoi simptoma të rënda që nga fëmijëria: turbullim shikimi, dhimbje koke, temperatura të vazhdueshme por askush nuk arriti ta lidhte me sklerozën multiple.
“Isha gjithmonë e lodhur. Ata më thoshin që ishte në mendjen time,” rrëfeu ajo.
Për ironi, gjatë shtatzënisë me djalin e saj, ndjeu lehtësim, pa ditur se kjo sëmundje shpesh qetësohet përkohësisht gjatë shtatzënisë. Pas lindjes, gjendja u përkeqësua. Në një moment, humbi aftësinë për të ecur dhe për të folur.
Pika e kthesës erdhi kur kërkoi ndihmë publike në rrjetet sociale dhe më në fund mori diagnozën e duhur në vitin 2018. Sot, me sëmundjen në fazë pa rikthim, Blair është një zë i fuqishëm për ndërgjegjësimin ndaj sklerozës së shumëfishtë, duke inkurajuar njerëzit të dëgjojnë trupin dhe të kërkojnë ndihmën që meritojnë. Është prova se edhe pas dekadash në errësirë, drita mund të vijë në kohën e duhur dhe me zërin tënd.
Një plan paqeje i publikuar nga Shtëpia e Bardhë të hënën për t'i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza, përfshin role surprizë në një Gazë të pasluftës për dy figura të njohura politike: ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair dhe Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Reuters sjell detajet e strukturës së propozuar të qeverisjes së përkohshme të territorit bregdetar, transmeton Telegrafi.
Cfarë thotë plani për qeverisjen e përkohshme?
Propozimi thotë: "Gaza do të qeveriset nën qeverisjen e përkohshme kalimtare të një komiteti palestinez teknokratik dhe apolitik", megjithëse nuk identifikon asnjë individ ose grup palestinez me emër si të përfshirë në tranzicion.
Paneli do të mbikëqyret nga një organ i ri ndërkombëtar kalimtar i quajtur "Bordi i Paqes". Ai do të drejtohet nga Trump dhe do të përfshijë krerë të tjerë shtetesh dhe anëtarë, përfshirë Blair.
Komiteti do të jetë përgjegjës për ofrimin e funksionimit të përditshëm të shërbimeve publike dhe komunave në Gaza dhe do të përbëhet nga "palestinezë të kualifikuar dhe ekspertë ndërkombëtarë", të cilët nuk u identifikuan. Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në qeverisjen e Gazës.
Pse plani ka ngrehur vetullat e disave?
Në javët e fundit, raportet për përfshirjen e Blair-it ngritën habi midis avokatëve për shkak të historisë së imperializmit britanik në rajon dhe në veçanti përfshirjes së Blair-it në pushtimin e Irakut, që bazohej në pretendimet se Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë, të cilat u vërtetuan të rreme.
Pushtimi i Irakut i udhëhequr nga SHBA-të filloi në vitin 2003 dhe trupat u tërhoqën në vitin 2011. U kritikua gjerësisht për një efekt destabilizues në rajon dhe numrin e madh të të vdekurve. Vetë Blair u përball me kritika pasi pretendimet e tij për armë shkatërrimi në masë u hodhën poshtë.
Qfarë do të bëjë organi qeverisës?
Organi do të trajton fondet për rindërtimin e Gazës deri në kohën kur "Autoriteti Palestinez të ketë përfunduar programin e tij të reformës", thuhej në propozim, pa dhënë një afat kohor të saktë. Plani thoshte se disa propozime dhe ide investimi janë hartuar nga grupe ndërkombëtare, të cilat nuk u identifikuan.
Autoriteti Palestinez dhe një deklaratë e përbashkët nga shumë vende me shumicë myslimane, thanë se mirëpritën përpjekjet e Trump për t'i dhënë fund luftës në Gaza.
Qfarë angazhimi të fundit ka pasur Blair në Gazë?
Në fund të muajit të kaluar, Blair vizitoi Shtëpinë e Bardhë për t'u takuar me Trumpin. Grupi i ekspertëve të Institutit Tony Blair ka thënë se "ka pasur shumë telefonata me grupe të ndryshme mbi rindërtimin e Gazës pas luftës".
Qfarë thonë kritikët dhe palestinezët për përfshirjen e Blair?
Mustafa Barghouti, sekretari i përgjithshëm i Iniciativës Kombëtare Palestineze, i tha Ëashington Post: "Ne kemi qenë tashmë nën kolonializmin britanik. Ai ka një reputacion negativ këtu. Nëse përmendni Tony Blair, gjëja e parë që njerëzit përmendin është lufta në Irak".
Francesca Albanese, raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në territoret e pushtuara palestineze, tha: "Tony Blair? Jo, jo. Larg duart nga Palestina".
Qfarë tha Blair?
Blair e quajti idenë e Trump një "plan të guximshëm dhe inteligjent". Ai shprehu mbështetje për Trumpin për propozimin për të udhëhequr bordin që do të mbikëqyrte panelin e qeverisjes së përkohshme të Gazës. /Telegrafi/
Ish kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair mund të jetë në krye të një autoriteti kalimtar në Gaza, në rast se do të ketë një armëpushim.
Sipas medias britanike BBC emri i tij është propozuar në një takim mes Donald Trump dhe udhëheqësve arabë në OKB këtë javë. Blair ka marrë pjesë në diksutime të nivelit të lartë për t’i dhënë fund luftës dhe për të ardhmen pas konflikit në territorin palestinez.
Thelbi i planit është ideja që Gaza të drejtohet nga një organ kalimtar, i quajtur Autoriteti Ndërkombëtar i Tranzicionit në Gaza. Ky organ do të funksionojë me mbështetjen e OKB dhe Shteteve të Gjirit, para se ti kthehet kontrollit palestinez.
Blair nuk ka reaguar ende publikisht per planin, por zyra e tij ka ka thene se ai nuk do të pranonte asgjë që do të zhvendoste popullin e Gazës.
Ish kryeministri britanik u takua me Trump në Shtëpinë e Bardhë në muajin gusht për të diskutuar planet e pasluftës për Gazën. I dërguari i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Ëitkoff, e përshkroi takimin si gjithëpërfshirës, por nuk zbuloi detaje.
Lajmet për Blair vijnë pasi Presidenti palestinez Mahmoud Abbas tha se ishte gati të punonte me Trump dhe udhëheqës të tjerë botërorë për të zbatuar një plan paqeje me dy shtete.
Ish-kryeministri britanik pati rolin e tij si Përfaqësues i Kuartetit të Lindjes së Mesme gjatë viteve 2007–2015, një grup diplomatik me SHBA, OKB, BE dhe Rusinë, i krijuar për të negociuar procesin e paqes mes Izraelit dhe Palestinës. Ai u përqendrua më së shumti në rritjen e zhvillimit ekonomik në Palestinë dhe në krijimin e kushteve për një zgjidhje me dy shtete.
Ish-kryeministri britanik Tony Blair po shqyrton mundësinë për të udhëhequr një autoritet tranzitor ndërkombëtar në Gaza pas përfundimit të luftës, me mbështetje nga SHBA, OKB dhe vendet e Gjirit. Ky autoritet – i quajtur Gaza International Transitional Authority (GITA) do të kishte mandat pesëvjeçar dhe synon t’i kalojë gradualisht kontrollin palestinezëve. Fillimisht do të vendosej në Egjipt dhe më pas do të zhvendosej në Gaza pasi të stabilizohej situata.
Zyra e Blair ka deklaruar se ai nuk do të mbështesë asnjë plan që parashikon zhvendosjen e popullsisë palestineze.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur aktorë ndërkombëtarë po diskutojnë modele të ndryshme për rindërtimin dhe qeverisjen e Gazës. Ndërkohë, disa vende – përfshirë Britaninë, Francën dhe Kanadanë, kanë njohur zyrtarisht Shtetin e Palestinës dhe kanë rikonfirmuar mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete. Izraeli dhe SHBA e kanë kundërshtuar këtë hap, duke e cilësuar si “shpërblim për Hamasin”.
Konflikti vijon pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe ofensivës së Izraelit që ka shkaktuar mbi 65,000 viktima palestineze, sipas autoriteteve në Gaza. OKB ka akuzuar Izraelin për gjenocid akuzë e mohuar nga Tel Avivi.
Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, është ofruar të marrë drejtimin e përkohshëm të Gazës pas përfundimit të luftës midis Izraelit dhe Hamasit.
Sipas mediave ndërkombëtare, Blair tashmë ka përgatitur një plan nëpërmjet institutit të tij, “Tony Blair Institute for Global Change (TBI)”, për menaxhimin e periudhës së pasluftës.
Një nga opsionet që po shqyrtohet është krijimi i një administrate kalimtare ndërkombëtare të ngjashme me atë që u zbatua në Kosovë pas vitit 1999. Ky model parashikon kalimin e gradual të pushtetit tek institucionet lokale, në këtë rast Autoriteti Palestinez (AP), pasi të jetë reformuar.
Sipas “The Guardian”, Blair ka propozuar udhëheqjen e një administrate të përkohshme në Gaza, që më vonë do ia dorëzonte pushtetin AP-së, transmeton Telegrafi.
Propozimi i tij ka marrë mbështetjen e disa figurave të afërta me presidentin amerikan, Donald Trump, përfshirë dhëndrin e tij, Jared Kushner, dhe emisarin Steve Witkoff. Në një takim në Shtëpinë e Bardhë më 27 gusht, këta të fundit i kanë paraqitur Trumpit idenë e përfshirjes së Blairit në këtë rol.
Blair, që më parë ka shërbyer si emisar special i Kuartetit për Lindjen e Mesme (OKB, SHBA, BE dhe Rusia), është i gatshëm të "sakrifikojë kohën" për të kontribuar në përfundimin e konfliktit dhe ndërtimin e paqes në Gaza, sipas burimeve për “The Economist”. Trump e ka përkrahur planin dhe e ka paraqitur atë në bisedime me liderë nga Turqia, Pakistani, Indonezia dhe pesë shtete arabe në OKB.
Plani i Blair parashikon krijimin e një strukture të quajtur “Autoriteti Ndërkombëtar Kalimtar për Gazën (GITA)”, i cili do të vendosej nga OKB-ja dhe do të funksiononte për disa vite. Kjo trupë do të kishte autoritetin suprem politik dhe ligjor gjatë tranzicionit dhe do të përfshinte përfaqësues palestinezë, zyrtarë të OKB-së, ekspertë ekonomikë dhe përfaqësues nga shtete myslimane.
Në këtë plan, Gaza dhe Bregu Perëndimor do të ribashkoheshin, me synimin që kontrolli përfundimtar t’i kalojë Autoritetit Palestinez, me mbështetjen e Arabisë Saudite, të cilën SHBA e sheh si kyçe për suksesin e projektit. Princi i kurorës saudite, Mohamed bin Salman, ka kërkuar që çdo zgjidhje e pasluftës të çojë drejt krijimit të një shteti palestinez, gjë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka refuzuar.
Sipas anketimeve të realizuara nga TBI, më shumë se 25 për qind e palestinezëve në Gaza e preferojnë përfshirjen ndërkombëtare në qeverisje, ndërsa një e treta mbështesin rikthimin e Autoritetit Palestinez.
Presidenti Mahmoud Abbas ka deklaruar se administrata e tij është e gatshme të marrë përgjegjësinë për sigurinë dhe qeverisjen në Gaza, pa përfshirjen e Hamasit. Megjithatë, Hamasi kërkon të ketë një rol joushtarak, përfshirë në sektorin e arsimit.
Nga ana tjetër, Izraeli ka refuzuar që AP-ja të ketë rol në Gazë, por është angazhuar “në mënyrë konstruktive” për shqyrtimin e planeve ndërkombëtare. Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka sugjeruar që Gaza mund të shndërrohet në një zonë zhvillimi ekonomik dhe ka deklaruar se janë duke u zhvilluar bisedime me SHBA-në për ndarjen e territorit.
Përvoja e Blairit në rajone pas konflikti, si Kosova dhe Lindja e Mesme, shihet si një përparësi në këtë përpjekje. Ai ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe ka vizituar vendin disa herë pas luftës. /Telegrafi/
Kur dëgjon që Donald Trump po mban një takim në Shtëpinë e Bardhë për të ardhmen e Gazës, pa praninë e asnjë përfaqësuesi të popullit palestinez – madje as nga Izraeli apo nga vendet fqinje arabe – duhet të kesh frikë nga më e keqja.
Por, kur dëgjon gjithashtu se Tony Blair disi ka arritur të përfshihet në këto diskutime, mund të marrësh frymë i lehtësuar.
Në këtë kontekst, dhe në kuadrin e pamjes së zymtë për popullin palestinez, fakti që ish-kryeministri britanik ishte i pranishëm në atë që mund të quhet një sesion “vizionar” në Zyrën Ovale – për të diskutuar me Trumpin për të gjitha aspektet e çështjes së Gazës, përfshirë dërgimin e ndihmave ushqimore, krizën e pengjeve dhe planet për momentet pas përfundimit të luftës – është asgjë më pak se një ndërhyrje hyjnore.
Përveç të dërguarit të padobishëm të Trumpit “për paqen”, Steve Witkoff – i cili keqkuptoi në mënyrën më fatale qëllimet e Putinit para samitit të Alaskës – personi tjetër me përvojë në rajon ishte Jared Kushner, dhëndri i Trumpit dhe i dërguari i tij gjatë mandatit të parë.
Ndoshta i vetmi në atë takim, Blair, në fakt beson në zgjidhjen me dy shtete – edhe pse vitet që kaloi si i dërguar ndërkombëtar për paqen nuk sollën ndonjë përparim dhe ndoshta i kanë shtuar dyshimet e tij. Në kohë pak më shpresëdhënëse, nga largimi i tij si kryeministër në vitin 2007 e deri më 2015, Blair veproi në emër të Kuartetit të përbërë nga OKB-ja, BE-ja, ShBA-ja dhe Rusia. Një pjesë e mandatit të tij ishte zhvillimi ekonomik dhe ndërtimi i infrastrukturës në territoret e pushtuara. Shumica e asaj që u ndërtua, me ndihma ndërkombëtare, tani është kthyer në pluhur nga një kombinim i municioneve izraelite dhe keqqeverisjes të Hamasit.
Por, pse ishte Blair aty? Të bie ndërmend fraza se kjo “ka të bëjë me Peter Mandelsonin”, duke qenë se Lordi Mandelson [ambasador britanik në ShBA] është njeriu ynë i zhdërvjellët në Uashington dhe mbetet i afërt si me ish-kryeministrin britanik ashtu edhe me atë të tashmin.
Sigurisht, shumë njerëz mendojnë se puna e dikurshme e Blairit si i dërguar për paqen në Lindjen e Mesme ishte një shaka e keqe, dhe nuk do t’ia falin kurrë luftën e paligjshme në Irak dhe gjithçka që pasoi. Ata ndihen të neveritur vetëm që shohin atë njeri, aq më tepër që ka qasje te presidenti amerikan. Siç tha me ironi një kritike e ashpër e tij – komentatorja e së majtës radikale, Ash Sarkar: “Epo, ndoshta është kështu sepse Satanai nuk ishte i qasshëm”.
Mjaft më me këtë inat fëmijëror. Po të isha palestinez, i shkatërruar nga humbja e familjes, miqve dhe shtëpisë, do të ndihesha mirënjohës që të paktën ka një person që mendon për interesat tona – ndërkohë që edhe Trumpi po mendon për fatin tonë. Blair ka përvojë në marrëdhëniet me presidentë të ndryshëm amerikanë në gjithë larushinë e tyre – edhe pse jo kaq izolacionist sa ky – dhe i njeh mirë si izraelitët ashtu edhe palestinezët. Në fakt, mandati i tij si kryeministër përkoi me një nga shumë mandatet e Netanyahut si kryeministër i Izraelit. Ata nuk janë të panjohur për njëri-tjetrin.
Blair mbetet ende një figurë me peshë në arenën ndërkombëtare dhe do të dëgjohet në Riad, Kajro dhe Ankara. Ai është i kualifikuar, në mënyrë ideale, për të kontribuar në një përpjekje të re për paqe. Mund të shpresojmë që ai do të përdorë njohuritë, autoritetin dhe sharmin e tij për ta larguar Trumpin nga ideja e dëbimit me forcë të njerëzve nga atdheu i tyre dhe ta drejtojë atë drejt një të ardhmeje të realizueshme për një shtet të pavarur palestinez.
Nëse Blairi arrin ta bindë Trumpin se “Gaza e Re” mund të jetë një vend paqësor dhe i begatë me mbështetjen amerikane – me popullsinë e saj palestineze të nxjerrë nga varfëria dhe të pajisur me mundësi të reja për të realizuar potencialin e tyre, dhe atë pa praninë e Hamasit – atëherë ai do të ketë bërë shumë më tepër mirë sesa mendojnë kritikët e tij të shumtë. Ata që e quajnë “zëvendës i Satanait” do të bënin mirë t’i urojnë sukses; ai do të jetë duke bërë punën e Zotit.
Zgjidhja me dy shtete është e pashmangshme, dhe detyra e Blairit është ta bindë Trumpin për këtë. Madje, mund të guxojmë të mendojmë se Blairi, në moshën 72-vjeçare, mund të jetë pranë një kulmi të papritur të karrierës së tij – si arkitekt i madh i paqes në Lindjen e Mesme. Ai me siguri do të bëjë një punë më efektive se Witkoffi në arritjen e një kompromisi historik.
Presidenti Trump, pra, ka një konkurrencë miqësore në garën e tij për Nobelin për Paqe në vitin 2025. Ndoshta ai dhe Blair – një nga partneritetet më të çuditshme në politikën botërore – mund ta ndajnë çmimin. Satanai (dhe Sarkari) do të mërziteshin tmerrësisht. /Telegrafi/
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zhvilloi një takim rreth luftës në Gaza, ku morën pjesë ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe ish-i dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, Jared Kushner.
Trump, zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë, Blair dhe Kushner diskutuan për Gazën, shpërndarjen e ushqimit, krizën e pengjeve, planet e pasluftës dhe çështje të tjera, njoftoi një zyrtar, duke shtuar se ishte një “takim i thjeshtë politik” i llojit që Trump dhe ekipi i tij mbajnë shpesh.
Kushner, bashkëshorti i vajzës së Trumpit, Ivanka, ishte një këshilltar kyç i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e Lindjes së Mesme gjatë mandatit të parë të Trumpit, shkruan Reuters.
Blair, i cili ishte kryeministër britanik gjatë luftës në Irak në vitin 2003, është gjithashtu aktiv në çështjet e Lindjes së Mesme.
Ndryshe, Trump premtoi gjatë fushatës së tij zgjedhore vitin e kaluar se do t’i jepte fund shpejt luftës në Gaza, por një zgjidhje ka qenë e pakapshme për shtatë muaj në mandatin e tij të dytë.
Mandati i dytë filloi me një armëpushim dy-mujor, derisa sulmet izraelite më 18 mars vranë rreth 400 palestinezë.
Kohët e fundit, bota është tronditur nga imazhet e palestinezëve të uritur, përfshirë fëmijë, dhe Izraeli është kritikuar për kushtet e përkeqësuara në Gaza. /Telegrafi/
Në një konferencë për teknologjinë shkurtin e vitit të kaluar në Dubai, kryeministri Edi Rama u ngjit në podium me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair dhe i dedikoi këtij të fundit karrierën e tij si politikan dhe kryeministër. “Unë nuk do të isha as kryeministër dhe as njeri i përfshirë në politikë pa të,” i tha […]