LOS ANXHELES, 18 dhjetor /ATSH/- Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit njoftoi dje në mbrëmje se duke filluar nga viti 2029, “YouTube” do të ketë të drejtën globale për transmetimin e çmimeve “Oscar” deri në vitin 2033, sipas AP.
ABC do të vazhdojë të transmetojë ceremoninë vjetore deri në vitin 2028, që shënon 100-vjetorin e “Oscar”
“YouTube” do të jetë praktikisht shtëpia e të gjitha ngjarjeve që lidhen me çmimet “Oscar”, duke përfshirë daljet në tapetin e kuq, Çmimet e Guvernatorëve dhe njoftimin e nominimeve për “Oscar”.
“Jemi të emocionuar që po hyjmë në një partneritet global shumëplanësh me “YouTube” për të qenë shtëpia e ardhshme e çmimeve “Oscar” dhe programimit tonë gjatë gjithë vitit të Akademisë”, thanë drejtori ekzekutiv i akademisë, Bill Kramer dhe presidentja e akademisë, Lynette Howell Taylor.
“Akademia është një organizatë ndërkombëtare dhe ky partneritet do të na lejojë të zgjerojmë aksesin në ngjarjet e Akademisë për te patur audiencën më të madhe të mundshme në mbarë botën – gjë që do të jetë e dobishme për anëtarët e Akademisë sonë dhe komunitetin e filmit”, shtuan ata.
Çmimet e Akademisë do të transmetohen falas në të gjithë botën në “YouTube”, përveç abonentëve të “YouTube TV”. Do të jenë të disponueshme me këngë audio në shumë gjuhë, përveç titrave.
ABC, në pronësi të Walt Disney Co., ka qenë shtëpia e transmetimit të “Oscar” për pothuajse të gjithë historinë e saj.
NBC e transmetoi për herë të parë ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar” në vitin 1953, por ABC i mori të drejtat në vitin 1961.
Përveç një periudhe midis viteve 1971 dhe 1975, kur NBC e transmetoi sërish shfaqjen, ceremonitë e ndarjes së çmimeve “Oscar” janë transmetuar në ABC.
Çmimet e Akademisë së Filmit në vitin 2025 u ndoqën nga 19,7 milionë shikues në ABC, një rritje e lehtë krahasuar me një vit më parë.
Në vitin 1999, më shumë se 55 milionë ndoqën ceremoninë e ndarjes së çmimeve – ku filmi “Titanic” me regji të James Cameron fitoi “Oscar” për filmin më të mirë.
Akademia e filmit, duke zgjedhur “YouTube” kundrejt opsioneve të tjera si “Netflix” ose “NBC Universal/Peacock”, zgjodhi një platformë me një audiencë të gjerë dhe masive, por pa një infrastrukturë prodhimi aq të vendosur.
Megjithatë, më shumë njerëz – veçanërisht të rinjtë – shikojnë “YouTube” sesa çdo platformë tjetër transmetimi. //a.i/
The post KINEMA – Nga viti 2029, çmimet “Oscar” do të transmetohen në YouTube! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.