Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar sot se institucioni që udhëheq ka ndarë edhe 100 mijë euro për Ngrohtoren e Gjakovës, me qëllim të garantimit të furnizimit të qëndrueshëm dhe me çmim të përballueshëm për qytetarët gjatë sezonit të dimrit.
Sipas saj, mbështetja financiare totale e Ministrisë së Ekonomisë për këtë ndërmarrje ka arritur rreth 2 milionë euro që nga funksionalizimi i ngrohtores me sistem kogjenerimi dhe biomasë në vitin 2021, projekt i realizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Rizvanolli ka theksuar se pret që Ngrohtorja e Gjakovës të ofrojë shërbim të sigurt dhe stabil për familjet gjatë muajve të ftohtë, duke shmangur rritjen e panevojshme të konsumit dhe duke garantuar komoditetin e qytetarëve në periudhën më të ndjeshme të vitit. /Telegrafi/
Memorandum i çuar dëm mund të vlerësohet ai për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, që ishte nënshkruar në Nëntor 2024. Kjo pasi vlefshmëria e tij ishte një vit kalendarik, ndërsa qeveritë e të dyja shteteve, përkundër pritjes për disa javë, nuk ishin në gjendje të listojnë asnjë rezultat nga memorandumi. Aty përfshihej edhe mundësia e shkëmbimit të energjisë me thëngjillin, gjë që do të mund të ndikonte në uljen e importit.
Përkundër disa javësh pritjeje, Qeveria në detyrë e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nuk qenë në gjendje të tregojnë një të arritur në kuadër të memorandumit në sektorin e energjisë, të nënshkruar më 18 Nëntor 2024.
Duke zgjedhur të përmbushë vetëm kërkesën për qasje në dokumente, Ministria e Ekonomisë e Kosovës ia ofroi televizionit dokumentin e nënshkruar, por nuk u përgjigj në pyetjet për veprimet dhe rezultatet eventuale.
Në anën tjetër, përkundër që më 18 Nëntor konfirmoi pranimin e pyetjeve dhe tha se do të përgjigjet “së shpejti”, Ministria e Energjisë e Maqedonisë së Veriut nuk iu përmbajt zotimit.
Ujdia rezulton e çuar dëm pasi nuk u përmend asnjë rezultat dhe vlefshmëria e saj ishte një vit kalendarik – pra, tashmë është e skaduar.
Për më tepër, memorandumi i nënshkruar nga përfaqësuesit e qeverive të dy shteteve, kishte shfuqizuar atë të vitit 2021 – për bashkëpunim në sektorin e energjisë.
“Rritja e sigurisë, përballueshmërisë e qëndrueshmërisë energjetike” ishin theksuar si qëllime të nënshkrimit të dokumenti, sipas njoftimit zyrtar.
Me synimin për të zhvilluar një partneritet strategjik, memorandumi liston pesë masa në të cilat palët ishin pajtuar punojnë.
Në masën e parë ishin përmendur përcaktimi i nismave për bashkëpunim lidhur me burimet e ripërtërishme të energjisë, efiçiencën, thëngjillin, furnizimin si dhe përgatitjen e projekteve e infrastrukturës së energjisë.
Krahas ekspertizës dhe informacioneve, pjesë e dokumentit ishte edhe hulumtimi i potencialit për shkëmbimin e energjisë elektrike ndërmjet dy shteteve ose të energjisë elektrike me thëngjill.
Shkëmbimet direkte të rrymës sikur ato me Shqipërinë, apo pranimi i energjisë në këmbim të thëngjillit, do të mund të ishin faktorë me ndikim në uljen e importit veçmas gjatë dimrit.
Memorandumi tashmë i skaduar, ishte nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të qeverive të dy shteteve, që ishte mbajtur në Prishtinë./TV Dukagjini
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk është palë në proceset e blerjes së energjisë elektrike, duke theksuar se këtë e bëjnë vetëm operatorët privatë të licencuar si KEDS dhe KESCO.
Sipas saj, përgjegjësitë për licencimin dhe mbikëqyrjen e tregut të energjisë i takojnë institucioneve të pavarura dhe jo ekzekutivit. Ajo ka theksuar se qeveria nuk posedon kontrata tregtimi të energjisë dhe se këto dokumente i kanë në posedim vetëm kompanitë private dhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përcjell Telegrafi.
“Ne si qeveri nuk jemi përgjegjës për licensimin e kompanive as për mbikëqyrjen e tregut të energjisë elektrike. Dhe nuk posedojmë kontrata të tregtimit të energjisë të kompanive, mirëpo këto i kanë vetëm kompanitë dhe ZRRE”, ka deklaruar ministrja.
Rizvanolli ka bërë të ditur se, për hir të informimit publik, qeveria ka kontaktuar të gjitha palët relevante lidhur me pretendimet për import energjie nga kompania EFT.
Sipas saj, as ndërmarrjet publike, e as ato private, nuk kanë pasur kontrata me këtë kompani gjatë mandatit të qeverisë aktuale.
“KOSTT dhe KEK kanë konfirmuar që gjatë qeverisjes sonë nuk kanë pasur asnjë kontratë me EFT-në. Për më tepër edhe kompanitë private KESCO dhe KEDS kanë konfirmuar të njëjtën – që nuk kanë pasur kontratë me EFT gjatë këtyre viteve të qeverisjes sonë”, ka shtuar Rizvanolli.
Për më tepër Rizvanolli tha: “Përkundër kësaj, për të mbështetur gënjeshtrën se kinse po importohet energji nga EFT, në publik janë plasur disa rezultate të ankandeve. Këto janë paraqitur sikur të ishin dëshmi të blerjeve nga operatorët në Kosovë, e që në fakt nuk janë”. /Telegrafi/
Ministrja Delina Ibrahimaj dha sqarime të martën para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut për përgjegjësitë që kjo ministri ka për zgjidhjen e kërkesave të minatorëve grevistë të minierës së Spaçit. Ibrahimaj foli me një gjuhë të drunjtë për rolin e ministrisë, duke e parë këtë rol thjesht si ndërmjetësues mes minatorëve dhe kompanisë […]
Po vazhdojnë me intensitet punimet në kuadër të projektit “Ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit për fshatrat Krushë e Madhe, Piranë, Zojzë dhe Medvec”, që po realizohet si bashkëfinancim mes Ministrisë së Ekonomisë, KRU “Gjakova” dhe Komunës së Prizrenit.
Ky projekt, që synon të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për banorët e katër fshatrave, është në fazën përfundimtare të fazës së parë të punimeve, përcjell Telegrafi.
Sipas marrëveshjes, Ministria e Ekonomisë ka participuar me 700 mijë euro, ndërsa KRU “Gjakova” dhe Komuna e Prizrenit kanë kontribuar secila me nga 300 mijë euro.
Ky investim i përbashkët vlerësohet si një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për zonat rurale të Prizrenit, që do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe shërbimeve publike për komunitetin lokal. /Telegrafi/
Takimi i thirrur nga Ministria e Ekonomisë për të ndërmjetësuar zgjidhje mes kërkesave të minatorëve të Spaçit dhe koncesionarit “Tete Albania” nuk solli asnjë zhvillim të ri për çështjen. Në këto kushte, greva e 76 minatorëve vijon në javën e tretë të saj.
Minatorët kishin kërkuar kthimin në punë të 17 kolegëve të tyre që u pushuan javët e fundit dhe nënshkrimin e një kontrate kolektive, por këto kërkesa si dhe 8 pika të tjera nuk u morën parasysh nga përfaqësuesit e kompanisë, të cilët e konsiderojnë grevën të paligjshme dhe sindikatën përfaqësuese “pa mandat ligjor”.
Qasja e ministrisë u cilësua indiferente nga Konfederata e Sindikatave (KSSH), kreu i së cilës, Kolë Nikollaj, shprehu zhgënjimin për mungesën e arritjes së një marrëveshjeje pavarësisht se takimi zgjati rreth katër orë.
“Ofruam mundësinë për t’u kthyer në punë, duke kthyer të gjithë punëtorët, të 17-të që kanë larguar gjatë grevës, por ai [përfaqësuesi i kompanisë] nuk pranoi,” tregoi Nikollaj për Citizens.al.
Sipas kreut të KSSH-së grupi i minatorëve ishte dakord të ofronte dhe 15 ditë pas kthimit në punë për të diskutuar më pas kushtet e kontratës kolektive.
Albert Bushpreni, minator i larguar nga puna, konfirmoi gjithashtu për Citizens.al se greva vijon dhe palët nuk kanë rënë dakord në asnjë nivel institucional.
“As në ministri, as në prefekturë, as në bashki, askund s’kemi renë dakord. U bënë takimet, ata akoma i mëshojnë pjesës së paligjshëmrisë sonë,” tha Bushpreni.
Ky ishte takimi i dytë zyrtar në strukturat shtetërore mes palëve. Më herët përfaqësuesit e minatorëve dhe kompanisë ishin takuar më 10 tetor në Agjencinë Kombëtare të Punësimit në Lezhë, e po ashtu takim patën edhe në bashkinë Mirditë, por pa rezultat.
Grupi i minatorëve ka formuluar 10 kërkesa të përgjithshme, ku ndër më kryesoret janë kontrata kolektive, rritja e pagave dhe kushte më të mira pune.
Javën që shkoi, në një deklaratë për shtyp, kompania “Tete Albania” u bëri thirrje punonjësve t’i kthehen punës pasi greva ka ndikuar në aktivitetin e saj. Duke e konsideruar me efektin e një “sulmi ekonomik” kompania nënvizoi se mund të përballet me “vështirësi në shlyerjen e detyrimeve financiare”.
Në kushte të tilla është përfolur për një tërheqje të kompanisë “Tete Albania” dhe mbyllje të minierës së bakrit nëse nuk rinis puna, version të cilin minatorët e kanë konsideruar më shumë si një formë presioni.
Sipas kreut të KSSH-së Nikollaj, tërheqja dhe mbyllja e minierës së Spaçit nuk është dhe aq e lehtë për të ndodhur, pasi parashikohen procedura dhe pasoja për të.
“Në bazë të ligjit minerar koncesionari nuk mund të mbyllë minierën pa njoftuar qeverinë dhe në qoftë se do ta mbyllë, i ngurtësohet fondi nga qeveria shqiptare dhe paguan punëtorët me këtë, por edhe i humbasin investimet, ndaj nuk është kaq lehtë as ta mbyllë dhe as ta konservojë,” tha Nikollaj.
Greva e përgjithshme e minatorëve të Spaçit ka nisur më 13 tetor, pasi një sindikatë e formuar prej tyre, e cila paraqiti formalisht kërkesat për kushte dhe paga më të mira nuk u njoh nga kompania. Ata kanë paralajmëruar se do ta vijojnë deri në plotësimin e kërkesave.
Drejtuesi i “Tete Albania”, Cem Koray Yagci, ka deklaruar për Citizens.al se sindikata nuk kishte dorëzuar dokumentacion ligjor të vlefshëm.
Sipas tij, KSSH, e cila e mbështet sindikatën e re, nuk ka paraqitur listën e anëtarëve dhe vendimin për krijimin e saj, çka sipas tyre e bën grevën “të paligjshme”.
Yagci theksoi se punonjësit “kanë të drejtë të protestojnë”, por jo të pengojnë të tjerët, ndërsa e cilësoi mandatin e Nikollajt si të përfunduar që në vitin 2024. Por, Nikollaj e hodhi poshtë këtë pretendim, duke e cilësuar si “artificë ligjore”.
Sipas Nikollajt, KSSH është një strukturë me 2,300 organizata dhe dokumentet për rimandatimin e tij janë depozituar në gjykatë që prej nëntorit 2024.
“Gjykata është në proces, por kjo nuk e pezullon mandatin,” thekson ai duke argumentuar se kompanisë i është dërguar historiku i gjykatës dhe dokumentet e Kongresit që e rimandatoi atë në krye.
Ministria e Ekonomisë ka bërë një njoftim me rëndësi për bizneset prodhuese dhe përpunuese.
Në njoftim janë dhënë udhëzime paraprake për skemën e granteve për energji të pastër për të ndihmuar bizneset prodhuese dhe përpunuese të përgatiten me kohë.
Aty janë publikuar udhëzimet paraprake që shpjegojnë dokumentacionin dhe kriteret e nevojshme për aplikim.
"Këto udhëzime ju mundësojnë të filloni paraprakisht përgatitjen e dokumenteve, në mënyrë që të jeni gati në momentin kur hapen thirrjet. Skema do të mbështesë investime në këto masa: Sistemet e energjisë solare fotovoltaike për prodhim të energjisë elektrike; Sistemet solare termike për ngrohjen e ujit sanitar; Sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike; Masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve; Pajisjet që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit", thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Njëzeteshtatë organizata lokale dhe ndërkombëtare të lirisë së medias dënuan njëzëri më 12 gusht ndërhyrjen e fortë të Policisë shqiptare ndaj grupit mediatik Focus Media Group, duke shkaktuar ndërprerjen prej tre ditësh të sinjalit të televizionit informativ, News 24. Sipas deklaratës së përbashkët, ndërhyrja është bërë mbi baza ligjore të paqarta dhe pa respektuar procedurën […]
Organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias kanë reaguar ndaj bllokadës së vendosur nga Policia e Shtetit më 9 gusht ndaj redaksisë së televizionit informativ, News 24 si dhe mediave të tjera të grupit, Balkanweb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare. Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, IPI, u shpreh në një postim në X “i alarmuar nga bllokada e […]
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka reaguar lidhur me rrethimin e godinës së medias News24 nga policia. Në deklaratën për shtyp, ministria është shprehur së pretendimi i shoqërisë “Panorama Group” sh.a. se kontrata e saj e qirasë ka afat deri në vitin 2033 lidhet me një pasuri tjetër shtetërore. Më tej thuhet se për […]
Pasi u miratua në Këshillin Bashkiak të Tiranë, sot ka marrë vendimi edhe Qeveria për kalimin e Pallatit të Kongreseve në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ky kalim pronësie është bërë në funksion të realizimit të projektit të investimit “Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve”. Ndonëse kjo godinë gëzon statusin e monumentit të […]
Pas tre javësh trysni dhe protesta të thirrura nga shoqëria civile, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ka vendosur zyrtarisht të pezullojë ndërhyrjet në ish-burgun e Spaçit. Vendimi u konfirmua në një shkresë dërguar organizatës “Qëndresa Qytetare” ku theksohej se ndërprerja e punimeve bëhet “me qëllim vlerësimin në tërësi të situatës”.
Në shkresë IKTK-ja tregon se pezullimin e punimeve e ka bërë që prej datës 2 qershor. Vendimi erdhi pas një vale reagimesh publike, peticionesh dhe mobilizimesh që u përqendruan në faktin se punimet restauruese në Spaç rrezikonin të deformonin memorien kolektive të vendit për një nga simbolet më të errëta të diktaturës komuniste.
Më 10 qershor, një peticion i nënshkruar nga 35 organizata dhe 734 qytetarë iu dorëzua Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI). Peticioni kërkonte ndalimin e menjëhershëm të punimeve restauruese, të cilat ishin konsideruar si ndërhyrje jo transparente dhe të papërshtatshme në një vend që përfaqëson dhimbjen dhe rezistencën ndaj shtypjes politike.
Rreth 10 ditë më vonë, IKTK-ja konfirmoi se punimet tashmë janë pezulluar. Në reagimin e saj publik, “Qëndresa Qytetare” e përshëndeti pezullimin si një hap të rëndësishëm drejt reflektimit institucional, por paralajmëroi se bëhet fjalë për një ndalesë të përkohshme.
“Themelet e kujtesës nuk mund të preken pa një vizion të qartë dhe pa një proces gjithëpërfshirës, të bazuar në transparencë, respekt dhe konsultim publik”, theksoi Qëndresa Qytetare në deklaratën e saj të shpërndarë edhe në rrjetet sociale.
Punimet në Spaç nisën në fund të majit dhe parashikohej të përfundonin brenda 56 ditëve.
Sipas dokumentacionit të siguruar, projekti përfshinte restaurimin e të paktën tetë ambienteve të brendshme, përfshirë vendrojen, komanden, dhomën e takimeve, infermierinë, kuzhinën/mensën, fjetoren, vendin e apelit dhe tualetet. Për më tepër, projekti përfshinte ndërtimin e një kulle vrojtimi të re, vendosjen e një porte hekuri në hyrje dhe rrethimin me tela me gjemba të disa hapësirave të brendshme.
Këto elemente – sipas aktivistëve dhe studiuesve – rrezikonin autenticitetin e vendit dhe mund ta transformonin Spaçin në një “instalacion muzeal të sterilizuar” që i shmanget përballjes reale me të kaluarën.
Më 7 qershor, aktivistë dhe ish-të burgosur politikë u mblodhën pranë strukturave të ish-burgut të Spaçit. Në deklaratat e tyre publike, ata denoncuan përpjekjet për të “zbukuruar” apo “romantizuar” vendin ku për dekada u burgosën mijëra kundërshtarë të regjimit komunist.
Aktivistët ngritën gjithashtu pyetje mbi transparencën e procedurave: si u përzgjodh projekti, pse mungoi konsultimi me komunitetin e të përndjekurve dhe me studiues të fushës, dhe cilat janë objektivat afatgjata të Ministrisë për këtë vend? Këto pyetje vazhdojnë të mbeten pa përgjigje të qarta.
Më 6 qershor, përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se ndërhyrjet në Spaç janë pjesë e një “strategjie më të gjerë për rehabilitimin e vlerave dhe peizazhit në gjendjen sa më origjinale”.
Në të njëjtin reagim, Gonxhja zbuloi se ndërhyrja ishte ndërmarrë për të mbështetur realizimin e një filmi nga regjisori Namik Ajazi dhe shkrimtari Visar Zhiti, i cili do të trajtojë revoltën e Spaçit që ndodhi në vitin 1973. Filmi është parashikuar të xhirohet në mjediset origjinale të burgut, dhe punimet për restaurimin janë cilësuar si “të nevojshme” për sigurinë dhe mbarëvajtjen e këtij projekti artistik.
Ky fakt shtoi më shumë shqetësimet, pasi përfaqësues të shoqërisë civile e konsideruan si të papranueshme që vendimmarrja për ndërhyrjet në një vend kujtese të ndikohet nga nevojat e një produksioni filmik.
Ndërhyrjet në Spaç kanë rikthyer në vëmendje edhe një herë boshllëqet në politikat e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Megjithëse vendi ka bërë hapa përpara në njohjen institucionale të vendeve të kujtesës, përfshirë edhe vetë Spaçin si monument kulture i kategorisë së parë, praktika konkrete vazhdojnë të ndjekin logjikën e projektimit nga lart dhe mungesës së dialogut publik.
Pezullimi aktual është një fitore e përkohshme për ata që kërkojnë transparencë dhe përfshirje, por beteja për Spaçin si vend i kujtesës vazhdon. Nëse autoritetet synojnë të restaurojnë dhe ruajnë vlerat e Spaçit, kjo nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen aktive të ish-të dënuarve politikë, organizatave të kujtesës dhe komunitetit të gjerë qytetar.
Qytetarë dhe aktivistë dorëzuan sot një peticion në Ministrinë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për ndalimin e punimeve në ish-burgun e Spaçit, e për rrjedhojë, sipas tyre, parandalimin e tjetërsimit të historisë.
Peticioni, i cili sipas aktivistëve u hartua në gjendje të jashtëzakonshme bëri bashkë 35 organizata dhe 734 qytetarë për vetëm 6 ditë.
“Kjo nuk mbetet me kaq! Ne do të vazhdojmë të gjitha hapat ligjore, ku do të kërkojmë të procedohen penalisht të gjitha autoritetet që nuk kanë ndërhyrë dhe nuk e kanë bërë detyrën siç duhet bërë,” tha aktivisti Edison Lika, gjatë fjalës së tij.
Lika theksoi se kjo ndërhyrje bie ndesh me çdo parim restaurues, por edhe me planin e menaxhimit që vetë qeveria ka miratuar.
“Kjo ndërhyrje bie ndesh me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, si dhe me VKM-në shoqëruese nr. 1099: “Për kriteret dhe mënyrat e ndërhyrjes në pasuritë kulturore”, e cila përcakton qartë direktivat për ndërhyrjet restauruese, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me ndërhyrjen që po kryhet aktualisht në këtë zonë,” citohet në deklaratën e shpërndarë nga organizata “Qëndresa Qytetare”.
Arkitektja Entela Spahivogli shtoi se Spaçi është një ndër shembujt sesi shteti shqiptar bën projekte në terr informativ, pa konsultime me publikun dhe grupet e interesit.
“Shteti është i detyruar të ndalojë punimet, sepse ky projekt ka dhënë prova në terren dhe në letër, që nuk është projekti i duhur për Spaçin,” u shpreh Spahivogli.
Ajo përmbylli se të gjithë ata që po akuzojnë aktivistët se po punojnë kundër projektit, duhet të dinë se “jemi ende në fazën e konservimit dhe se projekti i aprovuar është i gabuar”.
Çfarë dimë për ndërhyrjet në Spaç
Në një artikull të mëparshëm, Citizens.al, ka treguar detajet e ndërhyrjeve të parashikuara nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) në strukturat e Spaçit.
Projekti me vlerë rreth 100 mijë euro, po zbatohet nga “Martini Konstruksion & Real Estate”. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit kjo kompani rezulton të mos ketë deklaruar pronarët përfitues (Link).
Nga ekstrakti historik kuptohet se ajo është themeluar në vitin 2008 nga sipërmarrësi shkodran Bernard Martini, fillimisht me emrin “Skela Martini” me objekt kryesor montim, çmontim skelash, punime muresh dhe rikonstruksione.
Më pas, ajo ndryshoi emrin në “Martini Konstruksion & Real Estate” në qershor 2019 kur sipërmarrësi Martini dubloi me rithemelim nga e para “Skela Martini” me ortakë sipërmarrësit Alfred dhe Kujtim Kola.
Kompania “Martini Konstruksion & Real Estate” ka rikonstruktuar galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës apo dhe shkollën 9-vjeçare në Gruemirë të Malësisë së Madhe.
Ndërhyrjet në ish-burgun e Spaçit/Foto Sidorela Vatnikaj, Facebook.
Punimet në Spaç nisën në fund të muajit maj me një afat prej 56 ditësh (8 javë).
Ato u miratuan më 12 dhjetor 2024 dhe u publikuan për tender publik në janar. Prej atëherë, e deri në fund të muajit mars, IKTK anuloi të paktën tre herë tenderin për mungesë ofertash.
Vlen të theksohet se – sikurse citohet, sipas preventivit të miratuar, por që nuk ka çmimet e afishuara – fillimisht buxheti qe parashikuar me vlerë rreth 40 mijë euro (4,166,282 lekë), më pas në shkurt, te dokumentet e publikuara u vendos fondi prej rreth 100 mijë eurosh (10,705,261 lekë).
Projekti parashikon meremetime në të paktën 8 hapësira: vendroja, komanda, dhoma e takimeve, infermieria, kuzhina/mensa, fjetorja, vendi i apelit dhe tualetet.
Në relacionin teknik grupi i projektit, drejtuar nga arkitektët Genci Tufi e Klejdia Kore dhe inxhinieri Sokol Ismaili, e konsideron ndërhyrjen e nevojshme për ta bërë zonën “të vizitueshme dhe të sigurt”.
Ndërhyrjet cilësohen të pjesshme dhe përshkruhen kryesisht si plotësime muresh, riparime shkallësh, vendosje parmakësh, dyersh dhe dritaresh.
Paralelisht është planifikuar ngritja e një kulle vrojtimi, vendosja e një porte hekuri në hyrje dhe rrethimi me tela me gjemba i disa hapësirave, si për shembull oborri i brendshëm, apo vendi ku bëhej apeli.
Qeveria mbron projektin: “Pjesë e një strategjie më të gjerë”
Pas rreth një jave heshtje publike, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, reagoi më 6 qershor. Ai deklaroi se projekti që po zbatohet aktualisht është “pjesë e një strategjie më të gjerë” që synon “rehabilitimin e vlerave dhe peizazhit në gjendjen sa më origjinale”.
Në këtë pikë, ministri përmendi Planin e Përgjithshëm të Menaxhimit të Spaçit, të miratuar në vitin 2024 me kërkesë të organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Albania), e cila është angazhuar edhe për ngritjen e një fondacioni që do të administrojë sitin.
Gonxhja shpjegoi se ndërhyrja aktuale ka marrë përparësi për të mbështetur projektin filmik të regjisorit Namik Ajazi dhe shkrimtarit Visar Zhiti, të cilët kanë shprehur interes për të realizuar një film mbi revoltën e Spaçit të vitit 1973. Sipas tij, qeveria ka vendosur të ndërhyjë pjesërisht për të garantuar “sigurinë dhe krijimin e atmosferës së asaj periudhe kur u krye revolta” por “pa modifikuar kujtesën historike”.
Faksemile nga projekti i miratuar i IKTK-së ku përmendet rindërtimi i tualeteve/Citizens.al
Ministri theksoi se qëllimi i projektit është të sigurojë vazhdimësinë e saj. Në këtë kontekst, ai iu përgjigj kritikëve duke i quajtur disa nga aktivistët që kanë shprehur shqetësime për projektin si “Sanço Panço të politikës së vjetër” – një etiketim që nxiti reagime të shumta.
Një ditë më pas, më 7 qershor, Gonxhja vijoi mbrojtjen publike të projektit, duke theksuar se ndërhyrjet janë “korrekte” dhe “konservuese”. Ai i cilësoi debatet publike si “tymnajë” e krijuar “nga dy foto të punimeve [të papërfunduara] fillestare”.
Në një postim në Facebook, ministri u shpreh se rindërtimi i banjave dhe tarracës së ajrimit “nuk është pjesë e ndërhyrjes, nuk është aprovuar nga IKTK dhe nuk është në kontratë”. Ai shtoi se “çdo përgjegjësi gjatë fazës zbatuese është nën shqyrtim”, duke garantuar transparencë për publikun.
Sipas tij, struktura si rrethimi, porta metalike apo kulla e vrojtimit do të ndërtohen “pas zbërthimit të detajuar bazuar në foto dhe dëshmi historike” dhe do të jenë të çmontueshme për projektet e tjera në vazhdim.
Megjithatë, shqyrtimet e realizuara nga Citizens.al tregojnë se jo çdo informacion është i aksesueshëm publikisht. Ndryshe nga sa deklaron ministri, dokumentacioni i projektit përfshin edhe rindërtimin e tualeteve.
Gjithashtu, në faqen zyrtare të IKTK mungon njoftimi për fituesin e tenderit të punimeve. Lidhja përkatëse në faqen e IKTK-së është e padisponueshme dhe rezulton me mesazhin “404 – Page not found” (Link). Ngjashëm edhe njoftimet për anulimin e tenderëve të muajve shkurt (Link),
Ndërkohë, përballë interesimeve për koment apo sqarim publik, as CHwB Albania dhe as IKTK nuk kanë kthyer përgjigje ndaj kërkesave të Citizens.al.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi mori pjesë mbrëmë në prezantimin publik të Planit Operativ të Punësimit 2025 në Kumanovë, të organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës dhe Agjencia e Punësimit.
Durmishi tha se do të investohen 40 milionë euro për masat aktive për qytetarët.
“Ne nuk ofrojmë premtime deklarative, por mjete konkrete për ndryshim. Investojmë 40 milionë euro në masa aktive që duhet të ndihmojnë qytetarët të qëndrojnë këtu, të përparojnë dhe të realizojnë potencialin e tyre”, theksoi ministri Durmishi.
Ai shtoi se plani për vitin 2025 parashikon investim prej 40 milionë eurosh, që synon më shumë se 10.000 qytetarë, ndërsa pjesëmarrja e deritanishme tregon se masat tashmë po japin efektin e dëshiruar.
Në Kumanovë u promovuan edhe të dyja masat aktualisht të hapura :
Masa 5 – Praktika, me shpallje publike që zgjat nga 1 deri më 31 korrik 2025, e dedikuar për persona juridikë dhe fizikë. Përmes kësaj mase, 1.352 të rinj deri në 29 vjeç do të përvetësojnë përvojë praktike, me kompensim mujor prej 12.000 denarë për periudhë prej tre muajsh.
Masa 3.1 – Trajnimi i vendit të punës me punëdhënës të njohur, me shpallje që zgjatë deri më 30 nëntor të vitit 2025, që mundëson lidhjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve me kompanitë që realisht kërkojnë staf.
Përveç kësaj, ministri rikujtoi masat e realizuara tashmë nga plani:
“Punësimi i subvencionuar për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, me mbi 2.000 aplikime, gjë që tregon interes dhe besim të madh nga bashkësia e biznesit, Mbështetja financiare për fillimin e biznesit tuaj është mbyllur tashmë me sukses me mbi 6.000 aplikime, ndërsa në rrjedhë është përzgjedhja e përdoruesve. Këto shifra janë dëshmi që qytetarët e vërejnë kur shteti investon seriozisht te ta. Pas çdo aplikimi qëndron një ide dhe shpresë dhe është detyra jonë t ‘i mbështesim ato vendime me mbështetje konkrete”, deklaroi Durmishi.
Ngjarja në Kumanovë është pjesë e fushatës më të gjerë në terren nga Ministria dhe Agjencia e Punësimit në komunat me shkallë të lartë të papunësisë.
Ndërsa qeveria shqiptare promovon me entuziazëm projektin e “Rijetëzimit të Stadiumit Niko Dovana” në Durrës, në prapaskenë po merr formë një skemë shumë më e thellë se thjesht rindërtimi i një impianti sportiv. Qytetarët po shohin në heshtje kthimin e këtij kompleksi në një “zonë të lirë investimesh” për njerëz të lidhur politikisht dhe ekonomikisht […]
Në sheshin mes dy godinave që qëndrojnë ende në këmbë të ish burgut famëkeq të Spaçit, dy burra përqafohen dhe për një copë herë, qëndrojnë shtrënguar në krahët e njëri-tjetrit. Njëri është Fatos Lubonja, publicist, shkrimtar dhe ish i burgosur për 17 vjet në burgjet e diktaturës komuniste. Tjetri është Gjergj Lekaj, 78 vjeç, i […]
Zyrtarët e Komunës së Prizrenit dhe ata të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) kanë nënshkruar marrëveshjen për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për ndërtesat shumë-banesore sociale”. Në ceremoni ka qenë e pranishme edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, në projektin e zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, do të investohen 478 mijë euro me mbështetje 90% nga Qeveria e Republikës së Kosovës përmes grantit të Bashkimit Evropian dhe me pjesëmarrjen e komunës prej 10%.
Ministrja Rizvanolli ka theksuar se kur është dizajnuar pakoja emergjente e BE-së për energji, “një prej sfidave ka qenë balancimi i dy objektivave të sistemit të energjisë në njërën anë dhe nga ana tjetër të siguruarit që po i prekim shtresat më të ndjeshme”.
“Duke i pas parasysh sfidat e qasjes te kjo kategori, kemi menduar se targetimi i banesave sociale është një mënyrë më e mirë, pasi është numër i madh i familjeve”, ka thënë Rizvanolli, duke shprehur bindjen se këto familje, këtë dimër do ta kalojnë më ngrohtë.
Nga investimet në tri ndërtesa shumë-banesore sociale, sipas njoftimit, do të përfitojnë 250 banorë. Në ndërtesa do të kryhen punime në izolimin e mureve të jashtme, ndërrimin e dritareve dhe dyerve të hyrjes, termoizolimin e kulmit, do të vendoset sistemi i ngrohjes me kondicioner ajri, renovimi i hyrjeve, vendosja e interfonisë dhe masat për mbrojtje kundër zjarrit/detektorët e tymit.
Projekti në Prizren është pjesë e një programi të gjerë në nivel vendi, ku tashmë kanë filluar punimet në 12 komuna të tjera, ku përfshihet renovimi i 28 ndërtesave sociale, me një vlerë totale prej mbi 6 milionë euro, ka bërë të ditur Ministria e Ekonomisë.
Në ceremoninë e nënshkrimit përveç ministres Rizvanolli kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, drejtor menaxhues i FKEE-së, Driton Hetemi dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj. /Telegrafi/
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit mbrojti të premten projektin kontrovers të restaurimit në ish-burgun famëkeq të Spaçit, pavarësisht kundërshtimit të aktivistëve dhe ish-të përndjekurve politikë. I ndarë edhe nga ministri Blendi Gonxhe në Facebook, reagimi përmban një gjuhë përçmuese ndaj kundërshtuesve të projektit, duke i quajtur ata “Sanço Pançot e politikës së vjetër” dhe […]
Një protestë e ngjashme ishte mbajtur edhe në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorve.
Sindikata e “Trainkos” më 29 prill 2025 i është drejtuar me një letër Ministrisë së Ekonomisë.
Në këtë letër të cilën e ka siguruar Telegrafi, Sindikata e kishte paralajmëruar ministrinë për masa sindikale, respektivisht protestën që kishte mbajtur pastaj më 1 maj.
“Protesta 15 minutëshe ka për qëllim që t’ua përkujtojmë që për 15 vite nuk janë rritur pagat, e ndërkohë paga jonë është zhvlerësuar në masë të madhe me inflacion dhe ngritje të vazhdueshme të çmimeve të cilat vazhdojnë edhe sot, sa që është bërë e vështirë mbijetesa për punëtorët”, thuhet në letrën e Sindikatës drejtuar Ministrisë së Ekonomisë.
Tutje theksohet se “pas këtyre hapave do të ndërmarrim edhe hapa të tjerë nëse nuk marrim ndonjë përgjgije positive”. /Telegrafi/
Sot është ndërprerë veprimtaria ilegale e strukturave paralele në Fabrikën e ujit në Zubin Potok, me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë.
Këtë e bëri të ditur ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.
Rizvanolli tha se kjo fabrikë e ujit është aset kritik për furnizim të sigurt me ujë për mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës në komunat veriore.
“Andaj, marrja nën kontroll e këtij aseti është çështje e sigurisë, e shëndetit publik dhe e shtrirjes së kontrollit institucional. Tash e tutje, KRU Mitrovica do të sigurohet që ky sistem jetik të funksionojë sipas standardeve ligjore dhe teknike të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo.
Tutje Rizvanolli theksoi se furnizimi me ujë nuk mund të jetë mjet presioni politik apo kontrolli nga jashtë.
“Është një e drejtë bazike e qytetarëve tanë, dhe përgjegjësi e institucioneve tona publike që ajo të realizohet në mënyrë të sigurt dhe të barabartë për të gjithë. Falënderoj Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe falënderoj KRU Mitrovicën për gatishmërinë për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim”, ka shkruar Rizvanolli. /Telegrafi/