BRUKSEL, 23 shtator /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian dhe Indonezia përfunduan negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë pas më shumë se nëntë vitesh, njoftoi sot BE.
Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic, dhe Airlangga Hartarto, ministri koordinues i Indonezisë për Çështjet Ekonomike, nënshkruan një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse të Partneritetit Ekonomik (CEPA) dhe një Marrëveshje për Mbrojtjen e Investimeve në Bali.
Kjo parashikon heqjen pothuajse tërësisht të tarifave doganore për mallrat e BE-së, duke përfshirë pjesët e automjeteve dhe produktet bujqësore të importuara në Indonezi.
“Në ekonominë e sotme globale të paparashikueshme, marrëdhëniet tregtare nuk janë thjesht mjete ekonomike – ato janë asete strategjike që sinjalizojnë besim, harmonizim dhe qëndrueshmëri,” tha Sefcovic.
“Sektorët kryesorë të BE-së, siç janë agro-ushqimi dhe prodhimi i avancuar, do të përfitojnë nga aksesi më i madh në treg dhe parashikueshmëria”, tha ai.
“Gjithashtu, duke hequr gradualisht tarifën prej 50% të importit të automjeteve të Indonezisë, marrëveshja krijon mundësi të reja për eksportet e automobilave të BE-së dhe investimet në automjetet elektrike”, shtoi ai.
“Jam i bindur se përfundimi i sotëm i negociatave është vetëm fillimi i një kapitulli të ri emocionues”, tha ai.
Airlangga e përshkroi marrëveshjen si një moment të rëndësishëm.
“Ne jemi angazhuar për të dyfishuar diversifikimin dhe partneritetet, për të mbështetur më tej vendet e punës në BE dhe për të nxitur rritjen ekonomike”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një deklaratë të lëshuar të sot.
“Marrëveshja jonë me Indonezinë krijon mundësi të reja për bizneset dhe fermerët në një ekonomi të madhe dhe në rritje”, shtoi Von der Leyen.
“Kjo gjithashtu na siguron një furnizim të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të lëndëve të para të rëndësishme, thelbësore për industrinë e teknologjisë së pastër dhe çelikut të Evropës”, tha ajo.
Përpara se marrëveshja midis BE-së dhe Indonezisë të hyjë në fuqi, ajo duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe 27 shtetet anëtare të BE-së.
BE-ja po kërkon të diversifikojë marrëdhëniet e saj tregtare mes politikës agresive tarifore të presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe kërcënimit për zinxhirët e furnizimit për shkak të konflikteve në Ukrainë dhe Gaza.
Pas 25 vitesh negociatash me zonën tregtare Mercosur të Argjentinës, Brazilit, Paraguait dhe Uruguait, Brukseli kohët e fundit arriti një marrëveshje për të krijuar një nga zonat më të mëdha të tregtisë së lirë në botë me 700 milionë banorë.
Një marrëveshje me Meksikën synon heqjen e barrierave meksikane të importit për produktet bujqësore të BE-së dhe lejimin e bllokut – për të importuar lëndë të para të rëndësishme nga Meksika.
BE-ja shpreson gjithashtu të finalizojë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Indinë, vendin më të populluar në botë, deri në fund të vitit. //a.i/
The post BRUKSEL – BE-ja dhe Indonezia bien dakord për një marrëveshje tregtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.