TIRANË, 24 janar /ATSh/ Partia Demokratike dhe aleatët e saj zhvilluan sot protestën e dytë kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.
Një pjesë e protestuesve u grumbulluan tek selia e PD-së dhe së bashku me kryetarin Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të PD-së, iu bashkuan protestës duke marshuar drejt bulevardit.
Përballë godinës së qeverisë, në podiumin e ngritur për protestën, eksponentë të PD-së mbajtën fjalimet para qytetarëve, pasi u luajt edhe himni kombëtar.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, gjatë fjalës së tij tha se po protestojnë sepse “Shqipëria nuk e duron dot faktin të drejtohet nga një njeri që e ka kthyer shtetin në pronë private dhe pronë të bandave të krimit të organizuar dhe që tallet me fatet e shqiptarëve”.
“Duhet ta shembim këtë pushtet, aty nuk është vendi i qeverisë, po i hajnisë që kafshon paratë e shqiptarëve. Shembja e tyre është detyra para historisë dhe vendit. Jemi këtu me një numër të madh protestuesish për të shprehur këtë revoltë dhe zemërim”, tha ai.
Deputeti demokrat tha se “kryeministri Edi Rama është armiku i shqiptarëve”. Sipas tij vendi ka një alternativë dhe ajo është Partia Demokratike. Boçi nënvizoi se fitorja e PD-së nuk vjen nga qielli, as nga ndërkombëtarët dhe as nga drejtësia hibride, por nga rezistenca.
“Nga këmbëngulja jonë, nga lufta jonë dhe qëllimi i kësaj lufte për ta çuar deri në fund. Historia ndryshohet nga njerëzit që luftojnë”, tha ai.
Në fjalën e tij, sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se kërkojnë liri, demokraci dhe një shtet ligjor me drejtësi të barabartë për të gjithë.
“Ky regjim që mbron interesat mafioze të pakicës, nuk mund të përfaqësojë më Republikën e Shqipërisë, ne do t’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve. Sot jemi i vetmi vend anëtar i NATO-s me të burgosur politik. Duhet ta kthejmë lirinë në misionin tonë kombëtar”, tha ai.
Në tubim e morën fjalën edhe aktivistja Eva Metaj, aktorja Juli Emiri dhe kreu i departamentin Brain Gain Tedi Kopliku.
Gjatë ditës së sotme, pati prani të shtuar të policisë dhe ndërprerje të trafikut në disa rrugë kryesore të Tiranës. Sipas medieve, 1350 efektivë janë në terren.
Për të garantuar rendin publik dhe sigurinë gjatë zhvillimit të tubimit, policia ka ndërmarrë masa, duke kufizuar qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore.
(Vijon…)
/m.q/r.e/
The post PD protestë kombëtare para Kryeministrisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.