TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Kryetari i Komisionit të Edukimit, Shkencës dhe Sportit, Luçiano Boçi, propozoi sot që ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, të thërritet në një seancë dëgjimore në komision, në lidhje me një lajm të publikuar në medie për një broshure e cila u është shpërndarë fëmijëve në shkollën “Lidhja e Prizrenit” për konceptin e gjinisë.
Sipas denoncimit të prindërve, përmes kësaj broshure fëmijëve iu shpjegohet se gjinia nuk ka të bëjë me dallimet biologjike midis gjinive, por si një konstrukt social.
“Një shqetësim i pasqyruar dje në media lidhur me një ngjarje që ka ndodhur në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në raport me efektet që do të ketë ligji i miratuar në Kuvend për barazinë gjinore. Shqetësimi ynë si opozitë është që ky ligj përmbys strukturën edukuese në Shqipëri ndikon në programe kurrikula dhe më pas efektet do t’i japë dhe në tekstet. Ngjarja e parë ka ndodhur, është shpërndarë një broshurë në këtë shkollë, ku relativizohet koncepti binar i gjinisë dhe ka pasur një reagim të fortë të prindërve ndaj kësaj broshure e cila është justifikuar nga psikologia si hedhja e një informacioni promovues”, parashtroi Boçi.
“Prindërit nuk e pranojnë, por rreziku është tek porta. Ligji heq konspektin binar të mbështetur mbi biologjinë. Nuk do të jetë reagimi i parë nëse ky ligj do të fillojë të aplikohet. Aq më tepër që ligji akoma nuk është dekretuar. Po çorientojnë nxënësit fëmijët të cilët pikëpyetjen më të madhe e kanë se kush janë ata më veten e tyre”, tha Boçi.
Boçi propozoi që për të pasur dijeni në raport me efektet që do të ketë ky ligj në shkolla, të thirret në seancë dëgjimore ministren e Arsimit.
“Propozoj marrë shkas dhe nga kjo ngjarje, për të folur edhe për situatën në arsimin parauniveristar por edhe për arsimin universitar, vendosim një datë me konsensus që ministrja të vijë dhe të paraqitet dhe për të dhënë shpjegime”, tha Boçi.
Por deputetët e mazhorancës theksuan se fillimisht duhet marrë informacion i saktë në lidhje me atë se çfarë ka ndodhur.
“Edhe ne e kemi ndjekur lajmin, por akoma është i paqartë si lajm në lidhje me kush e ka përgatitur broshurën, në çfarë procedure është shpërndarë, sepse sipas prononcimit të psikologes thuhet se materiali ka qenë pjesë e programit të mëparshëm dhe nuk ka lidhje me ligjin e miratuar të barazisë gjinore”, u shpreh deputetja Evis Kushi, ish-ministre e Arsimit.
“Ne propozojmë të marrim një informacion me shkrim urgjent sot në mënyrë që të kemi më shuëm detaje në lidhje me ngjarjen dhe nëse do të jetë e nevojshme edhe një seancë dëgjimore do ta zhvillojmë. Nuk jam e qartë nëse ka lidhje me ligjin. Ta ezaurojmë këtë çështje me një kërkesë urgjente për informacion dhe nga informacioni që do të marrim ta shqyrtojmë nëse duhet të vijë në komision apo jo”, u shpreh Evis Kushi.
Deputetja Ogerta Manastirliu, po ashtu ish-ministre e Arsimit, shtoi se “ne sot nuk jemi në dijeni nëse kanë ndodhur ndryshime të kurrikulave zyrtare apo ndryshim të tjera që më pas do të sjellin këto efekte. Nuk mund të bëhemi pjesë e fake news apo informacioneve jo të sakta apo edhe informacioneve gjysmë të vërteta”.
Gjatë mbledhjes u ra dakord për të bërë një kërkesë për informacion.
/m.q/j.p/
The post Boçi: Seancë dëgjimore me Kumbaron për efektet e ligjit për barazinë gjinore në shkolla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.