Situata është e vështirë në zonat malore të Korçës, pas reshjeve të borës.
Në majë të Mashkullores, si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës, trashësia e saj ka arritur deri në 1 metër.
Situata paraqitet e vështirë në zonat malore, ndërsa era e forte ka ndikuar në grumbullimin e dëborës ne segmenta te caktura.
Aksi rrugor Shtyllë–Panarit është aktualisht i kalueshëm vetëm për automjete tip fuoristradë, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë segment, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes./vizion+
Komuna e Gostivarit njofton se është arritur marrëveshje me Sindikatën e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë në Gostivar, për pagesën e K-15 për të gjithë mësimdhënësit.
Sipas komunës, pagesa do të realizohet sipas një dinamike të dakorduar deri në fund të muajit prill.
“Në periudhën kur nga Qeveria janë lëshuar dotacionet dhe kur, sipas afatit ligjor, pagesa e K-15 është dashur të realizohet deri më 31.12.2025, me komunën e Gostivarit ka udhëhequr një i besuar i Qeverisë. Në të njëjtën kohë, dotacionet e lëshuara kanë qenë të destinuara vetëm për shkollat fillore, duke mos përfshirë institucionet e tjera arsimore, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në mosrealizimin e pagesës brenda afatit ligjor. Pas marrjes së përgjegjësisë nga udhëheqja aktuale e Komunës së Gostivarit, është zhvilluar dialog konstruktiv me Sindikatën e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – Gostivar dhe është arritur një marrëveshje xhentëllmene, sipas së cilës pagesa e K-15 për të gjithë mësimdhënësit, përfshirë edhe ata të institucioneve që nuk kanë qenë të mbuluara me dotacione, do të realizohet sipas një dinamike të dakorduar deri në fund të muajit prill të këtij viti”, thuhet në njoftimin e komunës.
UASHINGTON, 31 janar /ATSH-AA/ – Çmimet e arit, pasi u rritën vazhdimisht për rreth dhjetë javë, shënuan një rënie të fortë të premten.
Rreth orës 18:30 GMT, çmimi i arit për ons ra në nivelin 4.775 dollarë, me rreth 11 për qind rënie në bazë ditore.
Megjithatë, ari është rritur me rreth 88 për qind gjatë 12 muajve të fundit dhe rreth 19 për qind që nga fillimi i vitit, i mbështetur nga tensionet e shtuara tregtare dhe gjeopolitike, si dhe nga uljet e normave të interesit nga bankat kryesore qendrore.
Edhe çmimet e argjendit pësuan një rënie të fortë, duke u ulur me mbi 33 për qind në 76,1 dollarë për ons. Rritja e tij gjatë 12 muajve ishte 255,6 për qind.
Vendimi i Rezervës Federale (Fed) të mërkurën për të mbajtur normat e interesit të pandryshuara ndihmoi dollarin të rikuperohej nga nivelet më të ulëta të shumë viteve, megjithëse ai mbeti pranë një rënieje të dytë radhazi javore.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi sot se ka zgjedhur ish-guvernatorin e Rezervës Federale, Kevin Warsh, si kandidat për postin e kryetarit të ardhshëm të Fed-it, duke thënë se ai do të jetë “një nga kryetarët më të mëdhenj të Fed-it, ndoshta më i miri”.
Megjithatë, procesi i konfirmimit mund të rezultojë i vështirë, pasi disa senatorë republikanë janë zotuar të bllokojnë çdo nominim për Fed-in derisa Departamenti amerikan i Drejtësisë të përfundojë hetimin mbi rinovimin e selisë së bankës qendrore në Washington. /os/
Analisti Rezart Lahi deklaroi se pagesa cash është një transaksion financiar dhe nuk nënkupton automatikisht informalitet. Sipas tij, masat e fundit nuk janë ndëshkim apo rritje kostoje, por heqje e një avantazhi për subjektet që operojnë në mënyrë informale, veçanërisht në tregtinë online.
Lahi theksoi se blerjet online po rriten ndjeshëm dhe se informaliteti mbetet problemi kryesor i këtij sektori, duke shtuar se është momenti që tatimet të veprojnë për të garantuar barazi fiskale.
“Pagesa cash është transaksion financiar dhe nuk ka rëndësi mënyra; nëse e merr cash, nuk do të thotë që je informal dhe nuk është se e thjeshton një proces. Nuk është një rritje e kostos apo një ndëshkim për ata që nuk kanë pasur një NIPT; dikush operon nga rrjetet dhe e reklamon, por është heqja e një avantazhi. Ato detyrime i kanë, por nuk i zbatojnë.
Disa biznese të vogla, nga pamundësia, nuk mund të bashkohen; kjo sjell edhe elementë të rinj. Mund të shkosh ti si punonjës në një kompani online dhe të paguhesh shumë më tepër. Problemi është te taksat, të cilat janë të drejta kur janë të barabarta për të gjithë.
Tendenca e blerjeve online vijon shumë e lartë; janari ka pasur një rritje marramendëse. Tregtia online ka si problem kryesor informalitetin; është momenti që tatimet të veprojnë. Nëse formalizohen, çdokush mund të investonte.” / abcnews.al /
Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj deklaroi se lufta ndaj informalitetit duhet të jetë e vazhdueshme. Në analizën e saj në “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Nunaj theksoi se do të ishte më efektive që të ndiqeshin politika afatgjate me objektiva të paracaktuara dhe monitoruara se sa në formën e aksioneve që shpesh sipas saj nuk japin rezultatet që do të duheshin.
Lufta ndaj informalitetit, nënvizoi ekspertja e ekonomisë do të duhet të ishte e përhershme.
“Unë parimisht kam qenë kundër aksioneve por pro zbatimit të ligjit dhe funksionimit të shtetit ligjor. Pra do të thotë se nëse ne do vijojmë me politikat e aksioneve pavarësisht nga kohëzgjatja e tyre ku gjithmonë janë të pjesshme asnjëherë rezultatet nuk do jenë ato që do duam. Por nga ana tjetër gjithmonë do të stimulojnë informalitetin. Por nëse ne do të vijojmë me politika që do jenë afatgjata, strategji që paracaktojnë objektivat dhe monitorohen në mënyrë të vazhdueshme atëherë edhe rezultatet do të jenë shumë më të mira”, tha ajo.
Gjithashtu ekspertja e Ekonomisë, Nunaj gjatë intervistës theksoi se siguria ushqimore është një tjetër element i rëndësishëm dhe se kontrollet janë ndër pikat kyçe për në BE.
“Sektori i turizmit është elementar sepse përbashkon edhe produktin edhe shërbimin. Ndërsa kur flasim për sigurinë ushqimore, kontrollet janë pikë kyçe për në BE”, shtoi ajo.
Në emisionin “Sheshi i Dollarit”, në ABC News, Rezart Lahi ekspert për sipërmarrjen foli për luftën kundër informalitetit.
Ai theksoi se formalizimi është i rëndësishëm për konkurrencën. Gjatë intervistës, u shpreh se duhet që synimi kryesor të jetë për një garë të drejtë dhe jo thjesht për të ‘vjelë’ taksa.
“Shpresojmë që kjo nismë nuk do jetë vetëm një aksion edhe duket si një strategji. Tregu shqiptar ka nevojë për një shkundje për luftën kundër informalitetit. Por çështja duhet trajtuar edhe më gjerë. Pra më shumë se sa ndëshkim ngjan se është heqja e disa avantazheve të padrejta sepse nuk është çështja vetëm të paguash ato taksa por të jetë një garë e drejtë. Sepse nëse dy biznese, një market që pret të gjithë taksat paguar siguracionet, me një market që nuk paguan asnjë taksë, më shumë probabilitet ka për të falimentuar ai që është i rregullt. Pra synimi kryesor duhet të jetë barazia dhe jo vjelja e taksave”, tha ai.
Ditën e djeshme, një aksident ndodhi në aksin Shkodër-Vau i Dejës, ku një automjet ka rënë nga ura e Spatharit në ujë. Tre personat u nxorrën nga automjeti dhe u dërguan në spitalin Rajonal të Shkodrës, teksa ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia njofton se është arrestuar drejtuesi i mjetit, ndërsa ka sqaruar se 32-vjeçari ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti është përplasur me barrierat metalike të urës së Spatharit dhe ka rënë në liqenin e Vaut të Dejës.
Njoftimi:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Mjedë-Spathar”, informojmë se specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin Z. B., 32 vjeç, pasi duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti është përplasur me barrierat metalike të urës së Spatharit dhe ka rënë në liqenin e Vaut të Dejës.
Drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri, shtetasi N. Ç., 24-vjeç, banues në Laç, po marrin mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër, ndërsa pasagjeri tjetër, shtetasi A. N., 22-vjeç, banues në Laç, u dërgua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-B. H., 49-vjeç, pasi ka kryer punime ndërtimi, pa leje;
-L. Zh., 64-vjeç, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, në banesën e tij u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Kreu i bankës qendrore të Gjermanisë nuk sheh asnjë arsye që rezervat gjermane të arit të tërhiqen nga Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara.
"Nuk kam asnjë dyshim se ari ynë ruhet në mënyrë të sigurt në Rezervën Federale në New York", tha Presidenti i Bundesbank, Joachim Nagel, për Frankfurter Allgemeine Zeitung të mërkurën.
Qëndrimi i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndaj vendeve evropiane në mosmarrëveshjen për Grenlandën ka shkaktuar një debat nëse rezervat gjermane janë të sigurta në New York.
Dhe kryetarja e komitetit të mbrojtjes së Parlamentit Evropian, Marie-Agnes Strack-Zimmermann, i bëri thirrje së fundmi qeverisë gjermane të kthejë arin.
"Në një kohë të pasigurisë globale në rritje dhe nën politikën e paparashikueshme të presidentit Trump në SHBA, nuk është më e pranueshme që rreth 37% e rezervave të arit të Gjermanisë, më shumë se 1,230 ton, të ruhen në kasafortat e Rezervës Federale në New York", i tha ajo revistës Spiegel.
Gjermania ka rezervat e dyta më të mëdha të arit në botë pas SHBA-së, që arrijnë në rreth 3,352 ton metrikë në fund të vitit 2024.
Sipas Bundesbank, më shumë se gjysma ruhet në kasafortat e bankës qendrore në Frankfurt, ndërsa pjesa tjetër ndahet midis Rezervës Federale dhe Bankës së Anglisë në Londër.
Nagel vuri në dukje se Bundesbank rishikon rregullisht ruajtjen e rezervave të arit, duke theksuar se 300 ton u transferuan përsëri në Frankfurt nga Nju Jorku 10 vjet më parë. /Telegrafi/
Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti i cili ndodhi pak më parë në urën e Spatharit, ku një makinë ra në ujë. Në automjet ndodheshin tre persona. Ata kanë arritur të dalin vetë nga automjeti menjëherë pas rënies në ujë. Pasi kanë dalë ata, kanë qëndruar për disa minuta poshtë urës, të kapur pas […]
Një aksident është shënuar sot në aksin rrugor Shkodër–Vau i Dejës, ku një automjet ka rënë në ujë nga ura e Shpatharit. Sipas informacioneve paraprake, mjeti ka përplasur dhe shkatërruar barrierat anësore të urës, duke përfunduar më pas në ujë. Burime bëjnë me dije se 3 persona janë nxjerrë nga automjeti dhe janë dërguar në […]
Ilir Meta, nga qelia pretendon se protesta e 21 Janarit 2011, ku humbën jetën katër persona, duke u shfajesuar se nuk ishte një reagim spontan ndaj videos së publikuar më 11 janar, ku ai shfaqej duke bërë pazare me Dritan Priftin, por një ngjarje e parapërgatitur.
“Nëse populli do të ishte revoltuar realisht për atë montazh të stërprovuar më 11 Janar, do të kishte dalë që atë natë në rrugë. Ja maksimumi ditën tjetër. Por 21 Janari ndodhi vetëm 10 ditë pas publikimit,” -shkruan Meta.
Videon me Dritan Priftin, Ilir Meta e quan të montuar.
“Montazhi i 11 Janarit nuk ishte aspak i papritur për mua dhe disa të tjerë. Problemi nuk ishte kush ishte në video, por vërtetësia e bisedës dhe montimet e bëra” vijon ai.
Megjithatë, Meta i quan vrasjet e 4 personave “viktima të pafajshëm”, ai nuk përmend momentet e ekzekutimit të tyre, që në fakt u urdhëruan dhe nuk ishin vrasje aksidentale.
Meta thotë se sulmuesit në protestën e 21 Janarit nuk ishin anëtarë të Partisë Socialiste, por persona të rekrutuar për të shkaktuar dhunë.
“Nuk ishin socialistët që sulmuan me dhunë Kryeministrinë. Socialsitët ishin te ura e Lanës dhe përtej. Por ishin të rekrutuarit dhe të importuarit që për 3-4 orë sulmuan pa rreshtur policinë” thekson Meta.
Ngjarja e 21 Janarit 2011 la pas katër viktima dhe mbetet një nga episodet më të rënda të përplasjes politike pas viteve ’90, ndërsa hetimi për përgjegjësit mbetet në duar e SPAK, që deri më tani, ka marrë në pyetje zyrtarë të lartë të kohës kur u dhanë urdhër për të qëlluar Portestuesit. Në pyetje është marrë, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe me vet ofrimin e tij edhe Ilir Meta./abcnews.al
Ndeshja e raundit të 1/8-ave të Kupës së Katarit midis Al Shahaniya dhe Al Shamal u bë e njohur për publikun për shkak të autogolit të çuditshëm të shënuar nga portieri i ekipit mysafir, Oumar Barry.
Rezultati ishte 0-0 deri në minutën e 92-të, dhe një goditje dënimi nga pothuajse 40 metra u ekzekutua nga mesfushori i Al Shahaniye, Yousuf Raisi.
Ai gjuajti fort, por në kuadratin e portës dhe dukej se Barry do ta kishte të lehtë ta ndalte gjuajtjen e tij.
Megjithatë, 39-vjeçari Barry fillimisht e devijoi topin lart mbi kokën e tij dhe, ndërsa ai po binte, ai u përpoq ta godiste mbi traversë për një goditje nga këndi.
An unusual scene in the Qatar Stars Cup match! 🇶🇦
Al Shamal SC goalkeeper Oumar Barry's bizarre own goal in the final moments left spectators stunned.pic.twitter.com/iDc79mNWhu — Goals Xtra (@GoalsXtra) January 27, 2026
Ai e humbi topin, e goditi traversën dhe më pas Barry shënoi në portën e tij.
Ky gol ishte i vetmi në ndeshje dhe i dha fund pjesëmarrjes së Al Shamal në Kupën e Katarit, dhe një debat filloi në rrjetet sociale nëse Barry bëri një gabim, apo nëse ishte diçka e qëllimshme që rezultoi në humbjen e ekipit të tij. /Telegrafi/
Me shfaqjen Dramë për të qesh nga Teatri i Tetovës, në Gjilan është hapur edicioni i 35-të i festivalit të dramës shqipe Talia e Flakës 2026, nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe me përkujdesjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, në kuadër të manifestimit tradicional mbarëkombëtar Flaka e Janarit.
Festivali, si një nga shtyllat kryesore të Flakës së Janarit, ka ngjallur interesim të madh të artistëve dhe artdashësve nga hapësira shqiptare. Në hapje morën pjesë zyrtarë institucionalë, drejtues të Fakultetit të Arteve, si dhe artistë nga Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.
Programi i festivalit u prezantua nga aktoret gjilanase Mejreme Berisha, Emine Toska, Aurita Agushi dhe Safete Mustafa, me ftesë të organizatorit Migjen Fazliu nga Varg e Vi. Gjatë periudhës 24–28 janar, dhjetëra artistë do të prezantojnë shfaqje sipas këtij programi:
24 janar: Dramë për të qesh – Teatri i Tetovës
25 janar: Sytë e ujkut – Doruntina Basha, regji Kushtrim Koliqi, prodhim i Integra
26 janar: Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës – Teatri Adriana Ferizaj, tekst Jeton Neziraj, regji Agon Myftari
27 janar: God Bless America – Teatri i Gjilanit, autor dhe regjisor Fatos Berisha
28 janar: Gërdia – Teatri Kombëtar i Kosovës, tekst dhe regji Astrit Kabashi, fituese e Konkursit të Dramës Shqipe Katarina Josipi 2025
Çmimet e sivjetme përfshijnë gjashtë kategori teknike, koreografi, skenografi, kostumografi, dizajn ndriçimi dhe kompozim muzikor, si dhe pesë çmime kryesore: aktori më i mirë, aktorja më e mirë, regjia më e mirë, teksti më i mirë dhe çmimi kryesor për shfaqjen më të mirë. Juria e festivalit përbëhet nga Ali Demi, Tringa Hasani dhe Ilir Bokshi.
Hapja u zhvillua pa ceremoni të ekzagjeruara, duke i lënë hapësirë prezantimit skenik të trupës së Tetovës, me aktorët Arsim Kaleci, She Ilazi, Petrit Neziri, Ermal Çanga, Arta Zejneli, Elmir Sejfullai, Sami Mustafa, Abdulla Osmani, Bekim Jahiu, Linda Shabani dhe Hasim Memishi Sopi.
Shfaqja Dramë për të qesh sjell një vizion postmodern të dramaturgut Sulejman Rushiti, ku personazhe të dramaturgjisë së Shekspirit rimodelohen në karaktere bashkëkohore, duke krijuar një paralelizëm mes teatrit klasik dhe absurditetit të përditshëm shoqëror e politik. Figura nga Hamleti, Makbethi, Othello, Mbreti Lir, Jul Cesari, Romeo dhe Zhulieta dhe Ëndrra e një nate vere ndërthuren me tipologji aktuale, duke reflektuar marrëdhëniet mes artit dhe pushtetit.
Manifestimi Flaka e Janarit 2026 do të vazhdojë deri më 31 janar me aktivitete të shumta kulturore në artet letrare dhe muzikore. Gala mbrëmja festive dhe ndarja e çmimeve do të mbahet më 31 janar në resortin Vali Ranch, ku do të shpallen fituesit në katër shtyllat kryesore: Arte Letrare, Arte Skenike, Arte Pamore dhe Arte Muzikore, përfshirë poezinë dhe tregimet fituese në Orën e Madhe Letrare dhe festivalin e këngës Fest Flaka 2026. /Telegrafi/
Çmimi i arit është rritur mbi 5,000 dollarë për ons (28 gramë) për herë të parë, duke vazhduar një rritje historike që pa metalin e çmuar të rritej me më shumë se 60% në vitin 2025.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kjo vjen ndërsa tensionet midis SHBA-së dhe NATO-s për Grenlandën kanë shtuar shqetësimet në rritje në lidhje me pasigurinë financiare dhe gjeopolitike.
Politikat tregtare të presidentit të SHBA-së Donald Trump kanë shqetësuar gjithashtu tregjet.
Të shtunën ai kërcënoi të vendoste një tarifë 100% për Kanadanë nëse ajo arrin një marrëveshje tregtare me Kinën.
Ari dhe metalet e tjera të çmuara shihen si të ashtuquajturat asete të sigurta që investitorët blejnë në kohë pasigurie.
Të premten, argjendi kaloi 100 dollarë për ons për herë të parë, duke u bazuar në rritjen e tij pothuajse 150% vitin e kaluar.
Kërkesa për metale të çmuara është nxitur gjithashtu nga një sërë faktorësh të tjerë, duke përfshirë inflacionin më të lartë se zakonisht, dollarin e dobët amerikan, blerjet nga bankat qendrore në të gjithë botën dhe ndërsa Rezerva Federale e SHBA-së pritet të ulë përsëri normat e interesit këtë vit.
Luftërat në Ukrainë dhe Gaza, si dhe kapja e presidentit venezuelan Nicolás Maduro nga Uashingtoni, kanë ndihmuar gjithashtu në rritjen e çmimit të arit. /Telegrafi/
Eksperti i ekonomisë Ergis Sefa tha se vendet e mëdha po riorganizojnë zinxhirët e furnizimit për t’u shkëputur nga Kina, proces që do të prekë edhe BE-në.
Sipas tij, inteligjenca artificiale dhe robotika do të zëvendësojnë shumë profesione, duke rritur produktivitetin, ndërsa vendet duhet të përshtatin politikat e kapitalit njerëzor. Këto ndryshime, tha ai, pritet të ndihen edhe në Shqipëri brenda 4–5 viteve.
“Do të ketë një riorientim të zinxhirëve të financimit. Politikat e vendeve të mëdha tentojnë të riorganizojnë zinxhirët e furnizimit për t’u shkëputur nga Kina, tashmë duan t’i kenë më nën kontroll. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me BE-në dhe polet e tjera. Procesi i riorientimit nuk do të jetë “business as usual”, por nga ajo që po shohim do të kemi një riorientim të theksuar.
Shumë drejtues të kompanive botërore e bënë të qartë që në vitet që vijnë pritet që pjesa më e madhe e profesioneve të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale ose robotika, pasi kjo do të rrisë produktivitetin për kompanitë. Ndërkohë që mundësia është që ato vende më pak të zhvilluara ose në zhvillim do të bëjnë kapërcime më të mëdha falë AI-së.
Do të duhet një kujdes i shtuar në politikat e kapitalit njerëzor dhe në orientimin e tregut të punës. Brenda 4–5 viteve, kjo nuk do të jetë e largët as për Shqipërinë.”, tha Sefa./ abcnews.al /
Eksperti i ekonomisë Igli Tola tha për Sheshi i Dollarit se për një periudhë afatmesme ekonomia globale do të përballet me pasoja nga ngadalësimi i globalizimit. Sipas tij, kjo do të sjellë rritje çmimesh, ulje të konsumit dhe do të godasë veçanërisht shtresat me më pak mundësi ekonomike.
Tola paralajmëroi se edhe vendi ynë do të ndiejë këto pasoja, ndërsa inteligjenca artificiale rrit rrezikun për shkurtimin e vendeve të punës.
“Për një periudhë afatmesme do të jemi në këtë situatë, për sa kohë që po ndalojmë ritmin e globalizimit, i cili si parim bazë kishte specializimin e disa vendeve në prodhim dhe maksimizimin e efiçencës së ekonomisë së shkallës. Kjo gjendje do të zgjasë për një periudhë afatmesme, derisa të rriten marrëveshjet mes palëve. Edhe vendi ynë do të përballet me pasojat që do t’i vijnë përkundër.
Ritmi i rritjes do të ndihet në vendet e Brexit-it, por me një tendencë rënëse, për sa kohë që tregjet e konsumit kanë pësuar ndryshime. Ekonomia globale në tërësi do të vuajë pasojat: do të ketë rritje të çmimeve në mënyrë eksponenciale dhe ulje të konsumit. Konsumatori final do të afektohet drejtpërdrejt.
E gjithë kjo do të prekë shtresat ekonomike që kanë më pak mundësi ekonomike për të përballuar shportën e konsumit. Inteligjenca artificiale në ekonomi rrit rrezikun për zëvendësimin e krahut të punës dhe do të sjellë pasoja edhe më të mëdha në shkurtimin e vendeve të punës.” / abcnews.al /
Eksperti i ekonomisë Ergis Sefa, i ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC Neës, ka analizuar zhvillimet më të fundit në ekonominë globale dhe ndikimin e tyre në rajon.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të mbeten forca dominuese në tregun global, pavarësisht një rënieje graduale, ndërsa Kina po barazohet gjithnjë e më shumë me SHBA-në për sa i përket prodhimit të brendshëm bruto.
Sefa theksoi se ekonomia botërore mbështetet aktualisht mbi katër pole kryesore, SHBA-në, Europën, Kinën dhe Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se tarifat tregtare të vendosura së fundmi pritet të sjellin pasoja të ndjeshme për Bashkimin Europian dhe vendet partnere, përfshirë edhe Shqipërinë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë që të jenë dominuese të tregut global, megjithëse ka qenë në rënie. Kohët e fundit është kina ajo që është njësoj si SHBA për prodhimin e brendshëm bruto. SHBA është tregu më i madh i brendshëm, Europa vazhdon të jetë një pol i tretë, është një treg goxha i madh dhe Lindja e Mesme vazhdon të jetë ai poli i katërt, sidomos për lëndët minerale. Çdo lëvizje gjeopolitike është në këto katër rajone.
Ka vetëm një vit janë vendosur tarifat, por ende nuk janë ndjerë efektet e tarifave që janë vendosur. Projektohet deri në vitin 2027 prodhimi bruto i BE-së të ulet. Vetëm për pasojë e tarifave pritet që të zbresë deri në 17% eksportet. Kjo bëhet fjalë për tarifat e vendosura dhe jo ato shtesë. 30% e eksporteve të BE drejt SHBA. Pa diskutim që edhe Shqipëria do të marrë goditje , sepse partneri jonë tregtar është BE. Edhe Shqipëria do e pësojë, si një vend që importon dhe eksporton. Kjo është shumë me rëndësi për ne dhe për fat të keq nuk po e kuptojmë dhe nuk po marrim dot masat e duhura për t’u mbrojtur”, tha Sefa.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi, ka komentuar rëndësinë dhe mesazhet kryesore të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, gjatë një interviste në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News.
Sipas tij, Davosi mbetet një forum me peshë të konsiderueshme globale, që bashkon ekonominë dhe biznesin, duke ofruar perspektiva për zhvillimet ekonomike të së ardhmes, ndonëse nuk ka rol vendimmarrës.
Kamberi theksoi se forumi, ku marrin pjesë qindra liderë politikë dhe biznesmenë, po funksionon si një “OKB në hije”, ndërsa këtë vit vëmendje të veçantë mori fjalimi i Donald Trump dhe ndikimi i tij në qetësimin e tregjeve, në një kohë kur bota po përballet me sfida dhe konflikte të rëndësishme globale.
“Është një forum që synon të bëjë bashkë ekonominë, biznesin dhe t’i japë botës perspektivën e ekonomisë në ditët që vijnë. Nuk është një forum vendimmarrës, por që ka marrë një peshë të konsiderueshme. Marrin pjesë qindra lider dhe biznesmenë. Është një lloj OKB-je në hije. Forumi i Davos u mbajt këtë vit në përvjetorin e presidencës Trump, e cila gjatë një viti ka arritur shumë gjëra.
Është një lloj ndërhyrje, ku ekonomia pa politikë dhe politika pa ekonomi nuk ekziston. Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte fjalimi i Trump, kritika se si e sheh ai botën. Forumi i Davosit sivjet pati mesazhe shumë interesante edhe për5 faktin që bota mori frymë nga dy konflikte, siç ishte ai për paqen e Gazës dhe Groenlanda, ku nga deklarata e djeshme e Trump u duk sikur qetësoi shumë tregje”, tha Kamberi.