Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kuvendi miraton me 110 vota pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes

TIRANË, 22 janar /ATSh/ Kuvendi miratoi në parim me 110 vota pro, zero abstenim e asnjë kundër ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes.

Ratifikimi i marrëveshjes së aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes u votua pas diskutimeve dhe debateve të sotme mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.

Në sallë të pranishëm ishin 110 deputetë. Në parim u votua me 113 vota, pro ratifikimit të kësaj marrëveshje. Abstenimi erdhi nga deputeti i Partisë Lëvizja Bashkë, Redi Muçi.

Kujtojmë që sot në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua seanca për ratifikimin e marrëveshjes së aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes. Kjo marrëveshje u miratua në Komisionin e Jashtëm me 13 vota pro dhe asnjë kundër.

Më herët Kuvendi miratoi në seancën plenare, me 80 vota pro dhe 22 vota kundër, kërkesën për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shpreh se me miratimin e kërkesës për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar u vendos që projektligji të diskutohet dhe të miratohet brenda kësaj seance plenare.

Ligji i miratuar sot synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes. Këshilli i Ministrave e ka miratuar në parim marrëveshjen më 21 janar.

Marrëveshja parashikon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme dhe të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.

Bordi i Paqes do të ushtrojë funksione të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

Seanca plenare u kërkua pasditen e djeshme nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, përmes një shkrese zyrtare, për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Votimi i Bordit të Paqes, foto: Florian Abazaj
1 nga 3

/e.i/a.f/r.e/

The post Kuvendi miraton me 110 vota pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama – opozitës: Me votën tuaj do të shkoj në Shtëpinë e Bardhë si anëtar i Bordit të Paqes

TIRANË, 22 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot opozitës gjatë seancës plenare, ku tha se ai nuk tallet asnjëherë me “fitoret” e tyre.

“Tani, më e mira do të kishte qenë që për një herë të vetme të pushonte avazi i të gjitha herëve dhe pse kjo e sotmja është një herë e ndryshme nga shumë herë për këtë vend dhe për këtë Kuvend. Po si duket humbësit kronikë nuk duan ta humbasin as këtë rast për të bërë të vetmen gjë që dinë të bëjnë më mirë se kushdo tjetër në botë, të humbin, të humbin përsëri rastin, duke vazhduar t’i bindin shqiptarët se nuk vlejnë për asgjë tjetër përveç se për të përfaqësuar dhe mishëruar humbjen në të gjitha format dhe në të gjitha dimensionet e saj”, tha Rama.

“Është vërtetë për të ardhur keq po të mendosh se sot në fakt ju kishit mundësinë të deklaronit fitoren. Fitoren tuaj më domethënëse sepse në fakt, si gjithmonë, ju prapë fituat. Ju fituat sepse për muaj me radhë thatë që Amerika do të më bënte mua gjyqin e ëndërruar prej jush për t’ju kthyer ju në ato karrige, ku nuk do ktheheni kurrë po s’dolët nga poshtë karriges ku qëndrojnë hijerënda të ndenjurat e stërgjyshit tuaj”, pohoi Rama.

Duke iu drejtuar opozitës, Rama tha se ata paralajmëruan popullin se Kryeministri i Shqipërisë do të thirrej në Amerikë në datën 20 janar.

“Por, ky ishte lapsus për t’u paraqitur në Prokurorinë Federale. Madje ju e vulosët fitoren kur festuat rrëmbimin me forcë të Maduros nga shtëpia e tij në Karakas dhe iu thatë shqiptarëve se ajo ishte vetëm një provë gjenerale e ushtrisë amerikane për rrëmbimin e Ramaduros nga ajo zyra në Kryeministri – që e keni fiksim 12 vjet – dhe mblidheni si qindra Romeo të dëshpëruar për një Xhulietë të vetme”, pohoi ai.

Rama tha në Kuvend, se opozita paralajmëroi popullin shqiptar që ShBA do t’i bënin atij gjyqin.

“Sot ju do votoni të vërtetën e madhe që unë nuk do ta detyroj ushtrinë amerikane t’i bashkohet protestës suaj nga tarraca e Kryeministrisë se do të dorëzohem vetë, paqësisht, në duart e autoriteteve ligjzbatuese amerikane që do të vijnë në aeroport në Uashington dhe do më marrin me eskortë për të më çuar në Shtëpinë e Bardhë si anëtar i Bordit të Paqes”, tha Rama.

“Ka vetëm një nuancë në dështimin tuaj. Ju prisnit të fitonit me helikopterët e ushtrisë amerikane dhe nuk e prisnit që unë do dorëzohesha vetë. Kjo është fitorja juaj! Fituat edhe këtë herë dhe falë jush që mbushët dynjanë duke thënë se nuk ka ftesë; kur doli ftesa, thatë po këtë e ka gjithë bota; tani thoni, nuk je te Bordi”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha se ka një organigramë në mënyrën sesi strukturohen grupet ndërkombëtare.

“Rëndësi ka që do të ngrini kartonin, me votën tuaj do miratoni Bordin e Paqes dhe mua si përfaqësues i Bordit të Paqes në Shtëpinë e Bardhë”, pohoi Rama.

/e.i/a.f/r.e/

The post Rama – opozitës: Me votën tuaj do të shkoj në Shtëpinë e Bardhë si anëtar i Bordit të Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha për Bordin e Paqes: Mbështesim iniciativën e Trump, Rama po e personalizon

TIRANË, 22 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha në Kuvend, se seanca e ditës së sotme duhet të dëshmojë qëndrimin e vendit tonë në çështjet e sigurisë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Berisha pohoi se seanca duhet të shprehë vlerësimin maksimal për njërën nga paqet më të vështira në historinë e paqes, siç ishte armëpushimi dhe ndërprerja e luftimeve në Gaza.

“Ne jemi këtu për të dëshmuar mbështetjen tonë të plotë dhe të palëkundshme në politikat e sigurisë të SHBA. Në qëndrimin tonë pa ekuivok në mbështetje të këtyre politikave pasi SHBA janë aksionari më kryesor i paqes dhe sigurisë në botë. Ne mbështesim plotësisht këtë iniciativë të presidentit Donald Trump edhe për faktin se në dallim nga shumë kombe të tjera, askush nuk e ka përcaktuar më shumë lirinë e shqiptarëve se sa SHBA, veçanërisht në dekadat e fundit me çlirimin e Kosovës, pavarësinë e saj dhe mbështetjen e saj”, tha ai.

Kreu i PD-së shtoi se “në këtë kohë, për sa kohë SHBA qëndrojnë në zotimet e tyre për Aleancën e Atlantikut të Veriut, ne qëndrojmë në çdo problem sigurie pa mëdyshje në anën e SHBA”.

“Bordi i Paqes ngrihet për një nga aktet më të jashtëzakonshme, ndërprerjen e luftës në Gaza dhe këtu presidenti i SHBA ka një meritë historike, jashtëzakonisht të rëndësishme.
Bordi është i mbështetur në dokumentin e OKB. Pra, nuk e nxjerrin këta. Bordi ka mbështetje në rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe është një hap tjetër drejt konsolidimit të paqes në atë rajon”, deklaroi Berisha.

Por sipas tij, Rama po personalizon në marrëveshje dhe një ftesë e cila nënkupton në mënyrë absolute Republikën e Shqipërisë.

“Seanca merr një karakter të paimagjinueshëm vetëm e vetëm për shkak të përpjekjes primitive të një njeriu që tani po i vjen fundi që ta personalizojë këtë. Çfarë do u thoni zgjedhësve tuaj që personalizoni një akt ndërkombëtar të rëndësishëm me emrin të nxirë të një njeriu”, u shpreh Berisha në Kuvend.

Kuvendi është mbledhur në seancë plenare për të ratifikuar aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.

/e.i/r.e/

The post Berisha për Bordin e Paqes: Mbështesim iniciativën e Trump, Rama po e personalizon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gazheli takim me përfaqësues të biznesit francez

TIRANË, 22 janar /ATSh/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli dhe përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri (CCIFA) zhvilluan një takim me përfaqësues të biznesit francez, me fokus te forcimi i dialogut institucional dhe bashkëpunimi me komunitetin e biznesit.

Dogana Shqiptare informoi se ky forum shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e mendimeve dhe adresimin e çështjeve që lidhen me procedurat dhe shërbimet doganore.

Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli theksoi se ky është takimi i parë zyrtar me CCIFA, i cili do të pasohet nga të tjerë, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit Doganë–Biznes. Ai ftoi bizneset e pranishme të aplikojnë për statusin Operator Ekonomik i Autorizuar (OEA), si një mundësi konkrete për lehtësim procedurash dhe përfitime të shtuara.

Gjithashtu, u riafirmuan marrëdhëniet shumë të mira mes autoriteteve doganore shqiptare dhe franceze, si dhe angazhimi për mbështetje dhe asistencë maksimale për bizneset anëtare të CCIFA.

/e.i/r.e/a.f/

The post Gazheli takim me përfaqësues të biznesit francez appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: SPAK është bërë si sportel ku lihen letrat e popullit, lali Eri në burg pa gjyq

TIRANË, 22 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në Kuvend, kur iu drejtua opozitës, se SPAK është bërë stacioni i fundit i shpresës për pushtet nga ana e tyre.

“Mos e ulni vigjilencën, që të jeni brenda çojeni në SPAK Bordin e Paqes për praninë time aty. Se SPAK tani është bërë si një sportel. Ka qenë një sportel prapa Kryeministrisë, kur ne bënim stërvitje basketbolli tek fusha e zezë, ishte një sportel ku shkruhej “letra nga populli”. Kështu është bërë SPAK-u. Çojeni dhe këtë letër dhe meqë e çuat një herë se këta, e dini, kanë çuar Tony Blair në SPAK dhe nuk doli gjë. Tani çojeni prapë Tony Blair se kushedi del ndonjë provë, si ato që mbajnë në burg pa gjyq lali Erin, për të cilin deri tani janë shkruar 3 volume të një romani policor, por provë për korrupsion për kryebashkiakun e Tiranës nuk ka”, tha Rama.

“Prandaj juve as mos e vrisni mendjen fare. Punë e madhe shumë se Tony Blair s’ka marrë kurrë një qindarkë nga shteti shqiptar. Punë e madhe shumë se pa Tony Blair nuk do kishte ndodhur bombardimi i Beogradit dhe futja e NATO-s në Kosovë – që ju e doni aq shumë atë Kosovë – dhe prandaj nuk ndaluat së çuari naftë te Sllobodani dhe nuk latë gur pa luajtur të sabotonit Rambujenë dhe nuk latë fjalë të poshtër pa thënë për UÇK-në, nga dashuria për Kosovën e kishit. Çojeni në SPAK se tani që ushtria amerikane e anuloi hyrjen me helikopter në Kryeministri, SPAK-u është stacioni i fundit i rrugës së shpresës suaj për pushtet”, vijoi ai.

Rama iu përgjigj opozitës dhe për lajmin se palestinezët do vijnë në Shqipëri, duke nënvizuar se një gjië e tillë nuk do të ndodh.

“Ju fituat edhe për një arsye tjetër, “ndalët pushtimin e Shqipërisë nga palestinezët”, se denoncuat një komplot në kurriz të popullit shqiptar, që bashkë me 1 miliard që do merrja unë nga taksat për të shkuar atje tek Bordi i Paqes, se ju mendoni se Amerika blihet, siç doni ta blini ju me ato milionat tuaja që ua japin patriotët. Janë ca patriotë atje që shesin hamburger dhe paguajnë që juve të shpëlani atë që nuk shpëlahet dot”, tha Rama.

Rama tha se “palestinezët nuk do vijnë, nuk do vijnë nga Gaza në Shqipëri”.  Por, duke iu drejtuar sërish opozitës, ai me ironi u kërkoi atyre që këtë çështje ta çojnë në SPAK.

“Projektin e kampusit të Universitetit të Durrësit, se e di si thanë apo jo? Po bëhet kampus në Universitetin e Durrësit për të sjellë palestinezët. Një kokë e madhe nga radhët tuaja tha: dy milionë palestinezë do vendoseshin tek kampusi i Universitetit “Aleksandër Moisiu”. Se Luli iku, po 7×7 mbeti, aritmetika, edhe kur bëni llogari të eksporteve, ajo është”, tha ai.

“Tani çojani SPAK-ut dhe kërkojini menjëherë urgjent atyre që paguajnë në Amerikë. Ore, Latif magjistarin, ku e keni aman? Mos e lëshoni atë, se ai ja u merr humbjen fitimtare dhe në magji ia u bën më thellë dhe thuajini Latifit direkt gjithë këto denoncimet t’ia çojë atij kongresmenit, se e kanë në xhep atë kongresmenin që i merr nga ju dhe del i lexon atje, që Kongresi amerikan…”, pohoi Rama.

/e.i/r.e/a.f/

The post Rama: SPAK është bërë si sportel ku lihen letrat e popullit, lali Eri në burg pa gjyq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

670 aplikues për Paketën e Maleve në bashkinë e Shkodrës

TIRANË, 22 janar /ATSh/ Bashkia Shkodër, informon se janë 670 aplikues në total që kanë shprehur interes për t’u përfshirë në Paketën e Maleve në territorin e kësaj bashkie, një proces që synon nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave malore.

Shifrat janë bërë publike nga drejtori i përgjithshëm i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në bashkinë Shkodër, Mikel Kopsaj, gjatë një interviste për mediet.

Sipas të dhënave të publikuara, zonat që kanë regjistruar numrin më të lartë të aplikimeve janë Theth-Ndërlysaj me 274 aplikime dhe Rragam-Sheldi me 51 aplikime.

Bashkia Shkodër ka hapur thirrjen publike për aplikuesit e interesuar, të cilët duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës përmes portalit “e-Albania”, me qëllim nisjen e procedurës së njohjes si posedues jopronar.

Sipas bashkisë Shkodër, Paketa e Maleve do të krijojë mundësi konkrete për investime, duke ndikuar në zhvillimin ekonomik lokal, rritjen e turizmit malor dhe forcimin e qëndrueshmërisë së zonave prioritare.

Bashkia e Shkodrës njofton se duke marrë parasysh potencialin e lartë zhvillimor dhe interesin e shprehur edhe në zona të tjera, është dërguar kërkesë për shpalljen si zona prioritare edhe për fshatra të njësive administrative Shalë, Pult, Shosh dhe Postribë.

/e.i/a.f/r.e/

The post 670 aplikues për Paketën e Maleve në bashkinë e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKU tërheq nga tregu produktin e qumështit formulë për foshnjat me prani bakteri

TIRANË, 22 janar /ATSh/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi sot se ka tërhequr nga tregu produktin “NAN 1 OPTIPRO”, qumësht formulë për foshnjat, pasi rezulton me prani të bakterit cereulide.

Pas kryerjes së kontrolleve dhe ndjekjes së gjurmueshmërisë, AKU ka bllokuar të gjithë sasinë në gjendje të produktit dhe atë të kthyer nga tregu, me destinacion asgjësimin e tij, ose kthimin në vendin e origjinës.

Referuar subjektit importues në Shqipëri, mbi tërheqjen nga tregu të lotit të formulës për foshnjë “NAN 1 OPTIPRO” 800g, njoftim ky i bërë nga kompania prodhuese “Nestle”, si masë parandaluese pas zbulimit të pranisë së bakterit cereulide në këtë produkt në subjektin prodhues në Holandë, AKU ka bllokuar të gjithë sasinë në gjendje të produktit.

Gjithashtu, AKU informon se nga verifikimet në terren është konstatuar se është kryer afishimi i njoftimit për konsumatorin në supermarketet ku është tregtuar ky produkt.

/e.i/a.f/r.e/

The post AKU tërheq nga tregu produktin e qumështit formulë për foshnjat me prani bakteri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shehaj protestë para GJK-së: Populli shqiptar i ka sytë nga drejtësia

TIRANË, 22 janar /ATSh/ Partia Mundësia mbajti sot një protestë para Gjykatës Kushtetuese, ku po shqyrtohet ankimimi i qeverisë ndaj vendimit të GjKKO-së për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra si ministre dhe zëvendëskryeministre.

Agron Shehaj, kryetari i Partisë Mundësia, tha për mediet se Gjykata Kushtetuese duhet të mbajë anën e qytetarëve, pasi ajo nuk mund të përdoret. Ai tha se një herë kjo gjykatë u përdor nga qeveria për Erion Veliajn, ndaj kësaj radhe nuk mund të vendosë edhe pro Ballukut.

“Populli shqiptar i ka sytë nga drejtësia dhe pret që Gjykata Kushtetuese të bëhet me qytetarët, drejtësinë dhe jo me të korruptuarit. Gjykata Kushtetuese u përdor një herë nga Rama në rastin e Veliajt, të mos përdoret këtë radhë në ndihmë të Ballukut”, tha Shehaj.

Deputeti Shehaj cilësoi se “këto firma nuk kanë asnjë efekt juridik, pasi qëllimi është ndërgjegjësimi i qytetarëve për të mbrojtur sa më shumë drejtësinë, që po vepron kundër zyrtarëve që kanë kryer shkelje”.

Në Gjykatën Kushtetuese mbahet sot seanca në lidhje me masën e sigurisë ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, “pezullimi i ushtrimit të detyrës publike”, vendim i marrë nga Gjykata e Posaçme.

1 nga 4

/e.i/a.f/r.e/

The post Shehaj protestë para GJK-së: Populli shqiptar i ka sytë nga drejtësia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Taksat vendore 2026, Bashkia Tiranë thirrje bizneseve që të vetëdeklarojnë të dhënat

TIRANË, 21 janar /ATSh/ Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore Tiranë ka ndërmarrë një nismë informuese për të rikujtuar bizneset, por edhe qytetarët që kanë pronë e cila përdoret për qëllim tregtar, mbi rëndësinë e vetëdeklarimit të saktë të të dhënave, si një hap thelbësor për përllogaritjen e drejtë të detyrimeve vendore për vitin 2026.

Në kuadër të kësaj nisme, formulari i vetëdeklarimit u është dërguar tashmë taksapaguesve në profilin e tyre në portalin “e-Albania”, te rubrika “Dokumentet e mia”. Plotësimi i këtij formulari mundëson përditësimin e të dhënave reale dhe shmang pasaktësitë në llogaritjen e detyrimeve vendore.

Procesi i plotësimit është i thjeshtë dhe kryhet përmes disa hapave: hyrja në portalin “e-Albania” me kredencialet përkatëse si qytetar ose biznes, aksesimi i rubrikës “Dokumentet e mia”, plotësimi i formularit dhe dorëzimi i tij.

Formulari i plotësuar mund të dorëzohet pranë sporteleve të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, me anë të shërbimit postar, ose online në adresën zyrtare të e-mail: taksat@tirana.al.

Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, thekson se vetëdeklarimi i saktë, para fillimit të procesit të përllogaritjes, garanton një vlerësim korrekt të detyrimeve vendore dhe rrit transparencën në marrëdhënien me taksapaguesit.

Në rastet kur formulari nuk shfaqet në profilin e taksapaguesit në portalin “e-Albania”, qytetarët dhe bizneset ftohen të përditësojnë të dhënat e tyre pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore Tiranë.

/e.i/r.e/a.f/

The post Taksat vendore 2026, Bashkia Tiranë thirrje bizneseve që të vetëdeklarojnë të dhënat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Musabelliu: Marrëveshja me Italinë, mundësi për investime në arsim, shëndetësi e inovacion

TIRANË, 21 janar /ATSh/ Në punimet e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, u shqyrtua sot projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente”.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu tha se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje krijon një kornizë të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë bashkëpunimi me Italinë, një nga partnerët strategjikë të Shqipërisë në BE.

“Objektivat kryesorë janë krijimi i një partneriteti afatgjatë të qëndrueshëm me Italinë. Gjithashtu, shfrytëzimi i përvojës italiane në hartimin e zbatimin e politikave në fushat përkatëse që mbulon kjo marrëveshje duke hapur mundësi konkrete për zhvillimin e projekteve specifike të përbashkëta që mund të lidhen me transferimin e dijeve, infrastrukturën e përbashkët kërkimore, rritje e mobilitetit të profesionistëve, studentëve, si edhe integrimin e diasporës në zhvillimin ekonomik dhe social të dy vendeve”, tha ai.

Musabelliu tha se kjo marrëveshje kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, digjitalizimit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira duke reflektuar qasjen gjithëpërfshirëse të Qeverisë ndaj zhvillimit kombëtar dhe rajonal.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovaconit theksoi se duke qenë një marrëveshje kuadër, nuk ka efekte në buxhetin e shtetit, por përbën një kornizë bashkëpunimi mes dy qeverive dhe çdo projekt specifik që do të implementohet në zbatim të kësaj marrëveshjeje do të financohet në përputhje me legjislacionin shqiptar.

“Kjo marrëveshje hap mundësi për investime të ndërsjella duke përfshirë edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në zinxhirin e vlerës rajonale dhe evropiane. Ka ndikim në punësim dhe kapital njerëzor, pasi do të kontribuojë në krijimin e vendeve të punës, si dhe në zhvillimin e aftësive profesionale në sektorë si energjia, shëndetësia, inovacioni etj.”, pohoi ai.

Musabelliu cilësoi se për zbatimin e marrëveshjes do të krijohet një komitet ndërqeveritar, i cili do të koordinojë punën për zbatimin e nismave konkrete dhe për implementimin e projekteve konkrete që do të kenë institucionet e përfshira në këtë marrëveshje.

Ndërsa, Alma Mile, drejtore e Drejtorisë së Integrimit, Koordinimit, Marrëveshjeve dhe Asistencës në Ministrinë e Arsimit, tha se kjo marrëveshje është një gurthemeli në çështjen e fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, si edhe në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë, ku arsimi është një nga pikat kyçe në kapitujt 25 dhe 26.

Relatorja e projektligjit, Lindita Nikolla u shpreh se kjo marrëveshje synon krijimin e një kuadri bashkëpunimi afatgjatë në fusha strategjike si arsimi, shëndetësia dhe sektorë të tjerë.

“Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje krijon bazën ligjore dhe ratifikimin e projekteve të përbashkëta, shkëmbim përvojash dhe koordinim institucional në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe angazhimet që rrjedhin nga procesi i integrimit në BE”, pohoi Nikolla.

Brunilda Haxhiu, deputete e PL-së, kërkoi të dijë se si kjo marrëveshje do të ndikojë te emigrantët shqiptarë në Itali në çështjen e njohjes së diplomave, patentave dhe dokumenteve të tjera.

Zv.ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit u përgjigj se kjo është një marrëveshje kuadër, ku përcaktohen fushat e zbatimit, më pas institucionet përgjegjëse lidhin marrëveshje që do të implementohen në institucionet e shtetit italian.

Projektligji u votua në parim dhe në tërësi me shumicë votash pro. Deputetët e Partisë Demokratike nuk ishin të pranishëm në komision.

/e.i/r.e/a.f/

The post Musabelliu: Marrëveshja me Italinë, mundësi për investime në arsim, shëndetësi e inovacion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mark Nika në SPAK: Të përshpejtohet hetimi për “21 Janarin”, dëshmitarët kanë presion dhe frikë

TIRANË, 21 janar /ATSh/ Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, njërit prej viktimave të protestës së 21 janarit të vitit 2011 është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pas përfundimit të ceremonisë së homazheve për përkujtimin e katër të vrarëve në protestën e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Nika zhvilloi një takim me prokurorin e çështjes, Alfred Shehu.

Në një prononcim për gazetarët, jashtë godinës së SPAK, Nika kërkoi përshpejtimin e hetimeve, duke theksuar se dëshmitarët ndodhen nën presion dhe frikë.

“Kërkojmë që hetimi për “21 Janarin” të përshpejtohet. Dëshmitarët kanë presion dhe frikë”, u shpreh ai.

“Drejtësinë e kemi kërkuar nga drejtësia e re nga SPAK. Nuk është përgjegjësia e mazhorancës, nuk kemi as komunikim për këtë punë”, tha Mark Nika.

Sipas tij, drejtësinë e pret nga SPAK dhe jo nga qeveria. “Nuk kam kërkuar kurrë nga Rama për drejtësi, drejtësinë e dua nga SPAK. Prokurori i çështjes më tha që janë kryer veprime që të restaurohet dosja e vjetër. Hollësira nuk më dha”, tha Nika.

Nika tha se fajtore “në planin politik dihet është Partia Demokratike, Berisha”.

“Ai (Sali Berisha – shën. i red.) ka qenë kryeministër, ministër i Brendshëm ka qenë Lulzim Basha. Po të jenë trima le të thonë “e kemi bërë ne”. Ata e fshehin. Pse e fshehin kur nuk ke faj? Pse ikën dhe fshihesh? Pse bën manipulimin e provave?”, tha Nika.

Sot, u zhvillua një ceremoni përkujtimore në nder të katër viktimave që u vranë në protestën e 21 Janarit 2011. Në ceremoninë e zhvilluar në Kryeministri, mbajti fjalën e rastit kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa të pranishëm ishin ministra të kabinetit qeveritar dhe familjarë të Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt.

Më pas, ceremonia përkujtimore vazhdoi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku u vendosën karafila në kujtim të katër viktimave të kësaj ngjarjeje.

/e.i/a.f/

The post Mark Nika në SPAK: Të përshpejtohet hetimi për “21 Janarin”, dëshmitarët kanë presion dhe frikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “21 Janari”, gropë e hapur që vë në dyshim të fortë moralin e drejtësisë së re

TIRANË, 21 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë ceremonisë së përkujtimit të katër viktimave të 21 Janarit se kjo çështje është një “gropë e hapur që vë në dyshim të fortë moralin e drejtësisë së re”.

Në ceremoninë e mbajtur në godinën e Kryeministrisë, ku të pranishëm ishin edhe familjarë të katër viktimave që u vranë në 21 janar të vitit 2011, Rama ndau të vërtetën sipas tij, lidhur me përgjegjësinë ndaj jetëve të sakrifikuara të katër dëshmorëve, si edhe dhe zotimin për të bërë drejtësi për “21 Janarin”.

“Ne e kemi mbajtur me dinjitet të lartë atë përgjegjësi dhe nuk e kemi tradhtuar aspak zotimin solemn, përderisa duke pavarësuar drejtësinë nga pushteti politik dhe duke ngritur SPAK-un dhe Gjykatën Speciale kemi krijuar për herë të parë kushtet për fundin e pandëshkueshmërisë me ligj, jo me zakon”, tha Rama, ndërsa theksoi se kjo është bërë përmes organeve të drejtësisë, jo përmes partisë dhe qeverisë.

“Kush kërkon nga ne pse nuk është bërë drejtësi për 21 Janarin. të “shohë” te stacioni i trenit, jo te kjo godinë. Sepse nga kjo godinë ka dalë bërthama e Reformës në Drejtësi dhe në godinën përballë është çelur ajo bërthamë dhe në godinën e Parlamentit është bekuar ajo farë e drejtësisë së pavarur nga pushteti politik”, tha ai.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se “nuk është pushteti politik as i qeverisë, as i shumicës së parlamentit, as i partisë apo i gjitha partive që duhet të bëjë punën në kanalet e hetimeve dhe në sallat e gjyqeve. Është një pushtet tjetër që duhet t’i bëjë këto”.

Ai shtoi se deri kur drejtësia e re nuk do ketë bërë gjyqin e vërtetë të 21 Janarit ajo do të jetë një drejtësi gjithmonë e më e vjetër.

“Por, drejtësinë për vet 21 Janarin, asnjë vjetërsirë e vjetër apo e re nuk do mund ta mohojë dot pafundësisht vendosjen e këtij guri themeli, sepse 21 Janari si çështje e hapur, është gropë e hapur në themelet e drejtësisë së re, është një gropë e hapur që vë në dyshim të fortë moralin e drejtësisë së re”, pohoi Rama.

Në fund të fjalës, Rama pohoi se “drejtësia për 21 Janarin është themel moral për drejtësinë e re dhe për shtetin shqiptar të së drejtës”.

“Të tjerat, përpara 21 Janarit, janë si hetimet dhe gjyqi i kafeve të Nexhmijes”, përfundoi Rama.

/e.i/r.e/

The post Rama: “21 Janari”, gropë e hapur që vë në dyshim të fortë moralin e drejtësisë së re appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lagjja tregtare Zdrale i shtohet ofertës turistike të Shkodrës

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Lagjja 300-vjeçare e Zdrales në Shkodër, një prej zonave historike më të njohura të qytetit në veri të vendit tashmë është e transformuar.

Falë projektit të bashkisë Shkodër nisur në vitin 2024, kjo lagje historike është shndërruar në një destinacion të ri tregtar, social dhe turistik, duke i shtuar vlerë të konsiderueshme ofertës turistike të qytetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale, një album fotografish nga kjo zonë e njohur në Shkodër, duke e etiktuar lagjen Zdrale, si një tjetër shembull të rilindjes.

Projekti për rivitalizimin e Zdrales është një investim prej 2.5 milionë eurosh. I konceptuar në detaje për transformimin e kësaj lagjeje historike, projekti ka prekur infrastrukturën tokësore, fasadat, pjesën e xhamave dhe dyqaneve.

Lagja Zdrale, sot shërben edhe si një pedonale për këmbësorët, ndërsa subjektet tregtare janë unifikuar të gjithë në ngjyra dhe detaje.

/e.i/j.p/

The post Lagjja tregtare Zdrale i shtohet ofertës turistike të Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lara Colturi, e 20-ta në Slalomin Gjigant të Italisë

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi u rendit në vendin e 20-të në garën e Slalomit Gjigant të zhvilluar këtë të martë në Kronplatz, në ndalesën e radhës të Kupës së Botës për Skitë Alpine.

Në lëshimin e parë, skiatorja e cila përfaqëson ngjyrat kuqezi nuk shkoi më shumë se vendi i 22-të duke e mbyllur garën me kohën 1 minutë 16 sekonda e 42 të qindtat, por duke marrë të drejtën për t’u kualifikuar për në lëshimin e dytë.

Në këtë të fundit Lara u pozicionua sërish e 22-ta me kohën 1 minutë 7 sekonda e 54 të qindtat, që në finale e pozicionuan në vendin e 20-të në klasifikimin e përgjithshëm me kohën totale 2 minuta 23 sekonda e 96 të qindtat.

Në garën e Slalomit Gjitant të Italisë, në vend të parë u rendit Julia Scheib, në vend të dytë zvicerania Camille Rast dhe në vendin e tretë Sara Hector e Suedisë.

Në renditjen finale të këtij sezoni Lara Colturi zbret në vendin e dhjetë me 445 pikë.

Ndërsa, skiatori shqiptar Denni Xhepa u endit në vendin e gjashtë në garën e Slalomit Gjigant për meshkuj, e cila u zhvillua ditën e djeshme në Serre Chevalier të Francës.

Xhepa e përfundoi garën në vendin e 6-të me kohën 1 minutë e 7 sekonda.

/e.i/j.p/

The post Lara Colturi, e 20-ta në Slalomin Gjigant të Italisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMF, bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Thesarit për forcimin e tregjeve financiare jobankare

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) informoi sot se po bashkëpunon ngushtësisht me ekspertët e Departamentit Amerikan të Thesarit përmes zyrës së tij të asistencës teknike (OTA), për forcimin e tregjeve financiare jobankare.

Ky bashkëpunim shtrihet në disa fusha kyçe, përfshirë teknologjinë e informacionit, tregun e sigurimeve, mbrojtjen konsumatore, edukimin financiar dhe veçanërisht zhvillimin e tregut të kapitaleve në Shqipëri.

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Adela Xhemali zhvilloi një takim me përfaqësuesit e OTA-s, Arthur Simonson dhe Ralph Scholtz.

Në takim, sipas njoftimit të AMF-së u diskutua mbi ecurinë e asistencës teknike dhe hapat e mëtejshëm për krijimin e një tregu kapitalesh funksional dhe të qëndrueshëm.

Projekti synon zgjerimin e gamës së instrumenteve financiare, përfshirë nxitjen e emetimit të obligacioneve, me objektiv krijimin e alternativave të reja të financimit për ekonominë shqiptare.

Drejtoresha Ekzekutive e AMF-së vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të ekspertëve të Departamentit Amerikan të Thesarit, duke theksuar se ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të besimit në tregje dhe zgjerimit të mundësive të financimit për sektorin publik dhe privat në Shqipëri.

/e.i/j.p/

The post AMF, bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Thesarit për forcimin e tregjeve financiare jobankare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Rivitalizimi i kullave, monumente kulture por dhe hapësira të gjalla për zhvillim ekonomik

TIRANË, 20 janar /ATSh/ Në katër qarqe dhe 14 bashki të veriut të Shqipërisë ka nisur programi për Rijetëzimin e Kullave dhe përfshirjen e tyre në zinxhirin e turizmit, një nismë që lidh trashëgiminë, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se institucioni që ai drejton po ndërmerr një qasje e re për rivitalizimin e kullave tradicionale, duke i trajtuar ato jo vetëm si monumente kulture, por si hapësira funksionale dhe të gjalla, të integruara në zhvillimin turistik, kulturor dhe ekonomik të zonave ku ndodhen.

Programi shtrihet në qarqet Dibër, Kukës, Shkodër dhe Lezhë dhe synon kthimin e kullave në bujtina, qendra kulturore, muze lokalë dhe pika edukimi, si pjesë e itinerareve turistike që ofrojnë përvoja autentike për vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë.

Sipas Gonxhes, kjo ndërhyrje synon të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë, forcimin e identitetit lokal dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim të qëndrueshëm në komunitetet përkatëse.

Gonxhja informoi se në këtë kuadër, është përgatitur një pyetësor informues, i cili shërben për mbledhjen e të dhënave mbi gjendjen aktuale, historinë dhe potencialin e kullave tradicionale në këto zona, si bazë për planifikimin e mëtejshëm të ndërhyrjeve.

“Të dhënat e mbledhura do të përdoren për analiza dhe vendimmarrje në kuadër të zbatimit të programit”, tha ai.

“Rijetëzimi i Kullave” bëhet pjesë e një strategjie më të gjerë që synon krijimin e itinerareve kulturore dhe turizmit malor, që do të lidhin zonat e veriut përmes historisë, artit dhe natyrës së paprekur, duke ndërtuar një rrjet të qëndrueshëm përvoje turistike që zgjat gjatë gjithë vitit.

Faza e parë e programit ka nisur vitin e kaluar dhe do të zgjasë edhe gjatë 2026-ës. Kjo fazë fokusohet në identifikimin e kullave në 4 qarqe: Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës. Kjo fazë përfshin hartimin e projekteve tip për secilin qark dhe zhvillimin e programit të plotë për rijetëzimin e kullave që synon të përfshijë më tepër aktorë të tjerë publikë, apo donatorë të tjerë.

Faza e dytë do të zhvillohet në periudhën 2026-2028 dhe përfshin restaurimin e kullave, rijetëzimin e tyre, lidhje me operatorë turistikë, përfshirje në itinerare dhe zhvillimin e produkteve të tjera turistike rreth kullave, etj.

/e.i/j.p/

The post Gonxhja: Rivitalizimi i kullave, monumente kulture por dhe hapësira të gjalla për zhvillim ekonomik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dinamo fiton turneun “Futsal Junior” për moshën U-13

TIRANË, 19 janar/ATSh/ Turneu “Futsal Junior” për grupmoshën U-13, i organizuar nga Federata e Futbollit, Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë dhe Agjencia e Parqeve Rekreative, u mbyll ditën e djeshme.

Në këtë aktivitet morën pjesë 16 skuadra, të ndara në katër grupe, duke dhuruar ndeshje mjaft të bukura, shumë të luftuara dhe tejet argëtuese për fëmijët pjesëmarrës. Në fund të turneut, Dinamo City u shpall fituese e këtij turneu, pasi mposhti 3-0 Partizanin A.

FSHF bën me dije se ndeshjet gjysmëfinale u luajtën mes Dinamo City-t A dhe B, East Park dhe Partizanit A dhe përfunduan Dinamo City A 3–2 BS East Park, Dinamo City B 2–5 Partizani A, Partizani A 0-3 Dinamo City A.

Ceremonia përmbyllëse u zhvillua në praninë e Drejtorit Teknik të FSHF-së, Fulvio Pea, si dhe drejtuesve të tjerë të SHRFT, të cilët përgëzuan fëmijët dhe trajnerët për nivelin e treguar dhe rëndësinë e këtyre aktiviteteve në formimin e brezit të ri të futbollistëve.

Turneu “Futsal Junior” nuk ndalet këtu pasi këtë fundjavë, radha i vjen ekipeve të grupmoshës U-11, ndërsa fundjavën e ardhshme do të zbresin në fushë edhe më të vegjlit e grupmoshës U-9, duke vijuar misionin për të nxitur pjesëmarrjen masive dhe dashurinë për futbollin që në moshë të vogël.

Turneu “Futsal Junior” për moshën U-13
1 nga 6

/e.i/a.f/r.e/

The post Dinamo fiton turneun “Futsal Junior” për moshën U-13 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Gjykata Kushtetuese nuk e shfuqizoi arrestin tim shtëpiak, pasojat ndihen akoma

TIRANË, 19 janar/ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për arrestin e tij shtëpiak, nuk është shfuqizuar akoma.

Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, jashtë dyerve të SPAK, pasi kreu i PD-së u paraqit ditën e sotme në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GjKKO-së, Berisha tha se “Gjykata Kushtetuese atë çështje e trajtoi pas tetë muajve paraqitje”.

“Në një kohë kur çdo çështje që ka të bëjë me qeveritarët e trajton brenda 2-3 javëve. Këto janë standardet partiake të Gjykatës Kushtetuese. Së dyti, Gjykata Kushtetuese me një vendim të koduar, partia, shpalli jo kushtetues vendimin ndaj meje por nuk e shfuqizoi atë. Ndërkohë që ai vendim ka pasoja edhe sot. Pra, nuk e shfuqizoi duke pretenduar se nuk është më në fuqi, por në fuqi janë pasojat e tij. Dhe vendimi në çdo doktrinë, përveç në atë të partisë së krimit, vendimi duhej shfuqizuar”, tha Berisha.

Sipas Berishës, GjK nuk e shfuqizoi vendimin ndaj tij, duke pretenduar se nuk është në fuqi.

“Ajo merret me vendimet që janë në fuqi dhe që kanë pasoja.Por, pasoja e atij vendimi është fakti që unë jam sot këtu para jush. Kjo është një nga pasojat. Plus pasojat e tjera. Ja pra, besoj se e morët vesh se ç’përfaqësojnë, njerëz të kapur peng me dhjetëra e dhjetëra mëkate dhe gjëra të padenja”, vijoi ai.

I pyetur nga gazetarët për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, me ftesë të presidentit amerikan Donald Trump, Berisha u shpreh se janë “1 miliard euro për Bordin e Paqes të Gazës”, teksa shtoi se “asgjë nuk e shpëton Ramën nga rrokullima e madhe”.

/e.i/a.f/r.e/

The post Berisha: Gjykata Kushtetuese nuk e shfuqizoi arrestin tim shtëpiak, pasojat ndihen akoma appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Operacioni i SPAK për mashtrimet në Call Center-a u dekonspirua

TIRANË, 19 janar/ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së, për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Berisha u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00, ndërsa jashtë ambienteve të prokurorisë theksoi për gazetarët se operacioni i SPAK ndaj një kollsentri në Tiranë u dekonspirua.

“Ky treg është një nga tregjet më kriminale në Ballkan, në Europë dhe në botë. Janë dyqind sipërmarrje, të cilat ditë e natë vjedhin qytetarët e huaj me mashtrime. Mashtrojnë qytetarët dhe kollsentri i cili u kontrollua, sipas hetimit që kanë bërë me agjentët e vet, vidhte në muaj të paktën 30 milionë euro me mashtrim”, tha Berisha.

Berisha pohoi se kjo veprimtari kriminale është absolutisht e tëra në mbikëqyrjen e narkopolicisë.

“Njëlloj si dikur, për çdo rrënjë kanabis paguhej tarifa prej 300 eurosh kur ato ishin të shëndetshme, se jepnin 1 mijë euro fitim, çdo qendër, për çdo kompjuter, paguan tarifa zyrtarëve të policisë, të cilët mbyllin sytë ndaj veprimtarisë së tillë ku mashtrohen dhe vidhen qytetarët e vendeve të tjera.

Në këto qendra ushtrohet një mashtrim masiv i qytetarëve fatkeqë që besojnë, ku u thuhet sille shumën se do marrësh kaq, ke humbur në bursë, do gjejmë kaq”, tha ai.

Kreu i PD-së shtoi se agjentët e BKH-së u kanë dhënë çdo informatë ekipit që hetonte, pasi kanë të gjitha fotot dhe videot e dokumentet për veprimtarinë.

“Ata kur shkuan e gjetën të boshatisur dhomën, sepse kishin hequr të gjithë kompjuterat, çka vërteton edhe një herë deklaratën e prokurorit të antimafies të Napolit, i cili thotë se Shqipëria është më keq se narkoshtet. Është më keq se narkoshtet, thotë, sepse të dekonspirojnë çdo gjë. E pamundur të sosësh një hetim”, tha Berisha.

/e.i/r.e/a.f/

The post Berisha: Operacioni i SPAK për mashtrimet në Call Center-a u dekonspirua appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjerohet programi i depistimit të kancerit të qafës së mitrës, përfshihen gratë 35-55 vjeç

TIRANË, 19 janar/ATSh/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përmes Institutit të Shëndetit Publik i bashkohet edhe këtë vit Javës Europiane për Parandalimin e Kancerit të Qafës së Mitrës, për të rikujtuar se parandalimi shpëton jetë. Ky është një moment i rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin mbi kancerin e qafës së mitrës dhe rëndësinë e veprimeve të hershme për shëndetin e grave.

Duke u mbështetur në përvojën e Programit Kombëtar të Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës, i cili zbatohet nga IShP, si dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka vendosur që në vitin 2026 të zgjerojë fashën e moshës për gratë që përfitojnë nga programi, duke përfshirë tani edhe grupmoshën 35-55 vjeç.

Ky zgjerim synon të nxisë ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e grave në programin e depistimit, të rrisë mundësitë për diagnostikim të hershëm të kësaj sëmundjeje, si dhe të ulë rrezikun afatgjatë të saj.

Kanceri i qafës së mitrës është një nga kanceret që mund të parandalohet pothuajse plotësisht, përmes vaksinimit kundër HPV-së dhe depistimit të rregullt.

Për më shumë informacion mbi Programin Kombëtar të Depistimit dhe vaksinimin kundër HPV-së, qytetarët mund të vizitojnë faqen e Institutit të Shëndetit Publik ose të komunikojnë me qendrën e tyre shëndetësore më të afërt.

/e.i/a.f/r.e/

The post Zgjerohet programi i depistimit të kancerit të qafës së mitrës, përfshihen gratë 35-55 vjeç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌