Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shprehur reagime të përziera për sulmin e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë të shtunën, i cili i parapriu kapjes së udhëheqësit venezuelas, Nicolas Maduro, dhe dërgimit të tij në paraburgim në Nju Jork. Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se Shtetet e Bashkuara do ta “qeverisin” Venezuelën deri në “kalimin e […]
Shou i dronëve që u planifikua si një spektakël i madh për festimin e Vitit të Ri në qiellin mbi Qytetin e Vjetër të Budvës përfundoi në mënyrë të paharrueshme, por jo siç pritej.
Gjatë performancës që duhej të ndriçonte natën e ndërrimit të viteve, u shfaq një problem teknik, për shkak të të cilit dronët filluan të bien njëri pas tjetrit para shumë qytetarëve të mbledhur aty. Rreth 600 dronë ranë në det dhe në platformat para Kapetanisë së Portit, ndërsa pamjet e këtij momenti u shpërndanë shpejt në rrjetet sociale.
Policia e Budvës konfirmoi se ka kryer një hetim në vendngjarje dhe ka informuar Prokurorinë themelore në Kotor për incidentin. Fatmirësisht, askush nuk u plagos. Sipas informacioneve jozyrtare, dëmet materiale mund të arrijnë qindra mijëra euro.
— (@)
Ky shou me dronë u parapri nga një fishekzjarr, por arsyeja e saktë e defektit që shkaktoi rënien masive të pajisjeve teknologjike ende nuk dihet. Autoritetet lokale, përfshirë Organizatat Turistike dhe Komunën e Budvës, nuk kanë dhënë shpjegime zyrtare për shkaqet e incidentit, raporton vijesti.me.
Sipas mediave malazeze, disa pohojnë se nuk përjashtohet mundësia e ndërhyrjes së pajisjeve që pengojnë sinjalin, por këto pretendime nuk janë konfirmuar ende. Shou i dronëve, i cili duhej të ishte një nga momentet kryesore të festimeve të Vitit të Ri në Budva, përfundoi me zhgënjim për publikun dhe organizatorët.
Në fund, dronët u ngritën në disa dhjetëra metra lartësi përpara se të fillonin të binin pa kontroll në tokë dhe në det – një skenë që, sipas dëshmitarëve, vetëm me fat kaloi pa pasoja serioze për njerëzit. /Telegrafi/
Sateliti i parë malazez "Luča" është lansuar me sukses në orbitën e ulët të Tokës (LEO).
Kështu ka bërë të ditur drejtori i organizatës së Kërkimeve Hapësinore të Malit të Zi (MSR), Filip Joviçeviq, shkruajnë mediat vendase, përcjell Telegrafi.
Mali i Zi, thekson ai, shkroi një kapitull të ri në historinë e tij teknologjike dhe shkencore me këtë akt.
Më parë, u njoftua se sateliti do të lansohet nga një raketë Soyuz, nga Kozmodromi Vostochny, pranë kufirit të Rusisë dhe Kinës.
"Ky sukses historik është rezultat i dëshirës, këmbënguljes, njohurive dhe punës së madhe, por mbi të gjitha i përpjekjes kolektive të njerëzve që besuan se edhe një vend i vogël mund të arrijë ëndrra të mëdha", ka thënë Joviçeviq.
Ai shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që ishin pjesë e projektit, që nga vetë ideja deri në realizimin e tij.
Ai gjithashtu thotë se lansimi i satelitit nuk është fundi, por fillimi, dhe se Kërkimet Hapësinore të Malit të Zi po kthehen drejt një qëllimi edhe më ambicioz - zhvillimit të raketës së parë malazeze, së pari suborbitale dhe më pas orbitale.
Joviçeviq bëri të ditur se delegacioni i MSR do të kthehet në Mal të Zi më 30 dhjetor, në mbrëmje. /Telegrafi/
Dogana e Malit të Zi kanë ndaluar një përpjekje për kontrabandim të një sasie të madhe telefonash celularë në Aeroportin e Podgoricës.
Në sistemin doganor të Zyrës së Doganave në Aeroportin e Podgoricës është dorëzuar një deklaratë për t’u futur në qarkullim mallrat, ku janë deklaruar telefona celularë dhe pajisje shoqëruese.
Pas kontrolleve rutinë u konstatua se bëhej fjalë për një sasi të madhe telefonash të shtrenjtë, kryesisht të markave iPhone dhe Samsung, të cilat vlerësohen rreth 2.6 milionë euro, raporton vijesti.me.
Veprimet e mëtejshme rreth këtij rasti po vijojnë në bashkëpunim me Policinë dhe Përgjithësinë kompetente të prokurorisë, thonë zyrtarët.
Dogana po vazhdon të kryejë kontrolle të fuqishme në të gjitha pikëkalimet kufitare, me qëllim mbrojtjen e stabilitetit ekonomik të shtetit dhe luftimin e të gjitha formave të tregtisë së paligjshme. /Telegrafi/
Me ndryshimin e fundit të politikave të administratës Trump në Bosnje dhe Hercegovinë dhe me publikimin e Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare më herët këtë muaj, paqartësia mbi politikën amerikane ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor ka marrë fund. Çështja është nëse Bashkimi Evropian – qendra de facto e gravitetit e botës demokratike të mbetur […]
Mali i Zi ka rivendosur regjimin pa viza për shtetasit e Turqisë, duke shkurtuar lejen e qëndrimit nga 90 në 30 ditë, njoftoi sot qeveria malazeze.
Qeveria e mori vendimin pa mbajtur seancë, duke marrë pëlqimin e shumicës së ministrave, duke miratuar ndryshimet në Rregulloren e Regjimit të Vizave, të cilat hoqën pezullimin e përkohshëm të hyrjes pa viza për shtetasit turq, thuhet në faqen e internetit të Qeverisë së Malit të Zi.
Kufizimi i kohëzgjatjes së qëndrimit, siç deklaruan ata, u prezantua si një masë për të parandaluar migrimin e paligjshëm dhe për t'u përafruar me politikën e vizave të Bashkimit Evropian (BE).
Në deklaratën e qeverisë thuhet se bashkëpunimi me autoritetet turke është përmirësuar ndërkohë, me kontrolle të shtuara të sigurisë dhe migracionit. Gjithashtu u theksua se Mali i Zi e ruan mundësinë e rivendosjes së regjimit të vizave nëse vlerësohet se ka rreziqe sigurie.
Regjimi i vizave për shtetasit e Turqisë u vendos pas një incidenti në Podgoricë për të cilin fillimisht u akuzuan shtetas turq, të cilët më vonë rezultuan se nuk kishin qenë të pranishëm në vendin e sulmit me thikë. /AA/
Një 29-vjeçar është arrestuar në qarkun e Shkodrës, pasi dyshohet se ndihmonte emigrantë të paligjshëm për kalimin e kufirit, kundrejt pagesës prej 500 eurosh për person. Sipas njoftimit të Policia e Shtetit, personi me iniciale O. Ç., banues në Fushë-Krujë, u kap në fshatin Vukpalaj, duke transportuar tre emigrantë nga Sudani, të cilët synonin të […]
Boris Pejoviq, nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi, ka deklaruar se Kosova është njohur në thelb nga vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Pejoviq i bëri këto komente në një përgjigje të ashpër ndaj kryetares së parlamentit serb, Ana Brnabiq , pas akuzave të saj kundër Malit të Zi për njohjen e Kosovës.
“Në fund të fundit, Kosova është njohur në thelb nga presidenti juaj. Merruni me këtë — dhe na lini rehat”, shkroi ai në X.
...kada vam se u okviru poštovanja vladavine prava koju vi potencirate, sada traži da ga i isporučite. Uostalom, Kosovo vam je suštinski priznao vaš predsjednik, pozabavite se time, a od nas odmorite malo. 2/2 — Boris Pejović (@vpofparliament) December 19, 2025
Përgjigja e Pejoviq pasoi pretendimet e Brnabiq se Mali i Zi shkeli të drejtën ndërkombëtare, Kartën e OKB-së dhe respektin themelor ndaj Serbisë duke njohur Kosovën.
Brnabiq argumentoi gjithashtu se pesë shtete anëtare të BE-së ende nuk e njohin Kosovën , duke nënkuptuar sipas saj se Mali i Zi veproi kundër normave evropiane.
Mosmarrëveshja u përshkallëzua pasi Brnabiq akuzoi Malin e Zi se strehonte dy nga klanet kriminale më të rrezikshme në botë — “Skaljari” dhe “Kavac” — duke pretenduar se ato nuk mund të funksiononin pa mbështetjen e shtetit.
Pejoviq i hodhi poshtë akuzat, duke e akuzuar Brnabiqin për ndryshimin e qëllimshëm të narrativave për të portretizuar Vuçiqin si viktimë .
Ai theksoi se klanet kriminale që ajo përmendi dolën në vitin 2014 dhe se individët e dyshuar për lidhje me këto grupe nuk kanë ndikim mbi qeverinë aktuale të Malit të Zi .
Pejoviq i kujtoi gjithashtu Brnabiqit se të gjithë individët e dyshuar për lehtësimin e mbërritjes së grupit kriminal të Veljko Belivuk nga Serbia në Mal të Zi tashmë janë ndjekur penalisht. /Telegrafi/
Një 31-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim është arrestuar nga Policia në Malin e Zi, pasi akuzohet për kultivim të lëndëve narkotike. Sipas Policisë, bëhet fjalë për shtetasin, Megiljan Deda, ndaj të cilit Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Megiljan […]
Në Konferencën ndërqeveritare në Bruksel, Mali i Zi mbylli pesë kapituj në negociatat në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që përfaqëson një nga hapat më të rëndësishëm të vendit përpara në rrugën e tij evropiane.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq tha se mbyllja e pesë kapitujve është sukses i madh për vendin dhe sinjal i qartë se qëllimi i përfundimit të plotë të negociatave është i arritshëm.
"Jemi shumë të lumtur për rezultatet që kemi arritur. Mbyllja e pesë kapitujve është lajm i shkëlqyer për Malin e Zi dhe aspiratat e tij evropiane, por edhe një konfirmim se është realiste të mbyllen të gjithë kapitujt deri në fund të vitit 2026", tha Spajiq.
Në një konferencë për mediat, në emër të Presidencës së BE-së, ministrja daneze për Çështjet Evropiane Marie Bjerre saktësoi se kapitujt 3 - E drejta e themelimit dhe liria e ofrimit të shërbimeve, 4 - Lëvizja e lirë e kapitalit, 6 - E drejta tregtare, 11 - Bujqësia dhe zhvillimi rural dhe 13 - Peshkimi janë mbyllur.
Ajo theksoi se ky është një hap i madh përpara në marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe BE-së, duke vlerësuar angazhimin politik dhe progresin e arritur.
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos tha se Mali i Zi nuk ka qenë kurrë më afër Bashkimit Evropian, duke e përshkruar mbylljen e sotme të kapitujve si një shenjë të qartë të përparimit të madh. Ajo theksoi se viti i ardhshëm do të jetë kyç dhe vendimtar por paralajmëroi se Mali i Zi ka ende shumë punë për të bërë, veçanërisht në fushën e forcimit të sundimit të ligjit.
"BE-ja do ta mbështesë Malin e Zi në çdo hap drejt anëtarësimit të plotë", ka thënë Kos.
Kryeministri Spajiq shtoi se Mali i Zi deri më tani ka mbyllur më shumë se një të tretën e kapitujve të negociatave, duke e bërë atë kandidatin më të përparuar në 16 vitet e fundit.
Ai falënderoi vendet anëtare të BE-së, veçanërisht Francën, për mbështetjen dhe këmbënguljen e tyre në standarde të larta, duke theksuar se Mali i Zi po tregon seriozitet dhe pjekuri në procesin e integrimit.
Mali i Zi filloi negociatat e anëtarësimit në BE më 29 qershor 2012 dhe deri më tani ka hapur të gjithë 33 kapitujt.
Qëllimi i qeverisë është të mbyllë të gjithë kapitujt e mbetur, në mënyrë që vendi të jetë gati për anëtarësim në BE në vitin 2028.
Pas konferencës së sotme, Mali i Zi mund të hyjë në vitin e ardhshëm, potencialisht vendimtar, me një total prej 12 kapitujsh të mbyllur, me ambicien për të tejkaluar 20 deri në fund të vitit 2026 dhe për të përmbushur të gjitha kushtet për përfundimin e procesit të pranimit.
Mali i Zi i ka përmbushur të gjitha kushtet për mbylljen e Kapitullit 31 (politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes), por vendimi për këtë ishte shtyrë më parë, për shkak se këtë e kërkoi Kroacia. /AA/
Gjermania është i vetmi vend në botë që nuk ka kufi shpejtësie në autostradat e saj.
Edhe pse nuk ka kufizim, shpejtësia e rekomanduar është 130 km/h.
Shpejtësitë maksimale më të ulëta zakonisht gjenden në vende me infrastrukturë më të vjetër ose terren më të vështirë.
Singapori dhe Tanzania janë vendet me kufizimet më të ulëta të shpejtësisë, respektivisht 90 km/h dhe 80 km/h.
Në autostradat e rajonit, pra edhe në ato të Kosovës dhe Shqipërisë, shpejtësia maksimale e lejuar është 130 km/h, ndërsa vetëm Mali i Zi ka kufizim shpejtësie prej 100 km/h. /Telegrafi/
Mali i Zi ka shumë të ngjarë që deri në fund të vitit të mbyllë tre nga pesë kapitujt e pritur në negociatat me Bashkimin Evropian (BE), pasi përfaqësuesit e Francës në organet punuese të atij “Unioni” sot bllokuan “heqjen nga lista” të dy kapitujve - kapitullin 11 (Bujqësia dhe zhvillimi rural) dhe kapitullin 13 (Peshkimi).
Francezët u shprehën kështu në mbledhjen e Grupit Punues të Këshillit të BE-së (COELA), të mbajtur dje, mëson “Vijesti”.
Ndërkohë, ka përfunduar edhe mbledhja e Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të shteteve anëtare (COREPER II), në të cilën u konfirmua kjo vendimmarrje.
Sipas informacioneve jozyrtare të “Vijesti”, përfaqësuesit e Francës kanë pohuar, ndër të tjera, se kapitujt 11 dhe 13 nuk janë gati për t’u mbyllur dhe se nuk janë mjaftueshëm të harmonizuar me rregullat e BE-së, pa dhënë arsye konkrete për këtë qëndrim.
Pas mbledhjes së COREPER II, çështja kalon në konferencën ndërqeveritare, pra në nivel ministror (ministrat e punëve të jashtme ose të çështjeve evropiane brenda Këshillit të BE-së për Çështje të Përgjithshme), ku pritet që përfundimisht të mbyllen tre kapituj - 3 (E drejta e themelimit të ndërmarrjeve dhe liria e ofrimit të shërbimeve), 4 (Liria e lëvizjes së kapitalit) dhe 6 (E drejta tregtare).
Edhe pse vendimi i Francës mund të ndryshohet në nivel ministror, gjasat që kjo të ndodhë janë shumë të vogla.
Negociatat për anëtarësimin e Malit të Zi në BE kanë nisur më 29 qershor 2012. Që atëherë, Podgorica ka hapur të gjithë kapitujt (33) dhe ka mbyllur përkohësisht shtatë, prej të cilëve tre në fund të vitit të kaluar dhe një në qershor të këtij viti. /Telegrafi/
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mali i Zi po nisin negociatat për arritjen e një marrëveshje dypalëshe që ka për qëllim forcimin e lidhjeve tregtare, investuese dhe ekonomike, njoftoi Ambasada amerikane në Podgoricë më 10 dhjetor. Negociatat do të zhvillohen në kuadër të Dialogut Ekonomik SHBA-Mali i Zi 2025. “SHBA-ja njihet globalisht për inovacionin […]
Kudo që ekziston hapësirë për destabilizim, Rusia do ta shfrytëzojë atë, vlerësoi për Radion Evropa e Lirë analisti i Qendrës së Forenzikës Digjitale të Malit të Zi (DFC), Drashko Jabuçanin. Nga DFC-ja, në analizën e fundit lidhur me ndikimin rus, kanë tërhequr vëmendjen mbi strategjinë e shtetit ndaj vendeve që ndodhen në faza të ndryshme […]
Policia malazeze ka goditur një rrjet mercenarësh që kishin luftuar për Rusinë në Ukrainë.
Sipas raporteve nga mediat lokale në Podgoricë, është arrestuar Danko Saviq, një shtetas i Bosnjës dhe Hercegovinës me banim të përhershëm në Mal të Zi, i cili kishte një milion e gjysmë euro në llogarinë e tij, të cilat, sipas policisë, i kishte fituar gjatë shërbimit në forcat ruse.
Saviq u arrestua si pjesë e operacionit të koduar “Lugansk”. Gjatë kontrollit në banesën dhe ambientet e tjera që përdorte, policia sekuestronte 12.2 kilogramë eksplozivë. Operacioni ka përfshirë deri tani 12 persona dhe 13 kontrollime në lokacione në Danilovgrad, Nikshiq dhe Podgoricë.
Policia njoftoi se janë sekuestruar gjithsej 24 armë zjarri, mbi 1000 fishekë, disa korniza, nëntë thika, shpata dhe bajoneta, si dhe uniforma, flamuj dhe shenja të tjera dalluese të grupeve kriminale dhe organizatave.
Midis sendeve të konfiskuara ishin edhe jelekë antiplumb, helmeta, pajisje komunikimi, karta SIM dhe karta identiteti të “Vëllazërisë Kozake Malazeze”, shpesh me emra të ndryshëm.
Sipas policisë, provat tregojnë se Saviq kishte shërbyer në strukturat ushtarake të huaja të Federatës Ruse në Luhansk nga fillimi i vitit 2023 deri në fillim të vitit 2025. Dyshohet se ai ishte motivuar kryesisht nga përfitimi financiar dhe gjatë kësaj periudhe fitoi 1.5 milion euro.
Ky nuk është rasti i parë kur Saviq bie në shënjestër të autoriteteve; në qershor 2025, ai u arrestua pasi në shtëpinë e tij u gjetën 12 kilogramë eksplozivë të paketuar si rrip, dhe më pas kundër tij u ngrit padi për posedim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese.
Mediat raportuan më parë se Savić ishte ish-anëtar i Ushtrisë Jugosllave dhe kishte deklaruar publikisht veten si ataman, ose komandant kozak, duke u lidhur me “Ushtrinë Kozake të Ballkanit”, një organizatë e dyshuar se ka lidhje me Ushtrinë Qendrore Kozake të Rusisë, e afërt me presidentin Vladimir Putin.
Televizioni malazez njoftoi se operacioni “Lugansk” u koordinua me shërbimet e inteligjencës së dy shteteve anëtare të NATO-s. Kontrollimet u fokusuan mbi persona që janë pjesë e “Ushtrisë së Kozakëve të Ballkanit”, “Vëllazërisë Malazezo-Kozake” dhe organizatës “Ujqërit e Natës”.
Media kujton gjithashtu se këto organizata kanë lidhje me Kishën Ortodokse Serbe, lidhje kjo e vënë në dukje gjatë fronëzimit të Mitropolitit të KOS-it në Mal të Zi, Joanikij Mićoviq, më 5 shtator 2021, ku anëtarët e këtyre grupeve siguruan manastirin në Cetinje gjatë ceremonisë. /Telegrafi/
Në Podgoricë u mbajt mbrëmë ceremonia solemne e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Mal të Zi. Në një atmosferë festive morën pjesë rreth 550 të ftuar, mes tyre Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović, anëtarë të Qeverisë, ambasadorë dhe personalitete nga jeta kulturore e shoqërore. Në fjalën e saj, Ambasadorja Zhaklina Peto theksoi rëndësinë…
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, njoftoi të premten se Podgorica “shumë shpejt” do ta ashpërsojë regjimin e vizave për shtetasit rusë, në përputhje me politikën e vizave të Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se Mali i Zi e ndjek plotësisht politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë masat ndaj Rusisë.
Duke ndjekur këtë politikë, Mali i Zi vendosi sanksione ndaj Rusisë në vitin 2022, kur Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.
Megjithatë, Komisioni Evropian ka paralajmëruar disa herë Podgoricën se harmonizimi i politikës së vizave është thelbësor për përparimin në bisedimet për anëtarësim dhe për qasjen në mjetet e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiç, njoftoi sot se Podgorica “shumë shpejt” do ta ashpërsojë regjimin e vizave për shtetasit rusë, në përputhje me politikën e vizave të Bashkimit Evropian. Ai theksoi se Mali i Zi e ndjek plotësisht politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë masat ndaj Rusisë. Duke ndjekur këtë […]
Reshjet e dendura të shiut në Budva kanë shkaktuar përmbytje të menjëhershme gjatë orëve të fundit.
Si pasojë, siç raportojnë mediat vendase, uji “ka marrë me vete” edhe dhjetëra automjete të parkuara në shtratin e thatë të një lumi në qendër të qytetit, përcjell Telegrafi.
Siç edhe shihet në pamje, ujin ngrihet me shpejtësi dhe mbart çdo gjë që gjen përpara.
Kjo zonë thuhet se shfrytëzohet prej vitesh si parking i madh, pasi në Budva mungojnë hapësirat e mjaftueshme për parkim dhe në qytet janë ngritur qindra ndërtesa të reja.
Në Bruksel u zhvillua sot Forumi i Zgjerimit të Bashkimit Evropian, ngjarje që mblodhi udhëheqës evropianë, përfaqësues të vendeve kandidate, ekspertë të politikave dhe aktorë të shoqërisë civile.
Ky forum u zhvillua paralelisht me publikimin e paketës vjetore të Zgjerimit dhe raporteve të progresit, duke vënë theksin tek rëndësia e reformave dhe perspektiva e anëtarësimit për vendet aspirante.
Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos, gjatë debatit ka theksuar se vendet kandidate si Mali i Zi dhe Shqipëria mund të përfshihen në proces, edhe pa reforma të mëdha të brendshme, por për këtë është e nevojshme mbështetja e vendeve anëtare.
“Mali i Zi eshte aq vend i vogel, sigurisht që mund të përfshijmë Malin e Zi pa reforma të mëdha të brendshme. Mund të përfshijmë edhe Shqipërinë me tre milionë banorë, dhe së bashku do të kemi 6.6 milionë – në 2004 ishim 70 milionë, dhe na duhet kjo,” tha Kos.
Ajo bëri thirrje për mbështetje konkrete nga shtetet anëtare, duke theksuar rëndësinë e faktit dhe transparencës.
“Mund të jeni për zgjerimin, por shumica e njerëzve nuk janë. Ndihmoni ne, ndihmoni mua për të përfunduar vendimin. Po, kjo është koha juaj për të ndriçuar,” u shpreh Kos.
Kos, vlerësoi vitin 2025 si një periudhë progresi të konsiderueshëm. Sipas saj, Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia kanë shënuar avancime të dukshme në reformat kyçe, dhe me ritmin aktual të reformave, negociatat e pranimit mund të përfundojnë në vitet e ardhshme.
“Mali i Zi ka mbyllur katër kapituj negociatash dhe synon përfundimin e tyre deri në vitin 2026. Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm dhe synon mbylljen e negociatave deri në vitin 2027,” tha Kos.
Nga ana tjetër, Serbia është kritikuar për ngadalësim të reformave dhe rritje të tensioneve politike, ndërsa Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Turqia dhe Gjeorgjia përballen me sfida të ndryshme që pengojnë avancimin.
Ndërkaq në debat nuk u dha shumë hapsirë për Kosovën.
Sipas Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2025, Kosova ka pasur progres të kufizuar e stagnim.
Raporti thekson se Kosova ka pasur përparim të kufizuar në fusha të tilla si pavarësia e gjyqësorit, liria e medias, dhe efikasiteti i administratës publike.
Raporti thekson se bllokadat politike dhe polarizimi kanë penguar funksionimin normal të institucioneve demokratike.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar hapjen e rrugës për marrjen e statusit të kandidatit, duke theksuar se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian./Telegrafi/