TIRANË, 8 janar/ATSH/ Reshjet e shiut të ditëve të fundit kanë shkaktuar problematika në qarqe të ndryshme të vendit.
Si pasojë e reshjeve intensive, gjatë orëve të fundit ka pasur rritje të niveleve të lumenjve në disa qarqe të vendit, gjë që ka krijuar problematika serioze, kryesisht përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime rrugësh.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqe të tjera situata është nën monitorim ose pa rrezik.
Strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile janë angazhuar në terren për përballimin e emergjencës, evakuimin e banorëve, ku është e nevojshme dhe minimizimin e dëmeve.
Situata sipas qarqeve paraqitet si më poshtë:
Qarku Shkodër
Ka rritje të nivelit të ujit në fshatin Obot, me rreth 60 cm ujë mbi rrugën kryesore. Qarkullimi bëhet vetëm për mjete të tonazhit të lartë. Po ashtu ka rritje të sipërfaqeve të tokave bujqësore nën ujë. 15 banesa janë të rrethuara nga uji në Vaun e Dejës. Në disa fshatra të Malësisë së Madhe ka rrugë të bllokuara dhe prezencë uji. Ndërsa në bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh, prezencë e shtuar e ujit në rrugët auto-rurale, që kanë shkaktuar dëmtime.
Qarku Lezhë
Rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë. Është bërë evakuimi i dy familjeve, një në fshatin ishullin Shëngjin dhe një në fshatin Kakariq. Rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji, kryesisht në njësitë administrative Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll. Po ashtu ka rrëshqitje dherash në fshatrat Torovicë dhe Tresh. Po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Droje, në fshatin Dukagjin.
Qarku Vlorë
Niveli i lumit Vjosë në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra. Janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë. Nuk ka prezencë uji në banesa.
Qarku Durrës
Aktualisht situata është drejt përmirësimit, por po punohet për heqjen e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, veçanërisht në zonën e burgut, ish-Kënetës, Shkozet dhe Nish Tullë. Në terren ndodhen ekipe të vlerësimit të dëmeve që po vazhdojnë evidentimin dhe dokumentimin e rasteve. 250 persona janë të strehuar në Shtëpinë e Pushimit te Ushtrisë, Durrës dhe 55 persona janë strehuar në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tonës janë në kuotat maksimale. Disa rrugë të qytetit mbeten të bllokuara, për shkak të pranisë së lartë të ujit.
Bashkia Krujë: Si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Drojë ka vërshime uji në dy fshatrat Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në terren ndodhen ekipe të Bordit të Kullimit Durrës, për përballimin e situatës.
Bashkia Shijak: Ka prani uji në 15 banesa. Situata problematike paraqitet veçanërisht në njësitë administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj.
Qarku Gjirokastër
Si pasojë e reshjeve të dendura ka rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë–Gjirokastër, ku qarkullimi është i kufizuar. Po punohet për rikthimin e energjisë në disa zona malore. Nivele të larta të lumit Vjosë në Memaliaj dhe Përmet.
Qarku Kukës
Lumenjtë janë në kuota të larta, por pa problematika aktuale.
Qarku Tiranë
Ka rritje e niveleve të lumenjve në Rrogozhinë dhe Kavajë, por pa rrezik të menjëhershëm për zonat e banuara.
Qarku Korçë
Janë disa rrugë të pakalueshme në Devoll. Po ashtu janë evidentuar rrëshqitje dherash dhe bllokime rrugore në Pogradec dhe Përrenjas. Në Maliq ka sipërfaqe të tokave bujqësore nën ujë.
Qarku Berat
Rreth 95 hektarë toka bujqësore janë nën ujë. Është evidentuar rritje e nivelit të lumit Osum. Në lagjen 22 Tetori dhe Gorricë, janë marrë masa për sigurimin e bizneseve dhe punohet për largimin e ujit nga pedonalja me pompa thithëse.
Qarku Fier
Rreth 200 ha tokë bujqësore janë të përmbytura. Ka prezencë uji në 27 banesa në disa fshatra.
Ministri e Mbrojtjes njofton se në qarqet e tjera nuk paraqiten problematika serioze.
Në total Forcat e Armatosura kanë angazhuar rreth 150 efektivë; mbi 20 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe të tonazhit të rëndë; 10 gomone/motobarka shpëtimi; 15 pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe të vogël.
Forcat janë shpërndarë kryesisht në qarqet Shkodër, Lezhë, Vlorë, Durrës, Gjirokastër dhe Fier, në funksion të evakuimeve, përforcimit të argjinaturave dhe largimit të ujërave.
Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje të gjithë banorëve në zonat e prekura të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të Mbrojtjes Civile, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht në zona të përmbytura ose me rrëshqitje dherash.
Po ashtu qytetarët duhet të raportojnë menjëherë çdo situatë rreziku pranë strukturave përgjegjëse, si dhe të bashkëpunojnë në rastet e evakuimit për garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës.
Situata vijon të monitorohet në mënyrë të pandërprerë dhe strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë.
/m.m/a.f/
The post Reshjet intensive, situata më problematike në gjashtë qarqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.