Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Dezinformimi mbi instalacionin artistik te Muzeu Kombëtar

A është figura e instalacionit, që u vendos mbi mozaikun e Muzeut Kombëtar një transgjinor? Absolutisht, jo! Ky ishte një dizinformim dashakeq.

Nëse ende nuk e keni të qartë se përse kjo vepër artistike mbi portretin e gruas ishte pa flokë, Citizens ju shpjegon se bëhet fjalë për një akt sensibilizues në mbështetje të grave që luftojnë me kancerin.

Vepra quhet “Dielli i ditës tjetër” dhe është realizuar nga artistja Blerta Kambo, e cila e vendosi zyrtarisht atë mbi portretin e gruas qendrore të mozaikut më 12 nëntor.

Por, fatkeqësisht, vepra u keqinterpretua në opinionin publik duke u lidhur me një lloj përfaqësimi të komunitetit LGBT dhe për këtë Kambo u vu në qendër të komenteve denigruese. Por e vërteta është ndryshe.

“Është një instalacion artistik që ka një ndërhyrje të përkohshme te mozaiku dhe konkretisht te figura e gruas si një forcë, dhe doja që t’ia dedikoja grave që janë prekur nga kanceri i gjirit, për të thënë që edhe në momentin e tyre më të errët, ato janë shumë të forta,” tha Kambo për Citizens.

Sipas artistes Blerta Kambo dezinformimi që u përhap për veprën e saj ishte i qëllimshëm. Ajo thotë me keqardhje se kjo qasje ia dëmtoi kauzën. Por, sidoqoftë mesazhe solidariteti nga gra të ndryshme, duket se i dhanë mbështetjen e nevojshme për ta përballuar këtë situatë.

Titulli i projektit “Dielli i ditës tjetër” simbolizon shpresën për një të ardhme të afërt për gratë që kalojnë sprovën e vështirë me sëmundjen e rëndë të kancerit. Artistja shpjegoi për Citizens.al se keqkuptimi ka ndodhur për shkak të rrethanave dhe dashakeqësisë së disa individëve të angazhuar publikisht.

“[Ata] Kanë pasur nevojë për një argument për të bërë bujë në rrjet dhe kanë tjetërsuar [veprën], kanë trilluar dhe kanë shpifur një histori krejt të pavërtetë, që në fakt përdhos të gjithë këtë betejë, të grave të prekura nga kanceri në gji,” thekson Blerta.

Instalacioni, i cili ishte parashikuar të realizohej në tetor, që përkon me muajin rozë, vonoi të miratohej nga autoritetet dhe për këtë u shty gjatë këtij muaji.

Theksojmë dhe një herë se ky instalacion nuk e prek kurrsesi veprën origjinale dhe do të zhvendoset nga Muzeu Historik Kombëtarë me datë 21 nëntor.

Çështja po ndiqet ligjërish nga artistja pasi denigrimet dhe shpifjet që janë bërë kundrejt saj dhe veprës nuk dëmtojnë vetëm një artist, por gjithë ata që përpiqen në mënyrë të pavarur të ndërgjegjësojnë shoqërinë në përballimin e sfidave të mëdha.

Ky rast është gjithashtu një kambanë alarmi për sulmet ndaj çdo individi apo grupimi që është angazhuar së fundmi për zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend.

The post Dezinformimi mbi instalacionin artistik te Muzeu Kombëtar appeared first on Citizens.al.

“Zëra”, Episodi 7: Gazetari Osman Stafa rrëfen sistemin që s’trajton kancerin

Në episodin e shtatë të sezonit të katërt të podkastit “Zëra”, gazetarja Erisa Kryeziu bisedoi me Osman Stafën, gazetar i zëshëm veçanërisht për çështjet e shëndetësisë.

Ndërsa ky episod përkon me Tetorin Rozë, si muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit që shoqërohet me thirrje te vijueshme ndaj vajzave dhe grave për të bërë kontrolle mjekësore, me qëllim që të parandalojnë këtë sëmundje.

Osman Stafa, prej disa vitesh ka nisur një angazhim përtej atij profesional, duke u kthyer në një aktivist për më shumë shërbime mjekësore, jo vetëm për gratë që vuajnë nga kanceri, por në tërësi për sistemin shëndetësor shqiptar.

Në këtë muaj, përpos se të dëgjuarit historitë personale të secilës prej vajzave dhe grave që janë duke luftuar betejat e tyre është e rëndësishme të flasim për sistemin.

Mirëpo, sistemi dukshëm është një strukturë e cila po dështon të mbajë premtimin themelor: të kujdeset dhe mbrojë jetën.

Në këtë bisedë Osman Stafa ndau zanafillën e tij ndërsa nisi të raportojë për raste të qytetarëve që vuanin nga kanceri dhe sëmundjet tumorale, ndërsa përballeshin me një sistem që nuk i përgjigjet qytetarit.

“Kishte gra të ndryshme që nuk bënin dot trajtimet për mungesë pajisjesh dhe ilaçesh, dhe nga ana tjetër ti shikoje me një lloj arrogance të frikshme dhe ç’njerëzore shtetarët që bënin thirrje që diagnostikohuni”, u shpreh Stafa.

Një javë më parë, Stafa bashkë me të tjerë aktivistë organizuan një protestë para Ministrisë së Shëndetësisë duke e quajtur “Tetori i Zi”. Sipas tij ky cilësim u bë pasi në të vërtetë gjendja është tragjike.

Stafa është i mendimit se premtimi i qeverisë për shëndetësi falas është i paarritur, për aq kohë sa qytetarët paguajnë dy herë për këtë sistem.

Të reaguarit çdo ditë për problematikat e shëndetësisë, mungesa e infrastrukturës, barnave, poltronëve për pacientët dhe shërbimi jo dinjitoz i tyre, megjithëse shpesh krijon edhe një narrativë dezinformuese nga ana e institucioneve.

“Nuk ka punuar brakiterapia 12 vite në Shqipëri. Punoi gjashtë muaj, tani është prishur prapë,” tha Stafa teksa kujtoi një rast ku ministria u përpoq ta përgënjeshtronte në një situatë denoncuese.

Mes të tjerash gazetari shprehet se edhe kur i janë dashur informacione zyrtare nga drejtoritë spitalore, nuk ka arritur ta marrë atë edhe kur ka venë në lëvizje Komisionierin për të Drejtën e Informacionit.

Duke paraqitur institucione shëndetësore të mbyllura dhe jo transparente për publikun.

Denoncimet dhe raportimet e tij të përditshme janë pasqyruar edhe në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Raporti i cili nxori në pah një sistem publik në kolaps.

Me barna të skaduara, aparatura që nuk punojnë, mungesë shtretërish, raportesh dhe protokollesh klinike, krizë kjo e cila zgjat prej vitesh.

Ndër elementët më problematikë ishte fakti se thuajse gjysma e listës së barnave antitumorale të autorizuara për tregtim nuk ishin importuar kurrë teksa 600 gra u lanë pa trajtim prej problemeve me pajisjet.

Më gjithë këtë, pyetjes nëse e gjithë kjo punë gazetareske dhe angazhimi publik ia vlen përballë shurdhërisë së institucioneve ai shprehet: Po.

“Ia vlen sepse ndoshta tani nuk do të ketë reagim, por do të vijë një moment që do të plasë,” theksoi Stafa me urimin që njerëzit të ndërgjegjësohen.

Lexo gjithashtu:

The post “Zëra”, Episodi 7: Gazetari Osman Stafa rrëfen sistemin që s’trajton kancerin appeared first on Citizens.al.

Tetori Rozë “ngjyros” edhe kalanë e Beratit

TIRANË, 25 tetor /ATSH/ Fushata për sensibilizimin e shoqërisë për ndërgjegjësimin e popullatës për rrezikun që vjen nga kanceri i gjirit dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, vazhdon në të gjithë vendin, edhe në këto ditë të fundit të muajit.

Institucionet qendrore por edhe ato vendore i janë bashkuar Tetorit Rozë në mënyra të ndryshme me aktivitete, promocione, mesazhe e thirrje ndërgjegjësuese. E njëra prej tyre ka qenë pa dyshim edhe “ngjyrosja” e institucioneve me ngjyrën simbol të kësaj fushate, atë rozë.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga qyteti i Beratit, ku hyrja kryesore e kalasë së qytetit është ndriçuar mbrëmjen e kësaj të shtune me ngjyrën rozë.

Fushata sensibilizuese e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale është shtrirë jo vetëm në tetor, por gjatë gjithë vitit, përmes mamografive stacionare apo njësive lëvizëse në qytete të ndryshme të vendit.

Gjithashtu, nëpërmjet portalit “e-Albania” çdo grua apo vajzë vendos për orarin dhe vendin e kryerjes së mamografisë falas, duke e planifikuar më herët atë.

Tetori Rozë është muaji që ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontrollit të hershëm, edukimin për shëndetin e gjirit.

The post Tetori Rozë “ngjyros” edhe kalanë e Beratit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Teatri “Skampa” në Elbasan ndriçon rozë

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, Teatri “Skampa” në Elbasan, u ndriçua mbrëmjen e sotme me ngjyrën rozë, simbolin ndërkombëtar të kësaj fushate.

Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjete sociale pamje nga qyteti i Elbasanit teksa shkroi: “Teatri Skampa në Elbasan ndriçon rozë”.

Fushata e muajit tetor ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontrollit të hershëm, edukimin për shëndetin e gjirit, si dhe mbështetjen ndaj grave dhe vajzave që përballen me këtë sëmundje në mbarë botën.

Ky gjest simbolik është pjesë e një sërë aktivitetesh sensibilizuese që zhvillohen në të gjithë vendin, për të theksuar rëndësinë e parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit, si faktorë kyç për shpëtimin e jetës.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Teatri “Skampa” në Elbasan ndriçon rozë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzeu i Pavarësisë në Vlorë “vishet” rozë në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Muzeu i Pavarësisë në Vlorë është ndriçuar me dritë rozë, si një simbol i solidaritetit në luftën kundër kancerit të gjirit.

Kryeministri Edi Rama përcolli në rrjetet sociale pamje të këtij momenti, ndërsa shkroi: “Muzeu i Pavarësisë në Vlorë ndriçon rozë”.

Ky moment u shënjua edhe me praninë e disa grave dhe vajzave në qytetin e Vlorës, të cilat ndezën balona me flakë, ndërsa të pranishme ishin edhe disa balerina të grupit të fëmijëve.

Ndriçimi rozë i Muzeut të Pavarësisë në Vlorë është një thirrje për të gjitha gratë dhe vajzat që të kujdesen për shëndetin e tyre, duke kryer mamografitë falas, në njësitë stacionare, si dhe ato të lëvizshme në të gjithë vendin.

Tetori Rozë është muaji që ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontrollit të hershëm, edukimin për shëndetin e gjirit.

Kësaj nisme i janë bashkuar pak ditë më parë edhe bashkitë e Durrësit dhe Shkodrës, të cilat u ndriçuan rozë në simbol të solidaritetit për kancerin e gjirit.

/e.i/a.f/r.e/

The post Muzeu i Pavarësisë në Vlorë “vishet” rozë në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Tetori jo rozë, por i zi”, protestë për shërbimet e munguara ndaj grave me kancer

Xhemile Marku vendosi një fjongo rozë e gjysmë të zezë në xhaketën e saj, ndërsa iu bashkua sot një proteste të mbajtur para Ministrisë së Shëndetësisë për mungesën e shërbimit shëndetësor ndaj vajzave dhe grave që vuajnë nga kanceri.

Një muaj më parë, motra e saj humbi jetën nga kanceri në mitër, pas disa vitesh përpjekjeje për ta kuruar në spitalet publike.

Ajo shprehet e keqardhur që vuajtja e motrës së saj nuk ishte vetëm sëmundja, por edhe përballja me një sistem shëndetësor që nuk i ofron asgjë “falas” këtyre rasteve.

“Çdo gjë me lekë, vetëm leku funksiononte në atë spital [Onkologjiku]. Edhe për krevatin, gjënë më elementare, ne e paguanim me lekë. Edhe ilaçet do t’i blenim në privat. Ka harxhuar qimet e kokës”, u shpreh Xhemilja për Citizens.al.

Bashkë me të, para ministrisë ishin edhe dhjetra qytetarë e aktivistë, të cilët tetorin rozë e quajtën “Tetor i Zi”, për aq kohë që vajzat dhe gratë me kancer nuk marrin shërbimet e domosdoshme në spitalet publike.

Grupi i qytetarëve shpalosi një banderolë me mbishkrimin “Ministria e Vdekjes”, ndërsa pranë saj qëndronin fotot e Kryeministrit dhe ministrave që kanë drejtuar shëndetësinë ndër vite si dhe ministrja aktuale.

“Ju thonë grave dhe vajzave diagnostikohuni, ndërkohë në spitalin onkologjik nuk ka mamografi. Ka më shumë se 10 ditë që mamografia në spitalin Onkologjik nuk punon. U thonë grave e vajzave diagnostikohuni dhe nuk kanë ilaçe për kancerin e gjirit”, thirri Osman Stafa, gazetar e njëkohësisht aktivist i kauzës.

Sipas Stafës në spitalin Onkologjik, ku trajtohen qytetarët me kancer nuk ndiqen protokollet ndërkombëtare dhe mungojnë barnat e domosdoshme për të kuruar sëmundjen.

Për Migen Qiraxhin, aktivist i Qëndresës Qytetare mjafton që ky institucion të menaxhojë paratë publike dhe të mos i shfrytëzojë ato për shërbime luksi, me qëllim që të investohet më shumë në infrastrukturën shëndetësore.

“Bëjnë tender që të lajnë makinat e tyre çdo ditë dhe do mjaftonte një ditë të kursenin larjen e makinës që një pajisje më shumë të ndodhej në spitalin e vendit”, u shpreh Qiraxhi.

Ai solli në vëmendje edhe raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit që theksonte se 39 barna që luftojnë tumorin mungojnë në spitalin tonë.

Për aktivisten Sidorela Vatnikaj mungesa e ilaçeve, infrastrukturës dhe pajisjeve sjell mungesë shprese për të prekurit me kancer. Ajo u ndal te mënyra se si trajtohen të sëmurët nga rrethet, të cilëve pasi bëjnë një rrugë të gjatë për në Tiranë, përballen me shprehjen “nuk ka ilaçe”.

“Po çfarë duhet bëjë një i sëmurë me kancer? Duhet të luftojë për jetën e vet, apo duhet të luftojë me shtetin e vet, për të drejtën e tij”, u shpreh Vatnikaj.

Pedagogu Ermal Hasimja tha përmes megafonit se këtë sistem do të duhet ta provojnë edhe vetë përfaqësuesit politikë, të cilët në raste të ngjashme zgjedhin sistemin privat, ose trajtohen jashtë vendit.

“E di që është shumë e vështirë nga ana ligjore, por ndoshta s’do ishte e keqe që të kemi një ligj që ua detyron të gjithë pushtetarëve të lartë që t’i kurojnë të afërmit e tyre dhe veten në spitalet këtu”, deklaroi Hasimja.

Në krye të shëndetësisë është vendosur së fundmi mjekja Evis Sala. Në komunikimin e saj të parë publik, në emocion e sipër ajo u shpreh se “çdo gjë është e mundur nëse është e pamundur”.

Në këtë narrativë qëndroi edhe gazetari Renaldo Salianji, i cili kërkoi përmes megafonit se nëse ministrja do të bëjë diçka të mundur të pamundur të rregullojë pajisjen e mamografisë te Onkologjiku.

“A mundet që një njeri të shërohet nga kanceri? Po është e mundur. Kur shteti nuk çon ilaçe në spital e bën të pamundur shërimin e një pacienti me kancer. Kjo është ajo që ministrja duhet të bëjë të mundur, të çojë ilaçet. A mundet që kanceri të dallohet herët dhe gratë dhe vajzat me skaner të nisin mjekimin herët? Po është e mundur. Kur pajisja e mamografisë prishet në muajin e tetorit rozë kjo bëhet e pamundur zonja ministre”, u shpreh Salianji.

Ndërsa aktivistja Fioralba Duma u shpreh se nuk është e drejtë që një popull që ka përjetuar emigrimin për arsye nga më të ndryshmet, ta përjetojë sërish tanimë për të drejtën e shëndetit.

Trajtimi i kancerit në Shqipëri: Emergjencë e nënvlerësuar

Mungesa në barna, staf dhe pajisje të shërbimit onlkologjik janë në dukje në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Në këtë raport dëshmohet se shteti nuk garanton as minimumin e shërbimeve të nevojshme për pacientët “me sëmundje të këqija”.

KLSH e ka cilësuar këtë situatë “thyerje të kontratës shoqërore mes shtetit dhe qytetarëve të tij”, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe masa konkrete për të rikthyer dinjitetin e trajtimit.

Ndër problemet kryesore që konstaton raporti janë: mungesa e barnave dhe barnat e skaduara, protokollet e trajtimeve mjekësore të papërditësuara, sistemi teknik i degraduar, pajisje që nuk punojnë, apo që mungojnë, spitali pa kondicionim, dhomat me lagështirë, të papërshtatshme për trajtim dhe të pamjaftueshme për të mbuluar të gjitha kërkesat.

KLSH thotë se kjo gjendje “ka ndikuar potencialisht negativisht në cilësinë e trajtimeve të pacientëve” ndërsa “pajisjet teknike të sektorit nuk janë mirëmbajtur apo kalibruar që nga momenti i inventarizimit të tyre”.

Për 39 barna antitumorale nuk kishte kontrata me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në vitin 2024. Përveç këtyre, sipas raportit të KLSH-së, procedura aktuale për tregtimin e barnave antitumorale është e gjatë dhe joefikase.

“Procesi aktual krijon vakum rregullator dhe kufizon fleksibilitetin operativ të Agjencisë Kombetare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekesore, duke ndikuar negativisht në furnizimin në kohë të barnave në treg dhe duke rritur rrezikun për pacientët në nevojë emergjente për trajtim,” thekson raporti.

Po ashtu problematike është parë edhe dublikimi i recetave gjatë ditës, mungesa e shënimeve të plota dhe të sakta, shkarkimet e gabuara të barnave në pacientë të tjerë etj.

Lexo gjithashtu:

The post “Tetori jo rozë, por i zi”, protestë për shërbimet e munguara ndaj grave me kancer appeared first on Citizens.al.

Gratë e prekura nga kanceri i gjirit përballen me një betejë të dyfishtë

Vjeshta e vitit 2024 shënoi një kthesë të vështirë në jetën e Vera Loshit, një 56-vjeçare nga Ishull Lezha. Pas disa vizitave nisur nga shqetësimet fizike, diagnoza ishte e prerë: kancer gjiri. Ky ishte vetëm fillimi i një beteje të dyfishtë për Loshin; ajo me sëmundjen dhe me një sistem shëndetësor, që e detyron të […]

The post Gratë e prekura nga kanceri i gjirit përballen me një betejë të dyfishtë appeared first on Reporter.al.

Osmani në marshin për Tetorin Rozë: Përbashkimi shndërrohet në shpresë



Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në marshin e organizuar me rastin e Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Ajo u bashkua me gratë dhe burrat që kanë mbijetuar kancerin, me aktivistet, mjekët dhe infermierët që kujdesen çdo ditë për ta, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe përkrahjes në këtë betejë.

“Bashkë me gratë e burrat që kanë mbijetuar kancerin, me aktivistet, mjekët dhe infermierët që kujdesen çdo ditë për ta, u bëmë bashkë sot në marshin për Tetorin Rozë për të treguar se përbashkimi shndërrohet në shpresë,” tha Osmani.

Presidentja shtoi se Tetori Rozë është muaji kur kujtohet se çdo betejë e jetës mund të fitohet me dashuri, kujdes dhe qëndresë.

“Sot, sikur çdo vjet, jemi bashkuar për ta dërguar një mesazh të fuqishëm: le ta mbështesim çdo grua e burrë dhe të mos ndalemi kurrë derisa çdo betejë me kancerin të shndërrohet në histori suksesi,” u shpreh ajo.

Në Kosovë, sipas të dhënave nga Klinika e Onkologjisë në QKUK, gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti u regjistruan 330 raste të reja me kancer të gjirit - mes tyre edhe tre burra.

Kjo shifër, sipas drejtuesve të Onkologjisë, është afërsisht e njëjtë në dy-tre vjetët e fundit.

Klinika e Onkologjisë është e vetmja qendër në Kosovë, ku të prekurit me kancer marrin kimioterapi apo trajtime të tjera të nevojshme.

Numri i atyre që kontrollohen apo marrin shërbime aty, arrin deri në rreth 50.000 në vit./Telegrafi/

Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Gjirokastra ndriçon rozë

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, qyteti i Gjirokastrës, u ndriçua mbrëmjen e sotme me ngjyrën rozë, simbolin ndërkombëtar të kësaj fushate.

Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjete sociale pamje nga qyteti i gurtë, teksa shkroi: “Gjirokastra ndriçon rozë”.

Fushata e muajit tetor ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontrollit të hershëm, edukimin për shëndetin e gjirit, si dhe mbështetjen ndaj grave dhe vajzave që përballen me këtë sëmundje në mbarë botën.

Ky gjest simbolik është pjesë e një sërë aktivitetesh sensibilizuese që zhvillohen në të gjithë vendin, për të theksuar rëndësinë e parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit, si faktorë kyç për shpëtimin e jetës.

/gj.m/r.e/

The post Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Gjirokastra ndriçon rozë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tetori Rozë, Ministria e Drejtësisë i bashkohet thirrjeve për kontrolle

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Tetori Rozë është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, që synon rritjen e kujdesit dhe vëmendjes për diagnostikim të hershëm dhe trajtim në kohë të kësaj diagnoze.

Ministria e Drejtësisë i bashkua fushatës së ndërgjegjësimit në betejën kundër kancerit të gjirit. Përmes një videoje sensibilizuese, punonjëse të Ministrisë së Drejtësisë ndanë mesazhe me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për kontrolle të vazhdueshme për shëndetin.

“Të flasësh për shëndetin nuk është turp është domosdoshmëri dhe forcë!”, “Një kontroll i thjeshtë sot, do të thotë një jetë e shpëtuar nesër. Vlerësojeni jetën!”, janë disa nga mesazhet e tyre.

“Me mesazhin “Vrapo për jetën” bashkohemi që të rrisim ndërgjegjësim dhe të mbështesim gratë dhe vajzat në betejën kundër kancerit të gjirit! “Mos e shty kontrollin, jeta është e çmuar! “Një eko gjiri sot shpëton jetë nesër! Çdo mesazh ka rëndësi, çdo kontroll mund të shpëtojë një jetë”, ishin disa nga mesazhet e ndara nga punonjëset e Ministrisë së Drejtësisë.

Tetori rozë është muaji që shërben për të informuar dhe sensibilizuar publikun mbi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe parandalimit të sëmundjes, që vazhdon të jetë një nga shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë në botë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e ka shtrirë fushatën e saj sensibilizuese jo vetëm në tetor, por gjatë gjithë vitit, përmes mamografive stacionare apo njësive lëvizëse në qytete të ndryshme të vendit.

Gjithashtu, MSHMS ka mundësuar që nëpërmjet portalit “e-Albania” çdo grua apo vajzë të vendos për orarin dhe vendin e kryerjes së mamografisë duke planifikuar më herët atë.

/m.q/j.p/

The post Tetori Rozë, Ministria e Drejtësisë i bashkohet thirrjeve për kontrolle appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

U regjistruan 805 raste të reja me kancer gjiri në 2024, onkologjiku apelon për kontroll të hershëm

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Tetori Rozë është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, që synon rritjen e kujdesit dhe vëmendjes për diagnostikim të hershëm dhe trajtim në kohë të kësaj diagnoze.

Roli i medias, personazhet e njohur, apo fushatat e ndërgjegjësimit nga institucionet zyrtare, janë vetëm njëra anë e medaljes. Të parët që e bëjnë këtë thirrje, për ekzaminim të hershëm dhe kapjen në kohë të diagnozës, janë vetë mjekët.

Prof. asc. Helidon Nina, shef i Onkologjikut pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shprehet për ATSH-në se për vitin 2024 u regjistruan 805 raste të reja me kancer gjiri, ndërsa 15 raste ishin meshkuj.

Sipas Ninës, incidenca e vitit të kaluar është një tregues që nuk ka mbizotërim të moshave të reja që preken nga kanceri i gjirit, pra nuk ka një trend rritës te moshat e reja.

“Grup-mosha më e prekur është në fashën 50-70 vjeç dhe për këtë qëllim mamografia rekomandohet sidomos për këtë grup-moshë. Si faktorë risku kemi ato që nuk varen nga individi, që janë të pamodifikueshme, si qenia femër, trashëgimia, testet gjenetike pozitive, një menopauzë e hershme apo e vonshme, rrezatimet për arsye të tjera që janë bërë në mosha të reja, limfoma janë këto disa nga faktorët që ne nuk kemi mundësi t’i modifikojmë”, tha Nina.

“Ato faktorë që varen nga individi janë ulja e nivelit të obezitetit, aktiviteti fizik i këshillueshëm një orë e gjysmë në javë, mosmarrja e terapive hormonale apo kontraceptivëve për sistemin riprodhues për periudha të gjata kohore, lindja para moshës 30 vjeç, gjidhënia etj.”, pohoi ai.

Nina u ndal edhe te trendi i diagnostikimeve vitet e fundit dhe mënyra si kanë ndryshuar këto metoda ndër vite edhe në QSUNT.

Sipas tij, shtylla e trajtimit të një kanceri gjiri mbetet kirurgjia, kimioterapia, radioterapia, hormonoterapia e tjerë.

“Në të gjitha këto elementë për të luftuar këtë sëmundje, gjithmonë ka evolucione. Edhe në QSUNT kemi terapi edhe imunoterapi, si edhe kimioterapi të reja që gjejnë zbatim edhe te ne. Sa i takon radioterapisë, evolucion është fakti që kemi kaluar nga kobalti, tek askeleratori linear. Mjetet diagnostike për imazherinë kanë pësuar transformime pasi është kaluar nga mamografia standarde në mamografinë me tomosintezë 3D, nga eko standarde në eko elastrografike, rezonanca magnetike etj.”, pohoi Nina.

Ai tha se ka disa teknika që përdoren edhe pasi bëhet heqja e gjirit dhe vendosja e protezës nën muskulin e mbuluar me meshë apo mbi muskulin e mbuluar me meshë.

“Aktualisht vendoset proteza nën lëkurë pa përdorur meshë fare. E përmend meshën, pasi është një element mjekësor i kushtueshëm”, tha Nina, ndërsa theksoi se përveç mjekimeve që ofrohen nga Fondi i Barnave, po synohet nga MSHMS që protezimi i gjirit pas kirurgjisë të jetë tërësisht i rimbursuar nga shteti.

Prof. asc. Nina vuri theksin edhe te diagnostikimi i hershëm, pasi nëse pacienti nuk ka metastaza, edhe mundësitë e trajtimit dhe menaxhimi i diagnozës është shumë më i kollajtë, se kur mbërrihet në një stad të avancuar të sëmundjes.

“Shteti dhe MSHMS e ofron falas mamografinë jo vetëm gjatë Tetorit Rozë, por edhe gjatë vitit në spitale, maternitete, në stacionet e lëvizshme. Në QSUNT mamografitë zhvillohen gjatë gjithë ditës deri në orën 18:00 të pasdites. Vitin e kaluar, me urdhër ministri u kërkua që mamografia e lëvizshme të bëhet edhe në rrethe të caktuara të vendit gjatë gjithë vitit, për të ndihmuar ato zona që nuk kanë akses për shkak të largësisë. Janë dy mamografi të lëvizshme dhe kalendarin e kryerjes së mamografive çdo javë dhe muaj e ka ISHP-ja”, tha Nina.

Sipas tij, disa nga shenjat e para që duhet të trajtohen si shqetësuese nga gratë janë një masë në gji, tërheqje e lëkurës, një sekrecion me ngjyrë të kuqe ose të zezë nga thithi, gjëndra në sqetull, një edemë e lëkurës, një skuqje që ngatërrohet me mastitin etj.

“Vetekzaminimi nuk është vendimtar në çështjen e kancerit të gjirit, por ka peshën e vetë të rëndësisë”, pohoi Nina.

Shefi i Onkologjikut, e mbyll intervistën e tij për ATSH-në me një mesazh drejtuar të gjitha grave dhe vajzave, që të mos presin tetorin për të bërë mamografi dhe eko gjiri, por të shfrytëzojnë çdo periudhë të vitit.

“Lufta bëhet gjatë gjithë vitit dhe media ka rol në këtë pjesë. Vizita te mjeku specialist, informacionet që vijnë edhe nga gratë e mbijetuara nga kjo patologji janë gjithashtu të vlefshme. Çdo vit shohim individë që bëjnë ekzaminime pa pasur asnjë shenjë apo problematikë. Prandaj duhet të kemi një qasje sa më të gjerë përballë kësaj patologjie”, përfundoi prof. asc. Helidon Nina.

/e.i//r.e/a.f/

The post U regjistruan 805 raste të reja me kancer gjiri në 2024, onkologjiku apelon për kontroll të hershëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tetori Rozë pa Mamografi! Aparati te Onkologjiku në QSUT jashtë funksionit, gratë lihen në pritje

Ndërsa jemi në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, situata në vend tregon një realitet krejt tjetër: në Spitalin Onkologjik të QSUT-së, aparati i mamografisë është jashtë funksionit prej ditësh, duke detyruar qindra gra që paraqiten për kontrolle të kthehen pa kryer ekzaminimin jetik.

Gratë që shkojnë në Onkologjik me shpresën për të bërë një kontroll të plotë, udhëzohen të kryejnë vetëm një eko të gjirit. Por ndryshe nga mamografia, e cila është metoda standarde për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, ekzaminimi me ultratinguj nuk është i mjaftueshëm për të identifikuar të gjitha rastet me rrezik. Mjekët vetë e kanë theksuar vazhdimisht se mamografia mbetet një armë kyçe në luftën për diagnostikimin e hershëm, një hap që shpëton jetë.

Ende nuk ka një njoftim zyrtar se kur pritet të riparohet pajisja. Në një kohë kur fushatat sensibilizuese janë kudo, dhe Ministria e Shëndetësisë shpërndan spote dhe deklarata për rëndësinë e kontrolleve, në spitalin referencë për trajtimin e kancerit nuk mund të kryhet një nga ekzaminimet bazë.

Ajo që e bën këtë situatë edhe më të pafalshme është pikërisht fakti se ndodh në Tetorin Rozë, muaji që në mbarë botën i kushtohet ndërgjegjësimit, parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit. Në vend që shërbimet të përforcohen, aparatura kyçe në QSUT lihet të dalë jashtë pune, pa një plan emergjent për zëvendësim apo riparim të shpejtë.

The post Tetori Rozë pa Mamografi! Aparati te Onkologjiku në QSUT jashtë funksionit, gratë lihen në pritje appeared first on iconstyle.al.

Fitoi betejën me tumorin në gji, Çali për ATSH: Kontrolli i hershëm të shpëton jetën

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Tetori rozë është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të rritur vëmendjen në zbulimin e hershëm dhe trajtimin në kohë të kësaj diagnoze.

Përpara tri vitesh, jeta e Uljanova Çalit ishte normale, mes ritmit të punës dhe përditshmërisë në dyqanin e saj, angazhimeve në familje, djalit dhe bashkëshortit.

Por, mjaftoi një vetëkontroll i gjirit për të zbuluar një masë të ngurtë dhe ndryshim të strukturës së gjoksit, që nuk e kishte hasur më parë. Instinkti i brendshëm ishte shtysa e parë që Uljanova të mos e neglizhonte një konsultë me mjekun onkolog.

Ajo thotë për ATSH-në, se konfirmimi i diagnozës erdhi pas këtyre shqetësimeve të vogla që kuptoi në një pjesë të gjoksit të saj.

“Kur dëgjova fjalën kancer, koha u ndal! Ishte një tronditje që nuk di ta shpjegoj. Sëmundjet e këqija nuk japin simptoma të rënda, por shenja. Pata një ndryshim në strukturën e gjirit, një forcim që nuk më kishte ndodhur më parë. Diagnoza u konfirmua, kisha një gjëndër tumorale në gjoks”, tha Çali.

52-vjeçara u shpreh se dhimbja më e madhe për të, ishte konfirmimi i diagnozës së kancerit të gjirit plot tri vite më parë, gjë të cilën e cilëson si një ndjesi shumë të rëndë.

“Kontaktet e para i vendosa me mjekun onkolog Nurian Ohri. Unë hoqa masën tumorale, por mjeku vlerësoi gjendjen time shëndetësore dhe stadin e sëmundjes që nuk kishte nevojë për kimioterapi shtesë apo rreze”, tha ajo.

“Ka pasur momente shumë të errëta, por e mbajta veten, për jetën time, për familjen time, këto ishin forca që më ringritën”, vijoi Çali.

Uljanova u shpreh se nuk e konsideron veten plotësisht të shëruar, pasi sipas protokolleve mjekësore për pacientët që janë prekur një herë nga kanceri i gjirit, çdo gjashtë muaj ajo duhet t’i nënshtrohet kontrolleve.

“E kuruar tërësisht nuk jam sepse si rregull, pasi bëhet operacioni si në rastin tim ku unë hoqa masën tumorale, çdo gjashtë muaj për pesë vjet rresht duhet të jem nën kontrollin e mjekëve”, tha Çali.

Duke marrë shkas edhe nga muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Uljanova ka një thirrje për të gjitha gratë dhe vajzat që të bëjnë kontrolle të shpeshta për ta kapur në kohë diagnozën.

“Frika nuk e ndal diagnozën, por kontrolli i hershëm mund ta ndalë përhapjen! Kujdesi për veten është dashuri”, pohoi ajo.

Uljanova  u shpreh se jeta e saj ka ndryshuar katërcipërisht, pas diagnozës së kancerit të gjirit, gjë që i ka ndryshuar edhe vlerësimin për gjërat në jetë.

“Më ka dhënë të kuptojë që nuk duhet t’i japë rëndësi gjërave të vogla që nuk kanë vlerë, nuk duhet të humb kohë me njerëz që më lodhin, dua të takoj individë me energji pozitive, që më mbushin jetën sepse mua më ka kaluar jeta përpara syve”, tha Çali.

Në fund, Uljanova ka një mesazh për të gjitha gratë dhe vajzat, që jo vetëm gjatë tetorit, por në çdo periudhë të vitit, t’i drejtohen mjekut në dyshimin më të vogël që mund të shohin në lidhje me gjoksin e tyre.

“Diagnostikimi i hershëm, shpëton jetë”, përfundoi Çali.

/e.i/a.f/

The post Fitoi betejën me tumorin në gji, Çali për ATSH: Kontrolli i hershëm të shpëton jetën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tetori rozë, policia mesazhe ndërgjegjësuese për kontrolle

”Forca e vërtetë nuk qëndron vetëm në uniformë, por në dashurinë për jetën dhe kujdesin për njëri-tjetrin”, me këtë mesazh sensibilizues, Policia e Shtetit iu bashkua sot muajit tetor, i njohur si Tetor Rozë, muaj i ndërgjegjësimit për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, u bëri thirrje vajzave dhe grave të kryejnë kontrolle mjekësore të…

Source

Programi Kombëtar i Depistimit të kancerit të gjirit, 779 mamografi falas në javën e parë

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Në javën e parë të Programit Kombëtar të Depistimit të kancerit të gjirit, janë kryer 779 mamografi falas.

Kryeministri Edi Rama bëri me dije lajmin, ndërsa ndau pamje nga vizita e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, Evis Sala në një nga njësitë e lëvizshme vendosur në sheshin “Nënë Tereza”,  në kuadër të Tetorit Rozë dhe muajit të ndërgjegjësimit për shëndetin e grave.

Janë 16 mamografi stacionare e 2 njësi të lëvizshme që ofrojnë shërbimin falas në gjithë vendin. Kryeministri ndau thirrjen për gratë dhe vajzat të kujdesen dhe të bëjnë mamografi falas për depistim të hershëm.

Në të gjithë vendin vijon zbatimi i Programit Kombëtar për Depistimin e Kancerit të Gjirit, duke ofruar mamografi falas për gratë e moshës 40-50 vjeç dhe ato mbi 50 vjeç, të targetuara si grup risku.

Nga ana e saj, ministrja Sala ndoqi nga afër procesin e kryerjes së mamografisë dhe sensibilizimin e grave dhe vajzave mbi kryerjen e kontrollove, si dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit, për të rritur shanset për trajtim të suksesshëm dhe për të ulur vdekshmërinë nga kjo sëmundje.

Shërbimi i kryerjes së mamografisë ofrohet falas gjatë gjithë vitit në 16 poliklinika dhe spitalet në të gjithë vendin, si dhe në 2 njësitë e lëvizshme të mamografisë.

Përgjatë muajit tetor fashat janë të hapura në çdo spital dhe poliklinikë ku çdo grua mund të kryejë mamografinë në çdo kohë pa sistem referimi vetëm me anë të një mjeti identifikimi.

Aktualisht janë 16 aparatura të mamografisë stacionare që janë të shpërndara përkatësisht në spitalet në Tiranë, Dibër, Durrës, Elbasan, Berat, Korçë, Lezhë, Kukës, Vlorë Gjirokastër, Fier, Lushnje, Shkodër, si dhe 2 njësi të mamografive lëvizëse, të cilat janë në shërbim jo vetëm në tetor, por çdo ditë të vitit.

Mamografitë lëvizëse mundësojnë ofrimin e shërbimit për gratë e përfshira në Programin Kombëtar të Depistimit të Kancerit të gjirit sa më afër vendbanimit për zona të largëta urbane dhe rurale. Ky shërbim sigurohet nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor duke ofruar ekzaminime depistuese në të gjithë vendin bazuar në një kalendar kryesisht pranë zonave ku nuk ka mamografi fikse.

Në këtë proces janë të angazhuar në total 66 individë si personel mjekësor, të cilët janë çdo ditë në gatishmëri të plotë për të asistuar kryerjen mamografisë dhe kontrollit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof.Evis Sala në një prej njësive të mamogra...
1 nga 15

/e.i/j.p/

The post Programi Kombëtar i Depistimit të kancerit të gjirit, 779 mamografi falas në javën e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tetori Rozë/ Rama mesazh ndërgjegjësimi grave dhe vajzave: Kryeni mamografinë falas

✇Albeu
By: V K

Këtë të mërkurë, kryeministri Edi Rama, ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale një mesazh ndërgjegjësues në kuadër të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për shëndetin e grave dhe luftën kundër kan*erit të gj*rit.

“MIRËMËNGJES dhe në këtë Tetor Rozë, muaji i ndërgjegjësimit për shëndetin e grave, ku deri tani janë kryer 779 mamografi vetëm në javën e parë të Programit Kombëtar të Depistimit të Kancerit të Gjirit, në 16 mamografi stacionare dhe 2 njësi të lëvizshme që ofrojnë shërbimin falas në gjithë vendin, e me thirrjen e vazhdueshme për të bërë mamografinë falas, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Fushata sensibilizuese vijon në të gjithë Shqipërinë, me qëllim zbulimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të gjirit, sëmundjes që prek mijëra gra çdo vit.

 

The post Tetori Rozë/ Rama mesazh ndërgjegjësimi grave dhe vajzave: Kryeni mamografinë falas appeared first on Albeu.com.

Tetori Rozë, Jaho: Mos e shtyni kontrollin, zbulimi i hershëm shpëton jetë

TIRANË, 4 tetor /ATSH/ Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja përcolli sot në rrjetet sociale, mesazhin e artistes Ermonela Jaho, e përzgjedhur si ambasadorja e kauzës së fjongos rozë.

Ministri Gonxhja e cilësoi këtë si “një mesazh të ndjerë që me zërin dhe shpirtin e Ermonela Jahos na kujton se shpresa dhe dashuria janë forca më e madhe”.

“Mos e shty kontrollin. Kujdesu për veten, sepse jeta është dhurata më e çmuar. Duke ndarë këtë moment, ne bashkohemi në solidaritet, në forcë dhe në shpresë”, tha Gonxhja.

Nga ana e saj, artistja Jaho u shpreh se “çdo vit qindra gra dhe vajza në Shqipëri përballen me kancerin e gjirit”.

“Nuk është vetëm një sëmundje, por një betejë e përditshme për forcë, shpresë dhe jetë”, pohoi ajo.

Artistja me famë ndërkombëtare iu drejtua të gjitha grave dhe vajzave në Shqipëri me një mesazh të thjeshtë.

“Mos e shty kontrollin! Zbulimi i hershëm shpëton jetë. Kujdesi për veten është një akt dashurie për veten tënde, për familjen, për të ardhmen tënde”, tha Jaho.

“Së bashku jemi më të forta, së bashku japim shpresë”, përfundoi artistja.

Ky muaj shërben për të informuar dhe sensibilizuar publikun mbi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe parandalimit të sëmundjes, që vazhdon të jetë një nga shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë në botë.

/e.i//a.f/

The post Tetori Rozë, Jaho: Mos e shtyni kontrollin, zbulimi i hershëm shpëton jetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Toçi: Mamografi falas për kancerin e gjirit, 25 mijë gra depistohen çdo vit

TIRANË, 1 tetor /ATSH/ Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin tek gratë, për zbulimin e hershëm dhe trajtimin në kohë të kësaj sëmundjeje.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Dorina Toçi në një konferencë për mediet, u shpreh ditën e sotme se “kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë që diagnostikohet në mbarë botën si edhe në Shqipëri dhe sa i përket vdekshmërisë, është një nga faktorët kryesorë te gratë”.

“MSHMS me sloganin “çdo ditë vlen për jetën tënde”, ka për qëllim që të rrisë ndërgjegjësimin gjatë fushatës, por edhe edukimin e grave dhe vajzave për të kryer kontrollet periodike, apo depistimin nëpërmjet mamografive të lëvizshme apo stacionare”, tha ajo.

“Mamografia është një shërbim që ofrohet falas për të gjitha gratë. Ato mund ta marrin këtë shërbim në spitalet rajonale në të gjithë vendin, në poliklinikat pranë lagjeve, në Poliklinikën Qendrore në Tiranë, në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe në QSUNT”, vijoi Toçi.

Drejtoresha e ISHP-së, u shpreh se jo vetëm gjatë tetorit, por edhe gjatë gjithë vitit duhet të rritet ndërgjegjësimi i grave dhe i vajzave për të kuptuar rëndësinë që ka diagnoza e hershme e kancerit të gjirit.

Toçi u ndal edhe te shifrat e kancerit të gjirit në vendin tonë dhe incidencën për këtë sëmundje gjatë vitit 2024.

“Për vitin 2024, bazuar në regjistrin kombëtar të kancerit janë diagnostikuar 805 raste të reja me kancer të gjirit. Është një incidencë që gjatë dhjetëvjeçarit të fundit ka ardhur në rritje me 2.1% çdo vit. Nuk kemi rritje të rasteve me kancer të gjirit te moshat e reja, madje kemi një ulje të lehtë të incidencës tek moshat nën 50 vjeç”, tha Toçi.

Toçi u shpreh se “vërehet një rënie e lehtë e rasteve nga viti 2015 deri në 2024-ën, ndërsa shtrimet spitalore janë dyfishuar në 10-vjeçarin e fundit”.

Drejtuesja e ISHP-së e vlerësoi këtë fakt si një qasje më të lehtë të grave dhe vajzave me sistemin shëndetësor në vendin dhe zgjerim të ofrimit të shërbimeve.

“Në vitin 2024 kanë ndërruar jetë nga kanceri i gjirit 224 gra. Nëpërmjet depistimit me mamografitë lëvizëse në të gjithë vendin kryhen në vit rreth pesë mijë mamografi lëvizëse, ndërsa në total kryhen rreth 25 mijë depistime me mamografi”, theksoi Toçi.

Ajo shtoi se “kanceri i gjirit prek edhe meshkujt dhe janë vetëm 10 raste te burrat e moshës mbi 50 vjeç”.

“Depistimi ka për qëllim kapjen e një situate të dyshuar. Çdo vit nga depistimi me mamografi lëvizëse referohen si raste të dyshuara mbi 10 gra. Ndërsa, nga 25 mijë mamografi që kryhen në total në vit, mesatarisht kanë rezultuar me kancer të gjirit rreth 50 gra”, përfundoi Toçi.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Dorina Toçi, foto: Andrin Hoxha
1 nga 5

/e.i/j.p/

The post Toçi: Mamografi falas për kancerin e gjirit, 25 mijë gra depistohen çdo vit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tetori rozë/ Ndërgjegjësim për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit

 “Çdo vit nga data 1-31 tetor nis fushata e ndërgjegjësimit për luftën ndaj kancerit të gjirit, e cila njihet si “Tetori Rozë”. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në 2024 janë diagnostikuar me kancer gjiri 805 raste te reja në të gjithë vendin”.

Në 10-vjeçarin e fundit, specialistët e shëndetit thonë se rastet me kancer gjiri kanë ardhur në rritje.

 “Në 2024 në regjistrim e kancerit kemi 805 raste të reja me kancer. Në 10 vitet e fundit numri ka ardhur në rritje çdo vit me shifrën 2.1% sa i takon rasteve te burrat janë të diagnostikuar 10 raste, të moshës mbi 50 vjeç”, tha drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Dorina Toçi.

Përveç faktorit gjenetik, faktorë të jashtëm që ndikojnë në shkaktimin e këtij problem shëndetësor mjekët përmendin stilin e jetesës.

“Faktorët e stilit të jetesës, shtuarja e nënave për të lindur fëmijën e parë, përdorimi i alkoolit tek ata, apo mos të harrojmë faktorin tjetër që është rritja e jetëgjatësisë tek shqiptarët. Padyshim që kur të arrij mosha 65 vjeçare, është më rriskues për tu prekur nga një kancer gjiri”, u shpreh Onkologia Klejda Mati.

Pavarësisht se rastet vijnë në rritje, numri i jetëve të humbura në dekadën e fundit ka pësuar rënie.

“Kemi rënie të numrit të vdekjeve në vitet e fundit, gjatë 2024, humbën jetën 224 gra”, tha Toçi.

Të gjitha vajzat dhe gratë gjatë muajit tetor përfitojnë falas mamografinë, për tu bërë pjesë e saj, nuk kërkohet rekomandim nga mjeku, dhe mund ta marrin pranë Qendrave Shëndetësore, por jo vetëm. Kjo thirrje, shkon më shumë për grupmoshën mbi 40 vjeç, për të kapur në kohë sëmundjen e rëndë.

Grupmosha më e prirur për tu prekur nga kanceri i gjirit është ajo 50-70 vjeç. Dhe mamografia falas pranë poliklinikave, te spitalet rajonale, apo në maternitetin Geraldinë”, edhe në QSUT”, u shpreh Dorina Toçi.

Për ta përqafuar sa më shumë depistimin në kohë të hershme Ministria e Shëndetësisë mbi moton “Çdo ditë vlen për jetën tënde” ofron njësi lëvizëse të mamografisë për t’ju ardhur në ndihmë edhe vajzave e grave që jetojnë në zona të thella rurale. Thirrjes për depistim të hershëm, iu bashkua edhe ministria virtual “Diella”, e veshur me rozë si simbol i solidaritetit për këtë sëmundje.

Tetori Rozë! Një muaj për të kujtuar, ndërgjegjësuar dhe mbështetur

Çdo vit, muaji tetor njihet në mbarë botën si Muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, apo siç është bërë tashmë simbolikisht i njohur “Pink October”. Është një periudhë e veçantë kur ngjyra rozë bëhet simbol i shpresës, forcës dhe solidaritetit me miliona gra që përballen me këtë sëmundje.

Fushatat ndërgjegjësuese gjatë këtij muaji synojnë të përçojnë një mesazh të fuqishëm: zbulimi i hershëm shpëton jetë. Kjo periudhë shfrytëzohet për të edukuar publikun, për të inkurajuar kontrollet mjekësore dhe për të mbështetur ata që janë në betejë me këtë diagnozë.

Fakte që kërkojnë vëmendje

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri i gjirit është forma më e zakonshme e kancerit tek gratë dhe një nga shkaqet kryesore të humbjes së jetës. Në nivel global, mbi 2.3 milionë raste të reja diagnostikohen çdo vit. Vetëm në Evropë, në vitin 2020, janë raportuar mbi 570 mijë raste të reja dhe mbi 150 mijë vdekje.

Në vendet me burime më të pakta, normat e mbijetesës janë më të ulëta, jo për shkak të mungesës së trajtimeve, por për shkak të zbulimit të vonuar, mungesës së informimit dhe aksesit të kufizuar në kujdesin shëndetësor.

Shenjat që nuk duhet t’i injoroni

Zbulimi në kohë është shpesh dallimi mes jetës dhe humbjes së saj. Ja disa prej simptomave që duhen vlerësuar menjëherë nga mjeku:

  • Një masë e re ose fryrje në gjoks apo në sqetull
  • Ndryshime në formë apo përbërjen e gjirit
  • Rrudha, skuqje ose lëkurë me pamje të çuditshme (si “lëkura e portokallit”)
  • Ndryshime në thithkë: tërheqje brenda ose rrjedhje e pazakontë
  • Dhimbje që vazhdon pa arsye të dukshme

Jo çdo simptomë është kancer, por çdo ndryshim meriton vlerësim mjekësor.

Falë përparimeve të teknologjisë, inteligjenca artificiale (IA) po shfrytëzohet gjithnjë e më shumë në diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Ajo ndihmon në analizimin e imazheve mjekësore me saktësi të lartë, duke përmirësuar efikasitetin dhe reduktuar mundësinë për gabime.

Studimet më të fundit tregojnë se përdorimi i IA mund të rrisë ndjeshëm shanset për një diagnozë të saktë në fazat e para, duke ndihmuar mjekët në vendimmarrje më të shpejta dhe më të sigurta.

Gjatë Tetorit Rozë, bëjmë thirrje për:

  • Vetëkontroll të rregullt dhe mamografi periodike
  • Përhapje të informacionit, edukimi është arma më e fortë
  • Mbështetje emocionale dhe sociale për gratë që po luftojnë
  • Dhurime për kërkime dhe trajtime që sjellin shpresë

Sepse nuk mjafton të jesh i vetëdijshëm, duhet të jesh aktiv.

Bëhu pjesë e ndryshimit. Vish rozën. Fol. Vepro.

The post Tetori Rozë! Një muaj për të kujtuar, ndërgjegjësuar dhe mbështetur appeared first on iconstyle.al.

❌