Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Mariah Carey vendos rekord historik në Billboard me hitin e Krishtlindjeve

Mariah Carey ka hyrë sërish në histori të muzikës botërore. Kënga e saj ikonike “All I Want for Christmas Is You” ka çuar artisten amerikane në një rekord të paprecedentë: 100 javë në vendin e parë të Billboard Hot 100, duke e bërë Carey artisten e parë që arrin këtë shifër që nga themelimi i renditjes 67 vite më parë.

Sipas Billboard, deri më 22 dhjetor 2025, hiti i Krishtlindjeve mban javën e 21-të në total në krye të Hot 100, duke zgjeruar më tej rekordin si kënga me qëndrimin më të gjatë në vendin e parë nga një artiste femër. Pas Carey-t renditen Rihanna me 60 javë, The Beatles me 59 dhe Drake me 56 javë në krye të klasifikimit.

“All I Want for Christmas Is You”, e publikuar fillimisht në vitin 1994, është rikthyer në vendin e parë për sezonin e shtatë radhazi të festave, duke u shndërruar në simbol global të Krishtlindjeve. Vetëm kjo këngë përbën 21 nga 100 javët e Carey-t në vendin e parë, nga 19 këngë që ajo ka pasur në krye të Billboard Hot 100 gjatë karrierës së saj, shkruan KultPlus.

Gjatë javës së fundit të matjes, kënga regjistroi 43.6 milionë dëgjime në SHBA, 28 milionë dëgjues në radio dhe mijëra shkarkime digjitale. Paralelisht, Shoqata Amerikane e Industrisë së Regjistrimeve (RIAA) e certifikoi këngën me 18x Platinum, duke e bërë singlin më të certifikuar ndonjëherë nga një artiste femër në SHBA.

Me këtë arritje, Mariah Carey forcon edhe më tej statusin e saj si një nga figurat më të mëdha të historisë së muzikës pop dhe si “Mbretëresha e Krishtlindjeve”, një titull që duket se vazhdon të justifikohet çdo vit.

Superkupa e Shqipërisë/ Egnatia – Dinamo City, sfida që mbyll vitin 2025 luhet të dielën në “Air Albania”

E diela e fundit e vitit, 28 dhjetori, vjen me një takim special për futbollin shqiptar, ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë. Përballja Egnatia – Dinamo City nuk është thjesht një sfidë futbolli, por një spektakël 90-minutësh që meriton të përjetohet nga afër, në shkallët e stadiumit më modern dhe më të bukur në vend, “Air Albania”.

Një sfidë që shkon përtej një trofeu. Në fushë do të zbresin dy nga skuadrat më të mira të sezonit aktual dhe të atij që lamë pas, të vendosura për të mbyllur vitin me një sukses madhor dhe për të fituar trofeun e fundit të vitit futbollistik.

Për tifozët e futbollit është thjesht një ndeshje, për tifozët e Egnatias dhe Dinamo City është emocioni i radhës, ndërsa për vetë skuadrat është një dhuratë e vërtetë fundviti. Dhe kush nuk do të donte ta përmbyllte vitin me një trofe në duar?

Ndeshja Egnatia – Dinamo City do të luhet të dielën në ora 19:00 në “Air Albania”.

Personazhet e vitit/ Shoqata “Mallakastra” vlerëson njerëzit e shquar të krahinës

Ministri i Mjedisit Sovjan Jaupaj, ish-ushtaraku, Avni Skënderaj dhe skulptori Shkëlqim Meçaj janë ndëruar me titullin “Personazhi i vitit 2025” nga Shoqata Kulturore Patriotike e Mallakastrës.

Ndërsa  ish-zëvëndës Prefektja e Qarkut të Fierit, Mbarime Isufaj u nderua me titullin “Krenaria e Mallakastrës”.

Çmimet u ndanë të mërkurën në sallën e Akademisë së Shkencave në Tiranë, ku u mbajt ceremonia e Shoqatës Kulturore Patriotike të Mallakastrës, me pjesëmarrjen e shumë figurave të shquar të fushave të ndryshme si të politikës, kultures, etj.

Ceremonia u mbyll me një drekë tradicionale dhe shfaqje muzikore nga Grupi Polifonik i Mallakastrës./abcnews.al

 

SEPA, miliona euro kursime/ Bizneset dhe qytetarët, kosto më të lira për transferta parash në vendet e BE

Ekonomia shqiptare do të përfitojë 71.3 milion euro nga anëtarësimi në sistemin Europian të pagesave. Ata që përfitojnë direkt janë qytetarët  dhe bizneset që realizojnë pagesa apo kryejnë trasaksione  në vende të ndryshme të Europës.

Këto të dhëna janë  nxjerë pas një studimi të realizuar nga ekspertë të German Economic Team, GET (ent konsulence i financuar nga Ministria Gjermane për Ekonominë dhe Energjinë).

Ndërkohë që nga të dhënat paraprake rezulton se   vetëm në një muaj ka pasur fluks të transfertave në Sepa të cilat përllogariten  në rreth 600 milion euro.

Në raport theksohet se reduktimi i kostove të transfertave ndërkombëtare do të arrijë në 62 milionë euro për pagesat e lidhura me tregtinë e jashtme dhe më shumë se 9 milionë euro për remitanca.

Integrimi në SEPA përkthehet ndër të tjera edhe në një element të rëndësishëm për uljen e informalitetit në ekonomi.

Pas anëtarësimit në Sepa transaksionet deri në 20 mijë euro që nisen nga Shqipëria drejt vendeve të tjera, do të kenë  komisione deri  në 2 euro, ndërsa për trasaksionet për vlera deri në 100 mijë euro janë sa 0.01% e vlerës, ndërsa për transaksionet mbi 100 mijë euro, komisionet janë maksimumi 25 euro.

Ndërsa për të gjithë shqiptarët që janë në emigrim dhe do të sjellin para për familjarët e tyre në rrugë zyrtare, komisioni maksimal do të jetë 3 euro.

Anëtarësimi në SEPA është një arritje në rrugën drejt BE pasi konfirmon integrimin ekonomik. Kjo do u sjell qytetarëve përfitime konkrete por edhe bizneseve.

Dimri shton virozat/ Shefi i Urgjencës në Vlorë: Deri në 50 vizita në ditë

Dhjetori shënon rritje të vizitave për shkak të virozave stinore në urgjencën e spitalit rajonal të Vlorës. Sipas të dhënave të fundit, çdo ditë regjistrohen deri në 50 pacientë, përfshirë edhe persona me sëmundje kronike, të cilët janë më të rrezikuar ndaj komplikacioneve.

Shefi i urgjencës, Veron Beja, apelon që qytetarët të mos drejtohen menjëherë në spital, por fillimisht të kontaktojnë mjekun e familjes.

Situata aktualisht mbetet e menaxhueshme, ndërsa dhjetori shënon edhe periudhën kur nis situata nga virozat stinore. Bluzat e bardha këshillojnë qytetarët të kujdesen për higjienën, të shmangin vendet e mbipopulluara dhe të kryejnë vaksinat antigrip./abcnews.al

Media ukrainase: Takimi Trump-Zelensky do të zhvillohet të dielën në Mar-a-Lago

Takimi i radhës midis Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump, i njoftuar në mediat sociale nga presidenti ukrainas, mund të zhvillohet të dielën, më 28 dhjetor, në Mar-a-Lago, Florida.

“Kiev Post” raporton mbi ditën e takimit duke cituar një burim diplomatik.

“Kemi rënë dakord për një takim të nivelit më të lartë me Presidentin Trump në të ardhmen e afërt.

Shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri”, shkroi Presidenti Ukrainas Zelensky, pas përditësimeve të fundit nga kryenegociatori ukrainas Rustem Umerov, i cili e informoi atë mbi kontaktet e tij të fundit me palën amerikane.

“Nuk po humbasim asnjë ditë”, theksoi presidenti ukrainas në postimin e tij./abcnews.al

Sulm në xhaminë siriane: 6 të vdekur, 21 të plagosur

Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 21 janw plagosur në një sulm që shënjestroi një xhami në qytetin e Homsit, qyteti i tretë më i madh në vend, gjatë lutjeve të së premtes.

Imazhet e publikuara nga agjencia shtetërore e lajmeve SANA tregojnë gjurmë gjaku në qilimat e xhamisë, vrima në mure, dritare të thyera dhe dëme nga zjarri.

SANA, duke cituar një burim sigurie, raporton se hetimet paraprake tregojnë se brenda xhamisë janë vendosur pajisje shpërthyese.

Autoritetet po kërkojnë ata që janë përgjegjës për sulmin. Ministria e Brendshme Siriane tha në një deklaratë se një kordon sigurie është vendosur rreth xhamisë.

Kaliforni, 3 viktima nga stuhia/ Rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet bllokojnë rrugët kryesore

Tre persona kanë humbur jetën në Kaliforni si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut që përshfshin Shtetin Amerikan përgjatë Krishtlindjeve. Stuhitë të cilat pritet të  vijojnë edhe përgjatë fundjavës sollën bllokim të rrugëve kryesore në Los Angeles duke veshtiresuar evakuimin e qindra familjeve.

Sherbimet e emergjencave civile kryen dhjetera shpetime duke perfshire personat e bllokuar ne automjete per shkak te rritjes se nivelit te ujit. Përmbytjet shkaktuan dëme edhe në linjat e energjisë elektrike me mbi 100 mijë familje dhe biznese që mbetën pa rrymë.

Guvernatori i Kalifornise Gavin Newsom kishte shpallur gjendjen e emergjencës qe prej mengjesit te se merkures per shkak te paralajmerimeve per stuhi te forta shiu. Viktimat qe humben jeten si pasoje  e motit te keq ishin nje burre 64 vjecar ne San Diego, njje burr 74 vjecar ne qytetin Redding dhe nje Grua 70 vjecare e cila nderroi jete si shkak i rrëshqitjeve të dheut në banesën e saj.

Zona më e prekur nga rrëshiqtjet e dheut ishte Atladena, shumë pranë Los Angeles. Kryebashkiakja e këtij qyteti Karen Bass ka paralajmeruar qytetaret qe te tregojne kujdes maksimal ne udhetimet  e tyre.

Stuhite e shiut dhe përmbytjet në Kaliforni vijnë pasi ky shtet Amerikan u përball me zjarre shkatërruese përgjatë verës që preken edhe Zonat Urbane duke shkaktuar dhjetëra miliona dollarë dëme në shtëpi dhe biznese./abcnews.al

“Vija e kuqe” e foltoreve blu/ Pas akuzave për Salianjin, Berisha del në foltore me Arjan Ndojën

Kush i organizon foltoret me demokratët? Salianji akuzohet se ia bën fshehurazi Suel Çela, kurse doktori rrugës për Gjir të Lalzit, u ndal për një foltore në Manëz, haptazi me Arian Ndojën.

Arian Ndoja është vija e kuqe e Salianjit për doktorin, ish-prokurori u bë deputet i PD pas atentatit në makinë me Rrumin e Shijakut në Shkozet dhe shkarkimit nga Vetingu, së fundmi edhe me probleme me drejtësinë, pasi Gjykata ka urdhëruar SPAK ta hetojë.

Por për Berishën, Salianji me Ndojën kanë një ndryshim. Kush afrohet me Ramën favorizohet, kush afrohet me doktorin persekutohet.

 “Askush nga ne ndonjë favor nuk e ka marrë, përkundrazi, ka marrë ndëshkime nga qeveria për shkak të afrimit me ne, bashkëpunimit me ne, shoqërim me deputetët e nderuar, takime mbledhje, të gjitha këto kanë qenë persekutim, persekutim”

Edhe Salianji për doktorin ishte i persekutuar politik, bëri dhe burg, por kjo vlente sa ishte brenda. Tani që është jashtë, doktori i dha një këshillë, të mos përfundojë si Lulzim Basha.

“Beteja të padrejta nuk mund të bësh. Ish-kryetari në vend që të merrej me grabitjen e votës, u mor me mua, me partinë. Sepse ishte në marrëveshje me të. Harroi çfarë bëri qeveria.”

Doktori paralajmëroi se është vetëm fillimi, PD do krastitet edhe nga tradhëtarë të tjerë.

“Ka patur nga ata me poste që kanë bashkëpunuar me krahun tjetër, ose që skanë punuar, ata sdo i kenë më ato poste, sepse i kishin për demokratët”

Por një demokrat i kujtoi se dembelët në radhë të parë i ka në krah, Gaz Bardhin që vetëm flet, dhe Oerd Bylykbashin që sbën asgjë.

“Dega e Durrësit është në gjumë, tani do e bëjmë analizën ne pas 8 muajsh. Drejtuesi politik nuk duket. Shohim kryetarin e grupit parlamentar, ka vetëm një fjali, ia kemi mësuar përmendësh. Opozita ka vetëm fjalën, dhe atë na e mohojnë”

Demokratët në foltore u mblodhën jo vetëm për PD, por edhe për të rrëzuar qeverinë. Berisha u kujtoi se doktori i ri ishte i dhunshëm, por doktori i vjetër është për revolucion paqësor. Ndaj dhe për momentin gëzuar festat.

“Doktor, zjarr në janar!”

“Gëzuar, në 2026 hyjmë me mision, janar nisim betejën tonë deri në fitore!”

Sllagjan Trajkoviç dënohet me dhjetë vjet burgim për krime lufte në Vushtrri

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Sllagjan Trajkoviçin me dhjetë vjet burgim për krime lufte në komunën e Vushtrrisë.

Trajkoviç u dënua vetëm për një pikë të aktakuzës dhe për tri të tjera, trupi gjykues tha se nuk është vërtetuar se ai ka kryer ato veprime, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas vendimit, Trajkoviçit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Aktakuza ndaj tij u ngrit më 12 korrik 2023 nga Prokuroria Speciale, pasi ai ishte arrestuar më 15 dhjetor të vitit 2022. Pas arrestimit, zyrtarët në Serbi kishin deklaruar se Trajkoviq ishte ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Krimet për të cilat Trajkoviç u akuzua, sipas Prokurorisë Speciale, u kryen më 1998-99 në fshatin Reznik të Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth të kësaj komune.

Sipas aktakuzës, Trajkoviq ka qenë pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe “ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin të mijëra civileve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar”.

Në vitet e fundit, Kosova e ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime lufte gjatë luftës së fundit, por edhe të shqiptimit të aktgjykimeve.

Në gusht të këtij viti, Prokuroria Speciale ka dorëzuar në gjykatë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të më shumë se 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë.

Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare./rel

Ambasadori i Francës në Kosovë: Na duhet një qeveri me kompetenca të plota

Tri ditë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ai deklaron për KosovaPress se ndërkombëtarëve iu duhet një partner në Kosovë, për të punuar për Planin e Rritjes së BE-së, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për zhvillimin e Kosovës. Diplomati francez mirëpret largimin e 50 për qind të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa është më i rezervuar në pyetjet se a do të hiqen të njëjtat në tërësi në fillim të vitit të ardhshëm.

“Mesazhi është se na duhet një partner. Ne së bashku jemi mbështetësit tuaj të huaj, miqtë tuaj të huaj. Na duhet një qeveri, një qeveri e plotë, me të cilën do të mund të punonim për Planin e Rritjes, natyrisht, por edhe për shumë çështje të tjera, qoftë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por edhe për zhvillimin e Kosovës, legjislacionin e Kosovës”, thekson ai.
Kosova nuk arriti të formojë institucionet e reja pas zgjedhjeve të kaluara të 9 shkurtit.

Duke folur për krizën politike dhe mosformimin e institucioneve, diplomati francez thotë se një vit pa një qeveri me mandat të plotë ka qenë i vështirë për Kosovën.

“Ky vit pa një qeveri të plotë ka qenë pak i vështirë, duhet ta them. Jo se nuk kemi qenë në gjendje të punonim, siç thashë, në projektin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza. Ne kemi mundur të punojmë në nivel teknik. Kishte edhe iniciativa të tjera që mund t’i bënim në nivel teknik, por Kosova është një demokraci. Si demokraci, është nevoja për një qeveri të përgjegjshme para parlamentit”, thekson ai.
Bashkimi Evropian ditë më parë vendosi të heqë 50 për qind të masave, derisa u zotua për heqjen e të gjitha masave ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit janar 2026.

Ky zhvillim, sipas ambasadorit Guérot, është lajm i mirë për Kosovën, pasi do të ecin përpara shumë projekte të rëndësishme për vendin, të cilat ishin bllokuar vitet e fundit.

“Kemi një projekt shumë të rëndësishëm, që është ngadalësuar nga masat, për ndërtimin e një impianti të trajtimit të ujërave të zeza, i cili do të mbulonte Prishtinën, Obiliqin, Fushë Kosovën dhe Graçanicën. Ky është një projekt i përbashkët me Gjermaninë, në fakt. Pra, po pres me padurim që të përshpejtojmë këtë projekt, për të cilin nuk jemi ndalur së punuari kurrë në nivelin teknik. Është vetëm një nga projektet që kemi. Kemi projekte të zhvillimit me Agjencinë Franceze të Zhvillimit, sidomos për të ndihmuar Kosovën me Lojërat Mesdhetare 2030 dhe gjithashtu për ta ndihmuar atë në tranzicionin drejt një energjie më të pastër. Në Prishtinë këtu po shohim mjegullën, që është bërë si shkak i një energjie të papastër dhe agjencia po punon”, shton ai.

Sa i përket zotimit se deri në janar të vitit 2026 do të hiqen masat, ambasadori francez thotë për KosovaPress se vendimi politik tashmë është marrë nga Këshilli Evropian dhe se tani i takon Komisionit Evropian ta zbatojë.

“Detajet nuk i di. Nuk mund t’jua tregoj. Vendimi politik është marrë nga Këshilli i Ministrave dhe nga Këshilli Evropian dhe tani Komisioni do ta zbatojë atë. Prandaj nuk mund të hyj në detaje”, thotë ai.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në vitin 2023, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë, nisën detyrën e tyre në komunat në veri./kosovapress 

Aksident në Kamëz/ Përplasen dy makina, katër të plagosur

Katër persona kanë mbetur të plagosur në një aksident rrugor në zonën e Kamzës, në Tiranë.

Ngjarja u regjistrua mesditën e kësaj të enjteje në lagjen e Valiasit kur një automjet tip Audi është përplasur me një tjetër mjet, ‘Toyota’.

Policia ndodhet në vendin e ngjarjes për të hedhur dritë mbi shkaqet e këtij aksidenti./abcnews.al

Shijak/ Arrestohet 27-vjeçari, vodhi gjatë natës një shumë parash në një lokal

Vodhi gjatë natës një shumë parash dhe disa sende në një lokal në Shijak, brenda pak orësh identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 27-vjeçari, i dyshuar si autor i vjedhjes. 27 vjeçari, dyshohet dhe si autor i disa vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak, menjëherë pas marrjes së kallëzimit për një rast vjedhjeje në një lokal në fshatin Shahinaj, organizuan punën për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të autorit të këtij rasti.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe profesional të shërbimeve të Policisë, u  identifikia kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi S. D., 27 vjeç, banues në Shijak, I dyshuar si autor i vjedhjes së një shume parash, pije alkoolike dhe cigare në lokalin e një shtetasi në fshatin Shahinaj.

Vijon puna për dokumentimin ligjor të vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga shtetasi S. D. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

Ekspertja gjermane për Ballkanin: Veprimet e njëanshme të Kurtit kanë ofenduar partnerë tradicionalë të Kosovës

Kosova voton për herë të dytë këtë vit. Ekspertja gjermane për Ballkanin, Frauke Seebass kërkon dialog mes partive dhe kujton, se Kosova ka humbur shumë nga reputacioni i saj ndërkombëtar këtë vit.

DW: Për herë të dytë brenda një viti kemi zgjedhje të reja në Kosovë. Mendoni, se këto votime do të sjellin zhbllokimin e situatës në vend? Gjatë fushatës partitë e tjera sërish shprehen, se nuk do të hyjnë në koalicion me partinë “Vetëvendosje” të Albin Kurtit…

Gjithçka do të varet nga rezultati i zgjedhjeve. Vetëvendosje shpreson për një shumicë kaq të madhe sa të mund të qeverisë e vetme ose “vetëm” me mbështetjen e pakicave, të cilave Kushtetuta u garanton një numër të caktuar vendesh. Kjo taktikë dështoi pas zgjedhjeve në shkurt.

VV mund të përpiqet në rast të një rezultati zgjedhor të ngushtë, të bindë politikanë individualë nga partitë e tjera që të mbështesin koalicionin. Aleanca me PSHDK-në e vogël para zgjedhjeve (përveç Guxo dhe Alternativës), partnerë tradicionalë të LDK-së, është një tregues i kësaj. Por është gjithashtu e mundur që partitë opozitare të mund të mobilizojnë mbështetje të mjaftueshme për të formuar një qeveri pa VV-në, megjithëse shanset për këtë janë të pakta. Nëse kemi një rezultat të ngjashëm si në shkurt, një bllokim i ri nuk është i pamundur.

DW: Pse ky qëndrim kaq refuzues ndaj Albin Kurtit?

Para së gjithash ky lidhet kryesisht me qëndrimin e tij pa kompromis, me të cilin ai i shpalli luftë “elitave të korruptuara” dhe, në fakt, të gjitha partive të tjera. Para zgjedhjeve të shkurtit, VV synonte të rifitonte një shumicë konstituuese, ndërsa partitë e tjera të mëdha e pozicionuan veten para së gjithash në opozitë me Albin Kurtin, kjo çoi në një atmosferë të helmuar mes tyre. Pas farsës që shoqëroi zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit, të cilën Kurti e interpretoi si një pengesë të qëllimshme, nuk mbeti më ndonjë hapësirë ​​për kompromis. Nëse Kurti nuk ia del të angazhohet në dialog me partitë e tjera, pritet një bllokim i mëtejshëm.

DW: Po, mungesa e vullnetit politik të partive në Kosovë solli këtë situatë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por Kosova nuk e kishte një traditë të një mungese të tillë kaq të madhe të kompromisit. Si e shpjegoni këtë polarizim politik të një shkalle të tillë në vend?

Zgjedhjet e Vetëvendosjes në vitin 2021 ishte një votë proteste, pas rënies së koalicionit me LDK-në me ndihmën e SHBA-së. Ndërsa VV ishte detyruar të bënte kompromis në atë koalicion, tani ishte në gjendje të qeveriste praktikisht e pakontestueshme për katër vjet. Fushata zgjedhore që çoi në zgjedhjet e shkurtit dhe muajt e bllokimit helmuan atmosferën në parlament dhe në të gjithë vendin. Mbetet të shpresohet që partitë t’i rikthehen e të kujtojnë përgjegjësinë që kanë ndaj qytetar:ëve, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.

DW: Albin Kurti është përballur gjithashtu me mjaft kritika edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës – nën një qeveri të mundshme Kurti si mund të sigurohet progres në dialogun me Serbinë, një kusht për integrimin e mëtejshëm të Kosovës në BE?

Për BE-në, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023 mbetet thelbësor, dhe Kosova duhet të tregojë përparim në krijimin e një Asociacionit të Komunave Serbe. Kjo është në thelb e lidhur me të gjithë progresin e Kosovës në integrimin transatlantik, që nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës deri tek trajtimi i kërkesës për anëtarësim. Për shkak të situatës politike në Serbi, afrimi me BE aktualisht është shumë vështirë, veçanërisht nën Kurtin, por Kosova mund të bëjë përparim të konsiderueshëm si në nivel vendas ashtu edhe në politikën e jashtme me zbatimin e Asociacionit.

DW: Deri tani, Asociacioni duket i largët. A mund të quhet ai arsye kryesore pse Kosova aktualisht ka ngecur në integrimin drejt BE? Deri tani BE kishte edhe sanksione në fuqi. SHBA pezulloi dialogun strategjik.

Masat dhe bllokadat drejtohen kundër Kurtit dhe politikave të tij të njëanshme, veçanërisht mungesës së konsultimeve dhe përshkallëzimeve në komunat veriore. Në vend që të denoncojë trajtimin e pabarabartë krahasuar me Serbinë, qeveria duhet të kuptojë se është në pozicion defensiv dhe se nuk ka konsensus brenda BE-së. Masat janë ligjërisht në një zonë gri, kërkohet unanimitet për shfuqizimin e tyre, por shumë vende duan të shohin që Kosova të bëjë lëshime e para. Mund të supozohet se partnerët ndërkombëtarë do të ishin më të hapur ndaj një qeverie nën dikë tjetër përveç Kurtit.

DW: Por Kosova ka frikë se Asociacioni do të rrezikojë funksionalitetin e shtetit më të ri të Evropës. Sa real është ky rrezik, duke pasur parasysh se komunat serbe duan të arrijnë një lloj vetëqeverisjeje brenda Kosovës përmes Asociacionit?

Nuk e shoh më këtë rrezik pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe propozimeve aktuale sipas Marrëveshjes së Ohrit. Përkundrazi, besoj se Asociacioni i Komunave është një parakusht për integrimin e serbëve të Kosovës dhe demokratizimin e mëtejshëm, veçanërisht nëse edhe komunat jugore janë pjesë e tij, dhe ky integrim më i thellë mund të parandalojë gjithashtu propozime të reja për ndryshime territoriale (shkëmbim territoresh). Asociacioni i Komunave – i mbrojtur nga kushtetuta dhe e drejta e vetëmenaxhimit e sanksionuar në të – do të administronte vetë fusha të tilla si arsimi dhe planifikimi urban, por nuk mund të bllokojë vendimet kombëtare, siç është rasti, për shembull, në Republikën Srpska. Ideja e Vetëvendosjes për të detyruar integrimin përmes reciprocitetit, nga ana tjetër, ka dështuar.

DW: Ndërkohë Serbia dhe Kosova akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjeve të Brukselit të arritura për normalizimin e marrëdhënieve. Çfarë mund të bëjë BE-ja për të siguruar që një marrëveshje, pasi të nënshkruhet edhe të zbatohet vërtet?

BE-ja në fakt ka shumë leva për të sjellë progres në zbatimin e marrëveshjeve, por mungojnë vullneti politik dhe, mbi të gjitha, uniteti. Prandaj, shoh më shumë potencial veprimi në një koalicion shtetesh që marrin drejtimin këtu dhe ofrojnë stimuj pozitivë dhe negativë. Megjithatë, duke pasur parasysh situatën aktuale në Serbi, kjo strategji do të vinte vite me vonesë, nuk shoh që Serbia do të zbatojë marrëveshjet në vitet e ardhshme.

DW: Kosova mbetet vendi më i varfër në Evropë, i vetmi shtet ballkanik pa statusin kandidat për anëtarësim në BE. A ka qenë BE shumë e ashpër me Kosovën, apo arsyet duhen kërkuar brenda politikave të qeverisë aktuale?

Kjo është komplekse, por thënë përmbledhtazi, ka një të vërtetë tek të dyja. Për mua, pika e kthesës ishte viti 2018, kur shtetet anëtare të BE-së refuzuan liberalizimin e vizave për arsye politike të brendshme. Perceptimi në Kosovë ishte se ishin bërë kaq shumë kompromise pa rezultate konkrete, dhe VV e shfrytëzoi këtë atmosferë të krijuar. Nga ana tjetër, veprimet e njëanshme të Kurtit dhe bllokimi i muajve të fundit kanë luajtur një rol të madh në atë që edhe partnerë tradicionalë të Kosovës ndihen të ofenduar, reputacioni ndërkombëtar i Kosovës ka pësuar dëme të konsiderueshme.

Ekspertja për Ballkanin, Frauke Seebass aktualisht është studiuese e ftuar në Zyrën e Brukselit në Fondacionin e njohur gjerman “Shkenca dhe Politika”, fokusi i punës së saj është Ballkani dhe zgjerimi i BE-së, studimet për paqen dhe konfliktet./DW

Njihet si Kevin në ‘I vetëm në shtëpi’/ Macaulay Culkin zbulon arsyen pse hoqi dorë nga aktrimi

Macaulay Culkin ka folur së fundmi për jetën e tij larg vëmendjes publike, pasi u tërhoq nga aktrimi në moshën 14-vjeçare.

Culkin, i cili nisi karrierën që fëmijë dhe u shndërrua në një yll global me filmat “Home Alone” (1990) dhe “Home Alone 2: Lost in New York” (1992), vazhdoi më pas me role në “The Good Son”, “The Girl” dhe “Richie Rich” (1994), përpara se të merrte një pushim të gjatë nga industria e filmit.

Në emisionin ‘Mythical Kitchen,’ Culkin tregoi se vendimi për t’u larguar nga aktrimi erdhi nga dëshira për të pasur një jetë normale.

“Çfarë doja ishte të isha me njerëz të moshës sime. Duhet ta mbani mend: shumica e gjërave që kam bërë si fëmijë nuk ishin punë në grup. Isha vetëm unë,” u shpreh ai.

Ai shtoi se shpesh njerëzit e pyesin për bashkëpunimin me aktorë të njohur, si Joe Pesci. “Më thonë: ‘Si ishte të punoje me Joe Pesci?’ Dhe unë u përgjigjem: ‘E keni parë filmin?’ Kemi ndoshta dy skena bashkë. Pastaj jam unë, vetëm, në një shtëpi – pothuajse vërtet ‘Home Alone’.”

Duke folur më gjerë për pauzën nga aktrimi, Culkin tha: “Doja të dilja, të takoja vajza, të rrija me njerëz të moshës sime. Doja të shkoja në festa dhe të bëja gjëra normale. Nuk mund t’ju them sa shumë Bar Mitzvah kam humbur.”

Megjithatë, për famën ai theksoi se ajo nuk mund të zhbëhet: “Nuk mund ta ç’bësh atë që ka ndodhur. Nuk mund ta kthesh dhëmbëzën pas.”

Pas një mungese të gjatë, Culkin u rikthye në aktrim në vitin 2003 me filmin biografik “Party Monster”.

Në jetën personale, Culkin u fejua me aktoren Brenda Song në janar të vitit 2022. Çifti ka dy djem, Dakota dhe Carson./abcnews.al

Kokainë në flokë, lirohet me kusht presidenti i Fenerbahces

Kryetari i Fenerbahçes, Sadettin Saran, u la i lirë nën kontroll gjyqësor më 25 tetor, pas ndalimit të tij, pasi një test droge rezultoi pozitiv. Rasti vjen në kuadër të një hetimi të gjerë që prej javësh ka tronditur vendin, ku janë ndaluar prezantues televizivë, gazetarë, këngëtarë, aktorë dhe influencerë të rrjeteve sociale, nën akuza që përfshijnë prodhimin dhe trafikimin e narkotikëve.

Saran u mor fillimisht në pyetje më 20 dhjetor si pjesë e hetimit dhe më pas iu nënshtrua testeve toksikologjike. Ai u ndalua më 24 dhjetor, vetëm disa orë pasi ekspertët mjeko-ligjorë zbuluan gjurmë narkotikësh në mostrat e flokëve të tij.

Sipas raportit zyrtar, në flokët e tij u gjet kokainë, ndërsa testet e gjakut, urinës dhe thonjve rezultuan negative. Deklarata e tij para autoriteteve më 25 dhjetor thuhet se zgjati rreth dy orë.

Saran u lirua nën kontroll gjyqësor dhe do të jetë i detyruar të paraqitet pranë autoriteteve dy herë në javë. Anëtari i bordit të Fenerbahçes, Ertan Torunoğulları, së bashku me disa tifozë, u mblodhën në Gjykatën Çağlayan në Stamboll për të shprehur solidaritet me Saranin, nën masa të shtuara sigurie.

Ndërkohë, bordi ekzekutiv i klubit zhvilloi edhe një mbledhje të jashtëzakonshme. Në këtë takim nuk pritej të merrej ndonjë vendim lidhur me drejtimin e klubit; ai u përshkrua si një rishikim i procesit në vazhdim dhe i hapave të mundshëm, në varësi të zhvillimeve të ardhshme.

Fenerbahçe publikoi gjithashtu një deklaratë duke shprehur mbështetje të plotë për Saranin dhe duke siguruar tifozët se aktivitetet e klubit do të vazhdojnë pa ndërprerje.

Shqipëria bëhet me avion shtetëror/ Dhurata e Erdogan: Airbus 319 VIP,12 milionë euro

Shqipëria do të ketë avionin e vet shtetëror. Turqia i ka dhuruar vendit tonë një avion qeveritar Airbus A319 VIP, me vlerë rreth 11.9 milionë dollar, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve.

Avioni, i konfiguruar për përdorim qeveritar dhe i operuar më herët nga Turkish Airlines, do t’i kalojë shtetit shqiptar pa asnjë kosto financiare ndërsa shpenzimet e tranferimit të pronësisë do të mbulohen nga pala turke.

Mediat turke raportojnë se vendimi është publikuar në fletoren zyrtare, në kuadër të marrëveshjes dypalëshe, që parashikon se dhurimi ka për qëllim të përforcojë “marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë” mes Turqisë dhe Shqipërisë, të vendosura fillimisht me Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 1992, ndërsa të dyja palët shprehin dëshirën për t’i forcuar më tej këto lidhje përmes bashkëpunimit teknik dhe atij në fushën e mbrojtjes.

Marrëveshja pasqyron angazhimin e përbashkët të dy vendeve për thellimin e partneriteteve institucionale në fushën e aviacionit civil, logjistikës së mbrojtjes dhe sektorëve të tjerë strategjikë, duke shërbyer njëkohësisht si një gjest simbolik i mbështetjes së Turqisë për zhvillimin rajonal dhe përpjekjet integruese të Shqipërisë./abcnews.al

Festat, fluks udhëtarësh nga ajri/ TIA: Mbi 765 mijë udhëtarë në një muaj

Vetëm në një muaj aeroporti Ndërkombëtar i tiranës ka pritur rreth 765 mijë e 890 pasagjerë.Kjo konfirmon interesin e lartë për Shqipërinë edhe përtej sezonit veror por edhe udhetimet për festa.

Destinacionet më të  frekuentuara gjatë kësaj periudhe rezultojnë Milano, Londra, Roma, Bolonja dhe Pisa, duke reflektuar lidhjet e forta me tregjet kryesore europiane.

Ndërsa në total udhëtimet janë realizuar në drejtim të 67 dstinacioneve duke konfirmuar edhe shtimin e linjave të fluturimit. Të dhënat për muajin nëntor konfirmojnë se Aeroporti Ndërkombëtar është një ndër portat kryesore të hyrjeve për turistët e huaj.

Ndërkohë që Shqipëria priti 11.7 milione turistë në 11 muaj. Të dhënat e INSTAT tregojnë se nëse bëjmë një krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë rezulton se rritja wshtw 6.6% ose rreth 700 mijë turistë më tepër.

Këto të dhëna konfirmojnë vijimin e një fluksi të lartë hyrjesh të turistëve të huaj në vend, të mbështetur kryesisht nga tregjet evropiane duke konsoliduar rolin e Shqipërisë si destinacion turistik dhe rajonal gjatë gjithë vitit.

Sipas INSTATpërgjatë nëntorit 96% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri kanë qenë nga rajoni i Europës duke kryesuar europa jugore  dhe vendet si Italia, Spanja, Portugalia ndjekur nga Europa Perëndimore.

Po ashtu Ekonomia shqiptare ka përfituar të ardhura rekord nga turistët gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në periudhën janar-shtator tregojnë se shpenzimet e turistëve të huaj rezultojnë 4.42 miliardë euro rreth 560 milionë euro më tepër./abcnews.al

❌