Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Surprizë festive për efektivët shqiptarë në Bullgari

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Efektivët e Forcave të Armatosura të dislokuar me mision në Bullgari u surprizuan në prag të fundvitit, duke pasur mundësinë të kalojnë momente të veçanta me familjarët e tyre.

Gjatë vizitës në bazën e Grupbatalionit shumëkombësh të NATO-s në Novo Selo (Bullgari), u bë i mundur takimi i ushtarakëve me familjarët e tyre brenda bazës, një moment i veçantë pas një periudhe të gjatë shërbimi larg shtëpisë.

Ky gjest simbolik vlerëson përkushtimin dhe sakrificën e efektivëve tanë në misione ndërkombëtare, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të familjeve të tyre.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu në një postim në rrjetet sociale u shpreh se beson me zemër se Forcat e Armatosura nuk janë vetëm njerëzit e uniformës, por edhe familjarët e tyre, të cilët mbajnë me forcë të heshtur peshën e sakrificës.

“Çdo efektiv që shërben jashtë vendit, përveç profesionalizmit dhe përkushtimit, merr me vete vlerat e familjes, të komunitetit dhe të Kombit. Në këto ditë festash, më e pakta që mund të bënim ishte t’i afronim, qoftë edhe për disa orë, me familjarët që i presin me mall”, tha Vengu.

Ministri Vengu shprehu urimet e rastit për çdo njeri në uniformë që shërben në misione jashtë vendit.

“Sakrifica juaj dhe e familjeve tuaja njihet dhe vlerësohet”, përfundoi Vengu.

/e.i/r.e/

The post Surprizë festive për efektivët shqiptarë në Bullgari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria miraton amnistinë e fundvitit, lirohen 380 të burgosur, ulet dënimi për 900 të tjerë

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Qeveria shqiptare pritet të miratojë një amnisti penale, si një akt ligjor të bazuar te humanizmi, drejtësia sociale dhe standardet evropiane të drejtësisë.

Nismën e ka komunikuar sot ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari përmes një videomesazhi, ku zbulon edhe detaje nga kategoritë dhe numrin e përfituesve nga kjo amnisti.

“Nga zbatimi i kësaj amnistie në vlerësimet paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm; dhe rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi, ndërsa numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe masat alternative”, tha Lamallari.

Sipas tij në këto kategori përfituesish përfshihen të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore.

Lamallari theksoi se nga kjo amnisti nuk përfitojnë personat e dënuar për krime të rënda, raste korrupsioni apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

“Sigurisht që nga kjo amnisti nuk mund të përfitojnë ata që kanë kryer krime të rënda, korrupsion apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kurrsesi jo subjekte që janë hetuar nga SPAK dhe gjykuar nga GJKKO.  Nuk ka amnisti selektive dhe as favorizime, por kritere ligjore të qarta dhe transparente. Kush e sheh amnistinë si dobësi, ngatërron ndëshkimin me drejtësinë”, u shpreh Lamallari, duke theksuar se kjo amnisti nuk është falje e shkeljes së ligjit, por një shans i dytë, i dhënë me përgjegjësi, për ata që mund dhe duhet të rikthehen në shoqëri dhe pranë familjeve të tyre.

“Ne besojmë në një drejtësi të drejtë, jo për statistikë dhe as në kurriz të të pamundurve, një drejtësi që nuk humbet kurrë humanizmin, dhe që në frymë dhe shpirt udhëhiqet nga standarde të panegociueshme demokratike europiane”, tha ministri Lamallari.

“Ky lajm i mirë për përfituesit direkt dhe për familjet e tyre është me siguri urimi më i mirë i këtij fundviti. Kjo amnisti që ne do të miratojmë nuk është kurrsesi një lëshim politik, por një politikë penale moderne. Një shtet i fortë nuk ka nevojë të mbajë në burg njerëz pa rrezikshmëri reale, por të investojë në rehabilitim dhe siguri afatgjatë. Drejtësia evropiane nuk matet me numrin e të burgosurve, por me parandalim, rehabilitim dhe uljen e përsëritjes së veprave penale”, vijoi ai.

Sipas Ministrit të Drejtësisë, amnistia që do të miratohet në Këshillin e Ministrave nuk është një vendim i rastësishëm. Lamallari tha se “ajo vjen pas një analize të detajuar të situatës në sistemin e drejtësisë penale, në bashkëpunim me organet përgjegjëse, dhe adreson një shqetësim madhor; përdorimin e lartë të masës së paraburgimit dhe nevojën për një qasje më proporcionale dhe më humane”.

“Sot, për fat të keq, në sistemin e burgjeve ndodhen rreth 5 mijë persona, nga të cilët një pjesë e konsiderueshme, konkretisht më shumë se gjysma e tyre janë të paraburgosur. Kjo situatë kërkon ndërhyrje të përgjegjshme dhe të mejëhershme, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Paraburgimi i tepruar është një shqetësim persistent në sistemin tonë penitenciar, shqetësim i ngritur në mënyrë të përsëritur nga Këshilli i Europës si dhe nga partnerët tanë evropianë. Mbipopullimi në burgje nuk është forcë e shtetit, është dobësi e sistemit. Kjo amnisti e korrigjon në një farë mënyrë atë dobësi teksa ne kemi ende punë përpara për një politikë penale moderne që i përgjigjet stadit në të cilin Shqipëria është sot dhe nesër si vend anëtar i Bashkimit Europian”, tha Lamallari.

“Jam veçanërisht i lumtur që në këto kategori përfituesish përfshihen të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore. Efekti është konkret dhe i menjëhershëm, popullimi në burgje ulet me gati 7%, përmirësohen kushtet e trajtimit, sigurisë dhe rehabilitimit, si dhe garantojmë më shumë respekt ndaj dinjitetit njerëzor”, pohoi ministri Lamallari.

“Kjo amnisti nuk është falje e shkeljes së ligjit, por një shans i dytë, i dhënë me përgjegjësi, për ata që mund dhe duhet të rikthehen në shoqëri dhe pranë familjeve të tyre. Ne besojmë në një drejtësi të drejtë, jo për statistikë dhe as në kurriz të të pamundurve, një drejtësi që nuk humbet kurrë humanizmin, dhe që në frymë dhe shpirt udhëhiqet nga standarde të panegociueshme demokratike”, përfundoi ministri Lamallari.

/e.i/r.e/

The post Qeveria miraton amnistinë e fundvitit, lirohen 380 të burgosur, ulet dënimi për 900 të tjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkodra sot, të dielën e fundit të vitit

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Festat e fundvitit e kanë kthyer Shkodrën në një nga destinacionet më të preferuara në vend për këtë dhjetor.

Mes koncerteve, muzikës, dekorit shumëngjyrësh, atmosfera festive ndihet në çdo shesh dhe rrugë të qytetit duke përfshirë të gjitha grup-moshat.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale, foto nga Shkodra sot, ku qytetarë të shumtë, por edhe turistë të huaj kanë mbushur rrugët e qytetit.

Fëmijët shijojnë eksperiencën në pistën e patinazhit të akullit të ndërtuar në sheshin qendror të Shkodrës, ndërsa shtëpizat e drurit, ofrojnë produkte artizanale dhe krijime të tjera, të cilat menaxhohet nga të rinjtë e “Act4Shkodra”. Këto hapësira nuk janë vetëm festive, por edhe solidarizuese, pasi të ardhurat e mbledhura shkojnë për bamirësi për shtresat në nevojë.

/e.i/r.e/

The post Shkodra sot, të dielën e fundit të vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Nata e Falënderimeve”, mbahet koncerti i fundvitit në Durrës

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Në Durrës është mbajtur “Nata e Falënderimeve”, koncerti festiv 2025 që mblodhi qindra qytetarë në një atmosferë mes humorit, muzikës dhe festës.

Aktiviteti u organizua mbrëmjen e djeshme në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, ndërsa u ngjitën në skenë artistë të njohur, të cilët me humorin dhe këngët e zgjedhura, i dhuruan publikut durrsak një fundvit të paharrueshëm.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako e konsideroi këtë koncert të madh, si një mbrëmje të veçantë artistike, që solli vlera, emocione dhe traditë.

“Nata e Falënderimeve” u prezantua si një moment reflektimi dhe falënderimi për vitin që po mbyllet, por edhe si një mikritje simbolike drejt vitit të ri, me mesazhe shprese, solidariteti dhe bashkëpunimi.

Mbrëmja u mbyll me duartrokitje dhe nota festive, duke e kthyer “Natën e Falënderimeve” në një tjetër ngjarje të rëndësishme në kalendarin kulturor të Durrësit.


/e.i/r.e/

The post “Nata e Falënderimeve”, mbahet koncerti i fundvitit në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ASHK: 53% më shumë certifikata pronësie se në 2024-ën

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës njoftoi sot se ka dhënë mbi 260 mijë certifikata pronësie gjatë vitit 2025.

Sipas njoftimit të ASHK-së, kjo shifër është 53% më shumë se viti 2024.

Të gjithë këto tituj pronësie, përfshijnë apartamente, dyqane, garazhe e ambiente të tjera, të cilat më në fund do të jenë pjesë e qarkullimit civil dhe pronarët e tyre mund t’i shesin, dhurojnë, trashëgojnë apo t’i përdorin si garanci për kredi hipotekore pranë bankave të nivelit të dytë.

Sipas Kadastrës, ky proces synon të formalizojë pronësinë mbi ndërtimet e vjetra dhe të përmirësojë sigurinë juridike të qytetarëve mbi banesat e tyre.

/e.i/r.e/

The post ASHK: 53% më shumë certifikata pronësie se në 2024-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pikat e kalimit kufitar, masa të shtuara për të përballuar lëvizjet gjatë festave

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Pikat e kalimit kufitar kanë shtuar masat dhe personelin për të siguruar lëvizje të shpejtë e pa probleme të qytetarëve dhe mjeteve gjatë festave të fundvitit.

Drejtorët e departamenteve për Kufirin dhe Migracionin dhe për Sigurinë Publike, Saimir Muçaj dhe Dhimitraq Ziu, zhvilluan sot një inspektim në Kakavijë për të verifikuar zbatimin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe krijimin e lehtësirave në pikat e kalimit kufitar gjatë periudhës së fundvitit dhe ditëve  të para të Vitit të Ri 2026.

Sipas drejtorit të Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Drejtues i Lartë Dhimitraq Ziu, janë intensifikuar masat për monitorimin e qarkullimit rrugor, duke përdorur mjetet inteligjente dhe patrullat e lëvizshme, dhe në këtë kuadër dua t’u bëj një apel gjithë drejtuesve të mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit: stop shpejtësisë, alkoolit në timon, parakalimeve të gabuara. Ai kishte edhe një apel për prindërit: mos u jepni automjetet fëmijëve që s’kanë mbushur moshën dhe s’janë pajisur me leje drejtimi.

“Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat vijojnë patrullimet në çdo lagje, shesh e rrugë, dhe natën festive do të koordinojmë veprimet edhe me Policitë Bashkiake përkatëse, në sheshet ku do të kryhen ceremoni festive gjatë ndërrimit të viteve”, tha Ziu, ndërsa në gadishmëri janë edhe Forca Kombëtare e Sigurisë dhe RENEA.

Ziu theksoi se po ushtrohen kontrolle për parandalimin e tregtimit të kapsollave dhe fishekzjarreve dhe u bëri thirrje prindërve që të mos i lejojnë fëmijët të përdorin lëndë piroteknike, por as ata vetë, pasi përdorimi pa kriter i tyre është i ndaluar.

Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Muçaj u shpreh në një prononcim për mediet se ky inspektim zhvillohet në kuadër të një turi inspektimi të masave të marra nga Policia e Shtetit për përballimin e flukseve të shtuara të qarkullimit ndërkufitar në Pikat e Kalimit Kufitar dhe për garantimin e sigurisë publike gjatë festave të fundvitit.

“Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, që në fillim të muajit, ka miratuar dhe po zbaton një plan masash me detyra konkrete, në zbatim të planit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërkohë që të gjitha shërbimet janë në shërbim të përforcuar”, tha Muçaj.

Muçaj cilësoi se janë shtuar sportelet dhe numri i punonjësve të Policisë, veçanërisht në Pikat e Kalimit Kufitar me Greqinë dhe në pikat e tjera me fluks të lartë, ku prej dy javësh punohet me kapacitet të plotë logjistik dhe njerëzor.

“Po ashtu, është intensifikuar bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit me vendet fqinje, në mënyrë të veçantë me Policinë Kufitare greke, si dhe është aplikuar procedura e lehtësuar e kalimit kufitar aty ku ka qenë e nevojshme.

Qendrat e Bashkëpunimit Policor janë në shërbim të pandërprerë për shkëmbimin e informacionit në kohë reale, ndërsa personel shtesë është angazhuar për monitorimin e situatës dhe mbështetjen e strukturave vendore”, vijoi ai.

Gjatë kësaj periudhe është shënuar një rritje e qarkullimit ndërkufitar rreth 10,5% krahasuar me vitin e kaluar, jo vetëm të shtetasve shqiptarë, por edhe të vizitorëve të huaj.

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Migracionit janë të përkushtuara për të garantuar një kalim sa më të lehtë dhe të sigurt për bashkëkombasit tanë dhe vizitorët e huaj, si dhe për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit ndërkufitar gjatë kësaj periudhe festive.

/e.i/r.e/

The post Pikat e kalimit kufitar, masa të shtuara për të përballuar lëvizjet gjatë festave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Historia frymëzuese e 37-vjeçares në Laç, nga tri betejat me kancerin, tek artizanati

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Historia e saj është dëshmi se edhe në përvojën më të errët, njeriu mund të gjejë dritë për të vazhduar përpara. Është historia e një gruaje që, megjithëse e goditur fort nga jeta, zgjodhi të jetojë, të krijojë dhe të mos e humbasë shpresën.

Blerina Kalthi është vetëm 37 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, që jeton në fshatin Sanxhak të Laçit. Një prej sprovave më të mëdha me të cilat i është dashur të përballet në jetë është ajo e betejës me sëmundjen e kancerit. Kjo sëmundje i hodhi “rrënjët” e para tek i vëllai, i cili ndërroi jetë në moshën 28-vjeçare, i diagnostikuar me tumor në kokë.

“Në vitin 2012, vëllai im u diagnostikua me tumor në kokë. Ne ishim vetëm dy fëmijë. Ai nuk kishte asnjë shenjë, thjesht një dhimbje të lehtë koke. Kishte bërë kontrolle të shumta, pasi asokohe jetonte në Francë atë kohë, e dërguam për kontroll edhe në Belgjikë, por ai kishte një tumor agresiv në qendër të trurit. Vëllait nuk i bëhej, as ndërhyrje, as kimioterapi dhe ne e humbëm për vetëm 45 ditë në moshën 28-vjeçare”, tha Kalthi, për ATSH.

Blerina tha se menjëherë pas kësaj përvoje të hidhur, kaloi një periudhë të errët depresioni, ndërsa kishte edhe të birin vetëm katër muajsh.

Ajo thotë se jeta vazhdoi mes dhimbjes pafund, kur në vitin 2021, u bë shkak një dhimbje e lehtë në gjoks që Blerina të konfirmonte diagnozën e kancerit në gji.

“Kisha një tumor që në gjuhën e mjekëve quhet me qeliza kulluese. Tumori u përhap shumë shpejt në mitër, mëlçi dhe në gjak. Kam bërë 28 seanca kimioterapie, dy ndërhyrje dhe transplant të palcës kurrizore në Turqi. E gjithë kjo periudhë e vështirë ka zgjatur tre vite, ndërkohë që unë mbyllesha në vetvete, urreja botën, nuk doja njerëzit dhe askënd afër. Për shumë muaj nuk kam mundur as të eci”, tha Kalthi.

37-vjeçarja u shpreh se nuk mund ta quajë veten plotësisht të shëruar, pasi është ende me terapi, suplemente dhe ndjekje të vazhdueshme nga mjekët e spitalit Onkologjik për ecurinë e sëmundjes.

Por, goditjen e tretë me diagnozën e kancerit, do ta merrte nga nëna e saj, e cila në janar të vitit të kaluar, në moshën 68-vjeçare, u diagnostikua me kancer malinj në gjoks.

Ajo thotë se e ëma iu nënshtrua disa analizave specifike që e çuan në heqjen e gjirit deri në pjesën e limfomave nën sqetull.

Por, mes kësaj stuhie emocionesh, ajo zgjodhi të mos dorëzohet. Gjeti forcë tek duart e saj, tek krijimtaria dhe arti. Punimet artizanale u bënë streha e saj shpirtërore, një mënyrë për të shprehur dhimbjen, por edhe shpresën. Çdo punim mban brenda një histori, një luftë të fituar, një kujtim të dashur dhe një dëshirë të fortë për jetën.

“Me punimet e pikturës dhe ato në allçi jam njohur dy vitet e fundit nga një mikesha ime. Ajo më ofroi në kurs për t’u rikuperuar pak nga situatat e vështira që kalova. Nuk mendova që do e përvetësoja aq shpejt, por kuptova që ky kishte qenë një pasion i fshehur i imi. Lindi si një dëshirë e momentit, që më pas u kthye në burim të ardhurash për veten, familjen e që më ndihmoi në rritjen e fëmijëve”, pohoi Kalthi.

Faqja e saj online “Art me dashuri” është një pikë takimi me të pasionuarit pas artizanatit, që zgjedhin të blejnë kundrejt çmimeve simbolike suvenire në allçi apo tablo pikture.

Kalthi tha se ka shumë njerëz që e kanë “përqafuar” artin e saj, edhe në shenjë sensibilizimi dhe mbështetje për një grua të re, nënë e dy fëmijëve që ka kaluar një kalvar vuajtjesh dhe dhimbjesh, por që nuk u dorëzua kurrë.

Krijimtaria i jep kuptim ditëve të saj mes përditshmërisë së punëve në shtëpi në fshatin Sanxhak të Laçit, por njëherësh e ndihmon të përballojë humbjen e vëllait dhe frikën për shëndetin e nënës, duke e kthyer dhimbjen në forcë dhe frymëzim për shumëkënd.

Nga intervista me Blerina Kalthin në Laç; Foto: Florjan Abazaj
1 nga 9

/e.i/r.e/

The post Historia frymëzuese e 37-vjeçares në Laç, nga tri betejat me kancerin, tek artizanati appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkodra, qyteti që di të festojë

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH–Ermira Isufaj/

Dritat e fundvitit kanë ndezur Shkodrën dhe bashkë me to edhe ritmin e qytetit. Në sheshin para bashkisë, ku muzika dëgjohet deri në rrugicat përreth, turistë dhe qytetarë ndalen, fotografojnë dhe bëhen pjesë e festës që këtë fundvit e ka kthyer Shkodrën në një nga destinacionet më të kërkuara në vend.

Sheshi është epiqendra e festimeve, ku çdo mbrëmje ngjiten artistë të njohur, duke e shndërruar qytetin në një skenë të hapur. Kalendari festiv do të kulmojë në natën e ndërrimit të viteve me performanca nga Arilena Ara, Noizy, Elvana Gjata, Sidrit Bejleri dhe spektaklin e fishekzjarreve.

Drejtoresha e Kulturës në Bashkinë Shkodër, Sara Smaja, thotë për ATSH-në se ky fundvit ka ardhur ndryshe, jo vetëm për shkodranët, por edhe për turistët e shumtë që kanë zgjedhur qytetin për të festuar. Risia e këtij viti është shtrirja e atmosferës festive në disa pika kryesore të qytetit.

Për fëmijët është krijuar një hapësirë e posaçme pranë lulishtes së bashkisë, ndërsa përgjatë pedonales “Kolë Idromeno” rinia ka ngritur shtëpizat e saj festive. Të menaxhuara nga të rinjtë e “Act4Shkodra”, këto hapësira nuk janë vetëm festive, por edhe solidarizuese, pasi të ardhurat e mbledhura shkojnë për bamirësi për shtresat në nevojë.

Smaja thekson se ky është viti i tretë që bashkia e ka çuar festën në një tjetër dimension, duke dyfishuar numrin e turistëve. Strukturat akomoduese janë pothuajse të mbushura dhe gjetja e vendeve të lira për ditët e fundvitit është gjithnjë e më e vështirë.

Atmosfera festive shtrihet edhe në institucionet kulturore të qytetit. Teatri “Migjeni” ka sjellë premiera dhe varietetin e humorit dhe këngës “Kartolinën ta dërgova”, ndërsa Orkestra Simfonike ka mbajtur koncert me të ftuar sopranon e njohur ndërkombëtare Marigona Qerkezi. Muzeu Historik dhe Galeria e Arteve ofrojnë ekspozita dhe veprimtari që pasqyrojnë trashëgiminë dhe krijimtarinë bashkëkohore të Shkodrës.

Krahas festës, bashkia ka ndërmarrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë. Policia Bashkiake dhe ajo e Rendit janë të pranishme në sheshe dhe në akset kryesore për menaxhimin e trafikut dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve.

Përtej muzikës dhe dritave, turistët po shfrytëzojnë edhe atraksionet historike dhe natyrore të qarkut Shkodër. Kalaja e Rozafës, liqeni i Shkodrës, Buna, Thethi, Valbona dhe malet përreth mbeten pjesë e itinerarit edhe në dimër.

Në këto ditë festash, Shkodra jo vetëm feston, por edhe mirëpret, duke i dhënë kuptim ftesës së saj tradicionale për vizitorët: “Ardhshi të bardhë”.

Festat në Shkodër; Foto: Florjan Abazaj
1 nga 27

/e.i/r.e/

The post Shkodra, qyteti që di të festojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Viktimat e trafikimit, shteti merr përgjegjësinë e mbrojtjes edhe pa dëshmuar në gjykatë

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka vendosur miratimin e rregullave të reja për mbrojtjen e viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit, duke vendosur shtetin përpara përgjegjësisë direkte financiare dhe operacionale.

Në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare, për “Procedurat standarde të veprimit”, thuhet se një nga pikat më të rëndësishme të udhëzimit të ri është shkëputja e ndihmës humanitare nga procesi gjyqësor.

Sipas vendimit të propozuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, thuhet se “mbrojtja dhe riintegrimi ofrohen pavarësisht gatishmërisë apo aftësisë së viktimës për të dëshmuar në gjykatë”.

Në këtë vendim, sanksionohet fakti që një grua apo vajzë që është viktimë e trafikimit, do të marrë ushqim, strehim dhe rehabilitim nga shteti, pavarësisht faktit nëse çështja do të trajtohet në gjykatë. Shteti e njeh rehabilitimin jo thjesht si detyrim ligjor, por si masë parandaluese që viktima të mos bjerë sërish pre e rrjetit.

“Çdo personi të identifikuar si viktimë apo viktimë të mundshme të trafikimit do t’i ofrohet ndihmë dhe mbrojtje falas, dhe do t’i garantohet në kohë ndihma dhe mbrojtja e zgjedhur prej tij/saj. Të gjitha procedurat që kanë të bëjnë me viktimat e trafikimit apo viktimat e mundshme të trafikimit do të kryhen në çdo moment, duke marrë masa serioze të ruajtjes së sigurisë”, thuhet në vendim.

Në vendim thuhet se procedurat standarde të veprimit për mbrojtjen e viktimave të trafikimit kanë për qëllim të ofrojnë një kuadër të qartë, të harmonizuar dhe funksional për të gjitha hallkat institucionale shtetërore dhe joshtetërore të përfshira në trajtimin e këtij fenomeni kompleks dhe të ndjeshëm.

“Këto procedura janë ndërtuar mbi parimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe vendosin në qendër të veprimit viktimën, duke siguruar një qasje gjithëpërfshirëse, të ndjeshme ndaj gjinisë, aftësisë së kufizuar dhe moshës, si dhe të përshtatur me nevojat individuale të çdo rasti. Ato synojnë jo vetëm parandalimin e trafikimit, por edhe një përgjigje efektive dhe të koordinuar për identifikimin, mbrojtjen, asistencën, kthimin vullnetar të asistuar dhe riintegrimin e viktimave të trafikimit dhe viktimave të mundshme, pavarësisht nëse janë shtetas shqiptarë apo të huaj, dhe pavarësisht nëse janë të identifikuar brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, cilësohet në njoftim.

Vendimi shfuqizon aktin e mëparshëm të vitit 2018 dhe vendos theks të veçantë te mbrojtja e fëmijëve, duke parashikuar që në çdo rast vendimmarrja të bazohet në parimin e “interesit më të lartë të fëmijës”.

Po ashtu, parashikohet trajtim i specializuar për kategori specifike si gratë shtatzëna, personat me aftësi të kufizuara apo ata që kanë pësuar trauma të rënda psikologjike.

Për viktimat e huaja në Shqipëri ose shqiptarët jashtë, kthimi në shtëpi do të bëhet vetëm nëse është “vullnetar dhe i asistuar”, dhe pasi të jetë vlerësuar se jeta e tyre nuk është në rrezik në vendin e origjinës.

Për zbatimin e këtij vendimi, ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Arsimit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

/e.i/a.f/r.e/

The post Viktimat e trafikimit, shteti merr përgjegjësinë e mbrojtjes edhe pa dëshmuar në gjykatë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fëmija 3 vjeç konfirmohet me fruth, Toçi për ATSH: Situata, jo alarmante

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Një fëmijë është konfirmuar me fruth në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Burime pranë MSHMS, konfirmuan se ky rast është paraqitur që në datën 22 dhjetor në spitalin e Pediatrisë, me temperaturë shumë të lartë dhe i pavaksinuar, por rasti është hetuar epidemiologjikisht dhe ndjekur nga ISHP.

Sipas MSHMS-së, nga dy raste me simptoma, vetëm njëri rast është fruth, ndërsa rasti tjetër nuk është konfirmuar i tillë.

Hetimi epidemiologjik i ndjekur nga ISHP ka konfirmuar diagnozën e fruthit për këtë fëmijë që është i moshës 3 vjeç.

Prof. Asoc. Dorina Toçi, drejtoreshë e Përgjithshme e ISHP-së, tha sot për ATSH-në se situata e fruthit në vend nuk është aspak alarmante dhe nuk ka vend për panik. Sipas Toçit, raste të konfirmuara me fruth ka pasur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, madje në 2025 ka pasur më pak raste se vitet e kaluara.

Deputeti i PS,  Erjon  Braçe u bën thirrje prindërve që të mos e ndërpresin kalendarin e vaksinimit kundër fruthit, ndërsa thekson se rrymat antivaksinë në media apo rrjetet sociale duhet të braktisen.

“Fëmijët janë të pavaksinuar, për fruthin po e po, por edhe për sëmundje të tjera; Është tre vjeç por kalendari i vaksinimit të tyre është ndërprerë që në muajin e gjashtë, prindërit nuk e kanë ndjekur më kalendarin e vaksinimit të tyre. Fruthi është pasoja e parë. Unë nuk e di sa i gjerë është fenomeni, po kam frikë se pas pandemisë dhe fushatës agresive kundër vaksinimit me konotacion të gjerë, ndalja nga prindërit të kalendarit të vaksinimit ka marrë përmasë“, tha Braçe.

Vatra më e fundit me fruth në Shqipëri ishte ajo e këtij fillimviti në Fier me 10 fëmijë nga mosha 4-9 vjeç  ndërsa tre të tjerë u identifikuan në Vaun e Dejës, Lezhë dhe Tiranë ku ISHP konfirmoi gjithsej 12 raste, të gjithë të pavaksinuar. Mbulesa vaksinale me dozën e parë të vaksinës ndaj fruthit gjatë kësaj periudhe ra në 73% ndërsa me dy doza në  87% në shkallë vendi.

/e.i/j.p/

The post Fëmija 3 vjeç konfirmohet me fruth, Toçi për ATSH: Situata, jo alarmante appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Silvinjo për Playoff-in: Takime të tilla mund të vendosen nga episode

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo në një intervistë për “ESPN Brasil”, foli për mundësinë e artë që ka Shqipëria për të qenë në Botërorin 2026.

“Kjo mundësi është shumë e madhe për ekipin, Federatën dhe të gjithë vendin. Shortet kanë qenë të vështirë prej Europianit. Le të përballemi me këto sfida. Do të nisim nga janari duke ndjekur futbollistët tanë dhe disa takime nga afër”, tha Silvinjo.

Shqipëria do të ketë si kundërshtar në gjysmëfinalen e playoff-it Poloninë, më 26 mars në Varshavë, ky synohet fitorja, për të luajtur më pas më 31 mars me ekipin fitues të përballjes Ukrainë-Suedi. Sipas Silvinjo-s, takime të tilla mund të vendosen nga episode.

“E njohim mirë Poloninë pasi kemi luajtur kohët e fundit. Kanë ndryshuar trajner, por lojtarët janë të njëjtë, të një niveli të lartë. Ata janë në një periudhë rindërtimi, ndërsa ne jemi në një periudhë përmirësimi. Avantazhe apo disavantazhe? Është e vështirë të flasësh rreth kësaj. Janë 90 minuta lojë, por mund të vendoset gjithçka në pak sekonda. Futbollistët tanë janë mësuar me ndeshje të tilla të vështira. Do të mbështetemi te cilësitë që kemi”, tha Silvinjo.

/e.i/a.f/r.e/

The post Silvinjo për Playoff-in: Takime të tilla mund të vendosen nga episode appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Kitarat e Korçës”, magjia e seranatave në pedonalen e qytetit

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Pedonalja e qytetit të Korçës u mbush mbrëmjen e Krishtlindjeve me tingujt e kitarave dhe këngëve korçare.

Një aktivitet ndryshe që solli një skenë të hapur për të gjithë qytetarët dhe artdashësit e shumtë të pranishëm, që e ndoqën nga afër këtë ngjarje artistike.

Koncerti “Kitarat e Korçës”, i drejtuar nga Nuçiel Doko, mësues kitare në shkollën e muzikës “Tefta Tashko Koço” në Korçë, erdhi si një homazh për trashëgiminë muzikore të dikurshme, kur kitarat shoqëronin netët festive dhe këngët e zemrës këndoheshin në çdo cep të qytetit.

Rreth 40 kitara u dëgjuan njëkohësisht, duke krijuar një atmosferë të veçantë dhe emocionale për qytetarët dhe vizitorët që ndoqën koncertin.

Koncerti “Kitarat e Korçës” bashkoi në një aktivitet zërat e të rinjve dhe kujtimet e serenatistëve të vjetër, që rikujtuan identitetin muzikor të Korçës dhe rëndësinë e ruajtjes së kësaj tradite të çmuar kulturore.

/e.i/r.e/a.f/

The post “Kitarat e Korçës”, magjia e seranatave në pedonalen e qytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në vitin 2026 nis funksionimi i Korpusit të Laboratorëve të ISHP-së

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Korpusi i ri i Laboratorëve të Institutit të Shëndetit Publik, pritet të trefishojë kapacitetet laboratorike të këtij institucioni, me biosiguri sipas standardeve të BE-së.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njoftoi sot se “në vitin që po troket do të nisë funksionimi i Korpusit të Laboratorëve”.

Korpusi i laboratorëve të referencës kombëtare të Institutit të Shëndetit Publik është ndërtuar në një sipërfaqe prej 2900 metrash katrorë. Ky korpus do ketë nivelin më të lartë të biosigurisë sipas standardeve të BE-së, ku trajtimi i agjentëve biologjikë me rrezik të lartë, do të bëhet në nivele të larta mbrojtjeje për shëndetin e specialistëve.

Ky investim i buxhetit të shtetit përmirëson parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, rrit sigurinë shëndetësore kombëtare dhe forcon kërkimin shkencor në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.

Laboratorët do të pajisen edhe me aparatura të teknologjisë së fundit dhe me kushte bashkëkohore pune për ekspertët dhe stafin e ISHP-së duke garantuar përgjigje sa më efektive, në kohë dhe të sigurta për shëndetin publik.

Njëherësh, duke qenë në atmosferën festive të dhjetorit, specialistët dhe drejtuesit e disa departamenteve të ISHP-së përcollën në një video mesazhe urimi për të gjithë qytetarët, për një jetesë të shëndetshme, me më shumë aktivitet fizik, kujdes të shtuar për shëndetin mendor, ndërsa u bënë thirrje grave dhe vajzave për kryerjen e mamografive falas dhe testine HPV.

Prof. asoc. Dorina Toçi, drejtoreshë e përgjithshme e ISHP-së, u shpreh se “kujdesi për shëndetin është dhurata më e çmuar, për veten dhe familjen tonë”.

/e.i/r.e/a.f/

The post Në vitin 2026 nis funksionimi i Korpusit të Laboratorëve të ISHP-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peleshi uron Krishtlindjen: Nevojë për paqe dhe vëllazëri mes të gjithëve

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përcolli sot nga Korça urimet për besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjeve.

Në një prononcim për mediet, Peleshi tha se shoqëria shqiptare ka sot më shumë se kurrë nevojë për bashkim e mirëkuptim.

“Kënaqësi e veçantë që uroj Krishtlindjet për besimtarët ortodoksë dhe gjithë shqiptarët, siç e kemi zakon nga Korça, nga vendlindja ime, ku Krishtlindja festohet më bukur se kudo tjetër”, tha Peleshi.

“Korça është një kryeqytet i Krishtlindjes dhe më vjen mirë që këtë vit është frekuentuar edhe më tepër nga shqiptarë nga e gjithë Shqipëra që festojnë me njëri-tjetrin. Në këtë periudhë shoqëria shqiptare ka shumë nevojë për mesazhet që sjell Krishtlindja, për paqe dhe vëllazëri mes të gjithëve”, pohoi Peleshi.

/e.i/a.f/

The post Peleshi uron Krishtlindjen: Nevojë për paqe dhe vëllazëri mes të gjithëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkia e Tiranës shtron drekën e Krishtlindjeve në qendrën “Gonxhe Bojaxhi”

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Bashkia e Tiranës ka shtruar drekën e Krishtlindjeve në qendrën komunitare “Gonxhe Bojaxhi”, në kryeqytet.

E kthyer tashmë në një traditë të përvitshme nga bashkia Tiranë, festat fetare vijnë më pranë qytetarëve dhe sidomos shtresave më në nevojë.

E pranishme ishte edhe kryetarja e komanduar e Bashkisë së kryeqytetit, Anuela Ristani e cila theksoi se kjo qendër shërben si një familje e madhe, ndërsa ditë pas dite e gjithë lagjja “5 Maji” ka pësuar një transformim të madh.

“Sot është ditë shumë e gëzuar dhe të ndash ushqim, është mënyra më e mirë për t’u njohur dhe për të falënderuar njëri-tjetrin. Ashtu si ndajmë edhe për familjet tona. Një tryezë pak më e madhe se ajo e shtëpive tona, por me të njëjtën ëmbëlsi, dhe të njëjtën ngrohtësi, ashtu si do ta kishim në shtëpitë tona. Më bëhet shumë qejfi që kjo qendra shërben si një familje e madhe”, tha Ristani.

Duke sjell në vëmendje investimet e realizuara në lagjen e re të pesë majit, Ristani thekson se “e gjithë lagjja ka marrë një lloj krenarie që nuk është më ajo që quhej “Bregu i Lumit”, por është lagjja e re “5 Maji”. Një lagje për të qenë krenarë, për të qenë në shtëpi, për t’u ndjerë të respektuar, por edhe për t’u ndjerë ngrohtë edhe mirë me njëri-tjetrin”.

Në fund, Ristani përcolli edhe një urim për festat e fundvitit, me apelin për të qenë gjithmonë pranë njëri-tjetrit.

“Ata nga ju që kanë mundësi, të ndihmojnë të tjerët. Ndonjëherë vetëm një fjalë e mirë, është shumë më e ngrohtë se çdo ndihmë tjetër materiale. Duhet prania dhe ngrohtësia e secilit. Puna jonë është punë fizike. Por ajo që është më e rëndësishme, është të bëjmë të tjerët të ndihen më mirë. Dhe ky do ishte mesazh dhe urimi për këtë vit, të jeni sa më mirë me veten, me njëri-tjetrin, me familjet tuaja. Suksese dhe shëndet të gjithëve. Gëzuar”, deklaroi Ristani.

Dreka e Krishtlindjeve në qendrën “Gonxhe Bojaxhi”
1 nga 3

/e.i/a.f/

The post Bashkia e Tiranës shtron drekën e Krishtlindjeve në qendrën “Gonxhe Bojaxhi” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krishtlindja ne Tiranë u prit me koncertin “Tinguj dhe fjalë” në sheshin Skënderbej

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Mbrëmjen e djeshme, bashkia e Tiranës organizoi koncertin festiv “Tinguj & Fjalë, Koncert Simfonik i Natës së Krishtlindjes”, duke kthyer Sheshin Skënderbej në një skenë të hapur të muzikës klasike, elegancës dhe emocioneve të festës së shenjtë.

Nën drejtimin e dirigjentit Armand Broshka, Orkestra Sinfonike solli për publikun një program të pasur artistik, me vepra nga kompozitorë të mëdhenj si Bizet, Johann Strauss, Brahms, Dvořák, Mascagni, Verdi dhe Gruber, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë e festive në zemër të kryeqytetit.

Publiku shijoi interpretimet brilante të sopranos Eva Golemi, baritonit Armando Likaj, si dhe solistëve Edmea Krasniqi (violinë), Albana Kola (violinë) dhe Igert Zeqiri (violonçel), ndërsa drejtimi artistik u mbajt nga Ronald Gjura.

Mbrëmja festive u ndoq nga qytetarë e vizitorë te huaj, të cilët përjetuan një Krishtlindje me muzikë të përzgjedhur në zemër të Tiranës.

/e.i/a.f/

The post Krishtlindja ne Tiranë u prit me koncertin “Tinguj dhe fjalë” në sheshin Skënderbej appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjidhet formacioni më i mirë i javës së 18-të të superligës

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Pas përfundimit të javës së 18-të të kampionatit “Abissnet Superiore”, trajnerët e ekipeve Kombëtare kanë përzgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës, sipas skemës 1-3-4-3.

FSHF njofton se në portë është Mario Dajsinani i Egnatias.

Treshja e mbrojtjes është Jaime Serrano Guillem (Egnatia), Emir Azemovic (AF Elbasani) dhe Jurgen Vrapi (Vora).

Sipas FSHF-së, në mesfushë janë përzgjedhur Kastriot Selmani (Egnatia), Irgi Kasalla (Vora), Klevi Qefalija (Dinamo City) dhe Andrey Yago (Vllaznia).

Në repartin ofensiv janë Dejvi Bregu (Dinamo City), Bekim Balaj (Vllaznia) dhe Serge Tabekou (Tirana).

Trajneri më i mirë i javës së 18-të është përzgjedhur tekniku i Dinamo City, Ilir Daja.

/e.i/a.f/

 

The post Zgjidhet formacioni më i mirë i javës së 18-të të superligës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu uron Krishtlindjen me grafikën e realizuar nga i ati

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu ka ndarë sot një urim me rastin e Krishtlindjeve, duke publikuar një grafikë të realizuar nga i ati, Jorgaq Gogu në fillim të viteve ’90.

Në postimin e tij me grafikën e skenës së Lindjes së Krishtit, Gogu shprehet se ndonëse i ati nuk jeton më, kjo vepër artistike i kujton se dashuria nuk largohet kurrë, por lë gjurmë të forta dhe mbetet gjithmonë pranë njeriut.

“Gëzuar Krishtlindjen! Këtë skenë të Krishtlindjes e ka vizatuar im atë, Jorgaqi (Gaqo), në fillim të viteve ’90; ai nuk është më mes nesh, por kjo grafikë më kujton se dashuria nuk largohet kurrë, por lë gjurmë dhe na mban fort”, shkruan Gogu.

Në reflektimin e tij për festën e Krishtlindjes, ministri Gogu një besimtar i krishterë protestant thekson se kjo ditë përkujton afrimin e Perëndisë me njerëzit jo si një ide abstrakte.

“Sot festojmë se Perëndia na u afrua jo si ide, por si Njeri: Ai hyri në historinë tonë për të nisur ripërtëritjen, që të mos mbetemi rob të errësirës, fajit apo dëshpërimit”, tha Gogu.

Gogu e mbyll mesazhin e tij me urimin që kjo Krishtlindje të sjellë paqe në shtëpi, butësi në zemër dhe guxim për të nesërmen, sepse mëshira e Perëndisë e nis rishtas jetën, edhe aty ku shihet vetëm zbrazëti.

/e.i/a.f/

The post Gogu uron Krishtlindjen me grafikën e realizuar nga i ati appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Projekti i Teatrit të ri Kombëtar, në fazën e realizimit ndërtimor

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Projekti për Teatrin e Ri Kombëtar ka hyrë tashmë në etapën e realizmit ndërtimor ndërsa punimet vazhdojnë me intensitet pas hedhjes së themeleve.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja informoi se pas përfundimit të fazës komplekse të punimeve nëntokësore, projekti ka hyrë në etapën e realizimit ndërtimor, duke marrë formë një hapësirë ikonike për artin dhe kulturën.

Sipas tij, Teatri i Ri Kombëtar, vepër e një prej arkitektëve më të shquar bashkëkohorë, Bjarke Ingels dhe studios daneze BIG, po ngrihet si një nga teatrot më të bukur dhe më përfaqësues të ndërtuar në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Godina e re e Teatrit Kombëtar po merr formë në vendin ku ngrihej teatri i vjetër. Sipas projektit, ndërtesa është ndarë në dy pjesë: një për aktorët dhe administratën, dhe një tjetër për publikun.

Teatri i Ri Kombëtar do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, por pritet të hyjë në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Evropë.

Ky teatër dita-ditës po ngrihet si vepër arkitektonike që do ta transformojë kryeqytetin në një destinacion europian të artit dhe arkitekturës bashkëkohore.

/e.i/j.p/

The post Gonxhja: Projekti i Teatrit të ri Kombëtar, në fazën e realizimit ndërtimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Atmosferë festive në Përmet

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Atmosfera festive e dhjetorit ka përfshirë edhe qytetin e Përmetit.

Bredhi gjigant në qendër të qytetit, dritat shumëngjyrëshe dhe dekori i veçantë e kanë “veshur” Përmetin me një atmosferë festive për këtë muaj të fundvitit.

Kryeministri Edi Rama, ndau momente nga festa në qytet, ku u bashkuan shumë qytetarë, të cilët shijuan momentin e ndezjes së dritave të pemës dhe koncertin e grupit artistik të fëmijëve.

Atmosfera e krijuar nga zbukurimet dhe dritat e shumta do ta shoqërojë këtë muaj gjithë qytetin e Përmetit, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve, por edhe vizitorëve të ndryshëm.

/e.i/j.p/

The post Atmosferë festive në Përmet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌