Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Përplasja për bregdetin e Rrjollit në Velipojë, nga zonë e mbrojtur në resort €280 milionësh

Harmonia e peizazhit natyror të Rrjollit në Velipojë u thye nga zhurmat e makinerive të rënda që mësynë zonën javën e parë të muajit shkurt. Kamionë, ekskavatorë dhe dhjetëra punonjës nisën të hapnin trasenë e një rruge të re që i bashkohej rrugës kryesore me synim kantierin e resortit turistik “Blue Borgo”.

Rrjolli nuk është një fshat tipik turistik bregdetar. Nuk ka bulevard me palma, resorte dhe ndërtesa elitare. Në fakt në shumicën e horizontit të tij është i paprekur.

Ai shtrihet mes Lagunës së Vilunit në veri dhe Ranës së Hedhun në jug. Një brez toke me shkurre dhe pisha të ulëta, duna rëre dhe parcela toke e banesash të shpërndara që për dekada mbijetuan mes bujqësisë sezonale dhe emigracionit.

Të paktë kanë qenë turistët që thyenin vështirësitë e rrugës për ta frekuentuar këtë zonë. Por këto vështirësi janë tejkaluar së fundmi me rrugën e re Shëngjin-Velipojë, e cila të tregon që nga lart për lagunën e cekët, ku ende shihen gjurmë të gjallesave dhe shpendëve ujorë.

Pikërisht kjo ishte arsyeja pse për vite me radhë zona konsiderohej praktikisht e paprekshme nga ndërtimet masive. Ajo ishte pjesë e një brezi ekologjik që lidhte deltën e Bunës me sistemin e dunave të Shëngjinit, një korridor natyror që mbante në këmbë ekosistemin bregdetar të veriut.

Por ky korridor duket se do të thyhet shumë shpejt. Resorti Blue Borgo, një investim prej rreth 280 milionë eurosh nga kompania Gener 2, premton të ngrejë mbi 30 vila dhe 3 hotele deri në 10 kate me shtrirje deri në 146 hektarë.

Projekti i konceptuar nga Stefano Boeri mori dritën jeshile nga qeveria në vitin 2024, por buzë rrugës në Rrjoll tabela informuese u vu vetëm në shkurt të këtij viti. Tabela nuk shoqërohej me një dokument zyrtar lejeje nga Këshillit Kombëtar i Territorit dhe Ujit, pavarësisht se leja në fakt u zbardh nga Agjencia Kombëtare e Zhvillimit të Territorit vetëm në janar.

Një seri vendimmarrjesh të paqarta kanë lënë vend për përplasje dhe kontestime me banorët e zonës. Gener 2 provoi ta hapte kantierin edhe në fillim të vitit 2025, por u tërhoq pas protestave.

Nga tabela e vendosur këtë vit kuptohet se asokohe Gener 2 nuk kishte licencë zbatimi, teksa AZHT-ja nuk e kishte zbardhur ende lejen duke shtuar më shumë kontradiktat për këtë çështje.

Por, konflikti në Rrjoll nuk është thjesht për një resort. Është një konflikt mbi politikat e zhvillimit, statusin e territorit dhe pronësinë.

Zona ku po ndërtohet ishte pjesë e një brezi të mbrojtur bregdetar. Përfshihej në nënzonën 1b të “Peizazhit të mbrojtur Lumi i Bunës-Velipojë”.

Në këtë nënzonë zbatohej shkalla e dytë e mbrojtjes mjedisore, e cila synonte ruajtjen e biodiversitetit, duke lejuar aktivitete tradicionale, ekonomike dhe turistike, për sa kohë nuk cenonin objektivat e mbrojtjes.

Por, me ndryshimet e Ligjit për Zonat e Mbrojtura, në vitin 2024, u përfshi edhe koncepti i “turizmit të ekselencës”,i cili parashikon struktura akomoduese me standarde të larta arkitektonike dhe mjedisore.

Zona 1b e peizazhit të mbrojtur Bunë-Velipojë/Citizens.al

Kështu, sipas nenit 33 të ligjit të rishikuar, tashmë lejohet zhvillimi i strukturave turistike 5-yje dhe infrastrukturës mbështetëse, edhe brenda zonave të mbrojtura.

Por kjo seri ndryshimesh tregon qartë se teksa qeveria punonte për të tjetërsuar këtë kuadër rregullator, paralelisht sipërmarrësit e tregut imobiliar po hartonin planet për ndërtim, të sigurt se do të kishin rrugë të lirë për ta zbatuar projektin.

Kjo ndodhi në të njëjtën kohë me një tjetër faktor: Rruga e re Shëngjin-Velipojë, e cila nuk është thjesht infrastrukturë, por një sinjal për transformim. Në fakt, aktualisht në zonë po punohet edhe për dy resorte të tjera.

Në terma urbanistikë, kjo është hapja e një fronti të ri ndërtimi: një “Riviere të dytë” ose “Riviera e Veriut”. Por, vlen të thuhet se në letra, zyrtarisht, investimi i vetëm strategjik në zonë është “Dukagjini Resort”. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ka konfirmuar për Citizens.al se “Blue Borgo” nuk ka një status investimi strategjik aktiv.

Paralelisht, banorët e Rrjollit nuk protestojnë vetëm për mjedisin. Ata protestojnë për pronësinë. Sipas tyre, parcela kryesore ku po ndërtohet “Blue Borgo” përfshin toka që i takojnë rreth 60 familjeve të zonës. Ata thonë se toka është kaluar tek investitori përmes dokumenteve të falsifikuara dhe se për këtë ka procese gjyqësore që vijojnë.

Në vitin 2025 ata iu drejtuan Prokurorisë së Posaçme, ku kërkuan hetim për mënyrën se si toka përfundoi tek projekti i “Gener 2”. Por pas kësaj, vetëm heshtje.

Ilustrim i protestës përpara SPAK/Citizens.al

Një vit më vonë, ata detyrohen sërish të përplasen me kompaninë për të ndaluar fizikisht punimet. Konflikti ka kaluar dukshëm nga një çështje administrative dhe ligjore në një konflikt social: shteti po garanton investimin qindra milionësh teksa banorët kërkojnë veçse njohjen e pronës.

Rasti Blue Borgo ekspozon një problem tipik të zhvillimit bregdetar në Shqipëri: procedurat administrative nuk ecin paralel me realitetin në terren, kantieri hapet para zbardhjes së lejeve, konsultimi publik formalizohet më pas dhe lejet publikohen kur ndërtimi praktikisht ka nisur.

Raste të ngjashme kemi hasur edhe në Tiranë, sidomos kur në lojë janë kompani të mëdha me ndikime të forta ekonomike dhe politike.

Sipas dokumenteve mjedisore, konsultimi publik për “Blue Borgo” ishte zhvilluar në shtator 2024 dhe statusi i investitorit strategjik u dha në dhjetor 2024. Megjithatë banorët thonë se nuk kanë qenë realisht pjesë e procesit dhe e kanë mësuar projektin vetëm kur mbërritën ekskavatorët.

Rrjolli është një rast model për një proces më të madh. Shqipëria nuk po zhvillon vetëm turizëm. Po ndryshon strukturën e pronës dhe përdorimit të bregdetit.

Nëse projekti vazhdon, Rrjolli do të ndryshojë përgjithmonë – nga zonë ekologjike dhe gjysmë-bujqësore në zonë resortesh. Nëse ndalet, do të krijojë precedent për të gjitha investimet strategjike në bregdet. Dhe kjo është arsyeja pse beteja për një fshat të vogël në Velipojë është, në të vërtetë, një debat mbi të ardhmen e gjithë vijës bregdetare shqiptare.

Lexoni gjithashtu:

The post Përplasja për bregdetin e Rrjollit në Velipojë, nga zonë e mbrojtur në resort €280 milionësh appeared first on Citizens.al.

Nga reforma te përplasja: Rama sfidon pavarësinë e drejtësisë

Përplasjet mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë tashmë janë të qarta, madje kanë përshkallëzuar. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndërhyrje për ndryshime ligjore pas zhvillimeve në çështjen që lidhej me zëvendëskryeministren Belinda Ballukun në Gjykatën Kushtetuese.

Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të hënën, Rama deklaroi se do të propozojë ndryshime ligjore për të mos lejuar, sipas tij, ndërhyrjen e pushtetit gjyqësor në atë ekzekutiv.

Qëndrimi vjen pas vendimit të Kushtetueses, e cila la në fuqi pezullimin nga detyra të numrit dy të qeverisë, masë e marrë më herët nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për të lehtësuar hetimet ndaj saj.

Drejtuesi i qendrës ligjore “ResPublica”, Dorian Matlija shprehet se teknikisht kryeministri mund të bëjë një ndërhyrje të tillë dhe i quhet e vlefshme, por nga ana politike e cilëson të shëmtuar.

“Mund ta bëjë [ndërhyrjen], por mund të ketë subjekte të interesuara që mund ta çojnë prapë në Gjykatë Kushtetuese dhe të ketë përplasje. Është një tollovi në vazhdim, që nuk do zgjidhet kollaj,” tha avokati Matlija për Citizens.al.

Sipas tij, “është dilentatizëm të ndryshosh Kodin e Procedurës Penale, ama nëse do të ndryshojë Kushtetutën, i duhen 94 vetë për atë pjesë”.

Një ndërhyrje e tillë rrezikon të krijojë precedent dhe mund të cenojë jo vetëm reformën në drejtësi, por edhe procesin e integrimit evropian të vendit.

“Ndërhyrje në mes të lojës”

Më 6 shkurt, GJKKO, me kërkesë të SPAK, vendosi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, e cila përveç postit të zëvendëskryeministres mban edhe postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Qeveria e ankimoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se në këtë masë po cenohej vullneti i qytetarëve dhe e drejta për të ushtruar pushtetin ekzekutiv.

Gjykata nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave për të dhënë një interpretim të qartë për çështjen.

Dalja në një vendim 4 me 4 solli rrëzimin e ankimit, për rrjedhojë pezullimi i saj nga detyra mbeti në fuqi. Megjithatë vlen të theksohet se Balluku vijon të mbajë mandatin e deputetes.

Mandati i deputetit ofron imunitet për masa të sigurisë si arrestimi apo kontrolli i banesës. Për këtë SPAK ka paraqitur në Kuvend edhe kërkesën për heqjen e imunitetit, kërkesë tp cilën shumica socialiste e mbajti prej muajsh pa shqyrtuar me pretekstin se “nevojitej të shprehej Gjykata Kushtetuese”.

Në një reagim publik Kryeministri Rama njoftoi se mazhoranca do të kërkojë zgjidhje përmes ndryshimeve në legjislacion dhe tregoi hapur se qeveria do ta mbrojë Ballukun duke mos ia lëshuar imunitetin.

“Deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit”, u shpreh Rama.

Përballë këtyre zhvillimeve, ekonomisti dhe drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), Zef Preçi, e konsideron problematike çdo ndryshim ligjor gjatë një procesi në zhvillim.

“Çfarëdo ndërhyrje ka efekt vetëm pas miratimit […] Nuk ka akte me efekt prapaveprues. Çështja do të hetohet sipas kuadrit ligjor aktual”, theksoi ai për Citizens.al.

Duke paralelizuar situatën me atë të shfaqur edhe në Serbi. Sipas Preçit, një konflikt i tillë institucional mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimit evropian të vendit.

Ai shton se mazhoranca mund të synojë zvarritjen procedurale të procesit parlamentar deri në afatet e parashikuara në rregullore.

Ndërsa qeveria ka lënë të kuptohet se nuk e konsideron urgjente shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut, Komisioni Evropian kërkon që Kuvendi të veprojë pa vonesa për procedurat që lidhen me heqjen e imunitetit.

Sipas Brukselit, trajtimi i këtyre çështjeve është përgjegjësi e parlamentit, ndërsa lufta kundër korrupsionit mbetet kusht kyç për avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Në raportin për Shqipërinë për vitin 2025, Komisioni theksoi se, megjithëse qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar, përpjekjet e zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ushtruar presion mbi drejtësinë mbeten shqetësim serioz”, citoi ReportTV një zëdhënësi të KE.

Lexoni gjithashtu:

The post Nga reforma te përplasja: Rama sfidon pavarësinë e drejtësisë appeared first on Citizens.al.

Një projekt turistik në UNESCO: Sa rrezikon Pogradeci trashëgiminë natyrore?

Dy ide “zhvillimi” po përplasen në Pogradec: njëra e sheh bregun e Liqenit të Pogradecit si trashëgimi natyrore e kulturore për t’u ruajtur, tjetra e trajton si truall për projekte masive turistike. Ky shkrim është një opinion kritik mbi projektet shumëkatëshe dhe transformimin urban që po i kanoset vijës së bregut liqenor në një zonë të mbrojtur dhe të lidhur me statusin e UNESCO-s së Liqenit të Ohrit.

Opinionin e mëposhtëm e ka shkruar Christian Défarge, lektor i lartë i geobiologjisë mjedisore në Universitetin e Orléans (Francë), i cili drejton një program studimi për inxhinieri gjeo-mjedisi dhe “qytetin e qëndrueshëm”, si dhe është kërkues shkencor në fushën e hidrogeologjisë dhe mjedisit.

Autor: Christian Défarge | Lektor, studiues, Francë.

1. Jo projektit të marinës me “rrokaqiej” në Giverny!

Imagjinoni një projekt kompleksi turistik, me dhjetëra kulla deri në 27 kate, të ngulitura diku midis lumit Seine në Paris, shtratin e të cilit do ta grryenin për të ndërtuar një port të madh për motoskafë dhe “jet-ski”, ose diçka të ngjashme në kopshtin e zambakëve të ujit të Monet-it, pothuajse i paprekur për më shumë se një shekull, në fshatin Giverny (Francë). Udhëtarë nga mbarë bota do të indinjoheshin dhe do të protestonin me forcë, që nga Amerika deri në Japoni e Kinë, sigurisht nëse zoti Xi nuk do të kishte kundërshtim.

E pra, kjo është ajo që po kërcënon në heshtje qytetin e vogël të Pogradecit në Shqipëri, në bregun jugor të Liqenit të Ohrit, në kufi me Maqedoninë e Veriut, i listuar në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s për vlerat e tij të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore.

Pikërisht në këtë qytet, zgjohet çdo mëngjes, ashtu si Monet-i me dritën e mëngjesit, një nga piktorët më të mëdhenj të Shqipërisë, artisti më i madh i gjallë sipas kolegëve të tij, Anastas Kostandini, i njohur me emrin artistik Taso.

Piktori Taso dhe vepra e tij kushtuar Lasgush Poradecit/Facebook.

Pogradecar i lindur (29 Korrik 1954), në kopshtin e tij artistik, Taso e ka kthyer këtë “vend të vogël”, me peizazhet, rrugët dhe banorët e tij, në një xhevahir universal.

Sipas Miguel Torgës, universali është “vendaliu pa mure”. Për ta thënë ndryshe, kolegu i Tasos, Salvador Dalí, përdori moton e Michel de Montaigne: “Njeriu mund të arrijë universalën vetëm duke u nisur nga ultra-vendorja”.

Mirëpo “lokales pa mure” duan t’i kundërvihen disa biznesmenë pa kulturë dhe arsim nëpërmjet një projekti që nuk ka asgjë të përbashkët me jetën vendore, duke krijuar përkundrazi mure të larta që shkatërrojnë peizazhin dhe çdo aset lokal, dhe duke transformuar atë çka ishte fillimisht një fshat modest peshkatarësh në një mini-Dubai.

Më e keqja është se këtë e bëjnë me mbështetjen e politikanëve pa vizion, gjoja nën pretekstin dhe premtimin, si kudo tjetër, të përfitimeve ekonomike – në fakt, kur nuk mund t’u sigurosh pjesës më të madhe të njerëzve një jetë të denjë, u premton “telebingon” e turizmit.

2. Kundër trans-peizazhimit global dhe uniform

Siç dihet, liqeni që rrethon Pogradecin është i regjistruar si Trashëgimi Botërore e UNESCO-s për vlerat e tij natyrore dhe kulturore. Por përtej kësaj njohjeje zyrtare, ai është edhe shembulli i përsosur i një socio-ekosistemi virtuoz me dy karakteristika të tjera të jashtëzakonshme që do t’ia vlente t’i përmendim.

Gati 300 metra i thellë, ky liqen është më i thelli në Ballkan dhe një nga më të vjetrit në botë, madje më i vjetër edhe se vetë njerëzimi. I konsideruar edhe si një nga më të pasurit me specie endemike, liqeni është para së gjithash një fenomen i rrallë gjeologjik: ushqimin kryesor ujor e merr nga një tjetër liqen, 150 metra më lart se ai, Prespa e Madhe (e përbashkët mes Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut) nëpërmjet korridoreve nëntokësore karstike. Ndërsa Prespa e Madhe furnizohet vetë, përmes një shiriti të ngushtë toke (Koula) nga Prespa e Vogël, e ndodhur vetëm 3 metra më lart, mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Urë lidhëse midis tre vendeve ballkanike, Liqeni i Ohrit vazhdon rrjedhjen e tij nëpërmjet Drinit të Zi, duke përshkuar Maqedoninë e Veriut dhe më pas Shqipërinë, për t’u derdhur së fundi në Detin Adriatik pranë kufirit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi (njësoj si – në mënyrë simbolike – “Emigrimi i ngjalave”, kaq domethënëse për shkrimtarin e madh shqiptaro-maqedonas Luan Starova, me origjinë nga Pogradeci).

Kjo mënyrë qarkullimi ujërash në formë kaskade, e ushqyer nga burime nëntokësore ujërash të ëmbla, i jep liqenit një pastërti dhe qartësi të kulluar. Fatkeqësisht, kjo kthjelltësi do të errësohej përgjithmonë nga reflektimi monstruoz dhe i zymtë i mureve gjigante prej xhami dhe betoni.

Projekti i Marinës së Pogradecit/Arlis Ndërtim.

Por ky vend nuk është i jashtëzakonshëm vetëm për veçoritë e tij natyrore dhe faktin që ka mbetur pothuajse i paprekur. Ai është i jashtëzakonshëm edhe për autenticitetin e ruajtur të fshatrave përreth, mentalitetin e banorëve, të cilët ndajnë me njëri-tjetrin të njëjtin stil jetese apo zakone kulinare, në të gjitha brigjet e liqenit.

Dhe askush deri më sot, as në bregun maqedonas në Ohër apo Strugë, shumë herë më të frekuentuar nga turistët pasi bregu i liqenit ka shërbyer dhe shërben si rivierë për një vend pa akses në det, nuk e kishte deformuar kësisoj peizazhin unik socio-kulturor, me të tillë shkatërrim, si projekti i ri i Pogradecit.

Ky projekt i ashtuquajtur zhvillim, i njohur dhe i aplikuar prej vitesh në bregun e Mesdheut, mund të përshkruhet si “trans-peizazhim”. Ashtu si trans-humanizmi, qëllimi i tij është që, nën petkun e gjoja perspektivave marramendëse dhe garës për konkurrencë globale në turizëm, të maskojë mungesën e vullnetit politik për të ndërmarrë aksione konkrete për të ruajtur karakterin lokal, për të mbrojtur mjedisin dhe përmirësuar jetesën e banorëve rreth e qark.

Në fakt, trans-peizazhizmi promovon një lloj uniformiteti global që prodhon vetëm varfëri.

Ky projekt është jo vetëm i papranueshëm dhe përbuzës ndaj banorëve të Pogradecit dhe rajonit përreth, por duket edhe krejtësisht i marrë, pasi ndërtesa e vetme disi e lartë në qytet (10 kate), e ndodhur jo larg perimetrit të ndërtimit, ka maksimumi një deri në tre apartamente të banuara. Por ndoshta qëllimi i tij i vërtetë nuk është t’i shesë ose t’i japë me qira këto banesa dhe vende parkimi, por vetëm thjesht t’i ndërtojë?

3. Këtu rreh zemra e Evropës

Si qytetarë të kësaj bote kemi jo vetëm të drejta, por edhe detyrime ndaj objekteve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe më gjerë në mbrojtje të njerëzimit, vlerave të tij dhe planetit nga politikat “zhvilluese” që po kërcënojnë seriozisht integritetin e tyre dhe të ardhmen e brezave që vijnë.

Si qytetarë evropianë, detyrimet janë më të mëdha ndaj kësaj pjese të panjohur, të nënvlerësuar dhe të neglizhuar të Evropës, siç është rajoni i Liqenit të Ohrit.

Sepse, së pari, rajoni ka qenë etapë thelbësore e Via Egnatia-s, e cila lidhte Romën me Bizantin, nga bregu i Adriatikut dhe përmes bregut verior të liqenit, duke kontribuar në përhapjen e krishterimit në të gjithë rajonin. Pikërisht në brigjet e këtij liqeni, dy dishepujt e Kirilit dhe Metodit, Klementi dhe Naumi, thuhet se kanë qenë kontribues të rëndësishëm në krijimin e alfabetit cirilik, i përdorur ende sot nga gjysma lindore e Evropës (ky alfabet u bazua në një tjetër alfabet më të hershëm, glagolitik, i hartuar nga Kirili dhe Metodi, me qëllim ungjillëzimin e popujve sllavë duke filluar nga Kostandinopoja).

Në vitin 886, Klementi themeloi shkollën e tij letrare në Ohër, e konsideruar jo vetëm si universiteti i parë në Ballkan dhe universiteti i parë sllav, por edhe më i lashti në Evropë, duke i paraprirë me gati 1 apo 2 shekuj universiteteve të Parmës, Bolonjës, Oksfordit apo Sorbonës, të cituara si më të vjetrat në Evropë).

Naumit i njohim manastirin e famshëm që mban emrin e tij në bregun jugor të liqenit, aty ku ndodhet dhe varri i tij, i kthyer në një nga vendet më të njohura të pelegrinazhit ortodoks. Vetë Ohri konsiderohet si Jeruzalemi i sllavëve.

Në Ohrin e mrekullueshëm, në fund të shekullit të XIII, në kupolat dhe muret e Kishës së Shën Nënës së Zotit Perivleptos, dy vëllezërit grekë, Michalis Astrapas dhe Eutychios, të formuar si piktorë në Malin e Athosit, thyen traditën e afreskeve bizantine duke sjellë elemente novatore në planin e perspektivës, realizmit, anës emocionale dhe sensibilitetit, të cilat do të revolucionarizonin pikturën evropiane, pasi do të përvetësoheshin dhjetë vjet më vonë në fresket e Kapelës Scrovegni në Padovë nga vetë Giotto, paraardhësi i Rilindjes Italiane.

Ishte përsëri këtu, në pjesën anësore të kësaj kishe, që në vitin 1516 u konceptua pinakoteka e parë, e konsideruar si galeria më e vjetër e artit në botë.

Nuk mbaron me kaq! Në anën tjetër të kreshtave malore që rrethojnë liqenin është Manastiri (Bitola), në Maqedoninë e Veriut, vendi ku ndodhen varrezat më të mëdha ushtarake franceze jashtë territorit të Francës (një tjetër është në Korçë, Shqipëri), dëshmi të kobshme dhe të heshtura të rëndësisë së Frontit Lindor gjatë Luftës së Parë Botërore, i cili luajti një rol jo të vogël në fitoren përfundimtare të Aleatëve, krejt i neglizhuar sot nga kujtesa perëndimore (ashtu si qindra luftëtarët afrikanë që prehen atje, larg vendlindjes së tyre).

Ndërsa në Florinë, Greqi, dhe rrethinat e saj, peizazhet u bënë sfondi dhe burimi i frymëzimit për shumë nga kryeveprat e Theo Angelopoulos, më evropiani i regjisorëve rajonalë.

E pra, në këtë “tjetër Evropë” që edhe Milan Kundera e la padrejtësisht në harresë, ashtu si të gjithë në Perëndim, pikërisht për faktin se është tepër ortodokse dhe myslimane, zemra e tërë Evropës rreh këtu më fort se kudo.

Dhe këtë zemër, të ardhur nga lashtësia por që është ende gjallë, të vendosur gjeografikisht majtas-poshtë, sepse më afër rrënjëve latine-kristiane dhe greke të qytetërimit evropian, duan ta zëvendësojnë me një zemër artificiale dhe pa shpirt, të shkëputur nga realiteti, për të projektuar nga kompjuteri një uniformitet peizazhesh ku gjithçka në botë të ngjasojë me një ekskavator gjigant global, për të shërbyer si sfond unik për video reklamuese turistike.

Në vend që të ruajmë territorin, ta bëjmë të jetojë më mirë apo ta ringjallim, barbarët përgatiten të shkaktojnë vdekjen e saj përfundimtare përmes një transplanti të kotë dhe pa asnjë perspektivë.

Projekti i Marinës së Pogradecit/Arlis Ndërtim.

Atë çfarë nuk arritën të zhdukin konfliktet e shumta që kanë përfshirë rajonin, nga luftërat ballkanike në fillim të shekullit të XX, me eksperimentet e artilerisë së rëndë apo deportimet dhe masakrat masive e deri te dy luftërat botërore, atë çka kanë dështuar të shkatërrojnë fashizmi, komunizmi, maoizmi dhe, më në fund, stalinizmi, në aspektin e jetës autentike dhe natyrës në brigjet e këtij liqeni, një grusht barbarësh të etur për para ka të ngjarë ta arrijë brenda pak muajsh.

4. Për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm: turizmit stacionar

Shqipëria gati po asfiksohet nga invazionet turistike, që në një farë mënyre i ka provokuar vetvetes: aeroporti i kryeqytetit, edhe pse i zgjeruar së fundmi, është i mbipopulluar gjatë gjithë stinës së verës.

Për të akomoduar turmat në rritje të pushuesve në plazh, një aeroport i dytë është duke marrë formë në jugperëndim të vendit, pranë Vlorës, midis estuarit të Vjosës dhe lagunës së Nartës, dy zona të mbrojtura natyrore, duke shpërfillur rrezikun e ndërprerjes së migracionit të zogjve, për të cilin zona shërben si ndalesë thelbësore.

Kufijtë e saj tokësorë po bëhen gati të pakalueshëm, rrugët janë të mbipopulluara, plazhet të tejngopura…

Çka është për të ardhur keq është fakti se ky fluks turistik nuk vjen nga dëshira për të zbuluar veçoritë unike të këtij vendi – më ka ndodhur shpesh të dëgjoj dialogje turistësh në kthim, teksa presin në sallonet e aeroportit, të cilët pyesin njëri-tjetrin se ç’do këtu ky flamur me dy koka shqiponjash, ose pse ka kaq shumë xhami në këtë vend evropian…

Jo, arsyeja kryesore është se kostoja e jetesës është ende e ulët në krahasim me diku tjetër në bregun verior të Mesdheut. Dhe kur, ashtu si në Kroaci dhe Mal të Zi, çmimet edhe këtu do të rriten ndjeshëm, rrjedhat turistike do të zhvendosen akoma më në jug, po qe nevoja deri në Mozambik apo Bangladesh.

Ndaj, ky model zhvillimi turistik është pa të ardhme të vërtetë.

Nga ana tjetër, restoranti më i njohur në Shqipëri, “Mrizi i Zanave”, pranë Lezhës, në veriperëndim të vendit, shërben si pikë referimi për lëvizjen globale “Slow Food”, ashtu si “Fustanella” në Petrelë, një nga më të mirët në Tiranë dhe rrethinat e saj, të dy shembuj të agroturizmit që po përhapet në të gjithë vendin.

“Hani i Gështenjave”, në lartësitë e Pogradecit, i konceptuar mbi një fermë dhe me një pamje mahnitëse mbi liqen, është një shembull tjetër i kohëve të fundit.

Nuk mund të lëmë pa përmendur zonën e Përmetit, pranë kufirit jugor me Greqinë, e cila prej kohësh i është përkushtuar ekoturizmit. Këto iniciativa dëshmojnë se një lloj tjetër turizmi është i mundur në Shqipëri.

Shembull i përkryer është qasja tradicionale ndaj turizmit që lëvrohet ende përreth Liqenit të Ohrit, dhe kjo, pavarësisht frekuentimit të madh gjatë stinës së verës.

Ky model turizmi respekton jetën e banorëve dhe natyrën përreth, autenticitetin e zonës, ku secili ruan karakterin dhe veçoritë e veta specifike. Kjo lloj mënyre e të bërit turizëm përputhet në mënyrë të përkryer me idenë e “gjendjes statike”, të teorizuar nga ekonomisti anglez John Stuart Mill: zhvillim pa prishur ekuilibrin natyror dhe kulturor, përmirësim pa turbulluar gjithçka, progres pa shkatërrim – i vetmi progres i vërtetë.

Ka shumë për të bërë në zonën e Pogradecit për të arritur këtë “model statik”: përmirësimi i cilësisë së ujit të lumit që derdhet në liqen; rregullimi i trotuareve dhe zonave për këmbësorë; pistat e biçikletave; sinjalizimi i shtigjeve për shëtitje dhe i thesarëve natyrorë dhe kulturorë; zgjerimi i gamës së akomodimit tradicional, etj.

Sa do të na pëlqente të gjithëve, p.sh., ideja e krijimit të një muzeu të madh modern dedikuar liqenit, në vendin e projektit famëkeq.

Muze të tillë limnologjikë njihen gjithsej vetëm tre në botë, ndryshe nga muzetë oqeanografikë, të cilët janë të shumtë. Dhe njëri prej të treve ndodhet pikërisht në brigjet e Liqenit Baikal, shumë i ngjashëm me Liqenin e Ohrit, për nga vjetërsia me miliona vjet, biodiversiteti i jashtëzakonshëm, përfshirë speciet endemike, si edhe statusi i Trashëgimisë Botërore.

Pse jo pra një muze që përshkruan dhe ilustron historinë natyrore dhe kulturore të liqenit, duke filluar nga gjeologjia dhe biologjia e tij unike (origjina tektonike dhe karstike, mënyra e furnizimit me ujë, korani, sfungjerët, algat mikroskopike, kërmijtë, etj.), duke vazhduar më tej me vendbanimet e ndryshme në brigjet e liqenit, siç është banesa qindravjeçare e sapozbuluar pranë Linit, në veriperëndim të bregut shqiptar, e njohur si vendbanimi më i vjetër i këtij lloji në Evropë, për të përfunduar me figurat artistike dhe letrare që ka nxjerrë ky vend, si fotografi Misto Çiçi apo piktori Anastas Kostandini, me salla të dedikuara promovimit të shkrimtarëve të tij të mëdhenj por pak të njohur në botë, si Lasgush Pogradeci dhe Mitrush Kuteli (letërsia shqiptare nuk fillon dhe mbaron me Ismail Kadarenë).

Një muze që mund të sponsorizohej nga vetë UNESCO.

Aktualisht, muzeu i vetëm që prezanton trashëgiminë natyrore dhe kulturore të zonës së Liqenit të Ohrit ndodhet në Strugë, në bregun verior maqedonas.

Ky muze, i themeluar në vitin 1928 nga Nikola Nezlobinski, një mjek rus i internuar pas Revolucionit të vitit 1917, ndodhet sot në gjendje jo të mirë megjithë pozicionin e tij të jashtëzakonshëm gjeografik, në Gjirin e Kockave, në Peštan. Gjithashtu, koleksionet arkeologjike të muzeut të vogël në Pogradec meritojnë një ambient më mbresëlënës.

Po ashtu, ai i dedikuar Misto Çiçit, i vendosur aktualisht në banesën e tij familjare, për të mos folur për shtëpinë e Lasgush Pogradecit, pothuajse e mbyllur shumicën e kohës.

Ky lloj muzeu mund të tërhiqte një shtresë tjetër turistësh, përfshirë ata përtej kufirit dhe gjithë vendeve sllave, për të cilët ndalesa e fundit është zakonisht manastiri i Shën Naumit.

Ky muze do të favorizonte për rrjedhojë edhe dialogun midis dy brigjeve, duke nderuar kështu edhe Luan Starovën, shkrimtar i ushqyer pikërisht nga gjithë këto identitete lokale, të cilave u kushtoi pjesën më të madhe të veprës së tij, mendimtar largpamës i cili druhej se “Ballkani do të mbetet i mallkuar për sa kohë që kufijtë e tij nuk do të harrohen”.

Muzeu mund të konceptohet në formën e një hapësire të vetme, të ajrosur dhe të hapur, me fasada transparente si vetë ujërat e liqenit, në mënyrë që të mos pengojë perspektivën dhe pamjen e liqenit nga qyteti apo të qytetit nga bregu i liqenit.

Hapësira duhet të jetë në gjendje të presë ekspozita të përkohshme dhe të promovojë figura artistike, letrare dhe shkencore të anës tjetër të liqenit (Vangel Kodžoman, vëllezërit Miladinov, Nikola Nezlobinski…).

Me një fjalë, krejt e kundërta e projektit aktual, i cili është opak, mbytës, si ndonjë Perde e Hekurt në breg të liqenit, apo si port-avion funebër i një flote që përgatitet ta gllabërojë liqenin, para të cilit flota franceze aktive gjatë Luftës së Parë Botërore e Ohrit dhe Prespës do të dukej në retrospektivë jo më kërcënuese se ajo e anijeve tradicionale të peshkimit.

Së fundi, një muze që do të nxirrte në dritë sfidat e ruajtjes së kësaj trashëgimie, rrezikun nga peshkimi i tepruar, nga ndotjet minerale, ndërtimet e pakontrolluara, ulja e niveleve të liqeneve, tashmë të dukshme në të dy liqenet e Prespës.

Ndërsa vijat bregdetare kudo po tërhiqen për shkak të ngritjes së niveleve të detit si rezultat i ngrohjes globale, në liqene po ndodh e kundërta: ato tërhiqen, siç është shembulli konkret në liqenet e Prespës, të cilat rrezikojnë tharjen, ashtu siç ndodhi me Detin Aral…

Një peticion i qytetarëve, i nisur nga banorët e Pogradecit, mund të shihet dhe të nënshkruhet në adresën e mëposhtme: www.change.org/p/stop-ndërtimeve-shumëkatëshe-në-breg-të-liqenit-të-ohrit-në-pogradec

(Ky tekst u përshtat nga frëngjishtja me ndihmën e DeepL dhe Nevila Jozja.)

The post Një projekt turistik në UNESCO: Sa rrezikon Pogradeci trashëgiminë natyrore? appeared first on Citizens.al.

Organizatat e medias: Reforma e RTSH-së të bëhet pa presion politik

Një grup organizatash shqiptare dhe ndërkombëtare për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare që reforma për Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) të mbështetet në mjete të ligjshme dhe demokratike.

Kjo thirrje vjen pas deklaratave të fundit të Kryemnistrit Edi Rama për performancën dhe financimin e RTSH-së, ku mes të tjerash ai hodhi edhe idenë e pezullimit të financimit apo mbyllje të mundshme të transmetuesit publik.

Sipas organizatave nënshkruese mes tyre Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, Reporterët pa Kufij (RSF), Aleanca për Median Publike (PMA) dhe partnerët e Media Freedom Radip Response (MFRR), ekziston një konsensus i gjerë se RTSH prej vitesh përballet me probleme serioze strukturore, përfshirë dobësi në qeverisje dhe mbikëqyrje të pavarur, paqëndrueshmëri financiare, rënie të besimit publik dhe mangësi profesionale në përmbushjen e misionit si media e shërbimit publik.

Megjithatë, ato theksojnë se nevoja për reformë nuk duhet të shoqërohet me masa që bien ndesh me standardet evropiane.

“Dakordësia mbi objektivat e reformës nuk nënkupton dakordësi mbi çdo instrument të përdorur për arritjen e tyre”, thuhet në deklaratë, ku vihet theksi se financimi i medias publike duhet të jetë i qëndrueshëm, i parashikueshëm dhe i mbrojtur nga ndërhyrja politike.

Sipas deklaratës, shërbimi i medias publike është e ndryshme nga I mediave private.

“Roli i medias publike nuk është të konkurrojë sipas logjikës së tregut, por të garantojë akses universal në informacion të paanshëm, programe kulturore dhe arsimore, si dhe hapësirë për debat demokratik”, thuhet në deklaratë.

Nisur edhe nga procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, dhe nga nevoja për të plotësuar detyrimet e Grup Kapitullit të Parë, Themelore, organizatat theksojnë që është një kërkesë thelbësore demokratike që RTSH-ja të jetë e pavarur, e përgjegjshme dhe e qëndrueshme.

Ata kërkojnë që reforma të ndiqet përmes mekanizmave të qeverisjes dhe llogaridhënies së parashikuar me ligj; të mbrohet financimi i medias nga kushtëzimi politik; përpjekjet reformuese të forcojnë pavarësinë, lirinë editoriale dhe besimin në publik dhe debati pulbik mbi RTSH-në të jetë i bazuar në standarde dhe jo pasiguri institucionale.

Lexo gjithashtu:

The post Organizatat e medias: Reforma e RTSH-së të bëhet pa presion politik appeared first on Citizens.al.

Matja e performancës vendore: Një investim për qeverisje më të hapur dhe transparente

Autor: Dr. Armea Xhaho, Eksperte e Qeverisjes Vendore

Në kushtet kur decentralizimi dhe forcimi i autonomisë vendore janë pjesë e reformave kryesore institucionale në Shqipëri, aftësia e bashkive për të planifikuar dhe ofruar shërbime cilësore mbetet një element i rëndësishëm i qeverisjes vendore. Kuadri ligjor parashikon matjen dhe raportimin e performancës në njësitë e vetëqeverisjes vendore, si pjesë e mekanizmave të transparencës dhe llogaridhënies. Megjithatë, ngritja formale e strukturave administrative nuk mjafton pa sisteme funksionale dhe të qëndrueshme, të cilat duhet të jenë të kuptueshme dhe të aksesueshme edhe për shoqërinë civile dhe median.

Në këtë kuadër, projekti “Bashki të Forta” (BtF), i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Qeveria e Suedisë dhe i zbatuar nga Helvetas, ka mbështetur që prej vitit 2019 bashkitë e vendit në ndërtimin dhe konsolidimin e një sistemi të strukturuar për matjen e performancës vendore.

Sistemi i Matjes dhe Raportimit së Performancës është një mekanizmin kombëtar dhe vendor për mbledhjen, përpunimin dhe analizimin e të dhënave mbi ofrimin e shërbimeve nga bashkitë. Treguesit e performancës përbëjnë thelbin e sistemit, pasi përmes tyre objektivat e politikave dhe të shërbimeve përkthehen në rezultate të matshme dhe të krahasueshme. Raportet e performancës bashkiake materializojnë këtë proces, duke sintetizuar të dhënat dhe analizën në një dokument që shërben si bazë për informim, vendimmarrje dhe llogaridhënie.

Evolucioni i raporteve të performancës ka kaluar nga një qasje me fokus financiar drejt një formati të ri të orientuar nga rezultatet dhe shërbimet. Ky proces kulmoi me hartimin e Raportit të Parë Kombëtar të Performancës për Nivelin Vendor në vitin 2024, duke krijuar bazën për krahasueshmëri dhe transparencë ndërbashkiake. Raportet e Performancës së bashkive ofrojnë një pasqyrë të qartë dhe të strukturuar mbi performancën e bashkive në 11 fushat kryesore të vlerësimit për vitet 2023-2024: arsimi parauniversitar, menaxhimi i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, administrimi i pyjeve dhe kullotave, menaxhimi i mbetjeve, mbrojtja nga zjarri, mbrojtja sociale, burimet njerëzore, transparenca, barazia gjinore, integrimi në BE, menaxhimi financiar.

Përmes treguesve të standardizuar dhe të krahasueshëm, bashkitë mund të identifikojnë me saktësi arritjet dhe mangësitë në ofrimin e shërbimeve publike, të optimizojnë përdorimin e burimeve të kufizuara dhe të mbështesin vendimmarrjen mbi bazën e të dhënave. Së fundmi, performanca po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm, pasi instrumente të tilla si Grantet me Bazë Performance krijojnë incentiva për të lidhur cilësinë e rezultateve me përfitime konkrete financiare për bashkitë.

Raportimi i performancës ndihmon në lidhjen e planifikimit strategjik, buxhetimit dhe vlerësimit të rezultateve në një cikël të integruar të menaxhimit publik, në përputhje me praktikat e përdorura në vendet e Bashkimit Evropian.

Matja dhe publikimi i performancës së bashkive nuk janë thjesht një detyrim ligjor, por një instrument strategjik për përmirësimin e qeverisjes vendore. Në realitetin shqiptar, ku besimi i qytetarëve ndaj institucioneve publike vendore është shpesh i lëkundur, matja dhe publikimi i performancës luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një kulture transparence dhe llogaridhënieje. Në frymën e transparencës që kërkon Ligji nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, i ndryshuar, matja e performancës së institucioneve publike pasqyrohet përmes publikimit të informacionit mbi shërbimet e ofruara dhe standardet e cilësisë, duke i dhënë qytetarëve një pasqyrë të qartë mbi nivelin e shërbimit që marrin.

Roli i shoqërisë civile dhe medias

Përfshirja e shoqërisë civile, medias dhe institucioneve akademike konsiderohet një element i rëndësishëm për funksionimin e sistemit të performancës. Monitorimi në nivel vendor fiton më shumë kuptim kur rezultatet analizohen dhe komunikohen në mënyrë të kuptueshme për publikun. Në këtë kuadër, organizatat partnere të projektit, Instituti për Shkencë, Edukim dhe Politika Zhvillimi (ISHEP) dhe organizata LIBURNETIK, kanë ofruar asistencë teknike për forcimin e kapaciteteve të bashkive dhe të shoqërisë civile në fushën e menaxhimit të performancës vendore.

Si pjesë e kësaj qasjeje, janë organizuar trajnime rajonale me pjesëmarrjen e 35 përfaqësuesve të mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, të fokusuara në sistemin e matjes së performancës së bashkive dhe përdorimin e Raportit Vendor të Performancës si instrument për monitorim dhe analizë publike.

Këto aktivitete shërbyen si platforma informuese për prezantimin e Sistemit të Matjes dhe Raportimit Vendor të Performancës dhe për diskutimin e kuadrit ligjor, institucional dhe praktik të këtij procesi. Pjesëmarrësit u njohën me lidhjen mes matjes së performancës, përdorimit të të dhënave në vendimmarrje dhe përmbushjes së kërkesave që lidhen me procesin e integrimit evropian dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Performanca vendore dhe integrimi evropian

Në kontekstin shqiptar, nevoja për ngritjen e një sistemi funksional dhe të qëndrueshëm për matjen e performancës së bashkive nuk është vetëm një kërkesë e brendshme për përmirësim të qeverisjes vendore, por një domosdoshmëri që lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit evropian dhe angazhimet ndërkombëtare të vendit. Institucionalizimi i matjes së performancës në nivel vendor është një kusht thelbësor për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare të qeverisjes së mirë. Sipas praktikave të Bashkimit Evropian për menaxhimin e fondeve, matja e performancës së institucioneve dhe projekteve pasqyrohet drejtpërdrejt në përmbushjen e standardeve vlerësuese të BE-së, ku cilësia e planifikimit, përgatitja e portofolit të projekteve dhe kapaciteti për zbatim lidhen ngushtë me sigurimin dhe përdorimin efektiv të fondeve evropiane, veçanërisht në nivel vendor.

Bashkitë që disponojnë struktura funksionale për matjen dhe raportimin e performancës janë më të besueshme për partnerët ndërkombëtarë, më të afta për të përthithur fonde të bazuara në performancë dhe më konkurruese në aplikimet për fonde IPA dhe programe të tjera të BE-së. Konsolidimi i mëtejshëm i Sistemit të Matjes së Performancës në bashki përfaqëson një hap thelbësor për një qeverisje vendore më të hapur, më të përgjegjshme dhe të orientuar drejt rezultateve. Në këtë proces, shoqëria civile dhe media luajnë një rol të rëndësishëm në analizimin dhe komunikimin e të dhënave, duke kontribuar në forcimin e llogaridhënies dhe nxitjen e një debati publik të informuar mbi qeverisjen dhe shërbimet publike në nivel vendor.

The post Matja e performancës vendore: Një investim për qeverisje më të hapur dhe transparente appeared first on Citizens.al.

Faqe anonime linçojnë aktivistët e Zall-Gjoçajt

Faqe anonime në Facebook dhe Instagram të quajtura “Zall Gjoçaj” dhe të hapura së fundmi, kanë nisur publikimin e një serie me materiale që synojnë të diskreditojnë, Dhimitër Kolecin dhe Jorgj Locajn, aktivistë nga Zall-Gjoçaj dhe fshati Lufaj të njohur për kundërshtimin e projekteve të hidrocentraleve të kompanisë “Seka Hydropower”.

Faqet u aktivizuan më 2 dhe 5 shkurt 2026 dhe deri më tani kanë botuar të paktën tre video të montuara, të cilat marrin pjesë nga intervistat dhe postimet e Kolecit dhe Locajt dhe shoqërohen me mbishkrime dhe “kundër-argumente”, të cilat synojnë t’i portretizojnë aktivistët si “mashtrues” dhe “gjobaxhinjë”.

Pavarësisht se faqja në Facebook (link) ka vetëm katër ndjekës dhe ajo në Instagram asnjë (link), videot kanë arritur shikueshmëri nga 9 mijë deri në 30 mijë shikime, çka lë të nënkuptohet se personat pas këtij linçimi mund ta kenë sponsorizuar përmbajtjen (të paktën videot në Facebook), për ta shpërndarë më shumë në rrjet.

Në komente vërehen reagime skeptike nga qytetarë që kërkojnë shpjegime për motivet e publikimeve.

Citizens.al vuri re se faqja “Zall-Gjoçaj” ndërvepronte ngushtë me dy faqe të tjera anonime: “Bukuritë Zall-Gjoçaj” (link) dhe “Alisa Interact” (link).

E para shpërndante të njëjtat video, ndërsa e dyta nuk kishte postime, por dukej se shërbente si profil mbështetës në komentet dhe përgjigjet ndaj qytetarëve.

Këto faqe nuk kanë transparencë mbi administratorët apo qëllimin e tyre teksa struktura e ndërveprimit sugjeron një veprimtari të koordinuar për të linçuar aktivistët në fjalë.

“Presion për të na heshtur”

I pyetur nga Citizens.al, Dhimitër Koleci hodhi dyshimin se pas sulmeve mund të qëndrojë kompania “Seka Hydropower”, ose persona të lidhur me të. Kompania në fjalë ka ndërtuar hidrocentralin në Zall-Gjoçaj.

“Dalin me profile false, i ndryshojnë herë pas here, njëherë nxjerrin bukuritë e Zall-Gjoçajt, njëherë një emër tjetër, nuk dimë se kush janë,” tha Koleci, “Është presion i hapur për të na dëmtuar si aktivistë.”

Citizens.al kontaktoi administratorin e “Seka Hydropower”, Bardhyl Muçeku, për të pyetur nëse kishte dijeni të situatës, por ai mohoi diçka të tillë, duke u shprehur se ishte kundër kësaj fushate linçimi.

Nga ana tjetër, Koleci theksoi se nuk ka pasur asgjë personale me drejtuesit apo njerëzit pas kompanisë “Seka Hydropower”, dhe e gjithë kjo fushatë po ndodh me qëllim dëmtimin e figurës së tij publike dhe demoralizimi i komunitetit që ka kundërshtuar hidrocentralet.

“Ky nuk është më vetëm problem personal. Kam familje dhe reputacion në shoqëri,” shtoi ai.

Aktivistë të angazhuar në mbrojtjen e Zall-Gjoçajt thanë për Citizens.al se sulmet në rrjetet sociale nisën menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Lezhës, e cila më 28 janar pushoi çështjen penale për shpifje dhe fyerje, të ngritur nga “Seka Hydropower” ndaj Dhimitër Kolecit, Jorgji Locajt dhe Adem Xhokolës, që të tre banorë të zonës.

Sipas aktivistëve, ky zhvillim shënoi një zhvendosje të presionit nga gjykata drejt rrjeteve sociale.

“Pas vendimit, u aktivizua një faqe në Facebook, që publikon materiale të përsëritura, video, fotografike dhe me shkrime duke akuzuar publikisht aktivistët për mashtrim dhe shpifje,” thanë aktivistët e Zall-Gjoçajt për Citizens.al.

Padia e kompanisë kishte të bënte me deklaratat publike të tre banorëve gjatë protestave, ku ata ngrinin shqetësime për ndikimin e hidrocentraleve në lumenjtë Flim dhe Urakë.

Pas shqyrtimit të fushatës linçuese, Dhimitër Koleci dhe aktivistë të tjerë të Zall-Gjoçajt depozituan një ankesë pranë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ankesa ka të bëjë me përpunim të paligjshëm të të dhënave, cenim të privatësisë dhe dëmtim të reputacionit.

Sipas ankesës, materialet filmike janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe janë ripërdorur në mënyrë selektive për të ndërtuar një narrativë diskredituese. Aktivistët kanë kërkuar fshirjen e përmbajtjeve, gjetjen dhe marrjen e masave administrative ndaj personave përgjegjës.

“Unë do ta vazhdoj betejën, nuk do të ndalem, ata nuk do ta arrijnë atë që duan të arrijnë. Unë jam me zë, me figurë, ata janë të fshehur!” theksoi Koleci.

Lexoni gjithashtu:

The post Faqe anonime linçojnë aktivistët e Zall-Gjoçajt appeared first on Citizens.al.

Banorët e Rrjollit përpara SPAK: “Kërkojmë pronat tona”

Pas tre ditësh përplasje të dhunshme me policinë kundër zhvillimit të resortit “Blue Borgo” në zonën mes Shëngjinit dhe Velipojës, banorët e Rrjollit u mblodhën sot para Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ku kërkuan ndërhyrjen e drejtësisë për të zgjidhur konfliktin e pronësisë së tokave ku po zhvillohet projekti.

Njësoj si rreth një vit më parë ata protestuan me pankarta para së njëjtës godinë, me të njëjtën kërkesë: Pezullimin e punimeve dhe hetimin e dokumentacionit që i kaloi pronësinë kompanisë “Gener 2”, të cilin ata e konsiderojnë të bërë me falsifikime.

Një vit më pas, sipas banorëve dhe avokatëve të tyre, nuk ka asnjë informacion nëse janë kryer veprime konkrete hetimore. Pas protestës së sotme, avokati Ndue Pjetra tha se SPAK ia ka deleguar çështjen Gjykatës dhe Prokurorisë së Shkodrës.

“Proces i zvarritur qëllimisht”

Avokati i banorëve, Ndue Pjetra, i tha Citizens.al se zvarritja e deritanishme e procesit ka qenë e qëllimshme. Sipas tij, kjo i jep kohë Fatmir Shpellzës, të dyshuar për falsifikim dokumentesh pronësie, “të rregullojë aktet”.

Pjetra kërkoi përfshirjen e Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), për të verifikuar nëse kompania “Gener 2”, që po punon në terren, po vepron në përputhje me ligjin.

“Nëse rezulton se gjithçka është në rregull, banorët do të tërhiqen nga kauza,” tha ai teksa shtoi se ata kanë depozituar një padi civile në Gjykatën e Shkodrës për prishje të pronësisë dhe njohje të saj në favor të banorëve, të cilët pretendojnë se e zotërojnë prej rreth 100 vitesh.

Prek Molla, banor i zonës, tha se të hënën, më 9 shkurt, ata do të paraqiten në institucionet e drejtësisë në Shkodër me qëllim që të kërkohet pezullimi i punimeve deri në një vendimmarrje përfundimtare.

Avokati Klodian Reçi ngriti shqetësimin për mungesën e kontrolleve institucionale. Ai paralelizoi reagimin e shpejtë të IKMT-së ndaj ndërtimeve të vogla dhe private me mungesën e verifikimeve për një projekt që shtrihet në rreth 146 hektarë nga një investitor strategjik “nuk shkon as për verifikime”.

Protesta u mbështet edhe nga përfaqësues të partive opozitare, përfshirë “Lëvizja Bashkë” dhe “Mundësia”. Ata ishin të pranishëm edhe në protestën e zhvilluar një ditë më parë në Rrjoll, ku pati edhe një person të lënduar.

“Me firmën e saj, Belinda Balluku po u shkatërron jetën njerëzve,” deklaroi Redi Muçi para SPAK-ut duke e cilësuar konfliktin si pjesë të një problemi të zgjatur 35-vjeçar të pronësisë në Shqipëri.

Barbara Doda nga partia “Mundësia”, shprehu mbështetjen për banorët.

Projekti i “Gener 2” parashikon një investim prej 280 milionë eurosh për ngritjen e 33 strukturave akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, përfshirë struktura hoteliere dhe sociale-kulturore.

Zona e zhvillimit parashikohet në rreth 146 hektarë me distancë rreth 2 kilometra larg monumentit natyror “Rana e Hedhun”. Ajo bën pjesë në nënzonën 1b të “Peizazhit të mbrojtur Lumi i Bunës-Velipojë”.

Në këtë nënzonë zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes mjedisore, e cila synon ruajtjen e biodiversitetit, duke lejuar aktivitete tradicionale, ekonomike dhe turistike, për sa kohë nuk cenojnë objektivat e mbrojtjes.

Me ndryshimet e Ligjit për Zonat e Mbrojtura, në vitin 2024, u përfshi edhe koncepti i “turizmit të ekselencës” i cili parashikon struktura akomoduese me standarde të larta arkitektonike dhe mjedisore.

Kështu, sipas nenit 33 të ligjit të rishikuar, tashmë lejohet zhvillimi i strukturave turistike 5-yje dhe infrastrukturës mbështetëse, edhe brenda zonave të mbrojtura.

Vendndodhja e projektit brenda zonës së mbrojtur “Lumi i Bunës-Velipoje”/Citizens.al

Në këtë kontekst, një vlerësim i bërë nga AKM ka dalë në përfundimin se projekti “Blue Borgo” nuk bie në kundërshtim me legjislacionin për zonat e mbrojtura.

Në një reagim publik më 5 shkurt, kompania “Gener 2” deklaroi se projekti “Blue Borgo”, i zhvilluar nga kompania tjetër pjesë e grupit “Aba Blue Borgo” (Aba Holding), është në përputhje të plotë me të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Sipas kompanisë, nga faza e konceptimit deri në marrjen e lejes përfundimtare të ndërtimit në dhjetor 2025, janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore. “Gener 2” thotë se janë zhvilluar dëgjesa publike dhe se nuk është cenuar asnjë e drejtë pronësie.

Kompania i cilëson të pabazuara dhe dezinformuese pretendimet për paligjshmëri. Ajo shprehet e vendosur ta vijojë projektin brenda afateve, duke e konsideruar projektin një stacion të rëndësishëm turistik për zonën.

Prej më shumë se një viti, konflikti mes banorëve që pretendojnë pronësinë e tokave dhe kompanisë që ka marrë lejen e ndërtimit mbetet pezull. Asnjë institucion i drejtësisë nuk ka dhënë ende një vendim përfundimtar.

“Kur do t’u vijë radha këtyre çështjeve?” pyeti avokati Reçi, “Kur të kenë vdekur dhe ato që kanë qenë para tyre, apo vetëm pasi resortet të jenë ndërtuar dhe të mos zhbëhen më?”

Lexoni gjithashtu:

The post Banorët e Rrjollit përpara SPAK: “Kërkojmë pronat tona” appeared first on Citizens.al.

Ndalimi i TikTok-ut bie, por beteja kushtetuese vazhdon

Gjykata Kushtetuese vendosi sot të mos japë një vendim përfundimtar për çështjen e ndalimit të platformës sociale Tik-Tok. Ajo dha kohë shtesë për palët e përfshira duke konsideruar se kishte ende pyetje për t’u shteruar.

Kështu, gjykata la afat deri më 12 shkurt për dorëzimin e komenteve dhe shpjegimeve shtesë, ndërsa seanca për konkluzionet përfundimtare u caktua për më 23 shkurt, në orën 10:00.

Vendimi pritet të përcaktojë jo vetëm fatin e aktit që ndaloi përkohësisht TikTok-un, por edhe standardin kushtetues mbi kufizimin e platformave digjitale nga pushteti ekzekutiv.

Tërheqja e qeverisë dhe vijimi i procesit në Kushtetuese

Seanca për shqyrtimin e ndalimit të përdorimit të platformës sociale TikTok nga qeveria shqiptare u mbajt paraditen e së enjtes në Gjykata Kushtetuese, por u parapri nga një zhvillim i papritur politik.

Dy ditë para seancës, qeveria miratoi vendimin Nr. 62, me të cilin shfuqizoi aktin e një viti më parë që ndalonte aksesin në TikTok.

Sipas vendimit të datës 3 shkurt, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore, duhet të ndërmarrë veprimet për heqjen e masave kufizuese, duke respektuar legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Padia në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të qeverisë ishte depozituar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative në Shqipëri (BIRN Albania) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), në mbrojtje të lirisë së medias dhe të shprehjes.

Përfaqësuesit e qeverisë argumentuan në seancën e Kushtetueses se shqyrtimi i çështjes është i panevojshëm, pasi vendimi që ndalonte TikTok-un tashmë është shfuqizuar.

“Vendimi e humb efektin e tij në afatin 12-mujor,” tha Herold Jonuzaj si përfaqësues i qeverisë, teksa shtoi se ai “do të shfuqizohej automatikisht brenda 6 marsit 2026.” Sipas tij, shfuqizimi ishte pjesë e një procesi negociimi me platformën për vendosjen e filtrave të kërkuar.

Avokati i palës paditëse, Franc Terihati, këmbënguli se çështja duhet të shqyrtohet pavarësisht vendimit të qeverisë për ta shfuqizuar ndalimin e platformës. Ai theksoi se akti normativ që e ndaloi Tik-Tok-un ka cenuar disa të drejta kushtetuese, përfshirë lirinë e shprehjes, të shtypit, të drejtën për informim dhe lirinë ekonomike.

Për këtë Terihati e konsideroi “çështje me interes madhor publik” ndaj dhe gjykata duhet të shprehet nëse vendimi ka qenë ose jo kushtetues gjatë kohës që ka qenë në fuqi.

Edhe përfaqësuesit e AGSH ngritën shqetësimin për rrezikun e një precedenti të krijuar. Ata e cilësuan gjithashtu problematike shfuqizimin e aktit vetëm 48 orë para seancës gjyqësore.

“Çfarë ndodh nëse çështja pushohet dhe pasnesër Këshilli i Ministrave rimblidhet për të bërë një akt tjetër të ri të ngjashëm?” u shpreh Isa Myzyraj nga AGSH duke theksuar se nga Gjykata Kushtetuese kërkohej vendosja e një standardi për raste të tilla edhe për qeveritë e ardhshme.

Trupa e Gjykatës Kushtetuese pyeti se cilat kishin qenë pasojat e ardhura nga mbyllja e platformës, pyetje së cilës përfaqësuesit e organizatave iu përgjigjën duke theksuar se pasojat kanë qenë konkrete, veçanërisht gjatë periudhës parazgjedhore.

Drejtorja ekzekutive e BIRN Albania, Kristina Voko, iu referua raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR, ku evidentohej se kufizimi i platformës cenoi të drejtën e kandidatëve për të informuar dhe të qytetarëve për të marrë informacion.

Voko përmendi gjithashtu marrëveshjen ekzistuese mes Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) dhe TikTok, e cila kishte shërbyer si mekanizëm funksional për adresimin e ankesave të qytetarëve.

“AMA në raportin e saj vjetor dhe në rezolutën drejtuar parlamentit thotë që ka qenë një praktikë shumë e mirë”, tha Voko.

Vendimi fillestar për mbylljen e TikTok u kundërshtua nga mbi 20 organizata të medias dhe shoqërisë civile, që e cilësuan atë si kufizim ekstrem të lirisë së shprehjes.

Në mars 2025, ankimimi për shpalljen antikushtetuese të vendimit u pranua për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, edhe pse kërkesa për pezullim nuk u miratua.

Lexo gjithashtu:

The post Ndalimi i TikTok-ut bie, por beteja kushtetuese vazhdon appeared first on Citizens.al.

Resorti “Blue Borgo”: Banorët përplasen me policinë, punimet vijojnë

Projekti i kompanisë “Gener 2” për të kthyer një pjesë të bregdetit mes Shëngjinit dhe Velipojës në një resort luksoz me emrin “Blue Borgo” ka nxitur sërish përplasje me banorët e zonës.

Prej së hënës dhjetëra banorë të Baks-Rrjollit në Shkodër, të cilët pretendojnë se ndërtimi po bëhet duke shkelur mbi të drejtat e tyre për pronën, janë në protestë.

Ata kërkojnë që punimet të pezullohen deri në një vendim nga gjykata. Përplasja mes tyre, policisë dhe grupit të investitorëve vijon prej vitit të shkuar, kur edhe atëherë kompania provoi të niste punimet në zonë.

Nga njëra anë qëndron një leje ndërtimi e firmosur nga qeveria dhe një investitor strategjik. Nga ana tjetër, dhjetëra familje që pretendojnë se investimi po bëhet pa pëlqimin e tyre, mbi toka të grabitura përmes dokumentesh të falsifikuara.

Përplasja me policinë dhe përshkallëzimi i çështjes

Të martën, rreth 30-40 banorë u shoqëruan në komisariat pasi bllokuan rrugën Shëngjin-Velipojë dhe u përpoqën të ndalnin punimet. Protesta vijoi edhe sot, ngjashëm, me bllokim të rrugës çka u shoqërua sërish me përplasje me policinë.

Pas rreth një ore pritjeje për ambulancë, një prej protestuesve, i cili humbi ndjenjat, u transportua me urgjencë për në spital.

Banorët paralajmëruan se të enjten do të udhëtojnë drejt Tiranës për t’iu drejtuar Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, ku prej marsit të vitit të kaluar kanë depozituar një kallëzim për çështjen e pronësisë, pa marrë ende një përgjigje publike.

Paralelisht, në zonë, kompania “Gener 2” vijon punimet. Makineritë e saj kishin hapur trasenë e rrugës dytësore për në kantier. Kamionë dhe makineri të rënda po lëviznin dherat, teksa një grup punonjësish qëndronin në anë, përballë protestuesve.

Pas përplasjeve dhe sinjalizimeve të banorëve, buzë rrugës ishte vënë një tabelë, e cila pavarësisht se fliste për projektin, nuk shoqërohej me lejen e zbardhur dhe firmosur të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU).

Zona e Baks-Rrjollit në Velipojë ku pritet të ngrihet resorti Blue Borgo/Citizens.al

Tabela tregonte se investimi përllogaritet në vlerën prej rreth 26.8 miliardë lekë (280 milionë euro) dhe se kompania “Gener 2” kishte marrë licencë zbatimi për projektin (NZ. 4586/34) më 16 shtator 2025. Kjo nënkupton se kompania kur provoi të hapte kantierin në mars 2025 nuk kishte licencë.

Në letër, KKTU e ka dhënë lejen e ndërtimit të resortit më 17 dhjetor 2024 – e zbardhur vetëm në janar 2026 në web-faqen e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit. Vendimi parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, përfshirë struktura hoteliere dhe sociale-kulturore.

Zona e zhvillimit parashikohet në rreth 146 hektarë mes “Ranës së Hedhun” dhe Rrjollit.

Sipas Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për projektin “Blue Borgo” qe zhvilluar konsultim publik në shtator 2024, në kuadër të procedurave për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM).

Konsultimi është pasqyruar në përmbledhjen jo-teknike të raportit mjedisor, ku projekti prezantohet si zhvillim turistik me ndikim të menaxhueshëm në mjedis.

Tabela e vendosur në kantierin e resortit “Blue Borgo”/Citizens.al

Në dhjetor 2024, projekti ka përfituar statusin e investitorit strategjik për strukturë akomoduese me pesë yje, duke i hapur rrugë përparësive procedurale dhe mbështetjes institucionale. Megjithatë, referuar një korrespondence të Citizens.al me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), deri në maj 2025, “i vetmi projekt me status aktiv” ishte projekti “Dukagjini Resort” me subjekt “Dukagjini Group”.

Sidoqoftë, këto vendimmarrje janë marrë paralelisht me një konflikt të hapur pronësie në zonë, i cili po kundërshtohet nga banorët dhe është ende në proces gjyqësor, duke e kthyer projektin në një nga rastet më të debatuara të zhvillimit turistik të momentit për bregdetin në veri.

Konflikti i pronës: Ligjshmëri formale, konflikt real

Thelbi i përplasjes nuk lidhet vetëm me përmasën e projektit, por me pronësinë e tokës. Banorët pretendojnë se parcela të trashëguara prej dekadash janë regjistruar në emër të palëve të treta përmes dokumenteve të falsifikuara dhe më pas janë shitur te investitori.

Pikërisht kjo çështje është objekt i një procesi gjyqësor ende në zhvillim. Banorët kërkojnë që, në kushtet e një konflikti të hapur pronësie, punimet të ndalen deri në një vendim përfundimtar, për të shmangur një situatë të pakthyeshme.

Megjithatë, leja e ndërtimit nuk parashikon asnjë klauzolë pezullimi në rast kontestimi gjyqësor, duke e zhvendosur konfliktin nga salla e gjyqit në terren, mes banorëve dhe policisë.

Kompania “Gener 2” reagoi vitin e shkuar duke theksuar përmes një njoftimi për shtyp se pretendimet janë spekulime dhe se ajo garantonte se “gjatë gjithë procesit, nuk ka shkelur të drejtat e pronës së askujt”.

Sipas lejes, subjekti zhvillues i projektit është shoqëria “ABA Blue Borgo”, e themeluar në janar 2024. Por, ajo është pjesë e grupit “Gener 2”, në pronësi si aksioner kryesor të sipërmarrësit Bashkim Ulaj.

Pamje e zonës bregdetare të Rrjollit dhe zona që parashikohet të merret për shfrytëzim nga resorti Blue Borgo.

Dokumentet tregojnë ndryshime të shpeshta në strukturën e ortakëve dhe transferime kuotash gjatë viteve 2024-2025, një element që banorët e përdorin si argument shtesë për të shtuar pretendimet për abuzime të mundshme.

Rasti i Rrjollit ndjek një model të njohur në zhvillimet turistike të viteve të fundit: projekte të mëdha të miratuara në nivel qendror, mbi toka me histori të paqarta pronësie, ku banorët përballen përpara faktit të kryer.

Ndërsa shteti e konsideron projektin si investim strategjik, banorët mbeten përballë vetëm një alternative: Zhvendosjes së pretendimeve në rrafshin juridik, çka nënkupton largimin nga prona.

Në mungesë të një reagimi publik nga SPAK apo nga qeveria që ka miratuar lejen, përplasja duket se do të thellohet pasi asnjë prej banorëve nuk duket se do të tërhiqet.

Lexoni gjithashtu:

The post Resorti “Blue Borgo”: Banorët përplasen me policinë, punimet vijojnë appeared first on Citizens.al.

Reagime: Institucione dhe organizata dënojnë gjuhën e urrejtjes në Big Brother VIP

Rrjeti i Organizatave të Personave me Aftësi të Kufizuara dënoi dje gjuhën e urrejtjes së përdorur ndaj gazetarit Stenaldo Mëhilli, person me aftësi të kufizuar në shikim, gjatë programit “Big Brother Albania VIP”.

Sipas organizatave, gjuha e përdorur është e papranueshme dhe përbën shkelje të rëndë të parimeve të barazisë dhe dinjitetit njerëzor. “Përbën ableizëm, një formë diskriminimi që buron nga premisa se personat me aftësi të kufizuara janë më pak të vlefshëm se personat pa aftësi të kufizuara”, thuhet në deklaratën e tyre.

Organizatat theksuan se kjo është gjithashtu gjuhë urrejtjeje, pasi nuk cenon vetëm individin, por edhe komunitetin e personave me aftësi të kufizuara.

“Duke përcjellë mesazhin se jetët tona janë më pak të denja për t’u jetuar se ato të të tjerëve, veçanërisht duke marrë parasysh audiencën e gjerë të këtij programi”, thuhet më tej në deklaratën e organizatave.

Më tej, ato theksuan se një gjuhë e tillë është përdorur historikisht për të izoluar dhe përjashtuar personat me aftësi të kufizuara, “duke i penguar ata të marrin pjesë në shoqëri në baza të barabarta me të tjerët. Ajo ushqen stigma dhe paragjykim”.

Njëjtë reagoi edhe Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, të cilët u shprehën se është një mesazh i rrezikshëm që cenon dinjitetin njerëzor dhe ushqen paragjykimet ndaj personave me aftësi të kufizuara.

“Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë (SHVSH) dënon me forcë gjuhën e përdorur ndaj konkurrentit të verbër, Stenaldo Mëhilli, ku verbëria u etiketua si “dënim” apo “mallkim” (“Ty të ka dënuar Zoti / të ka mallkuar Zoti”)”, u shpreh shoqata.

Rrjeti i organizatave kërkuan që produksioni i “Big Brother Albania VIP” të marrë masa për përjashtimin e pjesëmarrësve që përdorin gjuhë urrejtjeje, si dhe ndërhyrjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).

Sipas Suela Lalës, drejtuese e Fondacionit “Së Bashku” që advokon për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, do të dërgojnë brenda ditës së sotme edhe një ankesë zyrtare pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për të marrë masa administrative.

Në një reagim publik, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dënoi gjuhën e përdorur dhe kërkoi vëmendje më të shtuar në transmetimin publik për të parandaluar situata që shkojnë drejt gjuhës së urrejtjes.

“KMD gjithashtu shpreh shqetësimin mbi paragjykimet dhe stereotipet negative që rëndojnë sidomos tek njerëzit më të pamundur, prandaj kërkon nga Operatori që të garantojë moscënimin e dinjitetit njerëzor”, u shpreh Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Komisioneri ftoi televizionin Top Channel dhe produksionin e “Big Brother VIP” të analizojnë protokollet e formatit dhe të krijojnë hapësirë për diskutim mbi personat me aftësi të kufizuara dhe zërat e tyre.

The post Reagime: Institucione dhe organizata dënojnë gjuhën e urrejtjes në Big Brother VIP appeared first on Citizens.al.

33 urdhër-arreste për kontrabandën e mbetjeve “Durrës-Tajlandë”

Prokuroria e Durrësit ka ndërmarrë një hap domethënës në hetimin e kontrabandës së mbetjeve të rrezikshme që kishin origjinë Shqipërinë rreth dy vite më parë, duke lëshuar 33 urdhër-arreste ndaj drejtuesve të kompanive të përfshira dhe zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen mjedisore dhe doganore.

Ky është zhvillimi më i rëndësishëm në skandalin me jehonën më të madhe ndërkombëtare që ka njohur ndonjëherë Shqipëria sa i takon çështjeve të mjedisit. Çështja në fjalë është ndjekur në vazhdimësi nga Citizens.al me raportime të zgjeruara dhe dëshminë e plotë se si u sinjalizua në fillim rasti.

Lexo: Dëshmia e plotë e Jim Puckett për mbetjet toksike

Hetimi, bazuar në ekspertimet që tashmë kanë konfirmuar natyrën e rrezikshme të mbetjeve industriale, zbuloi se sasia prej mbi 2,800 tonë mbetjeje e dërguar në mënyrë të dyshimtë përmes 102 kontejnerësh drejt Tajlandës u eksportua në shkelje të ligjit mjedisor dhe procedurave doganore.

Ekspertimi i kryer – me vonesa shqetësuese – në Itali i klasifikoi këto mbetje si pluhur me përmbajtje të lartë metalike dhe substancash të dëmshme të ardhura nga furrat industriale (kategoria EAFD).

Sipas njoftimit zyrtar, masat e sigurisë përfshijnë drejtues dhe punonjës të kompanive “Kürüm International” dhe “Sokolaj shpk”, zyrtarë publikë dhe përfaqësues të institucioneve që kishin detyrë kontrollin mjedisor dhe doganor në Portin e Durrësit.

Prokuroria ka ngritur ndaj tyre akuza për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh, transport të paligjshëm, kontrabandë dhe pastrim parash.

Nga alarmi ndërkombëtar te konkretizimi i hetimeve

Rasti u bë publik në vitin 2024, kur autoritetet tajlandeze refuzuan ngarkesën dhe kthyen mbetjet në Shqipëri, duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare për hetime transparente dhe të pavarura.

Citizens.al raportoi se mbetjet e kthyera përfunduan në Porto Romano, ndërsa institucionet shqiptare shmangën për muaj me radhë dhënien e informacionit mbi përbërjen e tyre dhe përgjegjësitë ligjore.

Në mars 2025, Citizens.al publikoi dëshminë e Jim Puckett, drejtues i Basel Action Network (BAN), i cili paralajmëroi se Shqipëria po shfaqte shenjat e një skeme trafiku mbetjesh, pasi ky mund të mos ishte një rast i izoluar.

Puckett akuzoi autoritetet shqiptare për zvarritje të hetimeve dhe mungesë vullneti për të ndjekur zinxhirin e plotë të përgjegjësisë, përfshirë aktorët shtetërorë.

Lexo: “Shqipëria po zvarrit hetimet për kontrabandën e mbetjeve toksike”

Gjykata, me kërkesë të Prokurorisë, miratoi më 3 shkurt 2026, rreth dy vite më vonë, 33 masa sigurie: 26 me burg dhe 7 me arrest shtëpie.

Sipas prokurorisë, kontrabanda u mundësua përmes falsifikimit të dokumenteve, shmangies së kontrolleve mjedisore dhe doganore përmes lejeve të dhëna në shkelje të ligjit.

Në fokus të hetimit janë vënë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), Doganës së Durrësit dhe struktura të përfshira në administrimin e portit.

Mes të arrestuarve janë drejtuesja aktuale e AKM-së, Marjeta Përlala, ish-drejtuesja Arta Dollani dhe tre punonjës nga sektori i lejeve të kësaj agjencie.

Gjithashtu janë arrestuar pesë punonjës të Doganës së Durrësit, dy inspektorë të Autoritetit Portual, administratori dhe dy punonjës të koncesionarit që operon terminalin lindor të portit.

Nga kompanitë e përfshira, është kërkuar arrestimi i administratorëve të Kürüm, Erdal Demir dhe Yusuf Sezai Kürüm, si dhe katër drejtorëve përgjegjës të sektorit të mjedisit, prodhimit, transportit dhe shitjeve të saj.

Nga “Sokolaj shpk” janë arrestuar pronarët Gjovana dhe Doni Sokolaj, si dhe kontabilistja e kompanisë. Paralelisht është kërkuar arrestimi edhe i zotëruesve, administratorëve dhe punonjësve të disa kompanive ndërmjetëse si “Bajrami N”, “Joti Spedition” dhe “Alliance Resource”.

Citizens.al pati raportuar më herët për heshtjen njëvjeçare të Prokurorisë së Durrësit, duke ngritur dyshime për mungesë transparence dhe llogaridhënie në një çështje me pasoja të rënda mjedisore dhe shëndetësore.

Argumenti kryesor lidhej me zvarritjen e kryerjes së analizave të ngarkesës së 102 kontejnerëve, të cilat ishin provuar më parë në Tajlandë se përmbanin lëndë të rrezikshme.

Lexo: Një vit heshtje nga Prokuroria për kontrabandën me mbetje të rrezikshme

Lëshimi i 33 urdhër-arresteve shënon zhvillimin më të rëndësishëm për zbardhjen e kësaj çështjeje, por ajo nuk i jep fund pikëpyetjeve mbi rastin, rolin e institucioneve, kontrollin real dhe mbi të gjitha propagandën.

Gjithashtu vë në diskutim një çështje tjetër: Çfarë do të bëhet me ngarkesën? Ku do të vendoset përfundimisht ajo dhe si do të veprohet me të, nëse do të duhet të asgjësohet?

Kujtojmë se qeveria e mohoi kategorikisht kontrabandën në fjalë dhe dha informacione për të vetëm pasi çështja mori jehonë ndërkombëtare.

Tashmë rasti mbetet një test për drejtësinë shqiptare, e cila ka bërë hapa të konsiderueshme me strukturat e reja – Struktura e Posacme Anti-Korrupsion – por që mbetet t’i tregojë konkretisht nëse i ka fituar të plota standardet e drejtësisë.

Lexoni gjithashtu:

The post 33 urdhër-arreste për kontrabandën e mbetjeve “Durrës-Tajlandë” appeared first on Citizens.al.

Deputetë të rastësishëm në tryezat e komisioneve!

Në seancën e sotme plenare, Kuvendi pritet të miratojë ngritjen e Nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm me shtatë anëtarë, edukimi dhe formimi arsimor i të cilëve zbulon mospërputhje të thellë me fushën e përgjegjësisë së nënkomisionit. Nisma e propozuar nga deputetja Anila Denaj (PS), synon realizimin e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm dhe agjendën 2030 të OKB-së, të tilla si ndryshimet klimatike, mbrojtja e ekosistemeve tokësore dhe mbrojtja e oqeaneve. Asnjë prej deputetëve të propozuar [Ilva Gjuzi (PS), Blendi Himçi (PD), Besa Spaho (PS), Klevis Jahaj (PS), Bora Muzhaqi (PS), Klodiana Çapja (PD), Kliti Hoti (PD)] nuk rezulton të jetë diplomuar, apo arsimuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ose në Universitetin Bujqësor të Tiranës, si të vetmet institucione që mund të ofrojnë ekspertizën e duhur për vendime të qëndrueshme dhe racionale në favor të realizimit të objektivave 2030.

Nënkomisioni i ri varet nga Komisioni i Përhershëm Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, që për fat të keq manifeston të njëjtën mospërputhje të kontekstit arsimor të dymbëdhjetë deputetëve-anëtarë të tij.

Komisionet e përhershme parlamentare, krahas  shqyrtimit paraprak të projektakteve, monitorojnë dhe funksionimin e ministrive. Kësisoj, komisioni dhe nënkomisioni i përhershëm për Zhvillimin e Qëndrueshëm mbulojnë çështje të energjisë, biodiversitetit dhe mbrojtjes së mjedisit. Rrjedhimisht, funksionimi i tyre ndikohet, jo vetëm nga qëndrimet politike, por edhe nga sfondi arsimor i deputetëve-anëtarë. Nëse arsimimi i tyre nuk përputhet me fushën e ekspertizës së komisionit, ekziston rreziku i vendimmarrjeve të komanduara politikisht dhe ideologjikisht mbi çështje thellësisht dhe qartësisht shkencore dhe racionale.

Shqipëria ka një ndarje gjinore parlamentare të kënaqshme, krahasuar me disa prej vendeve te BE. Por duket se nuk ka rregulla për ndarjen e deputetëve nëpër komisione në varësi edhe të sfondit arsimor të tyre. Prej kohësh, në ligjin zgjedhor janë vendosur kuota të detyrueshme për të garantuar një përfaqësim të ekuilibruar gjinor në jetën dhe vendimmarrjen politike. Vetë Kuvendi, nëpërmjet shërbimeve të tij, ofron të dhëna për deputetët. Por këto janë të varfëra, pasi kufizohen në raportimin e statistikave sipas gjinisë dhe grup-moshave, por asnjëherë mbi formimin dhe sfondin arsimor të deputetëve.

Konkretisht, anëtarët e propozuar të nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm (gjithsej shtatë) që pritet të miratohet në seancën e sotme plenare (edhe si pjesëmarrës për herë të parë në një legjislaturë) janë inxhinierë ndërtimi, juristë, arkitektë, financierë (mes tyre edhe një mjek). Kështu, ekspertiza e tyre nuk përputhet me ekspertizën e nënkomisionit. Si mundet një deputet – inxhinier ndërtimi – të marrë vendime të qëndrueshme për pyjet pa i njohur ato?! Si mundet të mbrojë oqeanet dhe burimet detare një financier?!

Historikisht, partitë politike, por edhe organizatat jofitimprurëse mbështetëse të tyre, nuk kanë zhvilluar programe për diversifikimin e formimit arsimor dhe ngritjen e përfaqësimit shkencor të listës së kandidatëve për deputetë. Listat shumë emërore me renditje të fiksuar, të ashtuquajtura “të mbyllura” mund të shërbenin për të kontrolluar personalitetin profesional të kandidatëve për deputetë, por në të vërtetë, ato kanë shërbyer si streha për të grumbulluar kandidatë të besuar politikë. Ndaj dhe shpërndarja nëpër komisione i shërben së njëjtës logjikë.

Monitorimi dhe vlerësimi i vazhdueshëm i formimit arsimor të deputetëve ndikon drejtpërdrejt në zbehjen e diktatit politik dhe ideologjik në vendimmarrje, duke i bërë deputetët më të pavarur dhe demokracinë më funksionale. Dhe këtu nuk është fjala që të imponosh kuota të pabazuara në meritokraci, por për të kundërtën e saj: për të mbështetur një meritokraci të papërfaqësuar. Kjo do të rrisë besimin e publikut ndaj përfaqësuesve të tyre në Kuvend.

The post Deputetë të rastësishëm në tryezat e komisioneve! appeared first on Citizens.al.

Pse ligatinat janë jetike për biodiversitetin dhe klimën në Shqipëri?

Me rastin e Ditës Botërore të Ligatinave, që shënohet çdo 2 shkurt, Citizens.al publikon këtë opinion shkencor të profesor Aleko Mihos, pedagog dhe studiues i ekosistemeve pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.

Në këtë analizë, Prof. Miho ndalet te roli jetik i ligatinave për biodiversitetin, klimën dhe zhvillimin njerëzor, duke ofruar një pasqyrë historike dhe shkencore mbi gjendjen e tyre në Shqipëri.

Ai sjell të dhëna mbi tkurrjen e këtyre ekosistemeve, shërbimet ekologjike që ofrojnë dhe presionet gjithnjë në rritje nga aktiviteti njerëzor.

Artikulli vjen si një thirrje për reflektim dhe përgjegjësi institucionale, në një kontekst ku mbrojtja dhe menaxhimi i qëndrueshëm i ligatinave mbetet një nga sfidat kryesore mjedisore në vend.

Autor: Prof. Aleko Miho | Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.

Çfarё janё ekosistemet ligatinore dhe sa tё pёrfaqёsuara janё ato nё vendin tonё?

Dy shkurti është Dita Botërore e Ligatinave (Wetlands), e cila përkon me datën e miratimit të Konventës për Ligatinat në 1971, ose Konventës RAMSAR, si njihet ajo sot rëndom, për faktin se miratimi u bë në qytetin iranian Ramsar në brigjet e Detit Kaspik.

Në kuptimin e ngushtë të fjalës, ligatinat, tokat e lagëta, ose si njihen ato shpesh, kënetat, janë hapësira që përmbyten rregullisht nga uji, qoftë dhe përkohësisht. Përmbytja bën që fundi i këtyre ekosistemeve të dallohet për mungesën e oksigjenit, dhe për proceset anaerobe.

Lexo: Një vështrim i shkurtër i arsimit të lartë në Shqipëri

Në këto kushte bimësia është e veçantë, e përshtatur në sasinë e madhe të ujit, por në kushtet e mungesës së oksigjenit. Por në kuptimin e gjerë, me termin ligatina nënkuptohen edhe gjithë hapësirat ujore që ndikojnë drejtpërdrejt në formimin, ushqimin dhe mbajtjen gjallë të zonave kënetore, si hapësirat lumore, liqenore, burimet dhe ujëmbledhësit.

Kuptimi i dytë është ai që lidhet shumë sot me rëndësinë e këtyre ekosistemeve në mbarë botën, por dhe me masat e ruajtjes, ripërtëritjes, dhe shfrytëzimit të qëndrueshëm të tyre.

Para viteve ’60, ligatinat mbulonin më shumë se 2,300 km2, e barabartë me rreth 8% të territorit shqiptar, kjo falë pasurive të shumta ujore, reshjeve, klimës, relievit të sheshtë etj.

Vlen të kujtojmë këtu hapësirat kënetore të Maliqit (Korçë), përgjatë gjithë Ultësirës Bregdetare deri në Vurg (Sarandë) etj. Mbi gjysma e kësaj hapësire kënetore u thá në vitet 1960-1970 dhe u kthye në tokë bujqësore.

U sistemuan gjithashtu gjithë rrjedhjet e lumenjve që ushqenin këto hapësira; një rrjet i gjerë kanalesh kulluese, dhe shumë stacione pompimi (hidrovorë) mbajnë edhe sot këto toka në gjendje të tharë dhe i mbrojnë ato nga përmbytja.

Megjithatë, hapësirat e lagëta në Shqipëri mbulojnë rreth 970 km2, ose rreth 3% të gjithë territorit të vendit (400 km2 në zonën bregdetare). Pjesën më të madhe të tyre e zënë liqenet, lagunat bregdetare dhe ujëmbledhësit.

Bëhet fjalë për mbi 1300 zona kënetore të shpërndara në të gjithë vendin, ku bëjnë pjesë komplekset lagunore bregdetare dhe deltat lumore; shumë zona kënetore gjenden gjithashtu përgjatë brigjeve lumore, liqenore, ujëmbledhësve, burimeve etj.

Shёrbimet ekologjike që ofrojnё ligatinat dhe rёndёsia pёr ruajtjen e larmisë biologjike

Kushdo që i njeh nga afër këto lloj mjedisesh, vëren menjëherë se në to jeta gëlon.

Prodhimtaria bimore neto e këtyre ekosistemeve është ndër më të lartat në planet, duke u renditur pas pyllit tropikal të shiut.

Lexo: Ku jemi me botimin e teksteve mësimore universitare?

Prodhimtaria në zonat kënetore shkon deri në 2 kg/m2/vit (200 kv/ha/vit); kujtoj se prodhmtaria në tokat bujqësore të kujdesura mirë nga njeriu është mesatarisht më pak se 3 herë (rreth 650 g/m2/vit ose 65 kv/ha/vit).

Përveç përvetimit të bollshëm të dyoksidit të karbonit, ato ndihmojnë edhe në qarkullimin e lëndëve të tjera ushqyese (sidomos në reduktimin e azotit); për rrjedhojë këta ekosisteme ndihmojnë dukshëm edhe në zbutjen e klimës dhe të ngrohjes globale.

Pamje ajrore të Deltës së Vjosës Prill 2024 (©Joshua D. Lim) (https://fshn.edu.al/Info/delta-vjose).

Ato strehojnë habitate të pasura dhe të mbrojtura për biodiversitetin, duke ruajtur brenda një hapësire shumë të kufizuar lloje të shumta të ujërave të ëmbla, por dhe të ujërave detare dhe të njelmëta.

Si hapësira shumë prodhuese, mundësojnë ushqim të bollshëm dhe mbrojtje për popullata të dendura shpendësh, me shumë rëndësi gjatë rrugëve migratore. Ligatinat janë vendet ku shumohen shumë lloje peshqish dhe molusqesh – të rëndësishme për peshkimin dhe akuakulturën.

Ekosistemet kënetore janë të rëndësishme për funksionin normal të biosferës dhe kontrollin e erozionit bregdetar dhe zbutjen nga përmbytjet; janë veçanërisht të dobishme për parandalimin e humbjeve të jetës dhe pronës duke zbutur përmbytjet dhe duke mbrojtur tokën nga stuhitë.

Lexo: IUCN kërkon që Shqipëria të rishikojë ligjin për Zonat e Mbrojtura

Ligatinat janë gjithmonë zona tranzitore mes rrjedhës ujore të një lumi dhe brigjeve të tij, apo ndërmjet pasqyrës ujore të një liqeni apo deti dhe brigjeve të tyre, me një lidhje të ndërsjelltë mes tyre; si të tilla ndihmojnë në formimin, ruajtjen dhe shëndoshjen e vijës bregore të këtyre ekosistemeve; ato ndihmojnë në mbajtjen e ujit, dhe zbutjen hovit nga përmbytjet.

Ligatinat janë të vetmet mjedise ku lëndët e azotuara reduktohen në azot molekular, i cili rikthehet përsëri në atmosferë, duke ndihmuar kështu në ruajtjen e përbërjes atmosferike gjatë 400-500 milion viteve të fundit.

Ligatinat gjithashtu formojnë ujëmbledhës natyrorë dhe ndihmojnë në ruajtjen e cilësisë së dëshirueshme të ujit. Këto mjedise ndihmojnë në filtrimin e prurjeve me ujëra të ëmbla, duke mbrojtur mjedisin bregdetar dhe jetën detare.

Ndihmojnë shumë edhe në pastrimin e ujit nga lëndët ndotëse, metale të rëndë, lëndë organike etj. Kjo dukuri e njohur si fitopastrim, përdoret sot në botën e zhvilluar në pastrimin e ujërave nëpërmjet ndërtimit të kënetave artificiale.

Qytetërimi është zhvilluar shpesh në afërsi të këtyre mjediseve ujore. Për bollëkun që ato ofrojnë, njeriu gjithmonë ka ndërtuar vendbanimet e veta pranë këtyre zonave, kujtojmë këtu qytetet antike të Butrintit, Orikut, Apollonisë, Lezhës, Shkodrës, etj.

Këto zona mbeten gjithmonë si vende të tërheqëse dhe çlodhëse për shumë vizitorë vendas dhe të huaj, mjedise me rëndësi për turizmin natyror, por edhe për turizmin kulturor, në kërkim të gjurmëve të hershme të zhvillimit njerëzor.

Ndikimi i njeriut në ekosistemet ligationre

Nga ana tjetër, ekosistemet ligatinore janë sot nën ndikimin e turizmit, peshkimit dhe akuakulturës, përftimit të kripës, industrisë, veprimtarisë portuale dhe transportit detar, urbanizimit dhe bujqësisë.

Jo rrallë këto shkaktojnë ndryshime në mjedisin fizik, përfshirë dhe në gjeomorfologji ose kripësi, në vlerat e oksigjenit të tretur, etj.; sëbashku, këto mund të shkaktojnë varfërimin e biodiversitetit dhe të shërbimeve të të ekosistemit, nga  shqetësime në vijën bregdetare e deri te pakësimi i prodhimeve të detit.

Lexo: “Jo fluturime në Nartë”, rikthehen protestat kundër Aeroportit të Vlorës

Kjo është arsyea që zonat kënetore kanë qënë dhe mbeten ekosisteme shumë dobishme për botën e gjallë në përgjithësi, por edhe për vetë mbijetesën e njeriut. Si të tilla ato janë vende ushqimi, riprodhimi dhe strehë për një botë të pasur shtazore, veçanërisht për peshqit dhe shpendët ujorë dimërues ose migrues, disa prej tyre të rrezikuar globalisht.

Edhe shumë organizma të tjerë shtazorë që shpesh jemi mësuar t’i shohim në steré, pra larg ujit, në një mënyrë ose tjetër janë të detyruar të shkojnë pranë këtyre zonave për të përmbushur ndonjërën ose disa prej këtyre kërkesave.

Kuptimi i shkaqeve dhe pasojave të këtyre presioneve antropogjene ndihmon në përcaktimin e strategjive efektive të menaxhimit që minimizojnë pasojat negative dhe promovojnë përdorimin e qëndrueshëm të burimeve të vlefshme.

Për këtë njohja, dhe më tej shfrytëzimi si duhet, ruajtja dhe mbrojtja e tyre shihet me përparësi nga legjislacioni kombëtar dhe konventat ndërkombëtare, përfshirë këtu dhe Direktivën Kuadër Ujit (WFD, 60/2000), Konventën Ramsar, Konventën e Bernës, Konventën e Barcelonës, IUCN, WWF etj.

Qasja ligjore pёr mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm tё ligatinave nё vendin tonё?

Ligatinat dallohen për larmi habitatesh me vlera natyrore dhe biologjike; por ato janë ekosisteme mjaft të ndërlikuara dhe njëkohësisht të brishta ndaj ndikimit të njeriut.

Kjo është arsyeja që ato janë në vëmendje të veçantë në Direktivën Kuadër të Ujërave (WFD, 60/2000).

Një pjesë e mirë e tyre në Shqipëri kanë sot një status mbrojtje, si Park Kombëtar (Butrinti, Divjakë-Karavasta, Prespa, Lura, Vjosa, Dajti, Thethi etj.), si Rezervate Natyrore (Kune-Vaini, Patok-Fushëkuqe,  etj.), si Peizazh i Ujor/Tokësor (Pogradeci, Rrushkulli, Pishë-Poro, Shkodra-Buna-Velipoja, Orikumi, etj.).

Lexo: Projektligji për mbetjet, mes transparencës së kufizuar dhe rrezikut për interesa private

Shqipëria ka sot 4 zona të mëdha që bëjnë pjesë në listën e Konventës Ramsar: Butrinti-Çuka-Stillo (Sarandë), Karavasta-Divjaka (Lushnjë) dhe Liqeni i Shkodrës-Lumi Buna-Velipoja (Shkodër) dhe Prespa.

Në tërësi, njohja e gjithë përbërësve biologjikë të ekosistemeve ujorë ndihmon më mirë pushtetin vendor dhe qendror në vend në shfrytëzimin e qëndrueshëm të pasurive ujore, në ruajtjen e ekosistemeve me habitate të pasura në lloje, me lloje të rralla dhe endemike, me habitate të brishta etj.

Kjo mund të ndihmojë për të shmangur shfrytëzimin e skajshëm, pa kriter, drejt një shfrytëzimi të qëndrueshëm, në sektorë të tillë si peshkimi dhe akuakultura, gjuetia, në urbanizimin e skajshëm, në vjeljen e bimëve aromatiko-mjekësore dhe produkteve të tjera, në ndërtimin e HEC-eve në lumenj etj.

Por dhe në masa mbrojtëse për të shmangur ndotjen nga urbanizimi dhe turizmi i pakontrolluar, nga përdorimi i keq i tokës dhe shpyllëzimet, nga bujqësia dhe blegtoria e pa kontrolluar, nga industria, nga trafiku dhe portet, etj.

Gjithë këto kërkesa burojnë që nga vetë Kushtetuta jonë, legjislacioni mjedisor vendas, por dhe nga shumë detyrime ndaj konventave ndërkombëtare, si dhe kërkesave të BE të miratuara nga Shqipëria.

The post Pse ligatinat janë jetike për biodiversitetin dhe klimën në Shqipëri? appeared first on Citizens.al.

“SOS! Po grabitemi!”: Aktivistët kundër resorteve turistike në Zvërnec dhe Sazan

“Ta shijojmë Sazanin pa na e marrë Ivanka!” është kthyer në një batutë të përhapur tashmë mes atyre që udhëtojnë drejt jugut të Shqipërisë. Ironia, megjithatë, pasqyron një shqetësim real për planet e zhvillimit turistik të lidhura me familjen Trump në zonat e mbrojtura të bregdetit shqiptar.

Postimet e Ivanka Trump, vajzës së Presidentit Amerikan në rrjetet sociale, shoqëruar me këngë tradicionale shqiptare, u komentuan gjerësisht në media gjatë fundit të muajit janar. Por përtej debatit mediatik dhe atij online me reagime emocionale, aksionet konkrete në terren kanë qenë të pakta.

Pikërisht, për të thyer heshtjen, një grup aktivistësh dhe artistësh udhëtuan të shtunën drejt Zvërnecit. Në rërën pranë lagunës së Nartës, ata u kujdesën për disa orë që të shpalosnin një mesazh artistik me mbishkrimin “SOS, po grabitemi!”, të shoqëruar me vizatime shpendësh dhe gjallesash karakteristike të zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë dhe Karaburun-Sazan.

Lexo: Nga vizitor në investitor strategjik, si e siguroi Sazanin Jared Kushner

Aksioni simbolik, që u ndoq nga Citizens.al, u zhvillua pranë Manastirit të Zvërnecit, në një territor ku biodiversiteti ishte i dukshëm me sy të lirë. Flamingot, çafkat e bardha dhe shpendë të tjerë migratorë e bëjnë zonën një nga pikat më të rëndësishme ekologjike në vend, mjaft të frekuentuar nga turistët e natyrës dhe ata që udhëtojnë për kamping.

Elsa Paja, një nga aktivistet, na tregoi se ideja lindi nga frika për pasojat e projekteve të paralajmëruara. Sipas saj, bashkimi i artistëve dhe aktivistëve ishte një reagim i drejtpërdrejtë ndaj ndjenjës së përjashtimit nga vendimmarrja.

“Dikush vjen nga jashtë dhe të grabit tokën! Arsyet pse kjo nuk duhet të ndodhë janë të shumta, sa na lindi nevoja për të bërë diçka,” rrëfeu ajo për Citizens.al

Komuniteti lokal: “Jemi kundër”

Por, në Zvërnec, kundërshtimi nuk vjen vetëm nga aktivistët. Blendon Mërtiri, peshkatar prej mbi 30 vitesh në Grykën e Dajlanit, e sheh zhvillimin e paralajmëruar si kërcënim për mënyrën e jetesës.

Lexo: Darka e Sazanit: Si u vu pasuria publike në tryezë

Prej një viti ai dhe peshkatarët e tjerë të zonës janë pa leje peshkimi, të pezulluara nga Ministria e Bujqësisë. Megjithatë, ai çdo ditë gjendet pranë varkave të ankoruara në lagunë.

“Me Zotin dhe me Trumpin nuk merremi. Por nëse na thonë të ikim se është investim strategjik, çfarë bëhet me ne?!” pyet ai me ironi.

Sipas Mërtirit, turistët vijnë në këtë zonë për natyrën e egër, jo për resorte luksoze të parashikuara për t’u ngritur nga propozimi i paraqitur prej dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner.

Mërtiri ngre gjithashtu shqetësimin për pronësinë e tokës, duke theksuar se shumë parcela të zonës së Zvërnecit janë të ndara sipas ligjit “7501” dhe disa të papajisura me dokumente pronësie. Shqetësimi kryesor mbetet te mënyra e shpronësimit. Ai thotë se deri më sot nuk ka pasur asnjë informacion.

“Edhe Aeroport (Aeroporti i Vlorës në Akërni), edhe resort… do na vijë e mira në derë, mirëqenie e madhe…” ironizoi Blendoni.

Një tjetër banore, Rita Xhaho, tha për Citizens.al se lajmin për ndërtimet e mundshme të resorteve në Zvërnec dhe Sazan e kishte mësuar nga televizioni. Për të, ndryshimi i peizazhit mjedisor do të thotë humbje e kujtimeve dhe e lidhjes personale me zonën.

Lexo: Kur natyra përballet me betonin: Çmimi i lartë i Aeroportit të Vlorës

“Nga televizioni e morëm vesh, që do bëhen, ndërtimet, që do ti bej ajo, vajza e Trumpit,” theksoi Rita.

Zonat e Mbrojtura nën rrezik

Marina Xhaho, nga “Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri” (PPNEA), e cila ishte pjesë e grupit të aktivistëve, paralajmëron se çdo ndërhyrje me ndërtime rrezikon shkatërrimin e habitateve ku folezojnë specie të mbrojtura.

Sipas saj, zona e mbrojtur Vjosë-Nartë strehon flamingot, pelikanët kaçurrelë, sqepbizët, kalorësit, pulëbardhat dhe dhjetëra lloje të tjera shpendësh ujorë.

Më 22 shkurt 2024, Kuvendi miratoi me votat e shumicës socialiste ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke hapur rrugën për zhvillime turistike dhe investime në zona që më parë ishin të paprekshme. Përpjekjet për shfuqizimin e ligjit u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese.

Planet e propozuara nga kryeministri Rama në bashkëpunim me Kushner për Sazanin dhe Zvërnecin kanë hasur kundërshtim të gjerë: 41 organizata mjedisore nga 28 shtete i kërkuan publikisht qeverisë shqiptare pezullimin e këtyre nismave.

PPNEA ka paralajmëruar se rreth 14 kilometra vijë e egër bregdetare, aktualisht zonë e mbrojtur, rrezikon të shndërrohet në rrugë asfalti, ndriçim artificial dhe ndërtesa luksoze.

Sipas mjedisorëve, rreziku nuk kufizohet vetëm në jug. Ndryshimet ligjore dhe nisma si “Paketa e Maleve” e zgjerojnë logjikën e ndërhyrjes edhe në zona të tjera të mbrojtura në vend, duke vënë në pikëpyetje vetë konceptin e mbrojtjes së aseteve natyrore.

Lexoni gjithashtu:

The post “SOS! Po grabitemi!”: Aktivistët kundër resorteve turistike në Zvërnec dhe Sazan appeared first on Citizens.al.

“Mur më mur” me çerdhen dhe kopshtin: Kulla 20 kate te “21 Dhjetori”

Në zonën e “21 Dhjetorit,” në Rrugën e Kavajës, ngjitur me “Çerdhen Nr. 24”, “Kopshtin Nr.43” dhe “Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor Nr.2” po ndërtohet një kullë 20-katëshe me katër kate nëntokë.

Punimet në kantier vijojnë, pavarësisht se rreth tij shërbehet kujdes institucional për fëmijët dhe personat me shqetësime të shëndetit mendor. Hapësira mes institucioneve dhe kantierit është “mur më mur”.

Gazetarët e Citizens.al u interesuan për të marrë informacion nëse për projektin në fjalë ka pasur konsultime me institucionet. Nga çerdhja na u tha se informacionet vijnë përmes Drejtorisë së Kopshteve dhe Çerdheve të Tiranës.

Punonjësit pohuan se nuk mund të komentojnë publikisht projektin pa autorizim të drejtorisë, e cila nuk ishte e arritshme për koment.

Shqetësimi për ndikimin social

Kulla quhet “Nomad Building”, ajo është projektuar nga studioja “Dalmat Architecture” dhe po zhvillohet nga kompania “Artech Group”.

Projekti mori lejen e zhvillimit nga qeveria më 2 prill 2024 dhe lejen e ndërtimit rreth një muaj më vonë. Leja theu rregullin e caktuar nga Plani i Përgjithshëm Vendor (PPV), që parashikonte një intensitet ndërtimi 2.8 për zonën dhe lartësi maksimale prej 8 katesh.

Sikurse e kemi analizuar dhe më parë në Citizens.al, norma e kritereve të PPV-së dhe PDV-ve mund të tejkalohet përmes vendimeve të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU), organ që drejtohet nga Kryeministri.

Me vendimet e saj KKTU-ja mund të vendosë përjashtime nga rregulloret. Mirëpo shpeshtësia e këtyre “përjashtimeve” ka bërë që tashmë normë të jenë vetë tejkalimet e planit të përgjithshëm dhe ngritja në intensitet dhe lartësi më të larta.

Lexo: Përjashtimi u bë normë, kullat në ish-bllok thyejnë kriteret e Planit Urbanistik

Në projektin e kullës intensiteti i ndërtimit është 8.8 dhe lartësia ka shkuar në 20 kate.

Zhvilluesit thonë se po i japin zgjidhje zonës që deri në vitin 2024 kishte një strukturim kaotik urban me ndërtesa kryesisht 1-katëshe dhe se në përfundim të projektit rreth 60% e sipërfaqes së truallit do të jepet për shfrytëzim si hapësirë publike.

Megjithatë shqetësues është fakti se projekti po zhvillohet krah tre institucioneve që ofrojnë shërbime shëndetësore dhe edukimi. Punimet zhvillohen me orare deri në 00:00 dhe në fazat e mëvonshme mund të ndikojë edhe më shumë me zhurmat apo nivelin e pluhurave.

Një model që po përsëritet

Ndërtimi i kullave pranë institucioneve arsimore apo shërbimeve publike nuk është më rast i izoluar në Tiranë.

Në ish-Bllok, banorë të tre pallateve pranë shkollës 9-vjeçare “Emin Duraku” protestuan kundër një kulle 16-katëshe që nisi të ndërtohej aty. Çështja po ndiqet aktualisht në gjykatë, ndërsa punimet në terren kanë vijuar.

Në Bulevardin “Bajram Curri” është bërë publik gjithashtu plani për një kullë 19-katëshe pranë shkollës 9-vjeçare “1 Maji”. Një skenar i ngjashëm planifikohet të vijojë edhe pranë Kopshtit Nr.41 te “Rruga Pjetër Budi”, ku një pallat 9-katësh pritet të ngrihet pranë murit të kopshtit.

Në raste të tjera, zhvillimet kanë parashikuar edhe zhvendosjen e institucioneve ekzistuese. Një prej tyre është jetimorja “Zyber Hallulli”, e cila pritet të zhvendoset nga trualli aktual dhe të riorganizohet te zona e ish-vilave gjermane.

Në vend të saj planifikohet ndërtimi i tre kullave deri në 35 kate. Kështu, zhvillimet “mur më mur” me institucionet publike po kthehen në normë teksa transparenca, konsultimi me komunitetin mbeten ende të paqarta.

Lexoni gjithashtu:

The post “Mur më mur” me çerdhen dhe kopshtin: Kulla 20 kate te “21 Dhjetori” appeared first on Citizens.al.

Shpallet fituesi, tre kulla deri 35 kate te “Zyber Hallulli”

Konkursi për zhvillimin e truallit të jetimores “Zyber Hallulli” u mbyll sot me shpalljen e dy fituesve të ndarë: grupi i udhëhequr nga studio Rojkind Arquitectos do të zhvillojë 3 kulla deri 35 kate, ndërsa grupi i udhëhequr nga Hector Barroso do të zhvillojë kampusin e ri të jetimores dhe zyrave të inspektorateve te ish-vilat gjermane.

Vendimi u mor pas rreth katër orësh diskutime, ku juria arriti në përfundimin se asnjë projekt-propozim nga 5 grupet finaliste nuk i trajtonte në mënyrë plotësisht të suksesshme kërkesat duke bërë kështu që fituesit të ishin të ndarë sipas funksioneve.

Pesë finalistë, e njëjta qasje vertikale

Pavarësisht ndarjes së çmimeve, prezantimet e pesë projekteve finaliste treguan një uniformitet të qartë në qasje: të gjitha studiot propozuan tre deri në katër kulla me lartësi deri në 45 kate.

Trualli i ish-jetimores u trajtua nga të gjitha ekipet si një nyje intensive zhvillimi imobiliar, ku dominoi vertikalizimi, densiteti i lartë dhe funksionet rezidenciale elitare, ndërsa hapësirat publike mbetën të kufizuara dhe kryesisht dekorative.

Projekti i Rojkind Arquitectos S.C për kulla te “Zyber Hallulli”/KISH.

Ndryshimet mes projekteve u kufizuan në fasada, volumetri dhe gjuhë simbolike, por asnjë prej tyre nuk doli nga paradigma e zhvillimit intensiv vertikal, duke e kthyer konkursin më shumë në një garë estetike sesa në një debat real mbi alternativat e përdorimit të truallit publik.

Lexo: “Shteti si agjent imobiliar”, nga Sazani te Zyber Hallulli

Juria përbëhej nga Kryeministri Edi Rama, drejtueset e Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, si dhe arkitektë ndërkombëtarë.

Në këtë përbërje ra në sy mungesa e përfaqësimit të Bashkisë Tiranë, e cila në konkurse të mëparshme ishte e përfshirë drejtpërdrejt në vendimmarrje përmes kryetarit Erion Veliaj, aktualisht në paraburgim si i pandehur për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Mungesa e pushtetit lokal në një projekt me ndikim të drejtpërdrejtë urban për kryeqytetin ngre pikëpyetje mbi formulën e vendimmarrjes dhe rolin e bashkisë në zhvillimet madhore të Tiranës.

Çfarë parashikonte thirrja e KISH?

Thirrja “duo për projekt-propozim dhe investim”, e hapur më 15 shtator 2025, parashikonte shpërnguljen e jetimores dhe zyrave të shërbimeve të punës nga trualli aktual, si dhe ndërtimin e një kampusi të ri te rruga “Gramoz Pashko”, në ish-kompleksin rezidencial të diplomatëve të Gjermanisë Lindore.

Sipas kushteve, ndërtimi i godinave të reja për jetimoren dhe zyrat do të mbulohet nga investitori privat, ndërsa një pjesë e sipërfaqes së ndërtimit në kullat e reja do të jepet për përdorim publik.

Gara për zhvillimin e truallit u fitua nga grupi i kryesuar prej studios Rojkind Arquitectos S.C (me bashkëpunëtorë Asab, Son Engineering & Construction, dhe Julian Kasharaj). Ky grup qe angazhuar nga kompania Motus (e zotëruar nga sipërmarrësi Idajet Ismailaj, aksionere në kompaninë Alb-Star e njohur për ndërtimin e stadiumit “Arena Kombëtare”).

“Quhet Kor, si zëri i shumë njerëzve” tha gjatë prezantimit arkitekti meksikan të projektit që parashikon tre kulla 20-25-35 katëshe të lidhura me ura (korridore të përbashkëta) dhe shfrytëzim maksimal të truallit për parking (rreth 3,500 m2). Dy prej kullave parashikohen për rezidenca teksa fasada propozohet të jetë e varur me forma unike të çrregullta.

Projekti i Taller Hector Barroso i kampusit të ri të jetimores te ish-vilat gjermane/KISH.

Ndërsa pjesa e kampusit të ri të jetimores iu dha grupit të kryesuar nga studio Taller Hector Barroso (me bashkëpunëtorë Studio B&L, Doriana Bleta, Agim Seranaj dhe Ardian Paci). Ky grup qe angazhuar nga PROGEEN (e zotëruar nga sipërmarrësi Genc Kuçuku, i cili mbetet në diskutime me KISH për të zhvilluar projektin e Void Tower në këmbim të ndërtimit të zyrave qeveritare te Komuna e Parisit).

Lexo: Darka e Sazanit, si u vu pasuria publike në tryezë

Pritet që mes dy investitorëve të paraqitet ofertë ndaj KISH për t’u vendosur më pas se cili do të jetë sipërmarrësi që do të përfitojë të drejtën për ta zhvilluar këtë thirrje.

Ndër grupet e tjera propozuese ishin:

  • BE-IS (e sipërmarrësit Hamz Islamaj) dhe CEBRA Arkitekter A/S, me LOFT Architects dhe Superflex Studio
  • Gruppo Koni SRL (e sipërmarrësve Nik dhe Sandër Nikolli), që përfshin Stefano Boeri Architetti, Gross.Max, AEI Progetti dhe artistin Patrick Tuttofuoco, së bashku me kontraktorë lokalë
  • DIAGONAL Projektim & Zbatim (e sipërmarrësit Nikolin Jaka), + ASL shpk me Carrilho da Graca Arquitectos.

Diskurs optimist, bilanc problematik

Në fjalën e tij para konkursit, Kryeministri Edi Rama e paraqiti thirrjen si një mundësi për krijimin e kushteve më të mira për fëmijët jetimë dhe si pjesë të një serie veprash madhore arkitekturore që, sipas tij, e kthejnë Shqipërinë në pikë referimi për arkitektët ndërkombëtarë dhe në një “universitet të hapur” për brezat e rinj.

Por përtej këtij diskursi, bilanci i KISH në konkurset për pronat publike mbetet problematik. Në më shumë se 16 thirrje të hapura prej vitit 2024, nuk është njoftuar asnjë kontratë finale e përfunduar, ndërsa në të paktën një rast investitori i shpallur fitues është tërhequr (AIBA Company te thirrja për Void Tower).

Projekti i Rojkind Arquitectos S.C për kulla te “Zyber Hallulli”/KISH.

Edhe thirrja për Bibliotekën Kombëtare, e lidhur me ndërtimin e një kulle në të njëjtën zonë, u anulua për mungesë interesimi dhe aktualisht nuk ka një proces të ri të hapur.

Në praktikë, puna e Korporatës dhe agjencive partnere ka prodhuar kryesisht konkurse dhe projekte në formë vizualizimesh, me një faturë prej të paktën 1.4 milionë euro shpërblime për finalistët, por pa rezultate konkrete në terren.

Ndërkohë, fakti që pesë studio të ndryshme përfundojnë në të njëjtën zgjidhje urbane (3 kulla!) sugjeron se korniza e konkursit ishte e orientuar që në fillim drejt ndërtimeve shumëkatëshe (paralajmëruar nga Citizens.al që në fillim), duke lënë pak ose aspak hapësirë për modele alternative zhvillimi.

Në këtë kuptim, konkursi për “Zyber Hallullin” nuk hap një debat mbi interesin publik, por e konsolidon më tej praktikën ku trualli publik shihet kryesisht si potencial ndërtimi maksimal, ndërsa funksioni social dhe ndikimi urban mbeten çështje dytësore dhe madje shpërngulen sa më larg rrugëve kryesore të kryeqytetit.

Lexoni gjithashtu:

The post Shpallet fituesi, tre kulla deri 35 kate te “Zyber Hallulli” appeared first on Citizens.al.

Dekriminalizimi i pjesshëm dhe rreziku i “statusit” të gazetarit

Në orët e para të së mërkurës, Kuvendi miratoi një paketë të gjerë ndryshimesh në Kodin Penal, të cilat qeveria i prezantoi si harmonizim me standardet evropiane.

Mes rreth 50 neneve të ndryshuara ishte edhe neni 120, që lidhet me shpifjen. Për këtë nen, organizatat e medias dhe gazetarët kishin kërkuar dekriminalizim të plotë.

Sipas tyre, dekriminalizimi i plotë do të shmangte ndjekjet penale dhe paditë SLAPP ndaj gazetarëve, mediave, aktivistëve apo qytetarëve që kritikojnë pushtetin në interes publik. Por çfarë ndodhi dhe cili ishte rezultati përfundimtar i kësaj çështjeje?

Nga dekriminalizimi i shpifjes te “rregullimi” i profesionit të gazetarit

Në Komisionin Parlamentar për Çështjet Evropiane dhe Punët e Jashtme, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, prezantoi një nismë personale për dekriminalizimin e shpifjes, të konsultuar me grupet e interesit. Por, propozimi i saj u rrëzua.

Në të njëjtin komision, deputetë të Partisë Socialiste sollën në diskutim një tjetër element: rregullimin e profesionit përmes “statusit” të gazetarit.

Deputeti Balla theksoi se “në asnjë vend të Evropës nuk je gazetar vetëm se vetëshpallesh apo vë një bexh”. Përmes këtij qëndrimi ai kërkoi hartimin e një ligji për të rregulluar dhe regjistruar profesionin e gazetarit.

Deputetja Klodiana Spahiu e mbështeti këtë qasje, duke e krahasuar me rregullimin e profesioneve të tjera sikurse shëndetësia.

Organizatat e medias dhe vetë gazetarët reaguan njëzëri kundër kësaj qasjeje.

Ata kërkuan dekriminalizim të plotë të shpifjes, sikurse qe kërkuar vazhdimisht edhe nga BE-ja, si dhe heqje dorë nga çdo ide për regjistrimin e gazetarëve apo krijimin e një statusi formal.

Sipas tyre, lidhja e përgjegjësisë penale të shpifjes vetëm me gazetarët “e regjistruar dhe të njohur” krijon përjashtim dhe cenon lirinë e shprehjes, veçanërisht në një vend që “nuk ka dhe nuk duhet të ketë një sistem ligjor për regjistrimin e gazetarëve”.

Blerjana Bino, studiuese dhe përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt për Shqipërinë (SafeJournalists), theksoi se gazetaria nuk është e drejtë më vete për një kategorie profesionale, por një funksion i garantuar dhe i mbrojtur nga liria e shprehjes.

“Gazetaria […] mbrohet për shkak të asaj që bën: informon publikun, kontrollon pushtetin dhe kontribuon në debatin mbi çështje me interes publik,” u shpreh Bino.

Sipas saj, standardet evropiane e mbrojnë gazetarinë si veprimtari, jo si profesion që kërkon njohje shtetërore. Një sistem që kushtëzon mbrojtjen ligjore me regjistrim formal rrezikon ta shndërrojë një të drejtë universale në privilegj të kushtëzuar.

Isa Myzyraj nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e cilësoi këtë qasje si një ndërhyrje të rrezikshme shtetërore.

“Kjo qasje […] kur lidhet me përfitimin e një garancie penale, nuk është reformë, por kontroll,” tha Myzyraj për Citizens.al.

Ai vuri në dukje se Kodi Penal nuk përcakton se cili institucion do të regjistrojë gazetarët, duke hapur rrugën për një ligj të ardhshëm mbi statusin e tyre.

Sipas Myzyrajt, përdorimi i ligjit penal për të parapërgatitur këtë terren përbën mjet presioni ndaj medias. Ai e quajti “kornizë të rrezikshme konceptuale” e cila “është futur qëllimisht në Kodin Penal për t’i hapur rrugë regjistrimit të gazetarëve”.

Pedagogu dhe studiuesi i medias, Elvin Luku, vlerëson se pas ndryshimeve të fundit në Kodin Penal pozicioni i gazetarit është rënduar.

“Gazetari dënohet si kur gënjen me qëllim, ashtu edhe kur vepron në mirëbesim,” u shpreh ai duke përmendur termin ligjor “informacion në mirëbesim”.

Sipas ndryshimeve, në rast refuzimi për të hequr një publikim, gazetari duhet të provojë para gjykatës përpjekjet për verifikim, duke rrezikuar ekspozimin e burimeve.

Luku thotë se me ndryshimet e fundit shpifja lidhet nominalisht me gazetarin.

“Për ta përjashtuar nga përgjegjësia, e cenon rëndë pavarësinë e tij,” thekson ai.

Pedagogu Luku shton se KiE dhe Gjykata Evropiane inkurajojnë dekriminalizimin e shpifjes, por ndërkohë vetëm 4 prej 27 vendeve të BE-së e kanë kaluar shpifjen në proceset civile. Nga ana tjetër ai propozoi që rolin e regjistrimit të gazetarëve ta luajnë unionet aktuale ose ato të reja “me kushtet që të jenë jo më pak se tre, ose mbi tre”.

“Regjistrimi të jetë një akt formal, një lloj vetëdeklarimi, jo diplomë apo një licencë,” argumentoi Luku, sipas të cilit vetërregullimi i sektorit kërkon emancipim.

Regres ligjor dhe pasiguri

Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, e cilëson paketën e miratuar së fundmi si regres krahasuar me ndryshimet e para 14 viteve.

“Me ndryshimet […] ne mendojmë se është rënduar penalizimi i shpifjes dhe kjo ndoshta si reagim ligjbërësish nga kërkesa populiste dhe prej disa OJQ-sh”, tha Çipa për Citizens.al

Sipas tij, amendimet aktuale rrisin rrezikun penal, sidomos për gazetarët investigativë dhe “freelancer”-ët, duke i ekspozuar ndaj kërkesave për verifikim burimesh nga organet e drejtësisë – gjithmonë nëse përballen me padi për shpifje.

Çipa ngre pyetje thelbësore mbi konceptin e statusit të gazetarit, i cili me formulimin e ri lë hapësira ambigue si për shembull për regjistrimin: kush e certifikon, kush e përcakton, mbi çfarë baze dhe në cilin dokument zyrtar ekziston?

Ai thekson se në ligje nuk kanë vlera nënkuptimet dhe për këtë kujtoi se në Shqipëri janë debatuar shpesh dy modele: ai i Urdhrit të Gazetarëve dhe modeli evropian i vetërregullimit, por asnjëri nuk është ndërtuar realisht.

Sipas tij, vetërregullimi i strukturuar dhe gjithëpërfshirës mbetet alternativa e vetme dhe e duhur, por jo përmes presionit të Kodit Penal.

Për këtë propozon mbajtjen e një “Kongresi Kombëtar të vetërregullimit mediatik,” i cili të zgjedhë më pas një këshill me mekanizma ekzekutivë.

“Kjo arkitekturë mund të përfshijë çdo organizatë, çdo entitet dhe grup interesi, përfshi edhe ente apo struktura monitoruese që ka skena e shoqërisë sonë,” u shpreh Çipa.

Lexo gjithashtu:

The post Dekriminalizimi i pjesshëm dhe rreziku i “statusit” të gazetarit appeared first on Citizens.al.

“Seka Hydropower” s’u paraqit, pushohet padia ndaj banorëve të Zall-Gjoçajt

Tre muaj pasi i paditi për shpifje dhe fyerje, kompania që ka ndërtuar dhe operon hidrocentralet në zonën e Zall-Gjoçajt duket të jetë tërhequr. Gjykata e Lezhës vendosi sot të pushojë çështjen ndaj tre banorëve të zonës pasi përfaqësuesit e “Seka Hydropower” nuk u paraqitën.

“Ne kërkojmë drejtësi dhe e drejta do të dalë një ditë”, tha Dhimitër Koleci, pas vendimit.

Mosparaqitja e “Seka Hydropower,” si paditëse, ndodhi edhe pse ishte renë dakord për seancën e sotme nga të dyja palët.

“Gjykata vendosi pushimin e gjykimit, sepse vete kodi i procedurës penale parashikon që nëse nuk paraqitet kërkuesi apo përfaqësuesi i tij ligjor gjykimi pushohet”, u shpreh për Citizens.al Tauland Asllanaj, avokat i dy prej tre banorëve të paditur.

Të paditurit ishin Dhimitër Koleci, Adem Xhokola dhe Jorgji Locaj. Ajo bazohej në deklaratat për mediat dhe komunikimet e banorëve gjatë protestave, ku ata ngritën shqetësime për ndikimin e hidrocentraleve në lumin Flim dhe Urakë.

Më 26 nëntor 2025, ishte zhvilluar seanca e pajtimit ku kompania pati kërkuar që banorët të kërkonin falje për deklarata e tyre publike. Kërkesë që ishte refuzuar nga banorët, të cilët theksonin se padia ishte një përpjekje për t’i intimiduar për angazhimin si aktivistë kundër projekteve të hidrocentraleve.

“Palët nuk gjetën dakordësinë dhe për këtë shkak u la seanca sot,” tregoi avokati Asllanaj.

“Janë rregullat proceduriale që në momentin që dështon seanca e pajtimit dhe vijon gjykimi thërritet edhe një përfaqësues i Prokurorisë”, vijoi ai.

Sipas avokatit Asllanaj kjo ishte një përpjekje për të intimiduar aktivistët. Ai argumentoi se padia ishte e targetuar te personat më të zëshëm në protesta.

“Diskutimet apo pretendimet për shprehje fyese lidheshin thjesht me pretendimet e banorëve për të gëzuar të drejtën për ujë”, tha avokati.

Kompania pretendonte se këto deklarata i kanë dëmtuar imazhin. Ndërkohë, banorët dhe aktivistët e shihnin çështjen si një padi tipike SLAPP, e përdorur për të frenuar protestat dhe zërin kundërshtues të komunitetit. Kjo pasi nëse ata shpallen fajtor rrezikojnë një gjobë të konsiderueshme nga 50,000 deri në 3,000,000 lekë.

Kemi përballë një firmë të fuqishme që është e lidhur me shtetin, nuk janë njerëz të thjeshtë”, u shpreh Dhimitër Koleci pas pushimit të çështjes.

“Rasti i kësaj firme, kishte avokat atë që ka Belinda Balluku. Ajo që i ka dhënë licencën dhe ka formosur për këto HEC-e,” tregoi më tej Koleci.

Për çështjen e hidrocentraleve në Zall-Gjoçaj, banorët janë në procese gjyqësore.

Kronologjia e ndjekjes së çështjes në rrugë ligjore:

• 2019 – Gjykata Administrative rrëzoi kërkesën për pezullimin e punimeve.
• 2020 – Gjykata Administrative rrëzoi padinë për ndalimin e HEC-eve.
• 2021 – Gjykata anuloi licencën e dhënë nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) për HEC-in “Zajs” brenda Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj.
• 2021 – Gjykata rrëzoi padinë kundër institucioneve që dhanë lejet.
• 2021 – Apeli lë në fuqi vendimin për anulimin e licencës së ERE-s ndaj HEC-it “Zajs”.
• 2022 – ERE zbaton vendimin dhe i heq licencën HEC-it “Zajs”.
• 2022 – Gjykata e Lartë konfirmon përfundimisht heqjen e licencës kompanisë “Seka Hydropoëer” për një nga HEC-et.
• 2025 – Gjykata Administrative e Apelit lë në fuqi ndërtimin e HEC-eve në Zall-Gjocaj.

Lexo gjithashtu:

The post “Seka Hydropower” s’u paraqit, pushohet padia ndaj banorëve të Zall-Gjoçajt appeared first on Citizens.al.

Zvarritja e çështjes Balluku rikthen protestat përpara Kuvendit

Zvarritja e vendimmarrjes për imunitetin e zv.kryeministres Belinda Balluku riktheu sot protestat qytetare përpara Kuvendit.

Këshilli i Mandateve shtyu sërish mbledhjen, edhe pse ishte paralajmëruar se do të merrte një vendim këtë javë.

Ndërkohë, edhe Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi pezullimin Ballukut, e cila mban njëherësh edhe postin e ministres së Infrastrukturës.

Aktivistë dhe qytetarë e cilësuan këtë situatë si një zvarritje të qëllimshme të procesit.

Të indinjuar nga mungesa e ndëshkimit për korrupsionin e pretenduar nga hetimet e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), dhjetëra protestues u mblodhën sot përpara hyrjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ata shpalosën një banderolë me mesazhin: “Për drejtësi deri në fund!”.

“Kërkojmë në mënyrë të menjëhershme ndërprerjen e këtij procesi farsë, mbledhjen urgjente të Këshillit të Mandateve dhe trajtimin e çështjes me transparencë të plotë,” theksoi Sidorela Vatnikaj, nga organizata “Drejtësi Sociale”.

Sipas saj, çdo shtyrje tjetër përbën një akt të vetëdijshëm kundër demokracisë dhe vullnetit qytetar.

Gjatë protestës, aktivistët hodhën dhjetëra çelësa përpara hyrjes së Kryesisë si shenjë simbolike e një prej pretendimeve të ngritura, sipas së cilave dyshohet se numri dy i qeverisë ka kapitalizuar pasuri të majme nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin.

“A ka hall më të madh për qytetarin, kur prokuroria thotë se një ministër është duke vjedhur?” drejtoi si pyetje retorike Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, teksa akuzoi disa deputetë se po bllokojnë qëllimisht procesin.

Qiraxhi përmendi me emra Niko Peleshin, Taulant Ballën, Blendi Çuçin, Ulsi Manjën dhe Blendi Çomon, duke i cilësuar si pengues të drejtësisë.

“Kudo në botë shqiptarët mund të blejnë një shtëpi. I vetmi vend ku nuk munden, është Shqipëria,” tha ai në përmbyllje.

Aktivisti Andi Tepelena solli në vëmendje edhe pasojat sociale të qeverisjes. Ai theksoi emigrimin masiv të të rinjve duke referuar si shifër se 79% e studentëve synojnë të largohen nga vendi.

Kjo ishte protesta e dytë e këtij grupimi. Në dhjetor 2025, ata protestuan bashkë me Partinë Mundësia me moton “Peshku qelbet nga koka”.

Çfarë dimë deri më tani?

Që prej vjeshtës së vitit 2025, zëvendëskryeministrja Balluku është në qendër të një procesi hetimor dhe politik, që përfshin akuzat penale të SPAK, vendimet e gjykatave, si dhe ndërhyrjen institucionale të nivelit të lartë.

Në nëntor 2025, SPAK i bëri ballafaqim Ballukut dhe ish-drejtorëve të ARRSH-së, nën varësi të saj, me akuzat për shkelje të procedurave të prokurimit në projekte të mëdha, përfshirë tenderët për Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës, me vlerë qindra miliona euro.

Hetimi përfshinte pretendime se një grup zyrtarësh kishte favorizuar kompani të caktuara në shkelje të ligjit të prokurimeve. SPAK kërkoi më pas pezullimin nga detyra dhe një ndalim të daljes nga vendi për Ballukun, si masa sigurie.

Më 20 nëntor 2025, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i miratoi masat e kërkuara.

Kryeministri Edi Rama reagoi publikisht kundër vendimit të GJKKO-s, duke e cilësuar ndërhyrje të paprecedentë të sistemit të drejtësisë në funksionimin e ekzekutivit dhe e çoi çështjen para Gjykata Kushtetuese.

Kjo solli një konflikt kompetencash mes institucioneve, duke reflektuar tensione rreth ndarjes së pushteteve.

Më 12 dhjetor, me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi ta rikthejë në detyrë Ballukun, duke pezulluar përkohësisht efektet e vendimit të GJKKO-s deri në shqyrtim të mëtejshëm.

Vendimi u arrit pas një ankimi të Kryeministrit dhe u argumentua se masa e pezullimit nga detyra kishte krijuar mosmarrëveshje kompetencash në interpretimin e ligjit kushtetues mbi imunitetin dhe funksionimin e përgjithshëm të ekzekutivit, pra qeverisë.

Pas kësaj lëvizjeje, SPAK kërkoi zyrtarisht heqjen e imunitetit të Ballukut me synimin për të vendosur ndaj saj një masë më të fortë sigurie, çka nënkupton arrestimin.

Më 17 dhjetor, Kuvendi i mohoi anëtarëve të Këshillit të Mandateve dosjen hetimore duke e argumentuar këtë si informacion “sekret hetimor”. Ekspertët e quajtën vendimin absurd.

Gjykata Kushtetuese njoftoi të martën se i nevojitej më shumë kohë për t’u shprehur për çështjen e pezullimit nga GJKKO-ja, qëndrim që u përdor nga shumica socialiste si argument për të frenuar procesin e shqyrtimit të imunitetit të Ballukut.

Lexoni gjithashtu:

The post Zvarritja e çështjes Balluku rikthen protestat përpara Kuvendit appeared first on Citizens.al.

❌