Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

SHBA – Ekonomia tejkalon pritshmëritë, rritet me 4,3% në tremujorin e tretë

UASHINGTON, 23 dhjetor /ATSH-DPA/- Në periudhën korrik-shtator, ekonomia amerikane u rrit me një normë vjetore prej 4,3%, sipas të dhënave paraprake të qeverisë.

Shifra e tremujorit të tretë e raportuar nga Departamenti Amerikan i Tregtisë ishte shumë më e lartë se vlerësimi i ekonomistëve prej 3,3% dhe tejkaloi rritjen prej 3,8% të regjistruar në tremujorin e dytë.

Performanca më e fortë se sa pritej u nxit nga shpenzimet e larta të konsumatorëve gjatë verës, si dhe nga rritjet në eksporte dhe shpenzime qeveritare.

Publikimi i të dhënave u vonua për shkak të mbylljes 43-ditore te qeverisë që përfundoi më 12 nëntor.

“Pas kursit zigzag të gjysmës së parë të vitit, ka shumë indikacione të stabilizimit të ekonomisë amerikane”, tha Stephan Bales, ekspert në “KfW Research” të Gjermanisë.

Byroja zyrtare e Analizës Ekonomike tha se rritja e PBB-së reale në tremujorin e tretë pasqyroi rritjet në shpenzimet e konsumatorëve, eksportet dhe shpenzimet qeveritare që u kompensuan pjesërisht nga një rënie në investime.

“Tarifat janë përgjegjëse për shifrat e shkëlqyera ekonomike të SHBA-së që sapo u publikuan… dhe ato vetëm do të përmirësohen”, shkroi presidenti i SHBA-së,Donald Trump në “Social Truth” – duke pretenduar se politika e tij tarifore fshihej pas rezultatit pozitiv. //a.i/

 

 

The post SHBA – Ekonomia tejkalon pritshmëritë, rritet me 4,3% në tremujorin e tretë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 1,5 milionë kontrata sigurimi dhe rritje dyshifrore e primeve

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka vijuar trendin pozitiv gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti, duke reflektuar rritje të të ardhurave nga primet dhe zgjerim të numrit të kontratave të sigurimit, ndërsa niveli i dëmeve të paguara ka shënuar një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit arritën në 24,2 miliardë lekë, ose 10,17% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Paralelisht, numri i kontratave të sigurimit të lidhura u rrit me 4,69%, duke arritur në 1,506,529 kontrata, çka tregon një zgjerim të bazës së klientëve dhe rritje të kërkesës për produkte sigurimi.

Struktura e tregut mbetet e dominuar nga sigurimet e Jo-Jetës, të cilat përbëjnë 91,54% të totalit të primeve të shkruara bruto. Sigurimet e Jetës zënë 8,43% të tregut, ndërsa risigurimi mbetet në nivele minimale me 0,028%. Këto të dhëna konfirmojnë orientimin tradicional të tregut shqiptar drejt sigurimeve Jo-Jetë, veçanërisht atyre motorike.

Nga këndvështrimi i ndarjes sipas llojit të sigurimit, primet e sigurimit të detyrueshëm vijojnë të kenë peshën kryesore në treg, duke zënë 62,42% të totalit, ndërsa sigurimet vullnetare përbëjnë 37,58%.

Në anën tjetër, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve gjatë janar-nëntor 2025 arritën në rreth 7,4 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 3,61% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik, që përbëjnë pjesën më të madhe të dëmeve totale, kapën vlerën 5,7 miliardëë lekë, me një rritje të lehtë prej 0,31% në krahasim me një vit më parë. /j.p/

The post Mbi 1,5 milionë kontrata sigurimi dhe rritje dyshifrore e primeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Forcohet roli në mbrojtjen e territorit, shtohet pozicioni i Prefektit Detar

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Propozimet për ndryshime në ligjin “Për prefektin e qarkut”, u diskutuan në një tryezë konsultative të drejtuar nga ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, së bashku me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, në të cilën ishin të pranishëm të gjithë prefektët e qarqeve në vend.

Sipas draftit të përgatitur, në ligjin e ri do të forcohet roli i prefektit në çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e territorit, po gjithashtu edhe për emergjencat civile e për aspekte të ndryshme të sigurisë publike.

Një risi e propozuar është ajo e funksionit të “Prefektit Detar”, i cili ka në përgjegjësi mbrojtjen e vijës bregdetare.

Gjatë kësaj tryeze konsultative u vlerësuan propozimet e bëra dhe u bënë sugjerime interesante në lidhje me projektligjin e ri.

Duke qenë se po afrohemi drejt fundit të vitit, ministrja Koçiu u kërkoi prefektëve të qarqeve një angazhim edhe më të fortë për të koordinuar strukturat në garantimin e rendit e sigurisë publike gjatë festave që po afrojnë, por edhe në lidhje me masat që duhen pasur parasysh në raste emergjencash.

Projektligji “Për Prefektin e Qarkut” synon të riformësojë rolin e prefektit si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në territor dhe të forcojë mekanizmat e koordinimit mes institucioneve qendrore dhe pushtetit vendor.

Projektligji parashikon një rol më aktiv të prefektit në ndërlidhjen e veprimtarisë së administratës shtetërore me pushtetin vendor, si dhe në raportimin e drejtpërdrejtë pranë Kryeministrit në rastet kur problematikat nuk gjejnë zgjidhje në nivel ministror.

Risi e paketës ligjore është krijimi i institucionit të “Prefektit Detar”, një strukturë e re që synon forcimin e sigurisë në zonat bregdetare. Sipas projektligjit, do të emërohen dy prefektë detarë, me qendra në Durrës dhe Vlorë, me juridiksion mbi dhe nën lumin Seman. Prefekti Detar do të ketë përgjegjësi të gjera në koordinimin e sigurisë detare, monitorimin e vijës bregdetare, menaxhimin e burimeve detare, sigurinë e plazheve, luftën kundër aktiviteteve të paligjshme në det dhe drejtimin e strukturave për emergjencat civile detare.

/e.i/j.p/

The post Koçiu: Forcohet roli në mbrojtjen e territorit, shtohet pozicioni i Prefektit Detar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kievi konfirmon tërheqjen e trupave nga Siversku në rajonin e Donetskut

KIEV, 23 dhjetor /ATSH-DPA/- Ushtria ukrainase njoftoi sot se është tërhequr nga qyteti i Siverskut në rajonin lindor të Donetskut.

“Luftime të ashpra kanë vazhduar në zonën e Siverskut”, tha sot ne media sociale Shtabi i Përgjithshëm.

“Por, për të shpëtuar jetën e ushtarëve tanë dhe për të ruajtur forcën luftarake të njësive”, trupat ukrainase janë tërhequr”, thuhet në deklaratë.

Para se të fillonte pushtimi rus, Siversku kishte një popullsi prej pak më shumë se 10 000 banorësh.

Për një kohë të gjatë, vija e frontit në zonë konsiderohej relativisht e qëndrueshme, por kohët e fundit presioni nga sulmuesit rusë është intensifikuar.

Presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi pushtimin e qytetit më pak se dy javë më parë gjatë një takimi të transmetuar pjesërisht me shefin e Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov. Kievi e mohoi këtë pretendim, në atë kohë.

Siversku konsiderohet strategjikisht i rëndësishëm pasi është pjesë e një linje mbrojtjeje që mbron zonën e fundit të madhe urbane në rajonin e Donbasit – të kontrolluar nga forcat ukrainase.

Pas marrjes së kontrollit të Siverskut, sulmuesit rusë tani mund të avancojnë drejt qyteteve të Slovianskut dhe Kramatorskut.

Ukraina ka qenë duke u mbrojtur nga pushtimi rus në shkallë të plotë – që nga shkurti i vitit 2022 me ndihmën masive të aleatëve perëndimorë. //a.i/

The post FOKUS – Kievi konfirmon tërheqjen e trupave nga Siversku në rajonin e Donetskut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump fton liderët e Kazakistanit dhe Uzbekistanit në samitin e G20 vitin e ardhshëm

UASHINGTON, 23 dhjetor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha sot se kishte biseduar me presidentët e Kazakistanit dhe Uzbekistanit dhe se i kishte ftuar të dy udhëheqësit në samitin e G20 vitin e ardhshëm në Miami, Florida, sipas “Reuters”.

“Diskutuam rëndësinë e sjelljes së paqes në konfliktet e vazhdueshme dhe rritjen e tregtisë dhe bashkëpunimit midis kombeve tona”, tha Trump në një postim në “Truth Social”, duke iu referuar dy bisedave telefonike të tij me presidentin e Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev dhe presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të presin Samitin e G20 vitin e ardhshëm dhe do t’u bëjnë ftesa të dy udhëheqësve që të bashkohen me ne si të ftuar”, tha ai.

Ndërsa asnjëri vend nuk është pjesë e G20, është e zakonshme që organizatori i samitit të ftojë shtetet jo-anëtare të marrin pjesë në diskutime.

Muajin e kaluar, Tokayev dhe Mirziyoyev udhëtuan në Uashington për diskutime së bashku me udhëheqës nga Kirgistani, Taxhikistani dhe Turkmenistani.

Vëmendja në rritje e administratës amerikane në Azinë Qendrore lidhet me burimet e bollshme minerale të rajonit, veçanërisht ndërsa SHBA-ja kërkon të sigurojë metale të rralla tokësore që janë thelbësore për aplikimet e teknologjisë së lartë, duke përfshirë telefonat inteligjentë, automjetet elektrike dhe avionët ushtarakë. //a.i/

 

The post SHBA – Trump fton liderët e Kazakistanit dhe Uzbekistanit në samitin e G20 vitin e ardhshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Komediani Russell Brand akuzohet për dy krime të tjera seksuale

LONDËR, 23 dhjetor /ATSH/- Policia britanike tha sot se komediani, Russell Brand është akuzuar për dy krime të tjera seksuale, një akuzë të re për përdhunim dhe një tjetër për ngacmim seksual, sipas “Reuters”.

Akuzat e reja lidhen me dy gra që pasuan pesë akuza të ngritura në prill që përfshinin katër gra të tjera: dy akuza për përdhunim, një për ngacmim të pahijshëm dhe dy për ngacmime seksuale.

Brand, 50 vjeç, do të paraqitet në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster më 20 janar në lidhje me akuzat e reja.

Një gjyq për akuzat e mëparshme është planifikuar në Gjykatën “Southwark Crown” më 16 qershor. //a.i/

The post KINEMA – Komediani Russell Brand akuzohet për dy krime të tjera seksuale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Raketat e Iranit, prioritet i Izraelit përpara takimit Trump–Netanyahu

TEL AVIV, 23 dhjetor /ATSH/ – Ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po përgatitet të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump, në Florida më 29 dhjetor, fokusi është vënë te Irani, por me një ndryshim.

Izraeli është i fokusuar në mënyrë intensive te programi i raketave balistike të Iranit, të cilin e sheh si kërcënimin ekzistencial më urgjent pasi sulmet ajrore amerikano-izraelite dëmtuan rëndë infrastrukturën bërthamore të Iranit gjatë një fushate ajrore 12-ditore në qershor.

Ky ndryshim thekson një divergjencë në rritje mes SHBA-së dhe Izraelit. Trump e ka përshkruar vazhdimisht kërcënimin bërthamor të Iranit si “të shkatërruar”, duke ia atribuar këtë bombardimeve të objekteve në Isfahan, Fordo dhe Natanz. Izraeli pajtohet se programi është kthyer mbrapa për një ose dy vjet.

Megjithatë, ai paralajmëron se raketat, në të cilat Irani po punon, së shpejti mund të mbingarkojnë sistemet mbrojtëse, siç u demonstrua kur 36 nga 550 raketa goditën territorin izraelit në qershor, duke shkaktuar dëme të gjera.

Raketat si prioritet “i menjëhershëm”

Zyrtarë izraelitë, duke folur për NBC News dhe Axios, e përshkruajnë përshpejtimin e programit raketor të Iranit si “më urgjent” sesa programin e tij bërthamor.

Izraeli thotë se Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kanë kryer stërvitje dhe e kanë paralajmëruar Uashingtonin se Teherani mund t’i përdorë këto ushtrime si mbulesë për sulme të befasishme.

Kjo vjen mes raportimeve kontradiktore në Iran lidhur me faktin nëse testet e raketave po zhvillohen vërtet.

Mediat iraniane, përfshirë agjencinë e lajmeve Fars të lidhur me IRGC-në, raportuan më 22 dhjetor se forcat e armatosura po kryenin stërvitje, ndërsa përdoruesit në rrjete sociale shpërndanë video dhe pamje të gjurmëve të avujve në qiell mbi Iranin qendror dhe perëndimor.

Megjithatë, transmetuesi shtetëror i mohoi shpejt raportimet, duke cituar një “burim të informuar” të paemëruar, i cili këmbënguli se gjurmët vinin nga “avionë në lartësi të mëdha” dhe pretendoi se asnjë stërvitje nuk po zhvillohej.

Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Eyal Zamir, la të kuptohej për gatishmëri për goditje të reja kundër Iranit “kudo që të kërkohet”, duke i dhënë përparësi linjave të prodhimit që Izraeli druhet se mund të nxjerrin 3.000 raketa në vit.

Netanyahu planifikon t’i paraqesë Trumpit opsione për sulme — të udhëhequra nga Izraeli, të përbashkëta ose të mbështetura nga SHBA-ja — duke argumentuar se raketat mundësojnë luftëra përmes forcave si Hezbollahu dhe Huthit, ndërsa mbrojnë ringjalljen bërthamore të Iranit.

Farzin Nadimi, studiues i lartë në Institutin e Uashingtonit, i tha Shërbimit Iranian të Radios Evropa e Lirë se Izraeli po u bën presion Shteteve të Bashkuara që t’i riklasifikojnë raketat si armë të shkatërrimit në masë.

“Izraeli po përpiqet ta ndryshojë këtë këndvështrim, duke përdorur përvojën e luftës së fundit për të bindur Shtetet e Bashkuara se aftësitë raketore të Iranit janë po aq kërcënuese në mënyrë ekzistenciale sa edhe ato bërthamore”, tha Nadimi.

Ai vuri në dukje hezitimin amerikan, që i sheh armët bërthamore si rrezikun kryesor, tashmë të dobësuar, por shtoi: “Nga këndvështrimi i Izraelit, këto duhet të konsiderohen armë të shkatërrimit në masë për popullin e tij”.

Nadimi paralajmëroi se shkatërrimi total i raketave mund të detyrojë një ndryshim doktrinar në Teheran.

“Nëse Izraeli shkatërron plotësisht aftësitë ofensive raketore të Iranit… ai ose do të duhej të dorëzohej ose të bënte një ndryshim themelor doktrinar”, tha ai, duke shtuar se rruga teknike e Iranit drejt mbushjeve bërthamore mbetet e realizueshme në një laborator të sigurt duke përdorur rezerva uraniumi të pasuruar në 90 për qind.

Vija e kuqe raketore e Iranit

Irani ka pohuar prej kohësh se programi i tij raketor është i panegociueshëm, duke këmbëngulur se është thjesht për mbrojtje. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baqaei, e ritheksoi këtë më 22 dhjetor.

“Aftësitë mbrojtëse të Republikës Islamike të Iranit janë projektuar me qëllimin e frenimit të agresorëve nga çdo mendim për të sulmuar Iranin. Në asnjë rrethanë ato nuk janë çështje që mund të diskutohen apo negociohen”, tha ai.

Hamidreza Azizi, studiues në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, vuri në dukje se, ndonëse Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli mund të duan gjëra të ndryshme nga Irani, ata përputhen në një pikë: “Irani është i dobësuar tani, kështu që është koha për të nxjerrë më shumë lëshime”.

Irani e ka kufizuar rrezen e raketave të tij në 2.000 kilometra, megjithëse muajt e fundit ka lënë të kuptohet se mund ta rrisë këtë kufi nëse e sheh të nevojshme. Azizi tha se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli duan që Irani ta reduktojë rrezen e raketave — një gjë e papranueshme për Teheranin.

Edhe në skenarin e pamundur të një marrëveshjeje për programin raketor të Iranit, ai vuri në dukje se Uashingtoni është i vetëdijshëm se zbatimi do të ishte i vështirë, duke pasur parasysh mungesën e një organi ndërkombëtar monitorues apo të një regjimi garancish për programet raketore.

Në këtë kontekst, Azizi argumentoi se raketat shërbejnë si mjet presioni:

“Së pari, për ta bërë Iranin të heqë dorë plotësisht nga pasurimi [i uraniumit] në territorin e tij; së dyti, për të siguruar lëshime mbi transferimet e armëve te grupe si Hezbollahu ose Houthit”, shtoi ai.

Mediat iraniane, të gëzuara por të shqetësuara

Retorika izraelite rreth programit raketor të Iranit është pritur me një përzierje kënaqësie dhe alarmi në mediat iraniane.

Duke theksuar ritmin e Iranit në rindërtimin e arsenalit të tij raketor pas qershorit, gazeta Javan e lidhur me IRGC-në tha se Izraeli ishte “i tmerruar” nga aftësia e Iranit për të lëshuar qindra raketa në një konflikt të mundshëm. I njëjti qëndrim u pasqyrua edhe nga media të tjera të linjës së ashpër, si agjencia e lajmeve Mehr, shkruan REL.   /os/

The post FOKUS – Raketat e Iranit, prioritet i Izraelit përpara takimit Trump–Netanyahu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE mbështetje financiare për industritë që kërkojnë shumë energji

BRUKSEL, 23 dhjetor /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian ka miratuar një ndryshim në Udhëzimet e Ndihmës Shtetërore të Sistemit të Tregtimit të Emetimeve të BE-së (ETS), duke u lejuar vendeve anëtare të ofrojnë më shumë mbështetje financiare për një gamë më të gjerë industrish që kërkojnë shumë energji.

KE do të lejojë që industritë më intensive në energji të marrin kompensim për të kompensuar kostot e përmbushjes së rregullave të BE-së për emetimet, ndërsa kërkon të parandalojë kompanitë nga zhvendosja e operacioneve jashtë bllokut.

Nën presionin e industrive dhe disa vendeve anëtare, Bashkimi Evropian ka ndërmarrë hapa të gjerë për të lehtësuar barrën e legjislacionit që synon të trajtojë ndryshimet klimatike për të siguruar që kompanitë evropiane të mbeten konkurruese.

Qëllimi është të forcohet konkurrueshmëria e industrisë së BE-së, të parandalohen kompanitë nga zhvendosja e prodhimit jashtë BE-së (e njohur si “rrjedhje karboni”) dhe të nxitet dekarbonizimi.

“Sektorët që do të marrin mbështetje, si industritë e çelikut dhe kimike, do të jenë gjithashtu të kualifikuar për të marrë më shumë ndihmë shtetërore”, njoftoi sot komisioni në Bruksel.

Në mënyrë specifike, i ashtuquajturi kompensim i çmimit të energjisë elektrike do të zgjerohet. Kjo do t’i lehtësojë në mënyrë indirekte kompanitë nga kostot e tregtimit të emetimeve të CO2.

Komisioni tha se rritjet e çmimeve paraqesin rrezikun që industritë me intensitet të lartë energjie të zhvendosin prodhimin e tyre në vende jashtë BE-së që kanë kufizime më të ulëta të emetimeve.

Ekziston gjithashtu frika se importet që janë më të dëmshme për klimën do të zëvendësojnë produktet e BE-së, të cilat komisioni thotë se “çojnë në më pak aktivitet ekonomik në BE dhe nuk ulin emetimet e gazrave serrë në nivel global”.

Në përgjigje të rritjes së çmimit të certifikatave të gazrave serrë, industri të tjera si qeramika, qelqi dhe bateritë tani do të jenë gjithashtu të kualifikuara për mbështetje.

Për industritë ekzistuese, subvencioni maksimal do të rritet gjithashtu nga 75% në 80% të kostove indirekte të energjisë elektrike.

Në të njëjtën kohë, përfituesit e mëdhenj të ndihmës duhet të investojnë një pjesë të parave në projekte që kontribuojnë në uljen e kostove të sistemit të energjisë elektrike. //a.i/

The post BRUKSEL – BE mbështetje financiare për industritë që kërkojnë shumë energji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump thirrje Maduro të largohet me dëshirë nga pushteti

UASHINGTON, 23 dhjetor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se do të ishte e mençur që presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, të largohej nga pushteti dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta mbanin ose ta shisnin naftën që kishin konfiskuar në brigjet e Venezuelës në javët e fundit, sipas “Reuters”.

Presioni i Trump ndaj Maduro ka përfshirë një prani ushtarake të shtuar në rajon dhe më shumë se dy duzina sulme ushtarake ndaj anijeve që dyshohet se trafikojnë drogë në Oqeanin Paqësor dhe Detin e Karaibeve pranë kombit të Amerikës së Jugut.

Të paktën 100 persona janë vrarë në këto sulme.

“Mendoj se do të ishte e zgjuar nga ana e Maduro, nëse e bënte këtë,” u tha Trump gazetarëve në resortin e tij Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida, kur u pyet nëse qëllimi i tij ishte të detyronte presidentin e Venezuelës të largohej nga pushteti.

“Nëse ai luan ashpër, do të jetë hera e fundit që ai do të jetë në gjendje të luajë ashpër”, shtoi ai.

Trump konfirmoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndiqnin një anije cisternë të sanksionuar gjatë fundjavës.

Shumë media amerikane raportuan të dielën se Roja Bregdetare e SHBA-së “është në ndjekje aktive” të anijes cisternë “Bella 1” në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve të Venezuelës, ndërsa ajo ishte në rrugën drejt Venezuelës për të ngarkuar naftë.

“New York Times” raportoi dje se anija cisternë ishte arratisur në Oqeanin Atlantik.

Nëse kapet, kjo do të shënonte anijen cisternë të tretë të kapur me sukses nga SHBA-ja pranë Venezuelës në më pak se dy javë.

Javën e kaluar, Trump urdhëroi një “bllokim të plotë dhe total” të të gjitha anijeve cisternë të sanksionuara që hyjnë ose dalin nga Venezuela, duke e shpallur qeverinë e Maduro një organizatë të huaj terroriste.

Pentagoni ka vendosur rreth një duzinë anijesh luftarake, përfshirë “USS Gerald R. Ford”, një aeroplanmbajtëse e madhe, dhe rreth 15,000 trupa në Detin e Karaibeve – i cili ndan një pjesë të konsiderueshme të vijës bregdetare me Venezuelën.

Rajoni nuk ka parë një prani kaq masive ushtarake amerikane për të paktën tre dekada.//a.i/

The post SHBA – Trump thirrje Maduro të largohet me dëshirë nga pushteti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Komuna e Tetovës, qendër dinamike arsimore dhe kulturore

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut vizitoi komunën e Tetovës.

Spiropali u prit fillimisht nga kryetari i komunës Bilall Kasami.

Në fokus të takimit ishte zhvillimi lokal, sfidat e qytetit dhe rolin që Tetova luan sot si një qendër dinamike arsimore, kulturore dhe shoqërore në rajon.

Më tej, Spiropali dhe zyrtarët lokalë ndoqën performancat artistike të të rinjve në shkollën e mesme mjekësore të Tetovës.

“Një gjeneratë e re ruan me pasion vlerat, traditat dhe trashëgiminë që e bëjnë këtë qytet kaq të gjallë, krenar dhe frymëzues për të mirën e përbashkët”, theksoi Spiropali nga shkolla e mesme mjekësore.

Kryediplomatja shprehu emocione nga performancat artistike të të rinjve në shkollën e mesme mjekësore të Tetovës, aty ku, siç theksoi ajo, një gjeneratë e re ruan me pasion vlerat, traditat dhe trashëgiminë.

Ministrja Spiropali zhvilloi një vizitë zyrtare dy ditore në Maqedoninë e Veriut, ku u takua me Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, Kryeministrin Hristijan Mickosk dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit fqinj.

Nga vizita e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali në Komunën e Tetovës
1 nga 12

/e.i/j.p/

The post Spiropali: Komuna e Tetovës, qendër dinamike arsimore dhe kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Wadephul: Armëpushimi në Ukrainë nuk do t’i japë fund kërcënimit rus

BERLIN,  23 dhjetor /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul beson se Rusia mund të shfrytëzojë një armëpushim të mundshëm në Ukrainë për të intensifikuar përgatitjet për një sulm ndaj një vendi anëtar të NATO-s, duke i kërkuar aleancës mbrojtëse të përgatitet për një skenar të tillë.

Duke theksuar se nuk dëshironte të spekulonte mbi gjasat që kjo të ndodhte, diplomati më i lartë i Gjermanisë tha: “Mund të na këshilloj vetëm të përgatitemi për mundësinë që kjo të ndodhë”.

Ai vuri në dukje se NATO po zgjeron strukturat e saj mbrojtëse, ndërsa Gjermania po rinovon forcat e saj të armatosura, duke rritur numrin e trupave dhe pajisjeve në pritje të një sulmi të mundshëm rus.

‘’Evropa nuk duhet të ulë vigjilencën e saj nëse përpjekjet për të arritur një armëpushim në Ukrainë janë të suksesshme, theksoi Wadephul.

Siguria në Evropë do të varet nga Rusia për një kohë të gjatë, tha ai, duke shtuar se Moska mund të mbahet larg vetëm “nga një pozicion force, uniteti brenda aleancës dhe forca të armatosura të afta”, shtoi ai.

“Nuk ka asnjë arsye pse ne duhet të zvogëlojmë përpjekjet tona. Përkundrazi. Mund të këshilloj fuqimisht kundër bërjes së lëshimeve në të gjitha këto projekte dhe plane, sepse vetëm një pozicion force do të çojë në siguri më të madhe për ne në NATO dhe gjithashtu për ne në Gjermani”, shtoi ai.

‘’Nëse ushtria ruse do të arrinte sukses të qëndrueshëm ushtarak në Ukrainë, kjo do të përbënte një kërcënim serioz për NATO-n”, paralajmëroi Wadephul.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, vlerësoi muajin e kaluar se Rusia mund të jetë në gjendje të sulmojë një vend të NATO-s në krahun lindor të aleancës deri në vitin 2029, pas rindërtimit të forcave të saj të armatosura.   /os/

The post BERLIN – Wadephul: Armëpushimi në Ukrainë nuk do t’i japë fund kërcënimit rus appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rita Petro fiton çmimin “Poeti Laureat 2025-2027”

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit vlerësoi Rita Petron me çmimin “Poeti Laureat 2025-2027”.

Petros iu dorëzua çmimi nga poeti e shkrimtari Primo Shllaku. Vlerësimi shkon përtej suksesit personal dhe shënon një moment të rëndësishëm për letërsinë shqipe bashkëkohore.

“Mendoj që kjo lloj poezie të shkojë sidomos tek të rinjtë, sepse duke qenë brenda programeve shkollore, unë e di që aty janë të kufizuara dhe në përgjithësi bëhet poezia e traditës. Kështu që kurset e hapura dhe punëtoritë me studentë dhe ata që duan të shkruajnë, por edhe kurset e hapura e leximet e hapura dhe për ata që duan të krijojnë bashkëbisedim, sepse në fund të fundit, poezia na zhvesh nga komplekset”, u shpreh poetja Rita Petro.

Misioni i çmimit “Poeti Laureat” është të nderojë autorë që, përmes fjalës poetike të pasurojnë gjuhën artistike dhe mbajnë gjallë dialogun mes letërsisë dhe shoqërisë. Ky çmim i jep poezisë një hapësirë më të madhe në vëmendjen publike dhe rikujton se fjala poetike mbetet një mjet i fuqishëm reflektimi dhe ndërgjegjësimi. /j.p/

The post Rita Petro fiton çmimin “Poeti Laureat 2025-2027” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Autoriteti i Konkurrencës nis hetimin për rritjen e çmimit të biletës të transportit urban në Kamzë

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim paraprak në tregun e transportit urban në zonën e Kamzës, pas ankesave dhe shqetësimeve të ngritura nga publiku lidhur me rritjen e çmimeve të biletave dhe aboneve.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimi është hapur ndaj shoqërisë SHPRESA-AL SHPK, e cila operon në linjat Kamzë-Tiranë-Kamzë dhe Paskuqan-Babrru-Tiranë.

Nga verifikimet paraprake rezulton se SHPRESA-AL SHPK është operatori i vetëm i licencuar në këto linja, duke zotëruar një pozitë dominuese në tregun përkatës.

Autoriteti i Konkurrencës thekson se, nga vlerësimi fillestar, mungojnë analizat ekonomike dhe financiare që do të justifikonin rritjen e tarifave të aplikuara për shërbimin e transportit urban.

Hetimi paraprak do të përfshijë periudhën 1 janar 2025-12 dhjetor 2025, gjatë së cilës Autoriteti do të analizojë nëse ka shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. /j.p/

The post Autoriteti i Konkurrencës nis hetimin për rritjen e çmimit të biletës të transportit urban në Kamzë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Trump ofron 3,000 dollarë për emigrantët që largohen vetë nga SHBA-ja

UASHINGTON, 23 dhjetor /ATSH/- Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka njoftuar një program të ri që u ofron emigrantëve pa dokumente deri në 3,000 dollarë për t’u larguar vullnetarisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përpara fundit të vitit, sipas VOX.

Sipas autoriteteve amerikane, personat që dëshirojnë të përfitojnë nga kjo ofertë mund të regjistrohen përmes një aplikacioni të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, ku duhet të japin të dhënat personale për të përfituar udhëtimin falas drejt vendit të origjinës.

Sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem deklaroi se emigrantët pa dokumente duhet të përfitonin nga kjo mundësi dhe të vetëdeportoheshin – duke paralajmëruar se ata që nuk i bashkoheshin nismës do të përballeshin me arrestime.

Masa është pjesë e politikave të ashpra të administratës Trump për emigracionin dhe synon të ulë numrin e emigrantëve të parregullt në vend. //a.i/

 

The post UASHINGTON – Trump ofron 3,000 dollarë për emigrantët që largohen vetë nga SHBA-ja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Diskutuam me SHBA-në për rikthimin e dialogut strategjik

PRISHTINË, 23 dhjetor /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se gjatë takimit me zëvendëssekretarin e Shtetit të ShBA-së, Christopher Landau kanë diskutuar për rikthimin e dialogut strategjik.

Në një video në rrjete sociale, Osmani ka thënë po ashtu se me Landaun kanë diskutuar edhe për një sërë çështjesh që lidhen me bashkëpunimin dypalësh, sigurinë, paqen, ekonominë dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.

Ajo foli edhe për nënshkrimin e ligjit nga presidenti amerikan, Donald Trump, në të cilin përfshihet edhe Republika e Kosovës, e i cili parashikon mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, duke përjashtuar ndryshimet e kufijve, dhe përcakton që dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke.

“Diskutuam edhe për një sërë çështjesh tjera për të cilat është e domosdoshme që të kemi koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në si aleati ynë më i rëndësishëm strategjik dhe në të njëjtën kohë hapat përpara dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrim në mënyrë që dialogu strategjik me SHBA të rikthehet”, tha ajo pas takimit me zëvendëssekretarin amerikan.

Në takimin me zëvendëssekretarin, presidentja Osmani ka theksuar gjithashtu mbështetjen e SHBA-ve për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për rritjen e investimeve strategjike në sektorin ekonomik. Ajo ka nënvizuar nevojën për koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në si aleat strategjik dhe ka shprehur besimin e plotë në administratën e Presidentit Trump.

/KosovaPress/

The post Osmani: Diskutuam me SHBA-në për rikthimin e dialogut strategjik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

50-vjetori i animacionit shqiptar

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Animacioni shqiptar i ka fillesat e tij 50 vjet më parë.

Në një aktivitet përkujtimor në nderim të animacionit dhe atyre që kontribuan në realizimin e këtij arti, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ndihmoi me dokumente arkivore dhe pamje filmike.

Kreu i AQSHF, Eljan Tanini, e konsideroi këtë jubile të artit tonë pamor, jo vetëm si një përvjetor festiv, por një rikthim në rrënjët e krijimtarisë sonë filmike aty ku lindi vizioni, ironia, karakteri dhe poezia që solli animacionin shqiptar ndër dekada.

Në fondin e AQSHF-së, ruhet një pasuri me vlera e cila bën të mundur që kjo histori të kujtohet me autenticitet duke i dhënë frymë figurave që e ndërtuan me pasion dhe vizion këtë traditë.

Në aktivitet u vlerësuan dhe u shpreh mirënjohja për të gjithë krijuesit, animatorët, studiuesit dhe dashamirësit që vijojnë ta mbajnë të gjallë trashëgiminë e animacionit shqiptar.

/a.f/

The post 50-vjetori i animacionit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sejko takim me gazetarët, ndahet ”Çmimi i Guvernatorit për diplomën më të mirë për vitin 2025”

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me publicistë, analistë, gazetarë dhe përfaqësues të shtypit të shkruar e medias elektronike në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e komunikimit të qartë, të saktë dhe profesional në një mjedis ekonomik dhe financiar gjithnjë e më kompleks, duke vënë në dukje se bashkëpunimi me median është thelbësor për transparencën dhe mirëkuptimin publik të politikave të bankës qendrore.

Guvernatori Sejko nënvizoi se media ka një rol të pazëvendësueshëm në shpjegimin e vendimmarrjes monetare dhe financiare.

Ai u ndal gjithashtu në ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2025, duke theksuar se ajo ka vijuar të shfaqë rritje të qëndrueshme, një treg pune të fortë dhe inflacion të ulët, në kushtet e një mjedisi të jashtëm të pasigurt.

Në këtë kontekst, politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka qenë e kujdesshme dhe e orientuar drejt ruajtjes së stabilitetit, duke synuar një ekuilibër të qëndrueshëm mes kontrollit të inflacionit dhe mbështetjes së rritjes ekonomike.

“Vendimet tona kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe të bizneseve, ndaj transparenca dhe shpjegimi i tyre mbeten një prioritet i vazhdueshëm për Bankën e Shqipërisë.”, theksoi ai.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rolit të medias në luftën kundër dezinformimit financiar, ku Guvernatori e cilësoi median profesionale si një partnere të rëndësishme në rritjen e kulturës ekonomike dhe financiare në vend.

Ai nënvizoi se dialogu i hapur dhe kritik me gazetarët dhe analistët kontribuon në forcimin e llogaridhënies dhe të besueshmërisë institucionale, elemente thelbësore këto për stabilitetin ekonomik afatgjatë.

Një pjesë e veçantë e aktivitetit iu kushtua ndarjes së Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2025, si dëshmi e angazhimit të Bankës së Shqipërisë për nxitjen e kërkimit shkencor dhe ekselencës akademike.

Këtë vit, në këtë konkurs aplikuan 38 studentë me punime universitare dhe master, që trajtonin tema me rëndësi për politikëbërjen ekonomike dhe financiare në vend.

Studimi vlerëson ndikimin e politikës monetare mbi të ardhurat nga puna gjatë periudhës 2014–2024 dhe ndihmon në kuptimin e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare në tregun e punës.

Çmimi i Tretë iu akordua studentes Eris Hoti, nga King’s College London, MSc Financial Policy and Regulation, për temën “Bank Size and Competition in Albania: Evidence from the Panzar and Rosse Model”.

Teza analizon konkurrencën në sektorin bankar shqiptar dhe evidenton dallimet në sjelljen konkurruese sipas madhësisë së bankave.

Në përmbyllje, Guvernatori Sejko përgëzoi fituesit dhe të gjithë pjesëmarrësit për nivelin e lartë të punimeve, duke i inkurajuar ata të ruajnë një lidhje të vazhdueshme me Bankën e Shqipërisë dhe të kontribuojnë në të ardhmen me dije dhe profesionalizëm në zhvillimin ekonomik dhe financiar të vendit.

/k.s/a.f/

 

 

 

 

Fituesit e Çmimit të Guvernatorit për vitin 2025 janë:

  • Çmimi i Parë iu akordua studentes Guina Shkëmbi, nga Frankfurt School of Finance and Management, për temën e masterit “The Current Road to SEPA: Assessing Compliance Challenges and Economic Impact in Albania”. Studimi analizon përfitimet ekonomike të integrimit në SEPA, sfidat rregullatore dhe operative, si dhe nivelin e përputhshmërisë së sistemeve të pagesave në Shqipëri me standardet evropiane, duke ofruar rekomandime konkrete për përshpejtimin e këtij procesi.

Çmimi i Dytë iu akordua studentes Eva Billa, nga Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Tiranës, për temën “Efektet e Politikës Monetare në të Ardhurat nga Puna në Shqipëri”.

The post Sejko takim me gazetarët, ndahet ”Çmimi i Guvernatorit për diplomën më të mirë për vitin 2025” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Përmbytjet përfshijnë jugun e Francës

PARIS, 23 dhjetor /ATSH-DPA/ – Pjesë të Francës jugore po përballen me përmbytje të mëdha në prag të Krishtlindjeve.

Shërbimi francez i paralajmërimit ”Vigicrue” raportoi sot se zona e Héraultit është goditur nga përmbytje të jashtëzakonshme pranë qytetit Montpellier.

Prefektja lokale, Chantal Mauchet e përshkroi situatën si ndoshta më të keqen në më shumë se 30 vjet.

Niveli më i lartë i paralajmërimit është në fuqi për zonën, edhe pse uji tani po tërhiqet.

Shumë familje mbetën pa energji elektrike dhe rrugët u përmbytën.

”Lëvizja mbetet shumë e vështirë. Megjithatë, nuk pati viktima”, shtoi ajo.

Pjesë të Montpellier u përmbytën gjithashtu për shkak të shiut të rrëmbyeshëm.

Për arsye sigurie, tregu i Krishtlindjeve, parqet dhe kopshti zoologjik mbetën të mbyllura./ a.jor.

The post METEO – Përmbytjet përfshijnë jugun e Francës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trajneri i Polonisë vlerëson Shqipërinë: Do të jetë një ndeshje e vështirë

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Trajneri i Kombëtares së Polonisë, Jan Urban, ka vlerësuar lart skuadrën shqiptare, që do të jetë kundërshtari i tij në gjysmëfinalen e “Play Off”-it për kualifikimin në Botëror.

Në një prononcim për mediat, Urban theksoi se Shqipëria ka treguar kualitet dhe organizim, duke arritur deri në këtë fazë të eliminatoreve.

“Shqipëria është një skuadër që ka arritur të kalojë grupin e saj dhe këtë e tregon fakti se ndodhet në këtë fazë të eliminatoreve. Ata dinë të luajnë mirë futboll, ashtu si pjesa më e madhe e ekipeve që kanë siguruar kualifikimin për në Botëror. Është një ndeshje dhe mund të ndodhë gjithçka. Duhet të monitoroj jo vetëm lojtarët e mi, por edhe të Shqipërisë”, deklaroi trajneri polak.

Megjithatë, Urban e konsideron shortin relativisht të favorshëm për Poloninë dhe nënvizon rëndësinë e ndeshjes së parë në shtëpi.

“Shorti është i mirë, edhe pse do të më pëlqente të luanim të dyja ndeshjet në shtëpinë tonë. Por fokusi im i plotë është tek ndeshja me Shqipërinë. Për të shkuar në Botëror, gjithçka fillon nga kjo përballje”, shtoi ai.

Ndeshja mes Polonisë dhe Shqipërisë është programuar të zhvillohet më 26 mars në Varshavë.

Fituesi i kësaj gjysmëfinale do të përballet në finale me triumfuesin e çiftit Ukrainë-Suedi, duke përcaktuar kështu skuadrën që do të sigurojë një vend në Kampionatin Botëror.

/gj.m/a.f/

The post Trajneri i Polonisë vlerëson Shqipërinë: Do të jetë një ndeshje e vështirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Medalje Ari për 190 nxënës ekselentë

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Në Tiranë u zhvillua sot ceremonia e nderimit me Medalje Ari të 190 nxënësve të shkollave të të gjithë vendit, që kanë përfunduar me rezultate të shkëlqyera ciklin e arsimit të mesëm të lartë.

Në ceremoninë e organizuar në Kryeministri, gjatë së cilës u dhanë medaljet nga Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Në fjalën e saj ministrja Kumbaro tha se “jeni 190 nxënës ekselentë nga i gjithë vendi, që keni shkëlqyer me rezultatet tuaja të gjimnazit e të Maturës Shtetërore. Jeni këtu sepse nuk jeni dorëzuar! Dhe për këtë arsye, sot nuk kam ndërmend t’ju mësoj asgjë. As nuk do të guxoja, sepse më të mirëve nuk mund t’u japim leksione, por vetëm besim”.

“Medalja e Artë që merrni sot është një simbol i karakterit, sepse është dëshmia më e mirë dhe prova e qartë se suksesi nuk të vjen nga rastësia, por nga zgjedhjet e përditshme dhe ju më mirë se kushdo e dini, por nëse ma lejoni, unë do t’ju kërkoja që këtë t’ua tregonit sa më shumë prej bashkëmoshatarëve tuaj apo vëllezërve e motrave më të vegjël”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro tha se “suksesi juaj i vërtetë do të matet me ndikimin që do të keni tek të tjerët, se si do ta përdorni gjeniun brenda jush për të ndërtuar, për të përmirësuar jetën e të tjerëve, për t’i bërë gjërat edhe më mirë. Kjo medalje që ju do të merrni sot është një kujtesë e fortë se sukseset nuk kanë ardhur tek ju, por keni shkuar ju pas çdo suksesi të arritur deri më sot”.

Kumbaro ndau gjithashtu me nxënësit një lexim nga autorja Maya Angelou.

“Je shumatorja e gjithçkaje që ke parë, dëgjuar, ngrënë, nuhatur, të është thënë apo ke harruar – të gjitha janë aty. Çdo gjë ndikon te secili prej nesh, dhe për këtë arsye përpiqem të sigurohem që përvojat e mia të jenë sa më të mira”, citoi Kumbaro autoren Maya Angelou.

/k.s/a.f/

 

The post Medalje Ari për 190 nxënës ekselentë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌