Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ministria e Jashtme në kontakt me Spanjën nëse ka shqiptarë të prekur nga aksidenti hekurudhor

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë informoi sot se po ndjek me shqetësim të thellë aksidentin tragjik hekurudhor të ndodhur në Spanjën jugore, ku dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën pranë qytetit Adamuz, në provincën e Kordobës.

Në një njoftim për shtyp MEPJ shpreh ngushëllimet më të thella për viktimat dhe solidaritetin me familjet e tyre, si dhe me popullin dhe autoritetet spanjolle, ndërsa të plagosurve i uron shërim sa më të shpejtë.
MEPJ sqaron se “në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Madrid  është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle dhe po ndjek situatën për të verifikuar nëse ka shtetas shqiptarë të prekur”.
Sipas MEPJ, strukturat përkatëse janë në gatishmëri për të ofruar asistencën e nevojshme.
“Për çdo informacion, emergjencë ose ndihmë, qytetarët mund të kontaktojnë në:
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Madrid embassy.madrid@mfa.gov.al
me numër telefoni +34 606 37 68 30″, theksoi MEPJ.

Një tren, i cili ishte nisur dje nga Malaga në orën 18:40 me destinacion stacionin Puerta de Atocha të Madridit, me 317 pasagjerë, nxori nga shinat tre vagonët e tij të fundit duke u përplasur me një tjetër tren Renfe që shkonte në Huelva, i cili gjithashtu doli nga shinat. Përplasje fatale e trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë ka shkaktuar sipas raportimeve 39 viktima dhe 73 të plagosur ku  24 prej tyre janë në gjendje të rëndë, nga të cilët katër janë të mitur.

/k.s/a.f/

The post Ministria e Jashtme në kontakt me Spanjën nëse ka shqiptarë të prekur nga aksidenti hekurudhor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aksidenti hekurudhor, Rama: Solidaritet me popullin e Spanjës në këtë moment dhimbjeje

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për familjet e viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Spanjë.

Në një mesazh drejtuar homologut spanjoll, Pedro Sanchez, kryeministri Rama shprehu  solidaritetin me popullin dhe qeverinë e Spanjës në këtë moment dhimbjeje.

“Me trishtim të thellë kam marrë lajmin për aksidentin tragjik hekurudhor të ndodhur në Adamuz. Në emër të popullit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe solidaritetin tim me popullin dhe Qeverinë e Spanjës në këtë moment dhimbjeje”, u shpreh Rama.

Në mesazhin e tij, kryeministri theksoi se “mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre dhe me të gjitha ekipet që po punojnë pa u lodhur në përballimin e kësaj tragjedie”.

Përplasje fatale e dy trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë ka shkaktuar, sipas raportimeve, 39 viktima dhe 73 të plagosur, 24 prej tyre janë në gjendje të rëndë, nga të cilët katër janë të mitur.

/m.m/a.f/r.e/

The post Aksidenti hekurudhor, Rama: Solidaritet me popullin e Spanjës në këtë moment dhimbjeje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Operacioni i SPAK për mashtrimet në Call Center-a u dekonspirua

TIRANË, 19 janar/ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së, për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Berisha u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00, ndërsa jashtë ambienteve të prokurorisë theksoi për gazetarët se operacioni i SPAK ndaj një kollsentri në Tiranë u dekonspirua.

“Ky treg është një nga tregjet më kriminale në Ballkan, në Europë dhe në botë. Janë dyqind sipërmarrje, të cilat ditë e natë vjedhin qytetarët e huaj me mashtrime. Mashtrojnë qytetarët dhe kollsentri i cili u kontrollua, sipas hetimit që kanë bërë me agjentët e vet, vidhte në muaj të paktën 30 milionë euro me mashtrim”, tha Berisha.

Berisha pohoi se kjo veprimtari kriminale është absolutisht e tëra në mbikëqyrjen e narkopolicisë.

“Njëlloj si dikur, për çdo rrënjë kanabis paguhej tarifa prej 300 eurosh kur ato ishin të shëndetshme, se jepnin 1 mijë euro fitim, çdo qendër, për çdo kompjuter, paguan tarifa zyrtarëve të policisë, të cilët mbyllin sytë ndaj veprimtarisë së tillë ku mashtrohen dhe vidhen qytetarët e vendeve të tjera.

Në këto qendra ushtrohet një mashtrim masiv i qytetarëve fatkeqë që besojnë, ku u thuhet sille shumën se do marrësh kaq, ke humbur në bursë, do gjejmë kaq”, tha ai.

Kreu i PD-së shtoi se agjentët e BKH-së u kanë dhënë çdo informatë ekipit që hetonte, pasi kanë të gjitha fotot dhe videot e dokumentet për veprimtarinë.

“Ata kur shkuan e gjetën të boshatisur dhomën, sepse kishin hequr të gjithë kompjuterat, çka vërteton edhe një herë deklaratën e prokurorit të antimafies të Napolit, i cili thotë se Shqipëria është më keq se narkoshtet. Është më keq se narkoshtet, thotë, sepse të dekonspirojnë çdo gjë. E pamundur të sosësh një hetim”, tha Berisha.

/e.i/r.e/a.f/

The post Berisha: Operacioni i SPAK për mashtrimet në Call Center-a u dekonspirua appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gati 2 mijë inspektime për sigurinë e produkteve joushqimore në vitin 2025

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (IShMT) zhvilloi gjatë vitit 2025 gjithsej 1 959 inspektime për sigurinë e produkteve joushqimore në treg.

Në një njoftim për mediet, Inspektorati pasqyron rezultatet e punës gjatë vitit 2025.

“Gjatë vitit 2025, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka kryer 1 959 inspektime me fokus garantimin e sigurisë së produkteve joushqimore, në mbrojtje të konsumatorëve dhe në zbatim të kritereve ligjore”, bën të ditur IShMT.

Sipas njoftimit, nga këto inspektime janë realizuar 1 922 inspektime të programuara dhe 451 inspektime mbi bazë ankese, ndërsa janë vendosur 69 masa administrative.

Inspektimet sipas sektorëve ndahen si më poshtë: 171 në sektorin e produkteve mekanike, 827 në sektorin metrologjik, 377 në sektorin kimik dhe 584 në sektorin elektrik. Gjithashtu, janë trajtuar 85 ankesa.

“Siguri në treg, mbrojtje për çdo konsumator”, përfundon njoftimi.

/a.f/

The post Gati 2 mijë inspektime për sigurinë e produkteve joushqimore në vitin 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjerohet programi i depistimit të kancerit të qafës së mitrës, përfshihen gratë 35-55 vjeç

TIRANË, 19 janar/ATSh/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përmes Institutit të Shëndetit Publik i bashkohet edhe këtë vit Javës Europiane për Parandalimin e Kancerit të Qafës së Mitrës, për të rikujtuar se parandalimi shpëton jetë. Ky është një moment i rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin mbi kancerin e qafës së mitrës dhe rëndësinë e veprimeve të hershme për shëndetin e grave.

Duke u mbështetur në përvojën e Programit Kombëtar të Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës, i cili zbatohet nga IShP, si dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka vendosur që në vitin 2026 të zgjerojë fashën e moshës për gratë që përfitojnë nga programi, duke përfshirë tani edhe grupmoshën 35-55 vjeç.

Ky zgjerim synon të nxisë ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e grave në programin e depistimit, të rrisë mundësitë për diagnostikim të hershëm të kësaj sëmundjeje, si dhe të ulë rrezikun afatgjatë të saj.

Kanceri i qafës së mitrës është një nga kanceret që mund të parandalohet pothuajse plotësisht, përmes vaksinimit kundër HPV-së dhe depistimit të rregullt.

Për më shumë informacion mbi Programin Kombëtar të Depistimit dhe vaksinimin kundër HPV-së, qytetarët mund të vizitojnë faqen e Institutit të Shëndetit Publik ose të komunikojnë me qendrën e tyre shëndetësore më të afërt.

/e.i/a.f/r.e/

The post Zgjerohet programi i depistimit të kancerit të qafës së mitrës, përfshihen gratë 35-55 vjeç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Express”: Shqipëria në qendër të vëmendjes britanike për plazhet e kristalta dhe çmimet e ulëta

TIRANË, 19 janar /ATSH/ – Ndërsa kushtet arktike po godasin Britaninë e Madhe me erëra të akullta dhe reshje dëbore, shumë britanikë kanë filluar të mendojnë për pushime në vende më të ngrohta.

Një vend evropian i nënvlerësuar dhe shumë i lirë, ku një gotë birrë kushton vetëm 2,20 paund mund të jetë zgjidhja ideale, dhe vjen i rekomanduar edhe nga eksperti i udhëtimeve Simon Calder për britaniken ”Express”.

Ky vend mesdhetar arrin temperatura rreth 28 gradë Celcius në prill dhe 40 gradë Celcius në korrik dhe pushimet atje mund të jenë shumë më të lira krahasuar me destinacione të tjera të njohura evropiane.

Çmimet janë të ngjashme me ato që Britania e Madhe kishte në vitet ’90: turistët mund të blejnë një birrë për 2,20 paund dhe një kafe për vetëm 1,50 paund, sipas kalkulatorit të kostos së jetesës “Numbeo”.

”Pushuesit mund të kursejnë edhe në hotele, pasi qëndrimi mesatar kushton rreth 49 paund për natë”, sipas BudgetYourTrip.

Për më tepër, Simon Calder është një admirues i vendit, gjë që flet vetë.

Ai foli në emisionin ”This Morning” të ITV-së në shtator 2024 për qytetin e bukur të Durrësit.

Duke biseduar me prezantuesit Ben Shepherd dhe Cat Deeley, ai tha se ”është një nga qytetet më historike dhe më të bukura të Shqipërisë”.

Calder u shpreh gjithashtu entuziast për çmimet, duke kujtuar se kishte blerë një picë dhe një birrë për rreth 6,0 paund. Ai shtoi se udhëtimi i tij prej rreth 35 kimometrash nga aeroporti deri në hotel do t’i kishte kushtuar vetëm disa paund, po të mos kishte humbur autobusin e fundit.

Për turistët që kërkojnë histori, Durrësi është destinacion ideal, i njohur për amfiteatrin e tij romak mbresëlënës, me mozaikë ende të paprekur.

Nëse preferoni plazhin, shumë udhëtarë e kanë krahasuar Shqipërinë me Greqinë, por pa çmimet e larta, falë ujërave të kristalta dhe bregdetit mahnitës.

Vendi ka njohur një rritje të shpejtë të popullaritetit mes turistëve, me qytete bregdetare si Ksamil që janë bërë virale në rrjetet sociale. Megjithatë, sipas udhëtarëve në Reddit, Shqipëria mbetet ende e nënvlerësuar, ndërsa ata lavdërojnë peizazhet mahnitëse, udhëtimet e përballueshme dhe njerëzit jashtëzakonisht mikpritës.

Shumë plazhe janë private dhe të lidhura me bare ose restorante, ndaj mund të jetë e nevojshme të paguani për të qëndruar gjatë ditës. Pasi të sistemoheni, mund të notoni në ujërat e qeta dhe blu të thellë.

Shqipëria është gjithashtu një destinacion i preferuar evropian për ecje malore, me Alpet Shqiptare që ofrojnë maja të larta, bujtina lokale në fshatra të largëta dhe ujëvara mbresëlënëse./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post “Express”: Shqipëria në qendër të vëmendjes britanike për plazhet e kristalta dhe çmimet e ulëta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 6 mijë automjete elektrike u regjistruan në Shqipëri gjatë vitit 2025

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Numri i mjeteve elektrike në vendin tonë u dyfishua gjatë vitit 2025. Konkretisht vitin që sapombyllëm u regjistruan 6 187 mijë mjete “green”, ose 98% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Shifrat u publikuan sot nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).

“Vit pas viti, flota e mjeteve në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më shumë ‘GREEN’!”, thuhet në njoftimin për mediet.

“Sipas të dhënave, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 6 187 mjete ‘All-Electric’, duke shënuar një rritje prej 98% krahasuar me vitin 2024”, bën të ditur DPSHTRR.

“Më shumë mjete ‘green’ në rrugët tona, për një transport më të pastër, më të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin!”, përfundon njoftimi.

/a.f/

The post Mbi 6 mijë automjete elektrike u regjistruan në Shqipëri gjatë vitit 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Linda Rama: Liria e panegociueshme, mbetet një vlerë e shenjtë

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Liria është e panegociueshme, por ajo nuk mund të ekzistojë pa themelin e fortë të përgjegjësisë.

Ky është mesazhi që përcolli bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama, e ftuar në emisionin “Aromë gruaje” në RTSH. Ajo u shpreh se hyrja në godinën e RTSH-së nuk është thjesht një intervistë e radhës, por një udhëtim pas në kohë.

Ajo kujtoi daljen e saj të fundit në këtë ekran në vitin 1995, një periudhë tranzicioni të vrullshëm për Shqipërinë.

“Unë futem në RTSH pas 3 dekadash. Kam qenë në vitin 1995 për të shpjeguar skemën  e privatizimit masiv që drejtohej nga unë me gazetarin e ekonomisë dhe ishim live. Kjo godinë është e mbushur me emocione. Prezenca e RTSH-së në jetën time është shumë e hershme për shkak të xhaxhait tim Hasan Basha, pjesë e teknikëve të parë të televizionit. Isha e emocionuar kur shkela”, u shpreh Linda Rama në nisje të intervistës.

Ekspertja Rama vijoi se “liria e vërtetë, ajo e mendimit dhe e fjalës. Fitohet vetëm kur individi respekton kodet e shoqërisë – qofshin ato të punës, familjes apo ligjit. Lirinë nuk e negocioj me asgjë mund të mos e shikoj tek vetja ime, por nuk resht së thëni atë që dua, mendoj e ëndërroj”.

“E shoh këtë te vajza ime dhe jam e lumtur”, tha Linda Rama, duke nënvizuar se liria e të menduarit dhe të folurit mbetet një vlerë e shenjtë në familjen e tyre.

“Babai më ushqeu që e vogël që liria është e panegociueshme. Ai kishte intuitë për të kuptuar vullnetin tim të fortë për të qenë një njeri i mirë dhe se unë nuk do abuzoja me lirinë”, rrëfeu Linda duke shprehur mirënjohje të thellë për këtë besim.

Më tej, Linda Rama bëri një ndarje të qartë mes filozofisë, që kërkon kohë dhe jep ligjshmëri, dhe politikës, që është arti i të përditshmes dhe veprimit.

“Dinamika e politikës është tjetër nga ajo filozofike. Aq i larmishëm sa është realiteti, aq të larmishme janë edhe vendimmarrjet apo mënyrat që politika gjen për t’iu përgjigjur nevojave. Filozofia ka kohën e vet dhe sfidat e veta. Duhet ta vendosim në pamundësi politikën kur filozofia mendon se ka shmangie nga ligjësitë që koha i ka provuar. Dhe ky është roli i filozofëve”, tha Linda Rama duke shtuar se filozofët janë shumë ndriçues.

“Është si puna ime një filozof unë jam me një politikan vendimmarrës, por unë nuk marr dot vendime në vend të tij, mendoj se disa gjëra mund t’i bëja ndryshe, por nuk kam gjë në dorë. Është kollaj të kritikosh nga jashtë”, tha Linda Rama.

Më tej Linda Rama tha se “jeta pranë Edit kryeministër dhe politikan më ka mësuar gradualisht se vërtet nuk i di të gjitha, kjo është shumë e rëndësishme. Një njeri duhet t’i japë mundësi vetes të mendojë që të mos e çojë diskutimin deri në ekstrem, gjykimin deri në ekstrem se ke nevojë të dëgjosh edhe tjetrin Pastaj diskutimi mund të bëhet më cilësor, më realist dhe më i dobishëm. Thjesht e kam mësuar: ti nuk i di të gjitha. Tani e kam bërë timen. Gjykimi i padrejtë është ngarkesë negative“.

Linda Rama u shpreh se “kam parë filozofë që kanë hyrë në politikë, por që janë zhveshur si filozofë. Ata pranojnë deformimin për hir të politikës. Personalisht nuk e justifikoj këtë qasje as për një të mirë të madhe”.

Gjatë kësaj interviste, Linda Rama prekur edhe një nga temat më të ndjeshme të ekzistencës njerëzore: humbjen e njerëzve të dashur dhe mënyrën se si ata vazhdojnë të jenë pjesë e jetës sonë.

“Një njeri i madh është produkt i një babai dhe nëne të madhe”, tha ajo, duke theksuar se prindërit vazhdojnë të jetojnë përmes pasqyrimit te fëmijët e tyre.

Rama rrëfeu mbi raportin e ngushtë që kishte ndërtuar me vjehrrën e saj, të ndjerën Aneta Rama, nënën e Edi Ramës duke theksuar se raporti mes tyre ka qenë i veçantë dhe intensiv në dimensione të ndryshme.

“Me mamanë e Edit gjithkush tjetër bëhej i tepërt kur ishim ne të dyja. Koha dhe momenti ishte për ne të dyja”, tha ajo, duke shtuar se largimi i saj ishte një dhimbje e madhe, pas së cilës u desh të përcaktohej një rutinë e re jetësore.

“Kishim një raport intensiv; një kohë e jetuar me biseda, mendime, emocione dhe kujdes. Kur isha me mamanë e Edit, ndonëse ajo i donte të gjithë, çdokush tjetër bëhej i tepërt. Ai moment dhe ajo kohë ishin vetëm për ne të dyja. Kur e humbet një njeri të tillë, dhimbja është e madhe. E them këtë për herë të parë. Ishte dhimbje e madhe largimi i një njeriu, pas të cilit do të duhej të vendosej një rutinë e re. Ishte një humbje e madhe edhe për Edin. Dhimbja fillimisht e zëvendëson mungesën, por më pas nis e ndihet mungesa. Mua më mungon mamaja e Edit në mënyrë të pazëvendësueshme, por përpiqem ta sjell në përditshmërinë time në çdo lloj forme”, tha ajo.

Duke u ndalur tek shoqëria civile Linda Rama tha se “ka nevojë për aleat, pushteti është i fuqishëm është shoqëri civile në nevojë. Ajo është ndjeshmëri e shtuar për kauza të përgjithshme. Kurse pushteti është i veshur nga egoja. Shoqëria civile nuk i ka këto ego, ajo është një zile që duhet ta dëgjojë pushteti. Ata mund të bashkëjetojnë duke u dëgjuar njëri me tjetrin”.

“Nuk mund ta them këtë për median. Media, si pushtet, nuk është e zhveshur nga egoja. Media e ka raportin me të vërtetën. Por janë edhe përgjegjësitë, si kodi në raport me ligjin, mjedisin, lirinë; dhe nëse ti i ke plotësuar këto, liria ka kuptim”, tha Linda Rama.

/k.s/ /a.g/

The post Linda Rama: Liria e panegociueshme, mbetet një vlerë e shenjtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot është “e hëna blu”, dita më depresive e vitit

TIRANË, 19 janar/ATSh/ E hëna e tretë e vitit e cila për 2026 përkon me 19 janarin, njihet botërisht me termin “blue Monday” (e hëna blu), ose dita më depresive e vitit.

Ndërkohë që mungojnë prova shkencore për ta konsideruar si dita më e trishtueshme ose më e zymtë se të tjerat, psikologët mendojnë se sezoni i dimrit mund të jetë sfidues nga ana emocionale për shumë njerëz.

Termi “e hëna blu” u shpik për herë të parë në vitin 2005 nga psikologu Cliff Arnall për kompaninë e udhëtimeve të Mbretërisë së Bashkuar, “Sky Travel” si një mënyrë për të promovuar pushimet dimërore. Idea ishte që kompania të shiste më shumë paketa pushimesh në këtë ditë.

Psikologu Arnall llogariti të dhënat e motit, sasitë e borxhit, kohën e kaluar që nga Krishtlindja, nivelet e motivimit dhe kohën që nga marrja e zotimeve të Vitit të Ri. Arnall mori shumë kritika nga kolegët. Ata e akuzuan se nuk bazohej në prova shkencore, por së fundmi qarkullon një teori tjetër sipas së cilës 19 janari mund të mos jetë dita më e trishtë e vitit, por dimri është një stinë që ndikon tek humori, duke qenë se ndriçimi është më i ulët dhe dita më e shkurtër.

Shumë njerëz përjetojnë të ashtuquajturin “dëshpërim dimëror”, një rënie afatshkurtër sezonale të humorit dhe energjisë e lidhur me stinën më të ftohtë dhe më të errët.

Mungesa e dritës ndikon te hormonet si serotonina dhe melatonina, të cilat rregullojnë humorin dhe energjinë. Çelësi për të mposhtur trishtimin dimëror mund të jenë ushtrimet e rregullta, rrezet e diellit, gjumi i mirë dhe lidhjet sociale.

/a.f/r.e/

The post Sot është “e hëna blu”, dita më depresive e vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – 39 të vdekur dhe 73 të plagosur pas përplasjes së dy trenave të shpejtësisë së lartë

MADRID, 19 janar /ATSH-EFE/ – Një tren, i cili ishte nisur dje nga Malaga në orën 18:40 me destinacion stacionin Puerta de Atocha të Madridit, me 317 pasagjerë, nxori nga shinat tre vagonët e tij të fundit duke u përplasur me një tjetër tren Renfe që shkonte në Huelva, i cili gjithashtu doli nga shinat.

Përplasje fatale e trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë ka shkaktuar sipas raportimeve 39 viktima dhe 73 të plagosur ku  24 prej tyre janë në gjendje të rëndë, nga të cilët katër janë të mitur.

Një numër i madh forcash shpëtimi mbërritën në vendngjarje duke u përpjekur të nxjerrin  njerëzit e bllokuar nga rrënojat.

Sipas ministrit spanjoll të Transportit, Oscar Puente, linja ku ndodhi tragjedia ishte modernizuar së fundmi.

Ai tha të hënën se aksidenti hekurudhor në Adamuz (Córdoba) është “i çuditshëm dhe i vështirë për t’u shpjeguar” pasi treni që shkaktoi aksidentin është relativisht i ri dhe infrastruktura është rinovuar kohët e fundit.

Ndërkaq më shumë se 200 trena janë prekur nga pezullimi i trafikut hekurudhor në linjat me shpejtësi të lartë midis Madridit dhe qyteteve andaluziane të Seviljes, Kordobës, Malagës dhe Huelvës.

The post SPANJË – 39 të vdekur dhe 73 të plagosur pas përplasjes së dy trenave të shpejtësisë së lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 19/01/2026

DAVOS (Zvicër) – Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror.

TOKIO (Japoni) – Kryeministrja Sanae Takaichi pritet të shpallë zgjedhje të parakohshme.

BRUKSEL (Belgjikë) – FMN-ja prezanton parashikimet e saj të përditësuara ekonomike globale.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Fillon gjyqi në çështjen e ngritur nga princi Harry dhe personazhe të tjerë të famshëm, përfshirë Elton John, kundër botuesit të ”Daily Mail”.

MOSKË (Rusia) – Pritet vendimi në gjyqin e të dyshuarve për vrasjen e gjeneralit rus Kirilov.

BRUKSEL (Belgjikë) – Takim i ministrave të Financave të Eurozonës (Eurogroup), të cilët pritet të zgjedhin një kandidat për zëvendëspresident të BQE-së.

PARIS (Francë) – Deklaratë qeveritare, e ndjekur nga një debat, mbi rolin e Francës në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve politike ndërkombëtare krizat, veçanërisht në Venezuelë.

PRAGË (Republika Çeke) – Vizitë e ministrit të Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.

KOMBET E BASHKUARA (Shtetet e Bashkuara) – Raporti mbi Sudanin nga Zyra e Prokurorit të ICJ-së, para Këshillit të Sigurimit të OKB-së./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 19/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i kthjellët dhe rënie e temperaturave

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa priten vranësira të pakta deri mesatare kryesisht në lindje e jug të vendit.

Era do të fryjë me drejtim verilindje-lindje, me shpejtësi mesatare 8 m/s, përgjatë vijës bregdetare në veri dhe zonat luginore era do të fitojë shpejtësi deri në 16 m/s.

Valëzimi në dete do të jetë i forcës 2-3 ballë.

1 nga 2

The post Mot i kthjellët dhe rënie e temperaturave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Demokratët kanë faktuar se të pamundurën e bëjnë të mundur

TIRANË, 18 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi sot me qytetarët në Kombinat (Tiranë), deklaroi se demokratët shqiptarë kanë treguar në mënyrë të përsëritur se të pamundurën e bëjnë të mundur, duke rikujtuar sfidat historike dhe sakrificat që ka kaluar vendi.

Berisha theksoi rëndësinë e përballjes me dy diktaturat që kanë shkatërruar jetën dhe lirinë e shqiptarëve.

“Diktatura e parë totalitare ishte më mizorja në Europë. Ajo pushkatoi me gjyq dhe pa gjyq mbi 7 mijë shqiptarë, internoi mbi 40 mijë dhe persekutoi mbi 100 mijë të tjerë. Diktatura e dytë, në 10 vite, përzuri nga vendi 1,1 milion shqiptarë dhe plaçkiti pasuritë publike dhe private, duke shndërruar drejtësinë në armë politike kundër opozitës dhe pluralizmit”, deklaroi ai.

Ai nënvizoi se qeverisja aktuale sillet ndaj pasurive të qytetarëve si një pushtues i keq, duke krijuar ndjenja lodhjeje dhe dëshpërimi te qytetarët. Megjithatë, ai bëri thirrje që demokratët dhe qytetarët të mbajnë gjallë frymën e vendosmërisë dhe të mos harrojnë historinë e rezistencës së tyre.

Berisha rikujtoi sfidat e vitit 1991 dhe krizën e vitit 1997, duke vënë në dukje se Partia Demokratike ngriti kokën për të korrigjuar gabimet dhe për të ruajtur besnikërinë ndaj qytetarëve dhe vlerave demokratike. “Ne u ngritëm me vendosmëri dhe moral, duke thënë të vërtetën për shqiptarët dhe duke fituar besimin e tyre në vitin 2001”, tha ai.

Berisha përmendi gjithashtu protestat e filluara me pjesëmarrje minimale, që sipas tij, u shndërruan në fitore për demokratët dhe pluralizmin politik në vend.

“Partia Demokratike është parti që ndau epokat, është parti e interesit kombëtar. Ne guxuam që çështjen kombëtare ta shpallim yllin polar të PD, ndërsa dinjitetin dhe liritë e qytetarëve i vendosëm si themelin e programit tonë”, tha Berisha.

Ai theksoi se opozita ka përballuar presione të mëdha dhe përpjekje për ta shndërruar në një fasadë, duke përfshirë edhe lobimin me aktorë ndërkombëtarë kundër liderëve të saj.

Berisha vuri në dukje se secili anëtar i PD ka firmosur një akt madhor për të kundërshtuar përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për të kapur dhe korruptuar opozitën.

 

Foltore e PD në Kombinat
1 nga 4

/e.xh/r.e/

The post Berisha: Demokratët kanë faktuar se të pamundurën e bëjnë të mundur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Egnatia barazon me Elbasanin, Flamurtari i merr tri pikë mbijetese Bylisit

TIRANË, 18 janar /ATSH/ U luajtën sot dy ndeshjet e para të Javës së 20-të të Superligës. Kryendeshja mes udhëheqësve të klasifikimit deri sot, ajo mes Egnatias dhe AF Elbasanit përfundoi me rezultatin 2-2.

Në ndeshjen e zhvilluar në “Arena Egnatia” në Rrogozhinë, elbasanasit shënuan në fillim me Loukilin në minutën e 35-të, ndërsa Lajthia në pjesën e dytë (50’) dyfishoi rezultatin.

Ekipi vendas reagon dhe gjen golin e parë me Fernandon me penallti (63′) dhe më pas golin e barazimit po me penallti me të njëjtin autor.

Me këtë barazim Egnatian vazhdon në krye të Superiores me 38 pikë, e ndjekur nga AF Elbasani me 35 pikë.

Në takimin tjetër Flamurtari fitoi përballë Bylisit me rezultatin 3-0. Golat u shënuan nga Urbaez 29’, Herald Marku 49’, me një supergol dhe Maksuti në minutën e 64-t.

Me këtë fitore Flamurtari barazohet me pikë me Bylisin, nga 18.

Të hënën (nesër) luhen tri ndeshjet e tjera të Javës së 20-të: Në orën 13:30, Vora pret Tiranën. Në orën 17:00, në “Arenën e Demave”, Partizani do të përballet me Teutën. Java e 20-të do të mbyllet me sfidën e “Air Albania”, ku Dinamo City do të përballet me Vllazninë në orën 19:30.

The post Egnatia barazon me Elbasanin, Flamurtari i merr tri pikë mbijetese Bylisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekspozohet hartë portulane e vitit 1455, dëshmi e njohjes së Skënderbeut në qarqet e kohës

TIRANË, 18 janar /ATSh/ Në kuadër të 558-vjetorit të ndarjes nga jeta të Heroit tonë Kombëtar, Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Krujë prezanton për publikun hartën portulane të vitit 1455, të hartografit zyrtar të papa Nikollës V, Bartolomeo Pareto, një dokument i rrallë me rëndësi historike dhe europiane.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale pamje nga ky dokument i rrallë, teksa e cilësoi atë, “një dëshmi unike të historisë europiane dhe shqiptare”.

“Në këtë dokument të rrallë kartografik, me impakt në gjithë oborret e Europës dhe Azisë, emri ‘Scandre Beco’ – Skanderbeg – shfaqet si referencë gjeografike në zemër të një Ballkani të trazuar nga trysnia osmane në rritje. Ky është një rast i jashtëzakonshëm që dëshmon jehonën e figurës së Skënderbeut për së gjalli dhe rolin e tij vendimtar si mburojë e Europës së popujve në shekullin XV”, u shpreh ministri Gonxhja.

Sipas tij, ky dokument përbën një burim të pazëvendësueshëm për albanologjinë dhe studimin e historisë së kontinentit në kapërcyell të Mesjetës me Kohën e Re. Hartat portulane si kjo shërbejnë si dëshmi e rëndësishme e njohjes së Shqipërisë dhe figurës së Skënderbeut në qarqet ndërkombëtare të kohës.

Ekspozita e hartës portulane të vitit 1455 synon të ofrojë për vizitorët një përvojë të pasur edukative dhe historike, duke theksuar rëndësinë e trashëgimisë kombëtare dhe rolit të Skënderbeut si simbol i rezistencës dhe identitetit shqiptar.

Ministri Gonxhja bëri thirrje që qytetarët dhe vizitorët të shfrytëzojnë mundësinë për të parë nga afër këtë dokument unik, duke vlerësuar jo vetëm rëndësinë historike, por edhe vlerën kulturore dhe shkencore të tij.

/e.xh/r.e/

The post Ekspozohet hartë portulane e vitit 1455, dëshmi e njohjes së Skënderbeut në qarqet e kohës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ernest Muçi i pandalshëm, tjetër gol vendimtar për Trabzonspor

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Sulmuesi kuqezi Ernest Muçi është i pandalshëm në kampionatin turk, duke shënuar një tjetër gol vendimtar për Trabzonsporin, me vlerën e tri pikëve.

Në ndeshjen e radhës në kampionat në transfertën ndaj Kocaelispor, megjithë masat e marra për të shmangur një gol prej tij, skuadra vendase dështoi në limit të ndeshjes. Trajneri vendas kishte premtuar se do bënte maksimumin që ekipi i tij ta ndalte Muçin. Por sulmuesi gjeti rrjetën në shtesën e takimit (91′) pas një gjuajtjeje të fortë në kufijtë e zonës së rreptësisë, për t’i dhënë suksesin 2-1 ekipit të tij.

Një gol që shërben për të treguar se çfarë forme të shkëlqyer po kalon, pas një serie mbresëlënëse në 10 ndeshjet e fundit që e bëjnë këtë pa dyshim momentin më të mirë të karrierës së tij.

Në 10 ndeshjet e fundit zyrtare të Muçit, mes kampionatit, Kupës dhe Superkupës në Turqi, ai ka koleksionuar plot 10 gola e 2 asiste. Janë 8 gola në kampionat dhe një asist në këtë turne, ndërsa 2 gola dhe një asist janë edhe në Kupën e Turqisë.

Shifra mbresëlënëse në një periudhë kohe thuajse dymujore që do t’i kishte zili cilido sulmues, gjë që e kanë bërë Muçin aktualisht si një nga protagonistët kryesorë të futbollit në Turqi.

The post Ernest Muçi i pandalshëm, tjetër gol vendimtar për Trabzonspor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga lagunat te liqenet, përfundon censi i shpendëve ujorë dimërues

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Këto dy ditë, në të gjithë Shqipërinë u zhvillua Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues 2026, një aktivitet shkencor i rëndësishëm që synon mbledhjen e të dhënave të sakta mbi popullatat e shpendëve ujorë dhe gjendjen e ekosistemeve ujorë në vend.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga terreni, ku ekspertë po kryejnë censin.

“Nga lagunat te liqenet, që në orët e para të mëngjesit, 34 pika vrojtimi u monitoruan nga 102 specialistë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të shoqëruar nga ekspertë, studentë dhe shumë vullnetarë që u bashkuan në këtë proces të rëndësishëm shkencor me synimin e mbledhjes së të dhënave sa më të sakta për shpendët ujorë dhe për të kuptuar më mirë gjendjen e ekosistemeve tona”, deklaroi kryeministri Rama.

Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues është pjesë e një iniciative globale që synon mbrojtjen dhe ruajtjen e specieve të shpendëve dhe habitatit të tyre. Aktiviteti lejon ndjekjen e ndryshimeve në popullatat e shpendëve, identifikimin e kërcënimeve dhe planifikimin e masave për ruajtjen e ekosistemeve.

Ky cens, i realizuar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në bashkëpunim me organizata lokale dhe ndërkombëtare, përfshin vëzhgime sistematike dhe regjistrime në liqenet, lagunat dhe zonat ujore të vendit. Përveç specialistëve, në këtë aktivitet morën pjesë edhe studentë dhe vullnetarë, duke e kthyer këtë iniciativë në një mundësi për edukimin dhe sensibilizimin e komunitetit për rëndësinë e mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit.

Rezultatet e censit do të përdoren për të përmirësuar strategjitë e menaxhimit të ekosistemeve dhe për të informuar politikat e mbrojtjes së shpendëve dhe habitatit të tyre në Shqipëri.

/e.xh/r.e/

The post Nga lagunat te liqenet, përfundon censi i shpendëve ujorë dimërues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kievi ngre alarmin: Moska planifikon të lëshojë deri në 1 000 dronë në ditë këtë vit

MOSKE, 18 janar /ATSH-ANSA/ – Federata Ruse planifikon të rrisë ndjeshëm prodhimin duke parashikuar të lësojë deri në 1 000 dronë në ditë mbi Ukrainë deri në vitin 2026, deklaroi komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Oleksandr Syrsky.

Sipas Syrsky, ”nuk ka shenja se rusët po përgatiten për bisedime paqeje”.

“Përkundrazi, po dëshmojmë një rritje të armiqësive, të numrit të grupeve sulmuese armike dhe një rritje të prodhimit të armëve, raketave dhe dronëve” shton ai.

Aktualisht, armiku prodhon 404 Shaheed të llojeve të ndryshme çdo ditë. Dhe planet e tij përfshijnë një rritje” të lëshimeve të dronëve, specifikoi ai. /os/

The post FOKUS – Kievi ngre alarmin: Moska planifikon të lëshojë deri në 1 000 dronë në ditë këtë vit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla diskuton me homologun turk skemat e sigurimeve bujqësore sipas modelit TARSIM

TIRANË, 18 janar /ATSh/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla zhvilloi një takim me ministrin e Bujqësisë dhe Pylltarisë të Turqisë, İbrahim Yumaklı, gjatë qëndrimit të tij në Berlin, në kuadër të Forumit Global për Bujqësinë dhe Ushqimin (GFFA) 2026.

Salla bëri të ditur se, gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në sektorët kyç të bujqësisë dhe zhvillimit rural.

“Ndamë vlerësimin për marrëdhëniet Shqipëri-Turqi dhe diskutuam forcimin e bashkëpunimit në fushat e bujqësisë, zhvillimit rural, sigurisë ushqimore, si edhe të skemave të sigurimeve bujqësore sipas modelit TARSIM, duke riafirmuar partneritetin e qëndrueshëm mes dy vendeve”, deklaroi ministri Salla.

Ai theksoi rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave dhe bashkëpunimit teknik për të përmirësuar praktikat e prodhimit bujqësor dhe sistemet e sigurimeve në sektorin e bujqësisë, duke synuar rritjen e qëndrueshmërisë së fermerëve dhe mbrojtjen nga rreziqet natyrore.

Takimi mes ministrave të Shqipërisë dhe Turqisë përfaqëson një hap konkret në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në përforcimin e partneritetit rajonal për sigurinë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural.

/e.xh/r.e/

The post Salla diskuton me homologun turk skemat e sigurimeve bujqësore sipas modelit TARSIM appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Kievi përballet çdo ditë me sulme barbare

TIRANË, 18 janar /ATSh/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali zhvilloi ditët e fundit një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, i cili vazhdon të përballet me sulme të vazhdueshme ruse gjatë këtij dimri të egër.

Spiropali ndau sot në rrjetet sociale momente nga vizita, duke rrëfyer për pasojat e luftës që i pa nga afër.

“Gjatë vizitës sime pashë nga afër lodhjen në trupat dhe shpirtrat e njerëzve. Pashë fytyra luftëtarësh që mbajnë plagë të dukshme e të padukshme”, deklaroi ministrja, duke shtuar se kishte takuar familje që jetojnë me mungesa, prindër që jetojnë me frikën e çdo dite dhe fëmijë që rriten më shpejt se mosha e tyre.

Në kuadër të vizitës, ministrja Spiropali u nderua nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I, një nga dekoratat më të larta shtetërore të Ukrainës, për kontributin dhe mbështetjen ndaj vendit.

“Ky nder dhe kujtim i paharrueshëm ma shtojnë përulësinë dhe përgjegjësinë. Për të folur, për të vepruar dhe për të qëndruar çdo ditë në shërbim të vendit tim dhe të vlerave që na bashkojnë”, tha Spiropali.

Vizita e ministres shqiptare thekson përkushtimin e Shqipërisë për paqe, solidaritet dhe mbështetje humanitare në Ukrainë, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për qytetarët që vuajnë pasojat e konfliktit.


/e.xh/r.e/

The post Spiropali: Kievi përballet çdo ditë me sulme barbare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌