Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Avioni qeveritar dhe jo Netanyahu u strehua në Gjermani pas sulmeve të Iranit

Pretendimi: Të dhënat e fundit të sinjalit të gjurmimit të Netanyahut nga një bazë të dhënash e Mossad, e hakuar nga grupet kibernetike pakistaneze, konfirmojnë se ai është diku në një bunker në Berlin, në Gjermani.

Verdikti: E paprovuar

————————————————-

Ndërsa Irani dhe Izraeli shkëmbejnë sulme raketore pas vrasjes së udhëheqësit iranian Ali Khamenei, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, qarkulloi pretendimi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po fshihet këto ditë diku në Berlin. 

Postimi i mësipërm pretendon gjithashtu se “të dhënat e fundit të sinjalit të gjurmimit të Netanyahut nga një bazë të dhënash e Mossad, e hakuar nga grupet kibernetike pakistaneze, konfirmojnë se ai është diku në një bunker në Gjermani.”

Megjithatë postimi nuk shoqërohet me ndonjë burim apo referencë se nga vjen ky informacion.

Zanafilla e pretendimit mund të jetë lajmi që qarkulloi në media, bazuar mbi të dhënat e shërbimit të gjurmimit të fluturimeve Flightradar24, se avioni i qeverisë izraelite u nis nga Izraeli herët pasditen e 28 shkurtit dhe bëri një rrotullim mbi Mesdhe përpara se të fluturonte për në Gjermani në mbrëmje.

Sipas Reuters, burime nga qeveria gjermane thanë se Izraeli e ka dërguar avionin e tij qeveritar në Gjermani dhe e ka parkuar atë në aeroportin e Berlinit për siguri. Fluturimi ishte regjistruar paraprakisht nga qeveria izraelite, thanë burimet qeveritare, duke shtuar se në bord ishin vetëm anëtarët e ekuipazhit.

Megjithatë, nuk ka prova që Netanyahu ishte në avion.

Një fotografi e postuar nga zyra e tij e tregon atë duke marrë pjesë në një takim sigurie në Kirya, në Tel Aviv, me shefin e shtabit të ushtrisë izraelite dhe drejtorin e Mossad një ditë pasi aeroplani u ul në Berlin.

Kryeministri Netanyahu në një takim sigurie në Kirya

Një video e postuar më 2 mars e tregon atë në vendin e një sulmi me raketa iraniane në Beit Shemesh. Prania e tij atje u konfirmua nga një sërë mediash.

Në ditët në vijim, gjithashtu, Netanyahu ka postuar pamje në rrjetet e tij sociale nga vizita në disa baza ajrore, dhe spitalin Hadassah

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme gjermane, pyetur në lidhje me uljen e aeroplanit në Berlin, tha për Euronews se qeveria izraelite “na pyeti nëse mund ta parkonin aeroplanin këtu.”

Sipas zëdhënësit, vetëm ekuipazhi i fluturimit dhe piloti ishin në bordin e fluturimit.

Në fakt, Gjermania, e cila është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), do të ishte e detyruar ligjërisht të arrestonte Netanyahun nëse ai shkel në tokën gjermane. Kjo, sepse Netanyahu është subjekt i një urdhër-arresti të lëshuar nga ICC për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera në Rripin e Gazës.

The post Avioni qeveritar dhe jo Netanyahu u strehua në Gjermani pas sulmeve të Iranit appeared first on Faktoje.al.

19 milionë lekë të reja në muaj për dieta, karburant e telefona, privilegjet e deputetëve

Nga Sebi Alla Në nisje të Janarit, kryeparlamentarit Niko Peleshi i kaluan në llogarinë e tij bankare 218,450 lekë neto për vetëm dy zëra; dieta ushqimore dhe qira banese, shtuar edhe 395.000 lekë pagë dhe disa bonuse të tjera si automjet në dispozicion për çdo lëvizje dhe telefon pa limit.

“Rimbursimi për qira banese përcaktohet me vendim 114 datë 24.12 2014, ‘Për trajtimin e deputetëve”, thotë Kuvendi në reagimin zyrtar për Faktoje.al.

“Zoti Niko Peleshi Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë ka plotësuar të gjithë dokumentacionin përkatës sipas vendimit të sipërcituar, përfshi edhe vërtetimin negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës”, thotë Kuvendi për zërin “qira benese” për të cilën Peleshi përfiton çdo muaj 35.000 lekë.

Faktoje.al siguroi listën me të dhënat për “trajtimin e deputetëve” për katër muaj.

Në total shifrat e dietave, karburantit dhe telefonit variojnë nga 16.000.000 deri në 19.000.000 lekë për 129 deputetë në një muaj (pjesa tjetër (nga 140) edhe pse janë deputetë, marrin pagë dhe trajtim si ministra”.

“Deri para vitit 2023 kur u bë rritja e pagave, diferencat në paga midis deputetëve dhe njerëzve të thjeshtë ishin jo të mëdha, ndërkohë që pas këtij viti janë thelluar relativisht shumë”, thotë për Faktoje.al, eksperti i ekonomisë, Ilir Brasha.

Dieta, karburant dhe telefon

Në total, për muajin dhjetor, në zërin “karburant” u shpenzuan për deputetët 4. 472.483 lekë, ndërsa për zërin “pagesë telefoni” 2.173.500 lekë, rreth 60 mijë euro për të dy bonuset. Shuma më e madhe që shpenzohet për deputetët është zëri “shpenzime dieta për udhëtimet brenda vendit”.

Po për muajin dhjetor, janë lëvruar 7.981.017 lekë për ushqimin e deputetëve. Ky zë varion nga muaji në muaj, por vërtitet në shumë 8-8.5 milionë lekë, gjithnjë të reja .

Përveç tyre shumë të tjera që variojnë nga 1-1.3 milionë lekë të reja në total për mbledhjet në komisione, edhe zëri “qira banese” ka njohur rritje për muajin janar të këtij viti.

Krahas kryeparlamentarit Peleshi janë edhe 15 deputetë të tjerë që marrin bunus qiraje. Nga kjo shifër, 14 deputetë përfitues të bonusit të qirasë i përkasin PS-së dhe vetëm dy PD-së.

Ligji për vete

Ligjvënësit u kujdesën dy herë për veten, në vitin 2014 dhe 2023. Në rastin e parë përcaktuan dietat, vlerën e karburantit, telefonin dhe tarifat e reja për pjesëmarrjen në komisionet parlamentare, ndërsa në vitin 2023 rishikuan pagat, duke i rritur me 60%, ose në vlerën 395.000 lekë, rreth 4 mijë euro. Në ligjin nr 114 të vitit 2014, ligjvënësit ndryshuan rrënjësisht vlerën e dietave dhe bonuseve të tjera si karburant dhe telefon duke i rritur ndjeshëm.

Në pikën shtatë të vendimit thuhet: “Deputeti përfiton dieta ditore, për ditët e shërbimit brenda vendit, në masën 4 për qind të pagës bazë dhe vlerë hoteli deri në 3 000 lekë nata, kundrejt faturës tatimore dhe printimit të kasës elektronike bashkëlidhur”.

Ndërsa deputetët me vendbanim në rrethin e Tiranës përfitojnë dieta ditore deri në 6 ditë në muaj për ditët e shërbimit jashtë rrethit të Tiranës. Duke u ndalur në shpenzimet karburant dhe telefon, çdo deputetë me banim në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Elbasan përfitojnë 30-33.700 lekë, ndërsa për qarqet e tjera 40 mijë lekë.

Një “alo” që kushton

Një pagesë tjetër që ka mbetur standard është telefoni. Që nga viti 2014 për deputetët jepet 17.000 lekë për shpenzime telefoni dhe 20.000 për kryetarët e grupeve parlamentare.

Faktoje.al verifikoi tarifat telefonike që ofrojnë kompanitë mobile në vend. Pagesa mujore për telefon dhe internet pa limit, madje edhe me qindra minuta për thirrje ndërkombëtare variojnë nga 2500-3000 lekë në muaj. Edhe pse tarifat telefonike janë ulur vit pas viti, pagesat për deputetët për këtë zë mbesin të larta, duke e fiksuar në 17.000 lekë në muaj.  

Deputetët që “kushtojnë lirë”

Deputetët që kanë refuzuar disa muaj “dietat e majme”, rezulton të jenë Bujar Leskaj, Agron Shehaj, Sali Berisha dhe Blendi Klosi. Madje, Leskaj veçon nga të gjithë. Ndonëse rezulton pjesëmarrës në mbledhjet e komisioneve parlamentare përveç refuzimit për “faturat ushqimore”, nuk ka marrë edhe 17 mijë lekë shërbim telefonik. Nga analizimi i katër muajve shpenzime për deputetët, Leskaj, Shehaj, Berisha dhe Klosi rezultojnë që marrin më pak nga trajtimi i privilegjuar për deputetët.

E gjithë pjesa tjetër e deputetëve figurojnë në shuma të konsiderueshme në zërin “dieta ushqimore brenda vendit”, ku tarifa më e shpeshtë që afishohet në këtë zë është 148.920 lekë për secilin në muaj.  Nëse në listë dalin pak deputetë që na kushtojnë “lirë”, pjesa tjetër është në shifra mjaft të larta, disa prej të cilëve kanë tarifë fikse duke marrë maksimalen e mundshme.

“Të shtrenjtit”

Nga analizimi i shpenzimeve rezulton se deputetët: Antoneta Dhima, Ilirjan Pendavinji, Asfloral Haxhiu, Greta Bardeli, Elton Korreshi, Zegjine Çaushi, Fadil Nasufi, Hatixhe Konomi, Gazmend Bardhi, Eljo Mile, Fidel Kreka, Ana Dajko etj, kanë marrë çdo muaj vlerat maksimale të mundshme, ku në total shkojnë deri në 300.000 mijë lekë, pa llogaritur pagën.

Vlerën më të madhe e përfitojnë kryesisht në zërin “dieta ushqimore brenda vendit” në vlerën maskimale të saj në shumën 148.920 lekë. “Kjo shifër, duke marrë në konsideratë maksimumi 22 ditë pune, tregon një kosto rreth 6500 lekë në ditë, që është relativisht e lartë për kontekstin shqiptar”, thotë eksperti i ekonomisë Ilir Brasha.

The post 19 milionë lekë të reja në muaj për dieta, karburant e telefona, privilegjet e deputetëve appeared first on Faktoje.al.

Kujdes nga telefonatat mashtruese në emër të bankave!

Ditët e fundit janë rritur rastet e telefonatave mashtruese që përdorin emrin dhe logon e bankës për t’i vjedhur qytetarët. Skema e mashtrimit funksionon përmes telefonatave VOIP, ku mashtruesit kërkojnë të dhëna të kartës bankare, PIN-in dhe kode sigurie, duke pretenduar se komunikimi është zyrtar. Kujdes! Bankat nuk do t’ju kërkojnë kurrë të dhëna konfidenciale përmes telefonit. 

Esmeralda Topi 

Një telefonatë në anglisht dhe një logo banke që shfaqet në ekranin e telefonit. Për shumëkënd kjo mund të dukej si një komunikim normal nga banka, por jo për Fato Alliun. 

Ajo tregon për Faktoje.al përvojën e saj mbi telefonatën e dyshimtë, që rezultoi të ishte një tentativë mashtrimi. 

“Dje rreth orës 16.00 kam pasur një telefonatë në gjuhën angleze. Në moment e kuptova që ishte mashtrues, sepse mendova si mundet të kërkojë të dhënat e kartës time. Në telefon në ekran doli logo e një banke të nivelit të dytë. Më pas fola me bankën dhe mora sqarimet e nevojshme,” thotë ajo për Faktoje.al.

Sipas saj, në ekranin e telefonit u shfaq emri ‘Revolut Bank’ por personi u prezantua si punonjës i një banke të nivelit të dytë.

“U prezantua si punonjës i një banke tregtare dhe njoftoi që kishte pasur një tentativë nga karta e biznesit në faqen Amazon në Middle East. Pasi nuk konfirmova tentativë nga ana ime, më tha që karta do të bllokohej dhe për dy ditë duhej të paraqitesha në degë për të marrë një kartë të re. Në këtë moment më kërkoi expiry date dhe e kuptova që ishte mashtrim” tregon Alliu.

Rasti i Fatos nuk është i izoluar. Në ditët e fundit janë raportuar disa telefonata të ngjashme, që përdorin teknologjinë VOIP, pra telefonata përmes internetit, për të krijuar përshtypjen se komunikimi vjen nga një bankë.

Sipas një njoftimi të Shoqatës Shqiptare të Bankave, në disa raste telefonatat vijnë nga adresa me prapashtesa si “@gmail” apo platforma të tjera, ndërsa në ekran mund të shfaqet emri ose logoja e bankës.

Në fakt, bëhet fjalë për një teknikë mashtrimi që përdor manipulimin e identitetit të telefonatës për të fituar besimin e viktimës.

Gjatë telefonatave, personat që telefonojnë mund të komunikojnë në gjuhë të ndryshme dhe të pretendojnë se po verifikojnë një veprim të dyshimtë me kartën bankare. Më pas ata kërkojnë të dhëna si numri i kartës, data e skadencës apo kode të tjera sigurie.

Nëse këto të dhëna jepen, mashtruesit mund të kenë akses në llogarinë bankare.

Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, thotë për Faktoje.al se rastet janë raportuar nga një bankë e nivelit të dytë.

“Ishin disa raste që na u raportuan nga një bankë e nivelit të dytë. Telefonatat ishin nga India. Nuk është masive, por nuk duhet nënvlerësuar nisur edhe nga rastet e tjera të mashtrimit. Ne dolëm me njoftim menjëherë që të mos kishim viktima,” shprehet ai.

Sipas Brumbullit, teknologjitë e reja të komunikimit e kanë bërë më të lehtë për mashtruesit të krijojnë identitete të rreme dhe të telefonojnë nga vende të ndryshme të botës.

“Këto kanale mashtrimi po përhapen me shpejtësi dhe duhet të jemi të përgatitur. Duhet të fiksohet në mendjen e njerëzve që bankat nuk kërkojnë në telefon të dhëna,” thotë ai.

Ekspertët e sektorit bankar paralajmërojnë se mashtrimet digjitale janë bërë një fenomen në rritje, sidomos me përhapjen e pagesave online dhe shërbimeve bankare në distancë.

“Të gjitha bankat shqiptare ofrojnë sot internet banking, dhe në fund të vitit të kaluar numri i llogarive të lidhura me internetin arriti në afërsisht dy milionë. Aktualisht 49% e llogarive aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga më pak se 20% që ishte në vitin 2020,” thotë Ersuin Shehu, zëvendës/kryeredaktor pranë revistës “Monitor”. 

Shehu shpjegon se ky tregues pritet të rritet me zgjerimin e përdorimit të kanaleve dixhitale dhe promovimin e tyre nga vetë bankat. 

“Një pjesë e bankave tashmë ofrojnë digital onboarding, që lejon hapjen e llogarive pa paraqitje fizike në bankë, dhe pritet që në një afat të mesëm kjo mundësi të jetë e përhapur në të gjitha bankat. Ky vit do të sjellë gjithashtu nisjen e bankës së parë ekskluzivisht dixhitale, ndërsa ka interes edhe nga investitorë të tjerë për profile të ngjashme,” shton ai.

Sipas Shehut, thellimi i dixhitalizimit rrit numrin e viktimave potenciale të skemave mashtruese dhe është e pritshme që tentativat për mashtrim do të vazhdojnë. 

“Përveç sfidave për të ruajtur sigurinë kibernetike të sistemeve dhe të dhënave, bankat duhet të punojnë në mënyrë të vazhdueshme për edukimin e klientëve mbi përdorimin e kanaleve dhe instrumenteve dixhitale. Për shoqërinë, mbrojtja nga mashtrimet kibernetike duhet të jetë pjesë e edukimit financiar të përgjithshëm,” përfundon ai.

Për këtë arsye, bankat këshillojnë klientët të jenë të kujdesshëm ndaj çdo telefonate që kërkon të dhëna personale apo financiare. Shoqata Shqiptare e Bankave, thekson se bankat në Shqipëri nuk do t’u kërkojnë kurrë klientëve përmes telefonit të dhëna të kartës bankare, PIN-in apo kodet e sigurisë.

Nëse një klient merr një telefonatë të dyshimtë, këshilla është e thjeshtë: të mos japë asnjë informacion dhe të ndërpresë menjëherë komunikimin. Më pas, çdo komunikim duhet verifikuar vetëm përmes numrave zyrtarë të publikuar nga banka.

The post Kujdes nga telefonatat mashtruese në emër të bankave! appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar kjo video e panikut nga raketat në aeroportin e Dubait

Pretendimi: Kjo video tregon momentin e sulmit iranian në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait mbrëmjen e 28 shkurtit 2026

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————

Pas Irani goditi një hotel luksoz në Dubai si pjesë e një serie goditjesh hakmarrëse si pasojë e vrasjes së udhëheqësit iranian Ali Khamenei, në rrjete sociale dhe media shqipfolëse qarkulloi një video që pretendohet se tregon momentin e sulmit iranian në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait mbrëmjen e 28 shkurtit

Një shqyrtim i imtësishëm i videos zbulon disa mospërputhje logjike. 

Nuk ka punonjës në sportelet e pasaportave pavarësisht se udhëtarët presin në radhë para tyre. Në një pjesë, një burrë duket se kalon shufrat e hekurta sikur të ishin të padukshme ose joekzistente. Ndërkohë, burri direkt pas tij duket se është i bllokuar nga të njëjtat shufra. Për më tepër, në disa pjesë, njerëzit duket se bashkohen me njëri-tjetrin ose zhduken ndërsa ecin.

Format dhe ndriçimi në sfond gjithashtu duken të panatyrshme. Xhami nuk thyet pavarësisht forcës së dukshme të shpërthimit në vendngjarje. Shkrimi në ekranet e mëdhenj nuk është arabisht dhe nuk duket se është asnjë gjuhë e njohur, por përkundrazi duken më shumë si simbole të rastësishme. Shpërthimi reflektohet panatyrshëm në tre drita në tavanin e aeroportit, në një mënyrë që nuk përputhet me realitetin. Një numër njerëzish kanë reagime jonormale, me disa që duket se vrapojnë drejt shpërthimit në vend që të largohen prej tij.

Këto mospërputhje janë tregues karakteristikë të videove të krijuara nga inteligjenca artificiale.

Për më tepër, video e mësipërme nuk përputhet me pamjet e dokumentuara të Aeroportit të Dubait.

Autoritetet e Dubait thanë se mbeturinat nga një dron i kapur shkaktuan një zjarr në hotelin e famshëm luksoz të qytetit, Burj Al Arab, dhe në aeroportin ndërkombëtar të Dubait. Aeroportet e Abu Dhabit thanë në një postim në X/Twitter se një incident në aeroportin ndërkombëtar Zayed në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe rezultoi në një të vdekur dhe shtatë të plagosur. Më vonë e fshinë postimin. “Ekipet e Mbrojtjes Civile reaguan menjëherë dhe e vunë incidentin nën kontroll. Nuk janë raportuar të lënduar”, shkroi zyra e medias e Dubait në llogarinë e saj. Zyra e medias tha gjithashtu se një pjesë e aeroportit ndërkombëtar të Dubait “pësoi dëme të vogla në një incident”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

The post E gjeneruar kjo video e panikut nga raketat në aeroportin e Dubait appeared first on Faktoje.al.

Ministri izraelit i Mbrojtjes viktimë, por vetëm e propagandës iraniane

Pretendimi: Ministri izraelit i Mbrojtjes Israel Katz është vrarë nga Irani

Verdikti: E paprovuar

—————————————————-

Pas vrasjes së udhëheqësit iranian Ali Khamenei në një sulm izraelito-amerikan ndaj Teheranit më 28 shkurt, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, nisi të qarkullojë pretendimi se Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ishte vrarë nga një sulm iranian.

Megjithatë, ky pretendim, i postuar më 28 shkurt 2026, nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë për ta mbështetur.

Ndërkaq, ushtria izraelite publikoi më 1 mars një video deklaratë nga Katz ku ai e quajti vrasjen e Khamenei si një “pikë kthese.”

Mediat izraelite publikuan gjithashtu foto që tregojnë një takim të mbajtur nga Katz, më 2 Mars për të vlerësuar situatën në një bunker të Forcave Ajrore.

Israel Katz, i dyti majtas, gjatë takimit të 2 Marsit 2026

Më 3 Mars, Katz postoi një foto në rrjetet e tij sociale ku duken ai, kryeministri izraelit Netanyahu dhe Shefin e Shtabit të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir.

Këto postime janë pjesë e lajmeve të publikuara nga burime iraniane me qëllim krijimin e besimit se regjimi nuk është mposhtur dhe është duke u hakmarrë për vrasjen e drejtuesve të tij. Raketat iraniane të lëshuara në drejtim të Izraelit kanë arritur të godasin objektiva të ndryshme, por deri tani nuk raportohet për viktima mes drejtuesve të lartë shtetërorë dhe të ushtrisë hebreje, kjo edhe për shkak se është humbur efekti i surprizës në goditje. Të gjithë drejtuesit izraelitë shfaqen publikisht në objekte të mbyllura apo zona ushtarake me siguri të lartë duke evituar që të kapen në befasi nga ndonjë sulm nga ajri apo agjentë civilë të Iranit.  

The post Ministri izraelit i Mbrojtjes viktimë, por vetëm e propagandës iraniane appeared first on Faktoje.al.

I rremë lajmi për vrasjen e komandantit të aviacionit izraelit

Pretendimi: Irani ka vrarë komandantin e Forcave Ajrore Izraelite Tomer Bar

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————–

Ndërsa Irani dhe Izraeli shkëmbenin sulme raketore pas vrasjes së udhëheqësit iranian Ali Khamenei, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullonte pretendimi se Irani kishte vrarë komandantin e Forcave Ajrore izraelite Tomer Bar.

Ky pretendim duket se e ka zanafillën në një deklaratë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të botuar në kanalin e tyre zyrtar në Telegram. 

Deklarata, megjithatë, nuk konfirmon vrasjen e Tomer Bar. IRGC deklaron vetëm se “zyra e Kryeministrit [Benjamin Netanyahu] kriminel të regjimit sionist dhe vendndodhja e komandantit të forcave ajrore [Tomer Bar] të regjimit u sulmuan dhe u goditën rëndë nga forcat e armatosura.” Sipas Gardës, fati i Netanyahut pas atij sulmi ishte “i pasigurt” dhe nuk thuhet asgjë për fatin e Bar.

Ndërkaq, zyra e Netanyahu e ka hedhur poshtë këtë si “lajm të rremë” pretendimin iranian se fati i kryeministrit ishte i paqartë pas një sulmi me raketa që synonte Jerusalemin. Sipas mediave izraelite, nuk pati raportime për ndonjë goditje raketash në Jerusalem, pasi sirenat e sulmeve ajrore ranë në kryeqytet. Zyra e Netanyahut, sipas të gjitha të dhënave, ishte e paprekur.

Mediat izraelite publikuan gjithashtu foto të kohëve të fundit që tregojnë Bar duke marrë pjesë në një takim të mbajtur nga Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz, më 2 Mars për të vlerësuar situatën në bazën ajrore, pas lajmit për sulmin ndaj vendndodhjes së tij.

Tomer Bar, i pari majtas, gjatë takimit të 2 Marsit 2026

Tomer Bar mbetet komandanti aktiv i Forcave Ajrore Izraelite. Ditë pas “vdekjes” së tij të pretenduar, ai u citua nga mediat izraelite duke lavdëruar pilotët e Forcave Ajrore Izraelite gjatë sulmeve ndaj Iranit.

The post I rremë lajmi për vrasjen e komandantit të aviacionit izraelit appeared first on Faktoje.al.

Një trillim kërcënimi i Iranit për sulme me raketa ndaj Shqipërisë

Pretendimi: Irani paralajmëroi se do të shënjestrojë kampin MEK në Manëz, ku jeton opozita iraniane

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————————

Më 2 mars 2026, peizazhi mediatik shqiptar u përfshi nga paniku i përfshirjes së vendit tonë në zonën e rrezikuar nga raketat hakmarrëse të Iranit. “Rrezik për vendin/ Irani paralajmëron sulm ndaj MEK në Shqipëri,” alarmonin titujt e portaleve duke cituar herë “mediat e huaja”, herë “mediat azere” e herë pa cituar fare.

E gjithë kjo fushatë paniku e kishte zanafillën në një artikull të vetëm të botuar më 2 mars në portalin periferik azer Caliber.az, me titullin “IRGC e Iranit mund të sulmojë bazën e Muxhahedinëve në Shqipëri”. 

Pjesa më e madhe e artikullit të medias azere konsiston në një përshkrim dhe historik të organizatës së muxhahedinëve, i cili paraprihet nga vetëm tre fjali:

“Mes tensioneve në rritje rajonale, thuhet se po shqyrtohet mundësia e një sulmi iranian ndaj selisë së “Monafeqin” — Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (MEK) — që ndodhet në bazën Ashraf-3 në Shqipëri. Shërbimi për shtyp i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) tha në Telegram se veprimet e mundshme thuhet se kanë të bëjnë me një strukturë që Teherani e konsideron të lidhur me ‘aktivitete armiqësore’. Disa burime, duke iu referuar sulmeve të fundit të Iranit ndaj objektivave në Qipro, pohojnë se Irani nuk po e kufizon më veten në një gjeografi specifike kur synon qendrat e lidhura me kundërshtarët e tij dhe po zgjeron fushëveprimin e aftësive të tij operacionale përtej rajonit”

Burimi i vetëm i verifikueshëm në këtë artikull është deklarata që pretendohet se është botuar në Telegram nga IRGC. Lidhja që referon autori të dërgon vërtet në një kanal Telegrami të quajtur @sepah_pasdaran.

Megjithatë, deklarata e pretenduar duket se nuk ekziston, ose të paktën nuk ekziston më. 

Faktoje kontaktoi edhe autorin e artikullit, Khagan Isayev, mbi burimet ku bazohet ky pretendim.

Në përgjigjen e tij, z. Isayev na konfirmoi se postimi i cituar përmendte vërtetë Shqipërinë. Megjithatë, ai konfirmoi gjithashtu se, pasi e kishte rikontrolluar, rezultonte se deklarata e cituar në artikull “duket se është fshirë për një arsye që nuk e dimë.” Fatkeqësisht, ai pranoi se nuk kishte bërë ndonjë screenshot të deklaratës përpara se ajo të fshihej.

Zoti Isayev pranoi gjithashtu se “ne iu referuam vetëm këtij burimi kur publikuam, jo ​​ndonjë burimi tjetër.”

Si rrjedhojë, burimi i vetëm meriton një shqyrtim më të imtësishëm.

Një shqyrtim i kanalit të Telegramit zbulon një detaj interesant. Megjithëse ai mban emrin Sepah Pasdaran, një emër alternativ për IRGC, dhe logon e Gardës Revolucionare, në përshkrimin e kanalit deklarohet: “Kjo është personale dhe përditësohet nga mbështetësit”

Në fakt, ky kanal, ndër të tjerë, është përshkruar nga BBC në 2025 si “kanale jozyrtare të lidhura me IRGC” “duket se drejtohen nga mbështetës dhe administratorë të lidhur me IRGC, të cilët ndajnë lajme dhe propagandë rreth Gardës.”

Në fakt, në gusht 2025, agjensia iraniane e lajmeve Mehr raportoi se Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun i (IRGC) njoftoi se kishte hapur llogari zyrtare në mediat sociale për herë të parë.

Deklarata renditi llogaritë zyrtare në Telegram (@sepahneësir403) dhe X, si dhe në platformat vendase iraniane. Ç’është më domethënëse për rastin tonë, ajo konfirmoi se asnjë nga kanalet e tjera të mediave sociale me titullin ‘Sepah’ ose tituj të ngjashëm nuk janë media zyrtare të IRGC dhe nuk mund të citohen për të pasqyruar qëndrimet e Gardës.

Kanali zyrtar i IRGC në Telegram, @sepahneësir403

Sipas BBC, “disa media ndërkombëtare dhe vendase i kanë cituar gabimisht këto [kanale Telegrami jo-zyrtare me emra që përmbajnë ‘Sepah’] si “zyrtare” në disa raste në të kaluarën. Shumë besonin se Korpusi kishte mbajtur qëllimisht një re paqartësie rreth komunikimeve dhe propagandës së tij”

Pra, kanali i Telegramit që citohet si “shërbimi për shtyp” i IRGC nga artikuli azer në fakt është një kanal jo-zyrtar.

Vlen të përmendet këtu edhe fakti që Shqipëria është anëtare e NATO.

Neni 5 i Traktatit Atlantiko-Verior parashikon:

Palët bien dakord se një sulm i armatosur kundër një apo më shumë prej tyre në Evropë apo në Amerikën e Veriut do të quhet si sulm kundër të gjitha atyre dhe si pasojë bien dakord që, nëse ndodh një sulm i tillë, secila nga ato, në ushtrim të së drejtës së vetëmbrojtjes kolektive apo individuale të njohur nga Neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë Palën apo Palët e sulmuara në këtë mënyrë duke ndërmarrë menjëherë, individualisht dhe në bashkërendim me palët e tjera, ato veprime që i vlerëson si të nevojshme, përfshirë këtu përdorimin e forcave të armatosura, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë në zonën e Atlantikut të Veriut.

Çfarëdo sulmi i tillë i armatosur dhe të gjitha masat e marra si rrjedhojë e tij do t’i njoftohen menjëherë Këshillit të Sigurimit. Masa të tilla do të përfundojnë kur Këshilli i Sigurimit të ketë marrë masat e nevojshme për të rivendosur dhe ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”

Parimi i vetëmbrojtjes kolektive, si parandalim i zgjerimit të Bashkimit Sovjetik në Europën Lindore, ishte nga qëllimet kryesore për krijimin e NATO-s në 1949. Neni 5 i Traktatit u citua për herë të parë pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në ShBA. Pasi Këshilli i Atlantikut të Veriut u informua se sulmi ishte i drejtuar nga jashtë, pati konsultime mes aleatëve dhe Këshilli vendosi për veprim kolektiv.

Bazuar në këtë nen, një sulm iranian me raketa kundër kampit MEK në truallin e shtetit shqiptar do të quhej një sulm kundër 30 shteteve anëtare të NATO-s dhe do të ftonte një kundërpërgjigje nga organizata më e mirë-armatosur në histori.

Në një artikull më të zgjeruar, ekspertë të sigurisë dhe çështjeve kombëtare kanë thënë për Faktoje se gjasat për një sulm iranian janë të papërfillshme dhe nuk ka nevojë për alarm.

Në verën e vitit 2022, Faktoje përgënjeshtroi një pretendim të ngjashëm për sulme me raketa dhe dronë nga Irani drejt kampit të MEK në Manëz.

The post Një trillim kërcënimi i Iranit për sulme me raketa ndaj Shqipërisë appeared first on Faktoje.al.

Nafta nis të shtrenjtohet në Tiranë, rritje me 4 lekë për litër 

Vetëm pak ditë pasi ekspertët paralajmëruan rritje të çmimit të karburanteve, shenjat e para të shtrenjtimit kanë nisur të shfaqen në tregun vendas. Në disa pika të shitjes me pakicë në Tiranë është vërejtur rritje e çmimit të naftës me rreth 4 lekë për litër. 

Faktoje vëzhgoi të njëjtat pika karburanti, dy ditë pas publikimit të analizës së mëparshme, dhe konstatoi se rritja e çmimit ka nisur të reflektohet në disa nga pikat e tregtimit me pakicë në kryeqytet.

Megjithatë, shtrenjtimi nuk është reflektuar në të gjitha rrjetet e karburanteve. Në shumicën e pikave me pakicë, nafta vijon të tregtohet nga 175 lekë për litër.

Një situatë e ngjashme u shënua edhe në Kosovë, ku çmimet e karburanteve u rritën menjëherë pas luhatjeve në bursat ndërkombëtare. Megjithatë, autoritetet përgjegjëse atje reaguan shpejt duke ndërmarrë masa për të parandaluar rritje të pajustifikuara.

Bursat ndërkombëtare

Shtrenjtimi në tregun vendas vjen në një moment kur çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm pas tensioneve dhe sulmeve në vendet e Lindjes së Mesme. Nafta është ngjitur në rreth 83 dollarë për fuçi, nga 65 dollarë për fuçi që ishte pak javë më parë, duke treguar një rritje të ndjeshme brenda një periudhe të shkurtër. Operatorët e tregut paralajmërojnë se rritja në bursë zakonisht reflektohet në tregun vendas brenda pak ditësh.

Në këtë kontekst, Konfindustria ka kërkuar masa të menjëhershme. 

Kontroll më të rreptë të zbatimit të ligjit për sigurimin e rezervës strategjike 3 mujore, masa ligjore ndaj praktikave jo konkurruese që mund të shkaktojnë spekulime, si gjatë krizës së luftës në Ukrainë (2021–22), dhe përgatitjen e një pakete ligjore për uljen e barrës fiskale në rast të rritjes së fortë të çmimeve ndërkombëtare. 

Konfindustria thekson se shenjat e rritjes në bursë kanë bërë të pashmangshme pasqyrimin e tyre në tregun vendor, ndërsa koha e zgjatjes së konfliktit mbetet e paqartë.

Për momentin, rritja e vërejtur në disa pika karburanti mbetet më e moderuar se paralajmërimet fillestare, por operatorët paralajmërojnë se shtrenjtimi mund të arrijë deri në 20 lekë për litër nëse tensionet në tregjet ndërkombëtare vazhdojnë. 

Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar nisjen e monitorimit të tregut të karburanteve, si në nivel shumice ashtu edhe pakice. Sipas institucionit, të gjitha ndërmarrjet që operojnë në tregtimin e karburanteve janë aktualisht nën monitorim. 

njoftimin e tij, ky autoritet thekson se në tregjet ndërkombëtare çmimet e karburanteve ndryshojnë vazhdimisht në varësi të ofertës, kërkesës dhe zhvillimeve ekonomike apo gjeopolitike. Për këtë arsye, sipas standardeve të konkurrencës së ndershme, luhatjet e çmimeve në tregun vendas duhet të ndjekin të njëjtin drejtim dhe të jenë proporcionale me ndryshimet në bursë.

Autoriteti paralajmëron se çdo devijim i pajustifikuar nga këto zhvillime mund të konsiderohet tregues i mundshëm i praktikave jo konkurruese në treg.

Reagimi politik

Deputeti Erion Braçe kritikoi mënyrën se si po monitorohet tregu, duke theksuar se hetimi duhet të nisë nga zinxhiri i importit dhe jo vetëm nga pikat e shitjes me pakicë.

Sipas tij, monitorimi i kufizuar vetëm tek tregu me pakicë nuk është i mjaftueshëm për të kuptuar pse çmimet rriten menjëherë, edhe kur bursat ndërkombëtare nuk kanë shënuar ndryshime të ngjashme.

Ndërkohë, Braçe ngriti pikëpyetje edhe për faktin se në periudhat kur çmimet ndërkombëtare kanë rënë, çmimet në tregun vendas shpesh kanë mbetur të pandryshuara.

Në të njëjtën linjë, edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka cilësuar paralajmërimin e kompanive për rritje çmimesh si spekulim të pastër tregtar. Ajo theksoi se tregjet ndërkombëtare ende nuk kanë reflektuar një rritje të tillë që të justifikojë shtrenjtimin e menjëhershëm në Shqipëri.

Sipas saj, çmimet e karburanteve në Shqipëri janë 20–30% më të larta se në vendet fqinje, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, dhe rritja e menjëhershme e çmimeve pa reflektim në bursat ndërkombëtare tregon se tregu i karburanteve nuk funksionon sipas parimeve të konkurrencës së lirë.

Për momentin, rritja e çmimeve në tregun shqiptar mbetet e kufizuar. Megjithatë, në një ekonomi që mbështetet kryesisht tek importet për furnizimin me karburante, zhvillimet në bursat ndërkombëtare pritet të përcaktojnë nëse ky shtrenjtim do të jetë i përkohshëm apo do të vijojë më shumë javët në vijim.

The post Nafta nis të shtrenjtohet në Tiranë, rritje me 4 lekë për litër  appeared first on Faktoje.al.

Premtimi i pambajtur për shkollën ‘Edith Durham’ në Tiranë

Ndërtesa e re e shkollës Edith Durham është përfunduar, por nxënësit e saj ende nuk janë kthyer në klasa. Çështja u rikthye në vëmendje këtë të enjte në Kuvend, gjatë një interpelance të kërkuar nga deputeti socialist Erion Braçe me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro. Në qendër të debatit ishte premtimi që nuk u mbajt, hapja e shkollës në shtator të vitit të kaluar.

Braçe, i cili përfaqëson zonën e njësisë nr. 5 në Tiranë ku ndodhet shkolla, kujtoi kronologjinë e projektit dhe pritshmëritë që u krijuan tek prindërit. Sipas tij, punimet kishin nisur në dhjetor të vitit 2024 dhe gjatë një vizite në terren në mars të vitit të kaluar ishte vendosur një afat i qartë për përfundimin e tyre.

“Në mars të vitit që shkoi kryeministri ishte atje. Puna kishte nisur në dhjetor 2024 dhe në mars u vendos një afat i qartë që në shtator shkolla të ishte e përfunduar. Shkolla ka përfunduar në tetor, jemi në mars. Janë të paktën 1700-1800 prindër në vështirësi të madhe. Kur do të hapet shkolla ‘11 Janari (Edith Durham)?”, u shpreh Braçe.

Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit pranoi se afati i shtatorit të kaluar nuk u arrit, por sqaroi se ndërtesa tashmë është përfunduar dhe se shkolla po kalon fazën e fundit të pajisjes me mobilie dhe laboratorë.

“Unë e ndaj shqetësimin tuaj njësoj. Ndërkohë që flasim, ndërtimi ka përfunduar. Nuk mjafton të përfundojnë muret. Po përmbyllet mobilimi nga Bashkia e Tiranës. Një pjesë e mobilieve ka hyrë në ndërtesë”, deklaroi Kumbaro.

Sipas saj, shkolla e re do të ketë 33 klasa mësimore, nga të cilat 20 për ciklin 9-vjeçar, si dhe 10 laboratorë për lëndë të ndryshme, sallë multimediale, palestër dhe bibliotekë.

Ministrja tha se nxënësit do të vazhdojnë përkohësisht mësimin në shkollën ‘Emin Duraku’ dhe se rikthimi në godinën e re pritet të ndodhë në fillim të vitit të ri shkollor.

“Shumë shpejt nxënësit do të rikthehen. Njëherë e mirë në shtator të vitit të ardhshëm”, u shpreh ajo.

Por, siç tha edhe deputeti Braçe, problematika nuk lidhet thjesht me distancën fizike nga shkolla e përkohshme ku janë zhvendosur nxënësit, por me organizimin e jetës familjare. Aktualisht, nxënësit e “Edith Durham” zhvillojnë mësimin në ambientet e shkollës “Emin Duraku”, pasditeve.

“Mu duk vetja sikur isha i vetmi jo solidar me ndërtimin e kësaj shkolle. Nuk kam sjellë shqetësim personal këtu, ky është shqetësim prindërish. Nuk është çështje metrash, por fakti që procesi mësimor është zhvendosur nga paradite në pasdite. Prindërit duhet të lënë punën për të çuar fëmijët në shkollë në drekë”, tha ai.

Braçe theksoi gjithashtu se vonesat mund të ishin shmangur nëse procedurat për mobilimin dhe laboratorët do të ishin nisur më herët.

“Që në qershor të vitit që shkoi, kur pashë ritmet e punës, kam kërkuar që të merren me procedurat. Nëse dikush fle gjumë, nuk duhet ta vuajë as fëmija dhe as prindi”, shtoi deputeti.

Premtimi

Rindërtimi i shkollës u lajmërua në nëntor 2024 nga Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës. “Shtatori i 2025-s do t’i gjejë fëmijët në klasat e reja,” premtonte Veliaj në rrjete sociale. 

I njëjti premtim u përsërit edhe në janar 2025, kur Veliaj, bashkë me ministren e Financave Delina Ibrahimaj (asokohe), siguroi se afati ishte i pakthyeshëm.

Shtatori i 2025 u premtua edhe nga kryeministri Edi Rama një vit më parë gjatë inspektimit të kantierit.

Por dy muaj para afatit të premtuar, verifikimi i Faktoje tregoi se punimet ishin ende larg pritshmërive. Në korrik 2025, Bashkia e Tiranës pohonte se punimet ishin vetëm 80% të përfunduara, por pavarësisht kësaj, premtoi se shkolla do të ishte gati për vitin shkollor 2025–2026. 

Përfundim 

Afati i premtuar publikisht për përfundimin dhe hapjen e shkollës ishte shtatori i vitit të kaluar. Megjithëse ndërtesa është përfunduar disa muaj më vonë dhe aktualisht po pajiset me mobilie, nxënësit nuk e kanë nisur ende procesin mësimor në godinën e re. Në këto kushte, hapja e shkollës pritet të ndodhë rreth një vit pas afatit të premtuar fillimisht, duke e kthyer këtë rast në një tjetër shembull të premtimeve publike që nuk realizohen brenda afateve të shpallura.

The post Premtimi i pambajtur për shkollën ‘Edith Durham’ në Tiranë appeared first on Faktoje.al.

E keqinterpretuar “futja në lojë” e Rusisë në konfliktin me Iranin

Pretendimi: Tensionohet situata e luftës ShBA-Izrael-Iran pasi Rusia futet tashmë në lojë

Verdikti: Mungon konteksti, Clickbait

—————————————–

Ndërsa Irani dhe Izraeli shkëmbejnë sulme raketore pas vrasjes së udhëheqësit iranian Ali Khamenei në një sulm izraelito-amerikan ndaj Teheranit më 28 shkurt, në rrjetet sociale shqipfolëse kanë nisur të qarkullojnë masivisht tituj alarmues lajmërojnë tensionim situatës pasiRusia futet lojë,” ndërsa përdoruesit ftohen të klikojnë në lidhjen në komente për të lexur më tepër.

Megjithatë, lexuesit nuk duhet të alarmohen ende.

Në brendinë e artikullit në komente shpjegohet se Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një “akt agresioni të paramenduar dhe të paprovokuar” ndaj Iranit, pas sulmeve të përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit.

Është e vërtetë se Ministria e Jashtme ruse ka dënuar menjëherë agresionin ushtarak të ShBA dhe Izraelit ndaj Iranit, në një deklaratë të botuar më 28 shkurt.

Megjithatë, përkundër ç’lë të mendohet titulli i artikullit, kjo deklaratë nuk përmban asnjë kërcënim, zotim apo insinuatë se Rusia ka ndërmend të përfshihet në konflikt, apo të “futet në lojë.” 

Kjo, me gjasa, edhe si pasojë e faktit që Rusia është tashmë e përfshirë në një luftë 4-vjeçare në Ukrainë.

Përkundrazi, në mënyrë gati ironike, duke marrë parasysh luftën në Ukrainë, deklarata e Ministrisë së Jashtme ruse përfundon me një thirrje për diplomaci dhe zgjidhje paqësore:

“Ne bëjmë thirrje për një kthim të menjëhershëm në një rrugë politike dhe diplomatike. Rusia, si gjithmonë, është e gatshme të ndihmojë në avancimin e zgjidhjeve paqësore të bazuara në të drejtën ndërkombëtare, respektin e ndërsjellë dhe një konsideratë të ekuilibruar të interesave”

Titulli i vendosur me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve shkakton alarm dhe panik të panevojshëm.

The post E keqinterpretuar “futja në lojë” e Rusisë në konfliktin me Iranin appeared first on Faktoje.al.

Ky njeri i klonuar pjesë e promovimit të një filmi të Netflix

Pretendimi: Këto pamje dëshmojnë teknologjinë e klonimit të njerëzve

Verdikti: E pavërtetë

Barbara Halla

Një video që po qarkullon në rrjetet sociale në shqip pretendon se tregon prova se njerëzit tashmë mund të klonohen dhe se teknologjia për krijimin e trupave njerëzorë artificialë është bërë realitet. Pamjet shfaqin një trup njeriu të futur në një qese transparente, duke nxitur pretendime se bëhet fjalë për një “produkt” të ri bioteknologjik. Megjithatë, këto pretendime janë të pavërteta dhe të shkëputura nga konteksti.

Burimi i imazhit dhe videos nuk ka asnjë lidhje me ndonjë arritje shkencore në fushën e klonimit. Pamjet janë realizuar gjatë panairit teknologjik CES 2018 në Las Vegas, ku platforma e transmetimit Netflix promovoi serialin e saj fantastiko-shkencor Altered Carbon. Në kuadër të fushatës promocionale, u krijua një stendë e kompanisë fiktive Psychasec, e cila në universin e serialit ofron “sleeves,” trupa të rinj ku mund të transferohet ndërgjegjja njerëzore përmes një çipi të quajtur “cortical stack”.

Instalacioni paraqiste një trup artificial brenda një kapsule apo qeseje, si pjesë e narrativës së serialit, që bazohet në romanin e autorit Richard K. Morgan. Sipas historisë fiktive, kujtesa dhe përvoja e individit ruhen në një format digjital dhe mund të “instalohen” në një trup tjetër. E gjithë kjo është pjesë e trillimit shkencor dhe jo një teknologji ekzistuese.Asnjë institucion shkencor nuk ka njoftuar për klonim të suksesshëm njerëzor, dhe pretendime të tilla kërkojnë prova të verifikueshme nga burime të besueshme. Diçka e tillë mbetet ende shumë larg, dhe ka barriera si teknologjike dhe etike ndaj punës kërkimore në këtë fushë.

The post Ky njeri i klonuar pjesë e promovimit të një filmi të Netflix appeared first on Faktoje.al.

Ky version i Epstein si blerës supermarketi është krijuar me AI

Pretendimi: Jeffrey Epstein ka inskenuar vetëvrasjen e tij dhe është ende gjallë

Verdikti: E pavërtetë / Krijuar me AI

Barbara Halla

Publikimi i bujshëm i dosjeve të financierit famëkeq Jeffrey Epstein ka ngjallur edhe teoritë që pretendojnë se vetëvrasja e tij është inskenuar dhe ai është ende gjallë. Një prej këtyre pretendimeve është publikuar së fundmi në Facebook, ku si prova paraqitet një video e Esptein e gjeneruar me inteligjencë artificiale si dhe një pasaportë false e tij austriake. Në fakt, nuk ka asnjë provë konkrete se Epstein është gjallë, pasi vetëvrasjes së tij në vitin 2019. 

Postimi në fjalë shpërndan një video të marrë nga një llogari në TikTok, ku pretendohet se Jeffrey Epstein është filmuar së fundmi duke blerë në thjeshtësi të plotë në një supermarket. Në fakt, në video dallohet logoja e “Sora”, ëebsite i cili i përket kompanisë Open AI (e cila ka po ashtu në pronësi ChatGPT) dhe ku përdoruesit mund të përdorin inteligjencën artificiale për të prodhuar video dhe imazhe. Detaje të tjera të cilësisë së filmimit dhe mënyrës si lëvizin personazhet konfimorjnë se bëhet fjalë për një video të gjeneruar me Inteligjencën Artificiale. 

Sa i përket pasaportës austriake, ajo nuk është një “zbulim” i ri. Ajo është përmendur nga mediat botërore që prej vitit 2019. Kjo pasaportë është pjesë e provave të sekuestruara gjatë hetimeve, dhe ishte deklaruar publikisht nga Departamenti i Drejtësisë si një pasaportë e vjetër, e skaduar prej vitesh. Prania e saj në dosje nuk përbën asnjë dëshmi se Epstein ka inskenuar vdekjen apo është arratisur.

Jeffrey Epstein u arrestua në korrik 2019 për akuza federale për trafikim seksual të të miturve. Sipas Byrosë Federale të Burgjeve, ai u gjet i pavetëdijshëm në qelinë e tij në Metropolitan Correctional Center rreth orës 6:30 të mëngjesit më 10 gusht 2019, në atë që u cilësua si vetëvrasje e dukshme. Stafi i burgut dhe ekipet e emergjencës ndërmorën masa shpëtimi dhe e transportuan në spital, ku u shpall i vdekur.

Më 16 gusht 2019, Zyra e Mjekësisë Ligjore e Nju Jorkut përcaktoi zyrtarisht shkakun e vdekjes si varje dhe mënyrën e vdekjes si vetëvrasje. Deklarata të njëpasnjëshme nga Prokuroria Federale dhe Departamenti i Drejtësisë konfirmuan se Epstein ishte i vdekur dhe se hetimet për rrjetin e tij do të vazhdonin. Asnjë provë e besueshme nuk mbështet pretendimin se ai është gjallë.

The post Ky version i Epstein si blerës supermarketi është krijuar me AI appeared first on Faktoje.al.

Dënimi me burg për mësuesin rebel irlandez jo për refuzimin transgjinor

Pretendimi: Mësuesi i krishterë irlandez që refuzoi ideologjinë transgjinore arrestohet sërish

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Lajmi për dënimin e ri me burgim të një mësuesi irlandez për shkak se kundërshton “ideologjinë gjinore” dhe refuzon t’i drejtohet një nxënësi të tij me përemrin “ata” është publikuar ditët e fundit në rrjetet sociale në gjuhën shqipe. Postimi shoqërohet me një video që pretendohet të tregojë arrestimin e mësuesit Enoch Burke më 19 janar 2026. Megjithatë, kjo narrativë keqinterpreton arsyen e vërtetë të burgosjes së tij.

Sipas një vendimi gjyqësor të datës 20 janar 2026, i cituar dhe nga Reuters, e cila ka verifikuar faktet e çështjes, Burke u burgos për mosrespektim të një urdhri gjyqësor që i ndalonte të hynte në ambientet e ish-shkollës së tij, Wilson’s Hospital School në Irlandën qendrore. Gjyqtari Cregan ka theksuar qartë në vendimin e tij se “Burke është burgosur për mosrespektim të gjykatës – jo për bindjet e tij fetare.” 

Çështja e Burke fillon në gusht 2022, kur ai u pezullua nga shkolla pasi ndërpreu një ceremoni përkujtimore dhe u konfrontua me drejtorin e shkollës. Burke pretendoi se konflikti kishte në zanafillën e tij çështjen e refuzimit të cilësimit me përemrin neutral “ata” të një nxënësi transgjinor. Megjithatë, kolegji nuk ndërmori zyrtarisht masa disiplinore ndaj tij deri në momentin që ndodhi përplasja në ceremoninë publike me drejtorin. 

Pas këtij incidenti publik, shkolla e pezulloi Burke dhe fitoi një urdhër gjyqësor që i ndalonte atij të hynte në ambjentet e shkollës. Megjithatë, Burke vazhdoi të paraqitej rregullisht në hyrjen e shkollës, duke shkelur vazhdimisht urdhrin e gjykatës. Për këtë arsye, ai u burgos për herë të parë në shtator 2022 dhe që atëherë ka hyrë e dalë disa herë nga burgu.

Siç e ka raportuar më herët Faktoje, Burke nuk është ndëshkuar me burgim për bindjet e tij mbi të drejtat e personave transgjinorë, por për mosrepektimin e përsëritur të vendimeve gjyqësore. Gjykata gjithashtu ka lëshuar gjoba kundër Burke, të cilat ai ka refuzuar t’i paguajë. Deri në shkurt 2025, ai i detyrohej gjykatës rreth 79,100 euro në gjoba të papaguara, gjë që çoi në pezullimin e llogarive të tij bankare.

Arrestimi më i fundit i Burke më 19 janar 2026 erdhi pasi ai u paraqit në ambjentet e ish-shkollës me 15 dhe 16 janar, vetëm disa ditë pasi ishte liruar nga burgu. Kjo është hera e pestë që Burke burgoset për mosrespektim të gjykatës. Shërbimi i Gjykatave të Irlandës ka konfirmuar se ai është burgosur specifikisht për shkeljen e urdhrit gjyqësor, jo për qëndrimet e tij ndaj transgjinorizmit.

Ekspertë ligjorë nga Universiteti i Dublinit kanë sqaruar se gjykatat irlandeze nuk kanë shqyrtuar asnjëherë meritat e debateve mbi çështjet gjinore në këtë rast. Çështja ka të bëjë ekskluzivisht me mosrespektimin e ligjit dhe urdhrave gjyqësorë. Postimet në rrjetet sociale që paraqesin rastin e Burke si një shembull të “persekutimit ideologjik” ose zbatimit të ashpër të “ligjeve për barazinë gjinore” keqinterpretojnë faktet dhe shtrembërojnë debatet ligjore. 

The post Dënimi me burg për mësuesin rebel irlandez jo për refuzimin transgjinor appeared first on Faktoje.al.

Alarmi i rremë, Shqipëria në titujt e mediave si shënjestër e Iranit

Nga Patris Pustina 

Më 2 mars 2026, peizazhi mediatik shqiptar u përfshi nga paniku. “Irani mund të sulmojë bazën e muxhahedinëve,” alarmonin titujt e portaleve duke cituar herë “mediat e huaja” herë “mediat botërore” herë “mediat azere” e herë pa cituar fare.

Lajmi mori jehonë edhe në parlament, kur deputetja e qarkut Durrës e Partisë Demokratike, Manjola Luku, foli për mundësinë e një sulmi nga Irani duke thënë se banorët e Manzës janë të shqetësuar nga një sulm iranian.

E gjithë kjo fushatë paniku duket se e ka zanafillën në një artikull të vetëm të botuar më 2 mars në portalin azer Caliber.az, me titullin “IRGC e Iranit mund të sulmojë bazën e Muxhahedinëve në Shqipëri”. 

Pjesa më e madhe e artikullit të medias azere konsiston në një përshkrim dhe historik të organizatës së muxhahedinëve, i cili paraprihet nga vetëm tre fjali:

“Mes tensioneve në rritje rajonale, thuhet se po shqyrtohet mundësia e një sulmi iranian ndaj selisë së “Monafeqin” — Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (MEK) — që ndodhet në bazën Ashraf-3 në Shqipëri. Shërbimi për shtyp i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) tha në Telegram se veprimet e mundshme thuhet se kanë të bëjnë me një strukturë që Teherani e konsideron të lidhur me ‘aktivitete armiqësore’. Disa burime, duke iu referuar sulmeve të fundit të Iranit ndaj objektivave në Qipro, pohojnë se Irani nuk po e kufizon më veten në një gjeografi specifike kur synon qendrat e lidhura me kundërshtarët e tij dhe po zgjeron fushëveprimin e aftësive të tij operacionale përtej rajonit”

Artikulli pretendon se “thuhet se po shqyrtohet mundësia” e një sulmi iranian pa treguar se kush po e thotë këtë. 

Ai parafrazon një deklaratë të pretenduar të IRCG ku nuk përmendet Shqipëria por një strukturë që Irani e konsideron të lidhur me aktivitete armiqësore, një përkufizim që do ta përmbushte çfarëdo baze ushtarake amerikane, si ato që janë goditur tashmë nga Irani në Lindjen e Mesme, apo ato britanike në Qipro.

As burimet anonime të cituara në artikull nuk duket se përmendin Shqipërinë, por thjesht deklarojnë se, duke parë goditjen e bazave ushtarake britanike në Qipro, sulmet e Iranit duket se nuk po kufizohen më gjeografikisht në Lindjen e Mesme.

Pretendimi se Shqipëria mund të jetë në shënjestër të sulmeve iraniane duket se është një përfundim në të cilin ka dalë vetëm autori i artikullit, zoti Khagan Isayev. 

Burimi i vetëm i verifikueshëm në këtë artikull është deklarata që pretendohet se është botuar në Telegram nga IRGC. Lidhja që referon autori të dërgon vërtet në një kanal Telegrami të quajtur @sepah_pasdaran.

Megjithatë, deklarata e pretenduar duket se nuk ekziston, ose të paktën nuk ekziston më. 

Faktoje kontaktoi edhe autorin e artikullit, Khagan Isayev, mbi burimet ku bazohet ky pretendim.

Në përgjigjen e tij, z. Isayev na konfirmoi se postimi i cituar vërtet përmendte Shqipërinë. Megjithatë, ai konfirmoi gjithashtu se, pasi e kishte rikontrolluar, rezultonte se deklarata e cituar në artikull “duket se është fshirë për një arsye që nuk e dimë.” Fatkeqësisht, ai pranoi se nuk kishin bërë ndonjë screenshot të deklaratës përpara se të ajo fshihej.

Zoti Isayev pranoi gjithashtu se “ne iu referuam vetëm këtij burimi kur publikuam, jo ​​ndonjë burimi tjetër.”

Si rrjedhojë, burimi i vetëm meriton një shqyrtim më të imtësishëm.

Burimi

Një shqyrtim i vetë kanalit të Telegramit zbulon një detaj interesant. Megjithëse ai mban emrin Sepah Pasdaran, një emër alternativ për IRGC, dhe logon e Gardës Revolucionare, në përshkrimin e kanalit deklarohet: “Kjo është personale dhe përditësohet nga mbështetësit”

Në fakt, ky kanal, ndër të tjerë, është përshkruar nga BBC në 2025 si “kanale jozyrtare të lidhura me IRGC” “duket se drejtohen nga mbështetës dhe administratorë të lidhur me IRGC, të cilët ndajnë lajme dhe propagandë rreth Gardës”

Në fakt, në Gusht 2025, agjensia iraniane e lajmeve Mehr raportoi se Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun i (IRGC) njoftoi se kishte hapur llogari zyrtare në mediat sociale për herë të parë.

Deklarata renditi llogaritë zyrtare në Telegram (@sepahnewsir403) dhe X, si dhe në platformat vendase iraniane. Ç’është më domethënëse për rastin tonë, ajo konfirmoi se asnjë nga kanalet e tjera të mediave sociale me titullin ‘Sepah’ ose tituj të ngjashëm nuk janë media zyrtare të IRGC dhe nuk mund të citohen për të pasqyruar qëndrimet e Gardës.

Kanali zyrtar i IRGC në Telegram, @sepahnewsir403

Sipas BBC, “disa media ndërkombëtare dhe vendase i kanë cituar gabimisht këto [kanale Telegrami jo-zyrtare me emra që përmbajnë ‘Sepah’] si “zyrtare” në disa raste në të kaluarën. Shumë besonin se Korpusi kishte mbajtur qëllimisht një re paqartësie rreth komunikimeve dhe propagandës së tij”

Pra, kanali i Telegramit që citohet si “shërbimi për shtyp” i IRGC nga artikuli azer në fakt është një kanal jo-zyrtar.

Alarm i përsëritur

Alarmi i kërcënimit të raketave iraniane zgjohet herë pas herë në median shqiptare, jo gjithmonë mbi baza të qenësishme.

Në verën e vitit 2022, Faktoje përgënjeshtroi një pretendim të ngjashëm për sulme me raketa dhe dronë nga Irani drejt kampit të MEK në Manëz.

Më herët, në 2020, vetë Ali Khamenei, lideri suprem i Iranit, i është referuar Shqipërisë, si “një vend shumë i vogël, por shumë djallëzor europian, ku elementë amerikanë bashkëpunojnë me tradhtarë iranianë dhe planifikojnë kundër Republikës Islamike”

Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO)

Shpërthimi i konflikteve në botë pasohet menjëherë nga alarme për raketa e luftë në Shqipëri nëpër mediat shqiptare.

Megjithatë, siç Faktoje ka theksuar dhe më parë, një skenar i tillë nuk ka shumë gjasa të ndodhë në Shqipëri, kryesisht sepse kjo e fundit është anëtare e NATO.

Vendet anëtare të NATO tregohen në këtë hartë me ngjyrë blu të thellë

Neni 5 i Traktatit Atlantiko-Verior parashikon:

Palët bien dakord se një sulm i armatosur kundër një apo më shumë prej tyre në Evropë apo në Amerikën e Veriut do të quhet si sulm kundër të gjitha atyre dhe si pasojë bien dakord që, nëse ndodh një sulm i tillë, secila nga ato, në ushtrim të së drejtës së vetëmbrojtjes kolektive apo individuale të njohur nga Neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë Palën apo Palët e sulmuara në këtë mënyrë duke ndërmarrë menjëherë, individualisht dhe në bashkërendim me palët e tjera, ato veprime që i vlerëson si të nevojshme, përfshirë këtu përdorimin e forcave të armatosura, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë në zonën e Atlantikut të Veriut.

Çfarëdo sulmi i tillë i armatosur dhe të gjitha masat e marra si rrjedhojë e tij do t’i njoftohen menjëherë Këshillit të Sigurimit. Masa të tilla do të përfundojnë kur Këshilli i Sigurimit të ketë marrë masat e nevojshme për të rivendosur dhe ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”

Parimi i vetëmbrojtjes kolektive, si parandalim i zgjerimit të Bashkimit Sovjetik në Europën Lindore, ishte nga qëllimet kryesore për krijimin e NATO-s në 1949. Neni 5 i Traktatit u citua për herë të parë pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në ShBA. Pasi Këshilli i Atlantikut të Veriut u informua se sulmi ishte i drejtuar nga jashtë, pati konsultime mes aleatëve dhe Këshilli vendosi për veprim kolektiv.

Bazuar në këtë nen, një sulm iranian me raketa kundër kampit MEK në truallin e shtetit shqiptar do të quhej një sulm kundër 30 shteteve anëtare të NATO-s dhe do të ftonte një kundërpërgjigje nga organizata më e mirë-armatosur në histori.

A mund të godasë Irani Shqipërinë?

Ledion Krisafi, studiues i çështjeve ndërkombëtare, tha për Faktoje se, megjithëse Shqipëria është në rrezen e raketave më të përparuara iraniane, do të ishte thuajse e pamundur që një raketë iraniane të arrinte në vend.

“Sistemet e mbrojtjes ajrore të ShBA, Izraelit dhe vendeve të tjera do ta kapnin një raketë të tillë që në Lindjen e Mesme. Gjithashtu, sistemi i mbrojtjes që ka Greqia është shumë i mirë dhe nëse [raketa] do të arrinte të kalonte Lindjen e Mesme sistemi mbrojtës grek do e kishte kapur,” sqaroi ai. “Mendoj që raketa është diçka e padiskutueshme. është e pamundur që të vijë një raketë iraniane në Shqipëri”

Eksperti i sigurisë Faik Basha bie dakord. “Greqia ka filluar të aktivizojë sistemin e mbrojtjes kundër-ajrore. Italia po ashtu e ka të aktivizuar. Turqia e ka të aktivizuar,” tha Basha për Faktoje.

Ai shton se, duke qenë se pjesa perëndimore e Iranit është nën sulmin e forcave izraelite dhe amerikane, që kanë prishur një pjesë të sistemit iranian të lëshimit të raketave, mendohet se një pjesë e raketave iraniane lëshohen nga Irani lindor. Kjo e rrit distancën që raketat duhet të përshkojnë për të arritur Manzën.

Basha mendon gjithashtu se, si pasojë e valës së sulmeve drejt bazave amerikane në Lindjen e Mesme, Irani është hapur përtej kapaciteteve të tij për të mbajtur gjallë sulme në disa drejtime të ndryshme.

Një tjetër opsion sulmi iranian janë dronët, të cilët sipas Krisafit mund të nisen nga Libani, si distanca më e afërt e mundshme. “Por edhe për dronët, distanca është shumë e largët për të arritur një dron nga Libani në Shqipëri”

E vetmja mënyrë e qenësishme që Krisafi sheh për një sulm hipotetik iranian në Shqipëri do të ishte “një element i [Iranit] brenda Shqipërisë, i cili mund të modifikonte ndonjë dron të vogël për të bërë një goditje të tillë“

A do ta godiste Irani Shqipërinë?

Pasi pyetëm se si do mund ta godiste Irani Shqipërinë, vlen të pyetet pse do ta godiste Irani Shqipërinë. Kampi muxhahedin i vendosur në Shqipëri që nga viti 2018 del në pah si përgjigjia vetë-evidente.

Megjithatë, Krisafi shpjegon se muxhahedinët e Shqipërisë nuk janë një opozitë e mirëfilltë, por një opozitë e mbajtur në këmbë me zor nga ShBA. Ata nuk kanë mbështetje popullore në Iran, dhe nuk duket se ka gjasa që kjo ‘opozitë’ të shihet si kandidate e mundshme për marrjen e pushtetit në Iran.

Megjithëse strehimi i muxhahedinëve në Shqipëri mund ta bëjë atë teorikisht një shënjestër, Krisafi mendon se i biri i Shahut të fundit të Iranit, i cili ndodhet në ShBA, mund të ishte një objektiv shumë më i rëndësishëm eleminimi se muxhahedinët.

Përfundim

Pasditen dhe mbrëmjen e 2 marsit 2026, bazuar në një deklaratë që nuk ekziston më, të lëshuar nga një kanal jo-zyrtar, mediat shqiptare nisën një fushatë alarmi që shtoi ankthin dhe pasigurinë në kohëra të pasigurta.

Shënim: Artikulli i mësipërm u ndryshua më datë 5 Mars 2026 për të shtuar përgjigjen e zotit Isayev.

The post Alarmi i rremë, Shqipëria në titujt e mediave si shënjestër e Iranit appeared first on Faktoje.al.

I gjeneruar ky imazh i liderit iranian të vrarë nga bombardimet

Pretendimi: Ky imazh tregon trupin e liderit të vrarë iranian Ali Khamenei

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————

Pas vrasjes së udhëheqësit iranian Ali Khamenei në një sulm izraelito-amerikan ndaj Teheranit më 28 shkurt, në rrjetet sociale dhe media, përfshi ato shqipfolëse, nisi të qarkullonte një imazh që pretendohet se tregon kufomën e Khamenei nën rrënoja.

Kompozimi i imazhit tregon një skenë të çuditshme. Asnjë nga punonjësit e shpëtimit nuk duket se ka interes për trupin, por përkundrazi po shikon me vëmendje pllakën e betonit mbi të. Burri në të djathtë duket se po i shton peshën e plotë trupit të tij pllakës të betonit që shtyp mbi viktimën për të hequr një copë relativisht të vogël mbeturinash.

Punonjësit e shpëtimit në imazhin e mësipërm gjithashtu ndryshojnë nga ata që shihen në fotot e bëra nga agjencitë iraniane të lajmeve dhe të shpërndara nga AFP.

Në këtë fotografi të marrë nga agjencia iraniane e lajmeve ISNA, ekipet e shpëtimit kërkojnë në rrënojat e një ndërtese të shembur në vendin e një sulmi në një lagje, në Teheran më 28 shkurt 2026. AMIR KHOLOUSI / ISNA / AFP

Lexuesi skeptik kujton se këto kontradikta logjike janë tregues i zakonshëm i pamjeve të gjeneruara me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Në fakt, një kërkim pamor me Google Lens tregon se imazhi është etiketuar si “I bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

Asnjë foto zyrtare e trupit të Khameneit nuk është publikuar ende. Media izraelite Channel 12 ka raportuar se kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Donald Trump iu tregua një foto e trupit të Khamenei, pasi ai u gjet dhe mor nga autoritetet iraniane nga kompleksi i tij në Teheran.

The post I gjeneruar ky imazh i liderit iranian të vrarë nga bombardimet appeared first on Faktoje.al.

“Duan të më bllokojnë”, grantet e IPARD përfundojnë në gjykatë, beteja për kthimin e fondeve

Nga Anila Hoxha

Juristi i Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural këmbënguli para gjyqtares Gentiana Xhelili në Tiranë se shtetasi T. A. (inicialet e ndryshuara) administrator i një shoqërie në Lundër  (FAKTOJE disponon të dhënat e plota, por nuk i bën publike sa kohë çështja është në proçes gjyqësor) përfitoi fonde nga Bashkimi Europian, konkretisht nga programet e IPARD, në shkelje të ligjit. 

Një nga argumentet që sjell përfaqësuesi juridik është “se përfituesi i IPARD nuk respektoi rregullat” 

Gjykata Administrative u vu në lëvizje nga AZHBR, më 22 shtator 2025, me një ankesë nga e cila kërkohet që shoqëria në fjalë duhet të kthejë shumën, që përfitoi nga IPARD. 

AZHBR mbrohet me faktin se “është institucioni përgjegjës për administrimin e fondeve të programeve për bujqësinë, ofron shërbime të drejtpërdrejta për fermerët vendas, dhe është gjithashtu përgjegjës për fondet e bujqësisë të Bashkimit Europian” 

Gjyqi ndodh në kohën kur fondet janë “ngrirë” pas hetimeve të OLAF-it. 

Qeveria

Hetimet vijojnë ende në Shqipëri, dhe qeveria përmes ministrit të Financave, Petrit Malaj, njoftoi pak kohë më parë se, “fondet e IPARD 3 do të hapen gjatë 2026”.

IPARD ka qenë i suksesshëm si në fazën e parë, ashtu edhe në të dytën. Për shkak të disa parregullsive të konstatuara në fazën e dytë, Komisioni Evropian nëpërmjet DG Agri kërkoi një sërë masash që duhej të përmbusheshin nga qeveria shqiptare. Këto masa janë në proces dhe jam shumë optimist se do të përmbyllen me sukses. Më shumë detaje për këtë çështje do t’i japë ministri i linjës, por mund të them se IPARD III do të hapet gjatë vitit 2026 dhe në varësi të diskutimeve dhe masave që ka bërë qeveria shqiptare, ky program besoj do jetë një kontribut shumë i madh për bujqësinë shqiptare“.

Gjyqet 

Megjithatë, në dyert e drejtësisë, po hapen një e nga një dosjet mbi pretendimet se nuk janë respektuar kushtet e granteve të IPARD-it. 

Për të zgjidhur konfliktet, me palë nga njëra anë AZHBR që kryen auditimet dhe nga ana tjetër fituesin e granteve, janë angazhuar dy gjykata administrative, e para në Tiranë dhe e dyta në Lushnjë. 

Tirana 

Në kryeqytet, në një nga paditë e hapura prej 17 shkurtit 2024, gjykata  ngarkoi një ekspert të pavarur për të hetuar se çfarë investimesh kishin ndodhur realisht në një nga fshatrat e Roskovecit mbas mbështetjes me grante. 

Eksperti pohoi në gjykatë se, “nga verifikimi konstatoi se fermeri me emrin e subjektit me inicialet  “E. F.”  sh.p.k (Faktoje ka identitetin e plotë, por ruan anonaminitetin sa kohë çështja është në proçes) ishte mbështetur për ndërtimin e dy serave” Por në  terren, ai zbuloi se ishte ndërtuar vetëm një serë. “Tjetra nuk ekzistonte”

Ky proces vazhdon ende mes Agjencisë, që thotë “se duhet t’i kthehet granti bashkë me penalitetet e borxhit dhe fermerit i cili kundërshton se i ndërpreu investimet mbasi nuk iu dha e gjithë shuma që iu premtua se do mbështetej”

Ecuria  

E ndërsa procesi gjyqësor për dy serat ka hyrë në fazën e prapësimeve për kthimin e shumës prej 8.7 milion lekësh, në Tiranë për subjektin e paditur në Lundër, AZHBR këmbëngul se mbështetja e dhënë prej 24 milionë lekësh duhet kthyer. 

Pretendimet mbështeten në kontrollet e AZHBR, e cila, kur u pyet nga FAKTOJE, konfirmon se në varësi të gjetjeve ajo ka kërkuar në gjykatë ose kthim shume të pjesshme ose të plotë:

Bazuar në Marrëveshjen Sektoriale ‘Që përcakton dispozitat e menaxhimit dhe zbatimit të asistencës financiare të BE-së për Republikën e Shqipërisë në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Para-Anëtarësimit, në fushën ‘Bujqësia dhe Zhvillimi Rural’ (IPARD II)” si dhe në Udhëzuesin për Aplikantët e Programit IPARD II, subjektet aplikojnë për mbështetje financiare pranë Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, pasi plotësojnë dokumentacionin administrativ dhe ligjor, shpallen fitues dhe nënshkruajnë kontratën e grantit. Në vijim, subjektet monitorohen lidhur me realizimin në terren të objektit të investimit, përfundimin e tij brenda afatit të përcaktuar në kontratë, dorëzimin e kërkesës për pagesë së bashku me dokumentacionin provues, si dhe nëpërmjet monitorimit ex-post pas përfundimit të investimit”. 

Argumentimet juridike të AZHBR po dëgjohen në seanca nga të gjithë gjyqtarët administrativë në Tiranë, aty ku ka përfunduar pjesa dërrmuese e kërkesë padive rreth fondeve të Bashkimit Europian në ndihmë të  fermerëve vendas. 

Problematika 

…Në rastin e një subjekti të paditur (nga AZHBR) që operon në fushën e agro-turizmit, gjykata e ka të paqartë se përse dokumentat e dorëzuara nga aplikanti për “diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit“ nuk u kontrolluan, pavarësisht se në rregullat e skemës së IPARD  dhe mbështetjes së bashkëfinancuar detyrat janë të qarta,  duke përfshirë jo vetëm procedurat e aplikimit, përzgjedhjen, pranueshmërinë, kontraktimin, por edhe zbatimin e kontratës. Ndaj dhe, çështja ka hyrë në sagën e ballafaqimit të dokumenteve dhe larg shpalljes së një vendimi.

KLSH

Në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit ku gjatë 2023 është kryer auditim financiar ndaj Ministrisë së Bujqësisë përmendet se. “për sistemin e aplikimit online për skemat IPARD’, procedurat janë kryer nga AKSHI, është lidhur kontrata dhe ka filluar nga zbatimi si dhe eshtë disbursuar fondi sipas kontratës” 

Nga kontrolli i audituesve (publikuar në të njëjtën periudhë kur Shqipërisë iu pezulluan fondet e IPARD, ai per vitin 2025 nuk është zbardhur ende) vërehet se  “janë vlerësuar dhe disbursuar fonde për 166 kontrata” 

KLSH rendit se “gjatë vitit 2022, janë paguar 111 investime të plota/të përfunduara dhe janë kryer 84 pagesa paraprake, me një total disbursimi prej 19.1 mln euro, prej të cilave 14.4 mln euro nga BE dhe 4.7 mln euro nga buxheti i shtetit. Në këta përfitues rreth 17 % kanë qenë gra (33 kontrata)

Paratë ku janë?

Padia me objekt “kthim shume“ nuk është e vetmja, por renditet midis dhjetëra padive të tjera të hapura nga AZHBR në Gjykatën Administrative në Tiranë në përpjekje për të vënë pikat mbi “i“ në rastin  më të mirë, dhe atë më të keq për të mbuluar dyshimet se deri në çfarë pike u abuzua me grantet e bllokuara qysh prej korrikut 2023.

“Faktoje” u interesua pranë Gjykatës Administrative të Tiranës për betejat gjyqësore të hapura dhe zyrtarisht konfirmohet se “janë 61 çështje ku Agjencia ka paditur subjektet, që kanë përfituar nga IPARD”. 

Ndërkohë, për të ruajtur anonimitetin nuk u vendosën në dispozicion të gjithë emrat e plotë të subjekteve, të paditura gjyqësisht dhe as vendimet e shpallura, që pritet të apelohen në shkallën e dytë. 

Mes një liste të gjatë emrash të pyetur punonjës të AZHBR dhe përfitues të skemës mbështetëse, më i fundit (datë 26 shkurt 2026) që u pyet ishte administratori i një shoqërie që ofron shërbime konsulence në agrobiznes si dhe realizon projekte për zhvillimin rural dhe bujqësor. 

AZHBR 

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural konfirmon për FAKTOJE se ka inicuar proçese për kthimin e fondeve në masë të plotë ose të pjesshme  kundër 76 subjekteve (ku përfshihen të dyja gjykatat administrative të shkallës së parë Tiranë dhe Lushnjë). 

Argumentimi 

Avokati Isuf Shehu këmbëngul se institucionet po përmbushin detyrimet e tyre ligjore për t’i shkuar deri në fund një qëndrimi të Bashkimit Europian që kërkon hetime në destinimin e këtyre fondeve. 

Ky aksion në Gjykatën Administrative tregon se shteti shqiptar ka bërë një hetim administrativ prej nga ky konkludohet para gjykatës me padi. Por ky proces nuk ka lidhje fare me hetimin penal”  u shpreh për “Faktoje” avokati Shehu që ka dhënë konsulencën e tij ndaj 5 subjekteve private, që po mbrohen në gjykatë me argumentin se, “i janë përmbajtur ‘check listës’  për përfitimin e mbështetjes financiare në zhvillimin bujqësor”. 

Avokati ia adreson fajin institucioneve shtetërore të cilat nuk patën, sipas tij,  struktura të posaçme për monitorim të vazhdueshëm për të parandaluar tjetërsimin e investimit dhe mos zbatimin e kontratës

Po hetimet penale?

Për çështjen në fjalë, që ka hyrë në vitin e tretë të hetimit, SPAK pranon për “FAKTOJE” se ka persona nën hetim, por nuk ka zbuluar asgjë rreth të dhënave të të dyshuarve.  

“Në përgjigje të kërkesës tuaj për informacion, ju bëjmë me dije se Prokuroria e Posaçme po kryen hetime në lidhje me shpërndarjen e fondeve të programit IPARD nga AZHBR. Procedimi penal në fjalë është ende në fazën e hetimeve paraprake. Bazuar në nenin 279/1 të Kodit të Procedurës Penale, aktet hetimore dhe përmbajtja e  tyre përbëjnë sekret hetimor. Për këtë arsye nuk mundet t’ju japim informacione të mëtejshme nëse ka persona nën hetim apo cilët janë personat nën hetim”, tha zyra e shtypit pranë SPAK. 

Një burim i sigurt pranë SPAK tha më tej për “FAKTOJE” se janë sekuestruar një sërë kontratash dhe janë vlerësuar dokumente e dëshmi me interes për procedimin. 

Kallëzimi penal ku pretendohet korrupsion rreth shpërndarjes së fondeve të bujqësisë ka në qendër ish- ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, dhe zyrtarë të AZHBR. 

Pano Soko si përfaqësues i Nismës “Thurje” që kreu denoncimin gjatë vitit 2023  u shpreh për FAKTOJE se kanë denoncuar një skemë që bën përgjegjëse gjashtë hallka institucionale.

“Ne kemi dorëzuar raportin final të OLAF, shpresojmë të ketë zhvillime dhe besoj që kjo duhet të kishte qenë cështja më e shkurtër. Në varësi të këtij hetimi varet çfarë qëndrimi do mbahet për IPARD 3,  ndërkohë që nuk kemi shumë kohë, sepse një vit afat  ka mbetur dhe pastaj fondet digjen. Besoj që prokuroria do ta shikojë me këtë sy rëndësinë e hetimit penal. Kjo  nuk është si çdo çështje tjetër. Ka pasoja nëse nuk tregojmë reagim, Shqipëria rrezikon të humbasë gjithë pjesën tjetër të fondeve” u shpreh eksperti Soko

Nga ana tjetër, gjatë monitorimit nga FAKTOJE të proceseve gjyqësore, (shumë prej tyre në fazë përgatitore), është zbuluar se subjektet nuk kanë respektuar kontratat për të investuar në disa fusha, që nga kapanonet për mbledhjen e frutave, ndërtimin e serave, konservim peshku, bujtina e agroturizëm.

Avokatura e Shtetit që është palë në proceset administrative (si përfaqësuese e interesave të shtetit) pranon për “FAKTOJE”  se po ndjek 57 çështje që janë për kthim shume. “Por nuk mund të saktësojmë mbi çështjet e IPARD” u shpreh një burim zyrtar i këtij institucioni. 

Humbës apo fitues?

D. L. (inicialet e ndryshuara me kërkesën e tij) është një nga subjektet që u padit gjatë shkurtit 2025 në Gjykatën Administrative si një nga përfituesit e granteve në sektorin e turizmit rural dhe të natyrës  me synim “investim në ndërtim dhe mobilim bujtine agroturistike”.  

Kontrata përmendte se 75 përqind ishin kontribut i BE-së dhe 25 përqind  kontribut kombëtar. 

Pas grantit, përfituesi paraqiti në dhjetor 2022 kërkesën për parapagesë. Mbas transferimit të shumës së parë, përfituesi kërkoi shtyrje afati për mbylljen e investimit, për pasojë edhe kërkesën për pagesë e depozitoi tej afatit të përcaktuar në kontratën e grantit. 

D. L.  u refuzua  në 10 nëntor 2023.  Një shkresë e dytë e njoftoi se ai duhet të kthente edhe këstin e mëparshëm, gjë për të cilën nuk kthehu përgjigje. 

Ky qe momenti kur AZHBR nisi procedurat ligjore. 

Aplikanti humbi në gjykatë dhe shkalla e parë e detyron me vendim që të kthejë shumën e grantit. 

Por beteja ligjore nuk ka marrë fund.

Me kushtin që të mos publikohet emri i tij, D.L.  thotë se aplikoi si kushdo tjetër për fondet e IPARD dhe se për procedurat disponon një kontratë. “Më dhanë një këst prej 5 milionë lekësh dhe kurrë nuk erdhën për të bërë kontrolle. Normalisht duhet të lëvronin edhe këstet e tjera por i ndërprenë për shkak të neglizhencës së tyre. Kërkojnë kthim shume sepse synojnë të më bllokojnë” u shpreh ai, i cili ka investuar në një nga zonat më të vizituara turistike të Juglindjes. 

D.L. insiston se fitoi një grant prej 27 milionë lekësh, i cili nuk iu kalua i plotë dhe se pas humbjes në Gjykatën Administrative të Tiranës do t’i drejtohet Gjykatës së  Apelit.  

Në fakt, vetëm pas hetimit administrativ të OLAF për vitet 2021 -2023  përcjellë Shqipërisë përmes DG-Agrit, institucionet nisën veprimet korrigjuese. 

Ish- ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, është shprehur më herët se, “është miratuar struktura e re organizative për AZHBR që forcon mekanizmat kontrollues, parandalues dhe zbulues për çdo parregullsi”.

A do të kthehen paratë?

Megjithatë Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dikur drejtuar nga Frida Krifca që më pas drejtoi ministrinë e linjës,  insiston se si palë D. L. duhet të kthejë shumën prej 5,020,877.27, që i përfitoi në bazë të kontratës së grantit në datën 9 nëntor 2022. 

Përfituesi detyrohet të paguajë edhe penalitetet deri në datën e kthimit të shumës  që janë llogaritur nga sektori i borxhit pranë AZHBR me një vlerë prej 4 milionë lekë shtesë. Një faturë e tillë duhet ende kohë të bëhet e zbatueshme. 

Avokati Ilir Qafa i përgjigjet me pyetje, pyetjes se si do të ekzekutohen në finale këto vendime dhe nëse do të kemi apo jo sekuestrime të investimeve, apo zhytje në borxhe të përfituesve. 

“Vendimet gjyqësore rrezikojnë të mbeten thjesht vendime, jo të ekzekutueshme. Sepse nga njëra anë shohim të jepen vendime gjyqësore dhe nga ana tjetër ka vend për të menduar se procesi ka për të qenë formal me një sërë veprimesh përmbarimore, që mund të mos garantojnë realizimin real për të rikuperuar fondet e shpërndara sipas programit të IPARD”, u shpreh për “FAKTOJE” avokati Qafa

Ky shkrim publikohet në kuadër të konkursit vjetor “Fatos Baxhaku”, pjesë e nismës Truth Beyond Numbers, e zbatuar nga Faktoje përmes mbështetjes së programit MATRA të Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Pikëpamjet e shprehura në shkrime i përkasin autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta.

The post “Duan të më bllokojnë”, grantet e IPARD përfundojnë në gjykatë, beteja për kthimin e fondeve appeared first on Faktoje.al.

Raketat iraniane ende larg Shqipërisë për të nisur alarme

Pretendimi: Irani nis sulmet drejt Europës, shumë afër Maqedonisë dhe Shqipërisë

Verdikti: Mungon konteksti, Clickbait

—————————————————

Ndërsa Irani dhe Izraeli shkëmbejnë sulme raketore pas vrasjes së udhëheqësit iranian Ali Khamenei në një sulm izraelito-amerikan ndaj Teheranit më 28 shkurt, në rrjetet sociale shqipfolëse nisën tashmë të qarkullojnë tituj alarmantë si “Irani nis sulme drejt Evropës. Shumë afër Maqedonisë dhe Shqipërisë”.

Postimi i mësipërm, që ka marrë qindra pëlqime, i fton përdoruesit e alarmuar të zbulojnë detajet e fundit në një artikull të lidhur në komente.

Megjithatë, në brendinë e artikullit, zbulohet se Irani ka lëshuar dy raketa drejt Qipros, ku ka dy baza ushtarake Mbretëria e Bashkuar. 

John Healey, Sekretar i Shtetit për Mbrojtjen e Mbretërisë së Bashkuar, tha për BBC se dy raketa balistike u qëlluan veçmas drejt Qipros. 

“Tani jemi mjaft të sigurt se ato nuk ishin shënjestruar për Qipron, por megjithatë kjo tregon se si bazat tona, personeli ynë, ushtria dhe civilët për momentin janë në rrezik”, tha ai, pa dhënë detaje të mëtejshme rreth raketave dhe ndonjë interceptimi të tyre.

Një zëdhënës i qeverisë qipriote tha më vonë se kryeministri britanik Keir Starmer kishte “konfirmuar qartë se Qiproja nuk ishte një shënjestër”l gjatë një telefonate me presidentin e vendit Nikos Christodoulides.

Nuk raportohen të lënduar apo dëme materiale në Qipro si pasojë e këtyre sulmeve.

Ndërkaq, Qipro është rreth 1340 km larg Shqipërisë, në vijë ajrore. Për krahasim, Qipro është 1900 km larg Tehranit, nga supozohet se u lëshuan raketat.

Megjithatë, titulli i vendosur me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve e bën lexuesin të mendojë se Shqipëria ndodhet në rrezik si pasojë e një konflikti që po ndodh mijëra kilometra larg, duke shkaktuar alarm dhe panik të panevojshëm tek publiku shqiptar.

The post Raketat iraniane ende larg Shqipërisë për të nisur alarme appeared first on Faktoje.al.

Asnjë bazë për origjinën hebreje të rrëmbyesit të fëmijës në Itali

Pretendimi: Rumuni që tentoi të rrëmbente një fëmijë në Bergamo, Itali ishte në të vërtetë me origjinë izraelite

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————

Pasi një burrë tentoi të rrëmbente një vajzë 1-vjeçare nga krahët e së ëmës më 14 shkurt 2026 në Itali, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se rrëmbyesi në tentativë ishte me origjinë izraelite. Ky pretendim është ndarë në rrjet duke nxitur më tej narrativat antisemite. 

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk ofrohet asnjë provë, burim apo referencë.

Pretendimi duket se e ka origjinën në një postim të 15 shkurtit në X/Twitter nga një llogari e quajtur “Parody Jeff,” e cila gjithashtu nuk citon ndonjë burim apo provë. 

Kjo me gjasa sepse, sipas vetëpërshkrimit të llogarisë, “të gjitha përmbajtjet janë vetëm opinione, komente të trilluara dhe satirë.”

Mediat italiane dhe ndërkombëtare kanë raportuar se burri që tentoi të rrëmbejë fëmijën në Bergamo ishte një rumun i pastrehë. 

Më 18 shkurt, Bergamo News raportoi se burri ishte një 46-vjeçar rumun. Sipas gazetës, “hetuesit po përpiqen të zbulojnë të kaluarën e burrit, i cili me sa duket mbërriti në Itali vetëm disa javë më parë. Të mërkurën dhe të enjten e kaluar, ai u ndalua nga Policia e Shtetit jashtë Klinikës Gavazzeni: ai kërkoi strehim për natën dhe të kthehej në Rumani me ambulancë. Ai kishte një pasaportë të vlefshme dhe disa euro në xhep. Ai nuk ishte i dhunshëm dhe kontrollet zbuluan se nuk kishte të dhëna penale.” Gazeta kontaktoi me të afërmit e burrit në Rumani, të cilët konfirmuan se ai kishte ikur nga shtëpia dhe familja e tij nuk kishin marrë informacion të mëtejshëm.

Më 19 shkurt, burri rumun u identifikua nga Corriere della Sera si Emil Mortu, dhe rikonfirmoi se ai ishte rumun, kishte një vëlla në atdheun e tij, kishte ardhur së fundmi në Bergamo, dhe nuk kishte precedent penal në Itali. 
Gjatë seancave përgatitore, Mortu i tha gjykatësit se ai nuk e kishte parë kurrë vajzën e vogël ose prindërit e saj më parë dhe se nuk e dinte as “a ishte një vajzë e vogël apo një kukull pellushi.” Avokatja mbrojtëse ka kërkuar një vlerësim psikologjik për Mortu përpara gjyqit.

The post Asnjë bazë për origjinën hebreje të rrëmbyesit të fëmijës në Itali appeared first on Faktoje.al.

Nafta drejt 200 lekëve, ekonomia shqiptare përballë një prove të re

Esmeralda Topi

Çmimi i naftës pritet t’i afrohet sërish pragut të 200 lekëve për litër. Një çmim që shqiptarët e përjetuan në vitin 2022, kur shpërtheu lufta në Ukrainë dhe tregjet globale të energjisë u përfshinë nga paniku.

Shkaku këtë herë vjen nga Lindja e Mesme. Përplasjet mes boshtit SHBA-Izrael dhe Iranit kanë shtyrë çmimin e naftës mbi 80 dollarë për fuçi, duke rikthyer frikën e një përshkallëzimi më të gjerë. Rreth një e pesta e naftës botërore dhe rreth 20% e gazit natyror që qarkullon në tregjet botërore kalon përmes Ngushticës së Hormuzit. Çdo kërcënim për bllokimin e saj mjafton për të ndezur tregjet. Nëse tensionet përshkallëzohen dhe Hormuzi bllokohet, çmimi i naftës mund të kapërcejë 100 dollarë për fuçi. Dhe kur kjo ndodh, vendet importuese si Shqipëria nuk kanë asnjë mburojë.

Një vëzhgim i Faktoje.al në disa pika tregtimi karburanti në Tiranë tregoi se nafta po shitet mes 175 dhe 187 lekë për litër. Por kjo është vetëm fotografia e sotme.

Sipas Shoqatës së Hidrokarbureve, brenda javës pritet një rritje me 10-15 lekë për litër, që do ta çonte çmimin pranë 200 lekëve.Kryetari i shoqatës, Luigj Aliaj, thotë se rritja pritet të jetë e përkohshme, 20-30 ditë, nëse situata stabilizohet. 

“Tek ne do të fillojë brenda javës me 10-15 lek rritje, por do të jetë e përkohshme, 20-30 ditë e më pas mendoj që do të rikthehemi tek çmimet e para konfliktit,” thotë për Faktoje.al kryetari i Shoqatës, Luigj Aliaj.

Shqipëria importuese neto 

“I gjithë ky tension në Lindjen e Mesme rrit rrezikun e ndërprerjes së furnizimit dhe, si pasojë, çmimi global i naftës rritet, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe tek tregjet shqiptare,” shpjegon ekonomistja Teuta Nunaj-Kortoçi.

“Shqipëria është importuese neto e naftës, ndaj çdo rritje në tregjet ndërkombëtare reflektohet menjëherë tek çmimi i produktit që shitet në tregun vendas,” shton ajo.

“Kompanitë tregtuese zakonisht nuk e absorbojnë rritjen, por e transferojnë atë tek konsumatori përfundimtar, duke e bërë shtrenjtimin të pashmangshëm,” përfundon Nunaj-Kortoçi.

Në të njëjtën linjë, edhe Qendra ALTAX, në një analizë të fundit, paralajmëron rritje të çmimeve të naftës. 

“Shqipëria, si importuese neto e naftës kryesisht nga tregjet evropiane dhe indirekt nga Lindja e Mesme, do të përballet me një shtim të menjëhershëm të çmimeve të karburanteve, potencialisht +10-15% në muajt e ardhshëm, ” paralajmërojnë ekspertët e qendrës ALTAX

Inflacioni në rritje

Rritja e çmimit të naftës nuk ndalet tek pompat e karburantit. Ajo përkthehet menjëherë në kosto më të larta transporti, prodhimi dhe shërbimesh, duke ushqyer një valë të re inflacioni në ekonomi. 

Sipas analizës së Qendra ALTAX, çdo rritje me 5% e çmimit të naftës shton rreth 0.1 pikë përqindje në inflacion. Nëse nafta ngjitet në 100 dollarë për fuçi, inflacioni në Shqipëri mund të rritet me 1 deri në 1.5 pikë përqindje deri në mesin e vitit 2026. Me normën aktuale në 2.3%, kjo do ta çonte inflacionin pranë 4%, duke fshirë gradualisht fuqinë blerëse të familjeve.

Në një ekonomi si Shqipëria, e varur nga importet dhe me strukturë të brishtë prodhimi, çdo tronditje e jashtme përkthehet shpejt në faturë për konsumatorin.

Përballë këtij realiteti, hapësirat e reagimit janë të kufizuara. Ekspertët sugjerojnë ndërtimin e rezervave strategjike të naftës, politika fiskale të kujdesshme dhe përshpejtimin e investimeve në energji të rinovueshme. Por në afat të shkurtër, ekonomia shqiptare mbetet e ekspozuar. Dhe kur çmimi i naftës rritet, zinxhiri i shtrenjtimit është i pashmangshëm.

The post Nafta drejt 200 lekëve, ekonomia shqiptare përballë një prove të re appeared first on Faktoje.al.

❌