Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

EMRAT/ Pjesë të grupit kriminal të trafikut të drogës, SPAK dërgon për gjykim dy të pandehur

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, më 8.1.2026, kërkesën për gjykimin e procedimit penal, nr.296 të vitit 2021, në ngarkim të të pandehurve, Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku.

Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale: “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Procedimi penal nisi mbështetur në kërkesën e autoriteteve gjyqësore italiane, konkretisht Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës së Firences, Drejtoria e Distriktit Antimafia.

Sipas kërkesës, kjo prokurori po hetonte për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë, aktivitet që drejtohej nga një grup kriminal, ku bënin pjesë edhe shtetas shqiptarë, të cilët vepronin në Shqipëri (Durrës, Tiranë), Amerikën Latine (Ekuador dhe Panama), Itali (provinca e Pizës, Piemontes dhe Trevizos).

Procedimi penal në Itali nisi pas një kontrolli të kryer nga Guardia di Finanza i Livornos, në periudhën 7-9 mars 2021, gjatë të cilës u identifikuan shtetas me origjinë shqiptarë, të kapur në flagrancë gjatë operacioneve për nxjerrjen e një ngarkese kokaine të ardhur nga Amerika Latine, në portin e afërt të Labronikos (Livorno).

Veprimet hetimore

Përmes veprimeve të fshehta me mjete teknike (pergjimeve telefonike dhe ambientale dhe gjurmimit gjeografik GPS), si dhe hetimeve tradicionale (vëzhgimeve, kontrolleve, ndjekjes, rregjistrimeve video, monitorimit të mjeteve të transportit dhe shkëmbimeve të informacioneve) – u bë e mundur identifikimi i veprimtarisë kriminale të grupit dhe personave të përfshirë.

Hetimet në Itali u kryen në kuadët të Skuadrës së Përbashkët Hetimore dhe verifikimeve, vëzhgimeve, përgjimeve të përsonave të përfshirë në këtë veprimtari, të cilit hynin dhe dilnin në territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga këto hetime u mblodhën prova që vërtetonin ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal, qëllimi i të cilit ishte importi dhe shpërndarja e kokainës në tregun italian.

Anëtarë të grupit janë shtetasit shqiptarë dhe italianë:

Albert Turja, Roland Turja, Alfred Veshti, Klodian Veshti, Maksim Ndoci, Luca Koci, Aurel Zhupa, Ionut Pislariu, Errico D’Ambrosio, Vincenzo Di Corso, Mario Spiritoso, Fabio Consale.

Ata kishin organizuar një strukturë kriminale duke marrë ngarkesa të konsiderueshme kokaine në portin e Livornos, të cilat vinin nga porti i Guayaquilit në Ekuador. Ndërsa sasia blihej në Kolumbi dhe ishte destinuar për anëtarë të grupeve të shumta kriminale, me anëtarë, kryesisht shqiptarë, rumunë dhe italianë.

Episodet e sekuestrimit të lëndës narkotik

19.7. 2021, në magazinën Interpair në Guasticce (LI), – rreth 28 kg kokainë neto (pesha bruto 33.8 kg);
24.8.2021, në portin e Livornos (LI), – mb 70 kg kokainë neto (pesha bruto mbi 84 kg);
22.11.2021,në kufirin tokësor të Gaggiolo (VA) – rreth 11.7 kg kokainë neto (pesha bruto mbi 12 kg). Këtu u krye edhe arrestimi i korrierit të drogës Alberto Brandi, (i cili u ndoq penalisht veçmas);
2.3.2022, mbi 140 kg kokainë (pesha bruto mbi 158.5kg) në magazinën Reefer në portin e Livornos (LI).
5.4.2022, në Frattamaggiore (NA) – mbi 400 kg kokainë (pesha bruto mbi 489kg).
16.4.2022, në Guidonia (Romë) – mbi 84.5 kg kokainë neto (me një peshë bruto prej 1,110.5 kg);
30.6.2022, në Ostia – mbi 4 kg kokainë neto, pjesë e një dërgese prej 32 kg.
9.3.2022, në Guabo, një qytet pranë portit të Guayaquilit në Ekuador – 150 kg kokainë neto (mbi 169 kg bruto).

Përgjegjësia penale e të pandehurve

Në kuadër të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar, autoritetet italiane kanë kërkuar ndjekjen penale në Shqipëri për shtetasit Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku, për të cilët çështja është dërguar për gjykim më datë 8.1.2026.

Për të pandehurin Maksim Ndoci, provohet përfshirja në rikuperimin e mbi 140 kg kokainë neto, të sekuestruar më 2.3.2022 në portin e Livornos, si dhe roli i tij i rëndësishëm në rekuperimin e një sasie prej rreth 120 kg kokainë bruto, të ardhur nga Ekuadori më 11.1.2022.

Për të pandehurin Juljan Kollçaku, provohet përfshirja në trafikimin e mbi 489 kg kokainë bruto, të ardhur në portin e Livornos më 14.3.2022, e sekuestruar më 5.4.2022 në Frattamaggiore (Napoli), si dhe në importimin e një sasie prej 32 kg kokainë, nga e cila u sekuestruan mbi 4 kg neto më 30.6.2022 në Ostia.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit/ Përfundon numërimi i votave në Kosovë

Ka përfunduar numërimi i të gjithë votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Tani, KQZ-ja është e gatshme që të shpallë rezultatin përfundimtar, por sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve brenda 48 orëve, në mënyrë që institucioni të procedoj me zyrtarizimin e rezultateve.

Grupi i fundit i fletëvotimeve që u numëruan ishin ato me postë, numërimi i të cilëve përfundoi në orën 02:00 të 9 janarit.

Pikërisht për votat me postë, në PZAP është dërguar një ankesë nga Partia Demokratike e Kosovës e cila ka kërkuar shufqizimin e mijëra votave të diasporës që kanë ardhur në Kosovë me postë.

LVV-ja e Albin Kurtit ka fituar 51.11 për qind të votave apo 57 vende në Kuvend, partia e dytë doli Partia Demokratike e Kosovës me 20.19 për qind të votave apo 22 deputet, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.23 për qind të votave, që i sigurojnë asaj 15 vende në organin ligjvënës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 5.50 për qind të votave dhe kjo parti do të ketë gjashtë deputetë.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, e afërt me Beogradin zyrtar – do të ketë nëntë nga dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb. Një deputet nga radhët e komunitetit serb do ta ketë Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit. Ndërkaq, të dhjetë vendet e tjera të garantuara për komunitetet pakicë joserbe janë shpërndarë në disa parti dhe koalicione.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit morën pjesë 45 % e votuesve. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit erdhën pas krizës së gjatë politike në vend të prodhuara nga zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit.

Gjatë kësaj kohe Kurti nuk arriti të formonte qeverinë. Sfida e rardhës për vendin është zgjedhja e presidentit. Për kreun e ri të shtetit, presidentja aktuale Osmani ka shfaqur ambicien edhe për një mandat./abcnews.al

Përmbytje nga Erzeni/ Durres, situatë e rëndë në Sukth dhe Katund të ri. 842 persona janë evakuuar

Pasojat e rënda të përmbytjeve ndihen ende në Durrës. Reshjet intensive të ditëve të fundit dhe prurjet e shtuara të lumit Erzen shtuan problematikat në Katund të Ri dhe Sukth.

Për përballimin e prurjeve, hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt po punojnë me kapacitet të plotë.

Mijëra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë, e qindra banesa po ashtu. Situata detyroi 842 banorë të evakuohen nga shtëpitë e tyre.

Shume prej tyre janë akomoduar në struktura të posaçme, por ka edhe nga ata që kanë vendosur të strehohen pranë familjarëve.

Evakuimet janë kryer në mënyrë të vazhdueshme gjatë ditëve të fundit, përfshirë edhe orët e para të mëngjesit.

Në mes të kësaj situate të vështirë, banorët shprehen se dëmet në banesat e tyre janë të mëdha, ndërsa thonë se rrezikun e ndjejnë çdo ditë.

Procesi i vlerësimit do të vijojë për të verifikuar banesat e përmbytura.

Për të përballuar nevojat emergjente, Drejtoria e Rezervave Shtetërore ka siguruar qindra pako ushqimore, të shpërndara për familjet e prekura.

Po ashtu, në Durrës janë angazhuar 448 specialistë ku përfshihen punonjës të bashkisë dhe ndërmarrjeve, ujësjellësit, Policisë Bashkiake, OSHEE-së, si edhe 37 efektivë të Forcave të Armatosura.

Çmimet u shtrenjtuan në dhjetor/ INSTAT: Inflacioni 2.3 përqind, ndikim kryesor shtrenjtimi i qirave

Qiratë kanë udhëhequr  inflacionin edhe për muajin dhjetor ndryshe nga sa ka qenë traditë përgjatë maujve të tjerë ku impaktin kryesor e kanë dhënë ushqimet.Sipas të dhënave të Instat përgjatë vitit 2025 niveli i inflacionit rezultoi 2.2% duke treguar tendencën për të arritur në objektivin  e Bankës së Shqipërisë .

Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2025 është 2,3 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 2,1 % .Rritja vjetore e çmimeve në muajin dhjetor u ndikua kryesisht nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, i cili kontribuoi me +0,96 pikë përqindje në inflacionin total. Ky grup u pasua nga “Ushqime dhe pije joalkoolike” me një ndikim prej +0,56 pikë përqindje, duke konfirmuar se kostot bazë të jetesës mbeten faktorët kryesorë që shtyjnë inflacionin në fund të vitit.

Nga të dhënat e instat rezulton se ndikim në rritjen e çmimeve dhanë edhe çmimet e “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,16 pikë përqindje, “Hotele, kafene dhe restorante”     të cilat lidhen me ndiimin e festave të fundvitit.Efekte  më të moderuara u regjistruan nga grupet “Argëtim dhe kulturë”, “Shërbimi arsimor”, “Komunikimi”, ndërsa rritje minimale u shënuan në “Veshje dhe këpucë”, “Shëndeti” dhe “Transporti”.Banka e Shqipërisë parashikon që niveli i inflacionit do të kthehet në objektivin prej 3% në pjesën e parë të këtij viti.

Ndërsa në mbledhjen e fundit këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 2.5% duke u vlerësuar një nivel i përshtatshëm për të mbajtur stabël nivelin e çmimeve në vend./abcnews.al

Kërcënoi shitësen me thikë dhe vodhi paratë në market/ Arrestohet 40-vjeçari në Tiranë

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 40-vjeçari që vodhi një shumë parash, në një market në Yzberisht, duke kanosur punonjësen, me thikë.

I arrestuari, me precendent penal për vjedhje me dhunë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të veprimeve intensive hetimore të kryera për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në kërcënimin e thikës, në një market në Yzberisht, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Intervent”.

Si rezultat i operacionit u identifikua, u kap në Rrugën e Qelqit dhe u vu në pranga autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi Elkjer Tafciu(Tafçiu) 40 vjeç, banues në Tiranë.

Punonjësja e marketit që u dëmtua në dorë, nga thika që mbante autori, në tentativë për ta ndaluar atë, mori mjekim dhe u largua nga spitali.

Menaxhimi i kaskadës së Drinit/ Balluku: Asnjë problem nga shkarkimet. KESH realizon shitje energjie për herë të parë këtë vit

Ulja e temperaturave dhe nisja e borës duket se ka stabilizuar prurjet në KAskadën e Drinit. Niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka arritur në rreth 289 .8 metra nga rreth 296 që është pika maksimale.
Por përtej permbytjeve reshjet e shiut kanë përmirësuar ndjeshëm situatën energjitike në vend dhe në liqenin e fierzës niveli i ujit është rritur me gati 9 metra vetëm në 3 ditët e fundit. Në hidrocentarlin e Komanit Niveli i ujit rezultoi 173.3 metra ndërsa në Vaun në Dejës niveli i ujit është 74.9 metra.

Pas stabilizimit të situatës dhe pakësimit të reshjeve intensive Shkarkimet nga hidrocentarli i Komanit dhe Vau i Dejës janë të kontrolluara dhe nuk tejkalojnë 700 metër kub në second duke mos përbërë rrezik për përmbytje në zonën e nënshkodrës.Z.kryeministrja Belinda Balluku tha se aktualisht ka prurje të menaxhueshme dhe reshjet gjatë së shtunës nuk parashikohen të jenë intensive.
Sipas të dhënave të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare prurrjet në Kaskadën e Drinit gjatë së premtes kanë rënë në 1500 metërkub në sekond në Fierzë një nivel ky i menaxhueshëm dhe që nuk përbën rrezik.

Përmirësimi i kuotave në Kaskadën e Drinit ku janë të vendosur tre hidrocentralet më të mëdhaja në vend është një element pozitiv për situatën energjitke në vendin tonë. Gjatë vitit të kaluar vendi u përball me thatësira të tejzgjatura duke ulur prodhimin e energjisë. Aktualisht prodhimi ditor i energjisë elektrike rezulton se ka arritur në 16 mijë e 300 megavator. Si rezultat KESH ka realizuar procedurën e parë për shitje energjie per kete vit.

Sipas njoftimit zyrtar për periudhën 10–11 janar 2026, KESH arriti të shesë gjithsej 18,944 Mwh energji elektrike, me një çmim mesatar prej 57.64 euro/mWh. Në total nga kjo procedura u përfituan mbi 1 milion euro. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare vijon të monitorojë me kujdes dhe në mënyrë të vazhdueshme situatën hidrike në kaskadë, duke garantuar menaxhim të sigurt dhe efikas të burimeve ujore.

Kryeministrja Meloni: Nuk besoj te një veprim ushtarak i SHBA në Groenlandë, s’e mbështesim

ITALI- Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka deklaruar se nuk beson te një veprim ushtarak i mundshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës  në Groenlandë.

“Nuk besoj në mundësinë e SHBA për të filluar veprime ushtarake në Groenlandë”

Meloni theksoi se nuk do ta mbështeste një veprim të tillë.

“Nuk do ta mbështes një veprim të tillë”, u shpreh Meloni.

Ajo shtoi se mesazhi i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, duket të jetë se ai nuk do të pranojë ndërhyrje nga shtetet e tjera në këtë rajon strategjik.

Meloni nënvizoi gjithashtu rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për çështjet që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Ajo shtoi se ”zgjidhjet ushtarake nuk duhet të jenë opsioni i parë”.

Deklarata e saj vjen në një kohë kur interesat gjeopolitike në Arktik po rriten dhe vendet e ndryshme po vëzhgojnë me kujdes lëvizjet e fuqive të mëdha në këtë zonë./abcnews.al

Një ditë pas zjarrit te tregu te ‘5 Maji’/ Në rrënoja gjithçka e shkrumbuar, tregtarët: Dëme kolosale

Tregu i rrobave në lagjen 5 Maji në Tiranë është djegur plotësisht. Ajo çfarë ka mbetur janë vetëm rrënojat. Mbi 200 tregtarë janë prekur nga ky zjarr i përmasave të mëdha, që përfshinë 2 magazinat e tregut të rrobave.

Forcat zjarrfikëse kanë qendruar në zonë edhe pas neutralizimit të flakëve, edhe këtë të premte disa vatra u riaktivizuan por u vunë nën kontroll menjëherë. Shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike.

ABC News ka siguruar videon e momentit kur nis zjarri, fillimisht dallohet tym dhe pak flakë të cilat më pas nisin të përhapen me shpejtësi, edhe për shkak të materialit tekstil që tregtohej në këto magazina.

Dëmet për tregtarët janë kolosale, një ditë më pas ata shprehen se kanë mbetur në qiell të hapur.

Paraprakisht dyshohet se shkak për rënien e zjarrit të jetë një shkëndinjë elektrike, por do të jetë grupi hetimor që do të përcaktojë shkaqet e zjarrit, ndërsa automjete të forcave zjarrfikëse janë ende në terren për të mbajtur nën monitorim vatrat aktive të zjarrit./abcnews.al 

Përmbytjet/ Çupi: Menaxhim i mirë i situatës nga qeveria. Akuzat e opozitës? “Ngre veshët” në kohën e fatkeqësive

Analisti Frrok Çupi komentoi në “NewsLine” në ABC News, situatën e përmbytjeve në vend. Sipas tij qeveria ka bërë një menaxhim të mirë të situatës, ndërsa theksoi se kushtet atmosferike ishin shumë të vështira.

Më tej nënvizoi se shteti ishte aty për qytetarët, si edhe  ministrat ishin në zonat më problematike.

“Menaxhimi ka pasur disa cilësi ndryshe nga herët e tjera të përmbytjeve. Reshjet qenë shumë më të larta kushtet atmosferike ishin në disfavor. U ndodhëm thuajse para mëkateve tona. Ky ishte problemi më i madh që doli në pah. Sigurisht që do ketë edhe mbështetje nga qeveria. Mbaj mend për përmbytjet në 2012 te përmbytjet në Shkodër, ka qëndruar edhe dy muaj më pas në ujë. Këtë herë shteti u përball domosdoshmërisht me ndihmën ndaj shtetasve të vet. Forcat e natyrës vendosën ligjin këtë herë”, tha ai.

Po ashtu tha se është koha për të bërë një ndryshim rrënjësor që situata të tilla të jenë të menaxhueshme dhe se të jemi përballë kësaj situate sa herë bie shi.

“Është koha për të bërë një ndryshim rrënjësor për mbrojtjen e qytetarëve”, tha ai.

Sa i përket akuzave të opozitës, Çupi tha se shfrytëzoi situatës dhe se ka për qëllim të përfitojë politikisht.

“Është zakon i kësaj pjese të politikës që gjithë kohës i ka ngritur veshët në kohën e fatkeqësive. Kemi parasysh këtu edhe tërmetin. Proporcionaliteti është shuar në këtë rast, proporcionaliteti në mungesë, praktikisht opozitarit po i mungon opozita. Pra qytetarit i mungon alternativa pavarësisht se voton qeverinë”, tha më tej Çupi.

/abcnews.al/

Shefja e Komisionit Evropian: Evropa do të mbështesë plotësisht rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Sirisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, premtoi mbështetjen e plotë të Evropës për rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Sirisë, ndërsa u takua me udhëheqjen siriane gjatë vizitës së saj në Damask.

“Pas dekadash frike dhe heshtjeje, sirianët filluan një udhëtim të gjatë drejt shpresës dhe ripërtëritjes. Evropa do të bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Sirisë”, shkroi von der Leyen në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, i cili shoqëroi von der Leyen, u takua me zyrtarë sirianë, përfshirë presidentin Ahmed al-Sharaa, duke thënë se vizita e BE-së tregon “mbështetje të vazhdueshme për popullin sirian”.

“Pas shumë vitesh lufte dhe vuajtjesh, rënia e regjimit të Asadit më në fund i ofroi pak shpresë popullit sirian… Ka ende një rrugë të gjatë përpara, por ju tashmë keni ndërmarrë hapat e parë”, tha ai në rrjetet sociale.

Vizita vjen pas angazhimit në rritje të BE-së me udhëheqjen e re të Sirisë. Në qershor 2025, Komisionerja Evropiane për Mesdheun, Dubravka Suica, vizitoi Sirinë dhe tha se blloku dëshironte ta shihte vendin të bëhej i qëndrueshëm dhe i begatë.

Në maj, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, njoftoi gjithashtu heqjen e sanksioneve ekonomike të vendosura nga regjimi i mëparshëm.

Bashar Asad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, u largua n

Real, në finalen e superkupës/ “Los Blancos” triumfuan 2-1 në derbin kundër Atletico

Pritej “El Clasico” dhe “El Clasico” do të jetë. Real Madrid dhe Barcelona do të përballen në finalen e Superkupës së Spanjës në një tjetër shfaqe të futbollit.

Skuadra madrilene iu përgjigj nga distanca rivalëve të përjetshëm, duke fituar 2-1 derbin kundër Atletico në gjysmëfinalen e dytë për trofeun që edhe një herë do të jepet të dielën në Arabinë Saudite.

“Los Blancos” e vendosën menjëherë sfidën në rrugën e duhur, pasi pa u plotësuar dy minutat e para, kaluan në epërsi me Federico Valverde.

Pavarësisht rasteve të shumta, goli i uruguajanit mbeti në fuqi deri në fundin e pjesës së parë.

Pas pushimit, Real Madrid dyfishoi shpejt shifrat.

Në minutën e 55-të, Rodrygo ndali topin në rrjetë, ndërsa realizimi i sulmuesit brazilian do të rezultonte vendimtar.

Kjo pasi vetëm tre minuta më pas, Sorloth rihapi ndeshjen, duke ngushtuar shifrat për Atletico.

Gjithsesi, për skuadrën e “Cholo” Simeone nuk mjaftuan përpjekjet më vijim të futbollistëve në fushë dhe teknikut në pankinë, që ndezi sfidën duke shtuar tensionin në maksimum.

Në fund e gjithë festa ishte për Real Madrid, që të dielën në mbrëmje do të kërkojë trofeun e parë sezonal në një tjetër kapitull të sfidës së përjetshme të futbollin spanjoll.

Stjuardesa që sfidoi veten dhe u rikthye në skenë. Rrëfimi i Blerina Matrakut pas 14 vitesh heshtje

E ftuar në studion e “ABC e Mëngjesit”, Blerina Matraku u rikthye me një histori frymëzuese për rrugëtimin e saj mes muzikës, punës dhe zgjedhjeve personale. Ajo tregoi se këngën e ka nisur që e vogël, në koncertet modeste që zhvilloheshin në Krujë. Studimet e larta i ka kryer në Elbasan, ku hodhi edhe hapat e parë në skenën e Teatrit “Skampa”.

Pas ardhjes në Tiranë, nevoja për një punë të qëndrueshme e çoi drejt profesionit të stjuardesës. Blerina rrëfeu se kënga ka qenë gjithmonë profesioni i saj i parë, por për ta mbështetur ka bërë edhe punë të dyta. Për katër vite ajo punoi si stjuardesë, një eksperiencë të vështirë, por që e ka dashur shumë. Paralelisht, ajo u formua si përkthyese e gjuhës franceze, profesion për të cilin ka përfunduar studimet. Edhe pse ka kënduar në frëngjisht, ajo pranon se vetvetja e saj artistike është në gjuhën shqipe. Duke folur për jetën personale, Blerina u shpreh se është mirë me veten e saj dhe nuk e sheh beqarinë si problem.

Pas 14 vitesh pauzë nga garat muzikore, ajo u rikthye në “Kënga Magjike” me këngën “Mama”. Vendimi për pjesëmarrjen erdhi falë mbështetjes së familjes dhe veçanërisht vëllait të saj. Ky rikthim, sipas saj, ishte një revolucion personal dhe artistik.

Blerina pranoi se ishte stilisti Joni Peçi ai që e ndihmoi të guxojë më shumë edhe në pamje. Ajo u tërhoq për vite me radhë nga skena, sepse ndjente se po përsëriste veten dhe kishte nevojë të kuptonte çfarë mund të sillte ndryshe. Rikthimi i saj sot vjen si një kapitull i ri, më i pjekur dhe më i sinqertë se kurrë.

Leao “shpëton” Milan / Skuadra kuqezi zhgënjen sërish, Genoa i merr pikë në “San Siro”

I madh me të mëdhenjtë, por i vogël me të vegjëlit. Milan vazhdon të vuajë nga kjo sindromë në këtë sezon të Serie A, duke zhgënjyer edhe një herë pritshmëritë e 70 mijë tifozëve që kishin mbushur “San Siro” për të festuar një fitore të sigurtë në letër kundër Genoa.

Por kuqezinjtë nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1. Gjithsesi duhet të jenë të kënaqur, pasi mund të kishte shkuar më keq në një ndeshje të mbyllur me një dramë të vërtetë.

Miqtë surprizuan në minutën e 28-të, kur kaluan në epërsi me një ish si Kolombo. “Djali I shtëpisë” ndëshkoi Milan dhe vendosi fatin e pjesës së parë.

Ashtu siç pritej, pas pushimit të besuarit e Allegri provuan me çdo mënyrë për të kthyer sfidën, madje edhe me mënyra të palejueshme si Pulisic, goli i të cilit u anulua për një prjekje me dorë.

Përpjekjet e kuqezinjve do të shpërbleheshin vetëm në minutën e dytë shtesë. Rafael Leao shënoi golin e barazimit.

Por në minutën e nëntë shtesë, Genoa fitoi një 11 metërsh. Nga pika e penalltisë, Stancu shpërdoroi shansin e fundit për triumf të skuadrës së tij, duke lënë në fuqi barazimin 1-1.

Një tjetër ndalesë për Milan, që i lejon kryesusëve të Inter të thellojnë në tre pikë diferencën. Nuk është ndonjë distancë e madhe, por mund të thellohet më tej, nëse Masimilliano Allegri dhe të besuarit e tij nuk largojnë frikën nga të vegjëlit, që i ka hequr 11 pikë mes Cremonese, Pisa, Sassuolo, Parma dhe në fund Genoa./abcnews.al

Lebron rrezikon “ndeshjen e yjeve” / “Mbreti” mund të mbetet jashtë “All Stars” për herë të parë

Çdo fillim e ka një fund, madje edhe për “Mbretërit” siç është LeBron James për NBA.

Në moshën 41 vjeçare ylli i basketbollit vijon të luajë në nivele të larta dhe të vendosë rekorde, por gjithsesi po përgatitet të lëshojë fronin.

Madje, një abdikim mund të vijë shumë shpejt, pasi basketbollisti i Lakers rrezikon të mbetet jashtë “All Star Games” për herë të parë pas 21 vitesh.

Shkak për këtë janë mungesat e shumta si pasojë e problemeve fizike, që në këtë edicion janë shtuar.

LeBron ka humbur 17 sfida nga 35 të luajtura gjithsej nga skuadra kaliforniane në këtë sezon të rregullt të NBA.

Kjo do të thotë se ai është vetëm një mungesë larg limitit të vendosur nga Liga Amerikane e Basketbollit, në përzgjedhjen e lojtarëve për ndeshjen e “Yjeve”.

Kjo do të ishte goditja e parë e rëndë që paralajmëron fundin e karrierës spektakolare të LeBron James.

Sipas mediave amerikane, ai do të provojë ta evitojë këtë me një program të veçantë sa i përket minutave që duhet të luajë në çdo ndeshje, por ky duket një mision i pamundur./abcnews.al

La liga “thërret” Asllanin/ Mediat spanjolle: Girona interesohet për shërbimet e shqiptarit

Për momentin është vetëm një sondazh, një interesim për të kuptuar kushtet e transferimit, por duke parë situatën, mbetet gjithesi një lajm i mirë për Kristjan Asllanin dhe kombëtaren e Shqipërisë.

I shkakrkuar nga Torino, që nuk e ka grumbulluar në dy ndeshjet e fundit dhe kërkon të prishë përpara kohe formulën e huazimit dhe jashtë projektit tek Inter, për mesfushorin kuqezi hapet një pistë e re në karrierën e tij.

Bëhet fjalë për Girona dhe një transferim të mundshëm në La Liga. Mediat spajolle kanë zbuluar interesimin e skuadrës nga Katalonja, që ka kërkuar informacion për Asllanin.

Më parë edhe skuadra si Sassuolo dhe Fiorentina ishin afruar me futbollistin 23 vjeçar, që duhet të gjejë një sistemim të shpejtë në merkaton e janarit.

Girona dhe La Liga mund të jenë një zgjidhje e mirë për të ardhmen e Kristjan Asllanit, por edhe një revansh përsonal për lojtarin, pas eksperiencës së fundit negative te Torino.

Po ashtu, edhe Inter kërkon të transferojë sa më shpejt futbollistin, në mënyrë që mos ulet vlera e tij në merkato.

Klubi zikaltër pretendon të fitojë të paktën 15 milion euro nga kartoni i shqiptarit, shifër kjo e njëjte me marrëveshjen që kishte me Torinon.

Në të njëjtën linjë janë edhe interesat e kombëtares së Shqipërisë. Asllani është një titullar i padiskutueshëm i skuadrës kuqezi dhe një nga pikat kryesore në zgjedhjet taktike të Silvinjos, që shpreson të ketë në formë të gjithë futbollistët për sfidën historike në play off e “Botërorit 2026” kundër Polonisë në fund të muajit mars.

Arsenal nuk “arratiset”/ “Topçinjtë” e Londrës ndalen në barazimin pa gola me Liverpool

Në një kampionat të gjatë dhe garë të fortë për titullin kampion, një barazim mund të qëndrojë. Aq më tepër ndaj një rivali të madh. Por Arsenal vazhdon të jetë pretendent kryesor në këtë sezon të Premier League.

Konfirmimi për këtë erdhi në sfidën e fundit kundër kampionëve në fuqi të Liverpool, të sigluar në shifrat 0-0. Pavarësisht rezultatit, “Topçinjtë” treguan edhe një herë forcën e tyre.

Mbi të gjitha në pjesën e parë, ku dominuan në të gjithë komponentët e lojës, nga kontrrolli i topit, te rastet për shënim dhe goditjet në portën e rivalëve.

Frkasioni i dytë ishte ndryshe, ndërsa frika për të mos humbur bëri që të besuarit e Mikel Arteta të tërhiqeshin duke i lënë më shumë hapësirë Liverpool. Por edhe të kuqtë nuk arritën të shfrytëzojnë rastet e tyre, duke ndarë pikët me Arsenal.

Një frenim që nuk ka efekte negative për “Topçinjtë”, që nuk arrijnë të arratisen, por që ruajnë gjithsesi vendin e parë me një distancë sigurie prej 6 pikësh ndaj ndjekësve më të afërt të Manchester City./abcnews.al

Trump anulon “valën e dytë” të sulmeve ndaj Venezuelës: Bashkëpunimi me SHBA shmang përshkallëzimin

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka anuluar një “valë të dytë” sulmesh ndaj Venezuelës, për shkak të bashkëpunimit të treguar nga autoritetet e vendit me Shtetet e Bashkuara.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se vendimi erdhi pas lirimit të një numri të madh të të burgosurve politikë nga ana e Venezuelës, duke e cilësuar këtë veprim si një “gjest të rëndësishëm për paqe”.

Trump shtoi se Uashingtoni dhe Karakasi po bashkëpunojnë ngushtë për rindërtimin dhe modernizimin e infrastrukturës së naftës dhe gazit. “Për shkak të këtij bashkëpunimi, vala e dytë e sulmeve nuk do të jetë e nevojshme”, shkroi ai, duke sqaruar se forcat detare amerikane do të mbeten në pozicion për arsye sigurie.

“Venezuela po liron një numër të madh të burgosurish politikë si shenjë e “Kërkimit të Paqes”. Ky është një gjest shumë i rëndësishëm dhe i zgjuar. SHBA-të dhe Venezuela po punojnë mirë së bashku, veçanërisht për sa i përket rindërtimit, në një formë shumë më të madhe, më të mirë dhe më moderne, të infrastrukturës së tyre të naftës dhe gazit. Për shkak të këtij bashkëpunimi, unë kam anuluar valën e dytë të sulmeve të pritura më parë, e cila duket se nuk do të jetë e nevojshme, megjithatë, të gjitha anijet do të qëndrojnë në vend për qëllime sigurie. Të paktën 100 miliardë dollarë do të investohen nga BIG OIL, me të cilët do të takohem sot në Shtëpinë e Bardhë. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje! “- shkruan Trump.

Deklarata vjen rreth një javë pasi SHBA-ja ndërmori një operacion ushtarak për rrëzimin e ish-presidentit Nicolás Maduro, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim në SHBA së bashku me bashkëshorten e tij, Cilia Flores.

Presidenti amerikan pritet të takohet të premten në Shtëpinë e Bardhë me drejtues të kompanive të mëdha të naftës, për t’i nxitur ato të rrisin prodhimin dhe investimet në Venezuelë. Ai ka pretenduar se investimet mund të arrijnë deri në 100 miliardë dollarë, megjithëse industria e naftës ka shprehur skepticizëm për realizimin e një angazhimi të tillë financiar.

Gëzuar 2026-ën me zogjtë e Shqipërisë, kalendari që lidh artin me natyrën

I ftuar në studion e “ABC e Mëngjesit”, Ilir Ciko fotograf i botës së egër dhe ekspert ekonomie, prezantoi një projekt të veçantë që i dedikohet zogjve të rrallë mbi qiellin shqiptar.

Ai ka përgatitur një kalendar për vitin 2026 me fotografi të shkrepura ekskluzivisht në Shqipëri, në mbështetje të Shoqatës Mjedisore për Shpendët. Të gjitha të ardhurat nga kalendari, kanë shkuar për AOS, ndërsa shpenzimet i ka mbuluar vetë autori.

Ciko tregoi se fotografimi i shpendëve në fluturim është një nga teknikat më të vështira, por edhe më emocionueset. Sipas tij, shpendët e tërheqin sepse janë jetikë, lëvizin vazhdimisht dhe kanë një botë komplekse familjare. Ai shpjegoi se muajt mars dhe prill janë një “korridor” migrimi, ku shumë shpendë kalojnë nëpër Shqipëri. Shumë prej fotografive janë realizuar pranë Liqenit Artificial të Tiranës, një zonë që fsheh surpriza të mëdha natyrore. Ciko pranoi se nuk i njeh gjithmonë të gjitha speciet në momentin e fotografimit, por i studion më pas.

Miqtë e tij shpesh habiten kur mësojnë se shpendët më të bukur “pozojnë” në zemër të Tiranës. Përveç fotografisë së botës së egër, ai ndan pasionin edhe për wind surfing. Në kërkim të erës dhe dallgës perfekte, Ilir Ciko eksploron edhe detet shqiptare, duke e kthyer natyrën në burim frymëzimi të vazhdueshëm.

‘Lind’ ChatGPT Shëndet: OpenAI siguron se nuk do të zëvendësojë mjekët

Lind ChatGPT Shëndet, funksioni i ri i inteligjencës artificiale që do t’u lejojë përdoruesve të ngarkojnë kartelën e tyre klinike dhe të dialogojnë mbi gjendjen shëndetësore me AI. OpenAI, megjithatë, nxitoi të sqarojë: “Nuk do të zëvendësojë mjekët dhe nuk do të bëjë diagnoza”. “Gjatë dy viteve të fundit kemi bashkëpunuar me mbi 260 mjekë aktivë në 60 vende dhe në dhjetëra specialitete, për të kuptuar se çfarë e bën një përgjigje shëndetësore të dobishme ose potencialisht të dëmshme”, shpjegon OpenAI.

Privatësi dhe siguri të përforcuara

Çdo javë, miliona përdorues i drejtohen ChatGPT-së duke ndarë detaje mbi gjendjen e tyre fizike. Pikërisht kjo ka ngritur shqetësime edhe nga autoritetet e mbrojtjes së të dhënave personale, përfshirë garantët e privatësisë. Për këtë arsye, OpenAI siguron se ChatGPT Shëndet mbështetet në “kontrolle të forta të privatësisë, sigurisë dhe menaxhimit të të dhënave”, me nivele shtesë mbrojtjeje të dedikuara për shëndetin. Këto përfshijnë sisteme të posaçme kriptimi dhe mekanizma izolimi për të mbajtur bisedat shëndetësore private dhe të ndara.

Në bashkëpunim me mjekët, jo në vend të tyre

“E projektuar në bashkëpunim të ngushtë me mjekët, ChatGPT Shëndet luan një rol më aktiv në kuptimin dhe menaxhimin e shëndetit dhe mirëqenies, duke mbështetur kujdesin e profesionistëve shëndetësorë pa i zëvendësuar ata”, thekson OpenAI. Kjo deklaratë vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve të ngritura edhe nga mjekët në Itali dhe vende të tjera, për rrezikun e përhapjes së informacionit të pasaktë apo potencialisht të rrezikshëm.

“ChatGPT Shëndet është projektuar për të mbështetur asistencën mjekësore, jo për ta zëvendësuar atë. Nuk është i destinuar për diagnozë apo trajtim. Përkundrazi, ndihmon përdoruesit të orientohen në pyetjet e përditshme dhe të kuptojnë tendencat me kalimin e kohës, jo vetëm momentet e izoluara të sëmundjes, duke i përgatitur më mirë për bisedat e rëndësishme me mjekët”, sqaron kompania.

Risitë e platformës

Qëllimi i portalit të ri është të bashkojë në një vend të gjitha informacionet shëndetësore të përdoruesve. “Sot, të dhënat shëndetësore janë shpesh të fragmentuara mes portaleve, aplikacioneve, pajisjeve të veshshme, PDF-ve dhe shënimeve mjekësore. Kjo e bën të vështirë krijimin e një pasqyre të plotë dhe i detyron njerëzit të orientohen vetë në një sistem shëndetësor kompleks”, shpjegon OpenAI.

Me ChatGPT Shëndet do të jetë e mundur lidhja e sigurt e kartelave elektronike shëndetësore dhe aplikacioneve të mirëqenies, si Apple Health, Function dhe MyFitnessPal. Kjo do t’i lejojë ChatGPT-së të ndihmojë në kuptimin e rezultateve të fundit të analizave, përgatitjen për vizitat mjekësore, marrjen e këshillave mbi ushqimin dhe aktivitetin fizik, apo vlerësimin e alternativave të ndryshme të sigurimeve shëndetësore.

Kur do të jetë i disponueshëm

Aktualisht, funksionaliteti i ri nuk është ende i aksesueshëm për të gjithë. “Po fillojmë me një grup të vogël përdoruesish për të mbledhur komente dhe për të përmirësuar më tej përvojën”, bën të ditur OpenAI. Me shtimin e përmirësimeve të tjera, kompania parashikon zgjerimin gradual të aksesit, duke e bërë ChatGPT Shëndet të disponueshëm për të gjithë përdoruesit në web dhe iOS në javët në vijim. Ata që dëshirojnë qasje të hershme, mund të regjistrohen në listën e pritjes.

❌