Programi i Praktikave të Punës, Gonxhja: Eksperiencë e vyer për të rinjtë, prurje për shtetin
TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Nga Programi Kombëtar i Praktikave të Punës deri tani kanë përfituar 1600 të rinj, nga të cilët 600 vetëm vitin e kaluar.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja publikoi dëshmitë e praktikantëve të thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, ku ata ndajnë përvojat dhe arritjet gjatë kësaj periudhe të rëndësishme në rrugëtimin e tyre profesional.
“Këta të rinj kanë pasur mundësinë të fitojnë eksperiencë konkrete në institucionet publike, të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të afrohen më pranë tregut të punës, duke ndërtuar besim në potencialin e tyre dhe në shërbimin ndaj vendit”, tha Gonxhja.
Ministri Gonxhja tha se “Programi Kombëtar i praktikave të Punës u vërtetua një sukses.
“Këtë herë shoqërohet me një pagesë për çdo të ri praktikant. Mbi 1/3 e atyre që aplikuan dhe zhvilluan praktikën pranë ministrive, enteve të varësisë të administratës shqiptare janë duke lidhur marrëveshjet e tyre të para të punës. Është një eksperiencë e vyer për ta, por edhe një prurje shumë e rëndësishme për vetë shtetin”, u shpreh Gonxhja.
Gonxhja inkurajoi të rinjtë që jo vetëm të besojnë në mundësitë që vijnë për t’u punësuar përmes administratës, por në përgjithësi për programet e praktikave, për stazhet dhe eksperiencën që mund të marrin në punë, në jetën reale që patjetër, sipas tij, do t’u kthehet në një avantazh në ecurinë e tyre në jetë.
Ndërsa ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni tha se 1600 të rinj të talentuar plot ide dhe energji nga auditoret e universiteteve sot në zyrat e institucioneve tona publike janë vlera e vërtetë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.
“Çdo i ri dhe e re e shikon këtë nismë si një mundësi karriere, por në të njëjtën kohë e shtyn administratën publike të rritet dhe zhvillohet bashkë me ta”, tha Pirdeni.
Elvana Çela praktikante në drejtorinë e Prokurimeve në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, tha se “kam arritur të përvetësoj njohuritë e mia juridike, por edhe të marr edhe njohuri të reja në fushën e prokurimeve publike”.
Çela i bëri apel të rinjve që duan nisin karrierën e tyre profesionale të mos ngurrojnë të marrin pjesë në thirrjen e ardhshme të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.
Joldi Kariqi, praktikant në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore tha se “gjatë praktikave kombëtare të punës kam mundësinë të njoh nga afër funksionimin e institucionit publik IKTK, këtë gjë dhe të përvetësoj në aftësi profesionale dhe praktike. Gjatë kësaj praktike 3-mujore kisha mundësinë të njoh nga afër shpëtimin e objekteve arkeologjike nënujore dhe nëntokësore”.
Hajre Dedej praktikante në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit u shpreh se “po zhvilloj praktikën në studion e audiovizuales ku kam mësuar më tepër për procesin e montazhit, skanimit dhe digjitalizimit të filamve, por edhe një proces që është tejet interesant ai i restaurimit”.
Ajo tha se “do t’ia sugjeroja studentëve që të aplikojnë në thirrjet e ardhshme duke qenë se është një mundësi për t’u rritur dhe mësuar profesionalisht”.
Gjatë vitit 2025 u ofruan 1401 praktika, ku 600 të rinj u përfshinë në institucione publike. Ndërkohë 600 praktikantë kanë marrë kompensim financiar prej 10 000 lekë/muaj për 3 muaj, një vlerë prej 2,6 milionë lekë më shumë buxhet për vitin 2025.
Gjithashtu gjatë 2025 janë kryer 6 cikle trajnimesh me ASPA (aftësi digjitale, etikë, financa, administratë). Nga 600 të rinj, rreth 250 prej tyre do të përfitojnë kontratë pune 1-vjeçare në institucionet përkatëse, ndërsa 1600 persona janë punësuar gjatë këtyre 9 viteve.
/k.s/j.p/
The post Programi i Praktikave të Punës, Gonxhja: Eksperiencë e vyer për të rinjtë, prurje për shtetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.