TIRANË, 19 shkurt /ATSh/ Partia Demokratike dhe aleatët e saj mbajnë sot protestën e katërt kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë me kërkesën për largimin e qeverisë.
Mbështetësit e opozitës u mblodhën fillimisht tek selia e Partisë Demokratike, ndërsa të tjerë u bashkuan përgjatë segmenteve rrugore.
Berisha iu drejtua protestës së bashku me drejtues të tjerë të PD dhe aleatët por edhe me protestues që zgjodhën ta shoqërojnë pas qëndrimit rreth 30 minuta në selinë e PD-së, ndërsa protestuesit ishin mbledhur në shesh.
Tubimi u hap me himnin kombëtar, ndërsa fjalën e parë e mbajti aktorja Rajmonda Bulku, e cila ka qenë pjesë e ngjarjeve të dhjetorit ’90.
Nga podiumi i protestës kombëtare të thirrur nga PD dhe aleatët e saj, Bulku u shpreh se dita e sotme kujton momentin historik të 20 shkurtit të vitit 1991, kur u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha.
“Ne ishim bashkëngjitur me grevën historike të studentëve tanë. Nuk patëm frikë. Luftuam kundër një ushtrie që nuk duhet harruar që ishte Partia Komuniste. Kishim një frymë, të gjithë bashkë, hoqëm frikën, morëm guximin sepse deshëm lirinë, deshëm të rrëzonim sistemin më të egër komunist. Atë frymë të sjellim këtu sot, atë dëshirë për të jetuar bukur në Shqipërinë tonë të bukur. Ta bëjmë për jetët tona për fëmijët dhe nipërit tanë, që ata të kenë mundësi të jetojnë më mirë. Të punësohen këtu dhe të mos ikin, të mos braktisin këtë vend të bekuar”, tha Bulku.
Nga podiumi i protestës, pedagogu Ermal Hasimja bëri thirrje për bashkim qytetar në funksion të zgjedhjeve të lira dhe një drejtësie të pavarur.
Në fjalën e tij, Hasimja ndau edhe një rrëfim personal, duke kujtuar momentet kur, tre dekada më parë, në moshën 15-vjeçare, së bashku me të atin kishte zbritur në të njëjtin shesh që gjendej sot, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes frikës dhe pasigurisë, por të mbështetur te shpresa për një të ardhme më të mirë.
“Ajo që na mbajti ishte shpresa, një shpresë që gjatë këtyre viteve është tentuar të zbehet”, u shpreh ai.
Ai theksoi se sot vendi ka nevojë më shumë se kurrë për frymë bashkimi, duke kërkuar drejtësi të pavarur dhe zgjedhje të lira, ku qytetarët të vendosin vetë për të ardhmen e tyre.
Sipas tij, ndryshimi nuk vjen nga pasiviteti, por kërkon angazhim dhe sakrificë nga të gjithë, veçanërisht nga intelektualët.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku nga podiumi i protestës së katërt kombëtare të opozitës, tha se rrëzimi i monumentit të diktatorit 35 viteve të parë ishte çasti i kthesës së madhe, ishte fundi i një diktature të pamëshirshme që ishte instaluar në çdo qelizë të shoqërisë.
Tabaku tha se “35 vite më pas jemi në shesh përballë një autokrati të lindur, ku pakica sundon mbi shumicën, duke plaçkitur Shqipërinë”.
“Kjo nuk është një betejë partiake, por për Shqipërinë e qytetarëve, jo të klientëve, për ekonominë e punës dhe jo të favoreve, për drejtësinë e barabartë. Brenda forcës sonë ka pasur edhe gjëra që na kanë ndarë, por gjërat që na ndajnë nuk janë më të forta se ato që na bashkojnë”, përfundoi Tabaku.
Policia mori masa për bllokimin e disa rrugëve si rruga pranë bashkisë së Tiranës, rrethrrotullimi tek “Zogu i Zi”, tek sheshi “Wilson”, tek “Pallati me Shigjeta”, si dhe kryqëzimi tek Rruga e Elbasanit, pranë xhamisë së “Namazgjasë”.
Policia e Tiranës në një njoftim për mediet u shpreh sot se nuk merr përsipër zhvillimin e tubimit. Sipas policisë, ka informacione se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme.
PD kërkon krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira.
Në protestën e tretë kombëtare të PD të organizuar në 10 shkurt, pati përshkallëzim të situatës, ku protestuesit hodhën fishekzjarrë dhe molotov në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Sipas njoftimit të Policisë, 21 persona u arrestuan, ndërsa 19 efektivë policie mbetën të plagosur.
vijon….
/e.i/j.p/
The post PD, protestë përballë Kryeministrisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.