FA ngre padi ndaj Chelseat dhe West Hamit pas përleshjes masive
Shoqata Angleze e Futbollit (FA) ka ngritur padi zyrtare kundër Chelseat dhe West Ham United në lidhje me incidentet e ndodhura në fund të ndeshjes së Liga Premier, e cila u mbyll me rezultat 3-2 dhe u zhvillua të shtunën e kaluar.
Incidenti kryesor ndodhi në minutën e 96-të, kur anësori i West Hamit, Adama Traore, u përplas me mbrojtësin e Chelseat, Marc Cucurella, gjatë një dueli për topin pranë cepit të fushës. Pas kontaktit,
Traore e shtyu Cucurellan në tokë dhe iu drejtua gjyqtarit anësor me protesta.
Situata u përshkallëzua më tej kur Joao Pedro, i cili ndërhyri në vend të Cucurellas, e shtyu Traoren, çka shkaktoi një përleshje të përgjithshme mes lojtarëve të të dyja skuadrave. Gjatë kaosit, mbrojtësi i West Hamit, Jean-Clair Todibo, u pa duke e kapur nga qafa sulmuesin e Chelseat.
Gjyqtari kryesor Anthony Taylor ndëshkoi fillimisht Adama Traoren dhe Joao Pedron me kartonë të verdhë, ndërsa pas rishikimit të pamjeve, vendosi ta përjashtojë Todibon me karton të kuq.
FA ka akuzuar të dy klubet për “dështim në parandalimin e sjelljes së papranueshme dhe provokuese” nga lojtarët e tyre.
Chelsea dhe West Ham kanë afat deri më 6 shkurt për të paraqitur shpjegimet dhe mbrojtjen e tyre zyrtare. /Telegrafi/
