Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 March 2026Main stream

Hoxha takim me Gonzaton: Shqipëri-BE, marrëdhënie gjithnjë e më të afërt

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi një takim me ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato.

Në një postim në rrjetet sociale Hoxha tha se biseduan mbi marrëdhëniet me BE-në dhe vizitën e tij të ardhshme në Bruksel në cilësinë e ministrit të MEPJ-së.

“Kur bëhet fjalë për çështjet europiane dhe bashkëpunimin me partnerët europianë, nuk ka fundjava, vetëm ditë. Nuk kishte mënyrë më të mirë për të kaluar një mëngjes të shtune sesa takimi me Ambasadorin Gonzato për të diskutuar zhvillimet e fundit në marrëdhënien tonë gjithnjë e më të afërt dhe më të fortë, duke përfshirë përgatitjet për vizitën time të parë zyrtare jashtë vendit në cilësinë aktuale të Ministrit të Jashtëm”, tha Hoxha.

“Nuk ka nevojë të hamendësosh destinacionin. Për Shqipërinë, të gjitha rrugët të çojnë në Bruksel në Bashkimin Europian”, theksoi ministri Hoxha.

Pak ditë më parë pas ndryshimeve në qeveri nga kryeministri Edi Rama, Hoxha mori detyrën e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.

1 nga 3

/k.s/j.p/

The post Hoxha takim me Gonzaton: Shqipëri-BE, marrëdhënie gjithnjë e më të afërt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkia Tiranë, shtim i monitorimit për hedhjen e paligjshme të inerteve në lumenj

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj në një takim të zhvilluar me administratorët e zonave rurale të kryeqytetit dhe drejtues të Policisë Bashkiake e vuri theksin tek shtimi i  monitorimit në të gjithë lumenjtë dhe pikat ku derdhen inerte në mënyrë të paligjshme.

Sulaj i informoi administratorët me emrat e bizneseve dhe vendeve ku ata  derdhin inertet në mënyrë të paligjshme.

Sipas tij, pikërisht në këto pika, javën e ardhshme do të ushtrohen kontrolle në bashkëpunim me Policinë Bashkiake.

Nënkryetari Sulaj i bëri thirrje gjithashtu të gjitha bizneseve në kryeqytet që të respektojnë rregullat e bashkëjetesës dhe të tregohen të kujdesshëm në vendosjen e tavolinave, për të mos zënë hapësirat e qytetarëve.

“Thirrjen e kam për të gjitha bizneset të cilat, me rritjen e temperaturave mendojnë se nuk i kemi në monitorim, dhe si rrjedhojë shtojnë tavolinat dhe karriget, duke zënë trotuaret. Ne i kemi të gjitha në monitorim dhe nuk do të lejojmë asnjë biznes, i cili do të abuzojë me hapësirën publike”, nënvizoi Sulaj.

Nënkryetari Sulaj u shpreh se “qytetarët kanë hapësirën e tyre, biznesi po ashtu, këto janë rregullat e bashkëjetesës”.

“Me ardhjen e pranverës ka një tendencë, jo nga të gjithë, por nga disa biznese në zona të caktuara, të cilat i shtojnë tavolinat dhe i detyrojnë qytetarët të dalin në korsitë e biçikletave për t’u kthyer prapë në trotuar”, tha Sulaj.

/k.s/j.p/

The post Bashkia Tiranë, shtim i monitorimit për hedhjen e paligjshme të inerteve në lumenj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla, takim me mësues të gjuhës shqipe të Diasporës

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mirëpriti sot në Kuvend mësues të gjuhës shqipe në diasporë, të cilët çdo ditë mbajnë gjallë gjuhën dhe identitetin shqiptar tek fëmijët që rriten larg atdheut.

Në një postim në rrjetet sociale Balla tha se falë punës së tyre dhe vëmendjes së shtuar të qeverisë së Kryeministrit Rama mësimi i gjuhës shqipe në diasporë po rritet çdo vit.

“Kemi sot mbi 900 mësues në diasporë, ndërsa programe konkrete si “Mësues për Greqinë” po krijojnë për herë të parë edhe mbështetje nga shteti amë. Nuk duhet të harrojmë se janë mbi 400 mijë fëmijë në diasporë që janë potencial për t’u mbështetur”, theksoi Balla.

Balla falënderoi mësuesit shqiptarë në diasporë për përkushtimin e tyre.

/k.s/j.p/

The post Balla, takim me mësues të gjuhës shqipe të Diasporës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shtigje për biçikleta dhe pika të reja turistike në Lagunën e Karavastasë

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Punimet për sistemimin dhe mbrojtjen nga erozioni të argjinaturës së Lagunës së Karavastasë po shoqërohen edhe me ndërhyrje që përmirësojnë aksesin dhe potencialin turistik të kësaj zone unike natyrore.

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, theksoi në këtë zonë po ndërtohen shtigje për biçikleta dhe për këmbësorë, si dhe  pika të reja turistike për vizitorët.

Kryeministri Rama tha se “kjo ndërhyrje jo vetëm mbron ekosistemin e lagunës, por edhe krijon më shumë hapësira për të shijuar natyrën dhe për të zhvilluar turizmin e qëndrueshëm në zone”.

Gjatë muajit shkurt u kryen punimet për ndërtimin e argjinaturës në Karavasta, e cila  mbron tokat bujqësore të Bedatit nga ujërat e Adriatikut dhe garanton funksionimin e sistemit të kullimit drejt Hidrovorit.

Gjatë janarit erërat e forta deri në 8 ballë krijuan dallgë që arritën deri në 3 metra lartësi, duke kapërcyer argjinaturën e Karavastasë dhe duke shkaktuar shembjen e saj.

Mbi 70 metra argjinaturë ranore u gërryen dhe u shkatërruan nga forca e detit, ndërsa ujërat e kripura vërshuan drejt lagunës së Karavastasë dhe tokave bujqësore në zonën e Bedatit.

Laguna e Karavastasë ndodhet në qendër të Ultësirës Perëndimore të vendit tonë dhe bën pjesë në parkun kombëtar të Divjakës.

Është laguna më e madhe në Shqipëri dhe në gjithë bregdetin jugor të Adriatikut Laguna është e përbërë prej një lagune të brendshme dhe një lagune të jashtme më të vogël.

Tre kanale e lidhin lagunën me detin Adriatik. Laguna e Karavastasë dhe Parku Natyror i saj janë një ndër destinacionet më të frekuentuara në vend nga vizitorët.

/k.s/j.p/

The post Shtigje për biçikleta dhe pika të reja turistike në Lagunën e Karavastasë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nufi merr detyrën si ministër i Mbrojtjes: Prioritet, forcimi i kapaciteteve të sigurisë

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Ministri i ri i Mbrojtjes, Ermal Nufi gjatë ceremonisë për marrjen e detyrës tha sot se “shërbimi ndaj atdheut është detyrë që s’vjen pa sakrifica, është privilegj që të bën krenar gjithmonë”.

Në fjalën e tij Nufi theksoi se do të punojë në krye të Mbrojtjes me të gjithë për të forcuar më tej kapacitetet e sigurisë së vendit.

“Në këtë institucion ndërtohen çdo ditë themelet e shtetit, siguria e kombit, garancia e sovranitetit të Shqipërisë. Personalisht për mua këtë moment e bën akoma më simbolik fakti që kjo ceremoni organizohet në garnizonin ‘Skënderbej’, i cili nuk është thjesht një hapësirë ushtarake apo administrative sot, por simbol i traditës disiplinës, formimit të elitës të ushtrisë shqiptare, ku për dekada janë përgatitur breza të tërë ushtarakësh që i kanë shërbyer me përkushtim vendit”, nënvizoi Nufi.

Nufi tha se “ky garnizon që mban emrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, simbol i përhershëm i identitetit europian të shqiptarëve, por edhe i profesionalizmit, sakrificës shpirtit patriotik që ka karakterizuar gjithmonë ushtrinë shqiptare”.

Ministri Nufi i shprehu mirënjohjen kryeministrit Edi Rama për besimin që i ka dhënë për ti shërbyer vendit.

Gjithashtu Nufi shprehu respekt për ish-ministrin Pirro Vengu duke theksuar se “Vengu me kontributin e tij ndaj FA ka vendosur një qasje europiane, e cila në sytë e mi është dukur çdo ditë sa herë kam marrë në këtë ministri funksione apo detyra të tjera”.

“Vengu kthehet deputet në qarkun e Vlorës, qarkun flamurtar ku patriotizmi është fjalë dhe jam i bindur që me ndihmën e tij do të shtyjmë para shumë projektligje në të mirë të FA-së”, tha Nufi.

Sipas tij, siguria e një vendi nuk ndërtohet vetëm me strategji, por ajo ndërtohet çdo ditë nga njerëzit që punojnë, nga burrat e gratë që veshin uniformën, komandantët dhe drejtuesit që marrin vendime të vështira, nga instutucione që qëndrojnë fort edhe në kohë pasigurie.

“Sot dua të shpreh respektin tim më të thellë për çdo pjesëtar të Forcave të Armatosura të republikës së Shqipërisë dhe stafet administrative pjesë të Ministrisë Mbrojtjes, emergjencave civile apo çdo lloj organi varësie që kjo ministri ka. Ju mbroni territorin e vendit tonë, garantoni sigurinë e qytetarëve tanë, përfaqësoni Shqipërinë me profesionalizëm dhe me dinjitet në misionet ndërkombëtare”, tha Nufi.

Ministri Nufi vuri në dukje se “ushtarakët shqiptarë kanë shërbyer me nder në operacionet e NATO-s dhe aleatët tanë kanë dëshmuar profesionalizmin e tyre duke i dekoruar, duke u njohur kontributet në të cilët kemi edhe dëshmorë.  Shqipëria e ka treguar që nuk është vetëm kontribuese e sigurisë kolektive, por ajo është një kontribuese krenare”.

“Në familjen time ka pasur burra e gra që kanë shërbyer në forcat e këtij vendi, që kanë sakrifikuar jetën e familjen”,  tha Nufi .

/k.s/j.p/

The post Nufi merr detyrën si ministër i Mbrojtjes: Prioritet, forcimi i kapaciteteve të sigurisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MSHMS: Mirënjohje mjekëve pedagogë që formojnë brezat e rinj

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes uroi sot festën e 7 Marsit të gjithë mjekëve pedagogëve.

Në një postim në rrjetet sociale MSHMS shpreh mirënjohjen për mjekët pedagogë, që me dije, përvojë dhe përkushtim formojnë brezat e rinj të mjekëve dhe kontribuojnë në rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor.

Prof.Edvin Selmani mjek ortoped në Spitalin Univeristar të Traumës, SUT, dhe pedagog në Universitetin Mjekësor Tiranë, UMT, tha se në mjekësi çdo ditë është një sfidë për mjekun në misionin e tij për të trajtuar pacientët.

“Por ne që jemi pedagogë të Universiteti të Mjekësisë kemi përgjegjësinë për të ndarë njohuritë tona dhe për të trajnuar brezin e ri të studentëve dhe specializantëve”, u shpreh ai.

“Sot në ditën e mësuesit bëjmë një vlerësim për të gjithë pedagogët që janë përfshirë në mësimdhënien në sektorin e shëndetësisë me studentët pranë këtij universiteti sidomos në SUT. Ne jemi goxha të përfshirë me studentët në trajnimin e tyre, në praktikën e përditshme, në auditore, në seminare dhe në sallat e operacionit. Në mënyrë që këtë eksperiencë që kemi t’ia trashëgojmë studentëve dhe brezit të ri në mënyrë që ata të jenë të përgatitur për të trajtuar pacientët tanë”, tha Selmani.

Prof.Agron Dogjani kirurg i përgjithshëm në SUT dhe pedagog në UMT tha se “i gjithë grupi i studentëve janë pjesë e këtij  edukimi.

“Zhvillimin e kësaj lënde e bëjmë jo vetëm në auditore po e konkretizojmë edhe në ambiente të ndryshme spitalore, në ambientet e urgjencës, të sallave të ndërhyrjeve, në sallat e imazherisë ku ne bëjmë konkretizimin e njohurive tona teorike me punën praktike”, tha mjeku.

“Kam kënaqësi që t’i bëj një urim gjithë brezit të pedagogëve, të cilët punojnë në gjithë sistemin arsimor të Shqipërisë aq më tepër në Spitalin Universitar të Traumës apo Universitetin e Mjekësisë që formimin e tyre në vite ta përçojnë tek brezit e rinj, pasi janë e ardhmja jonë”, theksoi Dogjani.

Studentja Blerida Elezaj në vitin e katërt Mjekësi e Përgjithshme tha se “eksperienca që ne përfitojmë në ciklin e ortopedisë traumatologjisë që  zhvillohen në SUT dhe jo vetëm si në bllokun operator, në qendrën e konsultave dhe urgjencës do të na shërbejnë më tutje për formimin tonë profesional”.

“Përgëzoj të gjithë profesorët tanë që janë marrë personalisht me ne për të na formuar si mjekë të përgjithshëm duke na dhënë të gjithë formimin e tyre klinik shumëvjeçar edhe ne”, tha studentja.

Klevi Bugallja student i vitit të katërt Mjekësi e Përgjithshme u shpreh se “pedagogët janë treguar të gatshëm për të na ndihmuar për të përvetësuar njohuritë tona si në bllokun operator edhe në atë preoperator dhe në konsulta”.

/k.s/j.p/

The post MSHMS: Mirënjohje mjekëve pedagogë që formojnë brezat e rinj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

7 Marsi, nderohet figura dhe kontributi i mësuesve

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Sot në të gjitha trevat shqiptare festohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit, e cilësuar si ngjarje me rëndësi arsimore dhe kulturore.

Kjo ditë e veçantë i kushtohet figurës së mësuesit dhe kontributit të tij në arsimimin dhe formimin e brezave.

Dita e Mësuesit i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve dhe në këtë ditë, të gjithë së bashku nderojmë traditat më të mira të shkollës kombëtare shqipe, si dhe të figurës së mësuesit.

Mësuesit shqiptarë në çdo kohë e në çdo krahinë kanë qenë jo thjesht profesionistë të arsimit, por në radhë të parë ishin patriotë dhe njerëz të emancipuar, humanë dhe artistë të fushave të ndryshme.

Më mars të vitit 1887 në Korçë u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Veç të tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive, në mënyrë të fshehtë. Që prej vitit 1960, 7 Marsi festohet në Shqipëri si Dita e Mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.

Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull.

Në shumë shkolla zhvillohen aktivitete festive, programe artistike dhe takime simbolike, ku vlerësohet puna dhe roli i mësuesit në shoqëri.

7 Marsi mbetet një simbol i rëndësishëm i dijes, përkushtimit dhe respektit për profesionin e mësuesit, duke rikujtuar çdo vit rëndësinë e arsimit në zhvillimin e vendit.

/k.s/j.p/r.e/

The post 7 Marsi, nderohet figura dhe kontributi i mësuesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: 7 Marsi i gjen mësuesit më të vlerësuar dhe me paga të rritura

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro uroi sot mësuesit me rastin e  7 Marsit, duke shprehur mirënjohjen për punën e tyre të palodhur, për durimin, për dashurinë dhe për besimin që i japin çdo ditë brezit të ri.

“Këtë vit, detyra ma kërkon t’ju drejtohem si ministre, por zemra më shtyn t’ju flas si një prej jush. Sepse arsimi është një profesion që vërtet ushtrohet deri në një farë moshe, por realisht mbetet një mision që të shoqëron gjatë gjithë jetës dhe modeli i secilit përcillet ndër breza”, tha Kumbaro në mesazhin drejtuar mësuesve.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “më vjen mirë që ky 7 Mars, ju gjen më të vlerësuar, me paga të rritura, falë një tjetër rritjeje që ka nisur që nga janari; me disa nga ngërçet ligjore të zgjidhura për mësuesit e diplomuar para vitit 2017, me përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar mjediset ku zhvillohet procesi mësimor, me personel mbështetës që lehtëson punën tuaj. Por, mbi të gjitha, ju gjejmë me të njëjtin përkushtim dhe me të njëjtën përgjegjësi të madhe që mbart profesioni i mësuesit. Një përgjegjësi që zyrtarisht mund të mbyllet në orën 2 apo 3 të pasdites, por që në të vërtetë vazhdon moralisht gjatë gjithë ditës – 24 orë në 24”.

Ne, vijoi Kumbaro, e dimë se në një kohë ku teknologjia shpesh konkurron vëmendjen dhe durimin e nxënësve, nuk është e lehtë të jesh mësues, por roli juaj bëhet edhe më i rëndësishëm: të orientoni brezat e rinj drejt dijes, mendimit kritik dhe vlerave që ndërtojnë një shoqëri më të mirë.

Duke u shprehur mirrënjohjen mësuesve, Kumbaro tha se “një falënderim të veçantë e kam për mësuesit e rinj, për ata që kanë lindur pas viteve ’90 dhe që, në një botë plot mundësi e zgjedhje të tjera profesionale, kanë vendosur të zgjedhin pikërisht mësuesinë”.

“T’ju kemi ju në shkolla është një shenjë shprese për arsimin shqiptar, sepse sillni energji të reja, ide të reja dhe një mënyrë të re komunikimi me brezin e nxënësve që po rritet sot.
Faleminderit për gjithçka që bëni për fëmijët tanë dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Ju paçim të palodhur, me shpirtin plot dritë e me pasion të pashtershëm”, tha Kumbaro.

Sot në të gjitha trevat shqiptare festohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit, e cilësuar si ngjarje me rëndësi arsimore dhe kulturore. Kjo ditë e veçantë i kushtohet figurës së mësuesit dhe kontributit të tij në arsimimin dhe formimin e brezave.

/k.s/j.p/

The post Kumbaro: 7 Marsi i gjen mësuesit më të vlerësuar dhe me paga të rritura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spahiu për ATSH-në: 61 specie dhe mbi 93 mijë shpendë ujorë dimërues në Shqipëri

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Si çdo vit në 34 pika vrojtimi si liqene, rezervuare, laguna dhe këneta në të gjithë vendin u realizua Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues.

Ky proces synon monitorimin e popullatave të shpendëve ujorë dimërues, përshkrimin e madhësisë së këtyre popullatave, përcaktimin e ligatinave me rëndësi ndërkombëtare, si dhe sigurimin e informacionit për mbrojtjen dhe menaxhimin e tyre.

Drejtoresha e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, Juxhina Spahiu tha sot për ATSH-në se “nga monitorimi i kryer nga 102 specialistë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të shoqëruar nga ekspertë, studentë dhe shumë vullnetarë rezulton se në vitin 2026 janë evidentuar gjithsej 61 specie shpendësh ujorë dimërues, me një numër total prej 93 667 individësh”.

“Vendnumërimet me numrin më të madh të shpendëve rezultojnë të jenë zona e Divjakë–Karavastasë, liqeni i Shkodrës dhe Kune-Vain, të cilat konsiderohen ndër ligatinat më të rëndësishme për shpendët ujorë në vend. Konkretisht nga numërimi i kryer në Divjakë-Karavasta rezultuan 24 152 shpendë, në Vjosë Nartë 11 136 shpendë, në Liqenin e Shkodrës 17 432 shpendë dhe në Kune Vain 8736 shpendë”, tha Spahiu.

Sipas saj, gjatë censit janë identifikuar edhe disa specie të kërcënuara, mes të cilave pelikani kaçurrel, karabullaku i vogël, çafka e bardhë e vogël, çafka e madhe e bardhë, murrcaku, sqepbiza, pulëbardha rozë, pulëbardha këmbëverdhë dhe dallandyshja e detit e madhe.

Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues realizohet në Shqipëri që nga viti 2016 nga AKZM në bashkëpunim me ekspertë ornitologë.

Sipas të dhënave ndër vite rezulton se në vitin 2016 u regjistruan 60 specie me 98 564 individë, ndërsa numri më i lartë i individëve është shënuar në vitin 2017, me 165 268 shpendë nga 64 specie.

“Prezenca e shpendëve ujorë dimërues  në vendin tonë, është e lidhur me kushtet e motit në vendet nga ku nisen drejt vendit tonë. Sa më të larta temperaturat në këto vende aq më i vogël është numri i këtyre shpendëve që monitorohen në vendin tonë”, tha Spahiu.

Censi i Shpendëve Ujorë Dimërues është një aktivitet shkencor që ndikon drejtpërdrejt në menaxhimin e qëndrueshëm të habitateve natyrore dhe kontribuon në ruajtjen e biodiversitetit të pasur të Shqipërisë.

/k.s/j.p/r.e/

The post Spahiu për ATSH-në: 61 specie dhe mbi 93 mijë shpendë ujorë dimërues në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 6 March 2026Main stream

UN Women në Shqipëri: Gratë dhe vajzat të kenë akses të plotë në drejtësi dhe mbrojtje ligjore

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Në Ditën Ndërkombëtare të Grave, UN Women në Shqipëri thekson rëndësinë e garantimit që gratë dhe vajzat të kenë akses të plotë në drejtësi dhe mbrojtje ligjore.

Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Grave, në kuadër të temës “Të drejta. Drejtësi. Veprim. Për të gjitha gratë dhe vajzat,” UN Women bën thirrje për veprim urgjent dhe të vendosur për t’i dhënë fund mosndëshkimit, për të mbrojtur shtetin ligjor, si dhe për ta bërë barazinë realitet në ligj, në praktikë dhe në çdo fushë të jetës për të gjitha gratë dhe vajzat.

Me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Avokatin e Popullit dhe UN Women në Shqipëri, organizuan një konferencë të nivelit të lartë ku diskutuan përparimin e bërë në lidhje me qasjen e grave në drejtësi në kontekstin e reformave të drejtësisë dhe angazhimeve ndërkombëtare.

Aktiviteti u mbështet nga qeveria e Suedisë, me pjesëmarrjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në forcimin e kornizës së saj ligjore për barazinë gjinore dhe eliminimin e diskriminimit. Megjithatë, të dhënat tregojnë se në praktikë ende ekzistojnë mangësi sa i përket aksesit të grave në drejtësi.

Këto sfida pasqyrohen në raportin e ri rajonal të UN Women “Aksesi i grave në drejtësi në Evropë dhe në Azinë Qendrore”.

Me gjithë përparimin e bërë si rezultat i reformës në drejtësi, gratë vazhdojnë të hasin barriera kur kërkojnë drejtësi në rastet që kanë të bëjnë me dhunën me bazë gjinore, zgjidhjen e martesës, mbështetjen për fëmijët, pasurinë dhe aspekte të tjera. Kostot e larta ligjore dhe të transportit, si edhe përgjegjësitë e përkujdesit për familjen, kufizojnë aftësinë e tyre për të kërkuar dhe marrë zgjidhje ligjore.

Gjykatat dhe qendrat e ndihmës ligjore shpesh janë të përqendruara në zonat urbane, duke ua bërë grave në zonat rurale më të vështirë aksesin në to. Ndërgjegjësimi i kufizuar për të drejtat ligjore dhe procedurat e ndërlikuara janë faktorë të mëtejshëm që shkurajojnë raportimin e diskriminimin me bazë gjinore. Për rrjedhojë, rastet e diskriminimit mbeten të padokumentuara mjaftueshëm.

Një raport monitorimi i vitit 2025 i Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare (QNL) analizoi 479 raste të dhunës në familje të gjykuara gjatë tre viteve të fundit në shtatë gjykata në Shqipëri. Në raport evidentohet se vetëm 108 viktima, ose 22 për qind e rasteve, ishin të përfaqësuara me avokat, ndërsa 371 gra morën pjesë në procedura ligjore pa pasur përfaqësim ligjor. Vetëm shtatë gra përfituan ndihmë juridike të financuar nga shteti. Në rastet kur gratë kishin përfaqësim ligjor, gjykatat miratuan urdhra mbrojtjeje pothuaj çdo rast. Kjo tregon se qasja në ndihmë juridike shton në mënyrë të konsiderueshme gjasat për mbrojtje dhe se procedurat e tanishme për ndihmë juridike falas duhet t’i përgjigjen më mirë natyrës urgjente të rasteve të dhunës në familje.

Të dhënat nga Observatori i Femicidit pranë Avokatit të Popullit, i cili u krijua në vitin 2024 me mbështetjen e UN Women theksojnë nevojën urgjente për forcimin e mbrojtjes dhe mekanizmave të reagimit të hershëm.

Në vitin 2024, Observatori analizoi 18 raste të dhunës ekstreme ndaj grave dhe vajzave, përfshirë pesë vrasje të grave, nga të cilat tre të klasifikuara si femicide, gjashtë vrasje të mbetura në tentativë, tre raste plagosjesh të rënda me dashje dhe katër raste shkaktim për vetëvrasje.

Në 72 % të rasteve, viktimat kishin përjetuar më parë dhunë, megjithatë asnjë prej tyre nuk ishte nën masa aktive mbrojtjeje në momentin e krimit. Këto gjetje nxjerrin në pah boshllëqe të rëndësishme në identifikimin e hershëm të rrezikut, në parandalim dhe në reagimin institucional ndaj dhunës ndaj grave.

Këto të dhëna tregojnë se vetëm ligjet nuk mjaftojnë. Urdhrat e mbrojtjes duhet të zbatohen në mënyrë konsistente, rreziqet duhet të vlerësohen herët dhe institucionet duhet të punojnë së bashku për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.

Studimi rajonal trajton gjithashtu edhe sfidat e reja të shfaqura kohët e fundit, si dhuna e ushtruar përmes përdorimit teknologjisë, si dhe thekson nevojën për reforma në sistemet e drejtësisë dhe përpjekje për modernizim, për të vlerësuar mënyrën se si ndikohen prej tyre gratë dhe grupet e tjera të pafavorizuara.

Ai thekson rëndësinë që ka ekzistenca e një ndihme juridike të aksesueshme, e institucioneve të drejtësisë me ndjeshmëri gjinore, të dhënave të besueshme dhe investimeve për mbështetjen e të mbijetuarave, në mënyrë që të drejtat e garantuara me ligj të realizohen në praktikë.

Reformat në drejtësi dhe procesi në vijimësi i integrimit evropian të Shqipërisë ofrojnë mundësi të rëndësishme për integrimin e konsideratave gjinore në sistemin e drejtësisë, dhe sidomos për të siguruar mbështetjen në kohë dhe efektive për viktimat e dhunës.

Në këtë kohë kur që bashkësia ndërkombëtare po përgatitet për Sesionin e 70-të të Komisionit për Statusin e Grave – organi më i lartë ndërqeveritar i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e grave, qeveritë kanë mundësinë që të rikonfirmojnë përkushtimin e tyre për të garantuar që qasja në drejtësi të bëhet realitet për çdo grua dhe vajzë.

Në këtë aktivitet, që do të zhvillohet nga 9 deri më 19 mars, Shqipëria do të paraqesë përparimin e vendit në kuadër të temës “Sigurimi dhe forcimi i aksesit në drejtësi për të gjitha gratë dhe vajzat, përfshirë përmes promovimit të sistemeve të drejtësisë që janë përfshirëse dhe i trajtojnë njerëzit në mënyrë të barabartë; eliminimit të ligjeve, politikave dhe praktikave diskriminuese; dhe përmes adresimit të barrierave strukturore”.

/k.s/j.p/

The post UN Women në Shqipëri: Gratë dhe vajzat të kenë akses të plotë në drejtësi dhe mbrojtje ligjore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nxënësit e shkollave të Shkodrës shprehin talentin përmes programit “Art dhe Zeje”

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Nxënësit e shkollave 9-vjeçare në Shkodër po zhvillojnë talentet e tyre përmes programit “Art dhe Zeje”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga panairi i organizuar me rastin e festës së 7 Marsit.

Rama tha se në këtë panair nxënësit shprehin talentin e tyre dhe zbulojnë prirjet përmes programit “Art dhe Zeje”.

“Në këtë javë që i kushtohet Mësuesit, Zyra Vendore e Arsimit Shkodër organizoi Panairin “Këshillim në Karrierë e Art dhe Zeje”, një aktivitet që mblodhi në një hapësirë të vetme kreativitetin, talentin dhe pasionin e nxënësve”, theksoi Rama.

Programi “Art dhe Zeje” zbatohet me sukses në mbi 200 shkolla në të gjithë Shqipërinë.

Ai ka për qëllim inkurajimin e mësimit të punimeve të artit dhe atyre artizanale përmes veprimtarive praktike, nxitjen e aftësive sipërmarrëse të nxënësve në perspektivën e ruajtjes dhe të promovimit të vlerave të komunitetit ku jetojnë, si dhe të trashëgimisë sonë kulturore në pikturë, vegla muzikore, zeje, teatër, sport, teknologji, etj.

/k.s/j.p/

The post Nxënësit e shkollave të Shkodrës shprehin talentin përmes programit “Art dhe Zeje” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi, Ditë të Hapur me rastin e 7-8 Marsit

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Me rastin e Ditës së Mësuesit dhe Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Kuvendi i Shqipërisë organizoi një “Ditë të Hapur” në ambientet e sallës së seancave plenare, duke mirëpritur nxënës, mësues dhe qytetarë që patën mundësinë të njihen nga afër me institucionin dhe rolin e tij në jetën demokratike të vendit.
Gjatë vizitave, pjesëmarrësit u njohën me historinë dhe funksionimin e Kuvendit, si edhe me rrugëtimin e grave në historinë parlamentare të Shqipërisë.
Pjesëmarrësit u njohën me kontributin e jashtëzakonshëm të grave në Kuvend, duke reflektuar mbi sfidat dhe mundësitë që ato kanë pasur për të marrë pjesë në proceset vendimmarrëse dhe duke vlerësuar arritjet e tyre në drejtimin e institucioneve të shtetit.
Aktiviteti u zhvillua nga Shërbimi i Edukimit Qytetar të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim afrimin e qytetarëve me institucionet demokratike dhe promovimin e edukimit qytetar, duke theksuar rëndësinë e arsimit, barazisë dhe pjesëmarrjes aktive në jetën publike.
Përmes këtij aktiviteti, Kuvendi i Shqipërisë inkurajoi një lidhje më të ngushtë mes qytetarëve dhe institucioneve shtetërore, duke nxitur një kulturë aktive të angazhimit dhe informimit.
Të rinjtë, në veçanti, morën një mësim të rëndësishëm rreth rolit që ata mund të luajnë në përforcimin e demokracisë, duke pasur një njohuri më të thelluar për historinë, funksionimin dhe vlerat që mbështesin Kuvendin dhe institucionet e tjera të shtetit.
/k.s/j.p/

The post Kuvendi, Ditë të Hapur me rastin e 7-8 Marsit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rregullat e ndarjes së mbetjeve nisin nga qytetarët, bashkitë do të sigurojnë kontejnerët e posaçëm

TIRANË, 6 mars/ATSH/  Ministria e Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik projektvendimin e ri që detyron bashkitë të nisin grumbullimin e diferencuar në burim.

Ky vendim vjen pas miratimit vitin e shkuar të ligjit të ri për menaxhimin e mbetjeve, i cili synon kalimin drejt ekonomisë qarkulluese dhe reduktimin e mbetjeve që përfundojnë në landfille.

Sipas relacionit shpjegues të projektvendimit synimi kryesor është reduktimi drastik i sasisë së mbetjeve që përfundojnë në landfille dhe rritja e nivelit të riciklimit. Dokumenti shfuqizon një vendim të ngjashëm të vitit 2014, duke vendosur rregulla, afate dhe objektiva shumë më të rrepta.

Grumbullimi i diferencuar nuk do të jetë i njëtrajtshëm, por do të përshtatet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Bashkitë duhet të hartojnë grafikët dhe oraret e grumbullimit, duke marrë në konsideratë: dendësinë e popullsisë së zonës, llojin e rrymës së mbetjeve, infrastrukturën dhe kushtet teknike ekzistuese.

Synimi sipas këtij projektvendimi të hedhur për konsultim publik është që sasia e mbetjeve që riciklohen të rritet gradualisht, nga 25% që është minimalja e parashikuar, deri në vitin 2030 të arrihet në 65% deri në vitin 2045.

Ndryshimi më i madh që do të prekë përditshmërinë e qytetarëve është detyrimi për t’i ndarë mbetjet sipas fraksioneve të tyre. Letra, kartoni, qelqi, metali, plastika dhe mbetjet organike (bio) nuk do të mund të hidhen më në një kosh të vetëm.

Për këtë qëllim, njësitë e vetëqeverisjes vendore do të duhet të sigurojnë kontejnerë dhe pajisje të posaçme, të cilat do të jenë të standardizuara sipas ngjyrave dhe etiketave të njohura në të gjithë Evropën.

Kjo masë synon të parandalojë përzierjen e mbetjeve të riciklueshme me ato të pariciklueshme, duke ruajtur cilësinë e materialeve për industrinë e riciklimit.

Për të matur suksesin e kësaj nisme, qeveria ka vendosur një kalendar afatgjatë me objektiva të qarta për riciklimin dhe përgatitjen e mbetjeve për ripërdorim. Shqipëria synon të riciklojë: 25% të mbetjeve deri në vitin 2030; 50% deri në vitin 2033; 55% deri në vitin 2035; 60% deri në vitin 2040; 65% deri në vitin 2045.

Ndërkohë, mbetjet elektronike dhe bateritë do t’i nënshtrohen një regjimi të veçantë juridik, bazuar në parimin e “përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit”.

Operatorët privatë të menaxhimit të mbetjeve do të detyrohen të raportojnë çdo datë 15 shkurt pranë bashkive për sasitë dhe llojet e mbetjeve të grumbulluara.

Më pas, bashkitë kanë afat deri më 28 shkurt për t’i dërguar këto të dhëna në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM), e cila në fund të muajit maj do të publikojë raportin vjetor kombëtar.

/k.s/j.p/

The post Rregullat e ndarjes së mbetjeve nisin nga qytetarët, bashkitë do të sigurojnë kontejnerët e posaçëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja takim me Ploß në ITB Berlin: Synojmë rritjen e cilësisë dhe zgjatjen e sezonit turistik

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Në kuadër të panairit Ndërkombëtar të Turizmit, ITB Berlin 2026 në stendën “Albania All Senses” minstri i turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja u takua me Christoph Ploß, Koordinator Federal i Qeverisë Gjermane për Ekonominë Detare dhe Turizmin.

Gjatë takimit Gonxhaj dhe Ploß diskutuan mbi dinamikën e tregut gjerman drejt Shqipërisë dhe trendet e reja të zhvillimit të sektorit turistik.

“Pjesë e bisedës ishte menaxhimi i qëndrueshëm i destinacioneve, zhvillimi i produkteve turistike me vlerë të shtuar dhe pozicionimi i Shqipërisë në ofertën turistike të rajonit, në funksion të rritjes së cilësisë së përvojës turistike dhe zgjatjes së sezonit”, tha Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Shqipëria u prezantua nga 3-5 marsi në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin 2026. Për Shqipërinë, ITB Berlin 2026 nuk ishte thjesht një panair promovimi, por një pasqyrë ku shihet e ardhmja e turizmit.

/k.s/j.p/

 

/k.s/

The post Gonxhja takim me Ploß në ITB Berlin: Synojmë rritjen e cilësisë dhe zgjatjen e sezonit turistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Startup Albania” paraqet në Elbasan Grant 2026, në fokus sektori digjital dhe i gjelbër

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Në ambientet e bashkisë Elbasan u zhvillua prezantimi i thirrjes Grant 2026 nga Startup Albania, një program kombëtar mbështetës financiar për startup-et dhe aktorët e inovacionit në Shqipëri.

Aktiviteti u zhvillua në prani të maturantëve, studentëve dhe përfaqësuesve të biznesit lokal, si pjesë e një turi informues që po organizohet në disa qytete të vendit.

Thirrja është e hapur për aplikantë nga i gjithë territori i Shqipërisë dhe synon të nxisë zhvillimin e ideve inovative, veçanërisht në sektorin digjital dhe atë të gjelbër, të cilët janë edhe fushat prioritare të Grant 2026.

Fondi i alokuar për këtë vit arrin në 300 milionë lekë, duke ofruar financim dhe mentorim profesional për të rinjtë që duan të kthejnë idetë e tyre në biznese të qëndrueshme.

I pranishëm në aktivitet, kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se kjo është hera e dytë që ky bashkëpunim realizohet në Elbasan, në koordinim me Ministrinë e Ekonomisë, me fokus mbështetjen e të rinjve.

Sipas tij, gjatë vitit të kaluar pesë të rinj nga Elbasani aplikuan dhe përfituan nga skema e granteve, duke hapur bizneset e tyre kryesisht në fushën e IT-së.

Ai nënvizoi se qyteti ka potencial të lartë për zhvillim në këtë drejtim, duke përmendur edhe praninë e universitetit dhe fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, si dhe nismat e ndërmarra në shkollat e mesme përmes konkurseve të teknologjisë dhe shkencës.

“Ky grant është një mundësi reale për të përfituar financim për idetë tuaja dhe për t’i kthyer ato në biznese konkrete. Qeveria shqiptare dhe bashkia e Elbasanit po i mbështesin fort të rinjtë që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu”, u shpreh Llatja.

Në aktivitet mori pjesë edhe drejtuesi politik i qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku, i cili vlerësoi rolin e Elbasanit si një ndër bashkitë më aktive në mbështetjen e rinisë dhe inovacionit.

Ai theksoi se rezultatet e vitit të kaluar tregojnë se skema funksionon dhe se brenda një viti janë krijuar biznese të reja nga përfituesit. Sipas tij, zhvillimet teknologjike dhe inteligjenca artificiale kanë ulur ndjeshëm barrierat teknike për realizimin e ideve, duke krijuar më shumë hapësirë për kreativitet dhe vendosmëri.

“Jemi në një moment ku limitet nuk i vendos teknologjia, por i vendosin ëndrrat dhe vullneti juaj. Idetë që bëhen të suksesshme janë ato që janë të mira dhe kanë qëndrueshmëri në kohë”, u shpreh Mazniku.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin gjithashtu deputetët Evis Kushi, Sara Mila, Aulona Bylkbashi dhe Adi Qose.

Grant 2026 synon të forcojë ekosistemin e startup-eve në Shqipëri, duke mbështetur financiarisht idetë inovative në sektorin digjital dhe të gjelbër, dhe duke krijuar mundësi konkrete për të rinjtë që duan të ndërtojnë bizneset e tyre në vend.

/k.s/

The post “Startup Albania” paraqet në Elbasan Grant 2026, në fokus sektori digjital dhe i gjelbër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Ekspozimi i mozaikëve, dëshmi të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Mozaiku i Tiranës është një nga thesaret e arkeologjisë shqiptare dhe ruan copëza të historisë sonë të antikitetit.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, tha sot se në këtë monument do të ekspozohen për publikun mozaikët e mbyllur të periudhës së antikitetit dhe të antikitetit të vonë të cilat gjenden në sitet tona më të rëndësishme arkeologjike.

“Aktualisht në laboratorët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore po punohet për pastrimin, konservimin dhe përgatitjen e materialeve e gjetjeve gjatë sondazheve të vitit 2021, për ekspozimin e tyre, që do të sjellin më pranë publikut dëshmi të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore”, theksoi Gonxhja

Mozaiku i Tiranës daton që prej shek. III dhe është zbuluar në vitet ’70 të shekullit të kaluar gjatë punimeve për ndërtimin e një blloku pallatesh.

Zona e këtij mozaiku është një hapësirë e re moderne që shërben si platformë për prezantimin e mozaikëve më të rëndësishëm, ndërsa po kthehet në një destinacion të rëndësishëm kulturor për Tiranën.

Në kushte optimale konservimi dhe përmes programeve edukative me fëmijët e të rinjtë, kjo hapësirë vjen si një dritare e re e interpretimit bashkëkohor të trashëgimisë sonë arkeologjike.

Kjo godinë, përpos historikut të saj, shërben edhe si pikë informacioni vizuale për të gjithë mozaikët që mbart nëntoka e pasur arkeologjike shqiptare.

Revista prestigjioze e arkitekturës ArchDaily e ka nominuar Mozaikun e Tiranës për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026”.

/k.s/j.p/

The post Gonxhja: Ekspozimi i mozaikëve, dëshmi të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Ndryshime në ligjin e arsimit parauniversitar, Kumbaro: I japim zgjidhje shqetësimit të pagesës për 6761 mësues

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro kërkoi sot gjatë seancës së Kuvendit mbështetjen e deputetëve për ndryshimet në ligjin e arsimit parauniversitare që zgjidh shqetësimet për trajtimin financiar të të gjithë mësuesve të punësuar në sistemin arsimor përpara vitit 2017.

“Një nga ndryshimet kryesore, lidhet me standardizimin dhe harmonizimin e normave ligjore për trajtimin financiar të personelit mësimdhënës që janë punësuar përpara datës 01 mars 2017 më kohë të plotë dhe pa afat dhe që zotërojnë diploma që referuar ligjit “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, diplomat e tyre nuk ekuivalentohen me 8 semestra, për shkak të kohëzgjatjes së programeve të studimit. Janë 6,761 punonjës mësimorë që do të përfitojnë nga kjo nismë, lidhur me trajtimin e barabartë të kësaj kategorie në raport me personelin mësimdhënës”, tha Kumbaro.

Ministrja theksoi se ky propozim që paraqitet sot vjen në kuadrin e politikave të Qeverisë Shqiptare për mbështetjen e personelit mësimdhënës, si një element kyç në edukimin e brezit të ri dhe formimin e së ardhmes.

“Ky hendek lindi pas rritjes historike të pagave që qeveria shqiptare ndërmori në korrik të vitit 2024, kur për herë të parë pagat e punonjësve arsimorë pësuan një rritje shumë kuptimplotë, duke e çuar pagën mesatare të një mësuesi deri në 950 euro. ka qenë në vullnetin e Ministrisë së Arsimit që nga dita 1 për t’i dhënë rrugëdalje këtij problemi;
Por kjo çështje, teksa po gjendej zgjidhja ligjore, u dërgua nga një grup interesi në Gjykatën Kushtetuese, duke sjellë bllokimin e këtij procesi deri në shprehjen e Gjykatës.
Me t’u shprehur instanca më e lartë e drejtësisë, sigurisht rimorëm këtë kauzë duke punuar bashkë me ekipin e Ministrisë së Arsimit shumë intensivisht gjatë këtyre javëve”, vijoi ministrja e Arsimit.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Kumbaro kërkoi gjithashtu mbështetjen për një shtrirje më të gjerë dhe gjithëpërfshirëse të programit “Pas shkolle” .

“Programi “Pas Shkolle” synon ta shndërrojë shkollën në një mjedis komunitar, social dhe edukativ, ku fëmijët të kenë mundësi të zhvillojnë talentet e tyre përmes veprimtarive jashtëkurrikulare, të qëndrojnë larg ndikimit të tepruar të ekraneve dhe të ndihen të sigurt e të mbikëqyrur edhe përtej orarit mësimor dhe kërkon një bazë të qartë ligjore dhe rregullatore.

Bazuar në përvojat dhe shembujt e vendeve anëtare të OECD-së, si dhe në literaturën e disponueshme profesionale dhe shkencore, veprimtaritë pas shkollës synojnë të krijojnë një mjedis të pasur dhe të sigurt për nxënësit.

Ne besojmë se, me mbështetjen tuaj, “Pas Shkolle” mund të shtrihet në mënyrë graduale dhe të strukturuar në të gjithë sistemin parauniversitar, duke u kthyer në një model të qëndrueshëm që i shërben jo vetëm fëmijëve, por edhe familjes dhe komunitetit në tërësi”, tha ministra Kumbaro.

Ministrja Kumbaro njoftoi se nga viti tjetër, pjesë e olimpiadave kombëtare, do të jetë edhe olimpiada e gjuhëve të huaj.

/k.s/j.p/

The post Ndryshime në ligjin e arsimit parauniversitar, Kumbaro: I japim zgjidhje shqetësimit të pagesës për 6761 mësues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sala: Shërbime sociale të reja në 12 bashki, përfitojnë 2 500 qytetarë në nevojë

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala në bashkëbisedimin me gazetarët u ndal edhe tek mirëqenia sociale duke theksuar se po kalohet nga programet e asistencës sociale pasive te fuqizimi ekonomik i grupeve vulnerabël.

“Qëllimi ynë është i qartë për integrimin e përfituesve të mbrojtjes sociale në ekonomi përmes shërbimeve të kujdesit. Në këtë program të ri do të përfshijmë të gjitha aktivitetet që lidhen me kujdesin për njerëzit – si fëmijët në risk, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe kryesisht gratë në nevojë”, tha Sala.

Kjo, vijoi Sala, do të ndikojë, duke krijuar përmirësim të cilësisë së jetës, punësim, pavarësi ekonomike, dinjitet social dhe mirëqenie sociale.

Sala u ndal edhe tek zgjerimi i Shërbimeve Sociale si një investim në njerëz.

“Në vitin 2026, përmes Fondit Social do të ngrihen 14 shërbime të reja sociale, me rreth 2,500 përfitues, të moshuar të braktisur, fëmijë në nevojë, persona me aftësi të kufizuara, gra e vajza viktima të dhunës e trafikimit. Shërbimet do të shtrihen në 12 bashki të vendit, si dhe dy shërbime të specializuara të munguara në Tiranë. Njëra do të jetë një Qendër Rajonale për të rinjtë me spektër të autizmit dhe Qendra tjetër do të mundësojë përgjigjen për çdo situatë emergjente për fëmijët e rikthyer, apo fëmijët në situatë rruge”, nënvizoi ministrja.

Sipas saj, ky është një model partneriteti me pushtetin vendor, pasi qëndrueshmëria dhe vijueshmëria e këtyre shërbimeve është thelbësore.

Ministrja Sala foli edhe për ligjin për Barazinë Gjinore, i cili sipas saj zgjeron detyrimet për institucionet publike dhe sektorin privat, e bën integrimin gjinor detyrim në hartimin e çdo politike publike, njeh për herë të parë punën e papaguar dhe ekonominë e përkujdesit si pjesë reale të kontributit ekonomik, si dhe parashikon kalimin gradual drejt përfaqësimit 50% për secilën gjini në vendimmarrje.

Teksa u ndal edhe tek ligji për “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”,  Sala tha se “Ky ligj  parashikon mbrojtjen nga të gjitha format e dhunës dhe përfaqëson një angazhim të qartë për mbrojtjen e jetës, dinjitetit dhe sigurisë së grave, vajzave, fëmijëve, moshës së tretë dhe personave me aftësi të kufizuara”.

Ndërsa Ligji për Kujdesin Alternativ, vijoi Sala, dikton transformimin e institucioneve rezidenciale, mundëson krijimin dhe mbështetjen financiarisht të familjeve kujdestare të cilat do të trajtojnë në mjedis familjar çdo fëmijë në nevojë apo me paaftësi të cilët ndodhen jashtë kujdesit prindëror”.

/k.s/j.p/

The post Sala: Shërbime sociale të reja në 12 bashki, përfitojnë 2 500 qytetarë në nevojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sala: Shërbimi Onkologjik drejt riorganizimit, miratuam 38 protokolle të unifikuara trajtimi

TIRANË, 5 mars/ATSH/  Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala e cilësoi sot reformimin e Shërbimit Onkologjik, prioritet kombëtar duke theksuar se sëmundjet tumorale janë një sfidë globale, pasi kanceri po bëhet një sëmundje kronike.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Sala tha se “për këtë arsye 2026 është viti i riorganizimit të plotë të shërbimit onkologjik”.

“Kemi ngritur grupin e punës për krijimin e Institutit Kombëtar të Kancerit dhe Rrjetit Kombëtar të Sëmundjeve Tumorale. Kemi nisur analizën e plotë të situatës aktuale siç thashë diagnostikimi është një fillim shumë i mirë. Për këtë po shohim shpërndarjen e sëmundshmërisë sipas rajoneve, kapacitetet në nivel tercial dhe rajonal si dhe nevojat për infrastrukturë, pajisje dhe barna”, nënvizoi Sala.

Ministrja Sala bëri të ditur se “nga bordi i Tumoreve të QSUNT në bashkëpunim me Institutin Nacional të Tumoreve në Milano kemi miratuar 38 protokolle të unifikuara trajtimi”.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, vijoi Sala, u dyfishuan kapacitetet trajtuese në njësinë e kimioterapisë ditore në Shërbimin Onkologjik nëpërmjet një bashkëpunimi shumë të mirë mes buxhetit të shtetit dhe donatorëve.

“Me të njëjtën formulë brenda 2026 do të përfundojë rikualifikimi i 6 punkteve rajonale të kimioterapisë në kuadër të Rrjetit Kombëtar të Sëmundjeve Tumorale. Dhe 6 punkte të tjera në total 12, do të rikualifikohen në vijim”, tha Sala.

Ministrja Sala vuri në dukje se ministria që ajo drejton ka rinovuar dhe zgjeruar bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe kjo është fokusuar në tre drejtime kryesore.

“Së pari, ardhja e akseleratorit të tretë, i cili është instaluar po bëhet kolaudimi nga ekspertët bërthamorë dhe do të nisë së shpejti funksionimin”, tha Sala

“Së dyti, përditësimi i dy software akseleratorëve ekzistues i ngre në një nivel shumë të lartë teknik për trajtimin e pacientëve”, tha Sala.

Ministrja Sala tha se “do të kemi akseleratorë funksionalë totalisht të përditësuar, trajnimi i stafit për leximin e ekzaminimeve të Pet Scan”.

Gjithashtu Sala bëri të ditur se “problem ekzistues është aparatura e brakiterapisë, e cila brenda vitit do të instalohet e re, moderne dhe do të vihet në punë falë bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala në konferencë shtypi, foto: Andrin H...
1 nga 10

/k.s/j.p/

The post Sala: Shërbimi Onkologjik drejt riorganizimit, miratuam 38 protokolle të unifikuara trajtimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja takime në ITB Berlin me partnerë të industrisë së turizmit dhe transportit ajror

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin 2026 ka zhvilluar në stendën e Shqipërisë “Albania all Senses” takime me partnerë të rëndësishëm të industrisë ndërkombëtare të turizmit dhe transportit ajror.

Gonxhja ka biseduar me drejtues të partnerëve si ADAC, Apollo Nordic, International Airlines Group (IAG) dhe Koordinatorin Federal të Gjermanisë për Ekonominë Detare dhe Turizmin.

Gonxhja tha se “diskutuam për rritjen e pranisë së Shqipërisë në tregun gjerman dhe nordik, zgjerimin e paketave turistike drejt vendit tonë, shtimin e lidhjeve ajrore nga tregje kyçe europiane, si dhe për fushata të përbashkëta promovimi për të pozicionuar Shqipërinë si një destinacion gjithnjë e më të kërkuar”.

Shqipëria po prezantohet nga 3-5 marsi në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin 2026. Për Shqipërinë, ITB Berlin 2026 nuk është thjesht një panair promovimi, por një pasqyrë ku shihet e ardhmja e turizmit.

/k.s/r.e/

The post Gonxhja takime në ITB Berlin me partnerë të industrisë së turizmit dhe transportit ajror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌