Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 February 2026Main stream

Ankandi i obligacioneve 2 miliardë lekë, Malaj: Kërkesa e investitorëve trefishoi ofertën

2 February 2026 at 19:22

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Ministria e Financave zhvilloi sot, ankandin e instrumentit obligacione 15-vjeçare. Shuma e shpallur nga Ministria ishte 2 miliardë lekë.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se kërkesa e investitorëve rezultoi rreth tri herë më e madhe se shuma e shpallur për emetim, duke reflektuar besim të shtuar në stabilitetin makroekonomik dhe në perspektivën afatmesme të financave publike.

Obligacionet 15-vjeçare, të emetuara nga qeveria shqiptare, konsiderohen instrumente me risk minimal, të përshtatshme për investime afatgjata nga institucionet financiare, fondet e pensioneve dhe investitorë të tjerë që kërkojnë siguri dhe kthime të qëndrueshme.

Tejkalimi i ofertës në ankand tregon se tregu është i gatshëm të financojë borxhin publik në maturitete më të gjata, duke ulur presionin e rifinancimit në afat të shkurtër.

“Këto obligacione të emetuara nga qeveria shqiptare ofrojnë siguri dhe risk zero, duke i bërë një zgjedhje tërheqëse për investime afatgjata”, deklaroi Malaj.

Interesi i lartë për këtë obligacion lidhet edhe me rënien graduale të yield-eve të titujve qeveritarë gjatë dy viteve të fundit. Kjo prirje është nxitur nga kërkesa më e moderuar për huamarrje nga ana e qeverisë dhe nga përmirësimi i perceptimit të riskut sovran, faktorë që kanë rritur pjesëmarrjen si të investitorëve vendas, ashtu edhe të atyre ndërkombëtarë.

Sipas projeksioneve fiskale, borxhi publik bruto pritet të vijojë trajektoren rënëse, duke zbritur në rreth 53,6% të PBB-së në vitin 2026, ndërsa në afat më të gjatë synohet një nivel rreth 46,4% në vitin 2031. Ky konsolidim fiskal forcon më tej besueshmërinë e instrumenteve afatgjata si obligacioni 15-vjeçar.

Në këtë kontekst, ankandi i suksesshëm i obligacionit 15-vjeçar shërben jo vetëm si burim financimi për buxhetin e shtetit, por edhe si një indikator i qartë i besimit të tregut në politikat fiskale dhe në stabilitetin ekonomik të vendit.

/a.f/r.e/

The post Ankandi i obligacioneve 2 miliardë lekë, Malaj: Kërkesa e investitorëve trefishoi ofertën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritje besimi në sektorët kryesorë ekonomikë në janar, konsumi pak i rezervuar

2 February 2026 at 12:51

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Bizneset në Shqipëri janë më optimiste për zhvillimin e aktiviteteve të tyre ekonomike në këtë fillimvit.

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) u rrit në muajin janar, duke qëndruar 10 pikë mbi mesataren historike, sipas vrojtimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë.

Sektori i industrisë shënoi rritje besimi me 4,8 pikë përqindje, për shkak të përmirësimit të prodhimit, rritjes së kontratave dhe eksporteve.

Besimi në ndërtim u rrit me 3,1 pikë përqindje, ndërsa sektori i shërbimeve regjistroi rritje prej 7,4 pikë dhe tregtia me 4,4 pikë përqindje. Për të gjithë këta sektorë, pritjet për të ardhmen mbeten optimiste.

Ndërkohë, besimi i konsumatorëve mbeti i pandryshuar krahasuar me muajin e mëparshëm, duke qëndruar rreth 1,4 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Vrojtimi tregon përmirësim në blerjet e mëdha, por konsumatorët janë pak më të rezervuar për situatën e tyre financiare personale dhe për ekonominë e vendit në të ardhmen.

Vrojtimi i Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit, i cili bashkëfinancohet nga Banka e Shqipërisë dhe Bashkimi Evropian, ofron të dhëna mujore për klimën ekonomike dhe pritshmëritë e aktorëve ekonomikë në vend.

1 nga 3

/a.f/r.e/

The post Rritje besimi në sektorët kryesorë ekonomikë në janar, konsumi pak i rezervuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga “Albbakër” te “Superfosfati”, shoqëritë tregtare shtetërore në likuidim

2 February 2026 at 12:33

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit (MEI) ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”, i cili synon zgjidhjen përfundimtare të një problematike të akumuluar ndër vite, lidhur me shoqëritë tregtare shtetërore që vijojnë të qëndrojnë për periudha shumëvjeçare në proces likuidimi, pa u çregjistruar përfundimisht.

Projektligji parashikon krijimin e një procedure të posaçme ligjore për përfundimin, mbylljen dhe çregjistrimin përfundimtar të këtyre shoqërive, si dhe përcaktimin e mekanizmave për trajtimin, administrimin dhe kalimin e aseteve dhe detyrimeve të tyre te një shoqëri shtetërore pasuese.

Qëllimi themelor i kësaj nisme ligjore është krijimi i një zgjidhjeje të qëndrueshme për adresimin e vështirësive të theksuara në administrimin e detyrimeve, pasurive dhe marrëdhënieve juridike të shoqërive tregtare shtetërore në likuidim, procese të cilat në shumë raste janë zgjatur për mbi 15-20 vjet.

Nëpërmjet këtij projektligji synohet përmbyllja përfundimtare juridike, financiare dhe administrative e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim, transferimi i të drejtave dhe detyrimeve të tyre te një subjekt shtetëror pasues, si dhe garantimi i vazhdimësisë juridike në marrëdhëniet me kreditorët dhe palët e treta. Njëkohësisht, ligji krijon kushte për një administrim më efikas dhe të centralizuar të aseteve dhe pjesëmarrjeve shtetërore.

Edhe pse projektligji nuk ishte parashikuar në programin analitik të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit apo në programin analitik të akteve normative, ai vlerësohet si i domosdoshëm për përmbylljen efektive të proceseve të likuidimit dhe për administrimin e rregullt të pasurive dhe detyrimeve shtetërore.

Aktualisht, në pronësinë dhe përgjegjësinë administruese të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit ndodhen disa shoqëri tregtare me kapital shtetëror mbi 51%, të cilat nuk ushtrojnë më veprimtari ekonomike dhe ekzistojnë kryesisht për administrimin e aseteve dhe trajtimin e detyrimeve të mbartura ndër vite. Mes tyre përfshihen “Albbakër” sh.a., “Albkrom” sh.a., “Albminiera” sh.a., “Prodhim Mobilie” sh.a., “Petrol Alba” sh.a., “Duhan–Cigare” sh.a., “Albkontroll” sh.a. (Durrës), “Superfosfat Kurbin” sh.a. dhe “Qendra e Regjistrimit të Aksioneve”.

Analiza e situatës financiare të këtyre shoqërive tregon se një pjesë e konsiderueshme e detyrimeve të raportuara janë shumë të vjetra, të parashkruara, të pajustifikuara ose të regjistruara pa dokumentacion mbështetës. Në të njëjtën kohë, këto shoqëri administrojnë pasuri të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme, si truall, objekte industriale, fabrika, depo dhe galeri minerare, vlera e të cilave tejkalon detyrimet reale të pagueshme.

/r.e/a.f/

The post Nga “Albbakër” te “Superfosfati”, shoqëritë tregtare shtetërore në likuidim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Pagat e gjyqtarëve të njëjta me ato të Greqisë, s’mund të përdorin pushtetin duke ushtruar presion

2 February 2026 at 10:58

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me kërkesën e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese nga dy shoqata gjyqtarësh për rritjen e pagave të gjyqtarëve, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe problematike nga pikëpamja e logjikës dhe e etikës institucionale.

Në një komunikim me qytetarët, Rama iu referua regjistrimit të një seance të Gjykatës Kushtetuese, të publikuar së fundmi, ku një gjyqtar dhe dy shoqata gjyqtarësh kanë kërkuar rritje të pagave mujore nga rreth 2 000 deri në 3 000 euro, duke përdorur, sipas tij, argumente që vënë në diskutim standardet e arsyetimit dhe përgjegjësisë publike.

Kryeministri u shpreh se dëgjimi i atij regjistrimi të lë “në vështirësi të madhe”, pasi bëhet fjalë për individë që kanë në dorë dhënien e drejtësisë, ndërkohë që arsyetimi i paraqitur para Gjykatës Kushtetuese është, sipas tij, “tejet për të dëshiruar”.

Rama theksoi se kjo nuk është çështje personale dhe se nuk synon polemikë me askënd, por ngriti shqetësimin se gjyqtarët, duke qenë të pavarur nga vota dhe llogaridhënia direkte publike, nuk mund të përdorin pushtetin e tyre për të ushtruar presion mbi pushtetet e tjera me qëllim rritjen e pagave.

Kryeministri theksoi se gjyqtarët në Shqipëri tashmë paguhen në nivele të barabarta me gjyqtarët në Greqi, një vend anëtar i Bashkimit Evropian, dhe se pagat e tyre janë 2 herë më të larta se ato të gjyqtarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Rama nënvizon se diskutimi për “ndërgjegjen” dhe “nivelin e demokracisë”, i ngritur nga disa prej gjyqtarëve gjatë seancës, është ironik dhe i pabazuar, ndërsa theksoi se demokracia nuk forcohet përmes vendimmarrjes në interes vetjak, por përmes përgjegjësisë dhe respektimit të balancës së pushteteve.

Ai shtoi se Shqipëria ndodhet përballë një situate paradoksale, ku gjyqtarët synojnë të imponohen mbi dy pushtetet e tjera, duke krijuar një precedent të rrezikshëm institucional.

Ai kujtoi se sistemi i referencës i miratuar në vitin 2016 kishte një qëllim të qartë dhe të kufizuar në kohë: forcimin e pavarësisë së gjyqësorit në kuadër të reformës në drejtësi, përmes pagave më të larta se ato të funksionarëve të tjerë, si sinjal i fortë i vullnetit shtetëror për një drejtësi të pavarur dhe të respektuar.

“Ky mekanizëm u ndërtua për të reflektuar ndryshimet reale të çmimeve dhe zhvillimet ekonomike, jo për t’u shndërruar në një privilegj të përhershëm që gjyqtarët ta vendosin vetë”, nënvizoi Kryeministri.

Shqipëria, sipas tij, mbetet ndër të paktat vende ku gjyqtarët paguhen më shumë se Presidenti, deputetët dhe drejtuesit e tjerë të lartë të shtetit.

“Shqipëria mbetet praktikisht i vetmi vend ku gjyqtarët përfitojnë paga më të larta se të gjithë funksionarët e tjerë të shtetit, përfshirë edhe Presidentin e Republikës. Kërkesat aktuale parashikojnë rritje prej rreth 1 800 euro për gjyqtarët e shkallës së parë, rreth 2 000 euro për gjyqtarët e Apelit dhe deri në 3 000 euro për gjyqtarët e SPAK-ut, BKH-së dhe strukturave të lidhura me to. Vlen të theksohet se SPAK nuk i është bashkuar kësaj nisme, e cilësuar nga shumëkush si e pabazuar dhe e tepruar, çka përbën një akt përgjegjshmërie institucionale dhe meriton respekt”, deklaroi Rama.

Në këtë kontekst, Rama kritikoi ashpër edhe argumentin e paraqitur gjatë seancës, sipas të cilit gjyqtarët “sjellin të ardhura” në buxhetin e shtetit përmes gjobave dhe konfiskimeve, duke pretenduar se kjo justifikon rritjen e pagave.

Ai e cilësoi këtë arsyetim si absurd dhe të rrezikshëm, pasi hap rrugën për një logjikë ku edhe administrata tatimore, doganat apo policia mund të kërkojnë paga më të larta bazuar në të ardhurat që gjenerojnë, madje deri në përvetësimin e gjobave.

“Po mësuesit, infermierët, pensionistët dhe punonjësit e tjerë të shtetit që nuk prodhojnë të ardhura të drejtpërdrejta, por mbajnë shoqërinë në këmbë? Si justifikohet përballë tyre përdorimi i rreth 37 milionë eurove për rritje pagash që e çojnë gjyqësorin shqiptar mbi nivelin e shumë vendeve të Bashkimit Evropian?!”, shtroi Rama.

Kryeministri shprehu besimin që kjo çështje të mos kthehet në një njollë të rëndë për shtetin shqiptar dhe që sistemi i drejtësisë të mos detyrojë institucionet të kërkojnë “ilaçe të tjera” për të korrigjuar një situatë që, sipas tij, rrezikon të dalë jashtë çdo norme logjike dhe morale.

“Shpresoj shumë që Gjykata Kushtetuese mos t’i lërë këtë njollë të madhe turpi Shqipërisë dhe të mos na detyrojë të kërkojmë ilaçe të tjera. Kush është i interesuar të marrë regjistrimin dhe të kuptojë shumë mirë se sa absurde është kjo histori me gjykatësit që duan t’i rrisin vetes pagat. Vetë zot, vetë shkop!”, u shpreh Rama.

/a.gj/r.e/ /a.g/

The post Rama: Pagat e gjyqtarëve të njëjta me ato të Greqisë, s’mund të përdorin pushtetin duke ushtruar presion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ish-materniteti i Korçës do të shërbejë si qendër e Polit të Dijes

2 February 2026 at 08:36

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Ish-materniteti i Korçës, i dhuruar qytetit nga filantropi i shquar Thoma Turtulli, një nga objektet më të rëndësishme për kujtesën historike dhe vlerat arkitekturore të qytetit, do t’i nënshtrohet restaurimit.

Kryeministri Edi Rama publikoi foto nga projekti i restaurimit, duke bërë të ditur se godina është shpëtuar nga asgjësimi dhe do të shërbejë si qendër administrative e Polit të ri të Dijes.

Projekti i restaurimit synon të nxjerrë në pah vlerat arkitekturore të godinës, të degraduara ndër vite, duke ruajtur elementët origjinalë dhe karakterin unik të saj.

Thoma Turtulli ishte një nga bamirësit më të mëdhenj të Korçës, i cili i dhuroi qytetit një sërë objektesh me rëndësi të veçantë, si spitalin, bibliotekën, kinemanë, liceun dhe jetimoren.

Me ndërtimin e spitalit, ai shpëtoi nga vdekja dhjetëra njerëz, ndërsa me bibliotekën kontribuoi në përhapjen e dijes në një qytet të njohur për traditën e tij arsimdashëse.

Restaurimi i kësaj godine vlerësohet si një hap i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të Korçës.

/a.gj/r.e/ /a.g/

The post Ish-materniteti i Korçës do të shërbejë si qendër e Polit të Dijes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Gonxhja: Fitim Makashi i dha artit shqiptar më shumë se tri dekada përkushtim dhe pasion

31 January 2026 at 20:59

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja ka reaguar për ndarjen sot nga jeta të aktorit Fitim Makashi.

“Një tjetër yll i teatrit dhe kinematografisë shqiptare u nda sot nga jeta”, shkruan Gonxhja në rrjetet sociale.

Gonxhja vlerëson figurën e Fitim Makashit si aktor, pedagog dhe emër i paharruar i skenës dhe ekranit, që i dha artit shqiptar më shumë se tri dekada përkushtim, pasion dhe shpirt.

Ai la gjurmë në skenë me role si Pedagogu në “Pas provimit të dytë”, Beni në “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu në “Dritat e skenës” dhe Filipoviç në “Inspektori”.

Në kinematografi u bë pjesë e filmave që sot janë klasikë: “Nga mesi i errësirës”, “Duel i heshtur”, “Prita”, “Njesiti gueril”, “Ndërgjegjia”, “Larg barbarëve”, “Shpella e piratëve”, “Vdekja e kalit”, “Tre njerëz me guna”, “Gjurmë në kaltërsi”, “Intendenti”, “Ilegalët”, “Rrugicat që kërkonin diell”.

“U prehtë në paqe!”, shkruan Gonxhja.

/r.e/

The post Gonxhja: Fitim Makashi i dha artit shqiptar më shumë se tri dekada përkushtim dhe pasion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta e “Shqipëria Bëhet”, Lapaj: Koha për bashkim kundër qeverisë është tani

31 January 2026 at 19:38

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Lëvizja “Shqipëria Bëhet” organizoi sot protestën e katërt kombëtare para Kryeministrisë, ku qytetarët mbanin pankarta me mbishkrime kundër qeverisë, si dhe flamuj kombëtarë dhe amerikanë.

Kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj bëri thirrje për bashkim kundër qeverisë dhe kritikoi mbrojtjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga kryeministri Edi Rama.

“Sot jemi në ditën 55 të qëndresës para goditës që do mbahet si godina e zaptuar. Nuk ka më kohë. Koha është tani, bashkimi duhet të ndodhë tani. Secili nga ata që më dëgjon ta pyesë veten se për çfarë mund të rrëzohet një qeveri nëse nuk rrëzohet kur kapet me një abuzim miliona eurosh, apo nëse nuk rrëzohet kur ekonomia shkon në pikiatë, apo kur qindra-mijëra qytetarë detyrohen të largohen”, deklaroi Lapaj.

Në protestë u bashkua edhe deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferi.

Kreu i Partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj vijon prej 55 ditësh qëndresën e tij para Kryeministrisë.

/r.e/

The post Protesta e “Shqipëria Bëhet”, Lapaj: Koha për bashkim kundër qeverisë është tani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla dhe Kumbaro në Gjirokastër: Fuqizim i fermerëve përmes Skemës Kombëtare 2026

31 January 2026 at 19:09

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla dhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro Furxhi, njëkohësisht drejtuese politike e qarkut të Gjirokastrës, zhvilluan sot një bashkëbisedim të hapur me fermerë të Gjirokastrës, Tepelenës, Këlcyrës, Memaliajt, Dropullit, Përmetit dhe Libohovës, me fokus të veçantë te sektori i blegtorisë, i cili mbetet shtylla kryesore e ekonomisë lokale.

Gjatë takimit u diskutuan nevojat reale të fermerëve, potencialet prodhuese të zonave blegtorale dhe mënyrat se si ato mund të fuqizohen përmes Skemës Kombëtare 2026, e ndërtuar mbi bazën e përvojës së terrenit dhe të fermerëve.

Ministri Salla theksoi se për vitin 2026 është planifikuar një mbështetje e lartë për bujqësinë.

Me një fond prej 119 milionë eurosh, qeveria mundëson investime për prodhimin e produkteve konkurruese për tregjet europiane.

Mbështetja për fermerët do të realizohet përmes një kombinimi të instrumenteve financiare, duke përfshirë subvencione direkte, skema grantesh dhe garanci shtetërore deri në 70%, me qëllim rritjen e prodhimit, zhvillimin e sipërmarrjeve bujqësore dhe forcimin e qëndrueshmërisë së ekonomisë rurale.

Takimi u shoqërua me një dialog të hapur me fermerët, të cilët theksuan rëndësinë e investimeve në sektorin e blegtorisë si faktor kyç për zhvillimin e zonës dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike.

/r.e/ /a.g/

The post Salla dhe Kumbaro në Gjirokastër: Fuqizim i fermerëve përmes Skemës Kombëtare 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamtumirë Fitim Makashi, një emër që la gjurmë në Teatrin Kombëtar

31 January 2026 at 17:37

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Ka ndërruar jetë sot në moshën 82-vjeçare aktori i njohur i kinemasë dhe teatrit shqiptar, Fitim Makashi.

Teatri Kombëtar i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik për ndarjen nga jeta të aktorit Makashi, një prej figurave që ka dhënë një kontribut të çmuar në historinë e këtij institucioni.

“Puna dhe përkushtimi i tij në skenë dhe jashtë saj lanë gjurmë të rëndësishme në jetën artistike dhe në kujtesën e Teatrit Kombëtar. Ai do të mbahet mend për profesionalizmin, pasionin dhe dashurinë për artin”.

I lindur më 10 prill 1944 në Gjirokastër, Fitim Makashi kreu studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe u angazhua për vite me radhë në Teatrin Popullor, ku interpretoi dhjetëra role në drama dhe komedi, duke u vlerësuar për seriozitetin dhe natyrshmërinë e tij në skenë.

Makashi la gjurmë të pashlyeshme edhe në kinematografinë shqiptare, duke interpretuar në filma të njohur që nga vitet ’60 deri në fillim të viteve ’90. Midis filmave ku luajti përfshihen: “Dueli i heshtur” (1967), “Prita” (1968), “Njësiti gueril” (1969), “Ndërgjegja” (1972), “Rugicat që kërkonin diell” (1975), “Në fillim të verës” (1975), “Ilegalët” (1976), “Nga mesi i errësirës” (1978), “Intendenti” (1980), “Gjurmë në kaltërsi” (1981), “Tre njerëz me guna” (1985), “Shpella e piratëve” (1991) dhe “Vdekja e kalit” (1992). Interpretimet e tij u dalluan për karakter të fortë dhe prani të veçantë artistike, duke e bërë pjesë të rëndësishme të brezit që ndërtoi identitetin e kinemasë shqiptare.

Përveç karrierës si aktor, Fitim Makashi kontribuoi si pedagog, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të artistëve shqiptarë.

Trashëgimia e tij artistike dhe ndikimi në teatrin dhe filmin shqiptar mbeten pjesë e rëndësishme e kujtesës kulturore kombëtare.

Stili artistik i Fitim Makashit karakterizohej nga një thellësi emocionale dhe një interpretim i natyrshëm, që e bën çdo rol të tij të paharrueshëm. Me një aftësi të jashtëzakonshme për të sjellë personazhe kompleksë në skenë dhe ekran, ai ka krijuar portrete autentike që mbeten të ngulitura në kujtesën e publikut. Qasja e tij ndaj aktrimit është e ndjeshme dhe e detajuar, duke i dhënë një dimension të veçantë çdo figure që ka interpretuar. Nën elegancën e tij artistike fshihet një forcë e madhe shprehëse, që ka kontribuar në zhvillimin e teatrit dhe kinemasë shqiptare.

Fitim Makashi është babai i artistit Redon Makashi.

Publiku shqiptar nderon kujtimin e tij dhe rolin që luajti në zhvillimin e artit skenik dhe kinematografik në vend.

/r.e/ /a.g/

The post Lamtumirë Fitim Makashi, një emër që la gjurmë në Teatrin Kombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parku i ri pranë Bunës, “mushkëri e re” për Shkodrën

31 January 2026 at 16:54


TIRANË, 31 janar/ATSH/ Punimet për ndërtimin e parkut rekreativ pranë Urës së Bunës në Shkodër, pjesë e projektit për transformimin urban të hyrjes së qytetit, vijojnë sipas planit dhe pritet të krijojnë një hapësirë moderne, të gjelbër dhe të aksesueshme për qytetarët.

Parku shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 18 hektarësh dhe do të jetë një zonë multifunksionale për pushim, rekreacion dhe aktivitete në natyrë, duke u konceptuar si “mushkëri e re” për qytetin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i punimeve dhe theksoi se projekti synon të krijojë një hapësirë të hapur për familjet, të rinjtë dhe të gjithë qytetarët, duke përmirësuar cilësinë e jetesës dhe duke shtuar hapësirat publike.

“Një hapësirë prej 18 hektarësh, e dominuar nga gjelbërimi, që po merr formë si “mushkëria e re” e qytetit një zonë e hapur për familjet, të rinjtë dhe të gjithë ata që duan natyrën, qetësinë dhe cilësinë e jetesës”, theksoi Rama.

Sipas Kryeministrit, hyrja e Shkodrës nuk po ndryshon vetëm pamje, por po fiton një dimension të ri, më shumë hapësirë publike, më shumë gjelbërim, më shumë jetë.

Punimet përfshijnë sistemimin e territorit, krijimin e shtigjeve pedonale, hapësirave çlodhëse dhe ambienteve rekreative, duke ruajtur harmoninë me mjedisin përreth. Parku ndodhet mes Bunës dhe rrugës kryesore hyrëse të qytetit dhe kombinon zonat e gjelbra me hapësirat për pushim, këndet e lojrave për fëmijë, zonat sportive dhe të piknikut.

Një element i veçantë janë Kopshtet e Pazarit të Vjetër, të cilat pasqyrojnë rëndësinë historike të Pazarit të Shkodrës për qytetin dhe për Ballkanin. Kopshtet përbëhen nga 30 dhoma, që ngjasojnë me rrugicat e pazarit të ndara sipas zejeve, ndërsa gjeometria e tyre është e frymëzuar nga motivet e veshjeve tradicionale të ekspozuara në Muzeun Historik të Shkodrës.

Këndet e lojrave për fëmijë përbëhen nga pesë ishuj lojërash me programe argëtuese për fëmijët e moshave të ndryshme, ndërsa zona e lojërave të tavolinës është e dedikuar për shah, pingpong dhe lojëra të tjera për të gjitha moshat.

Vëmendje e veçantë është kushtuar gjelbërimit. Pemët ekzistuese ruhen dhe parku do të pasurohet me bimësi të re, duke përfshirë pemë të larta, shkurre dhe bimë të ulëta, për të krijuar një hapësirë të bukur, natyrale dhe të qëndrueshme për qytetarët.

/r.e/

The post Parku i ri pranë Bunës, “mushkëri e re” për Shkodrën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akreditohen 71 institucione shëndetësore gjatë 2025-ës

31 January 2026 at 16:29

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor përmbylli procesin e akreditimit të institucioneve shëndetësore për vitin 2025, një proces që synon rritjen e sigurisë së pacientëve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve shëndetësore në të gjithë vendin.

Gjatë këtij procesi janë akredituar gjithsej 71 institucione shëndetësore, nga të cilat 66 qendra shëndetësore, 4 spitale bashkiake dhe 1 spital rajonal.

Sipas Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, procesi i akreditimit shërben si një mekanizëm i rëndësishëm për garantimin e transparencës dhe përmirësimin e performancës së institucioneve shëndetësore, duke nxitur zbatimin e praktikave më të mira në ofrimin e shërbimeve.

Akreditimi i institucioneve shëndetësore për vitin 2025 konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sistemit publik të kujdesit shëndetësor, duke rritur besimin e qytetarëve dhe duke garantuar shërbime më të sigurta, më cilësore dhe më të aksesueshme për të gjithë pacientët.

Operatori thekson se procesi do të vijojë edhe në vitet në vijim, si pjesë e angazhimit për rritjen e standardeve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor në Shqipëri.

/r.e/

The post Akreditohen 71 institucione shëndetësore gjatë 2025-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Avokati i Popullit: Monitorojmë protestën e thirrur nga “Shqipëria Bëhet”

31 January 2026 at 15:59

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Avokati i Popullit bën të ditur se do të monitorojë protestën e organizuar sot nga Partia Shqipëria Bëhet, në kuadër të ushtrimit të mandatit të tij kushtetues për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Sipas deklaratës së përcjellë në media, një ekip vëzhguesish të Avokatit të Popullit është angazhuar në terren, ndërsa strukturat përkatëse janë vënë në gatishmëri për të qenë të pranishme, sipas nevojës, në ambientet e komisariateve të policisë dhe institucioneve shëndetësore.

Ky angazhim, theksohet më tej, synon ndjekjen nga afër të çdo veprimi pasues dhe garantimin e respektimit të standardeve ligjore dhe të të drejtave të qytetarëve.

“Avokati i Popullit do të vijojë monitorimin e situatës dhe do të ushtrojë kompetencat e tij ligjore në përputhje me zhvillimet në terren”, thuhet në deklaratë.

/r.e/

The post Avokati i Popullit: Monitorojmë protestën e thirrur nga “Shqipëria Bëhet” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Transporti hekurudhor, qymyri dhe nafta mbajnë peshën kryesore

31 January 2026 at 15:17

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Transporti hekurudhor në vend shënoi rënie gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025, si në transportin e mallrave, ashtu edhe në atë të pasagjerëve.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT-i, gjatë kësaj periudhe, përmes rrjetit hekurudhor u transportuan rreth 98,9 mijë tonë mallra, me një rënie prej 26% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2024.

Edhe volumi i mallrave të transportuar u ul ndjeshëm, duke zbritur në 3,36 milionë tonë kilometra, ose 25% më pak se një vit më parë.

Sipas të dhënave, transporti hekurudhor i mallrave mbetet i përqendruar kryesisht në distanca të shkurtra, ndërsa pjesën dërrmuese të ngarkesave e përbëjnë qymyri, linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror, të cilat përfaqësojnë mbi 93% të totalit të mallrave të transportuara me hekurudhë.

Rënie e ndjeshme u regjistrua edhe në transportin e pasagjerëve. Gjatë tremujorit të katërt 2025, vetëm 178 pasagjerë udhëtuan me tren, duke shënuar një ulje prej 73,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Aktualisht, gjatësia e rrjetit hekurudhor në shfrytëzim në Shqipëri është 253 kilometra, me linja funksionale që lidhin kufirin me Gjormin, Durrësin me Elbasanin, Rrogozhinën me Fierin dhe Fierin me Vlorën.

/r.e/

The post Transporti hekurudhor, qymyri dhe nafta mbajnë peshën kryesore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sigurimet shënojnë rritje të qëndrueshme në 2025-ën, dominojnë ato motorike

31 January 2026 at 14:48

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Tregu i sigurimeve në Shqipëri vijoi tendencën pozitive gjatë vitit 2025, duke shënuar rritje të ndjeshme të të ardhurave dhe të numrit të kontratave të sigurimit.

Referuar raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), të ardhurat nga primet e shkruara bruto arritën në rreth 27,1 miliardë lekë, ose 10,5% më shumë krahasuar me vitin 2024. Gjatë vitit, u lidhën gjithsej 1,68 milionë kontrata sigurimi, me një rritje vjetore prej 5,1%.

Struktura e tregut mbetet e orientuar kryesisht drejt sigurimeve të Jojetës, të cilat përbëjnë 91% të vëllimit të përgjithshëm të primeve. Sigurimet e Jetës zënë 9%, ndërsa risigurimi ka një peshë minimale. Sipas të dhënave, 62,4% e primeve i përkasin sigurimeve të detyrueshme dhe 37,6% sigurimeve vullnetare.

Gjatë vitit 2025, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve arritën në rreth 8,6 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 0,8% krahasuar me vitin paraardhës. Sigurimi motorik mbetet zëri kryesor, me 6,5 miliardë lekë dëme të paguara, ose mbi 76% të totalit.

Në sigurimin e detyrueshëm motorik, primet e shkruara bruto arritën në rreth 16,9 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 12,2%. Brenda këtij segmenti, MTPL e brendshme regjistroi rritje si në prime, ashtu edhe në numrin e kontratave, ndërsa Kartoni Jeshil shënoi rritje të primeve, por ulje të kontratave. Sigurimi kufitar pati një rënie të lehtë si në vëllim, ashtu edhe në kontrata.

Sigurimet vullnetare gjatë vitit 2025 sollën të ardhura prej rreth 10,2 miliardë lekë, ose 7,9% më shumë se në vitin 2024, ndërsa numri i kontratave u rrit me 10%. Brenda tyre, sigurimet e pronës dhe përgjegjësive siguruan rreth 4,2 miliardë lekë, ku peshën kryesore e mbajnë sigurimi nga zjarri dhe dëmtimet në pronë.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit arritën në rreth 1,4 miliardë lekë, me rritje prej 3,7%, ndërsa sigurimet e Jetës shënuan një ecuri të fortë, me prime të shkruara bruto në vlerën e rreth 2,4 miliardë lekë, ose 17,6% më shumë krahasuar me vitin 2024.

/r.e/

The post Sigurimet shënojnë rritje të qëndrueshme në 2025-ën, dominojnë ato motorike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tiranë-Katania, linjë e re direkte ajrore nga muaji maj

30 January 2026 at 17:26

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës nis një linjë e re ajrore direkte drejt Katanias, Itali, duke zgjeruar më tej lidhjet ajrore mes Shqipërisë dhe Italisë dhe duke ofruar më shumë alternativa udhëtimi për pasagjerët.

Linja Tiranë-Katania do të operojë katër herë në javë, çdo të hënë, të mërkurë, të premte dhe të diel. Shitja e biletave nis më 30 janar, ndërsa fluturimi i parë është planifikuar për më 4 maj. Çmimet e biletave nisin nga 19,99 euro.

Hapja e kësaj linje pritet të lehtësojë udhëtimet për pushime, vizita familjare dhe qëllime biznesi, si dhe të mbështesë flukset turistike dhe lidhjet ekonomike mes dy vendeve.

Katania, e vendosur në bregun lindor të Sicilisë, është një nga destinacionet më tërheqëse të Mesdheut, e njohur për trashëgiminë historike, arkitekturën baroke dhe afërsinë me malin Etna, vullkani më aktiv në Evropë.

/r.e/a.f/

The post Tiranë-Katania, linjë e re direkte ajrore nga muaji maj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Transporti ajror i pasagjerëve, rritje me 9,5% gjatë 3-mujorit të katërt 2025

30 January 2026 at 15:22

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Transporti ajror në Shqipëri shënoi rritje të ndjeshme gjatë tremujorit të katërt 2025.

Gjatë kësaj periudhe sipas INSTAT-it, udhëtuan gjithsej 2.611.748 pasagjerë, nga 2.385.329 pasagjerë që udhëtuan në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej 9,5 %.

Në transportin ajror operuan 28 shoqëri ajrore, nga të cilat 27 janë shoqëri të huaja dhe 1 shoqëri shqiptare. Në hapësirën ajrore shqiptare fluturuan 89.257 avionë, ku 82,8 % e tyre përbëhen nga mbikalime.

Sa i përket transportit të mallrave, volumi i mallrave, përfshirë postën, të hyrë dhe të dalë përmes transportit ajror ka rezultuar 743 tonë, nga të cilat 72,4 % janë mallra të hyrë dhe 27,6 % mallra të dalë. Krahasuar me tremujorin e katërt 2024, volumi i mallrave ka shënuar një rritje prej 18,9 %. /j.p/

1 nga 4

The post Transporti ajror i pasagjerëve, rritje me 9,5% gjatë 3-mujorit të katërt 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 13 mijë të trajnuar nga programet e formimit profesional, rritet pjesëmarrja e të rinjve dhe grave

30 January 2026 at 14:10

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Gjatë vitit të shkuar mbi 13 mijë individë në të gjithë vendin kanë përfituar nga programet e formimit profesional, duke shënuar një rritje prej 11% krahasuar me vitin 2024.

Referuar të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA), një pjesë e konsiderueshme e përfituesve janë të rinjtë deri në moshën 29 vjeç, ose 7642 kursantë, duke shënuar një rritje prej 22,7%, krahasuar me një vit më parë.

Njëkohësisht, 7296 gra dhe vajza kanë ndjekur programe formimi profesional, me një rritje prej 18,9%.

Të dhënat tregojnë se nga këta 1156 përfitues të grupeve në nevojë janë përfshirë në programet e aftësimit, si pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Gjithashtu, 356 persona nga komunitetet rome dhe egjiptiane dhe 233 persona me aftësi të kufizuara kanë marrë pjesë në këto trajnime, sipas politikave për përfshirje sociale dhe barazi në tregun e punës.

AKPA thekson se qëllimi kryesor i këtyre programeve mbetet aftësimi profesional cilësor dhe krijimi i mundësive të barabarta për të gjithë, me fokus te të rinjtë, gratë dhe grupet vulnerabël, për t’u integruar qëndrueshëm në tregun e punës.

Programet përfshijnë trajnime profesionale, mbështetje për vetëpunësim dhe masa për fuqizim ekonomik, në bashkëpunim me institucionet publike dhe partnerët e tjerë. /j.p/

The post Mbi 13 mijë të trajnuar nga programet e formimit profesional, rritet pjesëmarrja e të rinjve dhe grave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritje e transportit të mallrave dhe pasagjerëve në porte

30 January 2026 at 12:55

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Porti i Durrësit vijon të mbetet qendra kryesore e transportit detar, duke përfaqësuar 93,8 % të volumit të mallrave të transportuara gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025, ose 1.9 milionë tonë, një rritje prej 5,5 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Volumi i mallrave të transportuara përmes detit gjatë periudhës tetor-dhjetor llogaritet 2.1 milionë tonë.

Grupet kryesore të mallrave të transportuara nëpërmjet rrugëve detare përfshijnë koksin dhe produktet e rafinuara të naftës, që përbëjnë 15,2 % të volumit të përgjithshëm të mallrave, metale bazë dhe produkte metalike të fabrikuara, përveç makinerive dhe pajisjeve, me 12,5 %, si dhe produkte të tjera minerale jo metalike, me 12,2 %.

Një pjesë tjetër e konsiderueshme e transportit përbëhet nga qymyri dhe linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror, që zënë 11,3 % të volumit të mallrave të dërguara përmes porteve.

Në katër porte detare, të Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe porti i Limjonit (Sarandë), gjatë këtij tremujori kanë hyrë dhe dalë 268 anije, kryesisht të huaja, ndërsa numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar përmes portave është 221.628, ku Durrësi udhëhiqet me 61,9 % të totalit, ndjekur nga Saranda me 30,8 % dhe Vlora me 7,3 %.

Importet dominuan tregun me 64,5 % të totalit të mallrave të transportuara, ndërsa eksportet përbënin 35,3 %. /j.p/

1 nga 4

The post Rritje e transportit të mallrave dhe pasagjerëve në porte appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Kualifikim profesional dhe marrëveshje për punonjës të huaj për plotësimin e mungesave në treg

30 January 2026 at 12:19

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Punës se mungesa e fuqisë punëtore dhe nevoja për kualifikim janë ndër prioritetet kryesore për tregun e punës në vitin 2026.

Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se adresimi i mungesës së fuqisë punëtore kërkon masa të koordinuara, përfshirë kualifikimin profesional dhe marrëveshjet me vendet e treta për plotësimin e nevojave të tregut të punës.

“Siç jeni në dijeni qeveria shqiptare ka një politikë për migracionin, ka një strategji kombëtare për migracionin e cila ka të parashikuar një sërë masash. Adresimi i mungesës së fuqisë punëtore, por edhe i fuqisë punëtore të kualifikuar do të jetë pjesë e diskutimeve të ditës së sotme, ku në fakt qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa të rëndësishme me qëllim kualifikimin e fuqisë punëtore, por edhe me qëllim plotësimin e nevojave për fuqi punëtore edhe nëpërmjet marrëveshjeve që na jemi duke nënshkruar me vendet të treat”, tha ajo.

Në kuadër të diskutimeve u theksua rëndësia e rishikimit të Kodit të Punës dhe përafrimit të legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian, si dhe roli i pagës minimale në përmirësimin e mirëqenies së punonjësve, ku qeveria synon rritjen graduale të saj gjatë katërvjeçarit të ardhshëm, duke e afruar atë me standardin europian, minimalisht 60% e pagës mesatare.

Një tjetër çështje është statusi i minatorit, për të cilën ministrja tha se synohet zgjidhje e qëndrueshme në bashkëpunim me palët sociale.

“Çështja e statusit të minatorëve dhe problematikat e lidhura me përfitimin 1% apo 0,6% për 1136 minatorët, është një element që sigurisht ka marrë vëmendje dhe diskutime dhe në mbledhjet e mëparshme të Këshillit Kombëtar të Punës dhe besoj që sot do të kemi një diskutim shterrues për këtë çështje”, tha ajo.

Në kuadër të reformave, u prezantua gjithashtu Krijimi i Komitetit Ndërministror për Çështjet e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë dhe ndryshimet në ligjin për nxitjen e punësimit, të cilat synojnë modernizimin e shërbimeve, digjitalizimin e proceseve, forcimin e Garancisë Rinore dhe krijimin e Observatorit të Tregut të Punës.

Ministrja Ibrahimaj vlerësoi rëndësinë e dialogut social si një komponent kyç të mirëqeverisjes dhe nënvizoi se konstituimi i ri i Këshillit Kombëtar të Punës dhe mbledhja e parë që në muajin janar janë hapa konkretë për forcimin e tij. /j.p/

The post Ibrahimaj: Kualifikim profesional dhe marrëveshje për punonjës të huaj për plotësimin e mungesave në treg appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 1 milion mjete rrugore, dominojnë Volkswagen dhe Mercedes

30 January 2026 at 12:17

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Në tremujorin e katërt të vitit 2025, numri i mjeteve rrugore në qarkullim në Shqipëri arriti në 1.048.092, me autoveturat që përbëjnë 80,8 % të totalit, ndërsa motorët përbëjnë 6,1 % dhe automjetet për transport të përzier 5,8 %.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), Tirana zë peshën më të madhe të mjeteve, me 34,7 % të totalit, e ndjekur nga Durrësi me 13,6 %. Numrin më të ulët e kanë Gjirokastra dhe Kukësi, përkatësisht 2,1 % dhe 2,4 %.

Gjatë këtij tremujori janë regjistruar për herë të parë 24.854 mjete, nga të cilat 81,2 % ishin autovetura. Qarku i Tiranës kryeson regjistrimet e reja, me 40,3 % të totalit.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024, numri total i mjeteve është rritur me 9,3 %, ndërsa regjistrimet e reja kanë shënuar rritje prej 8,5 %.

Në mesin e automjeteve të regjistruara për herë të parë, Volkswagen kryeson me 18,6 %, ndjekur nga Mercedes-Benz me 17,5 %. /j.p/

The post Mbi 1 milion mjete rrugore, dominojnë Volkswagen dhe Mercedes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌