TIRANË, 31 janar/ATSH/ Lëvizja “Shqipëria Bëhet” organizoi sot protestën e katërt kombëtare para Kryeministrisë, ku qytetarët mbanin pankarta me mbishkrime kundër qeverisë, si dhe flamuj kombëtarë dhe amerikanë.
Kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj bëri thirrje për bashkim kundër qeverisë dhe kritikoi mbrojtjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga kryeministri Edi Rama.
“Sot jemi në ditën 55 të qëndresës para goditës që do mbahet si godina e zaptuar. Nuk ka më kohë. Koha është tani, bashkimi duhet të ndodhë tani. Secili nga ata që më dëgjon ta pyesë veten se për çfarë mund të rrëzohet një qeveri nëse nuk rrëzohet kur kapet me një abuzim miliona eurosh, apo nëse nuk rrëzohet kur ekonomia shkon në pikiatë, apo kur qindra-mijëra qytetarë detyrohen të largohen”, deklaroi Lapaj.
Në protestë u bashkua edhe deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferi.
Kreu i Partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj vijon prej 55 ditësh qëndresën e tij para Kryeministrisë.
/r.e/
The post Protesta e “Shqipëria Bëhet”, Lapaj: Koha për bashkim kundër qeverisë është tani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.