Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 January 2026Main stream

Punime për ndriçim në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë për siguri më të madhe

23 January 2026 at 18:50


Në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve, në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë po realizohen punime për shtrirjen e kabllove të ndriçimit.

Ky investim ka për qëllim krijimin e një ambienti më të sigurt dhe funksional për qytetarët, duke pasur parasysh fluksin e madh të udhëtarëve që e frekuentojnë stacionin.

Punimet synojnë rritjen e komoditetit dhe sigurisë gjatë lëvizjes së qytetarëve brenda dhe rreth stacionit. /Telegrafi/


Uji nga rrjeti publik në Kamenicë vetëm për përdorim teknik

23 January 2026 at 18:29


Komuna e Kamenicës njofton konsumatorët në zonat e Stacionit të Pompimit Bahqja dhe SP Berivojcë se uji nga rrjeti i ujësjellësit aktualisht nuk është i përshtatshëm për pije.

Si pasojë e rritjes së vlerës së nitrateve, parametrat kimikë të ujit në këto zona janë ndryshuar, duke bërë që uji të mos i plotësojë standardet për ujë të pijshëm.

Në këtë kontekst, qytetarët nuk duhet ta përdorin ujin për konsum deri në një njoftim të ri, pas normalizimit të gjendjes dhe konfirmimit të cilësisë së ujit. Uji mund të përdoret vetëm për nevoja teknike, si larje dhe sanitare.

Komuna falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/


Protesta e transportuesve në Maqedoninë e Veriut pritet të shkaktojë kolona në Kosovë

23 January 2026 at 17:35


Shoqata e Transportuesve MAKAM-TRANS ka njoftuar se do të organizojë protestë më 26.01.2026, me fillim nga ora 12:00, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Si pasojë e kësaj proteste, do të mbyllet qarkullimi për transportuesit e mallrave në territorin e këtij shteti.

Për shkak të ndalimit të qarkullimit, pritet që edhe në territorin e Republikës së Kosovës të krijohen kolona të gjata kamionësh, të cilët do të presin për të kaluar drejt Maqedonisë së Veriut.

Autoritetet u bëjnë thirrje transportuesve dhe operatorëve ekonomikë që të marrin parasysh këtë njoftim dhe të planifikojnë me kohë lëvizjen e tyre, me qëllim shmangien e vonesave dhe vështirësive në qarkullim. /Telegrafi/


Dyshimeve për manipulim të votave në Malishevë - nisin hetimet

23 January 2026 at 17:23


Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, është duke monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.

Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që në Komunën e Malishevës të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë identifikimin e personave përgjegjës, grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave relevante, lidhur me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe në trajtimin e çdo rasti të dyshuar, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe forcimit të sundimit të ligjit. /Telegrafi/


Kuvendi i Prizrenit miraton buxhetin për vitin 2026

23 January 2026 at 17:14


Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka miratuar buxhetin komunal për vitin 2026, si dhe parashikimet buxhetore për vitet 2027 dhe 2028.

Sipas njoftimit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, buxheti është miratuar me 21 vota për, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës, ku si pikë e vetme e rendit të ditës ishte shqyrtimi dhe miratimi i propozim-buxhetit.

“Me 21 vota për, në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës u miratua pika e vetme e rendit të ditës: shqyrtimi dhe miratimi i propozim-buxhetit të Komunës së Prizrenit për vitin 2026, si dhe parashikimet buxhetore për vitet 2027 dhe 2028”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Prizrenit.

Ai ka theksuar se buxheti i miratuar pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të komunës.

“Buxheti i miratuar do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë”, ka shtuar ai.

Miratimi i buxhetit hap rrugën për realizimin e projekteve dhe investimeve të planifikuara nga Komuna e Prizrenit për vitin e ardhshëm dhe periudhën afatmesme. /Telegrafi/


Shtyhet për 12 muaj afati për aplikim për legalizimin e ndërtimeve pa leje në Gjilan

23 January 2026 at 17:05


Komuna e Gjilanit ka njoftuar se është shtyrë afati për dorëzimin e aplikacioneve për legalizimin e ndërtimeve pa leje.

Sipas njoftimit nga Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, më 16 janar 2026, ka marrë vendim me numër 214/2026 për vazhdimin e afatit të aplikimit për legalizim, për një periudhë prej 12 muajsh nga data e nënshkrimit të vendimit nga ministri në detyrë i MMPHI.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjilanit, Ali Arifi, ka bërë të ditur se ky vendim u jep mundësi shtesë pronarëve të objekteve të ndërtuara pa leje që të kompletojnë dhe dorëzojnë aplikacionet e tyre brenda afatit të ri të përcaktuar.

Me këtë rast, Komuna e Gjilanit u bën thirrje të gjithë pronarëve të objekteve pa leje që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë për legalizim brenda afatit të lejuar ligjor.

Informata shtesë lidhur me procedurat e aplikimit mund të gjenden në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit. /Telegrafi/


Gjendet i gjallë personi i zhdukur në Jezercë të Ferizajt

23 January 2026 at 16:48


Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se është gjetur personi i raportuar i zhdukur në fshatin Jezercë të Ferizajt.

Sipas komunikatës së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, më 21 janar 2026, rreth orës 05:00, ishte pranuar informacion për zhdukjen e shtetasit S.P., 30 vjeç, shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili ishte larguar nga një vilë në fshatin Jezercë dhe për të cilin nuk dihej vendndodhja.

Bazuar në informacionet fillestare, i njëjti dyshohej se ishte nisur me një veturë BMW me targa shqiptare në drejtim të Ferizajt dhe se mund të kishte shkaktuar një aksident trafiku në fshatin Jezercë.

Menjëherë pas pranimit të rastit, hetuesit rajonalë, në bashkëpunim me Njësinë e Trafikut Rajonal, kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe kanë mbledhur informacione relevante. Në bashkëpunim me Forenzikën Rajonale janë kontrolluar kamerat e sigurisë në zonë, si dhe janë kryer verifikime në Qendrën Emergjente në Ferizaj, në QKUK në Prishtinë dhe në disa ordinanca private, pa u raportuar ndonjë person i lënduar. Paralelisht, janë zhvilluar kërkime intensive në terren.

Në kërkim janë angazhuar edhe Shoqata e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësia K-9 e Policisë së Kosovës dhe Brigada e Zjarrfikësve.

Ndërkohë, më 23 janar 2026, rreth orës 15:30, një qytetar ka njoftuar Qendrën e Komunikimit Rajonal në Ferizaj se kishte hasur një person në fshatin Budakovë të Suharekës, në afërsi të vendit të quajtur Gurra e Kadisë. Pas verifikimeve është konstatuar se bëhej fjalë për personin e kërkuar S.P., i cili më pas është transportuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim dhe ndihmë mjekësore.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësinë K-9, pjesëtarët e policisë së rajonit të Ferizajt dhe qytetarët e angazhuar në këtë rast, duke veçuar qytetarin B. Osmani, 54 vjeç, nga Ferizaj, për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në gjetjen e personit të zhdukur.

Policia ka bërë të ditur se për informata të tjera do të njoftohet me raporte vijuese. /Telegrafi/

Në Suharekë mërgimtarët kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve të Njësisë së Zjarrfikësve

23 January 2026 at 16:41


Komuna e Suharekës ka përfituar një donacion të vlefshëm pajisjesh dhe veshmbathjeje për Njësinë e Zjarrfikësve, falë kontributit të bashkatdhetarit Albin Morina nga fshati Reshtan, i cili jeton dhe vepron në Zvicër.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka shprehur mirënjohje të veçantë për këtë mbështetje, duke vlerësuar kontributin e mërgimtarëve në forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e sigurisë publike në komunë.

Donacioni është realizuar përmes bashkëpunimit të Albin Morinës me kompaninë e transportit Gani Transport, e cila ka mundësuar bartjen e pajisjeve nga Zvicra në Suharekë.

Sipas njoftimit, Komuna e Suharekës po vazhdon investimet në rritjen e sigurisë publike, ndërsa në një të ardhme të afërt pritet edhe funksionalizimi i objektit të ri për zjarrfikësit, me synimin për ofrimin e shërbimeve më efikase dhe menaxhimin sa më të mirë të rasteve emergjente.

Nga Komuna u bë e ditur se kontributet e mërgimtarëve vazhdojnë të jenë një shtyllë e rëndësishme në zhvillimin dhe mirëqenien e vendlindjes, duke ndihmuar drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. /Telegrafi/


Në Mitrovicë intensifikohen aktivitetet për pastrimin dhe mirëmbajtjen e qytetit

23 January 2026 at 16:28


Drejtoria për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në Komunën e Mitrovicës ka intensifikuar gjatë këtyre ditëve angazhimet për pastrimin dhe mirëmbajtjen e qytetit.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave Uniteti janë duke realizuar fshirjen e rrugëve dhe trotuareve në zona të ndryshme të qytetit të Mitrovicës.

Sipas njoftimit, shërbimet po kryhen në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Mitrovicës dhe KRM Uniteti, me synim ruajtjen e pastërtisë dhe krijimin e një ambienti më të shëndetshëm dhe më të pastër për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/


Podujevë nënshkruan marrëveshje me UP-në për zbatimin e projektit CLIPP në kuadër të Horizon Europe

23 January 2026 at 16:19


Komuna e Podujevës dhe Universiteti i Prishtinës kanë nënshkruar Marrëveshje Konsorciumi për zbatimin e projektit Climate Integrated Pathways for Podujeva CLIPP, në kuadër të programit Horizon Europe.

Sipas njoftimit, projekti CLIPP ka për qëllim zhvillimin e strategjive dhe planeve konkrete për përballjen me ndryshimet klimatike në Komunën e Podujevës, përmes analizës së avancuar të të dhënave, përdorimit të mjeteve digjitale dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me komunitetin lokal. Në fokus të projektit është forcimi i kapaciteteve institucionale dhe rritja e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe mirëqenies së qytetarëve.

Granti për realizimin e projektit është në vlerë prej 209,943.75 euro dhe është i tipit financim kaskadë, që nënkupton se mjetet sigurohen si nëngrant nga një projekt ekzistues i programit Horizon Europe.

Marrëveshja u nënshkrua nga Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, dhe përfaqësuesit e Universitetit të Prishtinës. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Lirie Hoti, e cila njëkohësisht është koordinatore e projektit nga ana e Komunës.

Projekti pritet të zbatohet nga janari i vitit 2026 deri më 30 qershor 2027 dhe përfaqëson një bashkëpunim të rëndësishëm ndërmjet institucioneve lokale dhe atyre akademike, me synim përfitime konkrete në planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Komunës së Podujevës. /Telegrafi/


Yesterday — 22 January 2026Main stream

Pyjet e Kosovës në fokus të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë, diskutohet menaxhimi afatgjatë dhe sfidat kryesore

22 January 2026 at 20:39


Në Prishtinë është mbajtur një konferencë e rëndësishme kushtuar pyjeve dhe menaxhimit të qëndrueshëm të tyre, si një nga pasuritë më të çmuara natyrore të Kosovës. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 45 për qind e territorit të vendit është i mbuluar me pyje.

Në këtë konferencë morën pjesë ekspertë të mjedisit, përfaqësues të institucioneve vendore, si dhe organizata ndërkombëtare, të cilët diskutuan sfidat kryesore me të cilat përballen pyjet në Kosovë, përfshirë prerjet ilegale, ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe nevojën për politika më efektive për mbrojtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të tyre.


Qëllimi i konferencës ishte informimi dhe mobilizimi i të gjithë aktorëve relevantë, si dhe nxjerrja e rekomandimeve konkrete për ruajtjen afatgjatë të pyjeve dhe përmirësimin e cilësisë së menaxhimit në këtë sektor.

Ushtruesja e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, tha se rëndësia e pyjeve është shndërruar në veprime konkrete, raporton Telegrafi.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

“Përmes këtij programi, rëndësinë e pyjeve e kemi shndërruar në veprime konkrete – nga planet e reja të menaxhimit të pyjeve dhe zhvillimi i zinxhirëve të vlerës së produkteve jodrurore, te përmirësimi i legjislacionit, ngritja e kapaciteteve trajnuese dhe pajisja me mjete operative. Tashmë janë vendosur themelet, ndërsa investimi i qëndrueshëm kombëtar në njerëz dhe infrastrukturë është thelbësor për të ndërtuar më tej mbi këto rezultate”, tha Palatova.


Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, theksoi se pyjet e Kosovës përbëjnë një aset strategjik kombëtar.

“Sot shënojmë përmbylljen e programit për forcimin e menaxhimit të pyjeve, të zbatuar nga FAO dhe të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Suedia. Pyjet e Kosovës janë një aset strategjik kombëtar, të rëndësishme për jetesën rurale, zhvillimin rural, biodiversitetin dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike”, u shpreh Westerlund.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, deklaroi se ky projekt do të kontribuojë në një pasqyrë më të qartë për sfidat e ardhshme në sektorin pyjor.

“Në sektorin pyjor, falë këtij projekti që po përmbyllet sot, besojmë se në vitet në vijim do të kemi të dhëna edhe më të sakta për përqindjen dhe gjendjen e pyjeve në Kosovë, si dhe një kuptim më të qartë për sfidat me të cilat po përballemi dhe mënyrën se si t’i shfrytëzojmë në mënyrë efektive informacionet e ofruara nga ky program”, tha Demelezi.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Drejtori i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Menderes Ibra, falënderoi donatorët dhe partnerët për mbështetjen e dhënë në realizimin e projektit.

“Në emër të stafit të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, dëshiroj t’i falënderoj donatorët e këtij projekti – Qeverinë e Suedisë dhe Bashkimin Evropian – si dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) për zbatimin e tij”, tha Ibra.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Ndërkaq, Udhëheqësi i Zyrës Teknike të FAO REU, Ekrem Yazici, theksoi se qasjet tepër mbrojtëse në menaxhimin e pyjeve shpesh kanë rezultuar të pasuksesshme.

“Të kesh mbulim të lartë pyjor është një përparësi e madhe, por njëkohësisht paraqet edhe sfida të konsiderueshme në menaxhim, duke marrë parasysh kërkesat e komunitetit dhe të sektorëve të tjerë si turizmi, bujqësia, energjia, transporti dhe urbanizimi. Si pylltar, e theksoj se qasjet tepër mbrojtëse shpesh kanë dështuar. Përkundrazi, është e domosdoshme që sektori i pylltarisë të integrohet realisht me zhvillimet e sektorëve të tjerë”, u shpreh Yazici. /Telegrafi/

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Osmani: Kosova nënshkruan Kartën e Bordit të Paqes, marrëveshja do të dërgohet në Kuvend për ratifikim

22 January 2026 at 15:11


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar sot në Davos Kartën e Bordit të Paqes, duke e bërë Kosovën anëtare themeluese, të barabartë dhe me të drejta të plota në këtë organizatë ndërkombëtare, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një postim në Facebook, Osmani ka theksuar rëndësinë e rolit udhëheqës të SHBA-së në garantimin e paqes globale, duke e cilësuar këtë hap si moment historik për Kosovën.

“Kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka bërë të ditur se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes të udhëhequra nga aleati strategjik i Kosovës forcon sovranitetin dhe pozitën ndërkombëtare të vendit.

“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës”, ka theksuar presidentja.

Sipas Osmanit, marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën, për të marrë miratimin përfundimtar të përfaqësuesve të popullit.

“Kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës”, ka shtuar ajo.

Presidentja e Kosovës ka falënderuar gjithashtu Presidentin e Shteteve të Bashkuara për ftesën dhe lidershipin e tij në këtë proces.

“Faleminderit Presidentit Trump për lidershipin e tij dhe për ftesën që ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në këtë moment historik”, ka shkruar Osmani.

Në përmbyllje, ajo ka ritheksuar angazhimin e Kosovës për paqen.

“Kosova do të jetë në shërbim të paqes, sot e përherë”, ka përfunduar presidentja. /Telegrafi/


KRU “Prishtina” vazhdon aksionet e shkyçjes për konsumatorët borxhlinj në Drenas

22 January 2026 at 14:49


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka vazhduar aksionet ndaj konsumatorëve me borxhe të papaguara, duke realizuar sot një aksion në qytetin e Drenasit.

Sipas njoftimit të KRU “Prishtina”, gjatë këtij aksioni janë shkyçur nga shërbimi i furnizimit me ujë konsumatorët të cilët nuk i kanë përmbushur obligimet financiare në përputhje me kontratat e lidhura me kompaninë.

Nga kompania bëhet e ditur se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të rritjes së disiplinës së pagesave dhe funksionimit të qëndrueshëm të shërbimit të furnizimit me ujë për të gjithë konsumatorët. /Telegrafi/


Policia e Kosovës dhe KFOR realizojnë ushtrim të përbashkët për rritjen e gatishmërisë operacionale

22 January 2026 at 14:12


Policia e Kosovës, në bashkëpunim me ushtarë nga Batalioni Manovrues i Komandës Rajonale–Lindje të misionit të udhëhequr nga KFOR/NATO, ka realizuar ushtrimin e përbashkët të quajtur “Incident Command Walkthrough”.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, qëllimi i këtij ushtrimi ishte testimi dhe praktikimi i procedurave standarde të operimit, mekanizmave të komandimit dhe kontrollit, si dhe metodave të koordinuara të reagimit, me synim sigurimin e një niveli të lartë të gatishmërisë operacionale dhe një përgjigjeje efektive ndaj sfidave të mundshme të sigurisë.

Nga Policia e Kosovës thuhet se angazhime të tilla të përbashkëta pasqyrojnë profesionalizmin, koordinimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, në funksion të përmbushjes së misionit për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe stabil për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Policia e Kosovës ka vlerësuar angazhimin e të gjithë partnerëve dhe mbështetësve që kontribuojnë në avancimin e mëtejmë profesional të institucionit. /Telegrafi/


Rikthimi i reduktimeve, LDK kritikon qeverinë në detyrë për keqmenaxhim në sektorin e energjisë

22 January 2026 at 13:24


Lidhja Demokratike e Kosovës ka adresuar kritika ndaj qeverisë në detyrë për keqmenaxhim në sektorin e energjisë.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, tha në konferencë për media të enjten se rikthimi i reduktimeve të rrymës është një dëshmi e qartë për një gjë të tillë.

Sipas tij, qeveria, siç e quajti ai, e territ nuk ka investuar asnjë cent në shtimin e kapaciteteve të reja të energjisë, derisa ka shpenzuar më shumë se 1 miliard euro përgjatë tërë mandatit të saj për import të energjisë elektrike.

“Rikthimi i reduktimeve të energjisë elektrike është dëshmi e qartë se keqmenaxhimi dhe menaxhimi skandaloz i këtij sektori të energjisë në Kosovë ka ndodhur këto ditët e fundit. Kjo qeveri e territ nuk ka investuar asnjë cent në shtimin e kapaciteteve të reja energjetike, ndërkohë ka shpenzuar më shumë sesa 1 miliard euro përgjatë tërë mandatit të saj për import të energjisë elektrike nga shtete të tjera. Për të ardhur në këtë situatë absurde ka vetëm dy shpjegime të mundshme. Ose kemi të bëjmë me paaftësi dhe keqmenaxhim të plotë në qeverisje, ose kemi të bëjmë me kapje të sektorit të energjisë dhe hajni të organizuar nga mafia energjetike në krye me Martin Berishaj dhe Vuk Hamoviqin”, tha ai.

Azemi përmendi edhe emërimin e Trim Tërnavës si kryeshef i KOSTT-it, duke thënë se i njëjti është nip i ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Emërimi i nipit të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ejup Maqedonci, flet më së miri për kapjen e institucioneve energjetike në vend. Kjo është hallka e fundit në sektorin e energjisë që tashmë ka rënë komplet në duart e pushtetit. Sa për dijeni, ky që sot është emëruar drejtor i KOSTT-it është bashkëpronar i një kompanie private të energjisë”, theksoi Azemi.

Në anën tjetër, ai paralajmëroi se gjatë muajit mars mund të ketë sërish shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike, si pasojë e importit të madh gjatë vitit të kaluar.

“Unë alarmova se në mars do të kemi prapë ngritje të çmimit të energjisë elektrike, pasi vendi ynë ka qenë i varur nga importet e shtrenjta të energjisë elektrike dhe rrjedhimisht ato do të pasqyrohen në tarifat e ardhshme. Unë kisha me i bë thirrje operatorëve ekonomikë, por edhe ZRrE-së, që ta kenë parasysh gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve të Kosovës. Kjo gjendje është rënduar dhe faturat e energjisë elektrike janë të papërballueshme për familjarët dhe bizneset”, përfundoi Azemi. /KP/

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve bën thirrje urgjente, 15 këlyshë dhe 4 qene lehona në rrezik në Prishtinë

22 January 2026 at 13:19


Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka njoftuar se në një lagje të Prishtinës janë identifikuar 15 këlyshë të vegjël dhe katër femra lehona, të gjitha të pasterilizuara, të cilët kanë nevojë për ndihmë veterinare urgjente. Në të njëjtin lokacion u vunë re edhe dy qen të rritur që po shumohen, duke rritur rrezikun e lindjes së kafshëve të tjera në rrugë.

“Ky rast është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së ndërhyrjes nga strehimorja publike dhe e ndalimit të sterilizimeve, që ka çuar në rritjen e popullsisë së kafshëve në rrugë. Këlyshët dhe nënat e tyre kanë nevojë urgjente për vaksinim, trajtim kundër parazitëve, kujdes veterinar bazik dhe sterilizim të qenve të rritur për të ndaluar ciklin e lindjeve”, ka shkruar Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve në faqen e tyre në Facebook.

Fondacioni apelon tek qytetarët që të mbështesin rastin përmes donacioneve, të cilat do të përdoren ekskluzivisht për trajtimin e këlyshëve dhe kujdesin e nënave të tyre:

Brenda Kosovës

  • Xhirollogaria: 1701017700005277
  • Banka: NLB Bank
  • Përshkrimi: Donacion për trajtimin e këlyshëve në Prishtinë

Jashtë Kosovës

  • IBAN: XK051701017700005277
  • SWIFT: NLPRXKPR
  • Përshkrimi: Donacion për trajtimin e këlyshëve në Prishtinë

“Çdo kontribut, sado i vogël, ndihmon drejtpërdrejt për mbijetesën e këlyshëve, shëndetin e nënave dhe parandalimin e dhjetëra lindjeve të tjera të pakontrolluara në rrugë. Kjo nuk është vetëm një histori për 17 këlyshë, por pasojë e ndalimit të sterilizimit dhe mungesës së menaxhimit adekuat të popullsisë së kafshëve në qytet”, shtoi Fondacioni. /Telegrafi/


Komuna e Mitrovicës përfiton mbi dy milionë euro për Banimin Social Adekuat

22 January 2026 at 12:36


Komuna e Mitrovicës ka siguruar mbi 2 milionë euro për implementimin e Projektit të Banimit Social Adekuat, që synon ndërtimin e njësive të reja të banimit social, renovimin e objekteve ekzistuese dhe përmirësimin e kushteve për familjet në nevojë.

Drejtori për Planifikim dhe Urbanizëm, Ardian Kavaja, së bashku me udhëheqësen e Njësitit të Implementimit të Projektit, Sebahate Tahiri, pritën përfaqësuesit e Njësitit për Menaxhimin e Projektit nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

“Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të jetesës për familjet e cenueshme dhe për zhvillimin e qëndrueshëm urban në Mitrovicën e Jugut”, tha Ardian Kavaja.

Gjatë takimit u diskutua edhe mundësia e përfitimit të projekteve shtesë, veçanërisht për rindërtimin dhe renovimin e njësive të banimit në ndërtesat e vjetra në zonën e Tunelit të Parë.

Pas përfundimit të takimit, përfaqësuesit e komunës realizuan një vizitë në terren për të parë nga afër objektet dhe parcelat përkatëse.

Komuna e Mitrovicës së Jugut falënderoi MMPHI-në për mbështetjen e vazhdueshme në zbatimin e këtij projekti strategjik për komunitetin. /Telegrafi/


Komuna e Gjilanit vazhdon subvencionimin e qirasë për familjet në nevojë

22 January 2026 at 12:30


Komuna e Gjilanit ka njoftuar se edhe gjatë këtij viti do të vazhdojë subvencionimin e qirasë për familjet që nuk kanë banesë apo shtëpi në pronësi dhe gjenden në gjendje të rëndë ekonomike.

Drejtoria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale ka hapur thirrjen për aplikim, e cila do të jetë e hapur deri më 30 janar 2026. Të drejtë aplikimi kanë vetëm familjet rezidente në Komunën e Gjilanit që plotësojnë kriteret e nevojës ekonomike.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, tha se subvencionimi i qirasë është njëra prej politikave që vazhdohet edhe në mandatin e dytë.

“Njëra prej politikave të cilat i kemi ndjekur gjatë mandatit të parë, po e vazhdojmë edhe në mandatin e dytë. 163 mijë euro i kemi financuar në mandatin e parë dhe këtë mbështetje po e vazhdojmë edhe gjatë këtij mandati”, deklaroi Hyseni.

Ai shtoi se tash është mundësia për të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje për banim të aplikojnë dhe bëri thirrje që të mos vonohen, duke vënë në dukje se afati i aplikimit po afrohet.

Për më shumë detaje rreth procedurës së aplikimit dhe kriteret e pranueshmërisë, qytetarët mund të vizitojnë faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit. /Telegrafi/


Komuna e Vitisë njofton për vazhdimin e afatit për legalizimin e ndërtimeve pa leje

22 January 2026 at 12:03


Komuna e Vitisë informon qytetarët se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka vendosur të vazhdojë afatin për dorëzimin e aplikacioneve për legalizimin e ndërtimeve pa leje, në përputhje me nenin 9, paragrafi 2 të Ligjit Nr. 06/L-024 për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.

Sipas këtij vendimi, afati do të zgjatet për një periudhë prej 12 muajsh, duke filluar nga data e nënshkrimit të vendimit, dhe është vendosur për të lejuar qytetarët të përmbushin objektivat e ligjit.

Qytetarët mund të dorëzojnë aplikacionet e tyre në Zyrat e Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit (DUPMM) në objektin e ri të Komunës së Vitisë.

“Ky vendim u mor duke marrë parasysh nevojën për kohë shtesë, me qëllim që të arrihen objektivat e Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje", ka deklaruar Liridon Januzi, U.D. i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit.

Komuna e Vitisë fton të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të legalizuar ndërtimet e tyre sipas ligjit.


Instituti GAP publikon analizën e premtimeve të kryetarëve të komunave për mandatin 2025–2029

22 January 2026 at 11:58


Instituti GAP ka prezantuar të dhënat mbi premtimet e dhëna nga kryetarët e komunave të Kosovës për mandatin e ri qeverisës 2025–2029. Sipas raportit, gjatë këtij mandati janë dhënë gjithsej 1,683 premtime në 26 komuna, shifër kjo 132 premtime më pak se mandati i kaluar.

Raporti evidenton komunat me rritjen më të madhe të numrit të premtimeve, ku spikasin Lipjani me 170 premtime (nga 61 në mandatin e kaluar), Deçani 124 (nga 20), Fushë Kosova 110 (nga 35), Drenasi 88 (nga 37), Obiliqi 104 (nga 69) dhe Podujeva 88 (nga 61).

Ndërkohë, komunat që shënuan rënie më të madhe të premtimeve janë Prishtina 115 (nga 206), Kaçaniku 38 (nga 94), Suhareka 24 (nga 78), Shtimja 58 (nga 107), Mitrovica e Jugut 74 (nga 123), Rahoveci 44 (nga 84), Hani i Elezit 39 (nga 78), Malisheva 20 (nga 48), Klina 35 (nga 63) dhe Istogu 55 (nga 78).

Sipas raportit, fushat me më së shumti premtime janë infrastruktura me 382 premtime, arsimi 322, shërbimet publike 184 dhe shëndetësia 146. Fushat me më së paku premtime janë urbanizmi me 51 dhe administrata 50.

Instituti GAP vë në dukje gjithashtu përfaqësimin gjinor, ku nga 185 kandidatë që kanë garuar, 20 kanë qenë gra, ndërsa vetëm një kryetare është zgjedhur. Partitë që udhëheqin komunat janë VV (7), PDK (7), LDK (7), LS (10), AAK (5), Nisma (1) dhe PDTK (1).

“Edhe në këtë mandat, Instituti GAP do të vazhdojë të vlerësojë periodikisht përmbushjen e premtimeve, me qëllim të rritjes së përgjegjësisë publike të kryetarëve të zgjedhur për ato që kanë premtuar”, thuhet në njoftim.

Platformën e plotë të premtimeve të kryetarëve mund ta gjeni në: https://www.komunat.institutigap.org/Premtimet. /Telegrafi/


❌
❌