METEO – Alarm i kuq për stuhinë “Goretti” që po i afrohet Britanisë së Madhe
LONDËR, 15 janar /ATSH-DPA/ – Një paralajmërim i rrallë i nivelit të kuq për erëra të rrezikshme dhe të stuhishme është lëshuar nga Met Office për jugperëndimin e Anglisë, ndërsa stuhia ”Goretti” pritet të sjellë shpejtësi ere deri në 160 km/h.
Paralajmërimi prek veçanërisht Cornwallin dhe Ishujt Scilly.
Sipas parashikimeve, pjesë të këtyre zonave do të goditen nga erëra të fuqishme që zgjasin dy deri në tre orë, ndërsa në zona të ekspozuara priten erëra maksimale prej 130–160 km/h ose edhe më shumë.
Autoritetet paralajmërojnë për dëmtime të ndërtesave, dallgë shumë të mëdha, mbetje që fluturojnë në ajër duke rrezikuar jetën, ndërprerje të energjisë elektrike dhe anulime të transportit publik.
Një paralajmërim i kuq nënkupton se pritet mot jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe se qytetarët duhet të ndërmarrin masa për të mbrojtur veten.
Met Office thekson se ekziston rrezik serioz për jetën, me ndërprerje të mëdha në udhëtime, furnizim me energji dhe dëme të gjera në prona dhe infrastrukturë, duke këshilluar shmangien e udhëtimeve.
Stuhia, e emërtuar nga shërbimi meteorologjik francez Meteo France, është përshkruar si një ngjarje me shumë rreziqe.
Përveç erërave ekstreme, parashikohet edhe reshje intensive bore, me deri në 30 centimetra në disa pjesë të Britanisë së Madhe.
Paralajmërime për borë, shi, erë dhe akull janë lëshuar në të gjithë vendin për shkak të kushteve të rrezikshme të udhëtimit.
Kryeparashikuesi i Met Office, Neil Armstrong, tha se ndikimet më të mëdha priten nga bora në disa zona të Uellsit dhe Midlandsit, si dhe nga erërat shumë të forta në jugperëndim.
Ai paralajmëroi se reshjet e shiut në disa rajone mund të shndërrohen në borë të rëndë, duke izoluar komunitete rurale.
BBC raporton se stuhia ”Goretti” mund të sjellë në BM një të ashtuquajtur ”bombë moti”, e njohur ndryshe si ciklogjenezë shpërthyese.
Ky fenomen ndodh kur presioni në qendër të një sistemi me presion të ulët bie me të paktën 24 milibarë brenda 24 orësh, duke prodhuar erëra aq të forta sa të rrëzojnë pemë dhe të shkaktojnë dëme strukturore./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post METEO – Alarm i kuq për stuhinë “Goretti” që po i afrohet Britanisë së Madhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
