Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever në një fjalim të enjten para parlamentit bëri thirrje për një Evropë më të fortë dhe më të bashkuar pas tensioneve të fundit mbi Groenlandën dhe qëndrimin e SHBA-së ndaj aleatëve të saj.
“Shtetet e Bashkuara janë më të fortat, por dinjiteti ynë nuk është në shitje. Ne nuk jemi skllevër”, tha ai.
Duke folur para një takimi të liderëve të BE-së në Bruksel, De Wever tha se zhvillimet e fundit nxorën në pah dobësitë strategjike të Evropës dhe urgjencën e forcimit të autonomisë së saj, raportoi transmetuesi publik RTBF.
Ai i bëri këto komente pasi mori pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se ishte arritur një kornizë për marrëveshje të mundshme që përfshinte Groenlandën dhe rajonin e Arktikut më të gjerë.
Ai tha se Evropa kishte shmangur për pak “një katastrofë të vërtetë”, duke shtuar se episodi duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi.
“Ne evropianët duhet të jemi të përgatitur të përballojmë stuhitë dhe të qëndrojmë vetëm”, tha De Wever duke bërë thirrje për përparim më të shpejtë në bashkëpunimin e mbrojtjes, integrimin e tregjeve të kapitalit dhe mekanizmat e bashkëpunimit të zgjeruar brenda BE-së.
“Edhe nëse nuk është për nesër, ne duhet të përshpejtojmë”, shtoi ai.
Udhëheqësit e BE-së u takuan në Bruksel për të diskutuar mbi zhvillimet me Washingtonin pas tensioneve nga interesi i Trump për Groenlandën për shkak të pozicionit të saj strategjik në Arktik, burimeve të bollshme minerale dhe shqetësimeve në rritje rreth ndikimit rus dhe kinez në rajon.
Veçmas, duke folur për RTBF-në, ministri i Jashtëm belg Maxime Prevot tha se dominimi global i SHBA-së përputhet me dobësinë strategjike të Evropës.
Ai tha se vendosja e trupave evropiane në Groenlandë u perceptua gabimisht nga Washingtoni si një veprim anti-amerikan, duke theksuar se kjo kishte për qëllim të siguronte SHBA-në dhe të adresonte shqetësimet e sigurisë në Arktik të lidhura me Kinën dhe Rusinë.
Prevot përshëndeti vendimin e Trump për të hequr kërcënimin e tarifave shtesë për vendet evropiane, duke i quajtur masat e tilla si “të papranueshme” ndërsa paralajmëroi se pauza mund të jetë e përkohshme për shkak të “paparashikueshmërisë” së Trump.
Ai tha se BE-ja duhet të përgatisë plane reagimi proporcional, përfshirë kundërmasa ekonomike nëse është e nevojshme.
Belgjika ka ndaluar aeroplanët që transportojnë armë dhe pajisje ushtarake drejt Izraelit të përdorin hapësirën ajrore të vendit ose të bëjnë ndalesa teknike, ka deklaurar Ministria e Punëve të Jashtme.
Vendimi, i iniciuar nga ministri i Jashtëm Maxime Prevot, kërkon që palët përkatëse të raportojnë tek zyrtarët belg detajet e transportit të fluturimeve që bartin pajisje ushtarake për Izraelin, raportoi Le Soir.
Embargo synon të parandalojë transportin e armëve dhe mallrave ushtarake drejt Izraelit, thuhet në gazetë.
Vendimi gjithashtu mbyll boshllëqet ligjore që më parë lejonin transportin “pa ndalesa”.
Inspektimet do të kryhen nga autoritetet doganore dhe Shërbimi Federal Publik për Mobilitetin dhe Transportin (SPF Transport).
Në Belgjikë, licencat për eksportin e armëve bien nën autoritetin e qeverive rajonale, ndërsa transporti dhe transiti i armëve menaxhohet në nivel federal, që do të thotë se embargoja federale mund të parandalojë në mënyrë efektive përdorimin e licencave rajonale për eksport.
“Belgjika ka detyrimin të bëjë gjithçka të mundur për të mos kontribuuar në këtë situatë… Belgjika po siguron që të respektojë detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar dhe po dërgon një sinjal të qartë në nivelet evropiane dhe ndërkombëtare”, ka thënë Prevot më parë mbi këtë çështje. /AA/
Zëdhënësja e presidentit amerikan, Donald Trump, Karoline Leavitt, njoftoi se, mes të tjerash, Belgjika e kishte pranuar ftesën e Shtëpisë së Bardhë për t’iu bashkuar Komitetit për Paqe, por pak më vonë nga Brukseli erdhi një përgënjeshtrim.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prevot, shkroi në X se ky informacion nuk është i vërtetë.
“Belgjika nuk ka pranuar të nënshkruajë dokumentin themelues të Komitetit për Paqe; ky informacion është i pasaktë”, shkroi Prevot.
Ai shtoi se përgjigjja e Belgjikës do të jetë në përputhje me përgjigjen e përbashkët të vendeve evropiane.
— (@)
“Ne dëshirojmë një reagim të përbashkët dhe të koordinuar të Evropës. Ashtu si shumë vende të tjera evropiane, kemi disa rezerva ndaj këtij projekti”, tha më tej Prevot.
Ndërkohë, asnjë vend i Bashkimit Evropian, përveç Hungarisë, nuk e ka pranuar ende ftesën për t’iu bashkuar Komitetit për Paqe të Trumpit.
Nga ana tjetër, dy vende të BE-së, Franca dhe Sllovenia, e kanë refuzuar shprehimisht të jenë pjesë e këtij Komiteti për Paqe, të cilin Trump e ka konceptuar si një lloj zëvendësimi për Kombet e Bashkuara.
Përveç Hungarisë, aktualisht në Komitetin për Paqe bëjnë pjesë Bjellorusia, Izraeli, Turqia, Arabia Saudite, Katari, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Azerbajxhani, Armenia, Kosova, Maroku, Pakistani, Indonezia, Uzbekistani, Paraguai, Kazakistani, Bahreini, Jordania dhe Vietnami. /Telegrafi/
Kryeministri belg, Bart De Wever ka komentuar rreth tërheqjes së vendeve drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar dallimin mes BE-së dhe fuqive të tjera globale.
“Populli dëshiron të bashkohet me Bashkimin Evropian. Askush nuk dëshiron të bashkohet me Kinën. Asnjë fqinj i Shteteve të Bashkuara nuk thotë: ‘Dëshirojmë të bashkohemi me Shtetet e Bashkuara.’ Askush nuk e dëshiron”, deklaroi De Wever.
Ai shtoi se arsyeja kryesore pse vendet aspiruese synojnë BE-në është respekti që kjo bashkësi ka fituar ndërkombëtarisht.
“Ata duan të bashkohen me Bashkimin Evropian thjesht sepse ne kemi respekt. Ne kemi sundimin e ligjit. Ne flasim butë”, tha Kryeministri belg.
Komentet vijnë në një kohë kur integrimi evropian dhe marrëdhëniet me fuqitë globale janë në qendër të debatit politik në kontinent.
Ndryshe, SHBA-ja kërkon me këmbëngulje që një ishulli danez i Grenlandës të jetë pjesë e shtetit amerikan. /Telegrafi/
Stuhia "Goretti" ka mbërritur në Belgjikë, e përcjellur nga erëra të forta, reshje të dendura shiu dhe borë në rajonet më të larta, duke bërë që autoritetet të lëshojnë paralajmërime të shumta për motin, njoftoi Instituti Mbretëror Meteorologjik.
Stuhia nga perëndimi në lindje ka shkaktuar tashmë ndërprerje, me zonat e brendshme që përjetojnë erëra me shpejtësi 80-90 km/h.
Belgjika regjistroi erëra me shpejtësi 90 km/h në Chievres dhe 82.8 km/h si në Beauvechain ashtu edhe në Bruksel sot në mëngjes.
Erërat pritet të lehtësohen në 50-60 km/h më vonë gjatë ditës.
Reshjet e dendura dhe të vazhdueshme të shiut po ndikojnë në pjesën më të madhe të vendit.
Pritet që bora të bjerë në pjesën e sipërme të Belgjikës deri në mëngjes dhe mund të grumbullohet deri në 15-20 cm në disa zona deri të shtunën.
Instituti Mbretëror Meteorologjik ka lëshuar paralajmërim portokalli për kushte të rënda të motit në Belgjikën jugore, duke u kërkuar banorëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes.
Stuhia përfshiu edhe Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke shkaktuar erëra të forta, përmbytje bregdetare, ndërprerje të udhëtimit dhe duke lënë rreth 437 mijë familje pa energji elektrike ndërsa të paktën gjashtë persona në Francë pësuan lëndime të lehta. /Telegrafi/
Ministrja e Migracionit e Belgjikës, Anneleen Van Bossuyt, ka bërë të ditur se qeveria belge po shqyrton “çdo zgjidhje të mundshme” për të rritur kthimin e migrantëve të parregullt, përfshirë edhe ndërtimin ose marrjen me qira të hapësirave të burgimit në Kosovë dhe Shqipëri.
Në një intervistë për Euronews, Van Bossuyt konfirmoi se gjatë vizitave në Shqipëri dhe Kosovë janë zhvilluar bisedime konkrete me autoritetet përkatëse. “Ne po shikojmë çdo zgjidhje të mundshme për të rritur shkallën e kthimeve. Kjo është një nga mundësitë që po e shqyrtojmë së bashku me ministrinë e drejtësisë”, u shpreh ajo.
Sipas saj, bisedimet me Shqipërinë synojnë strehimin e shtetasve shqiptarë që aktualisht ndodhen në burgjet belge. Ndërsa për Kosovën, ministrja tha se qeveria e saj po shqyrton mundësinë e strehimit të personave që qëndrojnë ilegalisht në Belgjikë dhe ndodhen në burgje, pavarësisht kombësisë së tyre.
“Në Kosovë, ne po shikojmë mundësinë për të strehuar njerëz që qëndrojnë ilegalisht në Belgjikë, por që ndodhen në burgjet tona”, deklaroi Van Bossuyt.
Ajo theksoi se Ballkani Perëndimor po shihet si një hapësirë për zgjidhje “inovative” në fushën e migracionit dhe se Belgjika mbetet e hapur edhe për partneritete të tjera. “Ne kemi qenë në Shqipëri dhe Kosovë, kemi folur me ministrat përgjegjës, por ndoshta në të ardhmen do të ketë edhe mundësi apo vende të tjera”, tha ministrja belge.
Miliarderi amerikan dhe pronari i Tesla-s, Elon Musk, deklaroi se kryeqyteti i Belgjikës, Brukseli, “nuk është më belg”.
Komenti i tij u bë pas rezultateve të një ankete nga portali belg “Immigratiebarometer”, i cili monitoron çështjet demografike dhe emigracionin në vend.
Sipas portalit, kanali kryesor i emigracionit për të hyrë në Belgjikë mbetet bashkimi familjar. Që nga viti 2018, mesatarisht çdo vit ka pasur rreth 56 mijë ribashkime familjare.
Vetëm gjatë pandemisë së COVID-19 u shënua një rënie, ndërsa në vitin 2024 u regjistrua një rekord me 59,873 familje që u ribashkuan.
Komenti i Musk erdhi në përgjigje të një postimi të Mario Nawfal, themelues i Grupit IBS, i cili vuri në dukje se pothuajse tre nga katër fëmijë në Bruksel tani janë me origjinë jo-evropiane. Ai theksoi se kjo ndryshon rrënjësisht përbërjen e popullsisë së qytetit dhe ka pasoja të thella sociale.
Sipas Nawfal, shumica e të miturve nuk kanë origjinë belge, duke riformësuar kështu popullsinë e ardhshme.
Ai argumentoi se ky fenomen nuk është rastësor, por rezultat i zgjedhjeve të qëllimshme politike nga elitat që injoruan paralajmërimet.
Kur një kryeqytet ka shumicën e popullsisë me rrënjë të huaja, integrimi bëhet i vështirë, ndërsa ajo që po ndodh në Bruksel përshkruhet si zëvendësim demografik, jo thjesht menaxhim i diversitetit. /Telegrafi/
Protesta e fermerëve, të cilët ishin organizuar në Bruksel gjatë fundjavës, paralizoi plotësisht këtë qytet, dhe pas protestës u regjistrua një situatë interesante.
Gjatë vetë protestës, fermerët mbërritën në qendër të Brukselit me traktorë dhe kamionë, ku gjatë kësaj ngjarjeje shkarkuan në rrugë edhe sasi të mëdha patatesh, të cilat demonstruesit i përdorën për të përplasur policinë.
Megjithatë, pasi protestat përfunduan, sasi të mëdha patatesh mbetën ende në rrugë, dhe qytetarët e Brukselit shfrytëzuan këtë mundësi duke mbledhur patatet për përdorim personal.
Belçika'nın başkenti Brüksel’de halk, çiftçilerin hükümetin tarım politikalarını protesto etmek için yollara döktüğü patatesleri topladı. pic.twitter.com/F4bBMW1PPR — Mehmet Ardıç 🇹🇷 (@MehmetArdic_) December 19, 2025
Në fakt, fermerët organizuan protestat për shkak të marrëveshjes së paralajmëruar midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Amerikës së Jugut të bashkuara rreth Mercosur.
Kjo e fundit do të ndikonte në mënyrë të konsiderueshme edhe në lëvizjen e produkteve bujqësore nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Fermerët evropianë e kuptuan marrëveshjen si një kërcënim dhe përmes protestave masive dhe të dhunshme treguan se çfarë mendonin për marrëveshjen e mundshme. /Telegrafi/
Në Bruksel sot ka ndodhur një përplasje mes fermerëve nga Evropa dhe policisë belge.
Kjo ka ndodh shkaku i demonstratave të fermerëve kundër marrëveshjes së diskutueshme tregtare midis Bashkimit Evropian dhe Mercosurit, i cili përfshin vendet e Amerikës së Jugut.
Fermerët në mbarë Evropën po protestojnë kundër kësaj marrëveshjeje, duke u frikësuar se hyrja e produkteve bujqësore nga vendet e Amerikës së Jugut do të çojë në rënie të kërkesës për produktet e tyre.
Protestat në Bruksel kanë nisur që mbrëmë, kur fermerët bllokuan rrugët, ndërsa sot ka ardhur deri te përplasjet e drejtpërdrejta me policinë.
Policia është përgjigjur me topa uji të fuqishëm të drejtuar ndaj protestuesve që ndodheshin afër.
Fermerë nga e gjithë Evropa thonë se sektori bujqësor prej vitesh është në krizë dhe akuzojnë BE-në se po dëmton standardin e tyre të jetesës përmes marrëveshjeve tregtare si Mercosuri dhe përmes shkurtimeve të mundshme të buxhetit të Politikës së Përbashkët Bujqësore.
Demonstrata synon të ushtrojë presion shtesë mbi liderët e BE-së, ndërsa ata shqyrtojnë prioritetet buxhetore dhe marrëveshjet tregtare, për të cilat fermerët druhen se do të rrisin konkurrencën dhe do të ulin çmimet. /Telegrafi/
Italia, Bullgaria dhe Malta iu bashkuan Belgjikës në kërkimin e alternativave ndaj një kredie 210 miliardë euro për Ukrainën me asetet e ngrira ruse, duke kërcënuar skemën e Bashkimit Evropian për ‘kredi dëmshpërblimi’.
Katër vendet mbështesin bllokimin e rezervave ruse, por paralajmërojnë se ato nuk duhet të përdoren direkt për Ukrainën.
Komisioni Evropian propozon bllokimin për të shmangur ndikimin e Hungarisë, raporton euractiv.
Vendet kërkojnë opsione alternative ligjore dhe të parashikueshme për mbështetjen financiare të Ukrainës.
Kryeministri belg Bart De Wever kritikon kredisë si të rrezikshme ligjërisht dhe financiarisht.
BE aktivizoi Nenin 122 për të ngrirë asetet ruse dhe shmangur kthimin e fondeve në Rusi.
Hungaria dhe Belgjika dyshojnë në ligjshmërinë e skemës dhe paralajmërojnë për pasiguri financiare.
Neni 122 lejon 15 vende të BE-së të bllokojnë asetet përgjithmonë, duke dobësuar pozicionin e kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
Vendimi nuk duhet të krijojë precedent për politikën e sigurisë dhe jashtme të BE-së.
BE-ja do të diskutojë ndryshimet e Belgjikës dhe garancitë për Euroclear para Këshillit të javës së ardhshme. /Telegrafi/
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali i ka dërguar një mesazh falenderimi homologëve të saj në Belgjikë dhe Danimarkë pas vendimeve të të dyja vendeve për hapjen e Ambasadave respektive në Tiranë.
Duke shprehur mirënjohjen ndaj dy ministrave të jashtëm, Spiropali shkruan në rrjetin social X se “këto hapa ndërmerren në një moment kyç për Shqipërinë dhe pasqyrojnë progresin e qëndrueshëm dhe të shpejtë të integrimit tonë në BE.”
“Mirënjohje e sinqertë për Ministrin e Jashtëm belg Maxime Prévot dhe Ministrin e Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen mbi vendimet e rëndësishme për hapjen e Ambasadave respektive në Tiranë.
Këto hapa ndërmerren në një moment kyç për Shqipërinë dhe pasqyrojnë progresin e qëndrueshëm dhe të shpejtë të integrimit tonë në BE.
E vlerësojmë besimin e këtyre vendeve mike në reformat e Shqipërisë, stabilitetin dhe kontributin tonë në sigurinë rajonale, si dhe mirëpresim thellimin e bashkëpunimit dypalësh, si dhe në kuadër të NATO-s dhe forumeve të tjera ndërkombëtare, duke çuar përpara angazhimin tonë të përbashkët për një Europë më të fortë dhe më të sigurt”, ka shkruar Spiropali.
Bashkimi Evropian ka zbuluar plane për të përdorur miliarda euro në asete të ngrira ruse për të ndihmuar në mbulimin e nevojave të luftës së Ukrainës gjatë dy viteve të ardhshme.
Por Belgjika po kundërshton pas njoftimit të mërkurën, duke argumentuar se plani mbart rreziqe ligjore dhe financiare që ka frikë se mund të përfundojë duke i marrë përsipër vetë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Brukseli do të furnizonte 90 miliardë euro (105 miliardë dollarë) nga kërkesat buxhetore të Ukrainës për vitet 2026-27, të vlerësuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në 137 miliardë euro (159 miliardë dollarë).
Ajo tha se "partnerë të tjerë ndërkombëtarë" do të mbulonin pjesën tjetër.
"Sot, po i dërgojmë një mesazh shumë të fortë popullit ukrainas. Ne jemi me ta për një kohë të gjatë", tha von der Leyen.
Fondet e ngrira ruse të mbajtura në Evropë do të përdoren si kolateral për një "kredi dëmshpërblimi" të projektuar për të mbështetur përpjekjet e luftës së Ukrainës, dhe të cilën Ukraina do ta kthejë përfundimisht pasi të marrë kompensim për luftën nga Rusia.
Ndihma mund të financohet edhe përmes huamarrjes së përbashkët të BE-së, por, pavarësisht kundërshtimeve belge, shumica e zyrtarëve evropianë kanë shprehur një preferencë për përdorimin e aseteve të ngrira ruse.
Plani i BE-së vjen ndërsa raundi i fundit i bisedimeve të paqes të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara midis Rusisë dhe Ukrainës tregon pak shenja progresi.
Moska e ka denoncuar planin e kredisë së dëmshpërblimeve si "vjedhje".
Si po propozon BE-ja të financojë Ukrainën?
Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, blloku evropian ka vënë në dispozicion më shumë se 170 miliardë euro (197 miliardë dollarë) për Ukrainën, kryesisht në formën e mbështetjes ushtarake dhe humanitare.
Komisioni Evropian tani po zotohet të ofrojë më shumë para për dy vjet të tjera në formën e kredive.
Dhe të mërkurën, u publikuan detajet e shumëpritura të planit të BE-së për një "kredi dëmshpërblimi".
Sipas tij, rreth 90 miliardë euro (104 miliardë dollarë) të aseteve të ngrira ruse do të përdoren si kolateral për një kredi për Ukrainën.
Sipas një marrëveshjeje kredie, shlyerja e kreditorëve - si qeveria ashtu edhe huadhënësit privatë - do të garantohet nga fitimet aktuale dhe të ardhshme të aseteve të ngrira.
Ukraina do ta shlyejë kredinë pasi Moska të kompensojë Kievin për shkatërrimin e shkaktuar nga pushtimi i saj.
"Është një taktikë mjaft e zgjuar", ka thënë për Al Jazeera, Gregoire Roos, drejtor i Programeve të Evropës dhe Rusisë dhe Euroazisë në Chatham House.
"Ata nuk po i sekuestrojnë asetet. Përkundrazi, po i mbajnë të ngrira dhe po i monetizojnë ato".
E Von der Leyen mendon se fondet do t'i japin Ukrainës më shumë ndikim në bisedimet e paqes dhe do t'i tregojnë Moskës se "zgjatja e luftës nga ana e tyre vjen me një kosto të lartë për ta". Ajo shtoi se Uashingtoni ishte informuar për planin.
Pse Belgjika e kundërshton këtë plan?
Belgjika shqetësohet se Euroclear – “zyra e pastrimit financiar” me seli në Bruksel që mban pjesën më të madhe të aseteve të ngrira ruse - mund të përfundojë e përfshirë në një padi të dëmshme nëse Rusia kundërshton vendimin e BE-së, ose nëse veprimi dëmton reputacionin dhe modelin e biznesit të Euroclear, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.
Në teori, Rusia mund ta kundërshtojë vendimin e ngrirjes së aseteve në një gjykatë në Belgjikë, ku është themeluar Euroclear.
Duke iu drejtuar një audience në selinë e NATO-s në Bruksel të mërkurën, ministri i Jashtëm belg Maxime Prevot tha: "Ne nuk po kërkojmë të armiqësojmë partnerët tanë ose Ukrainën. Ne thjesht po kërkojmë të shmangim pasojat e mundshme katastrofike për një shtet anëtar të cilit po i kërkohet të tregojë solidaritet pa i ofruar të njëjtin solidaritet në këmbim".
Prevot tha se Belgjika e sheh "opsionin e kredisë së dëmshpërblimeve si më të keqin nga të gjithë, pasi është i rrezikshëm" dhe "nuk është bërë kurrë më parë".
Në vend të kësaj, ai dëshiron që BE-ja të ndjekë huamarrjen e zakonshme të tregut për të financuar një kredi për Ukrainën.
"Është një opsion i njohur, i fuqishëm dhe i vendosur mirë me parametra të parashikueshëm", tha ai.
Për t'iu përgjigjur shqetësimeve të Belgjikës, plani i Komisionit Evropian përfshin masa për të mbrojtur qeveritë e BE-së nga "hakmarrja e mundshme nga Rusia" dhe për të krijuar një mekanizëm huamarrjeje në nivel BE-je.
Sa para janë “në lojë”?
Rreth 290 miliardë euro (337 miliardë dollarë) të pasurisë sovrane të Rusisë - kryesisht në formën e rezervave të këmbimit valutor të mbajtura si para të gatshme dhe obligacione - u ngrinë nga fuqitë perëndimore pas pushtimit të Ukrainës nga Moska gati katër vjet më parë.
Një pjesë e madhe e këtyre aseteve mbahet në Belgjikë, ku deri në qershor të këtij viti mbaheshin afërsisht 194 miliardë euro (225 miliardë dollarë).
Vetëm Euroclear mban rreth 183 miliardë euro (212 miliardë dollarë) të këtyre aseteve.
Sasi më të vogla asetesh mbahen gjithashtu në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Japoni.
Sipas një plani të dakordësuar nga vendet e Grupit të Shtatë (G7) në vitin 2024, Ukrainës do t'i jepeshin kredi që do të shlyheshin duke përdorur interesin e fituar nga asetet e ngrira të huaja të Rusisë, duke i lënë në mënyrë efektive asetet e paprekura, por duke i lejuar Kievit të përfitojë nga të ardhurat që ato gjenerojnë.
Por një njoftim i fundit shkon një hap më tej duke i kolateralizuar fondet e ngrira.
Çfarë thonë partnerët e Belgjikës në BE?
Të mërkurën, von der Leyen tha se po shqyrtonte kundërshtimet e Belgjikës.
“Ne i kemi dëgjuar me shumë kujdes shqetësimet e Belgjikës dhe i kemi marrë pothuajse të gjitha parasysh në propozimin tonë. Ne do ta ndajmë barrën në një mënyrë të drejtë, pasi është mënyra evropiane”, tha ajo.
Zyrtarë të tjerë evropianë e përsëritën këtë.
Johann Wadephul, ministri i punëve të jashtme i Gjermanisë, tha: “Ne i marrim seriozisht shqetësimet e Belgjikës. Ato janë të justifikuara, por çështja mund të zgjidhet. Mund të zgjidhet nëse jemi të përgatitur të marrim përgjegjësi së bashku”.
Diku tjetër, David van Weel, ministri i punëve të jashtme i Holandës, theksoi rreziqet e “kokëfortësisë” së Belgjikës.
“Këto fonde janë vërtet, vërtet të rëndësishme. Ne duhet të mbështesim ekonominë ukrainase; përndryshe, ata do të kenë një kohë shumë të vështirë vitin e ardhshëm”.
Van Weel theksoi se shtetet anëtare të BE-së e kanë dëgjuar Belgjikën.
“Ne i kuptojmë shqetësimet e Belgjikës dhe jemi të gatshëm të sigurohemi të paktën që ata të mos jenë vetëm në këtë”, tha ai.
Edhe vende të tjera të BE-së tashmë kanë sinjalizuar gatishmërinë për të mbështetur humbjet e mundshme për Belgjikën. /Telegrafi/
Në vitin 2024, përdorimi i inteligjencës artificiale (AI) nga mësuesit ndryshonte ndjeshëm në Evropë, me Shqipërinë dhe Kosovën që udhëhiqnin në rajon ndërsa vendet e Evropës Perëndimore zakonisht shënonin nivele më të ulëta.
Përdorimi i inteligjencës artificiale (AI) nga mësuesit ndryshon shumë nëpër Evropë, me disa vende që ndjekin një qasje më të kujdesshme.
Shumica e mësuesve e përdorin kryesisht për përgatitje ndërsa ekspertët presin që përdorimi i saj të rritet, por paralajmërojnë se duhet shfrytëzuar në mënyrë të përgjegjshme, transmeton Telegrafi.
Inteligjenca artificiale po bëhet pjesë e jetës së përditshme. Mjetet dhe mundësitë që ofrojnë kompanitë kryesore të AI-së janë rritur shpejt në vitet e fundit, raporton euronews.
Arsimi nuk bën përjashtim. Autoritetet, mësuesit ose studiuesit tregojnë se si nxënësit përdorin mjete të tilla si ChatGPT për të përfunduar detyrat e shtëpisë, duke përfshirë ese. Në të njëjtën kohë, AI-ja ofron edhe mbështetje të vlefshme për mësuesit.
Sa gjerësisht po e përdorin mësuesit IA-në në Evropë? Cilat vende janë përpara? Dhe për çfarë mbështeten më shumë mësuesit tek AI?
Sipas Anketës Ndërkombëtare të Mësimdhënies dhe Mësimit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) – TALIS, përdorimi i AI-së nga mësuesit ndryshon ndjeshëm në Evropë në vitin 2024.
Nga 32 vende, pjesa e mësuesve të shkollave të mesme të ulëta që përdorin AI-në ndryshon nga 14 për qind në Francë deri në 52 për qind në Shqipëri në vitin 2024. Mesatarja është 32 për qind në Bashkimin Evropian (EU-22), ndërsa në OECD (27 vende) është 36 për qind.
Në anketë, përdorimi i AI-së përfshin parashikime, sugjerimin e vendimeve ose gjenerimin e tekstit.
Ai përfshin përdorimin e AI-së në mësimdhënie ose për të lehtësuar të nxënit e nxënësve gjatë 12 muajve para anketës.
Modelet rajonale të forta nuk shfaqen qartë, megjithatë, përgjithësisht, vendet e Evropës Perëndimore kanë tendencë të kenë një përdorim më të ulët të AI-së nga mësuesit krahasuar me Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore.
Përveç Shqipërisë, pjesa e mësuesve që përdorën AI-në të paktën një herë arriti në dy nga pesë ose më shumë në tetë vende/ekonomi.
Përqindjet e tyre ishin: Malta (46%), Çekia (46%), Rumania (46%), Polonia (45%), Kosova (43%), Maqedonia e Veriut (42%), Norvegjia (40%) dhe rajoni flaman i Belgjikës (40%).
Vendete që përdorën më pak AI-në në shkolla ishin: Bullgaria (22%), Hungaria (23%), rajoni francez i Belgjikës (23%), Turqia (24%), Italia (25%), Finlanda (27%), Mali i Zi (28%) dhe Sllovakia (29%).
Pse ndryshon shumë përdorimi i AI-së?
Një zëdhënës i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) vuri në dukje se qeveritë kanë miratuar politika të ndryshme politike për AI-në në arsim, gjë që mund të ndikojë në vetëdijen dhe përdorimin e AI-së nga mësuesit në Evropë.
“Disa vende kanë qenë më proaktive në zhvillimin e strategjive kombëtare për AI-në, që përfshijnë edhe sektorin e arsimit, ndërsa të tjerat kanë marrë një qëndrim më të kujdesshëm ndaj AI-së dhe përdorimit të AI-së gjeneruese në shkollë, duke vendosur rregulla më të rrepta sipas moshës së nxënësve”, tha zëdhënësi për Euronews Next.
Ruochen Li, menaxher i lartë i projektit në OECD, vuri në dukje se “infrastruktura, kufizimet teknologjike siç janë ‘firewall’-et, qëndrimet shoqërore ndaj përdorimit të teknologjisë në shkolla dhe politikat që mund të nxisin ose dekurajojnë mësuesit të përdorin AI-në” mund të shpjegojnë dallimet mes vendeve.
“Ne shohim një lidhje të fortë në nivel vendi midis sasisë së trajnimeve të ofruara për përdorimin e AI-së dhe përdorimit të saj”, tha ai për Euronews Next.
Ben Hertz dhe Antoine Bilgin, menaxherë pedagogjikë dhe kërkimorë në European Schoolnet, theksuan se ndryshimet e mëdha në përdorimin e AI-së pasqyrojnë mjedisin politik dhe kulturën arsimore të secilit vend, disa prej të cilëve marrin një qëndrim më të kujdesshëm kombëtar.
“Qasja në mbështetje praktike si trajnimi dhe infrastruktura është gjithashtu një faktor thelbësor për përshpejtimin. Të dhënat e TALIS konfirmojnë se në sistemet me përdorim më të lartë të AI-së, mësuesit kanë më shumë gjasa të kenë marrë mësim profesional mbi këtë temë”, thanë Hertz dhe Bilgin për Euronews Next.
Për shembull, Franca filloi këtë vit të ofrojë trajnime kombëtare për AI-në në shkollat publike, pas mbledhjes së të dhënave të TALIS.
“Kujdesi, rregulla të paqarta dhe infrastruktura e kufizuar janë faktorë që mund të shpjegojnë adoptimin më të ngadaltë, veçanërisht në një fushë të re dhe të debatueshme si AI-ja”, shtuan ata.
Shkaktarë të mundshëm për këtë hendek janë prania dhe cilësia e trajnimeve, ngarkesa e punës, mungesa e mësuesve, motivimi personal dhe kurioziteti, sipas Martinas Di Ridolfo, koordinatore politike në Komitetin Evropian të Sindikatave për Arsim (ETUCE).
Për çka e përdorin mësuesit AI-në?
Nga mësuesit që përdorin AI-në, mesatarisht në Bashkimin Evropian (EU-22), pothuajse dy të tretat (65 për qind) thonë se e përdorin për të mësuar në mënyrë efikase dhe për të përmbledhur një temë, dhe 64 për qind përdorin AI-në për të gjeneruar plane mësimore ose aktivitete.
Dy përqindjet më të larta tregojnë se AI-ja përdoret kryesisht për përgatitjen e mësuesve vetë.
Qëllime të tjera dhe përqindjet e tyre janë:
Ndihmojnë nxënësit të praktikojnë aftësi të reja në skenarë të jetës reale (49%)
Mbështesin nxënësit me nevoja të veçanta arsimore (40%)
Rregullojnë automatikisht vështirësinë e materialeve mësimore sipas nevojave të nxënësve (39%)
Gjenerojnë tekste për vlerësime të nxënësve ose komunikime me prindër/përkujdes (31%)
Rishikojnë të dhëna mbi pjesëmarrjen ose performancën e nxënësve (29%)
Vlerësojnë ose notojnë punën e nxënësve (26%)
Këto gjetje sugjerojnë se përdorimi i drejtpërdrejtë në klasë ose drejtuar nxënësve është më pak i zakonshëm.
Mësuesit kryesisht mbështeten te AI për përgatitjen e tyre personale, ndërsa detyrat e vlerësimit janë ato që përdoren më pak.
Hertz dhe Bilgin sugjeruan se shumë mësues ka gjasa të përdorin AI-në kryesisht “prapa skenave” tani dhe në të ardhmen e afërt.
Ruochen nga OECD sugjeroi se AI mund t’i mbështesë mësuesit në punët administrative, dhe kjo mund t’u lirojë kohë dhe energji për detyra të tjera më të lidhura drejtpërdrejt me mësimdhënien.
Çka do të sjell në ardhmen AI në shkolla?
Ekspertët bien dakord se përdorimi i AI-së në arsim po rritet vazhdimisht dhe do të vazhdojë të zgjerohet. Ata gjithashtu paralajmërojnë se përdorimi me përgjegjësi, udhëzimet e qarta dhe vetëdija për dobësitë e mundshme duhet të jenë pjesë e këtij përparimi.
Hertz dhe Bilgin nga European Schoolnet vunë re se me kalimin e kohës, sistemet e AI-së mund të ndërveprojnë më shpesh direkt me nxënësit, për shembull duke propozuar aktivitete të personalizuara ose duke ofruar reagime në kohë reale.
“Por mësuesit duhet të mbeten ndërmjetësit kryesorë midis nxënësit dhe teknologjisë, për të ruajtur autoritetin, mbikëqyrjen etike dhe rolin e kujdestarit”, thanë ata.
UNESCO thekson rolin qendror të mësuesve ndërsa përdorimi i AI-së në arsim zgjerohet.
“Veglat e AI-së duhet të plotësojnë, jo të zëvendësojnë, mësuesit, dhe përdorimi i tyre duhet të jetë në përputhje me standardet etike dhe objektivat arsimore, duke ruajtur autonominë dhe privatësinë e mësuesve dhe nxënësve”, tha një zëdhënës i UNESCO-s.
Duke pritur që përdorimi i AI-së të rritet tek mësuesit dhe nxënësit, veçanërisht me veglat gjeneruese, Di Ridolfo ngriti një shqetësim tjetër “duke marrë parasysh mungesën e theksuar të mësuesve që kemi në Evropë, shohim rreziqe konkrete për de-kualifikim dhe humbje të aftësive profesionale”.
Ajo gjithashtu tërhoqi vëmendjen mbi një kufizim të studimit të OECD-së: të dhënat nuk japin informacion mbi frekuencën e përdorimit. Nuk tregohet nëse mësuesit kanë përdorur AI-në rregullisht apo vetëm disa herë për testim. /Telegrafi/
Belgjika ka kundërshtuar të mërkurën një plan për të përdorur asetet e ngrira ruse për të ndihmuar në mbështetjen e ekonomisë dhe përpjekjeve të luftës së Ukrainës gjatë dy viteve të ardhshme, duke thënë se skema paraqet rreziqe të mëdha financiare dhe ligjore.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, buxheti dhe nevojat ushtarake të Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027 vlerësohen të arrijnë në rreth 130 miliardë euro (150 miliardë dollarë) - dhe Bashkimi Evropian është zotuar të mbushë boshllëkun.
Blloku tashmë ka derdhur mbi 170 miliardë euro (197 miliardë dollarë) që nga fillimi i luftës në vitin 2022.
Fondi më i madh i fondeve të gatshme në dispozicion është përmes aseteve të ngrira ruse.
Shumica e parave mbahen në Belgjikë, rreth 194 miliardë euro (226 miliardë dollarë) që nga qershori, dhe jashtë BE-së në Japoni, me rreth 50 miliardë dollarë, dhe SHBA, Britani të Madhe dhe Kanada me shuma më të vogla.
Komisioni Evropian, dega ekzekutive e BE-së, duhej të bënte publike më vonë të mërkurën detajet e propozimit të tij për të përdorur paratë ruse si kolateral për të ndihmuar në përmbushjen e nevojave të konsiderueshme të Ukrainës përmes një "kredie dëmshpërblimi".
Por ministri i Jashtëm belg Maxime Prévot tha se vendi i tij e konsideron "opsionin e kredisë së dëmshpërblimit si më të keqin nga të gjithë, pasi është i rrezikshëm. Nuk është bërë kurrë më parë". Rusia e ka përshkruar skemën si "vjedhje".
Duke lexuar me ngurrim vërejtjet e përgatitura për gazetarët në selinë e NATO-s në Bruksel, Prévot i kërkoi BE-së të huazonte paratë për Ukrainën në tregjet ndërkombëtare.
"Është një opsion i njohur, i fuqishëm dhe i mirëvendosur me parametra të parashikueshëm", theksoi ai.
"Skema e kredisë së dëmshpërblimit përfshin rreziqe të rëndësishme ekonomike, financiare dhe ligjore", vuri në pah ai, duke shtuar se propozimet e komisionit nuk adresojnë shqetësimet e Belgjikës.
"Nuk është e pranueshme të përdoren paratë dhe të lihen vetëm përballë rreziqeve".
Belgjika ka frikë se Euroclear, “zyra e pastrimit financiar” me seli në Bruksel që mban asetet e ngrira, mund të ndërmarrë veprime ligjore nëse Rusia kundërshton çdo përdorim të fondeve ose nëse ky veprim dëmton imazhin dhe interesat e saj të biznesit. /Telegrafi/
Ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, dhe zyrtari i lartë i Komisionit Evropian, Stefano Sannino, u liruan të martën vonë në mbrëmje.
Një gjë e tillë erdhi pasi ata u ndaluan si të dyshuar në një hetim për mashtrim që tronditi Brukselin, njoftoi Zyra e Prokurorit Publik Evropian, raporton sot portali Euractiv.
Të dy u ndaluan të martën pas një serie bastisjesh të kryera nga policia belge në selinë e shërbimit diplomatik të BE-së në Bruksel, në Kolegjin e Evropës në Bruges, si dhe në banesa private.
Prokuroria dyshon se të dy vepruan në bashkëpunim në vitet 2021 dhe 2022 për të drejtuar një tender publik për një akademi të re diplomatike të BE-së drejt Kolegjit të Evropës, ku Mogherini është rektore dhe drejton projektin.
Akademia financohet nga shërbimi diplomatik i BE-së, EEAS, të cilin Mogherini e drejtoi midis viteve 2014 dhe 2019, dhe në të cilin Sanino mbajti një pozicion të lartë kur u mor vendimi se ku do të vendosej akademia.
Një tjetër zyrtar i lartë i Kolegjit të Evropës u arrestua gjithashtu.
"Pas marrjes në pyetje nga Policia Federale Gjyqësore Belge… tre individët janë informuar zyrtarisht për akuzat kundër tyre", ka thënë Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) në një deklaratë.
Akuzat përfshijnë "mashtrim dhe korrupsion në prokurimin publik, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional".
Sipas ligjit belg, etiketimi i dikujt si i dyshuar do të thotë se një hetim është duke vazhduar dhe se ata mund të merren në pyetje përsëri, por kjo nuk nënkupton fajësi.
EPPO tha se të dyshuarit u liruan sepse "nuk konsideroheshin si në rrezik arratisjeje". Ata mbeten të pafajshëm ndërsa hetimi vazhdon. /Telegrafi/
Ku mund të merrni diagnostifikim me ndihmën e inteligjencën artificiale (AI), dhe cilat vende po kryejnë eksperimente me qëllim reduktimin e ndjeshëm të kohës së pritjes?
Në mes të shqetësimeve të gjerë për të ardhmen e inteligjencës artificiale, shumë thonë se ajo ofron më shumë mundësi sesa rreziqe, raporton euronews.
Në studimin e saj të parë mbi integrimin e AI-së në sistemet shëndetësore evropiane, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se inteligjenca artificiale mund të përmirësojë kujdesin shëndetësor dhe të lehtësojë presionin mbi stafin e mbingarkuar.
Shumica e vendeve evropiane dhe evroaziatike - 50 të anketuara në total - po e zbatojnë.
Pavarësisht ekzistencës së boshllëqeve ligjore, AI po përdoret tashmë për detyra kritike.
Cilat vende tashmë kanë zbatuar diagnostikën e ndihmuar nga AI-ja?
Përdorimin më të zakonshëm në diagnostikim e raportojnë 64 për qind e vendeve, duke përfshirë sektorët si oftalmologjia, radiologjia apo dermatologjia. Franca, Portugalia, Hungaria, Suedia dhe Holanda - ndër të tjera - tashmë kanë përdorur diagnostikë të ndihmuar nga AI-ja gjatë dy viteve të fundit dhe planifikojnë ta vazhdojnë, thotë organizata.
Të tjera, si Mbretëria e Bashkuar apo Italia, e kanë zbatuar atë vetëm “joformalisht”, pra vetëm në disa institucione klinike, për shkak të mungesës së proceseve dhe politikave formale. Ndërkohë, një grup tjetër vendesh - përfshirë Spanjën, Poloninë, Belgjikën apo Ukrainën - janë ende duke e testuar, transmeton Telegrafi.
Në disa raste, diagnostika e ndihmuar nga AI-ja mund të shkurtojë ndjeshëm kohëzgjatjen e disa ekzaminimeve. Në një projekt të synuar në përmirësimin e radioterapisë, autoritetet shëndetësore të Sllovakisë përdorën një softuer që automatizonte proceset e konturimit të organeve, duke rezultuar në një ulje prej 50 për qind të kohës që shpenzonin onkologët, duke siguruar njëkohësisht respektim të “standardeve moderne ndërkombëtare”, sipas OBSH-së.
Përdorimi i dytë më i zakonshëm i AI-së, i raportuar nga 50 për qind e vendeve, është 'chatbot' për asistencë ndaj pacientëve, i ndjekur nga automatizimi i logjistikës dhe detyrave administrative (40 për qind).
Kush është përpara në zbatimin e AI-së dhe cilat janë barrierat kryesore?
Franca dhe Spanja dalin si dy vendet udhëheqëse ndër pesë ekonomitë më të mëdha të Evropës, me aplikimet më të konsoliduara të AI-së.
Gjermania nuk mori pjesë në këtë pjesë të anketës. Franca i plotëson të gjitha kategoritë e përmendura të aplikimeve të AI-së, me kirurgjinë, diagnostikën dhe kontrolluesit e simptomave që tashmë kanë praktika të vendosura, ndërsa pjesa tjetër është në fazë pilotimi.
Spanja ka vendosur tashmë praktika të qarta për kirurgji të asistuar nga AI, detyra administrative dhe chatbot-ë, ndërsa në sistemin shëndetësor britanik chatbot-ët janë e vetmja aplikim i konsoliduar i AI-së; gjithçka tjetër po zhvillohet ose joformalisht ose në fazë testimi në Britani të Madhje.
Italia nuk ka aplikime të kodifikuara të AI-së, por raporton përdorim joformal të saj në të gjitha shtatë fushat.
Paratë nuk janë problemi më i madh - çfarë po e ngadalëson zbatimin e AI-së?
Sipas raportit, pasiguria ligjore është pengesa kryesore për përdorimin e inteligjencës artificiale në shëndetësi, e cituar nga 86 për qind e vendeve, duke tejkaluar madje edhe përballueshmërinë financiare, e cila është barriera e dytë më e raportuar (78 për qind).
Sa i përket boshllëqeve ligjore, OBSH-ja thotë se megjithatë po bëhen përparime.
“Më shumë se gjysma (54, 27 nga 50 për qind) e shteteve raportuan se kanë një ose më shumë agjenci rregullatore përgjegjëse për vlerësimin dhe aprovimin e sistemeve të AI-së në shëndetësi”, duke shtuar megjithatë se “më pak prej tyre kanë agjenci të ngarkuara me monitorimin e zbatimit dhe përdorimit”.
“Inkurajuese është se po shfaqet bashkëpunimi ndër-vendor rregullator, me disa shtete anëtare që po ndajnë njohuri dhe burime për të forcuar qeverisjen e AI-së në sektorin e shëndetësisë”, thuhet në raport.
Për çfarë duan ta përdorin AI-në shtetet evropiane?
Anketa e OBSH-së tregon se shtetet po i drejtohen kryesisht AI-së për të adresuar problemet e momentit.
Përmirësimi i kujdesit ndaj pacientëve (70 për qind), lehtësimi i presionit mbi stafin mjekësor (62 për qind) dhe reduktimi i joefikasiteteve (54 për qind) u identifikuan nga shumica si çështje me “rëndësi të madhe”.
Ndërkohë, më pak se gjysma e vendeve të anketuara dhanë të njëjtën rëndësi për “përparimin e kërkimit shkencor dhe zbulimin e barnave” (24 për qind) dhe “uljen e pabarazive” (38 për qind). /Telegrafi/
Teknologjia e përgjimit me dronë e prodhuar në Evropë është e klasit botëror.
Shtetet baltike në veçanti janë të afta në teknologjinë e dronëve.
Cila është arsyeja e kësaj historie suksesi?
Kompania estoneze DefSecIntel ka zhvilluar një sistem radari celular që zbulon dronë luftarakë të armikut.
Për këtë, kompania mori çmimin e inovacionit në panairin tregtar të teknologjisë së sigurisë Milipol në Paris.
Ideja për një mur mbrojtës nga dronë në kufirin e jashtëm të BE-së vjen gjithashtu nga drejtori ekzekutiv i DefSecIntel, Jaanus Tamm: “Kjo do të na lejojë të kapim dronë në rajonin kufitar. Është një platformë e rrjetëzuar sistemesh të montuara në rimorkio ose minivanë.”
DefSecIntel ka hyrë në një marrëveshje bashkëpunimi me prodhuesin letonez të dronëve Origin Robotics.
Elementi qendror është droni interceptues Blaze, i cili është tashmë në përdorim në Ukrainë.
Shtetet baltike dhe nordike të BE-së kanë porositur gjithashtu Blaze, si dhe Polonia dhe Belgjika.
Themeluesi i Origin Robotics, Agris Ķipurs: “Ne përdorim modele të Al për zbulimin autonom të objektivave në ajër. Sekreti i suksesit është softueri.”
Piloti i interceptorit Martins shpjegon: "Kur një tufë dronësh sulmon, Blaze njeh se cili dron luftarak mban municion."
Pastaj Blaze shkatërron dronët e armatosur.
Martins thekson: “Dronët rusë fluturojnë shpejt. Por Blaze letonez është më i shpejtë.”
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, vizitoi së fundmi Origin Robotics, duke sjellë me vete 4.5 milionë euro mbështetje financiare nga Fondi Evropian i Mbrojtjes.
Letonia po koordinon koalicionin ndërkombëtar të dronëve për të mbështetur Ukrainën dhe për të përmirësuar aftësitë mbrojtëse evropiane. /Telegrafi/
Belgjika u përball me trazira në të gjithë vendin të mërkurën, ndërsa sindikatat organizuan ditën e fundit të një greve tre-ditore kundër masave shtrënguese të qeverisë, me pjesë të sektorit privat që iu bashkuan aksionit për herë të parë.
Transporti publik mbeti shumë i prekur, megjithëse më shumë tramvaje, autobusë dhe trena ishin në qarkullim sesa në ditët e mëparshme. Sektori i arsimit do të përjetojë gjithashtu ndërprerje të vazhdueshme, me disa mësues që do të bëjnë grevë për të dytën ditë radhazi.
Dy aeroportet kryesore të Belgjikës po përjetojnë ndërprerje të konsiderueshme. Asnjë fluturim nuk do të niset ose mbërrijë në Aeroportin e Charleroi, ndërsa Aeroporti i Brukselit ka anuluar të gjitha nisjet dhe pret probleme të mundshme edhe me fluturimet hyrëse.
“Për shkak të ditës kombëtare të veprimit të planifikuar për të mërkurën, më 26 nëntor, nga një front i bashkuar i sindikatave dhe mungesës së stafit në dispozicion për të siguruar operacione të sigurta, Aeroporti i Charleroi nuk do të jetë në gjendje të operojë nisjet dhe mbërritjet e planifikuara”, shkroi në një deklaratë aeroporti i dytë më i ngarkuar i kryeqytetit belg.
Portet në Flandër u përballën gjithashtu me probleme operacionale, sipas agjencisë së lajmeve Belga, me dhjetëra anije që nuk mund të hynin ose të dilnin nga portet e Antwerpit, Ghentit dhe Zeebrugges.
Belgjika ka hyrë sot në ditën e parë të një greve të gjerë tre-ditore, e cila pritet të paralizojë transportin, shërbimet publike dhe sektorin privat, në shenjë proteste ndaj reformave fiskale të qeverisë së kryeministrit Bart De Wever. Sindikatat e kanë cilësuar paketën e masave si një “shkatërrim të shtetit të mirëqenies”, duke akuzuar qeverinë […]
Këtë të hënë, Belgjika ka hyrë në ditën e parë të një greve të gjerë tre-ditore, e cila pritet të paralizojë transportin, shërbimet publike dhe sektorin privat, në shenjë proteste ndaj reformave fiskale të qeverisë së kryeministrit Bart De Wever.
Sindikatat e kanë cilësuar paketën e masave si një “shkatërrim të shtetit të mirëqenies”, duke akuzuar qeverinë se po i ngarkon qytetarët me koston e shtrëngimeve buxhetore.
Që prej së dielës, kompania publike hekurudhore SNCB ka ulur në minimum shërbimet, ndërsa sot vetëm një në dy ose tre trena është në funksion.
Edhe pjesa tjetër e transportit publik është paralizuar, ndërsa linjat Eurostar që lidhin Brukselin me Parisin pritet të preken ndjeshëm. Të martën greva do të shtrihet në shkolla, çerdhe, poste, shërbime të mbledhjes së mbeturinave dhe në një pjesë të madhe të sistemit shëndetësor.
Transporti publik do të vazhdojë të funksionojë me ndërprerje.
Kulmi i mobilizimit pritet të mërkurën, kur do të bashkohen edhe sektorët kryesorë të ekonomisë private.
Aeroportet e Brukselit dhe Charleroit paralajmërojnë se nuk do të ketë nisje të fluturimeve, për shkak të grevës së stafit tokësor dhe personelit të sigurisë. Edhe mbërritjet do të preken rëndë.
Qeveria e qendrës së djathtë, ka njoftuar masa shtrënguese që synojnë kursimin e 10 miliardë eurove deri në vitin 2030, në një kohë kur Belgjika është ndër vendet më të borxhlira të Bashkimit Evropian dhe përballet me kërkesat e BE-së për të respektuar rregullat e deficitit dhe borxhit.
Në të njëjtën kohë, vendi duhet të rrisë ndjeshëm shpenzimet ushtarake sipas angazhimeve të NATO-s.
Protestat kundër reformave janë intensifikuar muajt e fundit. Në tetor, rreth 100,000 njerëz marshuan në Bruksel kundër paketës së qeverisë, ndërsa vala e re e grevave tregon rritjen e presionit ndaj kabinetit De Wever. Në ditët në vijim, Belgjika përballet me paralizën më të madhe sindikale të viteve të fundit.