Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 February 2026Main stream

Përfundojnë për sot bisedimet trepalëshe SHBA, Ukrainë dhe Rusi - shefi i delegacionit ukrainas tregoi se si u zhvilluan diskutimet

4 February 2026 at 17:57


Kanë përfunduar për sot bisedimet trepalëshe mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi.

Këtë e njoftoi për gazetarët Diana Davitian, sekretarja për shtyp e shefit të delegacionit ukrainas.

“Bisedimet për sot kanë përfunduar,” tha Davitian, raporton Ukrinform.

Ndërkohë, shefi i delegacionit ukrainas, Sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, Rustem Umerov ka deklaruar se “puna ishte e thelluar dhe produktive, e fokusuar në hapat konkret dhe zgjidhje praktike” ndërsa nuk ka zbuluar se çfarë mund të jenë këto hapa.

Umerov vë në dukje se delegacioni amerikan përfshinte përfaqësuesin Steve Witkoff, dhëndrin e Donald Trumpit, Jared Kushner, Josh Gruenbaum, Daniel Driscoll dhe gjeneralin Alex Grynkewich.

Ai thotë se rusët ishin përfaqësuar në një nivel të lartë ushtarak.

Umerov thotë se po përgatit një raport për t’ia dërguar presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Parashikohet që negociatat të vazhdojnë nesër.

Siç raportoi më parë Ukrinform, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, miratoi kornizën e diskutimeve dhe objektivat specifike për ekipin ukrainas të negociatave para raundit të ri të takimeve trepalëshe në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Takimi i mëparshëm në Abu Dhabi mes Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë u zhvillua më 23–24 janar dhe u fokusua në parametrat për përfundimin e luftës. Përfaqësuesit ushtarakë gjithashtu paraqitën listën e çështjeve që do të trajtohen në takimet e ardhshme. /Telegrafi/

Reali Madridi mund të rikthehet në garë për Konatën, por vetëm me një kusht

4 February 2026 at 17:52


Reali Madridi po shqyrton mundësinë e përforcimeve në mbrojtjen qendrore për merkato verore, duke vënë në listë disa lojtarë me kontrata që skadojnë.

Qendërmbrojtësi i Liverpoolit, Ibrahima Konate, mund të rikthehet sërish si një objektiv për gjigantët e La Ligës, por vetëm nëse i ul kërkesat financiare që e kanë bërë transferimin e mundshëm të komplikuar më parë.

Sipas ESPN, Konate ishte një nga objektivat e mundshëm që nga fillimi, por pretendimet e tij të larta e bënë Realin të përjashtohej nga gara. Nëse mbrojtësi pranon të rinegociojë kushtet, interesimi i Madridit mund të rinovohet.

telegrafi.com

Liverpooli, nga ana tjetër, po përpiqet të sigurojë një zgjatje të kontratës së mbrojtësit, i cili skadon brenda gjashtë muajve.

Konate tashmë mund të negociojë një marrëveshje para-kontrate me një klub të huaj, por ende nuk ka arritur akordin me ndonjë prej pretendentëve të mundshëm.

Situata e mbrojtësit francez pritet të jetë një nga temat më të ndjekura të merkatos së verës, ndërsa interesat e klubeve europiane vazhdojnë të rriten. /Telegrafi/

Ministria e Drejtësisë e refuzoi kërkesën e studentëve shqiptarë, provimi i jurisprudencës do të mbahet vetëm në gjuhën maqedonase

4 February 2026 at 17:40


Ministria e Drejtësisë ka refuzuar kërkesën e 385 studentëve shqiptarë të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Nga Ministria e Drejtësisë vlerësojnë se një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Në një përgjigje të gjatë në të cilën gjen shumë nene dhe ligje të cituara nga ministria thonë se gjuha shqipe dhe alfabeti i saj janë zyrtar, por deklarojnë se Ligji për Provimin e Jurisprudencës nuk përmban dispozita për dhënien e provimit të jurisprudencës në një gjuhë tjetër përveç gjuhës maqedonase.

“Zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nuk mund të shqyrtohet në mënyrë të izoluar, por në korelacion me rregulloret e tjera relevante, edhe atë: Me Ligjin për avokatinë, Ligjin për gjykatat, Ligjin për prokurorinë publike, Ligjin për përmbarim dhe Ligjin për noterinë, si tërësi. Përkatësisht, provimi i jurisprudencës është parakusht themelor për të hyrë në profesione të ndryshme në sistemin e gjyqësorit, e me këtë rast nga natyra dhe qëllimi i këtyre profesioneve buron edhe nevoja e njohjes aktive të gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, deklaruan nga ministria për televizionin Shenja.

Nga ky dikaster thonë se për t’u bërë gjykatës, prokurorë, avokat e për të ushtruar profesione të tjera që lidhen me juridikun, duhet me patjetër të njohësh në mënyrë aktive gjuhën maqedonase.

“Një nga kushtet për zgjedhjen e gjyqtarit është që personi të zotërojë në mënyrë aktive gjuhën maqedonase. Në përputhje me nenin 61 të Ligjit për prokurorinë publike për prokurorë publik mund të emërohet gjegjësisht të zgjidhet një person, i cili e zotëron në mënyrë aktive gjuhën maqedonase”, deklaruan nga ministria.

Për çështjen e provimit shqip të jurisprodencës ka reaguar sot edhe ambasadori shqiptar në RMV, Denion Mejdani duke deklaruar se kërkesa e studentëve për qasje të barabartë në arsim dhe në proceset profesionale është pjesë e një debati më të gjerë për zbatimin praktik të të drejtave të garantuara me ligj dhe funksionimin efektiv të institucioneve.

Kujtojmë se kjo përgjigje e Ministrisë së Drejtësisë vjen një javë pasi studentët shqiptarë kërkuan që provimi i jurisprodencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Këtë kërkesë ata e mbështetën në një peticion të nënshkruar nga 385 studentë nga universitete të ndryshme të fakulteteve juridike. /shenja

Klodi i hidhet në përqafim Elijonës, pasi ajo “shqetësohet” se si është parë nga jashtë

4 February 2026 at 17:33


Elijona ka ndarë së fundmi një moment reflektimi brenda shtëpisë, duke shprehur hapur shqetësimin e saj për mënyrën se si mund të perceptohet nga publiku jashtë.

Në një bisedë të qetë dhe të sinqertë, ajo ka folur për këto mendime me dy banorët e tjerë, Klodin dhe Ludon, duke treguar se përvoja në shtëpi shpesh e bën të mendojë për imazhin dhe gjykimin që vjen nga jashtë.

Gjatë diskutimit, Elijona ka theksuar se është një ndjenjë e natyrshme të pyesësh veten se si po dukesh dhe si po interpretohen veprimet e tua nga audienca, veçanërisht në një format kaq të ndjekur.

Klodi dhe Ludo e kanë dëgjuar me vëmendje, duke i qëndruar pranë dhe duke i ofruar mbështetje morale në këtë moment reflektimi.

Pas përfundimit të bisedës, situata mori një kthesë më emocionale, kur Klodi iu afrua Elijonës dhe e përqafoi, në shenjë mbështetjeje dhe solidariteti. /Telegrafi/

Mbi 160 të vrarë nga sulmues të armatosur në Nigeri

4 February 2026 at 17:22


Më shumë se 160 persona u vranë në fshatin Woro në perëndim të Nigerisë nga sulmues të armatosur, duke u bërë sulmi më vdekjeprurës i këtij viti.

Banorët thanë se viktimat u mblodhën, iu lidhën duart dhe më pas u qëlluan. Sulmuesit dogjën edhe shtëpi dhe dyqane, raporton theguardian.

Disa banorë u arratisën në pyll me plagë nga armët, ndërsa disa, përfshirë sundimtarin e fshatit, janë të zhdukur. Banorët raportuan se sulmuesit ishin xhihadistë që kërkuan që ata të pranonin Sheriatin.

Kur banorët refuzuan, sulmuesit hapën zjarr gjatë predikimit. Policia konfirmoi sulmin, por nuk ka dhënë shifra të sakta, raporton theguardian.

Guvernatori i Kwara e dënoi si një akt frikacak të terrorizmit. Ushtria njoftoi se kishte neutralizuar 150 banditë dhe kishte pastruar strehimoret e tyre.

Nigeria po përballet me dhunë xhihadiste, grabitje dhe konflikte etnike në shumë rajone.


SHBA kanë dërguar një skuadër të vogël ushtarake për të ndihmuar në luftën kundër dhunës.


Siguria në vend mbetet e paqëndrueshme dhe komunitetet po përpiqen të rikuperohen nga dhuna. /Telegrafi/

Universiteti i Prishtinës, përsëri lider i universiteteve shqipe sipas Webometrics

4 February 2026 at 17:21


Universiteti i Prishtinës (UP) është rikonfirmuar si universiteti më i mirë në gjuhën shqipe në renditjen e vitit 2026 të platformës ndërkombëtare „Webometrics”.

Sipas renditjes më të re globale, UP-ja pozicionohet në vendin e 2403-të, që përbën nivelin më të lartë që universiteti ka arritur ndonjëherë në këtë platformë. Për krahasim, në janar 2025 UP-ja ishte në vendin e 2543-të, ndërsa në fillim të vitit 2024 renditej e 2605-ta.

Platforma „Webometrics” vlerëson universitete nga e gjithë bota duke marrë parasysh dukshmërinë globale, prezencën digjitale, cilësinë dhe ndikimin e kërkimit shkencor, transparencën dhe performancën akademike.

Renditja e vitit 2026 përfshin mbi 30,000 institucione të arsimit të lartë nga të gjitha kontinentet, duke konfirmuar kështu pozicionin e UP-së si lider ndër universitetet që ofrojnë mësim në gjuhën shqipe.

Ky sukses reflekton përpjekjet e vazhdueshme të universitetit për të rritur cilësinë akademike, inovacionin dhe prezencën globale në shkencë dhe arsim.

Fenerbahce zbulon prapaskenat e transferimit të Kantes, ndihma e Erdoganit ishte vendimtare

4 February 2026 at 17:15


Fenerbahçe ka përfunduar me sukses transferimin e N’Golo Kante nga Al-Ittihad, pas një sagë që u zgjat deri vonë mbrëmë.

Klubi turk lëshoi sot një deklaratë duke falënderuar presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për mbështetjen në realizimin e kësaj marrëveshjeje.

Transferimi i Kantes fillimisht ishte bllokuar për shkak të një gabimi nga Al-Ittihad në sistemin TMS të FIFA-s (Transfer Matching System). FIFA e ndaloi përkohësisht lëvizjen, derisa klubi arab dërgoi një formular të plotësuar saktë, duke lejuar që transferimi të miratohej menjëherë.

Presidenti i Fenerbahçes, Sadettin Saran, në emër të klubit, theksoi rëndësinë e mbështetjes së Erdogan në përfundimin e suksesshëm të transferimit:

“Klubi ynë ka përfunduar me sukses transferimin e njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm në futbollin botëror, N’Golo Kante. Falënderoj Presidentin e Republikës së Turqisë, z. Recep Tayyip Erdogan, për mbështetjen e dhënë gjatë këtij procesi, i cili do të kontribuojë në zhvillimin e Fenerbahçes dhe futbollit turk".

Teşekkürlerimizle

🔗 https://t.co/D1mzOcgdu5 pic.twitter.com/8NQUtZXq4E
— Fenerbahçe SK (@Fenerbahce) February 4, 2026


Në deklaratë u theksua gjithashtu roli i tifozëve: besimi dhe mbështetja e tyre gjatë gjithë procesit kanë shërbyer si motivim dhe burim fuqie për klubin. Fenerbahçe përfundoi deklaratën me një mesazh për sezonin e ri.

“Tani është koha për ta transferuar këtë forcë në fushë dhe për të qenë me ekipin tonë. Do të besojmë së bashku, do të luftojmë së bashku dhe do të fitojmë së bashku", thuhet në deklaratën e klubit turk.

Kante pritet të jetë një përforcim kyç për mesfushën e Fenerbahçes dhe për ambiciet e klubit turk këtë sezon./Telegrafi/

A e dini se kur duhet të zëvendësoni peshqirët tuaj?

4 February 2026 at 17:10


Shumica prej nesh besojmë se peshqirët mund të zgjasin përgjithmonë, për sa kohë që nuk janë të grisur, por ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk është tamam e vërtetë - veçanërisht për arsye higjiene dhe shëndetësore.

Shkencëtarët dhe ekspertët thonë se peshqirët nuk kanë një etiketë me një datë të saktë skadimi si ushqimet, por me kalimin e kohës ata humbasin aftësinë për të thithur, bëhen me erë të pakëndshme, të ashpër në prekje dhe një mjedis ideal për shumimin e baktereve që janë të vështira për t'u hequr me larje të zakonshme.

Sa kohë duhet ta përdorni në të vërtetë një peshqir? Rekomandimi i përgjithshëm është që peshqirët e banjës të zëvendësohen afërsisht çdo dy deri në tre vjet, megjithëse materialet me cilësi më të lartë, si pambuku egjiptian ose turk, mund të zgjasin deri në pesë vjet me kujdesin e duhur.

Nëse peshqiri juaj nuk e thith më ujin aq mirë sa dikur, zbehet ose lë një erë të pakëndshme edhe pas larjes, këto janë shenja të qarta se është koha për ta hedhur.

Peshqirët më të vegjël, siç janë peshqirët e duarve që përdoren më shumë dhe lahen më shpesh, zakonisht duhet të zëvendësohen pas një ose dy vitesh sepse e humbasin funksionalitetin e tyre më shpejt.

Ekspertët theksojnë se tharja dhe ventilimi i duhur i banjës është thelbësor - peshqirët që qëndrojnë të lagur për një kohë të gjatë bëhen një mjedis i përshtatshëm për shumimin e baktereve dhe kërpudhave, të cilat gjithashtu mund të çojnë në acarim të lëkurës. Prandaj, nuk është e rëndësishme vetëm sa shpesh lani, por edhe ku dhe si i lini të thahen.

Sigurisht, e gjithë kjo nuk do të thotë që çdo peshqir i ngurtësuar ose i zbehur shkon menjëherë në plehra - copat e vjetra mund të përdoren si lecka pastrimi ose për fshirje pas punëve të shtëpisë, gjë që është një zgjidhje ekologjike dhe praktike përpara se të hidhen përfundimisht.

Shkurt - peshqirët mund të mos kenë një datë të saktë skadimi, por ata patjetër që kanë një "kohë përdorimi", dhe zëvendësimi në kohë do të thotë higjienë më e mirë, freski dhe një përvojë më të këndshme pas dushit.

Si u shndërrua Gaza në debat të brendshëm në Kosovë...

4 February 2026 at 17:04


Edhe pse Kosova ndodhet rreth 1.800 kilometra larg Gazës, konflikti i armatosur atje shkaktoi jehonë të fortë në debatet publike dhe rrjetet sociale vendase - nga sharjet dhe ofendimet, deri te kërcënimet me jetë.

Ngjarjet e 7 tetorit 2023, kur militantë të Hamasit - grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera - kaluan kufirin me Izraelin, vranë mbi 1.200 njerëz dhe rrëmbyen qindra të tjerë, shkaktuan një krizë humanitare në enklavën e kontrolluar nga Hamasi, që vazhdon të tronditë botën.

Mbi dy vjet më vonë, pas ndërmjetësimit të presidentit amerikan, Donald Trump, Izraeli dhe Hamasi bënë një armëpushim të brishtë, por pasojat e dhunës mbeten të thella: rreth 70 mijë palestinezë të vrarë në Gazë dhe një botë e ndarë midis viktimave dhe sulmuesve nga të dyja anët.

Në këtë kontekst, debatet në Kosovë, të cilat vazhdonin që nga fillimi i konfliktit, u intensifikuan javën e kaluar pas publikimit të një dokumentari nga gazetari kosovar, Kushtrim Sadiku.

Po, përse ky polarizim?

Kërcënimet ndaj gazetarit dhe reagimet publike

Tri ditë para publikimit të dokumentarit në Televizionin Kanal 10 - i cili rikthen ngjarjet e 7 tetorit përmes rrëfimeve të të mbijetuarve dhe analizës së situatës në Izrael, mbi dy vjet më vonë - Sadiku filloi të përballej me reagime të ndryshme lidhur me përmbajtjen.

Pas publikimit, mesazhet kërcënuese rritën shqetësimin e tij dhe të familjes.

“Kam marrë kërcënime për jetën, të cilat i kam adresuar te Policia dhe Prokuroria e Kosovës. Gjithashtu, kam njoftuar edhe disa ambasada mike”, deklaroi Sadiku për Radion Evropa e Lirë.

Opinionistë dhe qytetarë morën qëndrime mbështetëse ose kritike, ndërsa komentet shpesh kaluan edhe në tone të ashpra.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) reagoi, duke kërkuar që diskutimi të zhvillohet brenda kornizave të debatit të lirë, pa kërcënime ndaj sigurisë personale.

Rrjetet sociale, terren i polarizimit

Për njohësit e fushës, gjërat nuk janë thjeshta.

Profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, thotë se konflikti izraelito-palestinez është ndër më të mediatizuarit në botë dhe shton se rrjetet sociale në Kosovë janë ato që përdoren si mjet për përçarje.

“Komentet nuk filtrohen, debati nuk organizohet, ndërsa përçarja shfrytëzohet për audiencë dhe shikueshmëri. Televizionet vendore shpesh i amplifikojnë këto tensione përmes fragmenteve të emisioneve të tyre në rrjetet sociale”, thotë Zeneli për Radion Evropa e Lirë.

Ky model i “ekonomisë së vëmendjes”, sipas tij, sjell pasoja reale: debatet emocionale tejkalojnë analizën objektive dhe argumentet racionale, duke amplifikuar ndasitë brenda shoqërisë.

“Unë mendoj se kjo është e lidhur direkt me mënyrën se si po bëhet biznes me median në Kosovë, sepse monetizimi i përmbajtjeve nga mediat sociale e krijon këtë lloj të logjikës së përplasjes. Në modelin e biznesit të vetë mediave sociale, dominon ekonomia e vëmendjes, pa të cilën këto platforma nuk janë të vlefshme”, shton ai.

Reagimet historike dhe fetare

Profesori i Historisë në Universitetin e Prishtinës, Mentor Hasani, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se përfshirja e Kosovës në këtë debat lidhet me shumë faktorë - historikë, fetarë, politikë e gjeopolitikë.

Sipas tij, Ballkani - përfshirë Kosovën - ka qenë historikisht pjesë e perandorive me shtrirje globale, ku janë formësuar identitete të ndryshme fetare, kulturore dhe sisteme vlerash që ndikojnë edhe sot në leximin e konflikteve ndërkombëtare.

Ai thotë se për shqiptarët e Kosovës, kujtesa e luftës, dhunës dhe spastrimit etnik mbetet e freskët, edhe gati 27 vjet pas përfundimit të saj.

Kjo përvojë, sipas tij, reflektohet drejtpërdrejt në reagimet ndaj konfliktit në Gazë, ku individë dhe grupe të ndryshme shfaqin empati ose mirëkuptim për njërën apo tjetrën palë.

“Njerëzit e lexojnë konfliktin përmes përvojës personale - kush është viktimë, kush agresor, kush ka pushtet dhe kush është i pambrojtur - çka shpesh çon në vlerësime të pasakta”, sipas tij.

Hasani shton se reagimet në rrjetet sociale, veçanërisht ato në mbështetje të palestinezëve, përveç empatisë ndaj viktimave, bartin edhe një dimension fetar.

Edhe pse në Kosovë vazhdon të dominojë një islam tradicional, ai paralajmëron për ekzistencën e grupeve periferike që predikojnë forma radikale të fesë dhe nxisin përplasje brenda komunitetit.

“Ky emocionalitet i ushqyer nga pamjet e dhunës në Palestinë, ka krijuar hapësirë për instrumentalizim dhe përhapje të ideve radikale, duke lënë edhe përshtypjen e një antisemitizmi në nivele të caktuara”, thekson Hasani.

Megjithatë, ai vëren se në debatet publike ka edhe qëndrime mbështetëse për Izraelin, të cilat i sheh si strategjike dhe pragmatike.

“Këta njerëz e shohin këtë mbështetje si pjesë të orientimit drejt Perëndimit dhe fuqive të mëdha, që kanë luajtur rol vendimtar në mbijetesën e popullit dhe shoqërisë sonë”, thotë Hasani.

Përplasjet online dhe emocionet

Për psikologun Dashamir Bërxulli, përplasjet online janë shpesh amplifikim i emocioneve historike dhe fetare.

Individët ose grupet me orientim fetar mbështesin kauzën palestineze, ndërsa të tjerët, me orientim historik, mbështesin Izraelin, sipas tij.

Ai paralajmëron se polarizimi i tillë mund të sjellë tension edhe në jetën reale, nëse nuk menaxhohet me kujdes nga elitat politike dhe intelektuale.

“Unë nuk po them se (polarizimi i shoqërisë) do të kulmojë në veprime të caktuara. Por, me gjasë, kur një tullumbace me energji mblidhet, atëherë - në një mënyrë ose tjetër - do të shpërthejë”, thotë Bërxulli për Radion Evropa e Lirë.

Edukimi dhe dialogu si zgjidhje

Historiani Mentor Hasani vlerëson se në parandalimin e thellimit të polarizimit shoqëror, rol të rëndësishëm mund të luajnë përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme, përfshirë ato fetare.

Duke iu referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sipas të cilave mbi 93 për qind e qytetarëve deklarohen të besimit islam, Hasani thekson se Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) mund të ketë ndikim kyç në shtendosjen e përplasjeve publike, veçanërisht në rastet kur përdoret fjalor me ngjyrim antisemit nga grupe me qëndrime radikale.

“Bashkësia Islame e Kosovës mund ta luajë një rol të madh, ashtu siç e ka luajtur viteve të fundit përballë këtyre rrymave”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar BIK-ut për koment lidhur me këto polarizime, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Në anën tjetër, diplomati i Kongresit Botëror Hebre për Kosovën, Flori Zevi, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se debatet rreth Gazës janë tregues i qartë i nevojës për më shumë edukim medial, qasje ndërdisiplinore dhe dialog të përgjegjshëm publik.

Sipas tij, dokumentari i gazetarit Sadiku ka hapur një diskutim të domosdoshëm, por reagimet ndaj tij dëshmojnë vështirësinë e shoqërisë për të ndarë faktet nga emocionet dhe analizën nga pozicionimi ideologjik.

Zevi thotë se në diskursin publik po zbehen zërat që kërkojnë paqe dhe dialog, ndërsa po dominojnë slogane që, në kontekstin e tyre historik dhe ideologjik, mohojnë të drejtën e Izraelit dhe të popullit hebre për ekzistencë.

“Kur kritika politike shndërrohet në demonizim kolektiv, atëherë kemi kaluar kufirin nga debati legjitim në diskriminim dhe urrejtje etnike apo fetare. Pikërisht për këtë arsye, edukimi është kyç”, thotë Zevi.

Çka thotë ligji në Kosovë?

Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës thuhet se “nxitja e urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimt midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet”.

Gazetari Sadiku konfirmon për REL-in se rasti i tij është nën hetime nga prokuroria.

Paqja nuk ndërtohet me slogane shkatërruese, por me empati, dije dhe përgjegjësi morale, përfundon Zevi.

LSM e dorëzoi në Kuvend iniciativën me të cilën pagat e funksionarëve duhet të ulen për 80 për qind

4 February 2026 at 17:00


Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë e dorëzoi në Kuvend iniciativën me të cilën pagat e funksionarëve duhet të ulen për 80%.

Sipas propozimit të LSM-së, funksionarët në vend do të kishin pagë deri rreth 1.000 euro, në vend të 2.000 deri 3.000 eurove sa janë tani.

“Iniciativa është në drejtim që edhe ata, ashtu si punëtorët, ashtu siç i bindin punëtorët se jetohet mirë me pagë minimale, të ndryshohet neni 11 i të njëjtit ligj dhe në vend që si deri tani baza për përllogaritjen e pagës së funksionarëve të jetë paga mesatare, të jetë paga minimale. Për më tepër kërkojmë që koeficienti i kompleksitetit për përcaktimin e kompensimit të pagave të përcaktuara me këtë ligj të ulet për 40 për qind, ose gjithsej 80 për qind ulje të pagave të funksionarëve”, tha Sllobodan Trendafilov nga LSM.

Nga LSM paralajmëruan bllokimin e rrugëve pranë institucioneve kyçe të vendit, në rast se kërkesa e tyre nuk pranohet.

Arabia Saudite surprizon botën! Pasaporta zyrtare edhe për devetë

By: gaze tare
4 February 2026 at 17:43

Arabia Saudite njoftoi sot se planifikon të lëshojë pasaporta për devetë e mbretërisë, të cilat do të formojnë një bazë të dhënash të gjerë që do të lejojë një menaxhim më të mirë të tufave.

Ministria e Mjedisit, Ujit dhe Bujqësisë premtoi se iniciativa do të rriste “produktivitetin dhe efikasitetin” e sektorit dhe do të ofronte “një bazë të dhënash referimi të besueshme”.

Në postimin e saj në rrjetet sociale, ministria paraqiti edhe një foto të dokumentit në fjalë: një pasaportë jeshile me emblemën e vendit dhe e zbukuruar me imazhin e një deveje të artë.

Sipas Al-Ekhbariya, pasaportat do të ndihmojnë në “organizimin e shitjeve” dhe do të lehtësojnë “tregtinë dhe transportin”, duke mbrojtur njëkohësisht të drejtat e pronarëve duke thjeshtuar procesin e vërtetimit të pronësisë.

Në vitin 2024, qeveria vlerësoi se kishte rreth 2.2 milionë deve në Arabinë Saudite. Këto kafshë kanë qenë gjithmonë një mjet jetësor transporti për vendin, duke u dhënë prestigj pronarëve të tyre dhe duke sjellë fitime të konsiderueshme për mbarështuesit. Devetë marrin pjesë gjithashtu në konkurse bukurie, të cilat organizohen gjatë festivaleve vjetore.

Pronarët shpesh investojnë qindra mijëra dollarë në këto konkurse. Megjithatë, vitet e fundit, organizatorët janë përpjekur të ndalojnë kirurgjinë plastike te devetë (për shembull, për t’i bërë buzët e tyre më të varura ose gungat e tyre më harmonike), një praktikë që lulëzon pavarësisht sanksioneve të rënda.

The post Arabia Saudite surprizon botën! Pasaporta zyrtare edhe për devetë appeared first on iconstyle.al.

Pas një viti fejesë, Princ Leka dhe Blerta Celibashi marrin vendimin e madh

By: gaze tare
4 February 2026 at 17:37

Princ Leka dhe Blerta Celibashi po përgatiten të hedhin hapin më të rëndësishëm në historinë e tyre të dashurisë: martesën. Burime ekskluzive për Vip Magazine bëjnë me dije se çifti ka nisur tashmë përgatitjet për ceremoninë, ndërsa dita e kurorëzimit pritet të jetë shumë pranë.

Lajmi vjen pas një periudhe të gjatë stabiliteti dhe ekspozimi publik për çiftin, të cilët prej kohësh nuk e kanë fshehur lidhjen e tyre. Vitin e kaluar, Princ Leka dhe Blerta festuan fejesën në një ambient intim në jug të vendit, në prani të familjarëve dhe miqve të ngushtë. Ceremonia bëri bujë në mediat shqiptare dhe u pasqyrua edhe nga disa media ndërkombëtare, duke tërhequr vëmendje të gjerë.

Që nga publikimi i lidhjes së tyre, dyshja janë shfaqur shpesh së bashku në evente të ndryshme publike në kryeqytet, duke reflektuar një raport të konsoliduar dhe një prani të qetë, por elegante. Daljet e tyre kanë qenë gjithmonë diskrete, por mjaftueshëm për të konfirmuar harmoninë mes tyre.

Tashmë, me përgatitjet për martesë në zhvillim, çifti pritet të kurorëzojë zyrtarisht dashurinë e tyre, duke shënuar një kapitull të ri në jetën personale të Princ Lekës dhe Blertës. Detajet e ceremonisë mbeten ende të rezervuara, por pritshmëritë janë të larta.

The post Pas një viti fejesë, Princ Leka dhe Blerta Celibashi marrin vendimin e madh appeared first on iconstyle.al.

Andrew dhe Epstein i kërkuan seks balerinës ekzotike në këmbim të parave

By: e xh
4 February 2026 at 17:25

Princi Andrew i Britanisë dhe Jeffrey Epstein i kërkuan një balerine ekzotike të “përfshihej në akte të ndryshme seksuale” në shtëpinë e të ndjerit të dënuar për abuzim seksual në Florida.

Në një letër të publikuar si pjesë e pjesës më të fundit të dosjeve të Epstein, avokatët e gruas së paidentifikuar thanë se asaj i ishin ofruar 10,000 dollarë për të kërcyer dhe se pasi ajo performoi, Epstein dhe Mountbatten-Windsor kishin kërkuar marrëdhënie seksuale në grup.

Avokatët thanë se gruas nuk i ishte paguar shuma e premtuar dhe do ta mbanin konfidencial takimin e vitit 2006, në të cilin ajo u “trajtua si prostitutë” në këmbim të një pagese prej 250,000 dollarësh.

Letra, e datës mars 2011, pohon se gruaja dhe balerina të tjera ekzotike nga “Rachel’s Strip Club” në West Palm Beach ishin shoqëruar me shofer në shtëpinë e Epstein dhe iu ofruan 10,000 dollarë për të performuar.

Dokumenti pohon se ajo kishte parë “gra të tjera të reja të veshura në mënyrë provokuese” në festë, disa prej të cilave “dukeshin të ishin vetëm 14 vjeç”.

RIGË – Trupat e NATO-s i bashkohen zyrtarisht brigadës së udhëhequr nga Gjermania në Lituani

4 February 2026 at 17:49

RIGË, 4 shkurt /ATSH-DPA/- Forcat e armatosura gjermane po vazhdojnë të zgjerojnë brigadën e tyre në Lituani, ndërsa trupat e NATO-s janë stacionuar tashmë në shtetin baltik – të integruara zyrtarisht në Brigadën e 45-të Panzer (Tanke) të Bundeswehr, e njohur edhe si Brigada e Lituanisë.

Ushtarët nga “Grupi Shumëkombësh i Betejës, Lituani” janë gjithashtu nën komandën e brigadës, duke rritur forcën e saj lokale në rreth 1,700 forca ushtarake.

Gjermania e krijoi brigadën në përgjigje të asaj që e sheh si një kërcënim në rritje për NATO-n nga Rusia.

Brigada u vu zyrtarisht në shërbim në prill 2025 dhe pritet të bëhet plotësisht operacionale si një njësi luftarake deri në vitin 2027, me një forcë totale prej 4800 ushtarësh dhe 200 civil.

“Roli kryesor i Gjermanisë në mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s është i paçmuar”, tha ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas në fjalimin e tij në ceremoninë në qytetin e Kaunas.

“Brigada është “parandaluesi më i mirë” për Lituaninë dhe rajonin”, tha ai.

Ky dislokim shënon një nisje historike për Bundeswehr-in, pasi përfaqëson herën e parë që një formacion i madh luftarak gjerman stacionohet përgjithmonë jashtë vendit. //a.i/

The post RIGË – Trupat e NATO-s i bashkohen zyrtarisht brigadës së udhëhequr nga Gjermania në Lituani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Macron: Franca po punon për rifillimin e dialogut me Putinin

4 February 2026 at 17:49

PARIS, 4 shkurt /ATSH-AA/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të martën se po bëhen përgatitje për të rifilluar dialogun me presidentin rus, Vladimir Putin, duke vënë në dukje se megjithatë Moska nuk po tregon një “qëllim të vërtetë” për të negociuar paqen me Ukrainën.

“Po përgatitet, dhe për këtë arsye diskutimet po zhvillohen në një nivel teknik”, u tha Macron gazetarëve gjatë një vizite në Francën verilindore, raportoi e përditshmja franceze Le Monde.

“Mendoj se do të ishte e dobishme, por nuk mendoj se Rusia është aktualisht e gatshme të përfundojë një marrëveshje paqeje (me Ukrainën) në ditët ose javët e ardhshme”, shtoi ai.

Kontakti me Kremlinin ishte i nevojshëm për të negociuar garancitë e sigurisë pas luftës, sipas Macron.

“Në këtë kontekst, është e rëndësishme që evropianët të rivendosin kanalet e tyre të diskutimit”, u citua ai nga e përditshmja franceze.

Macron nënvizoi se Franca do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, duke thënë se sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës janë “të patolerueshme” dhe nuk tregojnë një “gatishmëri të vërtetë” për të negociuar për paqe.   /os/

The post PARIS – Macron: Franca po punon për rifillimin e dialogut me Putinin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Bisedimet Iran-SHBA do të mbahen të premten në Oman

4 February 2026 at 17:37

TEHERAN, 4 shkurt /ATSH-DPA/- Negociatat midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit do të zhvillohen në Oman këtë javë, raportuan sot mediet iraniane, megjithëse qeveritë në Uashington dhe Teheran ende nuk e kanë konfirmuar vendndodhjen.

Agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim” raportoi se “negociatat indirekte” do të mbaheshin të premten në kryeqytetin e Omanit, Muscat, duke u përqendruar në programin bërthamor të Iranit dhe heqjen e sanksioneve.

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së Steve Witkoff pritet të marrin pjesë në bisedime.

Sipas “Tasnim”, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Esmail Baghaei tha me herët se si Turqia ashtu edhe Omani, si dhe disa vende të tjera në rajon, kanë “deklaruar gatishmërinë e tyre” për të pritur takimin.

Stambolli, fillimisht u përmend në mediat amerikane si një vend i mundshëm për bisedimet.

Ministria tha se Araghchi kishte biseduar dje në mbrëmje me homologët e tij në Turqi, Oman, Katar dhe Kuvajt.

Ai thuhet se falënderoi ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan për përpjekjet e tij për të ulur tensionet dhe mbështetjen e tij për paqen dhe sigurinë në rajon.

Përpjekjet për të gjetur një vend për negociatat vijnë mes shqetësimeve të reja në lidhje me një sulm ushtarak amerikan ndaj Iranit.

Pas një vale protestash në Iran të cilat u shtypën brutalisht në fillim të këtij viti nga forcat e sigurisë, presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi të ndërhynte, duke u thënë demonstruesve se do të ofronte ndihmë.

Ushtria amerikane që atëherë ka zgjeruar kapacitetet e saj ushtarake në rajon, me aeroplanmbajtësen “USS Abraham Lincoln” dhe anije të tjera që janë dislokuar në Lindjen e Mesme.

Bisedimet ka të ngjarë të mbulojnë gjithashtu programin bërthamor të diskutueshëm të Iranit, pasi SHBA-ja bombardoi vendet kryesore bërthamore në të gjithë vendin vitin e kaluar. //a.i/

The post FOKUS – Bisedimet Iran-SHBA do të mbahen të premten në Oman appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjykata Kushtetuese: Nënkryetari serb i Kuvendit propozohet nga shumica e deputetëve serbë

4 February 2026 at 17:35

PRISHTINË, 4 shkurt/ATSH/ Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke theksuar se nënkryetari propozohet nga shumica e deputetëve të këtij komuniteti.

Aktgjykimi i plotë publikohet disa ditë pasi Kushtetuesja publikoi një njoftim lidhur me këtë vendim sa i përket zgjedhjes së Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit gjatë legjislaturës së kaluar, duke gjetur se ai ishte zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.

“Kandidati/ja për nënkryetar/e të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb; përderisa kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë propozohet, nga shumica e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë, në përputhje me kërkesat formale dhe në mirëbesim”, thuhet në aktgjykim.

Rashiq, udhëheqës i partisë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u zgjodh nënkryetar nga radhët e komunitetit serb në tetor të vitit 2025, përmes shortit të iniciuar nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.

Shorti u organizua pasi Lista Serbe – që kishte nëntë deputetë dhe po aq do të ketë edhe në legjislaturën e re – nuk morën votat e nevojshme, dhe u organizua shorti.

Zgjedhja e tij u kontestua nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Që atëherë, Kuvendi është shpërndarë dhe vendi ka mbajtur zgjedhje dhe Kushtetuesja ka thënë se aktgjykimi i saj nuk ka efekt prapaveprues”.

Pra, kjo do të thotë se ky vendim nuk vlen edhe për rastet para hyrjes në fuqi, por për ato që do të merren në të ardhmen.

Gjykata tha se e drejta për të propozuar nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb i takon shumicës së deputetëve të këtij minoritet.

Në aktgjykim u tha se aktivizimi i mekanizmit zhbllokues të shortit, “duhet të vijnë në shprehje rrethana përjashtimore, me ç’rast shumica e deputetëve nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë nuk do të propozonte kandidatët”.

Institucioni më i lartë juridik në shtet tha se në rastin konkret nëntë kandidatë nga komuniteti serb u votuan nga tri herë, pas propozimit nga ana e përfaqësuesit të tyre.

“Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit për nënkryetar të Kuvendit, respektivisht, anëtar të Kryesisë së Kuvendit, si dhe pas kërkesës nga kryetari i zgjedhur i Kuvendit që të propozohet deputeti i mbetur i pa votuar nga radhët e komunitetit serb, përfaqësuesi i shumicës së deputetëve në radhët e komunitetit Serb kërkoi ripropozimin e kandidatëve nga kjo shumicë bazuar në të drejtën e përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 67 të Kushtetutës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit”, u tha në aktgjykim.

Në vendim thuhet se përderisa i takon Kuvendit që të vlerësojë rrethanat që e bëjnë të domosdoshëm aktivizimin e mekanizmave debllokues, “Gjykata thekson fuqishëm që këto mekanizma nuk mund të përdoren si procedurë e rregullt e zgjedhjes së kryetarit/nënkryetarëve, por vetëm në rrethana të caktuara, kur një gjë e tillë është e domosdoshme për të debllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe vetëm në masën që një gjë e tillë i shërben qëllimit kushtetues për çka këto mekanizma janë përcaktuar”.

“Në parim, ashtu siç është theksuar më herët, propozimet nga grupet parlamentare apo deputetët që gëzojnë të drejtën e propozimit, në frymën e mirëbesimit dhe bashkëpunimit, duhet të synojnë arritjen e konsensusit, të sigurojnë votat e nevojshme dhe të rezultojnë në zgjedhjen e kandidatëve ashtu siç janë propozuar dhe siç parashihet me Kushtetutë. Për më tepër, duke u mbështetur në përcaktimet kushtetuese të lartcekura, ky parim ka rëndësi të veçantë për garantimin e së drejtës së përfaqësimit të komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilat nuk disponojnë numrin e nevojshëm për të siguruar vetë zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në kryesinë e Kuvendi”, thuhet në aktgjykim.

Kushtetuesja thotë se shorti nuk mund të përdoret si mekanizëm në rrethanat kur shumica e deputetëve të Kuvendit do të përcaktonte përfaqësuesin e një komuniteti joshumicë, pa propozimin e këtij komuniteti, pasi argumenton se kjo, “në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit”.

Pas njoftimit për aktgjykimin, të publikuar nga Kushtetuesja më 28 dhjetor, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte kritikuar atë, duke vlerësuar se përmbante “gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse”.

Ai vlerësoi se pretendimet e Gjykatës Kushtetuese “janë të pabaza” sa i përket zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Basha deklaroi se Rashiq nuk u propozua nga shumica e deputetëve serbë, pasi siç argumentoi ai, nga shumica e këtyre deputetëve nuk ka pasur propozim.

“Me fjalë të tjera, vetë Gjykata Kushtetuese po e pranon se shumica e deputetëve nga komuniteti serb nuk e kanë propozuar zotin Rashiq, pra kemi pasur të bëjmë me refuzim, apo ndryshe thënë mospropozim nga ana e tyre”, shkroi Basha në rrjetet sociale.

Më 16 tetor 2025, Lista Serbe iu drejtua Kushtetueses me ankesë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata më e lartë në vend veçse kishte trajtuar një ankesë të Listës Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kryeparlamentari Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.

Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.

Në atë vendim, Kushtetuesja tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb. /rel/

The post Gjykata Kushtetuese: Nënkryetari serb i Kuvendit propozohet nga shumica e deputetëve serbë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti: Institucionet e reja duhet të konstituohen sa më parë

4 February 2026 at 17:31

PRISHTINË, 4 shkurt/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se me Ligjin për buxhetin 2025 që po funksionon qeveria në detyrë, mund të vazhdojë vetëm deri në muajin shkurt, prandaj siç tha ai duhet të konstituohen institucionet sa më parë.

Kurti, nga Podujeva, ka folur për hapat që do të ndërmerren drejt krijimit të Qeverisë së re.

Kurti ka bërë të ditur se përbërja e qeverisë së ardhshme do të ketë shumë prej emrave të prezantuar më herët nga ai dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë vjeshtës së vitit të kaluar, por se ato nuk do të jenë identike.

“Do të ketë shumë prej emrave të cilët tashmë i kam prezantuar edhe unë edhe Konjufca në vjeshtën e vitit të kaluar, mirëpo nuk do të jenë identikë, do të ketë edhe emra të tjerë. Po përgatitemi që së pari ta konstituojmë Kuvendin dhe sa me shpejt ta formojmë Qeverinë e re. Siç e dini i kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore dhe e kemi Planin e rritjes me BE që është 882.6 milionë euro e që duhet sa më parë ta miratojmë në Kuvendin e Kosovës pa harruar që e kemi më se shumti obligim e ky është buxheti për vitin 2026. Qeveria në detyrë mund të vazhdojë veç deri në muajin shkurt, në muajin mars nuk mund të vazhdoj kësisoj, andaj në shkurt duhet ta kemi të përmbyllur edhe çështjen e buxhetit”, tha Kurti.

Ndërkohë i pyetur për një takim me presidenten Vjosa Osmani për të biseduar rreth çështjes së përzgjedhjes së presidentit ose presidentes, Kurti tha se ai është hapi i katërt pas formimit të qeverisë.

Kurti këto komente i bëri gjatë një vizite në Podujevë, në shkollën “Isa Boletini”. /Kosovapress/

The post Kurti: Institucionet e reja duhet të konstituohen sa më parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcim i bashkëpunimit për sigurinë hekurudhore në rajon

4 February 2026 at 17:25

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Një grup ekspertësh nga ERA, Agjencia e Bashkimit Europian për Hekurudhat, Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit (TCT), Autoriteti Kombëtar i Sigurisë, si dhe nga Organi Austriak i Investigimit, u mblodhën në Tiranë në kuadër të një trajnimi dyditor me fokus forcimin e sigurisë në transportin hekurudhor në rajon.

Pjesë e këtij trajnimi ishte edhe Hekurudha Shqiptare, e cila po angazhohet në procesin e rritjes së standardeve të sigurisë dhe përafrimit me praktikat më të mira europiane.

Trajnimi bëri bashkë zyrtarë dhe ekspertë të fushës, me synim shkëmbimin e përvojave dhe njohurive mbi parandalimin e incidenteve dhe përmirësimin e sistemeve të sigurisë.

Fokusi kryesor i këtij aktiviteti lidhet me objektivin strategjik të Agjencisë së BE-së për arritjen e zero aksidenteve në të gjithë rajonin.

Rritja e kapaciteteve profesionale dhe trajnimi i vazhdueshëm i stafit për të shmangur incidentet dhe për të garantuar siguri maksimale në transport mbetet një prioritet absolut për institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare të përfshira në sektorin e transportit hekurudhor.

Ky bashkëpunim rajonal dhe europian vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë, besueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së transportit hekurudhor në Shqipëri dhe më gjerë. /j.p/

The post Forcim i bashkëpunimit për sigurinë hekurudhore në rajon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MADRID – Spanja: Musk përbën “kërcënim për demokracinë”

4 February 2026 at 17:04

MADRID, 4 shkurt /ATSH-AA/ – Ministri spanjoll i Drejtësisë Felix Bolanos, akuzoi miliarderin Elon Musk se po përpiqet të minojë demokracinë, pasi sipërmarrësi i teknologjisë nisi një sulm personal ndaj Kryeministrit Pedro Sanchez.

Ministri Bolanos u përgjigj pasi Musk e quajti kryeministrin Sanchez një “totalitar fashist” dhe një “tradhtar të popullit spanjoll” në postimet në platformën e tij të mediave sociale X, pas njoftimit të kryeministrit spanjoll për masa të reja që synojnë përmbajtjen e paligjshme në rrjetet sociale.

Duke folur me gazetarët, Bolanos tha se komentet e Musk pasqyrojnë një kërcënim më të gjerë të paraqitur nga figura të fuqishme të teknologjisë që ndërhyjnë drejtpërdrejt në politikë.

“Për shumë vite, kemi parë miliarderë që përdorin pasurinë e tyre për të promovuar agjenda politike që dobësojnë të drejtat dhe dëmtojnë kohezionin shoqëror”, tha Bolanos.

“Tani ata kanë shkuar një hap më tej. Kjo kastë teknologjike, këta grabitqarë të të gjithëve, tani janë të përfshirë drejtpërdrejt në politikë. Ata hyjnë në debatin publik dhe kërcënojnë respektin tonë, bashkëjetesën tonë, të drejtat tona dhe demokracinë tonë”, tha ai.

Komentet e Musk erdhën pasi Sanchez tha se Spanja do të ndërmarrë hapa për të goditur përmbajtjen e paligjshme në rrjetet sociale, duke përfshirë propozimet për të mbajtur drejtuesit e kompanive penalisht përgjegjës për materiale të paligjshme, për të kufizuar aksesin për përdoruesit nën moshën 16-vjeç dhe për të kriminalizuar manipulimin e algoritmeve për të amplifikuar dezinformimin.

Bolanos, i cili shërben gjithashtu si ministër i presidencës, tha se debati ka të bëjë me “miliarderët që na kërcënojnë” dhe “politikanë progresivë dhe të guximshëm si Pedro Sanchez që u kundërvihen atyre dhe mbrojnë atë që u përket të gjithëve”.

Mosmarrëveshja ka tërhequr gjithashtu reagime nga opozita e ekstremit të djathtë të Spanjës. Lideri i Vox, Santiago Abascal, ripostoi komentet e Musk në X, duke e akuzuar Sanchez se është “një kriminel i korruptuar”.

Sanchez deri më tani ka shmangur përgjigjen direkt ndaj Musk.

Duke folur të martën në Dubai, kryeministri spanjoll mbrojti shtytjen rregullatore të Spanjës, duke thënë se vendi do të “mbronte sovranitetin e tij digjital kundër çdo ndërhyrjeje të huaj”.

Përplasja shënon shkëmbimin e dytë publik midis Sanchez dhe Musk në më pak se një javë.

Të premten, Musk kritikoi vendimin e Spanjës për të legalizuar më shumë se 500.000 emigrantë pa dokumente. Sanchez u përgjigj me një vërejtje të ashpër që synonte ambiciet hapësinore të Musk.

“Marsi mund të presë, njerëzimi nuk mundet”, shkroi Sanchez.   /os/

The post MADRID – Spanja: Musk përbën “kërcënim për demokracinë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌