Dy mësimdhënës të gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj janë përfshirë në një përleshje fizike të enjten, më 29 janar 2026, gjatë pushimit të gjatë, në prani të nxënësve.
Lidhur me rastin, për Telegrafin ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka bërë të ditur se policia ka shkuar në vend të ngjarjes.
“Më datë 29.01.2026, rreth orës 11:15, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion se në një shkollë të mesme në Ferizaj dy mësimdhënës janë përfshirë në një përleshje fizike”, ka deklaruar Veseli.
Ai ka sqaruar se incidenti ka ndodhur më herët gjatë ditës, në ambientet e shkollës.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:25, në korridorin pranë sallës së mësimdhënësve, ku janë përfshirë dy profesorë. Situata është qetësuar menjëherë nga drejtoria e shkollës”, ka shtuar Veseli.
Të dyja palët janë paraqitur në stacion policor dhe janë intervistuar nga Njësia e Hetimeve. Me urdhër të prokurorit, rasti është përpiluar "shënim zyrtar". /Telegrafi/
Istogu është tronditur ditën e djeshme (29/01/2026), pasi dyshohet për një rast dhunimit të një të miture.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, bëri të ditur për Telegrafin se është ndaluar një person i moshës madhore rreth orës 14:10, pasi dyshohet se ka dhunuar një të mitur në një motel.
Telegrafi ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka thënë se brenda afatit ligjor do të caktohet masa e paraburgimit.
Procesit të stërzgjatur të numërimit të votave nga Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare 2025 duket se po i vije fundi.
Ky proces fillimisht ishte përfunduar pothuajse, por që Komisioni Qendror Zgjedhor hasi në disa parregullsi që ndodhën fillimisht në Prizren, ku kishte dallime të mëdha në vota tek kandidatët për deputetë, për të kaluar më pas edhe tek komunat si Drenasi dhe Malisheva – andaj të gjitha komunat shkuan në rinumërim.
Në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se sot (30 janar) pritet që ky proces të përfundojë.
“Nga fillimi i këtij procesi (13 janar) dhe deri në përfundimin e ditës së enjte (29 janar) janë rinumëruar rreth 95% apo 2,414 nga 2,557 vendvotime”, tha ai.
Elezi shtoi më tutje: “Pra, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 143 vendvotime që i takojnë 4 komunave të fundit nga ky proces, si Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë. Ky proces, planifikohet të përmbyllet gjatë ditës së sotme”.
Kjo është dita e 18-të e rinumërimit të votave, derisa pritet që Kosova të ketë Qeveri në muajin shkurt.
Lëvizja Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit me 51.10 për qind, që në total i bie që kanë siguruar 57 ulëse në Kuvend. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se qyteti do të bëhet me spital të ri, pas një takimi që ka zhvilluar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Peci ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar për sektorin e shëndetësisë dhe projektet që Ministria e Shëndetësisë planifikon t’i realizojë në Mitrovicë, me theks të veçantë në ecurinë dhe dinamikën e projektit për ndërtimin e spitalit të ri.
“Mitrovica do të bëhet me spital të ri. Sot mirëprita në takim ministrin e Shëndetësisë, z. Arben Vitia, me të cilin diskutuam për projektet që do të realizohen në Mitrovicë dhe për ecurinë e ndërtimit të spitalit”, ka shkruar Peci.
Sipas tij, spitali i ri do të ndërtohet me hapësira moderne dhe do të ofrojë të gjitha shërbimet shëndetësore të nevojshme për qytetarët.
“Spitali i ri, me hapësira moderne dhe me të gjitha shërbimet shëndetësore, do të realizohet, ndërsa implementimi i tij do të fillojë sapo të formohet Qeveria Kurti 3”, ka theksuar kryetari i Mitrovicës.
Në kuadër të takimit është diskutuar edhe mundësia e zhvendosjes së ambulancave specialistike nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës në hapësira më të përshtatshme dhe më moderne të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Peci ka garantuar se Komuna e Mitrovicës do të përmbushë të gjitha obligimet e saj për realizimin e këtij projekti madhor.
“Komuna e Mitrovicës do t’i kryejë të gjitha obligimet që i përkasin, në mënyrë që ky projekt të jetësohet sa më parë”, ka deklaruar ai. /Telegrafi/
Ndërmarrja Publike Dardana ka filluar furnizimin me ushqim për kafshët e egra në zonat e Vendgjuetisë Kamenicë, në pikat që ato frekuentojnë më së shumti.
Sipas njoftimit, ky aktivitet po realizohet me qëllim të sigurimit të ushqimit të mjaftueshëm për kafshët e egra gjatë kushteve të vështira klimatike, veçanërisht në periudhën e dimrit.
Nga NPL Dardana theksohet se kjo ndërmarrje mbetet e përkushtuar në ruajtjen, menaxhimin dhe mbrojtjen e qëndrueshme të mjedisit dhe faunës së egër, duke kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në mirëqenien e biodiversitetit në territorin e Komunës së Kamenicës. /Telegrafi/
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka njoftuar se gjatë vërshimeve të fundit kanë intervenuar në 196 raste, nga të cilat janë evakuuar 42 persona. Kjo agjenci ka theksuar se çdo lum është i degraduar dhe duhet të mirëmbahet, derisa ka dhënë edhe rekomandime të detajuara.
Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Shefki Abdullahu gjatë konferencës për media lidhur me situatën e krijuar nga vërshimet e fundit të muajit janar, si dhe për veprimet dhe angazhimet e agjencisë.
“Vërshimet kanë përfshirë disa komuna, i kemi potencuar më së shumti ato komuna të cilat kanë qenë vërshimet më të theksuara dhe këtu janë Malishevë, Gjakovë, Klinë, Junik, Drenas, Skenderaj, Mitrovicë, Suharekë, Gjilan dhe Prishtinë. Ekipet e specializuara të AME-së, njësitë profesionale të zjarrfikësve dhe shpëtimit, Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës dhe Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim, kanë realizuar intervenime të shumta duke përfshirë thithje të ujit me pompa të kapacitetit të lartë te objektet me rëndësi të veçantë si KEK-ut, të cilat i posedon AME-ja, kurse njëkohësisht edhe njësitë profesionale të zjarrfikësve dhe shpëtimit, të cilat kanë pompat edhe njësitë e tyre... kemi pasur numri i rasteve të koordinuara kanë qenë 1070 raste. Numri i intervenimeve në vërshime ka qenë 196, thithja e ujit me pompa të kapacitetit të lartë 24, intervenime teknike 63, persona të evakuuar kanë qenë 42”, tha ai.
Ai shtoi se kanë vendosur barriera kundër vërshimeve dhe thasëve në Mitrovicë, në veçanti në lagjen te Ura e Ibrit.
Abdullahu theksoi se mungesa e mirëmbajtjes së lumenjve, deformimi i shtretërve pas luftës dhe hedhja e mbeturinave, kanë rritur ndjeshëm rrezikun e vërshimeve në shumë komuna të Kosovës.
"Hartat e lumenjve të cilët rrezikojnë do t’i kemi në raport, do t’i dërgojmë dhe do t’i keni të gjitha detajet, sepse të gjithë lumenjtë në Kosovë vërshojnë komunat të cilat shpeshherë edhe po përsëriten, domethënë janë plotësisht këta lumenj të cilët nuk janë përmbajtur, nuk janë mirëmbajtur apo shtrati i tyre është deformuar në mënyrë të egër pas luftës, do të thotë rëra që kanë nxjerrë të gjitha ato kompani, por edhe hedhja e mbeturinave në lumenj të lirë, kështu që kanë shkaktuar… çdo lum është i degraduar dhe duhet të mirëmbahet, të pastrohet, është primare që të sigurohet jeta e qytetarëve, ambienti, prona, ku njëkohësisht edhe për gjallesat, për secilin, duhet t’i kemi ato lumenj, që ne si i kemi pikërisht për këto arsye të ndotjes dhe të degradimit të lumenjve", theksoi Abdullahu.
“Nga analiza dhe mësimet e nxjerra, kemi nxjerrë rekomandime. Pastrimi dhe mirëmbajtja e rregullt e shtretërve të lumenjve, monitorimi i vazhdueshëm i zonave me rrezik të lartë, hartimi dhe zbatimi i planeve lokale për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore, ndarja e qartë e përgjegjësive ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, ndalimi i ndërtimeve në zonat e rrezikuara nga vërshimet dhe forcimi i inspektimeve ndërtimore, rritja e kapaciteteve të reagimit në emergjencë përmes trajnimeve të rregullta dhe pajisjeve adekuate të strukturave lokale, vetëdijesimi i qytetarëve për rreziqet dhe fatkeqësitë natyrore dhe forcimi i sistemit për paralajmërim të hershëm”, tha ai. /KP/
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se punimet për rehabilitimin dhe rivitalizimin e “Kejit” në zonën e Shadërvanit janë drejt përfundimit.
Përmes një postimi në Facebook, Totaj ka theksuar se ndërhyrja po realizohet nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe ka për qëllim rikthimin e sharmit dhe funksionalitetit të një prej pjesëve më të frekuentuara dhe më të rëndësishme të qytetit.
“Drejt përfundimit punimet për rehabilitimin dhe rivitalizimin e ‘Kejit’ në Shadërvan, intervenim i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, me qëllim të rikthimit të sharmit dhe funksionalitetit të kësaj pjese të frekuentuar dhe të rëndësishme të Prizrenit”, ka shkruar Totaj.
Sipas tij, ky projekt synon përmirësimin e hapësirave publike dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët dhe vizitorët, duke ruajtur njëkohësisht identitetin urban dhe historik të kësaj zone qendrore të Prizrenit. /Telegrafi/
Si pasojë e vërshimeve të fundit, në disa zona të Komunës së Gjakovës ende janë evidentuar mbetje të mbeturinave të shpërndara në hapësira publike.
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Çabrati” ka bërë të ditur se ekipet e saj janë çdo ditë në terren, duke punuar intensivisht për largimin e mbeturinave dhe rikthimin e pastërtisë në zonat e prekura.
Nga KRM “Çabrati” thuhet se angazhimi po vazhdon me kapacitete të plota, me qëllim që hapësirat publike të bëhen sa më shpejt të pastra dhe të sigurta për qytetarët.
Njëkohësisht, kompania ka kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim nga qytetarët, derisa po zhvillohen këto intervenime pastruese në terren.
KRM “Çabrati” ka theksuar se mbetet e përkushtuar për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe ruajtjen e mjedisit në Komunën e Gjakovës. /Telegrafi/
Drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, Osman Hajdari, së bashku me menaxhmentin e spitalit, ka pritur në takim drejtorin e Drejtorisë Komunale të Shëndetësisë së Komunës së Prizrenit, Sylejman Baxhaku, me bashkëpunëtorët e tij.
Në takim morën pjesë edhe drejtori mjekësor Dr. Shefki Xharra, drejtoresha e Infermierisë Burbuqe Gashi, drejtori i Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta Lumrim Murtezaj, si dhe përfaqësues të Drejtorisë Komunale të Shëndetësisë, përfshirë udhëheqësin e Sektorit të Shëndetësisë Komunale Shpëtim Rahmanaj, zyrtaren e lartë për cilësi Dormira Brahimaj-Musaj dhe zyrtaren ligjore Qëndresa Racaj.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” dhe Drejtorisë Komunale të Shëndetësisë, me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore, më efikase dhe më të shpejta për qytetarët.
Në fokus të diskutimeve ishin shkëmbimi i përvojave profesionale dhe edukimi i vazhdueshëm i stafit shëndetësor, koordinimi dhe avancimi i shërbimeve emergjente, procesi i referimit dhe transportimit të pacientëve, si dhe inicimi i ngritjes së një qendre të veçantë për transportimin e pacientëve nga vendi i ngjarjes, QKMF-të, spitali dhe QKUK-ja. Po ashtu, u trajtua shfrytëzimi optimal i burimeve njerëzore dhe financiare, pajisjeve mjekësore, shërbimeve teknike, si dhe koordinimi i shërbimeve diagnostike dhe laboratorike.
Palët diskutuan gjithashtu ngritjen e mekanizmave të përbashkët institucionalë dhe iniciativave që vendosin pacientin në qendër të kujdesit shëndetësor.
Në përfundim të takimit, drejtuesit e të dy institucioneve u dakorduan që bashkëpunimi të vazhdojë përmes takimeve të rregullta dhe ndërmarrjes së hapave konkretë për zbatimin e çështjeve të diskutuara, përfshirë inicimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërinstitucional, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.
Ky ishte takimi i parë ndërmjet dy drejtuesve që nga marrja e detyrës së drejtorit ekzekutiv të Spitalit nga Osman Hajdari në shtator 2025 dhe marrja e detyrës së drejtorit të Shëndetësisë Komunale nga Dr. Sylejman Baxhaku në janar 2026. /Telegrafi/
Komuna e Kamenicës, përmes Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, ka njoftuar se sezoni i gjuetisë në territorin e kësaj komune do të mbyllet më 31 janar 2026.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë në bazë të Ligjit për Gjueti Nr. 02/L-53 dhe ka për qëllim mbrojtjen e faunës së egër, si dhe ruajtjen e ekuilibrit natyror.
Me mbylljen e sezonit, pas datës 31 janar 2026 ndalohet rreptësisht çdo aktivitet i gjuetisë në territorin e Komunës së Kamenicës.
Ky njoftim është i obligueshëm për të gjithë gjuetarët, shoqatat e gjuetarëve dhe shfrytëzuesit e vendgjuetive në këtë komunë.
Nga Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural u bëhet thirrje të gjitha palëve që të respektojnë këtë vendim, në funksion të mbrojtjes së biodiversitetit dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi. /Telegrafi/
Reparti i Oftalmologjisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka realizuar 602 operacione të syrit gjatë vitit 2025, për patologji dhe sëmundje të ndryshme oftalmologjike, si dhe për ndërhyrje urgjente në raste të lëndimeve traumatike.
Nga spitali bëhet e ditur se ky repart ofron kujdes mjekësor 24-orësh për pacientët që kanë nevojë për trajtim dhe mbrojtje të shëndetit të syve.
Shërbimet ofrohen nga një ekip profesional i përbërë nga pesë mjekë specialistë, gjashtë infermierë dhe katër instrumentare.
Përveç ndërhyrjeve kirurgjikale, gjatë vitit të kaluar janë realizuar gjithsej 14 mijë e 514 vizita ambulantore, për pacientë me ankesa dhe shqetësime të ndryshme oftalmologjike.
Drejtuesit e repartit theksojnë se ofrimi i shërbimeve të vazhdueshme dhe të specializuara mbetet prioritet, duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe rëndësinë e shëndetit të syve për cilësinë e jetës së pacientëve. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale, Afrim Oruqi, ka vizituar repartin e diagnostikës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Fahredin Hoti”.
Vizita u realizua për të parë nga afër situatën pas problemeve të evidentuara në pajisje dhe aparatura, të cilat kishin ndikuar në funksionimin e laboratorit.
Nga komuna bëhet e ditur se laboratori tashmë është rikthyer plotësisht në funksion.
Me këtë rikthim, qytetarët e Rahovecit nga sot kanë mundësi të shfrytëzojnë shërbimet laboratorike, përfshirë edhe kryerjen e disa analizave laboratorike shtesë, duke lehtësuar qasjen në shërbime shëndetësore brenda komunës. /Telegrafi/
Ndërmarrja Komunale Rajonale “Pastrimi” ka denoncuar një rast vandalizmi të ndodhur në rrugën “Xheladin Hana” në lagjen Bregu i Diellit, ku persona të papërgjegjshëm kanë djegur kontejnerët për mbeturina.
Sipas KRM “Pastrimi”, ky veprim ka shkaktuar dëm material, si dhe ndotje serioze të ajrit për shkak të çlirimit të substancave toksike, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin.
Nga ndërmarrja bëhet e ditur se kontejnerët e dëmtuar janë zëvendësuar, por theksohet se sjellje të tilla janë të papranueshme dhe dëmtojnë drejtpërdrejt pasurinë publike.
KRM “Pastrimi” rikujton se kontejnerët për mbeturina janë pasuri publike, të blera me paratë e qytetarëve, dhe bën thirrje për ruajtjen e tyre, duke kërkuar ndaljen e akteve vandaliste që dëmtojnë interesin e përgjithshëm. /Telegrafi/
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Ndërmarrja Komunale “Pastrimi” po përballet prej një kohe me vështirësi në menaxhimin e grumbullimit të mbeturinave në Kryeqytet, për shkak të pamundësive teknike momentale për të operuar me kapacitet të plotë.
Sipas Ramës, pas kërkesës së KRM “Pastrimi” për mbështetje institucionale, Komuna e Prishtinës ka reaguar menjëherë duke ofruar ndihmën e nevojshme dhe duke nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me Ndërmarrjen Rajonale “Pastrimi”.
“Menjëherë pas pranimit të kërkesës, kemi ofruar mbështetjen e nevojshme dhe kemi nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me Ndërmarrjen Rajonale ‘Pastrimi’, në të cilën janë përcaktuar ndihma konkrete dhe parimet bazë të bashkëpunimit ndërinstitucional”, ka shkruar Rama.
Ai ka njoftuar se, në bazë të kësaj marrëveshjeje, nga sot ka nisur angazhimi i Ndërmarrjes Rajonale “Pastrimi” në terren, me fokus në grumbullimin dhe largimin e mbetjeve inerte ndërtimore, si dhe të mbetjeve vëllimore nga deponitë ilegale në territorin e Kryeqytetit.
“Ky bashkëpunim pritet të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve operative në terren, duke mundësuar shërbime më të shpejta dhe më efikase, në funksion të përmirësimit të pastërtisë dhe cilësisë së jetës për qytetarët e Prishtinës”, ka theksuar kryetari Rama.
Nga Komuna e Prishtinës bëhet e ditur se bashkëpunimi ndërinstitucional do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim, me qëllim të adresimit të sfidave në menaxhimin e mbeturinave dhe garantimit të shërbimeve publike për qytetarët. /Telegrafi/
Në Gjilan është përmbyllur edicioni i 35-të i Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2026”, me shfaqjen e natës së pestë “Gërdia”, prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Shfaqja “Gërdia”, një dramë psikologjike intime, trajton krizën e brendshme të një burri, fajin, heshtjen dhe frikën nga ekspozimi emocional, duke hapur tema mbi burrërinë, ndjenjat e shtypura dhe rutinën e jetës pa kuptim. Konflikti dramatik lidhet me një ngjarje traumatike të fëmijërisë së kryepersonazhit, e cila shpaloset gradualisht deri në qartësimin final të veprës.
Produksioni, i cili më herët është vlerësuar si tekst fitues në Konkursin e Dramës Kombëtare “Katarina Josipi”, u prezantua në konkurrencën zyrtare të festivalit dhe u prit pozitivisht nga publiku gjilanas. Jehona e festivalit, i konsideruar unik për nga struktura organizative dhe përmbajtësore në dramaturgjinë kombëtare, si dhe fakti që shfaqja mban vulën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, sollën në sallë artdashës nga qytete të ndryshme shqiptare.
Interesimi i publikut ishte i kënaqshëm edhe në natën përmbyllëse, duke pasur parasysh se “Gërdia”, me autorësi të dyfishtë të Asdrit Kabashit, është një realizim i ri dhe në Gjilan u prezantua në fazën e hershme të rrugëtimit të saj artistik. Në sallë ishin të pranishëm artdashës nga Prishtina, Gjilani, Podujeva, Ferizaji, Lipjani, Dibra dhe qytete të tjera.
Vlerësimet kritike për shfaqjen ishin të balancuara, ndërsa loja e aktorëve u veçua si një nga pikat më të forta të realizimit, me theks të veçantë në interpretimin e aktorit Bujar Ahmeti. Dramaturgu Agron Gërguri e cilësoi veprën si “një ndërtim mbi fotografinë e depresionit kolektiv, të personifikuar përmes një personazhi”, duke theksuar fuqinë e ansamblit aktorial. Ndërkohë, kritiku Shemsi Doda vlerësoi se shfaqja ndërtohet mbi një narracion të paqëndrueshëm, ku kufiri mes reales, ëndrrës dhe makthit shpesh mbetet i paqartë.
Me shfaqjen “Gërdia” është ulur perdja e edicionit të 35-të të Festivalit të Dramës “Talia e Flakës”. Vlerësimi i shfaqjeve pjesëmarrëse i mbetet jurisë profesionale në përbërje: Ali Demi, Tringa Hasani dhe Ilir Bokshi, të cilët do të ndajnë çmimet në gjashtë kategori, përfshirë shfaqjen më të mirë, regjinë, tekstin dhe interpretimet aktoriale.
Pas përmbylljes së festivalit të dramës, Manifestimi “Flaka e Janarit 2026” vazhdon me aktivitete në fushën e arteve muzikore dhe letrare, deri më 31 janar, kur pritet të mbyllet zyrtarisht me ndarjen e çmimeve në katër shtyllat kryesore artistike. /Telegrafi/
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se procedura e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në aktgjykimin e shpallur më 28 janar 2026, në rastin KO325/25, Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e vendimit të Kuvendit të datës 10 tetor 2025, përmes të cilit Rašiq ishte zgjedhur nënkryetar, pas përdorimit të procedurës së shortit.
Sipas Kushtetueses, Kuvendi ka shkelur nenin 67 të Kushtetutës, në lidhje me dispozitat përkatëse të Rregullores së Kuvendit, duke mos respektuar të drejtën e shumicës së deputetëve të komunitetit serb për të propozuar kandidatin për këtë pozitë.
Gjykata theksoi se mekanizmat e debllokimit, si votimi i përsëritur dhe procedura e shortit, duhet të përdoren vetëm në rrethana përjashtimore dhe në përputhje të plotë me frymën dhe shkronjën e Kushtetutës.
Megjithatë, duke u thirrur në parimin e sigurisë juridike, Gjykata vendosi që ky aktgjykim të mos ketë efekt prapaveprues, ndërsa kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme u refuzua njëzëri. /Telegrafi/
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka marrë vendim për pezullimin nga puna të tre zyrtarëve komunalë, pas arrestimit të tyre nga organet e rendit.
“Sot kam marrë vendim për pezullimin nga puna të tre zyrtarëve komunalë, pas arrestimit të tyre”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.
Ai ka bërë të ditur se masa e pezullimit do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore, duke theksuar përkushtimin institucional ndaj ligjshmërisë dhe transparencës.
“Pezullimi nga puna do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore, ndërkohë që ritheksojmë përkushtimin për ligjshmëri, transparencë dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit”, ka theksuar Rama.
Kryetari i Kryeqytetit ka shtuar se institucioni që ai drejton do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë dhe do të veprojë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Institucioni i Kryeqytetit do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative në përputhje me ligjin”, ka deklaruar ai.
Në fund, Rama ka theksuar se shërbimet publike duhet të ushtrohen me integritet dhe përgjegjësi, duke nënvizuar parimin se “askush nuk është mbi ligjin”. /Telegrafi/
Drejtoria e Arsimit ka zgjidhur problemin e ngrohjes në shkollën “Fazli Greiçevci”, paralelja e ndarë në Verrnicë, përmes vendosjes së një kaldaje të re, duke përmirësuar kushtet për nxënësit dhe stafin arsimor.
Sipas njoftimit, kaldaja është siguruar si donacion nga Drejtoria e Shëndetësisë, në kuadër të mbështetjes për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në komunë.
Drejtori i Arsimit, Shefki Begu, ka shprehur falënderim ndaj Drejtorisë së Shëndetësisë për këtë mbështetje, si dhe ndaj ekipeve punuese që mundësuan instalimin dhe vënien në funksion të kaldajës.
Nga komuna bëhet e ditur se ky veprim dëshmon përkushtimin institucional për krijimin e kushteve të përshtatshme dhe të sigurta për procesin mësimor, si dhe për ngritjen e standardeve infrastrukturore në institucionet arsimore. /Telegrafi/
Komuna e Mitrovicës, përmes Drejtorisë së Administratës, ka bërë funksionalizimin e shërbimeve të Gjendjes Civile brenda Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, me qëllim të lehtësimit të procedurave administrative për qytetarët.
Me këtë rast, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Enis Osmani, së bashku me drejtorin e Administratës, Alban Fejzullahu, kanë vizituar sot këtë zyrë për t’u informuar nga afër rreth shërbimeve që ofrohen dhe kushteve në të cilat operon ajo.
Sipas njoftimit, për disa muaj kjo zyrë kishte qenë jashtë funksionit, duke i detyruar nënat lehona që për regjistrimin e fëmijëve dhe kryerjen e procedurave të tjera administrative të shkonin në objektin e komunës.
Me rikthimin e shërbimeve të Gjendjes Civile në ambientet e spitalit, qytetarëve u ofrohet mundësia që këto procedura t’i kryejnë më lehtë dhe më shpejt, pa pasur nevojë për udhëtime të panevojshme, duke rritur kështu efikasitetin dhe komoditetin e shërbimeve publike. /Telegrafi/